THRAKASIT
Thrakasit janë popull pellazg, i cili ka ardhur nga Kaukazi pas ardhjes së paionve në Azinë e Vogël perëndimore, në Ballkan dhe në vise të tjera. Thrakasit kanë jetuar në hapësirën prej Thesalisë dhe detit Egje e deri në Danub dhe në kufi me Skithët. Në perëndim kanë qenë të shtrirë prej Ilirisë dhe Adriatikut e deri në Detin e Zi.
Në Luftën e Trojës kanë mbajtur anën e trojanëve. Zoti Ares selinë e tij e ka pasur në Thraki, gjegjësisht në Rumelinë e sotme. Fiset më të njohura të Thrakisë janë tinët dhe bitinët, të cilët kanë jetuar në territorin prej Bosforit e deri në Herakle të Azisë së Vogël.
BABRIKËT janë fis thrakas dhe kanë jetuar në Bitini. Zamarovsky në një rast thotë: “Amiku – mbret i babrikëve në Bitini, i biri i Poseidonit, zotit të detit dhe i nimfës (zanës, A.K.) së Bitinisë, Melie apo Pelies.”117
Me emrin e dyfishtë të zanës Melie dhe Pelie kuptojmë se është përdorur në gjuhën e vjetër pellazge dhe me të njëjtin kuptim përdoret edhe në gjuhën e sotme shqipe. Emri Melie ka kuptimin e fjalës me lie ose me lind ose lindëse, ndërsa emri i dytë, Pelie, ka kuptimin e fjalës pelë (pelie) apo, më konkretisht, pel, pjell ose pjellëse. Emri i dyfishtë Melie dhe Pelie me kuptim të përafërt, të njëjtë, dokumenton se fjala pel (pelie) është fjalë pellazgo – shqipe njësoj si fjala me lie (me lind). Fjala me lie përdoret edhe sot në të folurën popullore të gegërishtes së jugut.
Emri i mbretit Amik përbëhet prej dy fjalëve -a dhe –mik. A-ja është tingull i dikurshëm i artikuluar dhe si i tillë përdoret edhe sot në gegërishten e veriut dhe ka kuptimin e foljes me qenë – është.
Ndërsa fjala mik ka kuptimin e fjalës pellazge dhe të fjalës së sotme shqipe mik në njëjës dhe miq në shumës.
Që do të thotë se emri i mbretit të babrikve ka kuptimin e fjalëve: Është mik, me kuptim se është mik i nderuar.
BISTONËT, po ashtu, janë fis thrakas. Zamarovsky në një rast thotë: “Polimestori mbret i bistonve në Thraki, burri i së bijës së Ilionit.”118
Nga ky citat kuptojmë se bistonët kanë qenë banorë të Thrakisë, ku mbret ka qenë Polimestori, i cili për grua ka pasur bijën e Ilionit. Thuhet se edhe Diomedi ka qenë mbret i fisit të bistonve të Thrakisë.
Në një rast Zamarovsky thotë: “Imaradi, i biri i Eumolopit, mbretit thrakas, komandant i ushtrisë, që i erdhi në ndihmë Eleuzinës në luftë kundër Atinës.”119
Nga kjo kuptohet se Eumolopi ka qenë mbret në Thraki në kohën e luftës së Eleuzinës me Athinën.
Kur thuhet se: “...Vajzën, Kleopatrën, e cila u martua me Fineun, mbretin e Thrakisë....”120
Nga ky citat i shkurtër kuptohet se Fineu ka qenë mbret i Thrakisë. Zamarovsky thotë: “Rezi-mbret thrakas, i biri i mbretit të Eoneut ose Strimonit dhe gruas së tij Euterpës.”121
Edhe nga ky citat kuptohet se Rezi ka qenë mbret në Thraki.
SHKURTIMISHT PËR FISET THRAKASE
SAPEJËT – janë fis thrakas që kanë jetuar në derdhje të lumit Meste. (“Historia e Herodotit II”, fq. 379)
PETI – fis thrakas që ka jetuar në veri të Thrakisë, në mes Hebrës (Maricës) dhe lumit Melasa, i cili derdhet në gjirin e Saronit. (“Historia e Herodotit II”, fq. 379)
SATRI – janë fis thrakas që ka jetuar në mes lumenjve Struma dhe Meste. (“Historia e Herodotit II”, fq. 379)
APSINTËT – janë fis thrakas që ka jetuar në veri të Herzonezës (Galipolit).
PLISTOR – e ka emrin personi i hyjnizuar nga fisi Apsintijanë.
EDONËT – janë fis thrakas. (“Historia e Herodotit II” ( fq. 346 dhe 360) Emri Edon përbëhet prej nyjës –e dhe foljes me dasht –do.
KIKONËT – janë fis thrakas që kanë jetuar në veri të Maricës. (“Historia e Herodotit II”, fq. 376) Emri Kikon përbëhet prej dy fjalëve: kikë dhe onë. Me fjalën kikë emërohen jellat e kalit. Ndërsa fjala onë ka të njëjtin kuptim me fjalën anë.
