KAPITULLI I TRETË
I. POPULLI SHQIPTAR
Populli shqiptar është shumë i vjetër. Nga koha e paraqitjes së tij në fillim është quajtur Alpan dhe Alban, e mandej merr edhe emrin Arban dhe Arian, kuptohet të përcjella edhe me trajta të ndryshme të këtyre emrave. Këta emra janë përdorur në kohën e bakrit dhe në pjesën e parë të kohës së bronzit. Në kohën zeusjane paraqitet një emër i ri që është i lidhur me pjellën e kronjanit Zeus, që mandej u quajtën PELLAZG; me kuptim pjellë azgane. Me këtë emër janë quajtur të gjitha fiset dhe popujt Alban, Arban dhe Arian, të cilët kanë folur gjuhën albane, por që pas përhapjes së emrit të ri Pellazg, albanishtja u quajt gjuhë pellazgjike dhe popujt Alban u quajtën popuj Pellazg. Me paraqitjen e emrit Pellazg, nuk do të thotë se emri i vjetër Alban u ndërpre, përkundrazi emri Pellazg, bashkë me trajtat e ndryshme të emrit Alban, Arban dhe Arian, në shumë raste ka ngelur si relikt i emrave të ndryshëm nga koha parahistorike, në kohë të antikës dhe të mesjetës, me atë që emri Alban, deri në ditët e sotme, ekziston si emër kombëtar Alban dhe shteti quhet Albani. Por emrat Alban dhe Albani i përdorin popujt e tjerë për popullin tonë, ndërsa shqiptarët vetveten e quajnë SHQIPTAR dhe shtetin e vet e quajnë SHQIPËRI.
A. KUVENDI KOMBËTAR I ARBANVE
Historikisht është e njohur se emri shqiptar për herë të parë është përdorur në Kuvendin Kombëtar të Arbanve, të mbajtur më 1703. Kuvendin e organizoi Papa Klementi XI, me prejardhje shqiptare. Një nga detyrat kryesore të këtij Kuvendi ishte të ndërmerrte aksion të përgjithshëm për mësimin masovik të gjuhës shqipe te mbarë gjeneratat e reja shqiptare.
Në këtë Kuvend aprovohet një dokument që u botua më vitin 1706. Në dokumentin e Kuvendit parashihet edhe afirmimi i krishterimit te shqiptarët katolik dhe ortodoks në të gjitha trevat shqiptare. Në dokumentin e aprovuar në Kuvendin kombëtar parashihet edhe ngritja e Ipeshkvisë Shkup – Prizren. Aprovimi i këtyre dhe përfundimeve të tjera në Kuvendin kombëtar ishin detyra shumë të rëndësishme për ardhmërinë e popullit shqiptar, sepse me këtë afirmoheshin vlerat kombëtare me emrin SHQIPTAR.
B. NGA RRJEDH EMRI SHQIPTAR?
Emri shqiptar rrjedh nga dy fjalë: nga emri shqipe dhe formanti tar.
Nga kjo kuptohet se rrënja e emrit shqiptar është emri shqipe, i cili është emër i mbretit të shpendëve në botë, që fluturon në lartësi mbi dy mijë metër. Shqiponja është shpend që i bënë foletë në majë të bjeshkëve të larta dhe që prej shpendëve jeton në kohë më gjatë - mbi njëqind vjet.
Kurse formanti -tar në esencë rrjedh nga fjala ar ose t’ar, e cila në këtë rast e ka kuptimin të artë, si diçka që është e vlefshme si ari i çmueshëm.
Për prejardhjen e emrit shqiptar shumë studiues të gjuhës kanë dhënë mendimet e tyre, por më e qëndrueshme është teza se ky emër rrjedh nga emri i shpendit të quajtur SHQIPE.
Arsyet janë të shumta, por këtu do të jap vetëm disa fakte të vërteta, si:
Arkeologu H. Shliman duke bërë kërkime të detajuara arkeologjike në qytetin historik të Ilionit në Trojë, ndër shumë gjëra të tjera gjeti edhe një enë në miniaturë me një vizatim të shqiponjës me dy krerë. Ky është objekt i parë i artit trojan i krijuar në kohën e bronzit ku paraqitet shqiponja me dy krerë, shumë e adhuruar te pellazgët.
