ABEDIN KROSI
PELLAZGO - SHQIPTARËT
ABEDIN KROSI
PELLAZGO - SHQIPTARËT
(botim i dytë i plotësuar)
Shkup, 2O17
PARATHËNIE
Për mbledhjen e materialit për shkrimin e këtij libri, më shtyu motivi për të ditur se kush janë të parët e popullit tim shqiptar. Prandaj, qysh në moshë të re, i vura vetes për detyrë, që të lexoj çdo shkrim që tregon sadopak për të kaluarën e shqiptarëve. Në fillim të dhënat ishin shumë të pakta, por më inkurajonin për të vazhduar punën kërkimore në këtë drejtim.
Dy deceniet e para, si punëtor i arsimit mblodha shënime që më dhanë të kuptoj një realitet të madh: të parët e shqiptarëve kanë qenë albanët, që më vonë u quajtën Pellazg. Nga studimi i mëtejshëm kuptova se albanët e mandej edhe pellazgët kanë qenë popull i shpërndarë në tri kontinentet e vjetra dhe se, në kohën para historike dhe në kohën antike, kanë pasur një zhvillim të madh në krahasim me popujt e tjerë. Kjo shihet në atë se në kohën e pellazgëve gjuha e tyre ka pasur një fjalor shumë të pasur dhe të zhvilluar.
Për ta kuptuar të kaluarën e albanëve, të cilët më vonë u quajtën edhe pellazg, duhet të mbështetemi në këto fakte:
- Të bazohemi në ndarjen e epokave dhe të kohëve të zhvillimit të njerëzimit në përgjithësi dhe të albano-pellazgo-shqiptarëve në veçanti sipas kushteve natyrore dhe shoqërore;
- Të bazohemi në fjalorin e pastër të gjuhës së sotme popullore e letrare shqipe dhe në fjalëformimet e kësaj gjuhe, që na çon në thellësinë e të kaluarës para shqiptare dhe të dimë kohët e zhvillimit të albanëve dhe pellazgëve;
- Të bëhen kërkime shkencore në shkrimet e shumta nga antika e hershme e deri më sot, ku direkt ose indirekt shihet e kaluara e të folurave dhe kultura e albano-pellazgëve. Nga shkrimet e hershme të Homerit, Hesiodit, Herodotit, Tuqididit dhe të filozofëve e shkencëtarëve antik, e sidomos Platoni, i cili mori mësime në tempullin e Thotit në Egjipt dhe të Aristotelit e shumë të tjerë, ku, nëpërmjet shkrimeve të tyre, hasim në shumë fjalë e shprehje, si dhe në homonime, patronime, etnonime, toponime, hidronime që janë përdorur në gjuhët e atëhershme të shkruara, prej nga na japin të kuptojmë se ata janë emra dhe fjalë të gurrës albano-pellazgo-shqipes;
- Dokumente më të sigurta janë shkrimet epigrafike nëpër gurë, të deshifruara dhe shpjeguara me anë të gjuhës shqipe;
- Një element shumë i rëndësishëm për ta kuptuar të kaluarën më të hershme nga epoka e parë, është gjetja e etimologjisë së fjalëve, duke u nisur nga fonemat si njësi themelore të gjuhës shqipe dhe si tinguj të artikuluar nga epoka e parë, të cilët, duke u sintetizuar si tinguj dhe me kuptimin e tyre, janë formuar fjalët dhe i gjithë fjalori i gjuhës albano-pellazge dhe i shqipes së sotme. Kur dihet se fjalët janë formuar nga sinteza e tingujve të artikuluar, atëherë edhe fjalët e sotme mund të zbërthehen me anë të analizës. Pra, këtu na ndihmojnë shumë dy metodat shkencore: për t’u kthyer prapa në të kaluarën na shërben metoda e analizës, ndërsa, për rrugën e zhvillimit të fjalëve nga epoka e pare e primitivizmit e deri më sot, arrihet me anë të sintezës.
Analiza dhe sinteza janë dy metoda shkencore, që perden e çeliktë në mes të kohës historike dhe para historike, me anë të gjuhës pa vështirësi të shkatërrohet dhe ta shohim parahistorinë albane dhe pellazge.
Nga këto dhe nga elemente të tjera, jo vetëm që e kuptojmë të folurën e gjuhës albane, e mandej edhe të pellazgjishtes, por e kuptojmë edhe të kaluarën para historike të albano-pellazgëve.
Në bazë të kësaj që u tha më sipër dhe në bazë të të dhënave më të reja të linguistikës, shihet se kjo gjuhë fillimin e ka nga gjuha japetikishte, të cilën linguistët e konsiderojnë si nënë e gjuhëve indoevropiane. Pra, është edhe nënë e gjuhës sonë albano-pellazgo-shqipe.
Në këtë studim, jam përpjekur të jap një pasqyrë të përdorimit të fonemave si tinguj të artikuluar, me domethënie të veçanta, të cilat, duke u sintetizuar, komponohen njëherë në diftongje e triftongje e mandej edhe në fjalë njërrokëshe, që në fazën e tretë të primitivizmit (egërsisë) kemi edhe fjalë dyrrokëshe, por më rrallë hasim në fjalë me më shumë rrokjesh.
Më tutje, jepet shpjegim se në fillim të epokës së dytë të qytetërimit të hershëm, kur bëhet zbutja masive e kafshëve të egra, si banor dhe si popull me gjuhë të veçantë dallohen më shumë albanët, të cilët e zhvillojnë blegtorin duke formuar kope të mëdha të bagëtive, dhe qysh atëherë shpërndahen nëpër bjeshkët më të mëdha të Azisë qendrore e perëndimore, në tërë Evropën dhe në një pjesë të Afrikës. Bëhet fjalë për kohën e bakrit, kur krahas peshkimit, të gjuetisë së kafshëve të egra dhe krahas zhvillimit të blegtorisë dhe të bujqësisë, zhvillohet edhe zejtaria nëpër qyteza, domethënë zhvillohet industria primitive. Në kohën e bakrit, krahas zhvillimit të përgjithshëm të degëve ekonomike, është zhvilluar edhe gjuha albane, gjurmët e së cilës shihen te fjalët e formuara me një, dy e më shumërrokëshe, shumica e të cilave janë në përdorim edhe sot në gjuhën shqipe.
Në kohën e bronzit, fiset albane shpërndahen edhe më tej në kontinentet e vjetra, duke zhvilluar një qytetërim që hapronte para të gjithë popujve të tjerë. Formohen fise-shtete e më vonë edhe qytete-shtete. Në këtë studim bëhet fjalë për shtetin e parë të titanit Kron dhe të birit të tij, Zeusit, i cili vuri themelet e shtetit duke i shndërruar rregullat tradicionale në kode juridike të pashkruara, të cilave u janë përmbajtur rreptësisht. Më tutje, shpjegohet se si është formuar emri Pellazg, i cili si emër zhvillohet krahas emrit të mëparshëm Alban. Jepen të dhëna se si janë formuar një numër i madh mbretërish të vogla, të organizuara sipas shembullit të mbretërisë së Zeusit, me seli në Dodonë. Në mbretëritë e vogla pellazge, ku sundonin më shumë pjella zeusiane, ata i mbikëqyrte vetë Zeusi. Me këtë, ai u quajt zot suprem i pellazgëve, që në realitet ai ka luajtur rolin e Perandorit të pellazgëve në kushtet e atëhershme. Prandaj, ata e shpallin Zeusin si zot të pavdekshëm.
Në kohën zeusiane rol të rëndësishëm për zhvillimin e kulturës pellazge ka luajtur LOGU si vend tubimi të njerëzve për përhapjen e diturive dhe për zgjedhjen e shumë problemeve në qarqe dhe në nivele të ndryshme në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike te pellazgët.
Një pasqyrë të qartë të zhvillimit kulturor, ekonomik dhe ushtarak të popujve pellazg e jep Homeri në epet e tij “Iliada” dhe “Odiseja”.