TRAUZËT – janë fis thrakas. (“Historia e Herosdotit II”, fq. 345)
KRESTONËT – fis thrakas. (“Historia e Herodorit II”, fq. 345)
MARIANDINËT – janë popull thrakas që ka jetuar në pjesën verilindore të Bitinisë.
KROBIZËT – janë fis thrakas. (“Historia e Herodotit II”, fq. 471)
AGRIANËT – Straboni thotë: “Se lumi Strimona fillon që nga agrianët rreth Rodopit.” 122
Nga ky citat i Strabonit kuptojmë se agrionët janë popull thrakas që kanë jetuar rreth Rodopit.
Emri Agrion përbëhet prej dy fjalëve, agri dhe anë. Ky emër ka kuptimin e anës nga agron apo gdhin drita, domethënë ana nga lind dielli.
BESËT
Fisi i besëve fillimisht është paraqitur dhe regjistruar si banorë me kulturë të zhvilluar në Azinë e Vogël. Si fise janë paraqitur në Peloponez dhe në Thesali. Besët deri vonë kanë jetuar si fis i vaçantë në territorin e Bullgarisë së sotme, siç thonë historianët, kanë jetuar në veriperëndim të maleve Rodope. Ata nuk janë thrakas, por janë një popull i formuar nga fise pellazge të Greqisë jugore, nga Azia e Vogël, në Egjipt dhe në trojet thrakase ku përmenden në histori si popull shumë i zhvilluar.
Në antikë të hershme bashkë me fiset e tjera pellazge në Thraki, historianët i përshkruajnë si popull malësor, të cilët me trimërinë e tyre të dalluar si popull luftarak, asnjëherë nuk i ka nënshtruar asnjë shtet, sado i fortë të ketë qenë.
Besët në territorin e tyre kanë pasur edhe tempullin e vet, në një vend të lartë në malet Rodope, ku orakulli i tyre profetonte njësoj si ai në tempullin e Dodonës. Besët kanë besuar në hyjnitë më të njohura, në Zeusin dhe Dionisin, por kanë pasur edhe hyjninë e tyre të quajtur Kote.
Vetë emri Besë tregon se banorët e këtij fisi kanë pasur kulturë të lartë në ndërtimin e marrëdhënieve ndër njerëzore të shoqërisë së tyre. Marrëdhëniet e drejta sociale, edhe pse asaj kohe kanë qenë të pashkruara, por fjala BESË te ky fis si edhe te fiset e tjera pellazge, ka qenë një kod i pashkruar juridik, me të cilën kanë qenë të rregulluara dhe tradicionalisht janë praktikuar në jetën e përditshme.
Rregullat tradicionale më të theksuara kanë qenë te fisi i besëve që nga koha e zhvillimit të kulturës kaukaziane dhe ajo Egjeane. Kodi juridik i BESËS është përhapur te të gjitha fiset e botës së atëhershme mesdhetare. Besët si fis dhe si popull zhvillohen duke u përhapur nga Ballkani verilindor, kalojnë Danubin dhe shtrihen në Rumani, Moldavi dhe në krahinën e Besarabis. Prej Besarabie si blegtorë të mirë shpërndahen edhe në bjeshkët e Beskideve në jugperëndim të Polonisë e më tutje.
Para së gjithash, që Besët kanë jetuar në Greqinë e vjetër pellazgjike, e shohim kur Homeri thotë:
“...Ajaksi u printe burrave
mbledh nga Koljari dhe Openta e Kyni,
nga Besa e Skarfi dhe Augea e kandshme,
nga Tarfi e Troni i bregut të Boagrit.”123
Si shihet këtu Homeri përmend komunën Besa, ku kanë jetuar fisi i besëve dhe kanë marrë pjesë në Luftën e Trojës bashkë me fiset e komunave të tjera në krye me Ajaks Oijeun.
Kur Aleksanër Stipçeviqi bën fjalë për përhapjen e kulturës ilire, që në realitet është përhapja e kulturës pellazge, ndër të tjera, thotë:
“Po ashtu, ilirët kanë ushtruar ndikim edhe në Rumaninë e sotme. Dimë për një kulturë besarabe, e cila ka qenë nën ndikim të fuqishëm të kulturës ilire. Kjo është ajo që mund të thuhet sot për kohën parahistorike.”124 Nga ky citat i Stipçeviqit kuptojmë se kultura e besarabëve është mjaft cilësore dhe ai mendon për një kulturë të ndikuar nga ilirët. Kjo ndodh për arsye se autori nuk e ka të njohur kulturën e përgjithshme pellazge, prandaj kulturën besarabe, gjegjësisht besarbe, e kupton vetëm si kulturë e ndikuar nga kultura ilire e jo si fis dhe si kulturë pellazge.