Në lidhje me shqiponjën me dy krerë, historiani Edwin Jacques thotë:
“Me Dodonën lidheshin dy simbole: e para ishte shqiponja. Në gërmimet që u bënë në Dodonë më 1875 nga Karapanos, në gurin e tempullit u gjet e skalitur një shqiponjë dykrenare, e cila për njerëzit e lashtë përfaqësonte lajmëtarin e Zeusit. Sepse në “Iliadë” e shohim Zeusin që herë pas here dërgon një shqiponjë si një shenjë hyjnore për luftëtarët pellazg. Gjithashtu, Homeri i krahason këta luftëtarë të guximshëm me një shqiponjë të shpejtë.”29
Ky citat është një fakt i gjallë se shqiponja e skalitur në gurin e tempullit të Dodonës është punim i kohës para Luftës së Trojës. Kjo do të thotë se para kohës homeriane, shqiponja ka qenë shumë e adhuruar te pellazgët. Këtë e shohim në mënyrë të qartë në “Iliadë” të Homerit, kur thuhet se shqiponja ishte simbol i lajmeve të shenjta të Zeusit – atit, mbretit dhe zotit pellazgjik. Me rëndësi është se Homeri guximin dhe heroizmin e ushtarëve trojanë e lartëson duke e krahasuar me guximin dhe shpejtësinë e furishme fluturuese të shqiponjës.
Sipas miteve simbolet e Zeusit ishin rrufeja dhe vetëtima. Sipas Vojtech Zamarovskyt, për Zeusin thuhet: “Simbol prej shpendëve kishte shqiponjën.”30
Se sa rëndësi i jepet shqiponjës në shkrimet e Homerit për ngritjen e moralit në momentet më të vështira, e shohim në këto vargje të tij, kur Hekuba i thotë Priamit: “...lutju prandaj Kronjanit31
që vranë e kthjell nga bjeshka e lartë e Idës,
e ja mban dorën tokës së Ilionit,
lypja ta çoj në të djathtën tande shkabën
mbretin e shpendve që e ka për zemër...”32
Nga kjo shihet se Hekuba, gruaja e Priamit, e këshillon atë që t’i lutet Zeusit t’i dërgojë nga ana e djathtë shkabën (shqiponjën), mbretin e shpendëve që e kishte për zemër, që t’i lehtësojë punën tek Akili.
Mandej, Priami i drejtohet Zeusit me këto fjalë:
“Me za të lartë u lut: “O ati Zeus,
sunduesi i Idës, lavdiploti i epër,
ban që te Akili të gjej nder, frymzoje
t’ ketë dhimbë për mue; m’dërgo nga e djthta ime mbretin e shpendve, shkabën e fuqishne,
që e don me shpirt ma fort se çdo shpenzë tjetër.”33
Këtu shihet se si Priami i lutet Zeusit t’i zbusë zemrën Akilit dhe të gjejë mirëkuptim, që Zeusi t’i dërgojë në krah të djathtë shqiponjën, që e do dhe e ka për shpirt.
Në të dy këta citate, shihet se shkaba ogurmira njerëzve u dërgohet nga Zeusi në anë të djathtë dhe se shqiponja konsiderohet si mbret i shpendëve.
Në një rast tjetër Homeri thotë:
“... Shpejt gjëmuesi
Zeusi i lëshoi nga maj’ e malit
nja dy shqiponja, fluturim, si re.
Pak ato fluturuan në frymë të erës,
puq njëra-tjetrës, t’ndera të dy flatrat,
pastaj filluan përmbi atë log të zbresin.”34
Edhe këtu shohim se Zeusi nga maja e malit të shenjtë i lëshon dy shqiponja, të cilat zbresin në log të selisë në Itakë.
Ja edhe një rast ku Homeri e përmend shqiponjën dhe thotë:
“Mtonjsit ndërkaq mendonin pa pushuar
se si t’ ia bënin varrin Telemakut,
kur në të majt të tyre po na ngrihet
një shqipe madhështore fluturim
me një pëllumb të vogël ndër çaponj.”35
Këtu, në këtë rast, kur mtonjsit planifikojnë ta eliminojnë Telemakun, në të majtë të tyre po ngrihet një shqiponjë madhështore. Kjo shqiponjë që u vjen nga e majta mtonjësve u sjell ogurin e zi.
