KAPITULLI I DYTË
ÇFARË THONË SHKENCËTARËT PËR
PELLAZGËT DHE KOMENTIMI I TYRE?
ÇFARË THUHET NË SHKRIMET
E ANTIKËS PËR PELLAZGËT?
Homeri në veprën e tij “Iliada” në një rast thotë:
“Mbret i Pellazgëve dhe i Dodonës, o Zeus,
Ti që nga larg nën urdhna mba Dodonën
Me akull dimnit, ku rrojnë priftnit Selasi.”19
Me këto fjalë Ahili i drejtohet Zeusit ( Zotit suprem të pellazgëve). Këtu Ahili e emëron Zeusin si mbret të Pellazgëve dhe të Dodonës.
Për pellazgët Pindari, ndër të tjera, thotë edhe këtë:
“Duke sjellë një dhuratë të bukur, Toka lindi, së pari, njeriun dhe Arkadia Pellazgun Yjor, shumë kohë më parë se Hëna.”20
Me këtë, Pindari do të tregojë se Toka, së pari, lindi njerëzimin dhe se Pellazgu Yjor, ka lindur në Arkadi. Kur thotë “shumë kohë më parë se Hëna”, me këtë ai ka dashur të thotë se pellazgët janë formuar si popull dhe si mbretëri, shumë kohë para popujve të tjerë e veçmas, shumë kohë para helenëve. Por, sigurisht, për t’i ikur censurës greke, ai thotë “shumë kohë më parë se Hëna”. Me këtë ai tregon vjetërsinë absolute të pellazgëve në krahasim me grekët dhe popujt e tjerë.
Më konkretisht, Pausania në veprën e tij “Arkadia”, ndër të tjera, thotë:
“Arkadët thonë se Pellazgu ishte njeriu i parë që lindi në tokën e Arkadisë. Me që Pellazgu u bë mbret, vendi u quajt – Pellazgji, për nder të tij.”21
Në këto dy citatet e fundit, është e precizuar në mënyrë të qartë, si te Pindari, ashtu edhe te Pausania, se tregojnë një realitet për paraqitjen më të hershme të pellazgëve si popull dhe si shtet në Ballkanin jugor, apo më konkretisht në Arkadin e Peloponezit. Këtë na e vërteton edhe vetë emri Arkadia.
Nga ana tjetër, Tuqididi për emrin Hellas thotë:
“Para Helenit Deukalion ky emër (Hellas) nuk gjendej fare: popullsi të tjera, veçanërisht populli pellazgjik, i dhanë vendit emrin e tyre.”22
Ky citat i Tuqididit tregon shumë qartë se emri Hellas i grekëve të sotëm rrjedh nga emri i birit të Deukalionit, i cili është stërnip i Zeusit, pra pinjoll, apo më drejt me thënë, Heleni është drejtpërsëdrejti gjaku i Zeusit – atit dhe mbretit pellazgjik, që në besimin e vjetër pagan është quajtur Zoti suprem i zotave dhe i njerëzve vdekatar. Kjo tregon se emri Helen është emër pellazg, por edhe prapashtesat që i jepen emrit Hel, janë fjalë të pastra pellazgo-shqipe, si: adë, idë, anë, enë, onë dhe don. prej nga formohen emrat: Helladë, Helidë, Helan, Helen, Helion e Helidon.
PELLAZG – EMËR I NJË POPULLI TË MADH
Historiani grek N.P. Elefteriadhi në një rast thotë:
“Kështu, pellazgët përbënin një “botë të madhe Pellazgjike”, prej së cilës qytetërimi grek, zhvilluar në një periudhë shumë më të mëvonshme, është një karakteristikë e asaj bote origjinale dhe të ndriçuar.”23
Nga ky citat, kuptojmë se pellazgët kanë qenë një popull i madh, me një territor të madh dhe kanë pasur gjuhë dhe kulturë të zhvilluar, e cila u ka shërbyer grekëve helen si bazë e shkëlqyeshme për zhvillimin e kulturës, që njerëzimi e njohu si kulturë e Greqisë antike.
