Gjykatat për këtë episod kanë shqyrtuar dhe verifikuar provat si më poshtë: procesverbal i kqyrjes së vendit të ngjarjes datë 18.04.1996; procesverbal sekuestrimi prove datë 18.04.1996, nga ku rezulton se është kqyrur dhe marrë me cilësinë e provës materiale një makinë e djegur plotësisht e tipit “Renault” me targë “BG795014; procesverbali datë 29.5.1996 për kqyrjen e marrjen e provës materiale (të nesërmen e ngjarjes është gjetur një gëzhojë nën tavolinën e punës së punonjëses H.Luniku; procesverbal datë 01.06.1996, nga ku rezulton se gjatë trajtimit në sallën e operacionit në trupin e shtetasit Thanas Pasko u gjetën mbeturina plumbi, me ngjyrë të kuqerremtë, ndërsa në trupin e shtetases Stoli Bega u gjet një plumb i kuqërremtë me diameter 8 mm, i cili sipas aktit të ekspertimit nr.601 datë 04.07.1996 është qitur nga pistoletë TT. Dëmtimet e shkaktuara tek të dy shtetasit klasifikohen të kategorisë së rëndë sipas aktit mjeko-ligjor nr.99 dhe nr.100 datë 27.05.1996; procesverbal i “bllokimit të provës materiale” datë 18.04.1996 nga ku rezulton se është marrë me cilësinë e provës materiale një kasetë vidiovizive, e marrë në sistemin e sigurisë. Sipas pamjeve filmike, evidentohen qartazi veprimet e të pandehurve nga momenti i hyrjes dhe deri në momentin e daljes; procesverbali për kqyrje dhe marrje prove materiale datë 20.04.1996, rezulton se në parkingun në rrugën “transballkanike” u mor si provë materiale një bllok shënimesh me numër 2 ku është i rregjistruar mikrobuzi me targë BG 789884, ku dokumentohet se mikrobuzi i lartëpërmendur ka qenë i parkuar në datat 25, 26, 31 mars 1996 dhe 2-8 prill 1996 dhe pas këtyre datave nuk figuron më i regjistruar. Ndërsa mjeti me targë TR 2758 C ka qenë i parkuar në datat 8, 9, 11, 15, 16, 17 prill 1996, pra një ditë përpara ngjarjes. Akti i ekspertimit nr.37 datë 11.05.1996 dhe nr.407 datë 15.05.1996, nga ku rezulton se gjashtë gëzhojat janë qitur nga automatik mod 56, kal.7.62 mm nga i cili janë qitur dhe 12 gëzhojat e fiksuara në vjedhjen e firmës Vefa Vlorë datë 12.01.1996, ndërsa ajo me markirofkë 11-64 nga pistoletë TT. Akti i ekspertimit kontabël, nga ku rezulton se vlera e dëmit është 2.170.000 (dy milionë e njëqind e shtatëdhjetë mijë) lekë.
Deklarimet e shtetasit Enlekedi Agaj me cilësinë e të pandehurit sipas procesverbalit datë 13.10.1996. Deklarimet e të pandehurit Pasho Novruzaj, në hetim paraprak sipas procesverbalit pa datë, muaj dhe vit.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, konkudon se: “…të pandehurit Orik Shyti, Altin Arapi, Gentian Çaka dhe Nikolin Novruzi, me dashje direkte dhe me qëllimin kriminal për të përvetësuar shumën e parave në BKT, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Vjedhjes me armë” e kyer në bashkëpunim, në formën e organizatës kriminale parashikuar nga nenet 140 e 28 te K.Penal.
Gjykata e apelit për Krime të Rënda ka konkluduar se vendimi i gjykatës së shkallës së parë duhet të lihet në fuqi për këtë episod.
17. PËR VRASJE PËR SHKAK TË DETYRËS SË SHTETASIT BUJAR XHEVDET KALOSHI, MË DATË 26.07.1996.
-
Nga prokuroria për krime të rënda janë sjellë për gjykim të gjykuarit Orik Shyti, Altin Arapi, në bashkëpunim dhe me shtetasin Enkeledi Agaj tashmë i vdekur, duke i akuzuar për kryerjen e veprës penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim në formë të organizatës kriminale, sipas nenit 79/c-28 të K.Penal.