Kjo dëshmohet me atë që mtonjsit vriten në mes pallatit mbretëror të Itakës.
Kur është fjala te dërgimi i shqiponjës në krah të djathtë ose në të majtë, paraqitja e shqiponjës është lajm i shenjtë i Zeusit. Por ardhja e shqiponjës në të djathtë është ogurmirë, d. m. th. është lajm për të mirë, e nëse vjen në krah të majtë, atëherë lajmi është ogurzi, d. m. th. është lajm i keq. Prandaj, rastet e para ishin lajme të mira, kurse rasti i fundi, kur shqiponja vjen në krah të majtë, është lajm i keq.
Vëllezërit Romuli dhe Remi e ndërtojnë një qytet. Për emrin e qytetit të ndërtuar marrin për bazë paraqitjen e shpezëve në qiell. Në këtë rast, kur Remi doli jashtë iu paraqitën gjashtë shqiponja. Por më pas kur Romuli del jashtë në oborr në qiell paraqiten dymbëdhjetë shqiponja. Prej nga fitoi Romulu dhe qyteti e mori emrin e tij dhe u quajt Roma.
Nga kjo kuptojmë se edhe për emërimin e qytetit të Romës është marrë për bazë paraqitja e numrit të shqiponjave.
Në kryeqytetin e Maqedonisë antike, Pelë, në kohën e Filipit II dhe të Lekës së Madh, në mënyrë të veçantë është zhvilluar arti i skulpturës me plot elemente mitologjike të asaj kohe. Një karakteristikë e veçantë është paraqitja e kafshëve në mënyrë fantastike që quhet grifon, që paraqiten me trup luani dhe me kokë e krah të shqiponjës.36
Në artin e skulpturës së Maqedonisë së vjetër, ky është një punim karakteristik, që tregon lidhshmërinë e trupit të mbretit të kafshëve – luanit dhe të kokës e krahëve të mbretit të shpendëve, d.m.th. shqiponjës së shenjtë. Kjo është një lloj skulpture e paraqitur në mënyrë fantastike, e quajtur grifon, e cila është kombinim i trupit të luanit me kokën dhe krahët e shqiponjës. Këto janë simbole karakteristike te fiset pellazge dhe është shprehje e adhurimit të mbretit të kafshëve – luanit dhe mbretëreshës së shpendëve – shqiponjës. Nga kjo e dyta, d.m.th. shqiponja në kohën e mesjetës, është formuar stema si shenjë kombëtare shqiptare dhe pak më vonë është marrë edhe si emër kombëtar.
Edhe në kohën e luftërave që i zhvillonte mbreti Pir i Epirit, kur ushtarët i shprehnin lëvdata mbretit të tyre me fjalët: “Ti je shqiponjë!”, ai iu përgjigjej: “Po, unë jam shqiponjë, por edhe ju jeni flatrat e mia!” Një mendim i këtillë mund të jetë i vërtetë, por kjo është vetëm një rast që e forcon tezën se emri i gjuhës shqipe dhe i popullit shqiptar rrjedhin nga emri i shqiponjës.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nën ndikimin bizantin, ku kanë sunduar perandor ilir dhe dardan, sipas stemave të tyre, bëri flamurin dhe vulën e tij me simbolin e shqiponjës dykrenare. Simbolet që ka përdor Skënderbeu janë rrjedhim direkt i traditës mijëvjeçare nga koha e Zeusit dhe nga koha e dokumentuar homeriane e deri në kohën e Skënderbeut. Flamuri i Skënderbeut me shqiponjën dykrenare u bë simbol i flamurit kombëtar të Shqipërisë.
Nga sa thamë më sipër arrijmë në përfundimin se emri i popullit shqiptar dhe i gjuhës shqipe janë formuar nga emri i mbretit të shpendëve i quajtur Shqipe. Emri shqiptar i trashëgon emrat Alban dhe Pellazg. Ndërsa gjuha shqipe e trashëgon gjuhën albano - pellazge. Ndërsa, teza e Eqrem Çabejt se nëna e gjuhës shqipe është ilirishtja, bashkë me tezën e panilirizmit të lançuar nga shkencëtarët gjerman dhe të tjerë janë teori të gabuara etnonimi nga mungesa e shpjegimeve shkencore për realitetin e qenies Albano - Pellazge dhe Shqiptare.