Populli që ka përbërë një “botë të madhe”, me një gjuhë dhe kulturë të veçantë, shumë të përparuar, është quajtur popull Pellazg dhe toka ku ata kanë jetuar është quajtur Pellazgji. Shkenca ka arritur të njohë shumë gjëra për pellazgët, por, sipas mendimit tim, ata, edhe pse janë të saktë, janë të dhëna të pjesshme, për një problem të caktuar për çështjen e pellazgëve. Këto të dhëna nuk janë gjithëpërfshirëse, prandaj shkenca nuk ka dhënë njohuri të plota për një popull aq të zhvilluar në të gjitha sferat e zhvillimit jetësor të saj; e sidomos në epokën e qytetërimit të hershëm. Realisht kultura pellazge është bazë për zhvillimin e mëvonshëm të kulturës greko-romake. Për shkencën deri më sot nuk është plotësisht e njohur kultura pellazge, territoret ku ata janë shpërndarë, tokat ku ata kanë jetuar dhe përshtatja e jetesës së tyre sipas kushteve në viset ku ata kanë jetuar. Pak të dhëna ka për kulturën blegtorale, bujqësore, për zhvillimin e zejtarisë dhe shumë gjëra të tjera, që vetëm i përmendin pellazgët si popull ujor, popull yjor, si popull që ka bërë mure ciklopike për mbrojtje, e shumë e shumë gjëra të tjera.
Nga krejt kjo, mund të konstatojmë se në Greqi u përvetësua dhe u zhvillua edhe më tej kultura pellazge, por çdo gjë është paraqitur si e arritur e popullit grek, e më pas edhe si e arritur e romakëve. Kultura e sotme, që është e njohur si kulturë evropiane, nuk ka filluar me grekët dhe romakët, por është zhvillimi i gjithanshëm i kulturës së popullit Pellazg, e cila është rezultat i zhvillimit brenda një kohe të gjatë. Kur Elefteriadhi flet për një “botë të madhe pellazgjike”, neve sot duke u nisur nga thesari i gjuhës shqipe, e cila është trashëguese e drejtpërdrejtë e pellazgjishtes, na jep të kuptojmë se kjo e thënë e tij është plotësisht e vërtetë dhe se është me rëndësi shumë të madhe të publikohet vepra e tij, me titullin “Greqia pellazgjike parahelene”, e botuar në vitin 1931, në Athinë. Jam i bindur se të dhënat e veprës dhe të veprave të tjera të Elefteriadhit janë shumë të rëndësishme, jo vetëm për pellazgët, por edhe për të gjitha shkencat që merren me studimin e epokave kur kanë jetuar pellazgët.
Këtë e vërtetojnë të dhënat historike, linguistike, arkeologjike, etnologjike etj., sipas të cilave, shohim se pellazgët janë një popull i madh, i shpërndarë në tërë botën që ka qenë e njohur në kohën antike në tri kontinentet e vjetra. Është i njohur si popull shumë i zhvilluar, i gjithanshëm dhe i përparuar. Ka pasur një kulturë të lartë dhe ka luajtur një rol të veçantë si mes fiseve pellazge, ashtu edhe në mes popujve të tjerë indoevropianë.
ÇKA THUHET NË SHKRIMET E KOHËS
MË TË VONË PËR PELLAZGËT?
Për pasuritë gjuhësore dhe kulturore të pellazgëve, na e dëshmon edhe Enciklopedia e Madhe greke, vëllimi XIX, fq. 873, ku thuhet:
“Pra, stërgjyshërit e shqiptarëve të sotëm, pellazgët, kanë jetuar në periudhat parahistorike, në pjesën më të madhe të botës që njihej asokohe, duke zhvilluar një qytetërim shumë të rëndësishëm e duke ngritur vepra me vlera të jashtëzakonshme.”24
Me këtë citat, autori i artikullit të Enciklopedisë së Madhe Greke, na dëshmon se shqiptarët janë pasardhës të pellazgëve dhe se ata kanë jetuar në kohë të stërlashtë parahistorike. Qysh në kohën parahistorike, ata kanë pasur një qytetërim të zhvilluar. Ky zhvillim i qytetërimit pellazgjik shihet nëpërmjet shkrimeve të vjetra letrare dhe historike, të vërtetuara nëpërmjet kërkimeve arkeologjike, si do të shohim në këtë studim, edhe me ndihmën e thesarit të gjuhës shqipe, si trashëguese e gjuhës albano-pellazge shumë të zhvilluar.