Siç u tha më sipër, besët shtohen dhe shpërndahen në Romani dhe Moldavi dhe arrijnë në Besarabinë e sotme. Edhe emri Besarabi tregon se fisi pellazg i besëve ka jetuar në atë krahinë. Emri Besarabi është i përbërë nga dy emra, Bes dhe Arab. Emri i fisit besë është e qartë se bëhet fjalë për një fis pellazg, por emri i dytë Arab, që i është shtuar emrit të parë, është e qartë se nuk ka të bëjë me emrin e popullit Arab, por emrit Arb i është shtuar edhe një -a në mes dy bashkëtingëlloreve dhe është formuar emri i gabuar –Arab. Prej këtu kuptohet se emri i kësaj krahine nuk është Besarabia, por është BESËARBËRIA, që ka kuptimin besa e arbërisë.
Në kohërat e stërlashta, besët duke u shtuar shpërndahen edhe në drejtim të Polonisë së sotme, ku si blegtor të shkëlqyer e popullojnë masivin e maleve të Beskideve e më gjerë. Linguisti kroat Petar Skoku me të drejtë emrin beskid e cilëson si emër që i takon gjuhës shqipe. Emri Beskidë me të vërtetë është shqip, por nuk e ka kuptimin si thotë ai –beshkë gjegjësisht bjeshkë. Emri Beskidë është i përbërë prej tri fjalëve: bes, k-ë dhe idë. Fjala bes, në këtë rast, është emër i fisit të besëve, me kuptim të besimit. Fonema k-ë ka kuptimin me të cilin tregon një drejtim, që në këtë rast tregon drejtimin se besët rrjedhin prej bjeshkëve të Idës nga Troja. Ndërsa emri Idë tregon se besët që kanë jetuar në Poloni rrjedhin nga Troja.
JONIANËT
Jonët ose jonianët janë fise dhe popuj pellazgjik, që kanë jetuar në pjesën perëndimore të Azisë së Vogël, duke përfshirë edhe ishujt e detit Egje.
Ende pa u zhvilluar dituritë gjeografike te pellazgët, deti Egje nuk është quajtur me këtë emër, por populli ynë (pellazgjik) edhe këtë det e ka quajtur Deti i Jonë. Më vonë, në perëndim të Epirit dhe më gjerë, deti është quajtur deti Jonë. Po me këtë emër është quajtur dhe i gjithë deti Adriatik. Por më vonë ky det merr emrin Adriatik. Ndërsa emrin deti Egje e ka marrë pas më shumë se një mijë vjetëve.
Spiro Kondo thotë se grekët fjalën gje apo e gje ia kanë ndërruar tingullin nga d-ë në gj-ë, që do të thotë se emri i detit Egje përbëhet prej emrit dheu apo tokë dhe ka kuptimin se hapësira e ujit të detit është e dheut që është i jonë, gjegjësisht e jonianve.
Më parë ky det është quajtur Deti i Jonë ose Deti i Kaltërt. Kjo ka vazhduar deri kah shekulli VIII p.e.r..
Lidhur me pjesën e parë të emrit Jonian, d.m.th. fjala jon si përemër, e kemi edhe emrin Merjon, që përmendet në “Iliad” të Homerit (në faqen 298, V. 588 ). Merjoni ishte bashkëluftëtari i Idomeneut, pinjoll i Minosit, mbretit të Kretës. Emri Merjon përbëhet prej dy fjalëve, mer dhe jonë. Fjala mer është folje me marrë. Ndërsa, fjala jonë është përemër, veta e parë, në shumës, prej nga e ka marrë më vonë kuptimin me marr anën e tokës ose të detit tonë, sepse për popullin pellazg të atëhershëm edhe toka edhe deti kanë qenë të tyre, prandaj ata kanë thanë: “Toka ose deti është i jonë.” Në perëndim të Ballkanit, deti Jonë dhe deti i sotëm Adriatik më parë janë quajtur Deti i Jonë.
Në të folurën popullore të shqipes së sotme thuhet: “Si mer jon e kërkund nuk ndalet.”, (“Si mer jon dhe askund nuk ndalohet.”) Sot këtë shprehje zakonisht e përdorin kur një person, në log të bisedimit, del nga tema e diskutimit dhe flet për diçka krejtësisht tjetër dhe nuk di si të kthehet në temë. Kjo është një shprehje popullore, e cila ka ngelur si relikt i shprehjes së vjetër pellazge: “Njeriu që mer Jon dhe nuk din të kthehet prapë në vendin e tij.” Kjo ka kuptimin se njerëzit në kohëra të vjetra me lundra kanë hyrë në thellësi të detit Jon dhe shpesh nuk janë kthyer prapë, d.m.th. kanë humbur përgjithmonë. Në kohën e vjetër pellazgët e kanë quajtur Jonian pjesën perëndimore të Azisë së Vogël dhe detin e sotëm Egje. Jonian do të thotë ana e jonë e tokës dhe e detit (kuptohet deti Egje). Ndërsa, në detin e sotëm Jon e ka emrin vetëm deti Jon, pjesa që gjendet në jug të detit Adriatik.