Në kaptinën e tretë shkurtimisht bëhet fjalë për formimin e emrit Shqiptar, si emër që i trashëgon emrat Alban dhe Pellazg, prej nga në shekullin e kaluar u formua shteti që botërisht u quajt Albania dhe populli i saj u quajt Alban, por që vetë shqiptarët shtetin e tyre e quajtën Shqipëri dhe vetë populli u quajt shqiptar.
Në kaptinën e katërt bëhet fjalë për shtetet më të rëndësishme albane dhe si shtete pellazge, që në shumë raste të emëruara sipas emrave të mbretërve të parë të asaj kohe në viset e caktuara. Rol më të madh prej tyre kanë luajtur Dardania, Epiri, Iliria, Kreta, Mikena dhe shumë shtete të tjera në Evropë, në Azinë perëndimore dhe në Afrikën veriore.
Në kaptinën e fundit bëhet fjalë për kulturën e popujve pellazg të zhvilluar gjatë kohës së bronzit dhe të hekurit duke e përfshirë edhe antikën si kulm të zhvillimit kulturor të pellazgëve. Në kuadër të kulturës së përgjithshme, bëhet fjalë për nënën e parë albano-pellazge, e cila quhet Ida dhe për burrin e saj, Skamandrin, prej nga, pas përmbytjes së madhe, fillojnë të banojnë nelidët, emër që e ka pasur kuptimin njerëzit e Idës. Koha e nënës Idë dhe atit Skamandër tregohet se ka filluar që nga fillimi i bakrit dhe ka zgjatur edhe shumë kohë në periudhën e matriarkatit. Por tregohet se adhurimi i nënës Idë ka vijuar edhe në kohën e patriarkatit, siç është rasti me emrin piramida, si emër i varrezave të faraonëve në Egjipt.
Në këtë kaptinë, tregohen emrat e përgjithshëm të anëtarëve të familjes, si karakteristikë e kohës së patriarkatit te pellazgët. Më tutje, bëhet fjalë për zhvillimin e profesioneve të shumëllojshme, që te pellazgët quhen piria. Me rëndësi është se në kohën e qytetërimit të hershëm (barbarisë), besa bëhet kod juridik në ndërtimin e marrëdhënieve ndër njerëzore, të cilës i jep rëndësi të veçantë edhe vetë Zeusi. Besimi pagan te pellazgët, fillimisht i kanë besuar personat që popullit të vetë i kanë dhënë dituri të caktuar sipas aftësive profesionale të personit. Zonjave dhe zotave më vonë u japin karakter hyjnor, duke i lartësuar dhe i apoteozuar.
Si kulm i zhvillimit të kulturës albnano-pellazge është se nga logjet si veprime për mësim dhe për punë praktike, kalon në logjikë si teori filozofike, e cila nga Aristoteli bëhet bazë për themelimin e shkencave. Në fund, bëhet fjalë edhe për rolin e pellazgo-shqiptarëve në përhapjen e krishterimit, si besim në një Zot. Perandori romak Konstatini i Madh, me prejardhje dardane, e zyrtarizoi krishterimin dhe u përhap në krejt perandorin romake. Për përhapjen e krishterimit ka kontribuar shumë edhe perandori bizantin, Justiniani i Parë, i cili ka qenë Dardan i lindur në rrethinën e Shkupit.
Me rëndësi të veçantë është se në këtë studim në mënyrë kronologjike janë dhënë shpjegime për paraqitjen dhe zhvillimin e popullatës që është quajtur Alban. Më tutje, popullata që kishte gjakun dhe gjuhën e quajtur albane, mori edhe emrin e ri Pellazg, si pjellë azgane e Zeusit. Në kohën e hekurit e këndej, emri Pellazg mbetet si emër historik dhe u vu në harresë, sepse në skenën historike u formuan shumë shtete pellazge me emra të personave që themeluan ato shtete. Por që në shekullin XVIII emri Pellazg u zëvendësua me emrin shqiptar, kurse e folura e tyre u quajt gjuha shqipe. Ndërsa, emrat Alban dhe arban në mënyrë permanente janë përdorur edhe në kohën e pellazgëve, por edhe sot shqiptarët botërisht quhen alban dhe arban. Duke u bazuar në të dhënat gjuhësore, linguistët botëror kanë vërtetuar se pasardhësit e pellazgëve janë shqiptarët. Por, as historia e asaj linguistika nuk e shpjegojnë lidhshmërinë direkt të Albanëve dhe të Pellazgëve. Si rezultat i kalimit të kohërave të gjata dhe ndryshimeve të mëdha, harrohen emrat Alban dhe Pellazg. Në mungesë të emrave të vërtetë Alban ose Pellazg, linguistët dhe historianët duke u nisur nga faktet gjuhësore, të cilat i krahasojnë me ilirishten, kanë paraqitur teorinë e panilirishte, e cila është teori e gabuar etnonimi. Në këtë studim është dëshmuar se ilirët janë popull që kanë jetuar në Ballkanin perëndimor, por, në kohën e sundimit të perandorëve të Romës dhe të Bizantit me prejardhje ilire dhe dardane, me emrin Iliri e kanë emëruar Prefekturën e Selanikut dhe të Justiniana Primës (Shkupit). Emri i prefekturave Ilirikum ka qenë emër gjeografik i territorit të shtrirë nga Danubi e deri në Kretë, ku janë përfshirë përveç ilirëve edhe të gjithë popujt pellazg të Ballkanit.
KAPITULLI I PARË
ALBANËT
Pas përmbytjes së madhe, shumë banorë dalin nga Hindija dhe shpërndahen në drejtim të perëndimit. Këta ishin popuj para indoevropian, që, sipas profecisë, quheshin me emrin e djalit të Noes, Japetit, prej të cilit e mori emrin populli japetik dhe quhej gjuha japetike. Gjuha japetike ka qenë nëna e gjuhëve indoevropiane. Një nga popujt e parë të shkëputur nga japetikët, është raca që më vonë quhet Alban.
Pas zbulimit të zjarrit, zhvillohet peshkimi, i cili bëhet degë kryesore e ekonomisë. Në këtë kohë, raca Albane, bashkë me popujt e tjerë indoevropian, shpërndahet në Azinë Qendrore e Perëndimore, prej nga, brigjeve të deteve dhe rrjedhave të lumenjve, arrin dhe përhapen edhe në Evropë dhe në Afrikën Veriore. Në epokën e primitivizmit (egërsisë) raca Albane formon bazën e gjuhës dhe të kulturës së vet, e cila, qysh në fillim të epokës së qytetërimit të hershëm (barbarisë), starton me një zhvillim shumë të bujshëm.
GJURMËT ALBANE NGA FILLIMI I EPOKËS
SË QYTETËRIMIT TË HERSHËM E DERI MË SOT
Në mbarim të epokës së parë, Albanët e zhvillojnë në një shkallë më të lartë peshkatarinë, gjuetinë e kafshëve të egra, i përsosin veglat prej druri, guri dhe materialeve të tjera me të cilat janë shërbyer në jetën e përditshme.
Albanët qysh në fillim të epokës së dytë të qytetërimit të hershëm (barbarisë) e zhvillojnë blegtorinë dhe me kopetë e mëdha të bagëtisë shpërndahen maleve dhe bjeshkëve të Azisë Qendrore e Perëndimore, duke përfshirë bjeshkët në gjithë Evropën.
Gjurmët e shumta arkeologjike dëshmojnë prezencën e një popullate prej Himalajës e deri në Atlantik. Këto gjurmë nuk mund të përcaktohen se cilit popull i takojnë. Por gjurmët linguistike, që kanë dalë nga goja e njerëzve të asaj kohe, e që në kohën e antikës së hershme janë regjistruar, janë dëshmi të pa kontestueshme dhe të qarta për formimin dhe zhvillimin e Albanëve në epokën e bakrit dhe në gjithë epokën e bronzit.