Enciklopedia britanike, botimi i njëmbëdhjetë, 1910 – 11, vëllimi XXI, faqja 65, ndër të tjera, shkruan:
“Emri “Pellazg” që përmendin shkrimtarët grekë, tregon një popull parahistorik, gjurmët e të cilit besohet se ekzistonin në krahinat greke... Qyteti i tyre (pellazgëve) quhet Larisa, ka qenë i pasur, kurse ata (pellazgët) janë shqiptarët me famë.”25
Nga ky citat shohim se autori i artikullit në mënyrë plotësisht të saktë vërteton se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të pellazgëve të famshëm - hyjnor dhe se me famë janë edhe shqiptarët e sotëm.
Autori e kupton famën pellazge prej asaj se ky popull nga Homeri dhe të tjerët është quajtur popull hyjnor. Kjo tregon zhvillimin e kulturës së lartë në të gjitha lëmit e jetës te pellazgët.
FORMIMI I EMRIT PELLAZG
Siç është thënë më parë, fiset e panumërta të racës pellazge janë përhapur nga Himalajet e deri në Atlantik, në tri kontinentet e vjetra. Në fillim fiset pellazge janë zhvilluar më shumë në bazenin e Kaspikut dhe të Detit të Zi, si dhe në pjesën jugperëndimore të Ayisit.
Me zbutjen e të gjitha llojeve të kafshëve, një numër i madh i fiseve pellazge zhvillohen shumë dhe shpërndahen nëpër të gjitha bjeshkët e Azisë qendrore e perëndimore dhe në gjithë Evropën. Kjo ndodh nga fundi i epokës së parë dhe në fillim të epokës së dytë, d.m.th. në fillim të kohës së bakrit. Pasi te pellazgët merr një hov të madh blegtoria, e më pas dalëngadalë zhvillohet edhe bujqësia, duke prodhuar drithërat, njëherë për ushqimin e bagëtisë në periudhën e dimrit, por mandej edhe për ushqimin e vetë njerëzve. Përderisa blegtoria zhvillohet në kullotat e bjeshkëve të larta, bujqësia zhvillohet nëpër pellgje të deteve dhe nëpër lugina të lumenjve, ku pyjet e dendura me anë të djegies i shndërrojnë në tokë (ara) buke.
Me zhvillimin e blegtorisë dhe të bujqësisë, te shumë fise pellazge zhvillohet edhe përpunimi i metaleve, si bakri, plumbi, kallaji etj. Me këtë zhvillohet edhe zejtaria primitive nëpër qyteza, prej nga më vonë formohen vendbanime më të mëdha dhe qytetërimi zhvillohet në një nivel më të lartë. Përdorimi i produkteve të shumëllojshme ushqimore, tek fiset pellazge ndikoi në ngritjen e inteligjencës, e cila ndikoi në përsosjen e mjeteve dhe veglave për punë, duke i përdorur me sukses në jetën e përditshme. Kjo bëri që tek vëllazëritë dhe fiset pellazge, të rritet kohezioni tek të gjithë anëtarët e tyre dhe formohet ekonomia e bashkësive fisnore. Ky ishte një kusht që i bëri këto fise të shtohen më shumë dhe të quheshin pelë (pjellë) e mirë dhe e lavdëronin veten, por edhe grupet fisnore më të afërta të tyre u shprehnin lëvdata për shumë punë të mira dhe të dobishme. Pra, më të lavdishëm ishin kopetë e një fisi, të cilët shtoheshin më shumë. Në shkrimet e antikës së hershme letrare, historike dhe mitologjike, përmenden pjella e Titanit, Kronit, Zeusit, Poseidonit etj., si pjellë më të mira të asaj kohe.
Blegtorët më të mirë te fiset pellazge, fillojnë t’i dallojnë kopetë më të shtueshme dhe më produktive të kafshëve dhe i quanin pjellë e mirë ose pjellë e keqe e dhenve, dhive, lopëve etj. Në kohën kur kuajt janë përdorur për nevoja jetësore si mjet për bartje, për tërheqje dhe për qëllim udhëtimi e luftarak, janë ruajtur me shumicë femrat e kuajve, të cilat e marrin emrin pelë (pjellë), ose në shumës pela, me kuptim pjellëse.