C. SHQIPJA SI PASARDHËSE
E ALBANO-PELLAZGJISHTES
Me shpjegimet reale të gjuhës albano-pellazge dhe të shqipes së sotme, në një masë mjaft të madhe do të ndryshojë edhe drejtshkrimi i gjuhës shqipe dhe gramatika e saj. Për përpilimin e gramatikës së gjuhës shqipe që nga fillimi janë bazuar sipas shembullit të gramatikave latine, greke dhe të gjuhëve të tjera, në varësi të autorëve se nga gramatika e cilës gjuhë është bazuar.
Sot për formimin e fjalorit drejtshkrimor të gjuhës shqipe si dhe për përpilimin e gramatikës së gjuhës shqipe duhet të merren parasysh edhe shumë elemente gjuhësore të trashëguara nga albano – pellazgjishtja. Sot, edhe pse është mjaft vështirë ta kuptojmë gjuhën pellazge pa shkrime serioze letrare ose shkencore në këtë gjuhë aq të zhvilluar, por, përsëri duhet të bazohemi si në mbishkrimet gurore pastër në gjuhën pellazge, ashtu edhe nga shkrimet letrare, historike dhe shkencore në gjuhët e shkruara në kohën e antikës së hershme, në të cilët gjuhë kemi një përqindje të madhe nga fjalori i gjuhës albano-pellazge. Fjalori i pellazgjishtes së zhvilluar në kohën e bronzit dhe të hekurit në një masë të madhe është bazë e gjuhëve indoevropiane, gjë që na tregon mundësinë e përzgjedhjes së fjalëve dhe shprehjeve të shumta pellazge në gjuhët e shkruara nga koha e antikës së hershme e deri në kohën e botimeve të veprave në gjuhën shqipe.
Në fund fjalët dhe shprehjet e vjetra gjuhësore albano - pellazge me shumicë i gjejmë në thesarin e pasur të gjuhës popullore shqipe. Edhe pse nuk është fjalori komplet i gjuhës pellazge, por, përsëri, studimet e thelluara, sidomos studimi i etimologjisë së fjalëve shqipe, do të jap një pasqyrë të qartë gjuhësore të pellazgjishtes së regjistruar si në gjuhët e shkruara të antikës, ashtu edhe nga të folmet e ndryshe popullore të shqipes.
Albanologu i shquar Eqrem Çabej si njohës i mirë i gjuhëve ballkanike, ndër të tjera, thotë: “... Shqipja në një farë mënyre ka një pozitë centrale në mes të gjuhëve ballkanike.”37
Kjo thënie e natyrshme dhe shumë e vërtetë e Çabejt tregon se gjuha shqipe në Ballkan luan një rol të rëndësishëm në mesin e gjuhëve të tjera, për arsye se të gjitha këta gjuhë përmbajnë një përqindje të madhe të fjalorit pellazgo – shqip.
Ndërsa Maksimilan Lamberz, albanolog i njohur austriak, shkon edhe shumë më larg se Eqrem Çabej, duke e nxjerrë gjuhën shqipe jashtë suazave të gjuhëve ballkanike dhe e vendos me plot të drejtë në përmasa botërore, kur thotë:
“Historia e vërtetë botërore do të shkruhet vetëm atëherë kur në hartimin e saj do të marrin pjesë edhe shqiptarët.”38
Kjo është thënie e veçantë për vlerësimin e gjuhës shqipe në një nivel shumë të lartë, me të cilën me plot të drejtë e arsyeton atë që popujt indoevropian shkencëtarët i kanë quajt indopellazgjik.
Për gjuhën shqipe Nermin Vlora-Fallaski, ndër të tjera, thotë:
“... Kanë të drejtë autorët e ndryshëm, të cilët me bindje të pamohueshme kanë shkruar se shqipja është çelësi i gjuhëve të lashta.”39
Me këtë shkencëtarja do të tregojë se gjuha shqipe si pasardhëse e drejtpërdrejtë e albano – pellazgjishtes ka një rëndësi të veçantë ndër gjuhët e sotme indoevropiane dhe se nuk është kjo gjuhë ashtu si e trajtojnë disa shkencëtar si gjuhë e thjeshtë më vete dhe gjoja e parëndësishme.