-
Nga provat e marra gjatë gjykimit të kësaj çështje, rezultoi e provuar se të gjykuarit Orik Shyti, Altin Arapi dhe shtetasi Enkeledi Agaj, kanë shkuar në burgun e Bënçës, për të vizituar babanë e të gjykuarit Orik, shtetasin Aredin Shyti.
-
Pas kryerjes së disa vizitave, nga ana e të gjykuarit Orik i është kërkuar shtetasit Enkeledi të kishte nën vëzhgim dhe të interesohej përsa i përket lëvizjeve të shtetasit Bujar Kaloshi, i cili ishte me detyrë drejtor i përgjithshëm i burgjeve. Për këtë shtetasi Enkeledi ka shkuar disa herë në vendin ku ishte e vendosur drejtoria e Përgjithshme e burgjeve dhe ka konstatuar se shtetasi Bujar Kaloshi lëvizte me dy makina: një BMË e zezë dhe një fuoristradë Mitsubishi dhe se kryesisht ai lëvizte me makinën e dytë. Pas disa përpjekjeve, duke lëvizur me një motor Honda nga ana e shtetasit Enkeledi është konstatuar dhe gjetur dhe banesa e shtetasit Bujar Kaloshi.
-
Pas verifikimit të vendndodhjes së banesës së shtetasit Bujar Kaloshi, shtetasi Enkeledi vë në dijeni për këtë fakt të gjykuarit Orik Shyti dhe Altin Arapi. Pas këtij momenti për të verifikuar më mirë atë që kishte parë shtetasi Enkeledi, ky i fundit së bashku me të gjykuarit Altin Arapi kanë shkuar në afërsi të banesës së shtetasit Bujar dhe kanë konstatuar se rreth orës 07.00 ka ardhur automjeti Fuoristradë vetëm me shoferin që e drejtonte dhe pasi ka qëndruar rreth 20 minuta ka dalë që aty dhe makina është nisur në drejtim të drejtorisë së përgjithshme të burgjeve. Ata janë bindur se personi që ishte në makinë, ishte pikërisht personi për të cilin ata ishin të interesuar.
-
Veprime të tjera për verifikimin e lëvizjeve të shtetasit Bujar Kaloshi janë bërë dhe disa ditë më pas. Është verifikuar se viktima Bujar Kaloshi banonte tek fusha e aviacionit. Një ditë të pacaktuar, gjatë këtyre verifikimeve, i gjykuari Orik Shyti i ka thënë të gjykuarit Altin dhe shtetasit Enkeledi se do të vrisnin Drejtorin e Burgjeve, Bujar Kaloshi për shkak të detyrës së tij shtetërore. Për realizimin e planit të tyre, nga ana e të gjykuarit Orik janë përcaktuar rolet për realizimin e planit të tyre kriminal. Sipas këtij plani i gjykuari Altin kishte si detyrë të qëllonte dhe të vriste Bujar Kaloshin, ndërsa shtetasi Enkeledi të vriste drejtuesin e mjetit. Po në këtë bisedë ata kanë vendosur që mundësia më e mirë për realizimin e planit të tyre do të ishte momenti pasi drejtori do të dilte nga shtëpia për në punë, shoferi i tij ngadalësonte shpejtësinë, kur të dilte nga rrugica e shtëpisë para një grope me ujë. Për të mos rënë në sy do të vishnin kostume sportive, pasi kishin vënë re se aty ishte një zonë ku bëhej stërvitje nga shumë njerëz.