Emri i femrës së kalit i është dhënë pelë, sipas kuptimit të fjalës së sotme pjellë ose pjellëse, sepse kanë pjellë mëza. Nga Homeri përmendet dardani Mentor, i cili ka ruajtur 3000 pela për të shtuar numrin e kuajve që ishin shumë të nevojshëm për punë, udhëtim dhe për në luftë. Homeri tregon në një rast se për shtimin e kuajve zgjedhin sortën më të mirë të pelave dhe të hamshorëve, të cilët i quanin pelë (pjellë) e mirë e kuajve. Kuajt e pjellës më të mirë i ruanin, i dresnin sipas nevojave që i përdornin. Zakonisht në fillim një kalë prej më të mirëve e dresonin për udhëtim të shpejtë të cilin e përdorte udhëheqësi i familjes ose i vëllazërisë. Kalin që përdorte zoti i familjes ose i vëllazërisë e quanin ATË, që kanë emëruar kuajt e pjellës më të mirë, të dresuar dhe që i ka përdorur i ati i familjes ose i vëllazërisë. Pellazgët kalin Atë të kryefamiljarit e kanë quajtur ATJON (at i jonë).
Me zhvillimin e bujqësisë, bujqit e mirë e kanë dalluar tokën e mirë prodhuese prej tokës jo prodhuese. Qysh në kohën e parë të epokës së qytetërimit të hershëm, pellazgët tokën prodhuese e quanin me fjalën pelë, që sot i thuhet tokë e pjellshme ose tokë pjellore dhe ka kuptimin se toka është frytdhënëse, ndryshe është quajtur edhe toka e mirë prodhuese. Me fjalën e vjetër pelë, janë quajtur edhe fushat që kanë pasur tokë të mirë pjellore. Në vend të fjalës fushë, pellazgët kanë përdorur fjalën pelë, e që më vonë, po këtë fjalë si folje e përdorin në aoristin e saj dhe i kanë thënë polë. Në formën e vjetër pelë ose polë kanë emëruar edhe fushat e gjera.
Kështu, e ka marrë emrin edhe fusha e Pelagonisë, e cila është fusha më e madhe në Maqedoninë e sotme. Ky emër përbëhet prej dy fjalëve, pela ose pjella dhe fjala e dytë gon, e cila e ka kuptimin e hapësirës, ose të gjerësisë së tokës pjellore, njëkohësisht ka kuptimin edhe të emrit të sotëm – fushë, që është e gjerë.
Me të njëjtin emër, quhet edhe fusha e Pollogut (po në Maqedoninë e sotme), të cilën banorët vendas shqiptarë e quajnë Pollgë dhe banorët e saj i quajnë pollgjon. Edhe emri Pollgë është i përbërë prej dy fjalëve, pollë dhe g-ë. Këtu fjalën pelë e kemi në aorist, domethënë poll, që në formën e vjetër ka qenë me l-ë dhe është quajtur pol. Ndërsa, fonema g-ë ka pasur kuptimin e gjerësisë, domethënë të hapësirës së fushës. Te emri i fushës Pollgë, l-ja është e zhvilluar në ll-ë dhe është përdorur në aoristin e saj - poll. Nga ana tjetër, te pjesa e dytë e emrit pelagoni g-ja është e pa zhvilluar në gj-ë, por fonemës g-ë i është bashkëngjitur fjalëza onë (anë) si prapashtesë dhe është formuar fjala gonë, që ka kuptimin e fjalës gjonë, gjegjësisht gjerësi. Por te emri i banorëve të Pollgës, që quhen Pollgjon, g-ja është zhvilluar në gj-ë, së cilës i është shtuar si sufiks fjalëza onë dhe është formuar emri i banorëve të Pollgës – Pollgjon (pol + gjonë). Me këtë shprehje nuk tregon vetëm pjellorinë e kësaj fushe, por tregon edhe pjellorinë e banorëve pollgjon si dhe zemërgjerësinë e bujarinë e tyre.
