14. PËR VJEDHJEN ME ARMË TË ISH FILIALIT TË FIRMËS VEFA, VLORË MË DATË 12.01.1996, NË SHUMËN 145.000 (NJËQIND E DYZET E PESË MIJË) USD.
-
Nga prokuroria për krime të rënda janë sjellë për gjykim të gjykuarit Orik Shyti, Altin Arapi, Nikolin Novruzaj, Roland Shyti dhe Pasho Novruzaj, duke i akuzuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin në formën e organizatës kriminale dhe me shtetasin Enkeledi Agaj tashmë të vdekur kanë kryer veprën penale të “Vjedhjes me armë” të parashikuar nga neni 140, 28, 334 të Kodit Penal.
-
Nga gjykatat është pranuar fakti se: I gjykuari Nikolin Novruzaj, së bashku me të gjykuarit Altin Arapi, Roland Shyti, Orik Shyti dhe shtetasin Enkeledi Agaj, për të realizuar planin e tyre kriminal, vjedhjen e firmës Vefa Vlorë, kanë shkuar në qytetin e Vlorës për të hetuar mundësitë e realizimit të planit të tyre. Ata kanë vendosur që vjedhjen ta realizonin duke përdorur dy makina. Më datë 12.01.1996, paradite, të gjykuarit kanë shkuar me makinën Alfa Romeo me ngjyrë të bardhë. Ata kanë qenë të maskuar dhe të armatosur, konkretisht të gjykuarit Roland dhe Nikolin me automatik, ndërsa të gjykuarit e tjerë kanë qenë me pistoleta. Sapo kanë mbërritur tek dera e jashtme e firmës, kanë zbritur nga makina të gjykuarit Roland dhe Nikolin dhe janë futur në oborrin e saj, ndërsa të gjykuarit Altin, Orik dhe shtetasi Enkeled kanë shkuar tek dera ku hynin punonjësit e kësaj firme. I gjykuari Orik ka qëndruar, ndërsa dy të tjerët kanë vijuar më tej duke u futur në ambjentet e brendshme të firmës. Rezulton nga provat e marra se i gjykuari Altin dhe shtetasi Enkeled, pasi janë futur në dhomën ku gjendeshin paratë, janë përballur me dëshmitaret Vjollca Koka dhe Lumturi Xhaferllari. Më pas ata nën kërcënimin e armëve, i kanë detyruar dëshmitaret që të merrnin paratë dhe t’i fusnin në një qese.
-
Ndërkohë rezulton se i gjykuari Roland, ka qëlluar me armë zjarri, jashtë vendit ku po vidheshin paratë, në drejtim të rojeve të firmës, dëshmitarëve Ylli dhe Endrit Mezuraj. Këta të fundit rezulton se janë kundërpërgjigjur duke qëlluar në drejtim të të gjykuarve Roland e Nikolin. Nga shkëmbimi i zjarrit nuk rezulton të këtë pasur të lënduar; në vendngjarje janë gjetur e më pas sekuestruar disa sende në cilësinë e provës materiale, si dhe janë fiksuar dëmtimet e shkaktuara nga shkëmbimi i zjarrit.
-
Shkëmbimi i zjarrit mes rojeve të firmës dhe të gjykuarve Roland e Nikolin ka ndikuar që të gjykuarit e tjerë të ndërprisnin vjedhjen e mëtejshme të parave dhe të largohen menjëherë. Ata janë zhvendosur me automjetin që erdhën, të cilin e drejtonte shtetasi Enkeled, nga mjediset e fimës duke shfrytëzuar pallatet afër. Të gjykuarit kanë djegur makinën me të cilën erdhën, duke marrë me vehte jo vetëm paratë e vjedhura, por edhe sendet e kundraligjshme që i ndihmuan në kryerjen e veprës penale. Ata pasi kanë ecur disa metra në këmbë kanë hipur në mjetin tip “Ford Skorpion” që ruhej aty nga i gjykuari Pasho Novruzaj. Me këtë automjet të gjykuarit kanë shkuar në shtëpinë e të gjykuarit Nikolin ku kanë fshehur paratë dhe vetë janë kthyer në Tiranë.