Në një rast tjetër Nermin Vlora – Falaski e thotë edhe këtë:
“... Dhe do të përfundojmë me të njëjtën mënyrë: Qytetërimet në përgjithësi fillojnë me pellazgët yjor.”40
Me këtë Nermini tregon se të parët e shqiptarëve, pellazgët, e kanë pasur të zhvilluar gjuhën e tyre krahas zhvillimit të qytetërimit të hershëm, prej nga qytetërimi është përhapur në botën e vjetër parahistorike dhe të më vonë dhe se gjuha e sotme shqipe e trashëgon në tërësi.
KAPITULLI I KATËRT
GJENEZA E MBRETËRIVE PELLAZGE
Titani Kron ka qenë njeri shumë i zhvilluar fizikisht, ka pasur fuqi gjiganti dhe ka qenë shumë i vrazhdë. Si sundimtar i dalluar titanik bëhet mbret i fisit të tij, i cili në kohën e tij ka qenë pa emër. Por, pasi bëhet mbret djali i tij, Zeusi, fisi i tyre merr emrin Pellazg. Prandaj, Kroni merret si mbret i parë i pellazgëve dhe me këtë fillon dinastia e Kronidëve. Edhe pse si zakonisht për epokat parahistorike janë dhënë shpjegime mitike, për ata ai ka qenë një nga personalitetet e qytetërimit të hershëm të nivelit fillestar të përdorimit të rregullave tradicionale si rend dhe kode juridike në mbretërinë e tij.
Kroni me gruan e tij Ren ka pasur gjashtë fëmijë, prej të cilëve hyjnesha janë Hestia, Demetra e Hera dhe zotra janë Zeusi, Poseidoni dhe Hadi.
Pas vdekjes së Kronit, mbret bëhet djali i tij, Zeusi. Me rëndësi të madhe është se Zeusi si sundimtar dhe si mbret vë rend shoqëror ku rregullat tradicionale i shndërron në ligje të pandryshueshme në sistemin e organizimit të shtetit fisnor. Për këtë, Vojtech Zamarovsky thotë:
“Ka qenë nismëtar dhe mbrojtës i ligjeve hyjnore dhe njerëzore. Mbretërve u jepte pushtet, i mbronte kuvendet popullore, e forconte rendin dhe të drejtën, ishte dëshmitar dhe mbrojtës i besës, e dënonte padrejtësinë dhe shkeljen e drejtësisë.”41
Me këtë Zeusi u bë mbret shumë i zoti, sepse ai ka qenë i pari që formoi dhe zyrtarizoi kodet themelore juridike në sistemin shtetëror të mbretërisë së tij, e cila ishte shembull për funksionimin e mbretërive si te pellazgët ashtu edhe te popujt e tjerë. Zeusi u bë i famshëm me atë se rregullat tradicionale i bëri ligje shtetërore, të cilat i mbronte me forcë. Sipas sistemit të tij shtetëror, Zeusi mbretërve u jepte pushtet të plotë, por edhe kuvendet popullore i mbronte. Ai rëndësi të madhe i kushtonte mbajtjes së rendit me drejtësi të plotë. Për çështje më të rëndësishme ai vetë dëshmonte dhe ishte mbrojtës i denjë i besës. Ashpër i dënonte padrejtësitë dhe shkeljen e të drejtave të njerëzve. Për këtë aftësi dhe zotësi populli dhe pasardhësit e tij, Zeusin e shpallën si ZOT të pavdekshëm. Për këtë jepet shpjegim i veçantë. Kjo na jep të kuptojmë se Zeusi sa ka qenë gjallë nuk ka qenë vetëm mbret i fisit të vet të ngushtë, por ka sunduar edhe mbi mbretëritë e shumta të pellazgëve. Marrë realisht si zot i pellazgëve, ZEUSI KA QENË PERANDOR I TË GJITHA FISE-SHTETEVE PELLAZGE. Nga kjo kuptohet se Zeusi nuk ka qenë zot i pellazgëve si Perëndi e gjithësisë, por ka qenë zot me kuptim si mbisundues te të gjitha mbretëritë pellazge. Fjalët dhe urdhrat e Zeusit, edhe pas vdekjes së tij, orakujt nëpër të gjithë tempujt që kanë ekzistuar pas tij, i kanë transmetuar tek njerëzit e asaj kohe, dhe me këtë, pra, Zeusin e bëjnë të lavdishëm dhe të pavdekshëm.