PARAQITJA DHE ZHVILLIMI I GJUHËS
ALBANO-PELLAZGE NËPËR EPOKA DHE KOHË
FORMIMI I POPULLIT
DHE I GJUHËS ALBANO-PELLAZGE
Albano-Pellazgjishtja është një nga gjuhët e para e formuar nga kjo gjini njerëzore para indoevropiane, që duhet të jetë shkëputur nga një gjuhë shumë e vjetër, që gjuhëtarët e njohin si gjuhë japetike. Thuhet se raca albano-pellazge me gjuhën e vet është formuar dhe shpërndarë nga Hindia dhe Himalajet e deri në Oqeanin Atlantik qysh para 150.000 vjetëve. Nga kjo kohë, procesi i formimit të albano-pellazgjishtes ka bërë një rrugë shumë të gjatë kohore të zhvillimit të saj, duke kaluar nga epoka e primitivizmit (egërsisë) e deri në fund të epokës së qytetërimit të hershëm (barbarisë). Me rëndësi është se në fillim të epokës së dytë, paraqiten banorët nomadë, që me kalimin e kohës shpërndahen nga Azia qendrore dhe perëndimore dhe në gjithë Evropën duke formuar një popullatë të racës pellazgjike, e cila mori emrin Alban. Kjo popullatë në fillim të kohës së bakrit zhvilloi në masë të madhe blegtorinë, por që në rrjedhje të kohës së bakrit zhvilloi edhe bujqësinë, duke zgjedhur viset më të përshtatshme për bujqësi, prej nga marrin edhe emrin Arban. Kah mesi i bronzit, nga emrat Alban, Arban, me rrjedhjen e kohës e marrin emrin Pellazg të shpërndarë në tre kontinentet e vjetra, por që më shumë zhvillohen në Pellgun e Mesdheut.
Në fund të epokës së dytë, disa fise të caktuara pellazge arritën kulmin e zhvillimit të tyre.
Përkundër një zhvillimi të madh në kohën parahistorike dhe në kohën e antikës së hershme, shkenca e sotme ka ende shumë pak njohuri nga e kaluara e gjuhës dhe e kulturës albani-pellazge.
Shqiptarët dhe gjuha e tyre si pasardhës të pellazgëve, trashëgojnë nga thesari shumë i pasur i gjuhës albano-pellazgjike në gjuhën shqipe, e cila ende pak është gjurmuar. Nga ana tjetër, edhe për banimin e albano-pellazgëve nëpër treva të shumta të Azisë, Evropës dhe të Afrikës veriore, na dëshmojnë, para së gjithash, gjurmët e shumta historike, gjuhësore, arkeologjike, etnologjike etj., si dhe nga shkrimet e shumta pellazgjike, hetite, egjiptase, greke, latine etj.
Dokumentet e para të gjuhës shqipe nuk janë, ashtu siç na është e njohur nga shkenca shumë e kufizuar e studimeve të gjuhës shqipe, nga gjysma e dytë e mileniumit të kaluar e këndej. Por dokumentet e para të gjuhës shqipe i hasim në shkrimet e vjetra pellazge, të gjetura në trojet e vjetra, ku kanë jetuar fise dhe popuj të ndryshëm të albano-pellazgëve, në mbarë pellgun e Mesdheut dhe më gjerë.
Dokument janë edhe shkrimet e vjetra greko-romake, në kohën antike, ku direkt ose indirekt bëhet fjalë për fiset albano-pellazge. Dokumente të vjetra të gjuhës shqipe janë edhe onomastika shumë e pasur e regjistruar në shkrimet historike dhe letrare nga antika e hershme, ku bëhet fjalë për vendbanimet e fiseve dhe popujve albano-pellazgë. Sipas gjurmëve historike, linguistike, arkeologjike, etnologjike etj., shkenca vërteton se albano-pellazgët kanë jetuar në brezin diku në mes paraleleve 20 dhe 60 të hemisferës veriore, me përjashtime të vogla, përfshihen Azia qendrore dhe perëndimore, gjithë Evropa dhe Afrika veriore. Qendrat më të dendura në fillim kanë qenë në pellgun e Kaspikut, të Detit të Zi, në Azi të Vogël dhe në Mesopotami, prej nga më vonë shpërndahen në perëndim në krejt pellgun e Mesdheut e deri në Atlantik.