-
Në kqyrjen e vendit të ngjarjes janë marrë dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale 8(tetë) gëzhoja pistolete dhe 12 (dymbëdhjetë) automatiku; 9 (nëntë) plumba dhe 7 (shtatë) këmisha, disa prej të cilave janë sjellë nga persona të ndryshëm. Gjithashtu nga kqyrja e vendit të ngjarjes janë gjendur 4 gjurmë gishtash me lënie lënde djerso-yndyrore. Paratë janë marrë nga shtetasi Enkeledi dhe i gjykuari Leart Shyti me një makinë që i përkiste të gjykuarit Orik, disa ditë më pas.
-
Nga gjykatat janë administruar dhe vlerësuar provat si më poshtë: procesverbal i “kqyrjes së vendit të ngjarjes” datë 12.1.1996; akti i ekspertimit nr.1180, datë10.10.1996 dhe tabela fotografike bashkëngjitur nga ku ka rezultuar se: “gjurma e pjesshme e pëllëmbës së majtë fiksuar në grabitjen e filialit të “VEFA”-s Vlorë është formuar nga pëllëmba e majtë e shtetasit Enkeledi Agaj duke përjashtuar mundësinë e lënies së gjurmëve të tjera të përftuara nga shtetasit Leart Shyti, Kreshnik Spahiu, Enkeled Agaj dhe Nikolin Novruzi; Procesverbal i “kqyrjes dhe marrjes së provës materiale” datë 13.01.1996 rezulton se është kqyrur një makinë veturë tip “Alfa-Romeo” e cila është djegur plotësisht; vërtetimi datë 03.05.1996 i shoqërisë Vefa, filiali Vlorë, nga ku rezulton se vlera e dëmit të shkaktuar më datë 11.01.1996 është 145.000(njëqind e dyzet e pesë mijë) dollarë USD; Akt ekspertimi teknik-balistik gëzhojash nr.15 datë 04.03.1996; akt ekspertimi vlerësim gjurmë papilare nr.16 datë 07.03.1996, nga ka rezultuar se gjurmët papilare të përftuara në vendin e ngjarjes janë të vlefshme për identifikim dhe se ato nuk janë lënë nga ana e punonjësve të këtij filiali, por të personave të tjerë që kanë kryer grabitjen; procesverbal “Për kqyrjen e regjistrit të I.P.SH. për zhvillimin e ekspertimit të viteve 96-97”, ka rezultuar se ne numrin rendor 1180 date 09.10.1996, nga Komisariati nr.2 Tiranë është kërkuar kryerja e ekspertimit daktiloskopik për disa ngjarje të ndodhura, ekzaminim i cili është kryer nga eksperti Orest Afezolli më datë 10.10.1996; Sipas aktit të ekspertimit nr.1180 datë 10.10.1996 dhe tabelës fotografike bashkëngjitur saj, ka rezultuar se gjurma e pjesëshme e pëllëmbës së majtë fiksuar në grabitjen e filialit të “VEFA”-s Vlorë është formuar nga pëllëmba e majtë e shtetasit Enkeledi Agaj, duke përjashtuar mundësinë e lënies së gjurmëve të tjera të përftuara nga shtetasit Leart Shyti, Kreshnik Spahiu, Enkeled Agaj e Nikolin Novruzi. Akti i ekspertimit tekniko-balistik nr.1219 datë 22.10.1996 dhe nr.1238 datë 24.10.1996 dhe tabelat fotografike, bashkëngjitur tyre, nga ku rezulton se automatiku i markës “Zastava” me numër 