Për detin e sotëm Jon në harta të vjetra e hasim me emrin Jonienë ( Joni + enë ), sepse në kohërat më të hershme te pellazgët fjala enë ka pasur kuptimin e fjalës anë125, që zakonisht përdoren edhe si sufiksa.
Regjistrimi i emrit Jonienë ose Jonian në shkrimet dhe hartat e vjetra, na përkujton emrin e jonianëve, të cilët kanë qenë popull që ka jetuar në pjesën perëndimore të Azisë së Vogël. Fjalët anë, onë, enë dhe ënë, janë fjalë që e kanë të njëjtin kuptim dhe tregojnë anët e horizontit dhe zakonisht përdoren edhe si sufiksa.
TEUKËRIT
Teukërit janë banorët e parë që kanë jetuar në Trojadë. Sipas mitit, V. Zamarovsky thotë se Teukri ka qenë bir i lumit Skamandër dhe i nimfës Idë. Nga kjo kuptohet se prijësi i banorëve të parë, që ka jetuar në një kohë shumë të lashtë në Trojë, ka qenë Skamandri, prej të cilit e ka marrë emrin lumi më i madh i Trojës. Teukëri nuk është biri i atit apo mbretit të parë Skamandër, por në të vërtetë ka qenë biri i prijësve të teukrëve, d.m.th. si pasardhës më të vonë të Skamandrit dhe rrjedh nga ndonjë pasardhës shumë më të vonë të tij.
Sipas historianëve, Teukri ishte zot më i moçëm në Trojadë, që do të thotë se ishte Zot me kuptim të prijësit apo të mbretit të fundit të dinastisë së zotit (mbretit) Skamandër. Përderisa zoti (mbreti) Skamandër ka jetuar në kalim të epokës së parë në epokën e dytë, d.m.th. diku në fillim të kohës së bakrit, Teukëri si mbret i fundit i kësaj dinastie ka jetuar kah fundi i gjysmës së parë të kohës së bronzit. Gojëdhënat dhe mitet kanë regjistruar vetëm Skamandrin si zot të parë në pellgun e lumit që mori emrin e tij dhe Teukërin si mbret të fundit të kësaj dinastie mbretërore, sipas të cilit populli i mbretërisë së tij u quajt teukër, prej nga edhe mbretëria e tij është quajtur - Teukria. Dua të vë në dukje se në kohën e Skamandrit ose pak më vonë kanë jetuar Aksi, prijës i banorëve që kanë jetuar në rrjedhën e poshtme të lumit Vardar, Alfeu në Peloponez, Peneu në Thesali etj. Pak më vonë prej këtyre ka jetuar Ileri si mbret i banorëve në pellgun e lumit Iler si degë e Danubit në Gjermani. Në shpjegimet mitike të Zamarovskyt thuhet se Dardani ka qenë biri i Zeusit dhe ishte mbret i parë i Dardanisë. Edhe Homeri vërteton se Dardani ka qenë biri i Zeusit dhe se ka qenë mbret i parë në Dardani. Këtë e shohim në këtë citat:
“Kronjani i lumi që vran e kthjell ma s’pari
Dardanin puell, që e themeloi Dardanjën.”126
Më tej, Zamarovsky për Dardanin thotë: “Në tokën e vet (kuptohet, Teukëri, A.K.) e pranoi Dardanin, ... i cili pastaj u martua me bijën e tij, Baten, dhe themeloi qytetin Dardania. Stërnipi i tij, Ili, themeloi Ilionin ose Trojën. Trojanët quhen sipas tij edhe teukër.”127
Këtu kur Zamarovsky thotë Dardani ndërtoi qytetin Dardania nuk e ka kuptuar atë që thotë Homeri se Dardani themeloi Dardanjën. Këtu ka kuptimin se ai e themeloi mbretërinë e dardanisë e jo qytetin Dardania.
Kur Zamarovsky thotë se në tokën e vet e pranoi Dardanin, kuptohet se Samothraka ka qenë ujdhesa e mbretërisë së Teukërisë dhe, siç dihet, atje Dardani takohet me Baten dhe martohet me të. Për ta kuptuar këtë realitet duhet të bazohemi në logjikën e zhvillimit historik të shoqërisë si në mbretërinë e Teukëris, ashtu edhe në atë të Dardanisë, duke u bazuar në të dhënat historike, arkeologjike, etnologjike, gjuhësore dhe sipas fakteve të tjera që disponojmë.
Para së gjithash, shteti Dardan është themeluar që nga koha e Kronit dhe të atit Zeus, pra nga koha denbabaden. Në kohën e mbretit Teukër, Dardania ka qenë një shtet i fortë ekonomik dhe ushtarak, që i shtriu kufijtë deri në Dardanele. Mbretëria Dardane asaj kohe është shtrirë në një territor të gjerë të Paionisë dhe të Thrakisë. Por, pas vdekjes së mbretit Teukër, Dardani e futi në territorin e mbretërisë së vet edhe mbretërinë e Teukrit. Duhet të dimë se në territorin e Dardanisë, popujt dardan, paion, thrakas dhe teukërit, kanë qenë të gjithë fise pellazge, të një gjaku dhe me një gjuhë të përbashkët pellazge.
