Rritet përdorimi i kuponave
Të dhënat e fundit që vijnë nga Drejtoria e Tatimeve thonë se numri i kuponëve të prerë në vetëm dy javët e para të aksionit ka arritur në 20 milionë. Kontrolle ka pasur në çdo biznes, pavarësisht llojit të tij, por numrin më të lartë të tyre sigurisht që e mban kryeqyteti. Burimet nga tatimet thonë se këto kontrolle do të vijojnë gjatë gjithë vitit, në mënyrë që të mbahet ritmi i deklarimeve dhe të mos bjerë mbledhja e të ardhurave nga TVSH-ja./Monitor/
Foto/ I plagosuri tek Parku, i denoncuar nga vajza që mashtroi
Kur kanë kaluar diçka më pak se 24 orë nga atentati i djeshëm në rrugën e Kavajës ku tre shtetas qëlluan me armë zjarri duke plagosur një person të ulur në lokal, i cili më pas u identifikua si Nelgert Pata 32 vjeç, ende policia nuk ka rënë në gjurmët e tij.
Sikundër Opinion.al ka bërë të ditur edhe më herët Nelgert Pata dhe babai i tij Astrit Pata janë akuzuar në vitin 2008 për shfrytëzim prostitucioni.
Ku edhe pse nuk kanë pranuar akuzat, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda i kë dënuar më 13 korrik të vitit 2009 babë e bir me 31 vite burg dhe 13 milionë lekë gjobë me akuzën për “trafik prostitucioni”.
Apeli ka dënuar me 15 vjet dhe 7 milionë lekë gjobë, Astrit Patën, ndërkohë që të birin e tij Nelgert Pata e ka dënuar me një vit më shumë burg se i ati, pra, 16 vjet dhe një milionë lekë më pak nga i ati, ose 6 milionë lekë gjobë. Dy të dënuarit u akuzuan se kishin shfrytëzuar si prostitutë të dëmtuarën Silvana K.
Sipas hetimeve, i pandehuri Astrit Pata në vitin 2004, pasi është njohur me të dëmtuarën në lokalin e të vëllait të tij në Tepelenë, i ka premtuar asaj martesë.
Nëpërmjet Greqisë vajza është nisur në Norvegji, tek i biri i Astritit, Nelgert Pata. Pasi e ka pritur Nelgerti e ka detyruar vajzën që të prostituojë në rrugë. Por pas kundërshtimeve të saj, ka qenë Astriti ai që e kërcënuar se do i vriste familjen.
Më 25 mars të vitit 2006, Silnava K me ndihmën e të dashurit të saj, kanë denoncuar tutorët, duke çuar më pas në prangosjen e tyre, që pasoi dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.
Ajo që bën edhe më të habitshme këtë histori është si është e mundur që Nelgert Pata të jetë i lirë ndërsa është dënuar nga Krimet e Rënda me 16 vite burg. Nëse do llogarisim kohën kur janë marrë të pandehur dhe vitet që kanë kaluar Nelgert Pata duhet të ishte akoma në qeli. Pas atentatit të djeshëm ku ishte viktimë, mbetet për t’u vërtetuar se si Nelgert Pata ka mundur të dalë nga qelia, pa mbaruar dënimin./Opinion.al/
Foto/ “Rio 2016” mbyllet me fishekzjarre, flaka drejt Tokios
Lojërat Olimpike të Rios përfunduan me një ceremoni spektakolare të frymëzuar nga karnavalet si dhe me dorëzimin zyrtar, Tokios, që do t’i mirëpresë lojarët në vitin 2020, shkruan “BBC”.
Ceremonia plot ngjyra që zgjati pothuajse 3 orë, përmblodhi artet e Brazilit në qytetin Marakana.
“Ishte një olimpiadë e mrekullueshme në një qytet të mrekullueshëm”,- tha shefi i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, Thomas Bach.
“Për mbi 16 ditë, një Brazil i bërë njësh frymëzoi botën në një kohë të vështirë për të gjithë, me gëzimin e tij të papërmbajtshëm për jetën”.
Bach, zyrtarisht, mbylli Lojërat e 31-a Olimpike pas 16 ditë garish, me prezencën e 11 303 sportistëve nga 26 kombe dhe një ekipi refugjatësh.
Një nga brohorimat më të fuqishme të kësaj nate shpërtheu kur erdhi Kryeministri i japonisë, Shinzo Abe, i veshur si një personazh i lojës kompjuterike Super Mario teksa kalonte nëpër një podium në fushë.
Ceremonia, e ndjekur nga miliarda njerëz në botë, u pasua nga parade e sportistëve dhe një shuarje dramatike e flakës olimpike.
Kur politikës i duhet të zgjedhë...
Nga Spartak Ngjela
Vjen një moment kur politika ka një rregull strikt: ti duhet te zgjedhësh midis shkatërrimit dhe të pakëndshmes.
Korrupsioni shqiptar politik, në luftën disa mujore politike me Amerikën, i shkoi deri në fund rrugës së vetëshkatërrimit të tij.
l
Është dhjetëditëshi i fundit i muajit gusht. Politika amerikane po hesht, sepse e ka mundur korrupsionin politik shqiptar që në muajin korrik. Në fakt ai vetë dhe me mendjelehtësi zgjodhi rrugën e shkatërrimit të vet. Sigurisht që kjo është, pa dyshim, një fitore e madhe e shqiptarëve.