21430, kalibër 7.62 mm dhe pistoleta tip “Zastava” gjetur rreth 100 m larg banesës së shtetasit Nikolin Novruzi, në det, janë të rregullta teknikisht dhe se me to realizohet qitje normalisht. Përsa i përket gëzhojave të gjetura në vendngjarjet e ndodhura në vitet 1991-1996 nuk janë qitur nga ky automatik. Ndërsa shtatë gëzhojat e fiksuara në grabitjen e filialit “VEFA”Vlorë, të ndodhur më datë 12.01.1996 janë qitur nga pistoleta objekt i këtij ekspertimi; Akti i ekspertimit grafik shkrimi nr.26, datë 11.01.1997, rezulton se në “kontratën shitje automjeti” nr.1354 datë 17.08.1996, emri dhe mbiemri i shitësit Eduard Sina janë shkruar nga Pasho Novruzi, ndërsa përsa i përket nënshkrimit, meqenëse nuk janë vënë në dispozicion baza krahasimi, nuk mund të jepet një konkluzion i bazuar e shkencor; akti i ekspertimit nr.454 datë 28.01.2004, nga ku ka rezultuar se të dy gjurmët e gishtave të fiksuara në vendin e ngjarjes të datës 12.01.1996, në filialin “VEFA” - Vlorë janë formuar nga gishtat tregues dhe të mesit, të Altin Arapit. Dëshmitë e dëshmitarëve: Krenar Bufi, (roje tek fabrika e tullave Vlorë) në ambientet e të cilit ishte vendosur filiali “Vefa”, Muharrem Xhelaj, Petraq Goga, Lumturije Xhaferllari – punonjës të filialit të shoqërisë Vefa;
-
Deklarimet e të pandehurit Enkeledi Agaj në hetim paraprak sipas procesverbalit datë 13.10.1996; Deklarimet e të pandehurit Nikolin Novruzaj sipas procesverbalit pa datë, tetor 1996; Deklarimet e të pandehurit Pasho Novruzaj - sipas procesverbalit pa datë, muaj e vit.
-
Gjykatat e faktit kanë konkluduar se: “...të pandehurit Orik Shyti, Altin Arapi, Nikolin Novruzaj, Roland Shyti e Pasho Novruzaj, duhet te deklarohen fajtor për veprën penale të “Vjedhjes me armë” e kryer në bashkëpunim, në formën e organizatës kiminale të parashikuara nga nenet 140 e 28 të Kodit Penal.
-
Disponimi i gjykatës së shkallës së parë është lënë në fuqi në lidhje me cilësimin juridik edhe nga gjykata e apelit.
15. PËR SHPËRTHIMIN E NJË SASIE TRITOLI PRANË ISH SUPERMAKETIT VEFA, NË TIRANË, DATË 26.02.1996.
-
Për këtë episod nga ana e prokurorisë për Krime të Rënda janë sjellë për gjykim të gjykuarit Orik Shyti, Gentian Çaka dhe Altin Arapi, duke i akuzuar për kryerjen në bashkëpunim në formën e organizatës kriminale të veprës penale të “Akteve terroriste”, parashikuar nga neni 230 e 28 të K.Penal.
-
Nga gjykatat janë pranuar këto rrethana të faktit: Në shkurt të vitit 1996 nga ana e të gjykuarve Orik Shyti, Altin Arapi, Gentian Çaka dhe shtetasi Enkeledi Agaj është planifikuar të bëhej një shpërthim në supermarketin Vefa të ndodhur në Tiranë tek nëntëkatëshet, për të krijuar panik dhe frikë në masë.