Pas Dardanit si mbretër sundojnë në të njëjtën mbretëri Eriktoni dhe Trojsi. Sipas të gjitha rrethanave, shihet se në kohën e Trojsit, në rrëzë të malit Idë, ndërtohet vendbanimi që merr emrin e tij, Troja. Ky vendbanim, për shkak të strategjisë, kishte të ardhura të mira dhe bëhet qendër mbretërore e quajtur Trojë. Pas vdekjes së Trojsit, Dardania ndahet në dy pjesë: në Dardaninë e zvogëluar pa Trojën, ku mbret bëhet djali më i madh Asaraku, ndërsa në Trojë mbret u bë Ili (Ylli). Kjo mbretëri mbajti emrin Trojë, ndërsa banorët vendas teukërit dhe dardanët e ardhur në këto treva u quajtën trojan. Me ardhjen e Ilit (Yllit) si mbret, mbretëria e Trojës u forcua shumë ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht. Me rëndësi është se Ili e modernizoi kryeqytetin dhe ndërtoi fortifikatën madhështore historike të Pergamës. Pas ndërtimit të këtij qyteti, mbreti Il i dha emrin e vet Ili, që sot ne e quajmë Ylli. Me këtë, qyteti që më parë e mbante emrin Trojë, prej asaj kohe quhet Ili. Qytetin e Ilit pellazgët e quajtën Ilioni, me sufiksin shqip onë, që më vonë, në kohën antike, greqisht është quajtur Ilios, me sufiksin os, ndërsa latinisht Ilius, me sufiksin latin us, ndërsa territori i mbretërisë u quajt Troja. Sipas emrit të kryeqytetit Ili, Homeri i jep titullin veprës së tij monumentale “Iliada”, ku emrit Ili i shtohet edhe emri i bjeshkës Ada, për ta lartësuar Ilionin me lartësinë e bjeshkës së përmendur. Me këtë Homeri e hyjnizon Ilionin.
Populli vendas që ishin shumicë quhej Teukër, ndërsa dardanët e ardhur quhen edhe më vonë dardanë. Por, të gjithë së bashku, teukërit dhe dardanët, janë quajtur trojan. Emrat e banorëve teukër, dardan dhe trojan, Homeri i përmend rregullisht. Këtë e shohim edhe në këto citate:
“Të parët Teukërt, lidhur ngusht mes tyne
shpërthyen sulmin dhe Hektori u printe.”128
Ose:
“Ashtu Akejve u hyni tmeri, e Febi
i vuni në ikje, kurse Trojsve e Hektorit
u dha fitoren. Atë botë s’mbet Trojan
pa ba kërdi n’Akejt që u mbathën këmbëve.”129
Nga kjo shihet se kur Homeri bën fjalë për banorët e Trojës, ai i emëron me emrat teukër, trojsve ose trojan.
Si në veprën mitike të Zamarovskyt, ashtu edhe në literaturën antike, nuk kam hasur të bëhet dallimi i saktë për emrin Trojë, për mbretërinë e Trojës dhe të emrit Il të kryeqytetit të Trojës. Në këtë rast më duket se është e nevojshme të saktësohen edhe një herë këta emra si vijon:
- Territori i mbretërisë së mbretit Teukër është quajtur Teukëria;
- Pas vdekjes së mbretit Teukër, mbretëria e tij përfshihet në mbretërinë e Dardanit dhe si tërësi është quajtur Dardani;
- Në kohë e mbretërimit të Trojsit, ai ndërton vendbanimin e ri në rrëzë të malit Ida dhe e quajti me emrin e tij, Trojë;
- Qyteza e Trojës u bë kryeqendra e territorit që më parë quhej mbretëria e Teukëris, e cila prej kësaj kohe quhet Trojë ose Trojadë;
- Popullin e vjetër të Trojës, Homeri vazhdimisht e quan teukër;
- Banorët e ardhur më parë nga Dardania, quhen vazhdimisht dardan;
- Të gjithë banorët e Trojës bashkërisht quhen me një emër të përbashkët, trojan;
- Pas ardhjes së Ilit si mbret i Trojës, qytezën e Trojës ai e bëri Metropol, me kalanë historike të Pergamës dhe e quajti me emrin e tij, Ili. Me këtë, emri i parë i qytetit Trojë u ndërpre, por emri i mbretërisë mbeti Trojë ose Trojadë.
PELLAZGU LETHO TEUTAMIDI
Se Letho Teutamidi ka qenë mbret i pellazgëve jonian të Azisë së Vogël e shohim në këtë shkrim të Homerit:
“Pileu e Hipotheu, pinjoj të Aresit ,
bijt’ e Pellazgut Letho Teutamidit,
në krye u prinin fiseve të Pellazgve,
edhe kreshnikve të Larisës pjellore.”130
Prej këtej kuptojmë se Pileu dhe Hipothou janë pinjoll të Aresit dhe bijtë e Pellazgut Letho Teutamidit, që u prinin fiseve të pellazgëve si dhe të kreshnikëve të Larisës pjellore. Këta kanë marrë pjesë në Luftën e Trojës në anën e trojanëve.