MBRETËR ME EMRIN PELLAZG
Ati Zeus me dashnoren e tij, Niobën, patën një djalë, të cilin e emëruan me emrin Pellazg.42 Prej kësaj kohe, emri Pellazg u popullarizuar shumë te pellazgët, sepse e kishte kuptimin pjellë azgane. Prandaj, emri Pellazg ka qenë shumë i preferuar dhe i përhapur, i cili është përdorur si për njerëzit e rëndomtë ashtu edhe për emërimin e fëmijëve të familjeve mbretërore të pellazgëve. Në atë kohë në disa shtete pellazgjike ka pasur mbretër me emrin Pellazg, prej të cilit e merrte emrin populli PELLAZG dhe mbretërinë e tij e quanin PELLAZGJI.
Sipas Pausanit, arkadët thonë se Pellazgu ishte njeriu i parë që lindi në Arkadi dhe se, kur ai u bë mbret, vendi u quajt PELLAZGJI.
Të njëjtën gjë e vërteton edhe Pindari kur thotë se Arkadia e lindi PELLAZGUN YJOR. Shumë me rëndësi është se ai në mënyrë të qartë e thekson se Pellazgu ka lindur shumë kohë para Hënës. Me këtë, Pindari ka treguar se Arkadia është bërë mbretëri në krye me mbretin PELLAZG, shumë kohë para ardhjes së grekëve helen në Greqinë e vjetër pellazgjike.
Po në Peloponez, në mbretërinë e Argolidës ka sunduar mbret me emrin Pellazg. Për këtë, Vojtech Zamarovsky thotë:
“Pellazgu – mbret në Argolidë, i biri dhe pasardhësi i mbretit Palekton.”43
Me këtë kuptohet se Argolida, me këtë emër edhe më parë ka qenë mbretëri, por ajo pas krijimit të pjellës azgane të Zeusit, mbreti i Argolidës Palektoni me familjen e tij e emërojnë fëmijën e tyre me emrin më të çmueshëm dhe më të pëlqyeshëm - Pellazg. Por kur biri i tyre Pellazgu rritet dhe bëhet mbret, për nder të tij edhe populli merr emrin e tij dhe quhet Pellazg, prej nga edhe mbretërinë e Argolidës e kanë quajtur Pellazgji.
Emërimi i fëmijëve në familjet mbretërore me emrin ideal – Pellazg, me kuptimin pjellë azgane, formohet traditë e përhershme te pellazgët prej kohës së Zeusit. Por, në atë kohë, të gjitha mbretëritë pa marrë parasysh se çfarë emri kishte mbreti, mbretëritë emërohen Pellazgji, por edhe popujt e tyre quhen Pellazg. Nga kjo kohë me emrin pellazg u quajtën të gjitha fiset dhe popujt që e kishin gjakun dhe gjuhën albane dhe emrat Alban dhe Albani u zëvendësuan me emrat Pellazg dhe Pellazgji.
Në kohën parahistorike albanët dhe më vonë të quajtur Pellazg, kanë qenë të shpërndarë në tri kontinentet e vjetra dhe nuk ka qenë e mundur të formojnë një shtet perandorak me një unitet të fiseve dhe popujve albano – pellazge. Një unitet të tillë do të kishte mundur ta bëjë në kohën antike Aleksandri i Madh i Maqedonisë, kur e bashkoi Ballkanin jugor me Lindjen e Afërt me Egjiptin dhe deri në Indi, por nuk arriti të bashkoj tri kulturat e këtyre popujve, që asaj kohe në esencë ka qenë kulturë pellazge dhe që më vonë është quajtur kulturë antike.