-
Për të realizuar planin e tyre kriminal, vrasjen e shtetasit Bujar Kaloshi, më datë 26.07.1996, rreth orës 07.00 i gjykuari Altin së bashku me shtetasin Enkeledi, të veshur me rroba sportive dhe të pajisur me nga një pistoletë TT, kanë marrë makinën tip BMË me targa TR2758 C, dhe janë nisur drejt zonës së fushës së aviacionit. I gjykuari Altin ka pasur në kokë një paruke të shkurtër si me kaçurrela. Rreth orës 07.20 ka ardhur shoferi i shtetasit Bujar Kaloshi me makinën Mitsubishi Pajero, dëshmitari Arben Duka dhe ka hyrë brenda tek shtëpia e drejtorit të burgjeve Bujar Kaloshit dhe më pas dalin të dy. Rreth orës 07.30 ka kaluar aty prane dëshmitari Gurga Kadriu, të cilin e kanë pyetur se sa është ora.
-
Në momentin që makina arrin tek vendi i mbushur me ujë, 2-3m larg të cilit ishte Enkeledi dhe i gjykuari Altin, shoferi i makinës ngadalëson shpejtësinë dhe në këtë kohë i gjykuari Altin qëllon direkt mbi drejtorin e burgjeve, Bujarin, ndërsa Enkeledi ka qëlluar mbi shoferin. Këto veprime janë bërë njëkohësisht nga të sipërcituarit. Në moment shoferi ka hapur derën dhe është larguar dhe Enkeledi i ka qëlluar dhe nga pas, por nuk ka mundur. I gjykuari Altin më pas i afrohet makinës hap derën e pasagjerit dhe i qëllon dhe dy herë të tjera pas koke viktimës Bujar. Si pasojë e të shtënave të të gjykuarit Altin ka rezultuar se shtetasi Bujar Kaloshi është goditur me tetë plumba me drejtim qitjeje kryesisht nga para prapa. Në trupin e viktimës Bujar Kaloshi sipas aktit të ekspertimit nr.120 datë 26.08.1996 janë konstatuar disa plagë tejshkuese në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit.
-
Nga kqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se në vendin e ngjarjes është gjetur makina Mitsubishi Pajero, me targa Tr 1983 Z, drejtuar për nga pjesa veriore e fushës së aviacionit, para një pellgu me ujë. Dera e makinës nga ana e shoferit është gjetur e hapur ndërsa dyert e tjera janë gjetur të mbyllura si dhe dëmtime në pjesë të ndryshme të makinës si dhe janë gjetur me cilësinë e provës materiale 11 gëzhoja si dhe tre këmisha predhash të cilat sipas aktit të ekspertimit nr.1058 datë 18.09.1996 rezultojnë të qitura nga dy armë zjarri të cilat duhet të jenë “TT”. Si pasojë e të shtënave është plagosur dhe shtetesja Makbule Buci, dëmtimet e së cilës sipas aktit të ekspertimit nr.740 datë 28.07.1996 hyjnë në kategorinë e plagosjes së lehtë.
-
Gjatë kohës që i gjykuari Altin dhe shtetasi Enkeledi kanë qëlluar mbi makinë janë parë dhe nga dëshmitari Gurga Kadriu. Pas kryerjes së këtyre veprimeve i gjykuari Altin së bashku me Enkeledin, kanë hipur në makinë dhe janë larguar në drejtim të doganës. Aty janë shkëmbyer me një fadromë. Pasi kanë bërë 500-600 m janë kthyer tek shtëpia e Gezimit, ku tek garazhi i makinës së tij kanë lënë makinën dhe armët. Kanë hequr targat e makinës dhe i kanë futur në bagazh. Kanë veshur rroba të tjera civile dhe kanë dalë. Më pas kanë njoftuar të gjykuarin Orik që punën e kishin kryer dhe rrethanat e saj dhe faktin se përpara se të fillonin të qëllonin ngjitur me rrugicën ka qenë dhe një burrë i cili po punonte. Armët dhe targat e makinës më pas i kanë dërguar tek një shtëpi e marrë me qera, të ndodhur në sheshin “Avni Rustemi” mbi foto-Skënderbeun, kati i tretë.