Në fillim, popullata albane, që më vonë do të quhet Pellazge, ka jetuar në grupe kopesh, të cilat duke u shtuar ndahen në grupe të reja dhe formojnë fise të panumërta, të cilat, duke kaluar me dhjetëra e qindra mijëra vjet, janë shpërndarë në pjesën më të madhe të kontinenteve të vjetra. Në viset ku kanë pasur kushte më të mira natyrore, fiset pellazge janë zhvilluar më tepër dhe kanë lënë gjurmë të ndryshme të jetës së tyre, ku arkeologët i kanë zbuluar në kohën më të re. Në kohën kur në shoqëritë fisnore të pellazgëve ka mbisunduar gruaja (matriarkati), është përdorur termi fisan, d.m.th. ana e fisit - ana e gruas, me të tregohet se te fiset ende ka mbisunduar gruaja. Ky sistem është ruajtur deri vonë te fisi pellazg i Amazoneve, ku krejt sistemin shtetëror e kanë organizuar dhe udhëhequr femrat, d.m.th. amat (nënat). Kur më vonë, me dominimin e burrit në shoqëritë e fiseve pellazge (në kohën e patriarkatit), do të quhet fara, ose faran, prej nga termi faran, d.m.th. ana e farës - ana e burrit. Këto terma i hasim te fiset e vjetra të Ballkanit lindor, si Buza-fara, Budi-fara etj. Te fiset e vjetra skandinave, Taciti e përmend termin faran, të cilën shkencëtarët e barazojnë me termin fisanë, por nuk japin shpjegime konkrete. Nga kjo, unë kuptoj se Taciti e vë në dukje këtë fjalë si term, por si duket edhe shkencëtarët e tjerë nuk e kanë të njohur plotësisht këtë fjalë. Këtë term e hasim edhe te emri i titullit të mbretërve të Egjiptit të quajtur Faraon, ku komponenti i parë fara, nuk ndryshon, por te komponenti i dytë, në vend të a-s kemi o-në, d.m.th. onë. Prej ku, në vend të fjalës faran, kemi emrin Faraon. Komponenti onë është prapashtesë për të treguar anën e farës, d.m.th. anën e burrit dhe tregon se në shtet mbisundon burri në kohën e patriarkatit. Emrin Faraon e shpjegon linguisti italian Guizeppe Catapano, i cili për komponentin e dytë të këtij emri, thotë se është përemër (veta e parë, shumës) ku komponentin onë e kupton se është përemri i jonë, e jo si prapashtesa onë me kuptim të shprehjes anë, ana e majtë, ana e djathtë, ose ana e burrit dhe ana e gruas.
Grupet e kopeve të gjinive të para albane në epokën e parë dhe të fiseve të shumta të panumërta të këtij populli në epokën e dytë, janë shpërndarë në tri kontinentet e vjetra. Këto fise albano-pellazge, qysh në fillim të epokës së qytetërimit të hershëm (barbarisë), formojnë qyteza si qendra të industrisë primitive. Në këto qendra fiset albano-pellazge zhvillojnë gjuhën dhe kulturën e tyre në një nivel më të lartë në krahasim me fiset e racave të popujve të tjerë.
Popujt e tjerë, si grekët, latinët, ermenët e shumë të tjerë, kanë ardhur më vonë dhe në këto vise; sidomos në pellgun e Mesdheut ku kanë gjetur fiset e panumërta pellazge të zhvilluara në një nivel më të lartë.
Fiset albano-pellazge gjatë gjithë kohës parahistorike kanë lënë gjurmë të pakontestueshme, si fakte që dëshmojnë ekzistimin e tyre në këto pjesë të botës së vjetër, të quajtur botë pellazgjike. Kur vijnë grekët në Ballkanin jugor, ata janë takuar me shumë fise pellazge, si në Jonianin e Azisë së Vogël edhe në Greqinë jugore pellazgjike para helene. Grekët në këto treva hasin në fise-shtete dhe qytete-shtete pellazge me një qytetërim shumë të zhvilluar. Gjuha pellazge ka pasur një fond të veçantë të fjalorit shumë të pasur, nga i cili, ashtu si thotë N. P. Elefteriadhi:
“Prandaj, edhe gjuha greke u formua në strukturën e saj përmbajtësore nga gjuha shumë e pasur pellazgjike.”26
Këtë e dëshmojnë edhe vetë emrat e grekëve të vjetër, si Helen e Helan, dhe Helladë e Helidë. Në këtë studim për këta emra kam dhënë shpjegim të veçantë. Këta emra janë të formuar pastër nga gjuha pellazge dhe janë emra fisesh, të emëruar nga vetë pellazgët, qysh para ardhjes së grekëve helenë.