Shumë gjëra të asaj kohe ende janë të errëta, të pa ndriçuara mirë, edhe pse faktet ka mundësi të dalin në shesh, por koha parahistorike ka nevojë të studiohet më në detaje. Një gjë të tillë e shohim edhe te Zamarovsky, i cili thotë:
“S’do mend se Pellazgu është figurë mitike. Homeri dhe historianët e lashtë grek, banorët e stërlashtë të Greqisë, para ardhjes së danajve, akejve dhe argejve, i quanin sipas emrit të tij. Mbi ekzistimin historik të këtyre banorëve të stërlashtë s’ka dyshim, ndonëse nuk dimë a janë quajtur edhe vetë Pellazg. Asgjë nuk dimë, as për origjinën e tyre, por duket se fiset e para greke që janë vendosur në Peloponez nuk i kanë asgjësuar pellazgët.”44
Kur Zamarovski thotë se “s’do mend se Pellazgu është figurë mitike”, është e qartë se ky mitolog, nuk i ka të njohur shumë gjëra për pellazgët. Nuk e ka të njohur se nga ka ardhur dinastia e mbretërisë pellazge të Argolidës dhe se si janë quajtur banorët e kësaj mbretërie. Te Zamarovsky si dhe te shkencëtarët e tjerë mungojnë njohuritë për banorët e parë të quajtur me emrat Alpen, Alpan, Alben e Alban dhe më vonë Arben e Arban. Albanët si racë e hershme pellazge, që nga koha e bakrit, janë ndër banorët e parë që e populluan Azinë qendrore e perëndimore, krejt Evropën dhe Afrikën veriore. Emri Alban u formua dhe u përhap në Evropë, duke filluar nga albanët e Kaukazit, albanët e Dardanisë (në trojet e Kosovës së sotme) dhe albanët e Ilirisë (në trojet e Shqipërisë së sotme), Albania e gadishullit Apenine, e deri te mbretëria e Albionës dhe të Albanis skoceze në Britani të Madhe etj.
Kur Zamarovsky thotë se “Homeri dhe historianët e lashtë grek, banorët e stërlashtë të Greqisë, para ardhjes së danajve, akejve dhe argajve i quanin sipas emrave të tyre...”, shihet se argejt, danajt dhe akejt, ai i konsideron sikurse ata janë grek-helen, sepse ashtu i kanë shpjeguar edhe historianët e antikës. Këta banorë janë të kohës kur banorët pellazg e kanë marrë emrin nga emrat e personaliteteve që kanë udhëhequr në këto treva.
Në Argolidë jetonte një popullatë që sipas emrit të vendit e morën emrin Argaj. Ky emër përbëhet prej tri fjalëve pellazgo-shqipes, arë, g-ë dhe aj. Fjala arë është tokë pjellore për bujqësi. G-ja është tingull i vjetër i artikuluar, që e ka pasur kuptimin e hapësirës së arave apo të fushës pjellore për bujqësi. Ndërsa fjala ej është një sufiks i rëndomtë i gjuhës pellazgo-shqipe.
Danau është biri i Belit, mbretit të Egjiptit dhe i gruas së tij, Ankinoes. Danau ka qenë mbret në Libi, por nga presioni i vëllait, ai me familjen e vet shkon në Argolidë te atdheu i stërgjyshes së vet Ies në Peloponez, të cilit mbreti Pellazg i siguron mbrojtje të plotë nga vëllai i tij që e ndiqte. Sipas emrit të Danaut, fisi i tij pas një kohe, formohet një popull i quajtur Danaj. Ky person nuk rridhte nga grekët helen, por nga një fis pellazg që jetonte në Egjipt dhe në Libi.
Edhe banorët e akejve janë quajtur sipas emrit të gjyshit të Akilit, i cili quhej Eakidë. Ky emër është i formuar prej tre komponentëve: -e, ake dhe idë. E-ja është nyje e përparme, Ake është rrënjë e këtij emrit. Ndërsa, pjesa e tretë idë, është emri i malit Idë në Trojë, i cili i bashkëngjitet emrit Ake me qëllim të lartësimit të djalit të Zeusit me lartësinë e malit Idë të Trojadës.