-
Gjykatat administruan dhe vlerësuan provat si më poshtë: procesverbal i këqyrjes së vendit të ngjarjes datë 26.07.1996. Akti i ekspertimit balistik nr.1058 datë 18.09.1996, nga ku ka rezultuar se gëzhojat e gjetura në vendngjarje janë qitur nga dy armë zjari të cilat duhet të jenë pistoleta TT; Procesverbal i këqyrjes së viktimës si dhe akti i ekspertimit mjeko-ligjor të tij, nga ku rezulton se në trupin e viktimës Bujar Kaloshi janë konstatuar dy plagë tejshpuese, në regjonin e kokës dhe të kraharorit dhe se shkaku i vdekjes së tij ka qenë shoku traumatik-hemoragjik, i dëmtimeve të organeve të brendshme; Procesverbal i sekuestrimit datë 23.10.1996, nga ku rezulton se në banesën e shtetasit Lame Sinovarfi, janë gjetur letra të shtetasit Hajredin Shyti, mes të cilave edhe ajo që mban datën 29.03.1996, në përmbajtje të së cilës rezulton se midis tij dhe viktimës Bujar Kaloshi, ka pasur konflikt. Dëshmia e dëshmitarit Arben Duka, (shofer i viktimës) në hetim paraprak sipas procesverbalit përkatës, u përdorën në këtë gjykim me kërkesë të prokurorit në formë të leximeve të lejueshme, sipas nenit 369 të K.Pr.Penale. Më datë 26.07.1996 ai ka shkuar për ta marrë rreth orës 07.15 dhe janë larguar nga shtëpia rreth orës 07.35. Sapo kanë dalë nga porta e banesës së viktimës përballe tyre kanë dalë dy djem të rinj, të veshur me uniformë sportive, të cilët sapo janë afruar kanë nxjerrë pistoletat dhe kanë filluar të qëllojnë në drejtim të tyre. Dëshmitari ka hapur derën dhe pasi ka parë se makina nuk po punonte, ka dalë jashtë dhe është larguar me vrap. Ndërkohë në drejtim të tij nga personi që ishte në atë anë të makinës është qëlluar përsëri me pistoletë. Dëshmia e dëshmitarit Paulin Gjini;
-
Deklarimet e të pandehurit Enkeledi Agaj datë 13.10.1996. (në fund të faqes 24 e vijues).
-
Në lidhje me këtë episod gjykatat kanë arritur në të njëjtin përfundim në lidhje me cilësimin ligjor, duke arsyetuar ndër të tjera se: “…të pandehurit Altin Arapi dhe Orik Shyti kanë konsumuar elementët e veprës penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese ndaj viktimës Bujar Kaloshi në bashkëpunim në formë të organizatës kriminale, sipas nenit 79/c-28 të K.Penal. Në këtë përfundim arriti gjykata pasi çmoi se deklarimet e dhëna në fazën e hetimeve paraprake të të pandehurit Enkeledi Agaj, sipas procesverbalit datë 13.10.1996 gjenden në harmoni me provat e tjera të marra gjatë këtij gjykimi për këtë episod, si me ato shkresore edhe me dëshmitarë. Posaçërisht gjykata konstaton se deklarimet e tij gjenden në përputhje me dëshmitë e dëshmitareve Xhevdet Kaloshi, Gurga Kadriu dhe Arben Duka të dhëna në seancë gjyqësore apo me deklarimet e dhëna prej tyre në hetim paraprak të përdorura në gjykim. Gjithashtu në krijimin e bindjes tek gjykata se të pandehurit Orik Shyti e Altin Arapi janë autorë të veprës penale për të cilen akuzohen, ndikon dhe verifikimi në seancë gjyqësore i rrethanave të provuara në gjykim lidhur me motivet që i kanë shtyrë të pandehurit në kryerjen e kësaj vepre penale; motiv i cili kishte të bënte me marrëdhëniet e viktimës Bujar Kaloshi për shkak të detyrës si drejtor i përgjithshëm i burgjeve me babain e të pandehurit Orik, shtetasin Aredin Shyti, i cili në atë kohe vuante dënimin në burgun e Bënçës.
-
Disponimi i gjykatës së shkallës së parë, është lënë në fuqi nga gjykata e apelit për krime të rënda edhe për këtë episod.
-
Procedurat gjyqësore
-
Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, me vendimin nr.44, datë 01.07.2008 ka vendosur, siç është pasqyruar në pjesën hyrëse të vendimit.