Emri i popullit Alban është formuar qysh nga fillimi i epokës së bakrit, kur kjo popullatë e zhvillon blegtorinë në një shkallë më të lartë, gjë që e detyron të bëhet e lëvizshme, duke shtegtuar maleve dhe bjeshkëve të Azisë dhe të Evropës, duke u bërë popull nomad, që domethënë lëvizin prej një vendi në tjetrin, prej nga, si do të shohim më poshtë në këtë tekst, do të formohet emri i maleve Alpe në Evropë dhe emri i popullit Alban me trajta të tjera.
Për një kohë të gjatë në Kaukaz, Albanët kanë zhvilluar një kulturë shumë të rëndësishme në kohën parahistorike. Mbretëria e Albanëve të Kaukazit ka ekzistuar nga kohët më të vjetra e deri kur këtë popull e pushtojnë romakët. Në histori Albanët e Kaukazit njihen si një popull i skithve.
Emrin Alban në histori e hasim në Ballkanin Perëndimor si emër fisi, i cili ka jetuar në Shqipërinë e mesme të sotme. Kjo na është bërë e njohur nga të dhënat e gjeografit të Aleksandrisë, Ptolemeut, i cili e ka regjistruar emrin e fisit Albanoi, me kryeqytet në Albanopolis, domethënë si emër etnik dhe si toponim.
Në hartën e Henri Butingut është i regjistruar në latinisht toponimi Mons Albanus, që në shqip do të thotë malet Albane. Me këtë emër janë emëruar malet në veri të Kosovës, të cilat sot quhen malet e Kopanikut. Edhe ky emër është i gjuhës albane, domethënë pellazgo-shqip, që rrjedh nga fjala kopan (pallë).
Emri i vjetër Mons Albanus nxjerr në dritë se në këtë pjesë të Ballkanit Qendror ka pasur emër vendi Alba dhe se banorët e Albës dardane e kanë pasur emrin Alban, por që nuk është regjistruar në ndonjë dokument, për të cilën mendoj se në të ardhmen do të zbulohet qoftë në literaturën antike greke apo romake, ose në ndonjë shkrim tjetër, i cili mund të gjendet në trojet ku kanë jetuar fiset e ndryshme albane apo pellazge.
Emrin Alban të Ballkanit Qendror që u përmend më sipër, e nxjerr në dritë edhe shkrimi i Dionis Halikarnasit, kur flet për ndërtimin e qytetit Alba dhe Alba Longa, në bregdetin e Tirenit në perëndim të gadishullit Apenine. Ai, ndër të tjera, thotë:
“Gjatë kësaj kohe trojanët, që bashkë me Eneun ikën nga qyteti Ilion që u pushtua, qëndruan në Lorenton, bregdet të abroginvet që ndodhet pranë detit Tyren ... pasi u zhvendosën nga Laviniumi bashkë me vendasit, rrethuan (me mur mbrojtës - A.K.) një qytet më të madh, që e quajtën Alba.”1
Se emri Alba i qytetit të ndërtuar nga Eneu dhe shokëve të tij është emër prej nga është formuar edhe emri i disa fiseve Albane (pellazge), ku emrit Alba i është shtuar edhe fjala anë si sufiks, me të cilën është formuar emri i plotë i disa fiseve Albane ose pellazge. Kjo shihet nga citati tjetër i Dionis Halikarnasit, i cili thotë:
“Gjinia e albanëve ishte e përzier nga pellazg, arkad dhe epej që erdhën nga Helida dhe më në fund nga Trojan që arritën në Itali pas pushtimit të Ilionit, të cilëve u printe Eneu i bri i Ankizit dhe i Afërditës.”2
Nga ky citat shihet qartë se Princi dardan Eneu është biri i mbretit dardan Ankizit dhe i perëndeshës Afërdita dhe se janë të gjinisë Albane, prej nga kuptohet se viset ku kanë qenë të shtrirë dardanët në pjesën e brendshme të Ballkanit është quajtur Alba dhe banorët e Dardanisë më parë kanë pasur emrin Alban. Kjo e vërteton plotësisht ekzistimin e emrit të maleve Albane (Mons Albanus), siç u tha më sipër, të regjistruar në hartën e Henri Butingut, shënim që, pa marrë parasysh se në cilën kohë është regjistruar, emri Malet Albane, TREGON EMRIN E VJETËR TË FISIT ALBAN, i cili më vonë ZHVILLOHET SI POPULL PELLAZG NË VETE, PRA TË QUAJTUR POPULL DARDAN.
Dionis Halikarnasi kur thotë se gjinia e albanëve ishte përzier nga pellazg, arkad, epej që erdhën nga Helida, dhe në fund nga trojanët, të cilëve u printe Eneu, vetiu kuptohet se Dionis Halikarnasi nuk e ka pasur të njohur se të gjithë këta popuj ishin të një gjaku dhe të një gjuhe të përbashkët, të cilët rrjedhin të gjithë nga Albanët e vjetër, e që nga koha e Zeusit u përfshinë në një numër të madh fisesh dhe popujsh të shpërndarë në tri kontinentet e vjetra të emëruar me një emër të përbashkët të popullit të madh Pellazg.
Pa marrë parasysh mosnjohjen e saktë të prejardhjes së arkadve, epejve, trojanve dhe dardanëve, si fise dhe popuj Albano - Pellazg, përsëri është shumë me rëndësi se Dionis Halikarnasi e nxjerr në dritë emrin e qytetit Alba dhe Alba Longa, si dhe emrin Alban (alb + anë) si emër të banorëve të këtyre qyteteve dhe si emër i shumë fiseve të tjera pellazge. Gjithashtu, me këtë ai tregon se dardanët janë të gjinisë albane, d.m.th. janë popull Alban, si një nga popujt më të përhapur në Ballkan dhe në krejt Evropën e më gjerë.
Kur Dionis Halikarnasi thotë se pellazgët, arkadët dhe epejt erdhën nga Helida, kjo kuptohet se këta banorë të Albës së Italisë janë të ardhur nga Helida e Greqisë së vjetër pellazgjike para helene, gjë që do të thotë se, para së gjithash, janë Albanë dhe njëkohësisht janë edhe pellazgë.
Kur thotë se janë të ardhur nga Helida, duhet ta dimë se edhe ky emër është i fisit të vjetër pellazg para Helen, për të cilin ka shpjegim të veçantë.
Briti, nipi i Eneut, kur shkoi në Anglinë e sotme i gjeti banorët të quajtur me emrin Albion. Atje ndërtoi një mbretëri dhe e quajti me emrin e vet BRITANI, me kryeqytet që e quajti Troja e Re. Ndërsa, provincën e Skocisë e quajti Albani, sipas emrit të birit të tij Albanit.
Lucie Anej Seneka, shkrimtar dhe filozof i njohur romak, e ka pasur pasurinë e tij, që ai e ka quajtur - “Pasuria ime Albanium”.3 Kjo pasuri e tij me emrin Albanium, gjendet në veriperëndim të Shkupit, në anën verilindore të fshatit Kondovë, në vendin e quajtur Velepojë, në një largësi prej 12 km nga qendra e Shkupit.
Gjeografi i Aleksandrisë, Ptolemeu, vërteton emrin Albanoi (Albanët), me kryeqytetin Albanopolis (qyteti alban), i cili është një fis që ka jetuar në Iliri, gjegjësisht në Shqipërinë e mesme të sotme.
Emri Albanon është emri i një mali dhe i një krahine, që gjendet në Panoni.4
Emri i qytetit Albona (Alvona) në Liburni.5
Përmendet një kështjellë me emrin Alban, që gjendet në Panoni.6
Në trajtën me r-ë, Ptolemeu përmend toponimin Arba, që është emër i një ujdhese në Poloni.7 Emrin e kësaj ujdhese e përmendin edhe shkencëtarët e tjerë, si Plini, Polibi dhe Stefan Bizantini.