Qytetërimi i Greqisë pellazgjike para helene ka qenë i zhvilluar. Pellazgët janë ndër të parët që kanë formuar shkrimin e tyre fonetik. Sot shkrimet pellazgjike janë gjetur si epigrafi, si thotë Nermin Vlora-Falaski mbishkrimet gurore që mund të kuptohen vetëm me anë të gjuhës shqipe, janë gjetur në viset ku kanë jetuar fiset pellazge nga pellgu i Egjeut e deri në gadishullin Pirenej. Shkrimet pellazge në pergamë dhe papirus nuk i kanë qëndruar kohës. Ndërsa, shkrimet nëpër gurë i kanë qëndruar kohës dhe janë të lexueshme. Ato shkrime deri vonë kanë qenë të pa deshifruara. Megjithatë, për këtë, meritë të veçantë ka Nermin V. F., e cila i ka deshifruar shkrimet e vjetra pellazge të shkruara nëpër gurë. Të gjitha këto deshifrime epigrafike i ka përmbledhur në veprën e saj monumentale “Gjeneza e gjuhës shqipe”. Në një rast, Nermin Vlora-Falasi thotë kështu:
“Në mënyrë të veçantë, atë të dokumenteve epigrafike, feneri ndriçues të pamohueshëm, me bindje të plotë se shpejt a vonë, e vërteta do të dalë në dritë.”27
Shkrime të panumërta nëpër qeramikë që ka në Lindjen e Afërt, të cilat janë të pa deshifruara, jam plotësisht i bindur se një ditë do të deshifrohen dhe pjesa më e madhe janë shkrime pellazge, kur dihet se në Mesopotami dhe në vise të tjera të Lindjes kanë jetuar fise pellazge. Edhe shkrimet në hieroglifë në Egjipt, për të cilat linguisti Guizeppe Catapano i konsideron si shkrime pellazge dhe i ka shpjeguar me anë të gjuhës shqipe. Leximi dhe deshifrimi i shkrimeve të vjetra pellazgjike të njohura, si në Iliri, Etruri, në gadishullin e Pirenejt dhe në vise të tjera ku kanë jetuar popujt pellazgë, do të mahnitin linguistët dhe mbarë botën. Greqishtja e vjetër dhe latinishtja janë zhvilluar dhe rritur në prehrin e zhvillimeve gjuhësore dhe kulturore të pellazgëve.
Nivelin e zhvillimit të gjuhës dhe kulturës pellazge e kanë dëshmuar dhe do ta dëshmojnë, krahas deshifrimeve të shkrimeve nëpër gurzi dhe në qeramikë, kërkimet gjuhësore të pellazgjishtes. Edhe pse nuk është fjalori komplet i gjuhës pellazge, por përsëri studimet e thelluara, sidomos të etimologjisë së fjalëve të sotme shqipe, do të japin një pasqyrë të qartë gjuhësore të pellazgjishtes, të regjistruara në shkrimet shkencore, historike e letrare në greqishten e vjetër, në latinisht dhe në gjuhët e tjera. Atë do ta dëshmojnë edhe të folurat popullore të dialekteve të gjuhës shqipe. Shqipja është shtyllë gjuhësore e pellazgjishtes, e cila u ka bërë ballë rrebesheve të panumërta mijëvjeçare, nga kohërat e stërlashta e deri më sot. Pellazgjishtja si gjuhë me një fjalor shumë të pasur, gjatë kësaj kohe u ka dhënë shumë fjalë gjuhëve të tjera dhe ka marrë më pak prej tyre. Ndërsa gjuha shqipe më shumë ka marrë se sa u ka dhënë gjuhëve të tjera. Është interesant fakti se në shumë raste shqipja prej gjuhëve të tjera ka marrë hua shumë fjalë internacionale, për të cilat albanologët kujtojnë se janë fjalë të gjuhëve të huaja. Edhe pse shqipja nuk ka qenë në gjendje t’u japë fjalë gjuhëve të tjera, por përsëri popujt që kanë pasur tendenca për një zhvillim më të madh të gjuhëve të tyre, i kanë marrë shqipes shumë fjalë dhe terma të ndryshëm. Kur është fjala për dhënien e fjalëve të gjuhës pellazge gjuhëve të tjera, me shumë rëndësi është se terminologjia shkencore që përdoret sot në botë, shumica e termave të vjetra janë të burimit nga gjuha pellazge.