Po të humburit e medhenj: Berisha dhe Meta , a i kanë dorëzuar armët?
Në fakt këta po e vijojnë luftën kundër Reformës fshehtas, sepse duke bërë sikur u gëzuan me Reformën kushtetuese të miratuar në Parlament në 21 korrik, e ndiejnë tani se do të tallen nga amerikanet nëse dalin hapur kundër paketës ligjore, e cila domosdoshmerisht duhet të jetë refleks i kushtetutës. Kërkuan të merrnin forcë me propozimin e disa ndryshimeve, por harruan se ndërkohë ishin thyer plotësisht. I thyeri në një luftë nuk ka më armë dhe ushtarë, kurse në një lufte politike, ai nuk ka më forcë fjale, sepse nuk e besojnë më mbështetësit.
Por, sipas kësaj; çfarë do të bëjnë këta në këto ditë që vijnë?
Asgjë. Tentuan semos prishnin qeverinë, por dështuan. Thërritën ish presidentin Mejdani me propozimin për të qenë kryeminister i një qeverie teknike; dhe gjatë kohës që ky ishte rrugës për të ardhur në takim nga Pogradeci në Tiranë, iu doli se nuk i kishin 71 deputetë , sepse, si të thyer që ishin, nuk iu dhanë mbështetje deputetët e tyre. "Rri në lidhje dhe në pritje!" i kishin thanë të thirrurit kryeminister, se nuk kishin çfarë t'i thoshin; dhe ai tani po vërtitet nëpër Tiranë me një pritje irituese për të.
Në fakt ky ishte thjesht një akt dëshpërues, që po i bën ndërkohë edhe më qesharakë në sy të amerikanëve dhe europiano-perëndimorëve. Në thelb, kjo ishte një orvatje e kotë, sepse amerikanët do ta quanin menjëherë këtë qeveri "non grata" për Amerikën. Dhe këtu, sigurisht që do të merrte fund gjithçka. Vae victis! - mjere të mundurit! - kanë the latinët.
Por, edhe më fëmijë dhe pa fare arsye, është ai që, në një luftë politike, nuk di të kapitullojë me politikë.
Il
Si ka mundësi të jenë kaq mendjehehtë të korruptuarit e Shqipërisë? Ku do të mund të gjejë para një qeveri tjetër shqiptare në këtë embargo, dhe që ndërkohë është edhe e papranueshme nga Amerika? Ne Moskë? Fakti që kanë orekse të tilla, kuptohet se janë fëminorë.
E dini se cilët fëmijë janë më fatkëqinjtë e racës njerëzore? Ata, të cilëve iu vjen oreksi para sesa t'u dalin dhembet; dhe ata të tjerët që mendojnë se mund ta pushtojnë të gjithë qytetin me armët e tyre që janë imitacion armësh prej lodre, dhe jo armë reale.
Por neve, që 2300 vjet më parë, Euripidi na ka thënë se "një fillim i keq, sjell gjithmonë një fund të keq". Ishte fillim i keq që në hapat e para kundër Reformës ky i Saliut dhe Metës, dhe tani ata nuk mund të kenë pritje tjetër veç një fundi të keq.
Nuk e kuptuan dot kohën që po vinte, dhe, nuk e menduan dot Shqipërinë dhe shqiptarët, si të preferuarit primarë në aleancat ballkanike të politikës amerikane. E menduan politikën amerikane si teatër, në një kohë që në këtë rast ajo ishte një dramë me perfeksionin logjik, dhe artistik.
Teatër kanë pasur edhe popujt primitivë; por drama mund të zhvillohet dhe konceptohet vetëm në qytetërim.
Po kështu, pushtet shtetëror kanë edhe popujt primitive, por demokraci, liri të individit dhe drejtësi ligjore mund të konceptojnë vetëm popujt e qytetëruar.
Ne shqiptarët shpesh i ngatërrojmë këta koncepte: çdo teatër e quajmë dramë, dhe çdo pushtet e quajmë demokratik. Kjo në fakt i ndodhi edhe Saliut; ai ngatërroi teatrin me dramën: ishte në dramë dhe mendoi se ishte thjeshtë në një teatër. Por drama ka disipline: një fjalë gabim të nxjerr menjëherë prej saj.
Shoqëritë primitive nuk e bëjnë dot dallimin midis dramës dhe teatrit; por ato as nuk mund ta mendojnë që pushteti i tyre absolut mund të kontrollohet nga populli. Kurse "primitivët modernë" nuk janë aq kokëtrashë sa të mos e dinë që institucionet e pavarura jetojnë vetëm mes demokracisë; dhe e dinë gjithashtu që, rruga më efikase e sundimit të tyre është që të krijojnë "institucione të pavarura" fiktive, te cilat, që të gjitha do të drejtohen nga sunduesi.
Kjo në fakt është vetë loja e të ashtuquajturës demokraci fiktiktive, sipas modelit stalinian: të jenë të gjitha institucionet, por ato do t'i drejtoj unë me diktatin tim.
Pikërisht këtë kërkoi të merrte nga amerikanët dhe gjermanët Saliu në betejën e tij. Domethënë që Shqipëria duhej të hynte në Bashkimin Europian me gjyqtarët, prokurorët dhe hetuesit që do të emëroheshin nga Sali Berisha dhe nga Ilir Meta, dhe, jo me institucione të pavarura, por me institucione fiktivë. Ndryshe, sipas tyre, Shqipëria do të humbiste sovranitetin. Domethënë sovraniteti i Shqipërisë ishte "grushti i Saliut". E kuptoni se çfarë mendje ka korrupsioni shqiptar?