-
Pasi kanë rënë dakord të gjykuarit kanë menduar që një gjë të tillë t’ realizonin duke hyrë në ambientet e brendshme të supermarketit, por me gjithë përpjekjet e bëra prej tyre kjo nuk është bërë e mundur për shkak të kontrollit në hyrje të supermarketit. Më pas provohet se të gjykuarit e sipërcituar kanë vendosur që për të arritur qëllimin e tyre kriminal të përdornin një sasi tritoli të vendosur në një makinë dhe ta parkonin afër ndërtesës së firmës “Vefa”. Tritolin e kanë siguruar në Lushnjë i gjykuari Altin dhe Enkeledi. Lënda shpërthyese ka qëndruar në shtëpinë e marrë me qira, ku ndodhej dhe Fiati Tipo në të cilën i gjykuari Orik kishte menduar të vendoste tritolin. Ai kishte planifikuar për të përdorur këtë makinë, që ngjante si makinë policie dhe nuk do të lindnin dyshime. I gjykuari Orik kishte menduar që ndezjen e tritolit ta bënte i gjykuari Gentian Çaka pasi nuk e njihte askush në Tiranë se ishte nga Elbasani.
-
Në vijimësi të realizimit të planit të tyre kriminal më datë 26.02.1996 në mëngjes të gjykuarit Altin dhe Gentian si dhe shtetasi Enkeledi me Fordin Skorpion të Nikolinit kanë shkuar në vendin e kryerjes së veprës penale me gjithë tritolin e përgatitur, të cilin e kanë vendosur në pjesën e bagazhit, poshtë sediljes së prapme nga krahu i pasagjerit. Makinën nga shtëpia e ka nxjerrë i gjykuari Enkeledi deri tek Selvia ku e ka marrë dhe e ka drejtuar më pas i gjykuari Gentian, ndërsa shtetasi Enkeledi së bashku me të gjykuarin Altin kanë lëvizur me një makinën tip Ford.
-
I gjykuari Gentian e dërgon makinën sikurse ishte planifikuar, duke e parkuar atë para ndërtesës së supermarketit. I gjykuari Altin Arapi dhe shtetasi Enkeledi janë ndalur në afërsi të Prokurorisë së Përgjithshme. Pas parkimit të makinës rezulton se ai ka ardhur në këmbë dhe i gjykuari Gentian dhe se në atë moment aty kanë qenë në këmbë dhe dy persona të tjerë të paidentifikuar. I gjykuari Gentian ka komunikuar me të gjykuarin Altin Arapi të cilit i ka kërkuar që të verifikonte nëse e kishte kryer apo jo mirë detyrën e marrë për vendosjen në vendin e duhur të makinës me eksploziv. Më pas të dy të gjykuarit si dhe shtetasi Enkeledi Agaj kanë shkuar me mjetin tip Ford, pranë supermarketit Vefa dhe kanë konstatuar se makina krahasuar me thëniet e të gjykuarit Gentian, ishte e zhvendosur. Provohet se ajo gjendej në trotuar, në cep pranë kryqëzimit, në një distancë jo të afërt me supermarketin.
-
Nga hetimi gjyqësor ka rezultuar se kanë qenë rojet e supermarketit Vefa që kanë konstatuar se makina pa shofer gjendej e parkuar në vend të papërshtatshëm. Ata e kanë shtyrë atë duke e zhvendosur si më sipër u citua. I gjykuari Gentian, me urdhrin e të gjykuarit Altin e ka çuar përsëri makinën e mësipërme në afërsi të ndërtesës së Vefas, pranë disa makinave në krahun e Rrugës së Dibrës. Ky veprim është kryer prej tij rreth orës 09.00. Në këtë moment i gjykuari Gentian Çaka ka ndezur fitilin e lëndës plasëse të përgatitur që më parë dhe është larguar. Provohet se ka ndërhyrë roja i supermarketit, dëshmitari Faslli Dunga duke kërkuar që ta largonte makinën, por i gjykuari Gentian është shmangur duke i thënë se do të blinte një paketë cigaresh dhe është larguar në drejtim të Prokurorisë së Përgjithshme ku gjendeshin të gjykuarit Altin Arapi dhe shtetasi Enkeledi Agaj. Rezulton se ende pa u bashkuar të tre të gjykuarit ka shpërthyer lënda plasëse e cila ka shkaktuar jo vetëm dëme të mëdha materiale, por ka sjellë dhe pasoja të rënda në njerëzit e pranishëm.