Nuk është e rastit legjenda e monedhës së gjetur në fshatin Sfeçelë të Podujevës, me tekstin: “DALMAT ALBAN”. Për këtë mendohet se është fjala për ndonjë lidhje të një federate të përbashkët Dalmato – Albane.8
Gjë e rastit nuk është as edhe mbishkrimi i varrit në fshatin Sollnje të Epërme të Karshiakës së rrethinës së Shkupit, i gjetur nga Nikolla Vuliqi, ku, ndër të tjera, përmendet edhe emri Albanopolis9, gjë që vërteton emrin e qytetit të Shkupit, si qytet shqiptarësh.
Fshati Arbanasi gjendet në Maqedoninë e sotme veriore, afër kufirit me Serbinë.10
Qyteti me emrin Albi gjendet në jug të Francës.11
Qyteti Albena gjendet në Bullgarinë verilindore.12
Udhëpërshkruesi Evlia Çelebi thotë:
“Shumica e banorëve të qytetit (të Shkupit – A.K.) flasin gjuhën rumelie dhe shqipe.”13
Evlia Çelebi kur shkruan për Vardarin, i cili kalon nëpër Shkup, thotë:
“Vardari buron nga malet në Shqipëri.”14
Nga kjo kuptohet se në kohën e osmanllinjve mali Sharrit dhe malet përreth janë quajtur male shqiptare. Ky emër malesh si male shqiptare, gjegjësisht Albane, është njësoj si emri i maleve Albane, të regjistruara në hartën e Henri Butingut i regjistruar në latinisht si Mons Albanus.
Nga krejt kjo që u tha më sipër, shihet se të parët e shqiptarëve të sotëm, në kohën para historike, kanë qenë të shpërndarë në gjithë Evropën e më gjerë, dhe janë quajtur ALBANË. Më vonë, nga koha e Zeusit, ky emër, edhe pse zëvendësohet me emrin PELLAZG, me trajtat e emrit alban, si relikte ka plot në trojet e ndryshme të Evropës dhe në fund shteti amë i shqiptarëve nga viti 1912, BOTËRISHT U QUAJT ALBANIA DHE POPULLI I SAJ U QUAJTË ALBAN. Me gjithë këtë, ky popull shtetin e tij e quajti SHQIPËRI dhe veten e quan SHQIPTAR si rrjedhim i emrit të shpendit SHQIPE, TË CILËN ZEUSI E ADHURONTE SHUMË.
FORMIMI I EMRAVE ALPEN E ALPAN,
ALBEN E ALBAN, ARBEN E ARBAN DHE ARIAN
Si çdo fjalë e gjuhës albano - pellazge, edhe emrat Alpan, Alban, Arban, Arian dhe trajta të tjera lidhur me këta emra të formuara nga fonema të caktuara, me të cilat kanë shprehur një sistem emërtimi të fiseve dhe popujve proto pellazg, të quajtur Alban. Veprimtaria për sigurimin e ekzistencës, në fillim në kushtet e zhvillimit gjatë shfrytëzimit të frutave të gatshme, e mandej edhe peshkataria si veprimtari e veçantë, kanë ndikuar në formimin e një sistemi në fondin e fjalorit gjuhësor te raca e popullatës Albane. Ky zhvillim gjuhësor krijon kushte që, krahas veprimtarisë së zbutjes së kafshëve të egra dhe gjatë zhvillimit të blegtorisë dhe të bujqësisë si dhe gjatë zhvillimeve të tjera, sipas këtyre zhvillimeve, formohen edhe format e ndryshme të emërtimit të njerëzve, banorëve dhe në fund edhe të popullit Alban.
Baza e formimit të këtyre emrave si shprehje me gojë e gjërave të shfaqura në ambientin e atëhershëm të banorëve të racës albano - pellazge, janë fonemat a, l, p, b, r, n etj. Këto dhe fonema të tjera në epokën e primitivizmit (egërsisë) janë përdorur si tinguj të artikuluar, e që në epokën e qytetërimit të hershëm (barbarisë) sintetizohen dhe formojnë shprehje e fjalë të caktuara me të cilat është shprehur kuptimi i diçkaje me anë të zërit. Gjatë formimit të shprehjeve si fjalë me anë të fonemave, ato sintetizohen duke bashkëngjitur jo vetëm fonemat, por edhe kuptimet e tyre si shprehje e artikuluar. Për ta kuptuar domethënien e emrave Alpan, Alban, Arban dhe Arian, duhet që më parë të dimë domethënien e çdo foneme si tingull i artikuluar, e mandej të mundemi të mësojmë kuptimin e fjalëve, që në këtë rast, të emrave të lartpërmendur, të formuara gjatë sintetizimit të fonemave të caktuara komponuese.
KUPTIMI I FONEMAVE KOMPONUESE TË EMRAVE
ALBAN, ARBAN, ARIAN DHE I TRAJTAVE TË TJERA
1. KUPTIMI I A-SË SI TINGULL I ARTIKULUAR. Zanorja -a është tingull i parë në komponimin e emrave Alpan, Alban, Arban dhe Arian. Fonema -a është zanore që ka qenë përdorur në gjuhën nënë të japetikishtes prej nga rrjedhin gjuhët indoevropiane. Gjatë formimit të fjalorit elementar të gjuhës albano - pellazge në epokën e primitivizmit (egërsisë), a-ja është përdorur me më shumë kuptime sipas rastit dhe nevojës së njeriut primitiv. Por, më së shumti, dominon si tingull i artikuluar me kuptim të pohimit të diçkaje, e që sot ka kuptimin e foljes me qenë, në mënyrën dëftore, në njëjës, veta e tretë, koha e tashme, që në gjuhën e sotme letrare shqipe thuhet – është.
Është interesant fakti se tingulli i artikuluar –a, me kuptimin e foljes me qenë, është ruajtur me të njëjtin kuptim edhe sot, dhe është në përdorim në të folurën popullore të gegërishtes së veriut. Gega i veriut, në të folurën popullore, thotë: “Ku a djali i vogël?” (Ku është djali i vogël?) Që do të thotë se tingulli i artikuluar –a (hundore) përdoret ende në vend të përdorimit të fjalës së gegërishtes së sotme – a^shtë, si folje me qenë, që në gjuhën e sotme letrare ka kuptimin, si u tha më sipër, të foljes – është.
2. KUPTIMI I L-SË SI TINGULL I ARTIKULUAR. Në fillim të formimit të gjuhës pellazge, fonema l-ë është përdorur si tingull i artikuluar, që në epokën e primitivizmit (egërsisë) ka pasur kuptimin e shprehjes gjuhësore të fenomenit të caktuar natyror, që në shqipen e sotme do të thotë –lëvizje. Pra, tingulli i artikuluar i dikurshëm l-në ka pasur kuptimin e foljes së sotme –lëviz dhe ka treguar lëvizjen e objekteve në natyrë prej një vendi në vendin tjetër. Këtë lëvizje jo vetëm që njeriu i vjetër alban e ka vërejtur duke e parë vizualisht, por edhe e ka shprehur me tingull të artikuluar, l-ë. Njeriu i asaj kohe, lëvizjen e trupave ndonjëherë e ka parë vetëm me sy dhe nuk e ka dëgjuar zhurmën e objekteve gjatë lëvizjes, por në shumë raste këtë lëvizje e kanë parë me sy dhe e kanë dëgjuar edhe me vesh.
3. KUPTIMI I R-SË SI TINGULL I ARTIKULUAR. Qysh në fillim të formimit të albanishtes, gjegjësisht të pellazgo-shqipes, fonema r-ë është përdorur si tingull i artikuluar, me domethënie të veçantë qysh në epokën e primitivizmit (egërsisë).