Ja këta jane individët që, pas diktaturës, shkatërruan shpresën shqiptare, dhe mbajtën me dhunë varfërinë në Shqipëri, vetem me një arsye: të vetëpasuroheshin. E bënë nga injoranca e tyre, apo nga ligësia e tyre, kjo pak rëndësi ka për historinë. E rëndësishme ështe të dihet se këta që do të fillojnë në vjeshtë të procedohen dhe të ndëshkohen nga institucionet juridike të pavarura shqiptare, do të hyjnë në histori si keqbërës të mëdhenj të popullit të tyre. Dhe mos mendoni se janë dy apo tre individe: janë shumë. Do t'i dëgjoni vetë bëmat e tyre.
Shqiptarët kanë vetëm një Kombëtare
Rudina Xhunga
Unë nuk jam tifoze futbolli dhe këtë dua ta them qysh në krye të këtij shkrimi, për të mos u keqkuptuar nga tifozët.
Por e kam mbajtur zemrën në dorë, kur luante Kombëtarja në Beograd dhe kam qarë si fëmijë, kur fëmijët e pallatit brohorisnin "Shqipëri, Shqipëri", për golin e Kombëtares në Kampionatin Evropian.
Tani që po flitet për largime te djemve nga Kosova drejt Kombëtares së tyre, jam prekur. Sepse tani, mbase do të jemi dy skuadra, por jo dot, dy Kombëtare.
Kombëtarja është e Kombit dhe Kombi nuk kuptohet pa Kosovën.
Kombëtare janë Tifozët Kuq e Zinj dhe ata nuk arrij t'i shoh, tek lënë shpirtin në një klithmë tifozërie për dy skuadra, kur luajnë me njëra -tjetrën.
Ne u kthyem në imazh të Kampionatit Evropian se ishim bashkë, se kishim tifozerinë më të bukur kuq e zi. As arrij ta mendoj si mund të rikrijohen imazhe të tilla, kur të luajmë veç e veç, si dy skuadra lokale, sepse veç e veç të tillë jemi, thjesht lokalë, jo dot më kombëtarë.
Nuk kam mëri ndaj djemve që do të ikin, madje i kuptoj, ata mezi pritën ditën të jenë të pavarur, por të pavarur nga Serbia jo nga Shqipëria. Çfarë do të thotë të pavarësohesh nga gjaku yt?
Ai stadium që do të ribëhet, te ish Qemal Stafa, pa çunat nga Kosova, do të ketë kulla, por jo lojtarë, do të jetë luks, por as zemër, as zemërim për një gol që nuk bëhet dot. Ai stadium do të jetë bosh pa ju çuna, që sollët Bashkimin, që bëtë Bashkimin natyral të shqiptarëve.
Kombëtarja është bashkimi ynë real, i natyrshëm, siç natyrshëm jemi bashkë. Kombëtarja është prova se vetëm bashkë bëjmë çudinë, vetëm bashkë bëjmë veten dhe Kombin.
Unë nuk besoj te fuqia e mbinatyrshme e lidershipit, e De Biasit, në këtë rast, por besoj te forca e bashkimit. Bashkë bëmë histori, bëmë golat që i festuam si rrallë gjë më parë.
Kemi qenë bashkë vetëm në Kombëtare dhe vetëm aty shkëlqyem. Sepse një trupi që i mungon një dorë, një këmbë, një sy, një vesh, nuk është më një trup, por një gjysmëtrup, i paralizuar dhe i parealizuar. Bashkë bëjmë trupin që mund të lëvizë dhe malin.
As që e mendoj se mund t'ia dalim veç e veç, është e pamundur, irracionale. Nëse e prishim Kombëtaren, i rikthehemi punëve tona bërë lokalisht, provincialisht, që nuk kanë treg, që nuk kanë sukses, që nuk kane duk. Vetëm nuk mund të shkëlqejë asnjë prej nesh, vetëm i prishim punë njëri-tjetrit dhe të tërës, e vrasim atë që lindi të na bëjë të lumtur qoftë edhe në 90 minuta ndeshje.
Në vend të mësonim prej kësaj mundësie të rrallë bashkimi që solli shkëlqim, ne duam ta prishim dhe të vetmin realitet perfeksioni që patëm.
Kur mund të merrnim shembull dhe ta përdornim eksperiencën prej saj, në arsim, biznes, turizëm.
Shifrat me të cilat mburren Ministritë e Turizmit në Shqipëri, janë thjesht hyrje -dalje në shumicë të shqiptarëve të Kosovës. Ata popullojnë plazhet tona, restorantet tona, ata janë turizmi ynë, pushimet e kosovarëve që vijnë si në shtëpi, në shtëpinë buzë detit, shtëpinë në mal.
Trafiku i verës që të mban peng në rrugët tona të pambaruara, është për shkak të tyre që mësyjnë bregdetin nga Rruga e Kombit. Kur i sheh bashkë dy policitë nga Kukësi në Lezhë, kupton se kemi mësuar prej tyre të mos parakalojmë në trafik, të mos dalim para tjetrit, siç e kemi zakon ne të Shqipërisë.
Krahasoni Morinën me Qafë Thanën, dhe e kuptoni ndryshimin.