Fiset dhe popujt albano-pellazgë kanë qenë shumë, por shumica e tyre janë asimiluar ose janë bashkuar me popujt e tjerë, kanë formuar popuj të ndryshëm si në Azi, në Evropë dhe në kontinente të tjera. Nga të gjithë popujt albano-pellazgë, nga ajo botë e madhe pellazgjike, gjakun e pastër pellazg në tërësi e trashëgon vetëm populli shqiptar. Edhe pellazgjishtja është gjuhë e gjallë dhe tërësisht e trashëgon shqipja e sotme dhe pjesërisht e trashëgojnë gjuhët e tjera indoevropiane.
NDARJA E EPOKAVE DHE E KOHËVE TË ZHVILLIMIT
TË NJERËZIMIT DHE TË ALBANO-PELLAZGËVE
E kaluara e zhvillimit të njerëzimit ndahet në tri epoka: epokën e parë dikush e quan epoka e egërsisë, por dikush e quan edhe epoka e primitivizmit. Epoka e dytë quhet epoka e barbarisë, ndërsa epoka e tretë është epoka e qytetërimit të zhvilluar.
Emri i epokës së egërsisë terminologjikisht nuk është adekuat, sepse fjala “e egër” si shprehje nuk i përgjigjet realitetit të kësaj epoke, për arsye se njerëzit e asaj epoke, nëse do të ishin të egër, nuk do të ishin qenie njerëzore dhe nuk do të bëhej fjalë për njerëz. Shkenca ata i ka trajtuar si njerëz, prandaj epoka e parë e zhvillimit të njerëzimit më reale është të quhet epoka e primitivizmit. Kjo epokë, sipas ndarjes arkeologjike, quhet epoka e gurit, e cila ka zgjatur më shumë kohë dhe ndahet në tri kohë: l. Paleoliti ka zgjatur prej 150.000 e deri 10.000 vjet para e.r.; 2. Mezoliti ka zgjatur prej 10.000 – 6.000 vjet para e.r.; 3. Neoliti ka zgjatur prej 6.000 – 2.600 vjet para e.r.
Epoka e dytë e barbarizmit, po ashtu edhe ky emër nuk është adekuat, për arsye se si term nuk i përgjigjet kësaj epoke. Pellazgët që kanë punuar si zejtarë nëpër qyteza, këtë emër e kanë përdorur si shprehje nënçmuese për blegtorët, të cilët kanë vrapuar pas kullotave për të gjetur bar për kullotjen e bagëtisë. Me të njëjtin qëllim nënçmues e kanë përdorur këtë emër edhe grekët, duke i dhënë kuptimin e të huajve, pra popuj që nuk ishin grek. Grekët e kohës antike i kanë nënçmuar të gjithë popujt jo grek si njerëz primitivë, si të pakulturuar, d.m.th. të pa qytetëruar. Sipas të gjitha gjasave karakteristike të kësaj epoke, më reale është që kjo periudhë të quhet epoka e qytetërimit të hershëm. Kjo është më e arsyeshme sepse në këtë epokë ka pasur qytete të zhvilluara, si Ilioni në Trojë, Knososi në Kretë, Mikena në Peloponez, si dhe shumë qytete me emra Larisa, Tebeja, Apolonia etj. Për këtë, me plot të drejtë, Nermin V. F., ndër të tjera, thotë:
“Qytetërimet në përgjithësi fillojnë me Pellazgët yjor.”28
Ky citat nuk është i rastit, por është shprehje e realitetit kohor të popullit pellazg në të mbërriturat e kulturës së qytetërimit para helen dhe para latin.
Epoka e qytetërimit të hershëm ndahet në tri kohë: 1. Koha e bakrit, e cila zgjat prej 2.600 – 2.100 vjet para e.r.; 2. Koha e bronzit, e cila zgjat prej 2.100 – 1.100 vjet para e.r.; 3. Koha e hekurit, e cila zgjat prej 1.100 – 500 vjet para e.r.
Epoka e tretë e qytetërimit të zhvilluar ka filluar prej vitit 500 para e.r. e deri më sot. Edhe kjo epokë ndahet në tri kohë. 1 Koha e antikës; 2. Koha e mesjetës dhe 3. Koha më e re. Përderisa dy epokat e para quhen epoka parahistorike, epoka e tretë quhet epokë historike, sepse në këtë epokë ka filluar të shkruhet historia e njerëzimit.
Do'stlaringiz bilan baham: |