Fonema r-ë te banorët e parë të racës albane është përdorur si tingull i artikuluar me të cilën kanë shprehur shfaqjen e fenomeneve natyrore të objekteve, të cilat gjatë lëvizjes zakonisht rrokullisen me rrëmbim dhe bëjnë zhurmë. Zhurmën që ka bërë objekti, njeriu e ka dëgjuar në mënyrë auditive (d.m.th. me vesh) dhe e ka shprehur me tingullin e artikuluar dridhës r-ë. Objekti që bën zhurmë gjatë lëvizjes, zakonisht merr hov në tatëpjetë, lëvizje të cilën ndonjëherë e kanë parë me sy, por më tepër e kanë dëgjuar me vesh, por pa e parë me sy. Fenomenin e zhurmës që shkaktohet gjatë lëvizjes tronditëse të objekteve, banori i parë i racës albane (pellazge) e ka shprehur me fonemën r-ë si tingull me të cilin është treguar i njëjti fenomen.
Fonema r-ë e përdorur asaj kohe ka qenë e formuar duke imituar tingujt natyror si, bie fjala, imitim të gurëve që rrokullisen kur njerëzit ose kafshët e egra duke ecur shpateve të maleve, i rrëzojnë duke shkaktuar zhurmë. Ose, kur kanë mbledhur frutin e arrave pa boça dhe të thata, njerëzit r-në e kanë përdorur për të treguar kokrrat e arrave ( a + rr-ë = arrë), të cilat gjatë fërkimit kanë bërë zhurmë. Kështu që në rastin e parë është imituar zhurma e rrokullisjes së gurëve në shpatet e malit, ndërsa në rastin e dytë është bërë imitimi i zhurmës që bëjnë arrat gjatë fërkimit me njëra-tjetrën. Ngjashëm janë imituar edhe lloje të tjera zhurme, e cila është imituar me tingullin r-ë. Është interesant se ky tingull i artikuluar i dikurshëm, përdoret edhe sot me të njëjtin kuptim. Por si bashkëtingëllore njeriu i parë i racës albano - pellazge, në fund të epokës së parë, e ka përdorur si tingull të artikuluar duke ia bashkëngjitur ë-në, e duke formuar tingullin e artikuluar ër, e më vonë edhe ërr dhe ërë e ërrë. Edhe pse r-ja sintetizohet me ë-në, përsëri nuk e humb rolin e tingullit artikulues. Bashkëtingëllorja r-ë e ruan rolin e saj si tingull i artikuluar i sintetizuar me ë-në edhe sot në të folurën popullore të gegërishtes e më gjerë.
A-ja si tingull i dikurshëm i artikuluar me kuptim të foljes me qenë-është, ashtu edhe r-ja me kuptimin e dikurshëm si tingull i artikuluar me kuptim të lëvizjes dridhëse me zhurmë, përdoren edhe sot në disa të folura dialektore të gjuhës popullore shqipe. Kështu, bariu kur ndjell delet, thotë: “Ërr-ërr, bardhoshe!”, e trënd anxhikun 1 dhe thotë: ”Ërr-ërr bija, ërr-ërr, na, na Sorkë! Ose zonja e shtëpisë kur ushqen pulat, i ndjell: “Tige-tige, ërr-ërr, tigërr-rr-rr-rr, bijat e mija!” Pulat përnjëherë vrapojnë fluturim kah zonja e shtëpisë për të ngrënë drithin.
Shprehja –ër ose –ërr, ka kuptimin e thirrjes së deleve ose të pulave që të vijnë me nxitim duke vrapuar kah bariu ose kah zonja e shtëpisë. Kjo është një shprehje relikt i r-së si tingull i dikurshëm i artikuluar.
4. KUPTIMI I P-SË SI TINGULL I ARTIKULUAR. Në epokën e primitivizmit (egërsisë) te raca e banorëve që më vonë janë quajtur Albanë dhe Pellazgë, fonema p-ë në sintezë me zanoren –ë është përdorur si tingull i artikuluar dhe ka pasur kuptimin e fjalës së sotme –po, me të cilën asaj kohe njeriu ka pohuar diçka. Fillimisht, njeriu ka pohuar frutin e pemëve, prej nga është formuar emri pemë, ku p-ja pohon, ndërsa pjesa tjetër –emë, është përemër, dhe e ka pasur kuptimin “e emja ose e imja”. Më vonë p-ja ka pasur kuptimin e veprimit fizik të njeriut, me kuptim të përfitimit material, prej nga më vonë, në epokën e qytetërimit të hershëm (barbarisë), ka marrë kuptimin e plotë të veprimit prodhues, d.m.th. të fjalës punë. E më vonë formohet edhe kuptimi i fjalës PIR që e ka kuptimin e punës mjeshtërore (profesionale), si mjeshtëri, si zanat pune.
Fjala al, në sintezë me fonemën p-ë, formon fjalën alp, që më vonë merr emrin masivi malor i Alpeve në Evropë. Fjala Alp ka kuptimin e shprehjes: është lëviz për të vepruar (punuar), prej nga e marrin emrin banorët Alban - paraardhësit e pellazgëve, të cilët janë marrë me blegtori, të quajtur në fillim Alp e mandej si fise dhe si popuj, janë quajtur Alpen ose Alpan.
Ky tingull edhe në gjuhën e sotme shqipe e komponuar me tinguj të tjerë është shumë produktiv. Një variant shumë i përdorur është kur tingulli i artikuluar p-ë sintetizohet me r-në dhe formohet fjala –për (p + ër) me kuptim – puna ë rose puna ërrë.
5. KUPTIMI I B-SË SI TINGULL I ARTIKULUAR. Në epokën e primitivizmit (egërsisë) b-ja si tingull i artikuluar ka pasur kuptimin e foljes së sotme me bërë. Si bashkëtingëllore b-ja detyrimisht sintetizohet me zanoret -ë, -a^, -o^ dhe formohet folja bënë (toskërisht), ba^n (në gegërishten e veriut) dhe bo^n (në gegërishten e jugut).
Pra, duke u zhvilluar kuptimi i këtij tingulli të artikuluar, bashkëngjitet me fjalën anë dhe formohet folja me bërë – banë. Kjo folje më vonë i bashkëngjitet fjalës –al dhe formohet emri i popullit para pellazg që quhet ALBAN. Te emri Alban folja me bamun është në mënyrën dëftore, koha e tashme, në njëjës, veta e dytë dhe e tretë.
6. KUPTIMI I N-SË SI TINGULL I ARTIKULUAR. Tingulli i artikuluar n-ë qysh në epokën e parë ka treguar fiks vendin e caktuar dhe qysh atëherë është përdorur në sintezë me zanoren –ë. Pa dyshim, edhe sot përdoret me të njëjtin kuptim, si, për shembull, në ballë, në sy, në oborr, në fshat, në qytet etj. Pra, përdoret sikurse a-ja që në të folurën popullore të gegërishtes së veriut si folje me qenë, ashtu edhe n-ja si tingull i artikuluar i dikurshëm përdoret edhe sot. Me ndryshim se n-ja si bashkëtingëllore, detyrimisht në kohën kur fillojnë të përdoren bashkëtingëlloret sintetizohet, si u tha më sipër, me zanoren –ë dhe sot e kemi në përdorim, jo vetëm në të folurën popullore shqipe, por është e mbarë gjuhës shqipe dhe është shumë produktive. Si fjalëz karakteristike shqipe, që përdoret dhe zë një vend të posaçëm në gjuhën e sotme letrare shqipe.
7. KUPTIMI I I-SË SI TINGULL I ARTIKULUAR. I-ja si tingull i artikuluar është përdorur në epokën e parë, për të treguar drejtimin e objektit që gjendet ndaj subjektit, i cili e shpreh me anë të kësaj foneme. Për këtë fonemë më gjerësisht është shpjeguar te etimologjia e emrit të qytetit të Trojës - Ilioni.