-
Rezultoi e provuar se kanë gjetur vdekjen shtetasit Vera Dume, Muhamet Karamani, Hasim Karamani dhe Vaid Osmani si dhe janë plagosur shumë prej persona të tjerë, njëri prej të cilëve rëndë.
-
Të gjykuarit Gentian, Altin dhe shtetasi Enkeled me automjetin që drejtohej nga ky i fundit, janë larguar me shpejtësi duke kaluar nga rruga e Barrikadave tek Bulevardi Zogu I-rë, në afërsi të ish-hotel Arbërisë dhe në mënyrë të çrregullt kanë lëvizur deri tek rruga e Elbasanit. Këtu i gjykuari Gentian ka zbritur nga makina dhe është nisur për në qytetin e Elbasanit. Dy të tjerët janë kthyer dhe një herë në afërsi të vendit të ngjarjes janë bindur për pasojat e ardhura dhe kanë shkuar për t’i raportuar të gjykuarit Orik Shyti në banesën e tij dhe që aty kanë lëvizur në periferi të Tiranës në zonën e Kamzës, në banesën e të gjykuarit Gëzim Gjoni.
-
Provat e marra dhe të vlerësuara nga gjykatat janë: procesverbal i kqyerjes së vendit të ngjarjes datë 26.02.1996; dëshmia e dëshmitarit Faslli Dunga, i cili ka qenë i punësuar në supermarketin “Vefa”, me detyrë roje private; dëshmia e dëshmitarit Zenel Alimuça - bojaxhi makinash në një servis në qytetin e Vlorës. Gjatë vitit 1995 ka lyer disa makina midis të cilave dhe një tipo, një furgon të cilave u ka ndërruar ngjyrat, sipas porosive. Nuk e mban mend personin që i ka sjellë makinat.
-
Deklarimet e shtetasit Enkeledi Agaj, në hetim paraprak, me cilësinë e të pandehurit, sipas procesverbalit datë 13.10.1996. Deklarimet e të pandehurit Leart Shyti, sipas procesverbalit pa datë tetor 1996. Deklarimet e të pandehurit Nikolin Novruzaj sipas procesverbalit pa datë tetor 1996.
-
Në lidhje me këtë episod, gjykatat e faktit kanë arritur përfundime të ndryshme përsa i përket cilësimit ligjor të faktit penal. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka konkluduar se: “…Në bazë të nenit 375 të K.Pr.Penale, me provat e analizuara më sipër i jep një përcaktim ligjor të ndryshëm nga ç’ka parashtruar prokurori në kërkesën e tij për gjykim dhe në diskutimin e tij përfundimtar. Gjykata konkludon se të pandehurit e sipërcituar kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Veprave të dhunshme ndaj pasurisë” nëpërmjet dëmtimeve e shkatërrimeve masive që kanë për qëllim turbullimin e rëndë të rendit publik dhe ngjalljen e pasigurisë në masë si dhe veprën penale të “Vrasjes në lidhje me një krim tjetër” në dëm të shtetasve që gjetën vdekjen nga ky shpërthim, Vera Dume, Muhamet Karamani, Vaid Osmani dhe Hasim Karamani, të parashikuara këto nga nenet 231 dhe 77 të K.Penal. ...Në këtë përfundim arriti gjykata pasi çmon se vepra penale e parashikuar nga neni 231 i K.Penal nuk përfshin pasojën e ardhur në lidhje me vdekjen e shtetasve të sipërcituar. Gjithashtu gjykata nuk mund të aplikojë as nenin 79 pika “dh” të Kodit Penal aktual sepse në kohën e kryerjes së veprës penale nuk parashikohej kjo figurë krimi. Ndërsa përsa i përket nenit 77 të Kodit Penal ai duhet të aplikohet ndaj të pandehurve sepse pasoja e ardhur, vdekja e katër