Letho është emër i mbretit të pellazgëve të Azisë së Vogël. Ndërsa, emri Teutamidi është titull i mbretit.
Emri Teutamidi përbëhet prej tri fjalëve: teut, amë dhe ida. Fjala e parë teut në fillim është regjistruar në latinisht me shkronja latine. Meqenëse në latinisht nuk ka dh-ë, prandaj regjistruesi i emrit Teutë nuk e ka regjistruar me germën dh-ë, por me t-ë dhe, në vend të fjalës dheut, e ka regjistruar me t-ë latinisht, d.m.th. Teutë. Fjala e dytë amë ka kuptimin e emrit të prindit amë (nënë), që në këtë rast është përdorur si shprehje me kuptimin e tokës apo të dheut të amës, që në shqipen e sotme përdoret amëri apo mëmëdhe. Ndërsa fjala e tretë idë është emri i amës Idë, që te pellazgët njihet si nëna e parë pellazge, e cila pas përmbytjeve të mëdha, me të atin Skamandër, filloi krijimi i Banorëve, prej të cilëve formohet popullata pellazge.
Me fjalë të tjera, mbreti i shtetit Pellazg në Azinë e Vogël ka pasur emrin Letho, ndërsa emri Teutamidë është titull i mbretërisë së Pellazgjisë, njësoj si emri i mbretit të fundit të Trojës – Priami, të cilin, për ta lartësuar, e kanë quajtur Priamidi. Krahasoni titullin e Lethos – Teutamid me titullin e mbretit Podark të Trojës – Priamid dhe do ta kuptoni se emrat Teutamid dhe Priamid nuk janë emra e as mbiemra personi, por janë tituj mbretëror, njësoj si titujt mbretëror: Faraon - në Egjipt, titujt Cezar, Perandor, Car, Sulltan etj.
LIDIA
Lidia është shtet që gjendet në perëndim të Azisë së Vogël. Populli i Lidis është pellazg, i cili, bashkë me popujt e tjerë jonian të Azisë së Vogël, ka pasur kulturë të lartë.
V. Zamarovsky në veprën e tij “Heronjtë e miteve antike” thotë:
“Omfala – bija e mbretit Jardan, mbretëreshë e Lidisë.”131 Më tej thotë edhe këtë: “I biri i Omfalës u quajt Atis dhe u bë themelues i dinastisë së re të mbretërve të Lidisë, së cilës i takon edhe mbreti Kandaull, të cilin rreth shek. VII p.e.r. e rrëzoi nga froni Gigi.”
Nga këto citate të Zamarovskyt kuptojmë se Omfala është bija e Jardanit, e cila bëhet mbretëreshë në Lidi. Omfala ka pasur djalë Atisin, ai themelon dinastinë mbretërore, e cila mbaron me mbretin Kandaull.
Herodoti kur bën fjalë për dinastinë e mbretërve të Lidis, ndër të tjera, thotë: “Në Sard ka qenë sundues Kandaulli, trashëgues i Allkeit, një nga djemtë e Herakleut, të cilin helenët e kanë quajtur Mirsil. Agroni, biri i Ninit, nipi i Belit dhe stërnip i Allkeit, një nga Heraklidët është bërë mbret në Sard, ndërsa Kandaulli, biri Mirsilit, sipas radhës ka qenë i fundit. Sunduesit e këtij vendi para Agronit, kanë qenë pasardhësit e Lidit, djali i Atisit, sipas të cilit edhe krejt populli e ka marrë emrin Lidian, por më parë janë quajtur Meonë. Nga këta, në bazë të një shpjegimi të profetuesit, qeverinë e kanë marrë heraklidët, të cilët rrjedhin nga robëresha e Jordanit dhe Herakliut. Ata kanë sunduar njëzet e dy gjenerata, në një kohëzgjatje prej 505 vjetëve, duke trashëguar pushtetin prej të atit te i biri, deri te Kandaulli, djali i Mirsit.”132
Nga ky citat i Herodotit më duket se çdo gjë është e qartë dhe nuk ka nevojë për ndonjë komentim të veçantë, përveçse të përmendim atë se në një rast tjetër Herodoti si mbretër të Lidisë përmend edhe këta persona: Gigi i bën atentat Kandaullit dhe bëhet mbret. Pas tij mbretër bëhen Ardia, Sadiati, Aliati dhe Krezi.
Me plotë të drejtë mund të themi se emrat e mbretërve të Lidis Atis dhe Agron, janë emra pellazgo - shqiptarë. Emri Atis ka kuptimin e emrit at, të shquar ati dhe është emër i prindit mashkull. Ndërsa emri Agron, po ashtu, është fjalë pellazgo – shqipe dhe ka kuptimin e fillimit të zbardhjes së dritës në mëngjes. Pa hyrë në detaje të tjera gjuhësore mjaftojnë këta dy emra të mbretërve lidias për të vërtetuar përkatësinë pellazge të popullit të Lidisë. Ky është një realitet pellazgjik. Po pse të mos e përmendim Tirenin, prej të cilit e ka marrë emrin populli Tiren (Tirsen ), që ka jetuar në gadishullin Apenine, prej nga si relikt kanë ngelur emrat deti i Tirenit dhe Toskana në Italinë e mesme perëndimore.