8. SINTEZA E FJALËS AL ME FONEMËN B-Ë. Kah fundi i epokës së parë të primitivizmit, me fonemën –a sintetizohet fonema l-ë dhe formohet fjala njërrokëshe al. Këtu a-ja si tingull i artikuluar e ka shprehur pohimin, që në këtë rast duke u sintetizuar me fonemën l-ë pohon lëvizjen. Kur bëhet sinteza e tingujve –a dhe -l-ë komponohen edhe kuptimet e këtyre dy tingujve të artikuluar. Fjala al, asaj kohe, është shprehur me fjalët e sotme a = a^shtë (është) dhe l-ë = lëviz, gjegjësisht shprehja al sot thuhet: “është lëvizje” ose “po lëviz”, me anë të së cilës është treguar lëvizja e njerëzve, të kafshëve të egra, fluturimin e shpendëve në qiell, rrjedhjen e ujit të lumit etj.
A-ja është element themelor për formimin e fjalës me qenë, e cila si tingull artikulues, në fondin e fjalorit të së folurës popullore të gegërishtes së veriut është në përdorim edhe sot si tingull i artikuluar. Por l-në si tingull i artikuluar nuk e hasim më, por si fonemë në fjalëformime të shumta është prezente dhe fjalëve u jep kuptimin e fenomenit natyror të lëvizjes, si: lëviz, lind, lumë, lëng, lot, log etj.
9. SINTEZA E FONEMAVE –A DHE R-Ë. Kah fundi i epokës së primitivizmit (egërsisë), zanorja –a, si tingull i artikuluar, sintetizohet me fonemën dridhëse r-ë dhe formohet fjala arë. Kur a-ja dhe r-ja sintetizohen si tinguj të artikuluar, komponohen edhe kuptimet e tyre. Pra, bashkohet a-ja me kuptimin e saj si folje me qenë – është, dhe r-ja me kuptimin e saj të lëvizjes dridhëse (nga tronditja me zhurmë). Në këtë rast fonema –a pohon se po ndodh një dridhje tronditëse, një lëvizje me zhurmë, që në gjuhën e sotme letrare shqipe e shprehim me këto fjalë: Është lëvizje dridhëse dhe e zëshme.
Me këtë kuptim, fjala ar, në fillim të epokës së qytetërimit të hershëm (barbarisë), zhvillohet dhe gjatë përdorimit, kuptimi i kësaj fjale merr forma të reja, duke shprehur veprimin e punës së njeriut i cili merrej me blegtori, e më vonë edhe me bujqësi, e sidomos në kohën e përpunimit të metaleve të çmueshme, si ari dhe argjendi. Me rëndësi gjuhësore është se fonemat –a dhe –r-ë, si tinguj të dikurshëm të artikuluar, kuptimi i tyre domethënës, përdoret edhe sot në disa të folura të gjuhës popullore shqipe, me kuptimin e a-së – është dhe me kuptimin e r-së - rë e ër apo ërr dhe ërrë, e cila ka kuptimin e lëvizjes dridhëse me tronditje e zhurmë.
FJALA AR NË EPOKËN E QYTETËRIMIT
TË HERSHËM PËRHAPET SHUMË
Qysh në kohën kur është zhvilluar blegtoria, fjala ar është përdorur për të treguar sipërfaqen e tokës me bar, që ne sot e quajmë livadh ose lëndinë. Kjo sipërfaqe toke ka shërbyer për kullotjen e bagëtisë. Më vonë, në kohën kur zhvillohet bujqësia, hapen rrahe në pyje dhe formohen ara buke. Arat për kullotjen e bagëtisë dhe arat për mbjellje të bimëve bujqësore, janë vlerësuar shumë, prej nga edhe fjala ar është çmuar, prandaj kjo fjalë bëhet shprehje më e bukur dhe më e pëlqyeshme, ashtu që në kohën e përpunimit të metaleve, metali më i çmueshëm është quajtur ar.
Emri Arg në Argolidë quhet vendi që ka kuptimin e arës. Ky emër përbëhet prej emrit arë dhe prej tingullit të artikuluar g-ë. Kuptimi i fjalës ar është shpjeguar më sipër. Ndërsa, fonema g-ë është tingull i artikuluar që ka kuptimin e hapësirës, d.m.th. gjerësisë., që në këtë rast ka pasur kuptimin e hapësirës së fushës së Argut.
Me fjalën ar janë formuar edhe emrat e banorëve që i emërojmë si popull, si: Arban, Arian, Aramejt. Por me fjalën ar kemi edhe emra personal nga koha parahistorike e më vonë, si: Artemida, Aristotel, Arta, Arjeta, Arianiti etj.
FORMANTET AR, ART DHE TAR JANË SHUMË TË PËRHAPURA NË GJUHËN ALBANO-PELLAZGO-SHQIPE
Nga gramatika e gjuhës shqipe emrat e prejardhur përbëhen prej një fjale dhe prej një formanti. Formantet ar, art dhe tar, si prapashtesa në formimin e emrave të njerëzve u jepet me qëllim që fjalës që formon emrin t’i jepet një zbukurim, një vlerësim të çmueshëm si ari.
Në gramatikën standarde të gjuhës shqipe për shkollat e mesme me autorë Latif Mulakun dhe Ahmet Kelmendin, ndër të tjera, shkruhet:
“ b) Me prapashtesat ar, tar, tor, - ak, as, an (janë) etj., formohen emra njerëzish sipas veprimit që kryejnë, sipas mjeshtërisë që ushtrojnë, sipas cilësisë që kanë, ose sipas vendit ku banojnë.
Me anë të prapashtesës –ar nga emra të parmë formohen kryesisht emra mjeshtërie, si: argjendar, gazetar, këpucar (edhe këpuctar), korçar, tetovar, myzeqar, kërçovar, preshevar etj. Të ngjashëm me këta janë emrat fshatar, qytetar, katundar.”15
Nga ky citat shihet qartë se me prapashtesën –ar formohen emrat e njerëzve sipas mjeshtërisë, sipas cilësisë që kanë, ose sipas vendit ku banojnë. Në të njëjtin tekst thuhet:
“Me prapashtesën -tar prej temave të emrave formohen emra të ndryshëm njerëzish, veçanërisht emra profesionesh: luftëtar, dëshmitar, udhëtar, lajmëtar, shkaktar, arsimtar, shkrimtar, dijetar, gjuhëtar, farkëtar, këngëtar, gjahtar, zdrukthëtar etj.”16
Nga ky citat, edhe me formantin –tar, shihet se formohen emrat e njerëzve, por shumë me rëndësi janë emrat e profesioneve që në albano-pellazgo-shqip janë formuar qysh ne epokën e qytetërimit të hershëm, d.m.th. në kohën parahistorike. Këta formante u janë shtuar si sufiksa emrave për t’ua shtuar vlerën, duke u dhënë karakteristikën e arit shumë të çmueshëm.
Te formanti –tar shihet se fjalës –ar i është parashtuar fonema t-ë, për të treguar se emri ka cilësi të arit, si emri shqiptar, tregon se gjuha shqipe është e art dhe se shqiptari që e flet gjuhën shqipe është i vlefshëm si ari. Prandaj, emri shqiptar përbëhet prej shprehjeve: shqip, fonemës t-ë dhe prej fjalës –ar, të cilat së bashku kanë kuptimin se personi flet gjuhën shqipe të artë. Në kohën e formimit të formanteve –ar dhe –tar (sot, të artë), t-ja nuk i është parashtuar formantit –ar. Por, më vonë, njësoj sikurse b-ja që i është parashtuar dhe i është prapashtuar fjalës –ar (bar = b + ar dhe arb = ar + b), ashtu edhe fonema t-ë i parashtohet dhe i prapashtohet fjalës ar (tar = t + ar dhe art = ar + t). Formanti –tar ka kuptimin e fjalës të artë. Ndërsa, kuptimi i fjalës –ar, kur i prapashtohet t-ja, formohet fjala art si shprehje që tregon bukurinë e artit, prej nga i kemi fjalët: të artë, artist, artistik, artizanat etj. Me kuptim të tillë të përafërt e ka emrin edhe perëndesha Artemida formohet prej fjalëve ar + t + em + ida, që në të folurën e sotme thuhet: arin t’ em të Idës, gjegjësisht, e mira (e arta) e Idës time. Edhe emri Aristotel, i dijetarit më të madh të kohës antike, rrënjë ka fjalën ari, që plotësisht e ka merituar.