-
Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, me vendimin nr.40, datë 07.07.2009 ka disponuar siç është pasqyruar në pjesën hyrëse të vendimit.
-
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.00-2010-933 (731), datë 02.07.2010, ka vendosur: Mospranimin e rekursit, duke arsyetuar se nuk përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 432 të KPP-së.
-
Gjykata Kushtetuese me vendimin nr.47/2011, datë 7.11.2011 ka vendosur:
-
Shfuqizimin e vendimit nr.00-2010-933 (731), datë 02.07.2010, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, njëzëri.
ii. Konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, si rrjedhojë e mosgjykimit brenda një afati të arsyeshëm.
iii. Dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.
-
Në vendimin e saj Gjykata Kushtetuese ka konstatuar shkelje të procesit, duke arsyetuar ndër të tjera se: “...Mbi zgjatjen e procedurave gjyqësore: Duke ju referuar procesverbaleve të seancave në dosjen gjyqësore, konstatohet mungesa e gjyqtarëve për arsye objektive ndër të cilat mund të përmendim pjesëmarrjen në gjykim të çështjeve të tjera, raportin shëndetësor, apo marrjen e kohës për t’u njohur me çështjen. Seancat gjyqësore janë shtyrë edhe për mungesë të prokurorëve për shkaqe të lidhura kryesisht me zëvendësimin e tyre ose marrjen e kohës për t’u njohur me çështjen. Krahas mungesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve vërehet se seancat janë shtyrë edhe për arsye të mungesës së sekretares së gjykatës. Në këto kushte, Gjykata nënvizon se sjellja e organit procedues në tërësi ka shkaktuar vonesa në gjykim. Në vijim të arsyetimit të mësipërm, në çështjen objekt shqyrtimi, Gjykata vlerëson se kompleksiteti i çështjes, sjellja e organit procedues dhe e kërkuesit janë bërë shkak për zgjatjen e procesit gjyqësor tej afateve të arsyeshme. Pavarësisht se vonesat, që i atribuohen organit procedues, kanë ndodhur për shkaqe objektive dhe hapësirat legjislative kanë lejuar rishqyrtimin e çështjes, në çmuarjen e Gjykatës, zvarritja e procesit nga autoritetet shtetërore është e pajustifikueshme.
-
Mbi paanshmërinë e Gjykatës së Lartë. Gjykata vlerëson se kur ekzistojnë kushtet që justifikojnë një dyshim të përligjur për anshmëri gjatë gjykimit, detyra e çdo gjyqtari është t’i shmanget gjykimit, në mënyrë që të mos cenojë rregullsinë e procesit gjyqësor për sa i përket aspektit të paanshmërisë së gjykatës. Në çështjen konkrete, Gjykata konstaton se përfshirja e gjyqtarit në procesin penal ndaj kërkuesit, kur ai ka ushtruar rolin e zv/Prokurorit të Përgjithshëm, nuk ka qenë e papërfillshme ndaj dhe dyshimi i kërkuesit është i bazuar nga ana objektive. Për rrjedhojë, ky pretendim i kërkuesit, që lidhet me besueshmërinë e gjykatës për të qenë objektivisht e paanshme, duhet pranuar. Në çështjen në shqyrtim, vendimi nr.106, datë 12.02.2003, i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, të cilit i referohet kërkuesi, nuk i plotëson kriteret e mësipërme, pasi nuk ka forcë detyruese dhe është bërë objekt ankimi në Gjykatën e Apelit. Në këto kushte, edhe pse çështja, për arsye të mos-kompetencës, ka kaluar për shqyrtim në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, e cila është një gjykatë e ndryshme nga ajo fillestare dhe pjesa më e madhe e veprave penale, objekt gjykimi, kanë qenë të njëjta në të dyja gjykimet në shkallë të parë, në rastin konkret kemi të bëjmë me hallkat e një procesi gjyqësor në vazhdimësi, që është zhvilluar në përputhje me dispozitat penale në fuqi. Për këto arsye, Gjykata çmon se parimi në bis in idem nuk është shkelur dhe pretendimi i kërkuesit për cenimin e parimit të mosgjykimit dy herë për të njëjtën vepër është i pambështetur.