Çdo përfitim, çdo shifër, çdo euro e hyrë në vere, është për shkak të Kosovës.
Nuk më ka ndodhur të ulem në një plazh dhe të mos kem afër dikë nga Kosova apo diaspora e saj në botë. E kam plot e -mailin me urime kosovarësh që kanë shkuar në vendet e panjohura të Shqipërisë së bukur që kam treguar në Vizion Plus dhe më falenderojnë, apo çojnë foto si nga Rehova këtë verë.
Para disa ditësh më ftuan në Pejë, duke më shpjeguar se të tregosh për Valbonën, por jo për Pejën, është si ta lësh tregimin në mes. Javën e shkuar më erdhi një letër e 30 kosovarëve që jetojnë në Suedi e Finlandë dhe kanë blerë shtëpi të dytë në Sarandë. Ata më rreshtonin gjithë propozimet e tyre, si do të donin të zhvillohej Saranda dhe për çfarë ndërhyrjesh kishte nevojë urgjentisht, që të kthehej nga një qytet vere, në Mbretëreshën e Arbërve.
Kur shoh pallatet e Vlorës nga Lungomare te Plazhi i vjetër e deri në hyrje të qytetit, të gjitha bosh e të pashitura, më vjen t'i them Kryetarit të Bashkisë; po mirë e bëtë qytetar nderi Rexhep Qosjen, po si nuk i dhuroni një shtëpi, të kalojë verën në Vlorë?
Bëjeni me disa personalitete të Kosovës, se bashkë me ta do të vijë besimi se në Vlorë mund të bësh pushime e të blesh shtëpi, për të kaluar dy muaj vere e shumë fundjava dimri, se Vlora ka vend për gjithë Kosovën. Besimi do t'i mbushe pallatet e Vlorës, jo Lungomare. Do t'i mbushë me kosovarë, që do të ndryshojnë dhe përmirësojnë jetën e qytetit, do të sjellin bukën e Gjakovës dhe djathin e Sharrës dhe do të ndajnë bashkë mishin e Labërisë , do i shndërrojnë fshatrat e lumit të Vlorës, ( që tani i ka marrë lumi) në destinacionet magjepsëse të verës që vjen.
Unë besoj aq fort te fuqia e bashkimit me Kosovën në një treg, sa te asnjë politikë dhe politikan. Besoj se vetëm bashkë mund të bëjmë trupin që ecën vetë, tregun që prodhon portokalle në Xarrë dhe i shet në Prishtinë, djathin në Këlcyrë dhe e shet në Vushtri, domatet e shalqinj në Lushnjë që i shet në Prizren.
Mandej Kosova do të sjellë gjithë ç’nuk mundemi ne të bëjmë këtu, dhe ka sa të duash, që ata e bëjnë më mirë, por kam nevojë për Enver Robellin të tregojë pjesën tjetër.
Sepse Valbona është plot, ka ardhur koha të shkojmë edhe në Brezovicë, ka ardhur koha të njohim Rugovën, të njohim më mirë të bukurën që na ndan, sepse ajo do të na bashkojë. Jo patriotizmi, por përfitimi. Do të përfitojmë të gjithë nga bashkimi. Do të jemi më të pavarur, sepse do jemi më të mirëqenë.
Nuk na pavarëson ndarja nga vetvetja, por njohja e vetvetes. Bashkimi do të na pavarësojë nga varfëria, nga pasiviteti, nga provincializmi, nga vrasja e mendjes, nga adhurimi ndaj të huajit. Se nuk njohim dhe duam veten, ndaj adhurojmë barin e fqinjit, që nuk është më i gjelbër, por është më i madh, ndaj dhe më i pasur.
Ne do të bëhemi shumë shpejt të tillë. Kur të bëhemi një trup, një treg, do të bëhemi më të mëdhenj, më të pasur, do të heqim dorë nga lufta e patateve dhe të bëjmë Kombëtaren tonë të Biznesit, Kombëtaren tonë të Letrave, Kombëtaren tonë të Diplomacisë. E ndërsa kemi rrugë përpara, të paktën kemi mundur të krijojmë Kombëtaren tonë të yjeve të Futbollit. Si mund ta prishim këtë themel, mbi të cilin do të ngremë Pallatin e Ëndrrave Tona?!
Mijra kilometra Doktor
Nga Edison Ypi
Mes Elbasanit dhe Peqinit, te një vend ku ngaqë banorët janë vazhdimisht në sherr me njëri tjetrin, nuk kishte ndodhur kurrë të binin dakord për ndonjë gjë, nisur nga fakti që sa më të këqinj t'i kesh armiqtë aq më i mirë je vetë, kishin dalë në përfundimin se të kesh armiq si të Doktorit është Fati më i madh, je njeriu më i lumtur, bota në këmbët e tua, Xheheneti është i yti.
Te një rrethrrotullim në Lushnje ku për Doktorin të nxjerrin sytë, më befasuan kur më thanë se për Doktorin kishin rënë në kontradiktë të thellë sa i përket pyetjes se çfarë u duhet bërë atyre që për Doktorin flasin me ironi, ose keq. Duhet të shkohen në hell, tu pritet mishi me gërshërë, duhen hedhur brenda një grope me gjarpërinj ose brenda një makine nga ato që korrin barin, u duhet çveshur lëkura me briskun e synetit ose me atë veglën që qëron patatet, ishin variantet fillestare. Nuk e di si i vajti filli këtij diskutim me vlerë të pallogaritëshme kombëtare. Nuk e mora vesh cilin variant aprovuan. U mjaftova me konstatimin se pavarsisht veglave që mund të përdoren, që veç të sipërpërmendurave mund të jenë edhe kosorja për prerjen e gjymtyrëve, pinca për këputjen e gishtave, shiringat e ndërzimit të lopëve për thithjen e gjakut, pse jo dhe brisqet e ndryshkur të rrojes për çarjen kryqetërrhor surratit dhe infektim të sigurtë, diskutimi ishte futur në rrugë të mbarë, shqyrtimi po bëhej me frymë të shëndetëshme demokratike, dhe ika i qetë.