ME FJALËN AL SINTETIZOHEN FONEMAT P-Ë DHE B-Ë
Fonemat p-ë dhe b-ë janë të njëllojta në pikëpamje të artikulimit (nyjëtimit). Gjatë artikulimit të këtyre dy tingujve marrin pjesë të njëjtat organet të aparatit të të folurit, me të dy buzët, prej nga e marrin emrin tinguj dybuzor (bilabiale). Këto dy fonema përkrah tingëllimi dallohen sepse p-ja është e pazëshme, ndërsa, b-ja është e zëshme. Kjo e bën që kur sintetizohen me fjalën al, i japin dy kuptime të afërta, por që kanë dallim.
Në fillim të epokës së qytetërimit të hershëm (barbarisë), te pellazgët, me fjalën al është sintetizuar një herë fonema p-ë, e mandej edhe fonema b-ë, prej nga formohen fjalët alp = al + p dhe alb = al + b.
Shprehja al, e cila përbëhet nga dy kuptime shprehimore, a = a^shtë = (është) dhe l-ë, e cila si tingull i artikuluar ka pasur kuptimin e lëvizjes, shprehjes al i shtohet fonema p-ë, formohet fjala alp, e cila tregon lëvizjen me qëllim të caktuar për të kryer një veprim të dobishëm, që sot e themi me fjalën punë. Por kur shprehjes al i shtohet fonema b-ë, formohet fjala alb, që ka kuptimin e të bërit të një veprimi apo pune, tregon kryerjen e një detyre të caktuar duke bërë lëvizje fizike sipas nevojës që kërkon puna në raste konkrete.
Pellazgët së pari kanë zhvilluar blegtorinë e mandej bujqësinë, prandaj logjikisht kuptohet se edhe shprehja alp është përdorur para përdorimit të shprehjes alb. Shprehja alp ka qenë e lidhur ngushtë me veprimtarinë e blegtorisë, ndërsa shprehja alb ka qenë e lidhur me veprimtarinë bujqësore. Përhapja e emrit të masivit malor të Alpeve në Evropë, tregon përhapjen e hershme të fiseve albane të quajtur Alpen ose Alpan në malet dhe bjeshkët e Alpeve, që nga koha pas zbutjes së të gjitha llojeve të mundshme të kafshëve dhe pas formimit të kopeve të mëdha të bagëtive.
Siç u tha më sipër, fjala alb është formuar te albano - pellazgët më vonë në krahasim me fjalën alp dhe është e lidhur më shumë me punën dhe veprimtarinë e bujqësisë. Këtë e vërteton ekzistimi i Albanëve, duke filluar prej Kaukazit, në Ballkan, në Apenine, në tërë Evropën deri në Britani.
Emrat Alp, Alpen e Alpan dhe Alb, Albion e Alban, si u pa më sipër, nuk janë formuar nga fjala latine alba me domethënie të fjalës, i bardhë, por janë fjalë të popullatës albano - pellazge të formuara shumë kohë para formimit të fjalës latine alba (i bardhë) dhe nuk kanë kurrfarë lidhjeje me kuptimin e fjalës latine. Por kanë kuptimin si fjalë albano-pellazgo-shqipe, ashtu si janë shpjeguar më sipër.
ME FJALËT ALP DHE ALB SINTETIZOHEN
FJALËT ENË, ANË DHE ONË SI SUFIKSA
Fjalët enë dhe anë në gjuhën albano - pellazge dhe shqipe kanë kuptimin e anëve të horizontit. Por si komponime me fjalët alp dhe alb kanë rolin e sufiksit të tyre, me të cilën janë formuar emrat Alpen e Alpan si dhe Alben e Alban. Prapashtesat anë, enë, onë dhe ënë, janë praktikë e dëshmuar në gjuhën albano – pellazgo - shqipe për formimin e emrave të banorëve nga emri i një vendi apo territori.
Kështu, me fjalën alpe është formuar emri i masivit të maleve Alpe në Evropë. Por emrit Alp kur i shtohet fjala anë formohet emri Alpan, me të cilin janë quajtur banorët albano - pellazgë që kanë jetuar nëpër malet dhe bjeshkët e Alpeve dhe në mbarë Evropën. Sot, si emër i banorëve Alpan, nuk më është njohur nëse ekziston diku në masivin e Alpeve. Por si relikt i emrit të banorëve të vjetër Alpan, është i shpeshtë si patronim te shqiptarët në Shqipërinë e jugut, si është patronimi i shkencëtarit të njohur Nexhip Alpani etj.
Si toponim hasim emrin e qytezës Alpena17, që gjendet në Lokrinë në dalje nga gryka e Thermopileve në Thesalisë.
Emri i qytezës Alpena dhe patronimi Alpan, i cili përdoret edhe sot në Shqipërinë e jugut, na dëshmon se dikur edhe malet e Ballkanit jugor janë quajtur Alpe, por që ky emër malesh dhe si emër banorësh, është harruar në rrëmujën e shekujve dhe mileniumeve të kaluara.
Fjalës alb, kur i prapangjitet fjala anë, formohet emri Alban, prej të cilit historikisht është formuar emri kombëtar i popullit shqiptar. Fjala arb është formuar në fillim si toponim, prej nga për të emëruar banorët e vendit të quajtur Alb, siç është thënë më sipër, emrit të vendit Arb i shtohet edhe fjala anë dhe është formuar në fillim si emër i grupeve të banorëve, e mandej formohet edhe si emër i mbarë popullit Alban, me emrin Arban dhe Arbanas. Fiset dhe populli Alban është përhapur prej lindjes në perëndim, edhe atë prej Kaukazit, në Ballkan, në gadishullin Apenin duke përfshirë krejt Evropën veriore dhe perëndimore. Më vonë, prej emrit të fiseve dhe të popullit me kuptimin më të gjerë, është formuar edhe emri i mbretërive të quajtur Albania. Emri i vjetër Alban është regjistruar në shkrimet e logografëve dhe në shkrimet e tjera shkencore dhe letrare antike.
SINTEZA E FJALËS AR ME FONEMËN B-Ë
Me fjalën ar sintetizohet fonema b-ë si tingull i artikuluar, që në epokën e primitivizmit (egërsisë), ka pasur kuptimin e foljes së sotme me bërë. Me fjalën ar, b-ja është sintetizuar si prefiks dhe si sufiks.
SINTEZA E B-SË SI PREFIKS I FJALËS AR. Sipas logjikës së zhvillimeve shoqërore, në fillim të epokës së qytetërimit të hershëm (barbarisë), e cila fillon me poçarin dhe me zbutjen e kafshëve të egra, në kohën e zhvillimit të blegtorisë në një shkallë më të lartë, me atë që dalëngadalë fiset pellazge, kalojnë prej kohës kur peshkimi ka qenë degë kryesore ekonomike, e më pas edhe gjuetia, ia lirojnë vendin blegtorisë. Blegtoria si degë ekonomike kërkon kushte të reja dhe punë profesionale. Fiset pellazge përnjëherë nuk janë larguar nga brigjet e deteve dhe të rrjedhave të lumenjve, prandaj këto pellgje dhe lumenj fillojnë me ruajtjen e kafshëve të zbutura. Me qenë se fushat dhe kodrinat kanë qenë të pyllëzuara me drunj të dendur, ata për nevojat e bagëtisë kanë çelur rrahe për t’i shndërruar pyjet në kullota. Para se me çel rrahe, vendi ku ka pasur kullosë ka qenë tokë shumë e vlefshme për të kullotur bagëtinë dhe këto vise me kullosë i kanë adhuruar shumë si pasuri shumë e vlefshme, duke i quajtur ara. Fjala ar në këtë kohë nuk ka pasur kuptimin e fjalës së sotme arë si tokë buke, e as ari, si metal i çmueshëm, sepse ende nuk është paraqitur veprimtaria e bujqësisë, e as përpunimi i metaleve të çmueshme. Por nevoja për t’i shndërruar pyjet fushore dhe rrafshnaltat kodrinore në livadhe dhe lëndina, kjo veprimtari është dashur të shprehet edhe me fjalë. Punën për shndërrimin e pyjeve në arë për kullotjen e bagëtisë, e kanë shprehur me tingullin e artikuluar b-ë, e cila kur i parashtohet fjalës ar, formohet fjala bar = b + ar, e kjo do të thotë me bërë bar për kullotjen e bagëtisë. Në këtë fazë të zhvillimit të blegtorisë, te fiset albane formohet fjala bar, e cila sot është në përdorim të mbarë gjuhës albano - pellazge dhe shqipe dhe është shumë produktive.