-
Nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore, në çështjen konkrete, Gjykata vëren se është lejuar marrja në cilësinë e provës vetëm të atyre deklaratave ku të pandehurve ju është bërë e qartë e drejta për të pasur mbrojtës gjatë pyetjeve dhe prej tyre është dhënë pëlqimi për t’u pyetur pa praninë e mbrojtësit. Këto deklarime janë vlerësuar në unitet me provat e tjera që konfirmojnë vërtetësinë e tyre, në respektim të dispozitave procedurale penale. Bindja e gjykatës për fajësinë e kërkuesit është formuar, jo vetëm në bazë të provave të kundërshtuara si të pavlefshme nga kërkuesi, por duke u mbështetur në një sërë provash të tjera të administruara gjatë gjykimit, si procesverbale të këqyrjes, fotografi, ekspertime tekniko-balistike, akt-ekspertime, dëshmitarë. Gjykata çmon se kërkuesi nuk ka paraqitur argumente provuese të mjaftueshme që të evidentojë se dëshmitarët i janë nënshtruar torturës, në mënyrë që Gjykata të bëjë një vlerësim të ndryshëm nga ai që kanë bërë gjykatat e zakonshme lidhur me këtë aspekt. Në vlerësimin e Gjykatës kërkuesi i ka ngritur pretendimet në lidhje me mënyrën e marrjes së provave përpara gjykatave të zakonshme, çka nënkupton se atij i është dhënë mundësia për të vënë në dukje mangësitë e provave nga ana formale, si dhe për të kundërshtuar autenticitetin dhe ligjshmërinë e tyre. Për rrjedhojë, pretendimi i kërkuesit se provat në proces janë marrë në mënyrë të paligjshme është i pabazuar.
-
Në vlerësimin e Gjykatës, nuk rezulton që vendimet gjyqësore të jenë jologjike, të kenë kundërthënie, të mos kenë referencë në ligjin e zbatueshëm dhe të mos respektojnë elementët e përmendur më sipër. Për rrjedhojë, Gjykata çmon se vendimet e gjykatave nuk cenojnë kërkesat që lidhen me arsyetimin e vendimit gjyqësor në kuptimin kushtetues dhe pretendimi i kërkuesit në këtë aspekt është i pabazuar. Nga vlerësimi në tërësi i materialeve të paraqitura Gjykatës, nuk rezulton ndonjë e dhënë e cila të tregojë se anëtarët e gjykatave të zakonshme që kanë shqyrtuar çështjen, e kanë filluar procesin me paragjykimin se kërkuesi i ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet. Bazuar në sa më sipër, Gjykata çmon se nuk është cenuar parimi i prezumimit të pafajësisë ndaj kërkuesit. Gjykata vlerëson se kërkuesit, në kuptim të garantimit të së drejtës për një proces të rregullt ligjor, i është cenuar e drejta për gjykim brenda një afati të arsyeshëm dhe e drejta për t’u gjykuar nga një gjykatë e paanshme.
-
Kundër vendimit më dt.31.07.2009, ka paraqitur rekurs mbrojtja e të pandehurve me anën e të cilit ka kërkuar: Prishjen e vendimeve të gjykatës së Shkallës së Parë dhe të gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, përkatësisht me nr.44, datë 01.07.2008 e nr.40, datë 07.07.2009, dhe deklarimin të pafajshëm të gjykuarve Orik Shyti, Altin Arapi, Gentian Çaka, Leart Shyti, Roland Shyti, Kreshnik Spahiu, Nikolin Novruzaj, Pasho Novruzaj, Dritan Hate dhe Gëzim Gjoni për të gjitha veprat penale për të cilat akuzohen, në përjashtim të falsifikimit të dokumenteve dhe letërnjoftimeve për rastin e të pandehurve Orik Shyti. Kreshnik Spahiu dhe Gentian Caka; duke parashtruar edhe shkaqet përkatëse:
-
Vendimet e gjykatave janë marrë në shkelje të parimeve kushtetuese dhe ligjore.