Nën hijen e një rrapi shekullor pak përtej Ballshit po zhvillohej konkursi me temë "Çfarë është dikush që Doktorin e shan ?" Diskutantët dhe konkurrentët e shumtë dhanë idera nga më të larmishmet, derr, krimb, mi, skuth, etj. etj. Çmimin e parë të këtij konkursi të domosdoshëm e fitoi një babaxhan mallakastriot me mustaqe që tha se kush shan Doktorin nuk është asfjë më tepër se një mbetje trupore, një ekskrement, pra një mutmuti.
Po të mos kisha patur fatin ta shoh me sytë e mi, as nuk do ta imagjinoja dot atë që më ndodhi një ditë vjeshte në një katund të vogël në malësinë mes Vaut të Dejës dhe Pukës. Të shtunën e parë të çdo muaji banorët e atij katundi e kishin caktuar "Dita e Doktorit". Në "Ditën e Doktorit" i madh e i vogël ngriheshin që pa gdhirë visheshin mbatheshin si për festë dhe shkonin kush në kishë e kush në xhami për tu lutur, jo për shpëtimin e shpirtit të Doktorin, se Doktori shpirt i shpëtuar është që kur ka lindur, por për shpëtimin e shpirtit të vet.
Te një restorant në Gramsh, mes mishit dhe rakisë, po zhvillohej debati nëse gjatë kohës kur ishte President dhe Kryeministër a ja arriti Doktori të dijë dhe të plotësojë dëshirat dhe tekat dhe nazet dhe avazet dhe dënglat e të gjithë shqiptarëve një nga një. Kishte dhe nga ata që thoshin po, Doktori i plotësoi të gjitha çmenduritë e secilit shqiptar. Por ata që e thanë këtë dukeshin nga surrati që ishin edepsiza. Të tjerët, shumica dërrmuese, thanë në kor se të tilla hajvanllëqe i përhapin spiunat e kudondodhur të sigurimit të shtetit ende në veprim si brenda dhe jashtë Shqipërisë, sidomos jashtë. Një teptil u tha të pranishmëve; As kaq nuk kuptoni o ju dalçin sytë, se në kushtet e pluralizmit vendimmarrja e pushtetarëve, rrjedhimisht edhe plotësimi i pritshmërive ndaj tyre, kondicjonohet nga çvendosja e pashmangëshme e numurave gjatë ushtrimit të pushtetit, pra nga numurat, nga aritmetika, statistika. Kaq tha teptili. Gjindja mbeti gojëhapur, dhe me këtë u mbyll.
Më kishin thënë se banorët e një komune në Skrapar dinin përmëndësh shkrimin tim "Doktori të bën Selam". Ende nuk kam vajtur ta verifikoj, se jam modest, s'mund tu kërkoj të ma thonë përmendësh shkrimin tim, po e bëra këtë kaloj caqet e modestisë. Këtë të Skraparit e besova pas ca kohësh kur diku në veri të Librazhdit pashë me syë e m'i se si katundi mbante në mur shkrimin "Doktori të 10", që jo vetëm e dinin përmendësh, por e kishin vënë dhe në kornizë.
Meqënse jemi te shkrimet, pa folur për shkrimin "Ti nuk lexon" që jo me llafe kafeneje por me statistikë kompjuterike, është shkrimi Shqip më i lexuar dhe më i pëlqyer nga Buzuku e tëhu, nga Kamza në Milot shkrimin "Doktori si rrepa" e kishin bërë ninull. E këndonin si këngë, me shkrimin tim vinin bebet në gjumë, po të them.
Te një rrugë e re që lidh Burrelin me Rrëshenin, në një kafene pranë një dushknaje që ngjante si yrti i shkretë i magjistricave të Makbethit, më kapi mërzia. Kishte kaluar më tepër se 1 minutë pasi isha ulur, dhe askush s'kujtohej të vinte të ma ngrinte në qiell Doktorin. Kur, paprimas, heshtjen e mërzisë e grisi me zërin e tij si tingull çiftelie një mirditor që u faneps nga dushknaja si magjistrica. Mirditori nisi rë recitonte vargje nga Pushkini. Pastaj të tjera vargje nga Sonetet e Shekspirit. I thashë, pse e bën këtë o njeri i mirë ? Sepse, tha mirditori, përmes recitimeve që i di përmendësh vetëm Doktori dhe askush tjetër, dua të marr me të mirë që të më japësh përgjigje për pyetjen; Pse Doktori mban rrotull ca mediokër ? Mos u lodh me recitime, i thashë, e kam gati përgjigjen. Sepse, së pari, legenat, jo vetëm të shqiptarisë, janë të kudondodhur dhe s'ke ç'u bën, si dhe, së dyti dhe së fundmi, është më mirë që mediokrit të të ndihmojnë pak "këtu pranë" se se të dëmtojnë shumë "atje matanë". Faleminderit, tha mirditori, lodhja poetike nuk më shkoi kot, dhe iku i lumtur në gjysëmerrësirë mespërmes bjeshkës drejt Lurës.