Është e udhës t’i përgjigjemi pyetjes se kush ka qenë Tireni? Princi Tiren është biri i Atisit, i cili ka qenë mbret i Lidis. Pas një thatësie të madhe tetëmbëdhjetë vjeçare në Lidi, mbreti Atis u detyrua ta ndajë popullin në dy grupe dhe me short u vendos që djali i tij, Tiri, me gjysmën e popullit të shpërngulet për në Apenine (Itali). Kjo popullatë në atdheun e ri formoi mbretërinë Tirene dhe u quajtën me emrin e mbretit të tyre Tiren ose Tirsen.
Ky popull ka ndikuar shumë me kulturën e tij në zhvillimin e kulturës latino – romake. Prej tyre latinët kanë mësuar edhe shkrimin, të cilin më vonë e bëjnë alfabet më të përsosur në botë. Sot shkrimet epigrafike të tirenasve janë deshifruar dhe kuptohen qartë vetëm në gjuhën shqipe. Të përmendim edhe këtë se tirenët janë popull parahelen (Grek) në bazenin e Mesdheut.
Njohësi më i mirë i ngjarjeve të asaj kohe, Helmuth Th. Bossert, për Tirenin thotë: “Mirëpo, Tireni i qetë mund të mbesë në mesin e personazheve nga mitet dhe legjendat, njësoj sikurse Heleni, Dardani, Enea ose Romuli.”133
Emri Tiren është i përbërë prej dy fjalëve, tir ose tirse dhe fjala enë. Fjala tirë ka kuptimin me tjerr lesh, pambuk, lin, konop etj. Krahas fjalës tir përdoret edhe fjala tirse, me të cilën tregohet personi femër e cila tjerr, prej nga, krahas emrit Tiren, në literaturë përdoret edhe emri Tirsen. Ndërsa, fjala e dytë - enë, është fjalë e dikurshme e pastër pellazge dhe e gjuhës së sotme shqipe, e cila ka kuptimin anë, dhe në këtë rast është përdorur si sufiks. Emri Tiren (tir + enë) ka kuptimin e popullit të anës së Tirenit.
MBRETËRIA E KAROVE
Kjo mbretëri ka qenë shtet në bregdetin jonian të Azisë së Vogël. Karot janë popull i vjetër pellazg me qendër shumë të zhvilluar të qytetit Halikarnasit.
Emri i Karove rrjedh nga emri karo. Karroja është mjet i ndërtuar me një ose me dy palë rrota dhe që tërhiqen me kuaj, me mushka, me qe, me buaj etj. Karroja shërben për bartjen e barrëve të rënda.
Në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” emri i karros shpjegohet kështu: “Karro, - ja f. sh. - t. 1. qerre me dy ose katër rrota, që e ka rrethin e rrotave të veshura me hekur, tërhiqen nga kuajt. ...; karrocë, - zhurmë e karrove, punishtja e karrove. 2. Karrocë dore. Shtyj karron.”134
Nga emri i këtij populli, karro, kuptohet se banorët e kësaj mbretërie kanë qenë mjeshtër të mirë për ndreqjen dhe përdorimin e karrove, si mjet për bartjen e njerëzve dhe të mallrave. Emri Karro është i përbërë prej dy fjalëve, ka dhe rro ose rrota. Fjala e parë ka është folje me pas –ka. Ndërsa fjala e dytë rro ose rrota, ka kuptimin e rrotave që rrotullohen kur qerrja lëvizet, e cila e lehtëson tërheqjen e qerres me barrë të rëndë.
MBRETËRIA E LIKIS
Likia është një shtet që gjendet në jugperëndim të Azisë së Vogël. Populli i Likis janë pellazg dhe kanë pasur një kulturë mjaft të lartë e të zhvilluar. Homeri i përmend si pjesëmarrës aktivë në luftën për mbrojtjen e Trojës.
Si relikt emrin Likë e hasim në shumë raste si patronim në mbarë popullatën shqiptare. Me emrin Lika është edhe një krahinë në Dalmaci. Një krahinë e vogël në rrethinën e Kumanovës, quhet Likovë, ku rrënja është like dhe sufiksi –ova, që është, po ashtu, fjalë pellazge dhe shqipe. Emri i krahinës së Likës në Dallmaci dhe i emrit Likov të Kumanovës, na tregon se një pjesë e popullatës së mbretërisë së vjetër të Likis nga Azia e Vogël, janë shpërngulur dhe janë vendosur në Likovë të Kumanovës dhe në Likë të Kroacisë.