-
Të gjykuarit janë gjykuar dy herë për të njëjtat vepra penale.
-
Të gjykuarve u është shkelur e drejta për t’u gjykuar brenda një afati të arsyeshëm.
-
Në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjin procedural penal, gjykata ka vlerësuar si të ligjshme disa kërkesa të paligjshme të prokurorisë. Leximi i deklarimeve të bëra nga i pandehuri. Gjykata e Apelit i përgjigjet kërkesës së mbrojtjes me një interpretim sa të paligjshëm aq edhe alogjik. Ajo e vlerëson të pandehurin që ka nënshkruar deklarime “në pozitën e dëshmitarit dhe për këtë jashtë detyrimit për t’i bërë ato jo domosdoshmërisht në prani të mbrojtësit.
Nga ana e gjykatave është bërë pranimi i provave të vërtetuara të pavlefshme gjatë gjykimit dhe janë përdorur prova të marra pas mbarimit të afateve të hetimeve paraprake. Aktet janë të papërdorshme për shkak të falsifikimit të tyre, për të ashtuquajturat deklarime të pandehurve dhe për disa nga shkeljet procedurale që kanë të bëjnë me dërgimin e çështjes në gjyq e që vijuan edhe gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Në rastin e këtij procedimi penal shkeljet procedurale janë veçanërisht të rënda, gjë që i bën absolutisht të pavlefshme aktet që dokumentojnë veprimet hetimore, në kuptimin e nenit 128 të K.Pr. Penale. Pjesa kryesore e akteve të falsifikuara janë sajuar si prova pas ndalimit të të pandehurve, duke shfrytëzuar si lëndë ndihmëse korrespondencën dhe sende të tjera të marra pa procesverbal gjatë kontrolleve të paligjshme të banesave të tyre (pas mesnate dhe pa vendime të organit kompetent), çka ka rezultuar e provuar nga dëshmitë e dëshmitarëve të fiksuara në procesverbalet e seancave gjyqësore të datave: 16.01., dhe 15.03.2002; 23.11.2005; 29.01.2007 dhe 31.01.2007 etj.
Të tilla janë procesverbalet e kontrollit, të këqyrjes dhe të sekuestrimit të apartamentit të marrë me qira nga i ndjeri Enkeled Agaj, në të cilat janë fiksuar “Platforma kriminale” e “Hakmarrjes” dhe shumica e provave materiale, që, siç dihet, janë deklaruar të papërdorshme nga gjykata e Shkallës së Parë dhe nga gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë, në vendimet përkatëse përfundimtare. Por nuk janë vetëm këto. Ka mjaft të tjera, prandaj edhe në rekurs kemi kërkuar të deklarohen të papërdorshme.
Njëkohësisht, aktet janë të papërdorshëm sepse janë shkelur kërkesat e neneve 116 dhe 117, të cilët kërkojnë, përkatësisht, që procesverbali të përmbajë tregimin datës, të muajit e vitit, “gjeneralitetet e personave që kanë marrë pjesë” dhe të “tregohet shkaku” i mosnënshkrimit. Përmbajtja e këtyre procesverbaleve dhe akteve të tjera, të shqyrtuara nga gjykata, duke përfshirë dhe të papërdorshmet deklarime të të pandehurve, japin një pamje thellësisht kontradiktore me rrethanat reale në të cilat kanë ndodhur ngjarjet. Ndodhen në dosjen gjyqësore rreth 46 procesverbale me deklarime të të pandehurve, një e gjashta e të cilëve nuk kanë datë. Në dy-tre prej procesverbaleve nuk është shënuar as muaji kur janë përpiluar.
Pjesëmarrësit në këqyrje, në kontrolle dhe në sekuestrimet e bëra në apartamentin e marrë me qira nga Enkeled Agaj, ku ishin grumbulluar shumica e armëve dhe provave të tjera materiale, janë nënshkrues edhe të akteve në fjalë. Herë njëri prej tyre, herë më shumë se njëri kanë nënshkruar si përpilues ose si pjesëmarrës në veprimin hetimor të dokumentuar me procesverbal. Të gjitha procesverbalet me deklarimet e të pandehurve, me data dhe pa data, janë nënshkruar prej vetë të pandehurve. Por hetimi gjyqësor provoi se nënshkrimet nuk kanë qenë të vullnetshme, se mbi ta është ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike.