Mes Përmetit dhe Leskovikut katundin e kishte zënë halli me një hajvan. Sipas kafshës, rrugët që bëri Doktori po i paguajnë këta që janë në pushtet tani. Kishin mbetur të gjithë të mpirë para këtij diabolizmi. U ngrit një pacomitlli i tha katundit; Pse nuk veprojnë edhe këta si Doktori ? Pse nuk ndërtojnë edhe këta rrugë me pare borxh që t'i paguajnë ata që do vijnë pas tyre ? dhe i vuri kapak kësaj djallëzie, njerëzia u qetësua.
Në Tepelenë Doktorit i kishin ngritur një këngë që fillonte me vargjet,
"Zagarët në dhjetra faqe gazetash.
Doktori në mijra kilometra Shqipëri".
Vive la France!
Nga Marcel Fürstenau
Pushime verore në Francë? Që pas atentateve në Paris në nëntorin e kaluar shumë vetë e kishin të vështirë ta përfytyronin këtë. Dhe ai që ende dyshonte, e largonte mendimin për pushime në Francë pas masakrës së përgjakshme në Niza. Parisi dhe Niza janë objektivat më të preferuar të vizitorëve të huaj në Francë. Sivjet unë isha në Bretagne. Pushimet nisën në fund të korrikut. Pa mbërritur mirë, u bë i ditur lajmi tjetër i tmerrshëm: terroristët islamikë vranë kafshërisht në një kishë në afërsi të Rouenit një prift. "Terrori mbërriti tani edhe në fshat", ishte mendimi i parë që më kaloi në mendje. E pikërisht edhe në Rouen në Normandi, ku kalova pushimet më 2012. Natyrisht që fola për këtë me miqtë e mi francezë, që takova në Cote d'Armor.
Ndjesia e sigurisë përcillet edhe pa shumë zhurmë
Por në radhë të parë folëm për shkaqet e terrorit dhe si mund të mënjanohen ato. Jo për gjendjen e jashtëzakonshme që u shpall në Francë pas atentatit të nëntorit ose për gardën nacionale, e cila do të përbëhet prej 84.000 rezervistësh. Mënyra e reflektuar, e pashqetësuar si trajtohej kërcënimi që afrohet më pëlqeu gjithnjë e më shumë.
Kjo qetësi dhe ky shpengim ishte qetësues, gati ngjitës. Që në fillim të udhëtimit e pata këtë ndjesi, kur kalova një natë në Chartres. Mbrëmjen e kalova në një shesh të madh, ku qindra vetë dëgjonin një koncert live dhe kërcenin. Midis njerëzve kishte edhe disa xhandarë, por asnjë gjurmë kujdesi të tepruar. Atentatorët vetëvrasës nuk frikësohen gjithsesi nga asgjë dhe askush. Një objektiv tjetër që ia vlente për terroristët do të kishte qenë tregu i bukur të nesërmen në mëngjes. Dhe sërish e njëjta pamje: vetëm vizitorë të shpenguar dhe disa xhandarë me uniforma verore.
Të mësosh si arti i Savoir Vivre!
Natyrisht që për mua është e qartë se në Francë ka edhe pamje të tjera, ato me ushtarë të armatosur rëndë në stacionet e mëdha të trenit dhe në aeroporte. Ata janë të nevojshëm për të shtuar ndjenjën e sigurisë dhe për të reaguar shpejt në rast rreziku. Megjithatë unë shpresoj që në udhëtimet e mia të ardhshme në Francë të mos i shoh ata edhe përtej metropoleve. Në një rast të tillë vizita e katedrales me famë botërore të Reimsit, ku u ndala në kthim, nuk do të ishte më kënaqësi.
Atij që viziton godinën e mrekullueshme të stilit gotik vetëm pasi i hyn i thonë pa rënë shumë në sy që ta vizitojë katedralen pa çantë shpine. Vetëm nga kjo më erdhi në mendje sërish mendimi për rrezikun terrorist - për një moment të shkurtër. Në javët e pushimeve që kam lënë pas vetes kisha menduar vetëm rrallë për këtë. Kjo në një kohë kur në Francë kam qenë vazhdimisht në festa tipike në qiell të hapur, që mbahen në vende të vogla gjithë verën. Savoir vivre! Unë pata vërtet ndjesinë se i kuptoja francezët, se po jetoja. Merci beaucoup!
Drejt Nicës!
Më qetësoi e edhe më gëzoi që zbulove në raportimin për terrorin tone të matura. Kështu në gazetën rajonale me tirazh të madh "Ouest-France" lexova një intervistë për përdorimin e 1200 kamerave të përgjimit në rrugët dhe sheshet e Nicës. Ato nuk ndihmuan fare. Eksperti i sigurisë i pyetur nuk qe fare i çuditur. Kamerat tha ai kanë vetëm funksion simbolik, për të dërguar mesazhin: "Ne po interesohemi për ju, mos kini frikë!" Unë e kam prenotuar që tani udhëtimin tim të ardhshëm në Niza. Do të shkoj atje në mes të tetorit. Në bagazh do të kem qetësinë, të cilën e përjetova kudo në Francë./ Deutsche Welle/
Drejtësia/ Tri draftet sot në komision, opozita: S’ka njoftim zyrtar
Anëtarët e komisionit janë njoftuar dje në mbrëmje për mbledhjen gjatë pasdites së sotme të komisionit të posaçëm. Në rend të ditës 3 projektligjet: ai i Vettingut, SPAK dhe ai për organizimin e pushtetit gjyqësor.
Komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi do të mblidhet sot për të nisur diskutimin dhe për të miratuar tri projektligjet e para nga paketa prej 7 projektligjesh që duhet të shoqërojnë ndryshimet Kushtetuese që u bënë në kuadër të reformës në drejtësi. Diskutimi do të nisë me projektligjin e Vettingut, ndërsa në varësi të ecurisë së këtij diskutimi komisioni pritet të marrë në shqyrtim edhe ligjin për SPAK dhe atë për organet e pushtetit gjyqësor. Burime nga komisioni kanë bërë të ditur se ekspertët ashtu siç edhe ishte rënë dakord në mbledhjen e fundit të komisionit kanë bërë azhurnimet e draftit të Vettingut duke marrë parasysh vërejtjet e bëra nga PD dhe opinionet e OPDAT dhe EURALIUS dhe tashmë ai është gati për diskutim nga komisioni. Nisur nga ky fakt burime nga komisioni kanë bërë të ditur se dje në orët e vona të mbrëmjes janë njoftuar edhe deputetët për mbledhjen e komisionit, e cila është njoftuar të mbahet sot në orën 18. Por nuk dihet nëse do të marrë pjesë opozita e cila deri dje në mbrëmje deklaronte se nuk kishte një njoftim zyrtar për mbledhjen e komisionit si dhe pretendonte se ndërkohë nuk kishte kohën e duhur për të parë dhe shqyrtuar me kujdes draftin final. Pikat që do të hanë sërish debat janë ato për të cilat opozita ka patur rezervat e saj edhe më parë dhe që kanë të bëjnë kryesisht me rolin e ndërkombëtarëve në procesin e Vettingut. Ata kërkojnë një rol më të kufizuar të ekspertëve të huaj në këtë proces, por ky pretendim është kundërshtuar nga EURALIUS e cila ka theksuar se ky rol nuk do të ndryshojë. Gjithashtu një pikë tjetër është edhe ajo për bashkëpunëtorët e drejtësisë. Të djathtët kërkojnë një rregullim më të qartë të këtij bashkëpunimi duke mos marrë në konsideratë çdo informacion që vjen nga të penduarit për të gjykuar një gjyqtar apo një prokuror. Edhe në këtë pikë misioni i EURALIUS ka theksuar se ajo nuk mund të preket dhe se përkufizimi i përfshirë në Kushtetutë duhet të jetë edhe në ligj. Në varësi të këtij debati janë edhe dy projektligjet e tjera, ai i SPAK dhe projektligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor. Sa i përket ligjit të SPAK me interes pritet vendimi për nenin 13 i cili sipas formulimit aktual rrezikon të kthehet në një mjet për të dënuar gazetarët dhe mediat që shkruajnë apo komentojnë lidhur me punën e prokurorisë, si të asaj të posaçme që do të krijohet ashtu edhe asaj të përgjithshme. Ndërsa opozita ka këmbëngulur se nuk do ta lejojë miratimin e një neni të tillë, mazhoranca ka deklaruar se ai do të riformulohet për të shmangur çdo keqinterpretim dhe keqpërdorim në kurriz të lirisë së medias. Gjithashtu mbetet për tu parë edhe roli që do të ketë Prokuroria e Posaçme dhe Byroja e Hetimit. Sa i përket ligjit të tretë,. Miratimi i tij është bërë domosdoshmëri pasi nga ai varet procesi i zgjedhjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Natyrisht nga suksesi i kësaj mbledhjeje varet edhe miratimi i një kalendari për një sesion parlamentar të jashtëzakonshëm. Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka thirrur nesër në orën 18 mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për të vendosur për këtë kalendar.
Som
Nuk dihet nëse do të marrë pjesë opozita e cila deri dje në mbrëmje deklaronte se nuk kishte një njoftim zyrtar për mbledhjen e komisionit si dhe pretendonte se ndërkohë nuk kishte kohën e duhur për të parë dhe shqyrtuar me kujdes draftin final
Pas reformës, pagat e gjyqtarëve shqiptarë në të njëjtin nivel si Hungaria dhe Sllovakia
Shqipëria është e dyta në Europë pas Moldavisë sa i përket nivelit më të ulët të pagave për prokurorët dhe gjyqtarët. Siç bën të ditur “Vizion Plus” në bazë të të dhënave të marra nga Këshilli i Europës rezulton se vendi që jep rrogat më të larta është Zvicra, ku gjykatësit të shkallës më të lartë, paga vjetore i arrin në 264 mijë euro. E fundit në këtë sistem është Moldavia me 4750 euro pagave vjetore për magjistratin, ndërsa në Shqipëri paga vjetore e gjykatësit të lartë arrin në 14 700 euro. Shumë vende në rajon, si: Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Bosnja apo Greqia e kanë më të lartë pagesën për këtë lloj pune, por po ashtu hierarkia e pagave të kësaj kategorie është në përputhje edhe me minimumin jetik dhe pagën mesatare. Vendi ynë ka pagën mesatare më të ulët në rajon në një kohë që minimumi jetik po ashtu është i ulët. Nëse do të materializohej kërkesa që ekspertët e huaj kanë bërë për pagat e sistemit të ri të drejtësisë atëherë shpërblimi vjetor i këtij niveli vitin e parë, pa llogaritur vjetërsinë arrin në 36 mijë euro në vit, ekuivalent me vende si Hungaria, Sllovakia dhe më i lartë se Serbia dhe shtetet e tjera të rajonit. Shqipëria është po ashtu në vendet e fundit edhe për shpenzimet që buxheti i shtetit bën për shërbimin që duhet të marrë në drejtësi një banor. Vendi ynë e ka këtë vlerë 3.3 euro në vit për një qytetar në një kohë që mesatarja europiane është 42.6 euro.