Nga kjo kuptohet se emrat e banorëve Argaj, Danaj dhe Akej, janë emrat e personave që formuan popullatën dhe mbretëritë e tyre në Peloponez qysh nga koha kur në këtë gadishull jetonin vetëm popuj pellazg edhe atë shumë shekuj para ardhjes së grekëve helen.
Kur Zamarovsky e shpreh bindjen e plotë për ekzistimin historik të banorëve të stërlashtë të pellazgëve, me këtë tregon se e ka kuptuar realitetin e ekzistimit të pellazgëve në Peloponez. Por, nga ana tjetër, ai tregon se nuk e ka në dijeni se ai popull e ka quajtur veten pellazg ose jo. Këtë shumë qartë e tregon Pausania, kur thotë se arkadët për Pellazgun thonë se ka qenë njeriu i parë në Arkadi, por kur ai u bë mbret, populli vendin e quajti Pellazgji. Nga kjo normalisht kuptohet se edhe populli u quajt Pellazg. Nga kjo dhe nga shumë fakte të tjera shihet se veten e kanë quajtur Pellazg, emër që është i formuar nga fjalët pjellë dhe azgan. Si popull më i zhvilluar dhe më i përparuar është quajtur pjellë azgane e Zeusit, prej nga emërohet popull Pellazg.
Homeri në një rast në “Iliadë” thotë se Pileu dhe Hipothou janë pinjoll të Aresit dhe bij e Pellazgut Letho Teutamidit që u prinin fiseve të Pellazgve si dhe kreshnikëve të Larisës pjellore. Mbretëria e Pellazgjisë në krye me Letho Teutamidin gjendet në Jonianin e Azisë së Vogël perëndimore. Kjo mbretëri në Luftën e Trojës ka marrë pjesë në anën e trojanëve.
Letho është emër i mbretit të pellazgjisë në Azin e Vogël perëndimore. Ndërsa, emri Teutamidë është titull i mbretit Letho, njësoj si titujt: Priam, Faraon, Aleksandër, Cezar, Perandor, Car, Sulltan etj.
Emri Teutamid është i përbërë prej tri fjalëve: teutë, amë dhe idë. Fjala e parë teutë e ka kuptimin e fjalës së dikurshme pellazge - deut, që në shqipen e sotme do të thotë - dheut ose tokës. Këtë emër e ka shpjeguar në detaj shkencëtari Spiro Kondo në veprën e tij “Shqiptarët dhe problemi pellazgjik”. Fjala e dytë amë është emër i prindit femër të amës ose të nënës. Por në këtë rast, te titulli i këtij mbreti e ka kuptimin e amërisë ose mëmëdheut. Kurse, fjala e tretë idë është emër i mëmës Idë, emër që i është dhënë me qëllim që ta lartësojnë këtë titull mbretëror me lartësinë e mëmës Idë. Më konkretisht, emri Teutamidë e ka kuptimin DHEU I AMËS IDË.
Spiro Kondo në veprën e tij “Shqiptarët dhe problemi pellazgjik” si mbretër pellazg në Itali i përmend këta: 1. Mezentin si mbret të tyre (etruskëve); 2. Porsina mbret i tyre dhe të etrurve; 3. Maleosi biri i Pellazgut, i cili e themeloi një mbretëri në Etruri të Italisë. Sipas Kondos, këtë e vërteton edhe Straboni kur thotë: “Dhe ndërmjet është një vend, që quhet Regisuilia; dhe thuhet se kjo u bë mbretëria e Maleos së Pellazgut,...”45 Nga kjo shihet shumë qartë se Maleosi është bir i Pellazgut dhe se edhe vetë Pellazgu ka qenë mbret i shtetit pellazg, kuptohet se në mesin e pellazgëve të gadishullit Apenine; 4. Tarkuini, mbret i pestë i Romës (616 – 578 para e.r.), kishte grua Geganinë. Ky quhej edhe Tarkuin i moçëm (Tarquinius Priscus) me origjinë etrure, i cili futi shumë ligje të mbretërisë tarkuine edhe në Romë.
Nga kjo që u tha më sipër kuptohet se edhe në gadishullin Apenine ka qenë prezent përdorimi i emrit Pellazg dhe se prej etnisë pellazge ka pasur mbretër të popullatës me prejardhje pellazge.
Do'stlaringiz bilan baham: |