Dokumentet e makinës “Ford Siera” që provojnë se ajo ka hyrë në Shqipëri në vitin 1996, ndërkohë që prokuroria pretendon se është përdorur nga të pandehurit për të kryer pesë krime të ndodhura përgjatë viteve 1994-1995.
Akti i ekspertimit grafik nr.297, datë 16.01.2008, që provon se teksti i “platformës” me përmbajtjen antikushtetuese, pjesë e të cilit është edhe emërtimi “Hakmarrja Shqiptare e Drejtësisë”, nuk është shkruar nga dora e të pandehurit Altin Arapi, megjithëse nga pamja dukej sikur ishte shkruar prej tij. Përpjekjet për të imituar shkrimin e të pandehurit pikasen edhe me një vështrim të vëmendshëm, jo domosdoshmërisht nga syri i një eksperti. Të dyja këto prova, ashtu si dhe shumë të tjera që janë parashtruar të argumentuara në rekurs, marrin vlerë të dyfishtë. Nga njëra anë, shfajësojnë të pandehurit dhe, nga ana tjetër, fajësojnë përfaqësuesit e organit të akuzës për krijimin e provave që synojnë dënimin e disa personave për krime që nuk i kanë kryer. Mungojnë provat e fiksuara në procesverbal dhe nuk jepet asnjë shpjegim për rezultatet e ekzaminimit dhe krahasimit të tyre.
Gjykata nuk e ka respektuar parimin e pavarësisë për ta zgjidhur çështjen me paanësi. Prej datës 06-12.10.1996, organi procedues nuk ka marrë asnjë vendimi për njohjen e të pandehurve me akuzat që u bënte dhe, në kundërshtim me nenin 39 të K.Pr.Penale, i ka pyetur në themel pa u shpjeguar faktin që u atribuohej, pa i njohur me provat që ekzistonin, të cilat, siç vërtetohet nga aktet në dosje, nuk kanë ekzistuar fare në atë periudhë. Qëndrimi i gjykatës ndaj kërkesave të mbrojtjes për njohjen e provave nuk ka qenë i ndryshëm nga qëndrimi që ajo ka mbajtur ndaj kërkesave për marrjen e provave. Qëndrimet e kundërligjshme vijuan edhe në gjykimin e dytë. Mbrojtja ka kërkuar këqyrjen e provave materiale në kartotekat balistike dhe daktiloskopike të Institutit të Policisë Shkencore (IPSH).
Gjykata nuk na la kohë të kërkonim revokimin e disponimeve mbi marrjen e provave, siç parashikon neni 151/2, sepse, ndërsa pritej që të jepte vendimin për dy nga provat e kërkuara (pyetjen si dëshmitarë të shtetasve Luan Veliu e Silvio Shala, në datën 23.06.09 njoftoi se e quante të mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq në dhomën e këshillimit. Detyrimi moral dhe ligjor ishte që edhe aktet e tjera t’i çmonin: “sipas bindjes së formuar pas shqyrtimit të tyre në tërësi” (neni 152/1).
Në lidhje me çmuarjen e këtyre provave, qëndrimi i gjykatës nuk është koherent. Ndërsa, grupin më të madh të provave, pa të cilat ky procedim nuk do mund të fillonte, i deklaron të papërdorshme, tjetër qëndrim mban për një numër të kufizuar provash, falsiteti i të cilave është provuar në të njëjtën shkallë me atë të grupit kryesor. As gjykata e Apelit, megjithëse ka pasur mendim të pakicës nuk argumenton në vendimin e saj arsyet pse nuk i deklaron të pavlefshme dhe, rrjedhimisht, të papërdorshme provat e renditura në pjesën e IV të rekursit.
-
Do'stlaringiz bilan baham: |