Këshilla e Vasilit: Vetëkënaqësitë e mëdha janë fundi i qeverisjes
Foto/ Flet 9-vjeçari i Palasës: S’kam qënë kurrë në shkollë
Fëmija 9-vjeçar nga Palasa e Himarës, K.Konomi, që u bë i njohur si problematik pas aktit makabër që kreu i sëmuri mendor Jorgo Zani, është dërguar në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë.
Ai ka thënë se nuk ka qënë ndonjëherë larg shtëpisë dhe kurrë nuk ka shkuar në shkollë. Konomi po mbahet në monitorim të veçantë nga edukatoret.
“Krimi makabër i Jorgos Zanit në Palasë duket se ka qenë edhe zgjidhja për jetën e një të mituri, Kiços 9-vjeçar, po nga ky fshat”, – transmeton TCH.
Ditën e krimit, nga fshati i tronditur mbërritën lajme për zhdukjen e një tjetër fëmije, që shoqërohej me vrasësin e sëmurë. Por, Kiço nuk kishte pësuar gjë. Në fakt, deri ditën e krimit, shqetësimi më i madh për Palasën kishte qenë pikërisht Kiço dhe jo vrasësi i sëmurë.
Një denoncim në “Top Channel”, në mes të muajit qershor, zbuloi historinë e një fëmije, të cilin jeta, familja dhe mungesa e vëmendjes së shtetit e kishin futur në rrugën e krimit që në këtë moshë.
“Është bërë problem serioz. E kemi ngritur shqetësimin tonë në të gjitha instancat, por është djalë i pandreqshëm”, thonin banorët.
Kiço, siç e thërrasin shkurt, duket si një djalosh çapkën, por në fakt ishte bërë “ferri” i fshatit, duke vjedhur e dëmtuar çdo gjë që gjen nëpër shtëpitë e fshatit, që jo pak herë gjenden të vetme. Nuk bën dallime në ato që merr.
“Gjërat që marr, i shes”,- thoshte Kiço për emisionin “Fiks Fare”.
Me dy prindër me probleme mendore, ai ishte braktisur nga komuniteti dhe institucionet shtetërore, e mbi të gjitha nga shkolla: “Nuk më kanë çuar në shkollë. Nuk më duan dhe më thonë që jam hajdut”.
Nëpunësja e Bashkisë se Himarës tregon se ka bërë të gjitha përpjekjet për ta shkëputur Kiçon nga prindërit me të meta mendore dhe jeta e mjeruar ku mungon edhe uji e energjia: “Kemi hapur proces gjyqësor në Vlorë dhe asgjë. Duam që kujdestaria e këtij fëmije t’i shkojë institucioneve publike”.
Muajt e fundit Kiço ishte shndërruar në një ndihmës pikërisht i vrasësit mizor, Jorgos Zanit. Por krimi makabër i këtij të fundit duket se bëri që më në fund shteti të detyrohet ta dërgojë Kiçon 9-vjeçar në një nga institucionet e shërbimit social në Sarandë. Dhe kjo ka ndodhur vetëm të premten e 19 gushtit.
Përdhunoi vajzën në pyll, Gjykata: Arrest me burg për babain
Gjykata e Dibrës ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për Guri Përgjegjin, babain që përdhunoi vajzën e tij 15-vjeçare disa ditë më parë.
Vet autori ka mohuar ngjarjen, ndërsa ekspertiza konfirmoi se e mitura ishte përdhunuar nga 46-vjeçari.
Vajza dhe vëllai i saj i vogël kanë shkuar të jetojnë te kushërinjtë e babait, pasi askush nuk mund të kujdesej për ta.
Fëmijët jetonin me babain e tyre dhe me njerkën, pasi e ëma u ka vdekur disa vite më parë në një aksident.
Pasi u zbulua ngjarja e rëndë e përdhunimit, edhe njerka e tyre u largua nga banesa. Në të tilla kushte, fëmijët kanë shkuar tek kushërinjtë.
PD: Prokuroria të thellojë hetimet, si i shfrytëzonte Veliaj në Sharrë fëmijët 10 vjeç
Partia Demokratike i kërkoi sot prokurorisë të thellojë hetimet e saj për shfrytëzimin e fëmijëve në landfillin e Sharrës. Në qendër të hetimeve, PD i kërkon organit të akuzës të ketë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn.
Sipas saj, ai është shfrytëzuesi dhe “skllavopronari” i fëmijëve edhe të moshës 10 vjeç.
PD thotë se investigimi i televizionit “A1 News”, që u bë shkak për pushimi nga puna të drejtoreshës Alida Tota, zbuloi të dhëna tronditëse mbi shfrytëzimin e fëmijëve.
Do'stlaringiz bilan baham: |