Është plotësisht e vërtetë se fjala e përsëritur dy herë bar – bar, domethënë barbar, e përdorur në kohën e antikës së hershme, si shprehje nënçmuese për blegtorët, të cilët vazhdimisht kanë kërkuar bar për kullotjen e bagëtisë, duke i marrë si njerëz të paqytetëruar që kanë jetuar nëpër male dhe bjeshkë. Nga shprehja barbar është quajtur edhe epoka e qytetërimit të hershëm dhe që në greqishten e vjetër janë quajtur të huaj, që nuk kanë qenë grek, ku kjo shprehje ka pasur kuptimin e fjalës të huaj për grekët, pra ata që nuk janë grek dhe ata që për ta janë të huaj, janë të pa kulturë.
SINTEZA E B-SË SI SUFIKS I FJALËS AR. Në një kohë, pasi fiset albane e përparojnë veprimtarinë e blegtorisë, duke formuar kope të mëdha, kur nuk ishte e mundur më që t’i kullotnin më tej bagëtinë nëpër viset fushore dhe kodrinore të mbuluara me pyje, dhe kur veshmbathja i ndihmonte që banorët t’i qëndrojnë temperaturës më të ulët, ata për kullota të bagëtisë shfrytëzojnë kullotat e bjeshkëve në stinën e verës, ndërsa dimrit i kullotnin bagëtinë nëpër ultësirat, ku klima ishte më e ngrohtë.
Kjo është koha kur fiset albane në shumë pellgje të lumenjve zhvillojnë bujqësinë, e cila në fillim zhvillohet si degë ekonomike në një shkallë të ulët, kur bujqit kanë prodhuar drithëra vetëm për ushqimin e bagëtisë në stinën e dimrit, ndërsa banorët janë ushqyer me qumësht, bulmet, me mish dhe me pemë e perime. Me kalimin e kohës nevoja për hapjen e rraheve nëpër fusha dhe kodrina të ulëta u shtuan edhe më tepër, prandaj puna për përgatitjen e tokës për prodhimin e të lashtave, u bë punë e përhershme. Më parë arat me bar ishin vetëm për kullotjen e bagëtisë, por në këtë kohë arat si kullota për bagëtinë u shndërruan në ara buke. Me këtë, te fiset albane bujqësia bëhet degë shumë e rëndësishme ekonomike. Meritë të madhe për zhvillimin intensiv të bujqësisë ka pasur zonja pellazge Demetra, e cila ka mësuar për herë të parë popullatën për mbjelljen, korrjen e shirjen e të lashtave. Kjo Perëndeshë u mësoi njerëzve edhe bluarjen e drithit dhe pjekjen e bukës, për përgatitjen e gjellëve për ushqim si dhe gjëra të tjera.. Demetra bashkë me Triptolemin mbollën për herë të parë grurë në fushën e Eleuzinës, e cila quhet Rarionë, prej nga edhe Demetra mori titullin Raria.
Veprimtarinë dhe punën për zhvillimin e bujqësisë e kanë shprehur me tingullin e artikuluar –b-ë, e cila ka pasur kuptimin, si u tha më parë, të foljes me bërë, e cila kur sintetizohet si sufiks i fjalës arë, formohet fjala arb = ar + b. Kjo fjalë bëhet emër që me fjalët e sotme shqipe ka kuptimin arë bërës, ose arë banës, prej nga janë formuar emrat Arbëresh (në toskë) dhe Arbanas (në gegë). Në fillim me fjalën arb janë emëruar personat që kanë bërë ara buke, por mandej e marrin emrin Arban banorët që merreshin me bujqësi, të cilët, me kalimin e shumë shekujve, formohen fise dhe popuj që janë emëruar Arbanas dhe Arbëresh, si emra kombëtarë shqiptarë, pra njësoj si edhe emri Alban, i cili ishte më i përhapuri.
Në fillim të bronzit te emri Arb, b-ja ende është e pazhvilluar nga faza e përdorimit në epokën e primitivizmit (egërsisë) si tingull i artikuluar, i cili më vonë zhvillohet duke u sintetizuar me fjalën anë dhe bëhet folja me bamun ose me bërë, e cila edhe te emri Arb shndërrohet më pas në Arban, gjegjësisht Arbanas dhe Arbani apo Arbëri.
Emri Arb te fiset albane të asaj kohe, ka qenë emër shumë i pëlqyer dhe shumë i preferuar si emër personi, si emër i banorëve, si emër i popullit, në fund edhe si emër i mbretërive arbanase ose albanase.
SINTEZA E FJALËS ARI ME FJALËN ANË. Krahas zhvillimit të blegtorisë dhe të bujqësisë, zhvillohet edhe industria primitive e përpunimit të materialeve të ndryshme dhe të metaleve. Fiset albane, që më vonë u quajtën edhe pellazge, të cilët merreshin me përpunimin e metaleve, zbulojnë edhe metalin e çmueshëm, që e emëruan me fjalën më të mirë dhe më të bukur AR të skajuar ARI.
Pasi ari përdorej si metal i çmueshëm për zbukurim të shumë llojeve të objekteve, te shumë fise më të zhvilluara pellazge, fjala ar ose ari, përdoret si emër personi, por, më vonë, përdoret edhe si emër i fiseve, që do të merreshin më vonë me përpunimin e metaleve të çmueshme të arit dhe argjendit. Banorët pellazgë që merreshin me zejtarinë e përpunimit të metaleve, u quajtën me emrin Arian, që në shqipen e sotme thuhet ana e banorëve për përpunimin e arit, ose ana e banorëve me profesion të artizanateve. Prej nga shihet qartë se emri Arian është i përbërë prej emrit ar-i dhe fjalës anë, që të dyja janë fjalë të pastra të gjuhës albano - pellazgo – shqipe. Kjo do të thotë se populli shumë i njohur Arian ka qenë popull pellazgjik, i cili ka zhvilluar një kulturë të lartë qytetëruese në pjesën e parë dhe të më vonshme të epokës së qytetërimit të hershëm (barbarisë).
Në mënyrë bindëse, këtë e ka vërtetuar linguisti anglez Jozef Suajer, i cili në veprën e tij “Shqipëria lindja e një mbretërie”, ndër të tjera, thotë:
“...Raca shqiptare e ka prejardhjen nga emigrantët e hershëm ARIANË dhe gjatë kohës historike është përfaqësuar nga trako – ilirët dhe epirotët ose pellazgët, të cilët dikur patën populluar të gjithë gadishullin Ballkanik, që nga Danubi e deri në detin Egje.”18
Nga ky citat i Jozef Suajerit del në mënyrë të qartë se populli shqiptar e ka prejardhjen nga arianët e vjetër, të cilët përfaqësohen nga thrakët, ilirët, epirotët, të cilët si popull pellazg shtriheshin në krejt Ballkanin. Me këtë citat vërtetohet se arianitët që kanë jetuar si fis në Shqipërinë e mesjetës janë pasardhës direkt të arianëve të vjetër të ardhur në Ballkan.
Do'stlaringiz bilan baham: |