Emri i likeve si popull në Likinë e Azisë së Vogël, të shpërndarë në mes popullit shqiptar dhe Lika dalmatine e Kroacisë, na dëshmojnë se janë me prejardhje pellazgo – shqiptare. Këtë e vërteton edhe vetë emri i këtij populli Lik, e cila si fjalë ka kuptimin e emrit Lika, ku fonema l-ë është zhvilluar në ll-ë dhe quhet Llika ose Llajka.
Emri Lika ose Llika është e formuar prej dy fjalëve, llij dhe ka. Fjala e pare lij ose llija ka kuptimin e lymit ose të llijës që shtresohet nga ujërat e turbullt të lumenjve ose të rrënimeve. Ndërsa fjala e dytë ka është folje me pas, mënyra dëftore, koha e tashme, veta e tretë, në njëjës.
Këtë që u tha më sipër na e vërteton edhe Homeri kur thotë:
“...Të shpejt si era, që fluturim e çuen
n’ visin pjellor të Lyqjes mëmëlindse.”135
Në këtë rast Homeri Likën e quan mëmëlindëse. Nga kjo kuptojmë se tokën pjellore në kohën homeriane e kanë vlerësuar shumë, duke e cilësuar si nënë që i lind dhe rrit të gjitha gjallesat. Emri Likë vërteton atë që u tha më sipër se ky emër ka lidhje me fjalët llijë, llojë, llajë, apo siç i quajnë në Derven të Shkupit, Llijka, Llojka ose Llajka, ku siç shihet u prapabashkëngjitet folja me pas –ka.
HETITËT
Hetitët (Hetidët) janë një popull pellazg që ka jetuar në kohën para homeriane dhe më vonë. Hetitët kanë bashkëjetuar me shumë fise pellazge, si në Azinë e Vogël, në ujdhesat e Egjeut dhe në Lindje të afërt.
Filologu zviceran, Emil Foreri (1924), në njërën nga pllakat e shkruara me shkronja kunjash, që është gjetur në Bogakoy (në Turqinë qendrore), konstaton shkrimin e mbretit hetit, Arnavandes III (përafërsisht i viteve 1230 – 1200 p.e.r.) mbi mbretin Ahiavas Attarsia, që është trajtë hetite e emrit të mbretit Atreu akeas. Zbulimi i Farrerit “vërtetë është tejet interesant...”136
Emri i mbretit Atreut akeas është i njëjtë me emrin e mbretit hetit Ahiavas Atharsia, i cili është në trajtën e gjuhës hetite. Kjo na dëshmon se Atreu akeas dhe Atharsia hetit janë emra pellazg. Prandaj edhe akejt e kohës heroike homeriane janë pellazg e jo Helen, por edhe hetitët e kohës para homeriane e më vonë janë popull pellazg.
Në “Historinë e Herodotit II” në fq. 350 përmendet qyteti Suza ku ka jetuar mbreti i hetitëve Memnoni në oborrin e tij mbretëror. Emrin personal Memnon e hasim te shumica e popujve pellazg. Emrin e mbretit Memnon të hetitve, historianët e ngatërrojnë me Memnonin, djalin e Titonit dardan. Ky i fundit ka qenë i kohës së Luftës në Trojë, ndërsa mbreti Memnon i hetitëve është i kohës rreth dy shekujve para Luftës së Trojës.
Në histori është e njohur se hetitët kanë sulmuar Egjiptin. Spiro Kondo në një rast thotë: “Ramzesi II gjatë qëndrimit të tij në fron që zgjati 65 vjet ( 1300 – 1234 vjet para e.r.) hyn në luftë me hetitët dhe me vazalët ose të konfederuarit e tyre, dardanët, musianët, trojanët, lykianët, fiset pagaos dhe girgasha etj.”137
Nga kjo shihet se mbretëria hetite ka qenë mjaft e madhe dhe e fortë. Thuhet se rreth pesëqind vjet para përdorimit të hekurit te grekët helen, hetitët kanë shpikur hekurin dhe e kanë përdorur për nevojat e tyre. Me pak fjalë them se shteti i hetitve, krahas popujve të tjerë pellazg, ka qenë popull shumë i zhvilluar. Si relikt emrin Hetit (Hetid) e gjejmë si patronim në trojet ku jetojnë shqiptarët. Sot si patronim Het (në njëjës) dhe Hetet (në shumës) e hasim edhe në fshatin Raçe të Shkupit. Emri i popullit Hetit (Hetid) është emër i vjetër pellazg, që ka kuptimin me hetuar ose hetim, që rrjedh nga shprehja “hë etet” ose “hi etët”. Kështu ka thënë personi kur i ka hetuar (i ka pa) etnit prej së largu. Ndërsa te emri hetid, t-ja ka zëvendësuar d-në dhe zakonisht ky emër përdoret hetit e jo hetidë. Nga kjo kuptojmë se emri hetid, krahas së rrënjës het, ka edhe emrin Idë që është emër i malit Idë. Ky emër këtu është përdorur si apoteozë.
Do'stlaringiz bilan baham: |