personave është lejuar prej të pandehurve të cilët ndonëse nuk e kanë dëshiruar ardhjen e kësaj pasoje në persona konkret me mënyrën e kryerjes së veprës penale të parashikuara nga neni 231 të K.Penal, me ndërgjegje të plotë kanë kryer veprën penale të parashikuar nga neni 77 të K.Penal që parashikon vrasjen me dashje në formën e ‘shoqërimit’ ose ‘pasimit’ krimit tjetër të cilin në rastin konkret ishte objekti kryesor ku drejtohej veprimtaria kriminale e të pandehurve, pra vepra penale e parashikuar nga neni 231 të K.Penal. Në këtë përfundim arriti gjykata pasi vlerëson se në rastin konkret nisur nga rrethanat e kryerjes së veprës penale dhe të pasojave të ardhura në vendin e ngjarjes veprimet kriminale të të pandehurve kanë goditur njëkohësisht dy raporte shoqërore si atë për sigurinë e rendit dhe qetësisë publike të prishura nëpërmjet veprimeve të dhunshme ndaj pasurisë si dhe jeta dhe shëndeti i njerëzve. Megjithëse qëllimi i të pandehurve ka qenë turbullimi i rëndë i rendit publik dhe ngjallja e frikës dhe e pasigurisë në masë, nëpërmjet dëmtimit dhe shkatërrimit masiv të një pasurie të zgjedhur prej tyre që do të bënte efektin më të madh për arritjen e qëllimit të tyre, siç ishte supermarketi VEFA, të pandehurit, autorë të kësaj vepre penale do të përgjigjen penalisht edhe për objektin dytësor, atë të vrasjes me dashje të personave që u gjenden rastësisht në momentin e shpërthimit. Për këtë të fundit gjykata, siç u theksua më lart konkludon se janë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 77 i K.Penal dhe se ata duhet të përgjigjen për kryerjen e kësaj vepre katër herë, aq sa viktima u provuan se u shkaktuan në shoqërinë dhe si pasojë e kryerjes prej tyre të veprës penale të parashikuar nga neni 231 të K.Penal. Veprat penale të mësipërme te pandehurit i kanë kryer në bashkëpunim në formë të organizatës kriminale, të parashikuar nga neni 28 të K.Penal aktual…”
-
Gjykata e apelit për krime të rënda ka konkluduar se:“...Në vështrim të faktit se veprimet e të pandehurve po ashtu përbëjnë shkelje të së njëjtës dispozitë të ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.02.2007 dhe sot në fuqi nën titullin “Vepra me qëllime terroriste”, apo se ligji i ri dënon po ashtu veprën penale, ky kolegj vlerëson se të pandehurit me veprimet e tyre kanë shkelur parashikimin e dispozitës së nenit 230 të Kodit Penal në fuqi. Kjo sepse vepra e shpërthimit të lëndës plasëse kundër personave V.Dume, H.Karamani, V.Osmani dhe M.Karamani duke u shkaktuar vdekjen (gërma “a” neni 230 K.Penal, dhe nëpërmjet saj edhe shkatërrimi serioz i pronës private në përmasa të mëdha (gërma “ç” neni 230 K.P) është shkaktuar me qëllim përhapjen e panikut në popullatë’, për të destabilizuar strukturën ekonomike të shtetit shqiptar. Për këtë vetë fakti i shpërthimit të lëndës me fuqi të madhe plasëse dhe dëmtuese në një qendër të banuar dhe mjaft të populluar siç ishte ambienti i dyqanit “supermarket Vefa Hollding” në qendër të kryeqytetit pikërisht në kryqëzimin e Rrugës së “Dibrës” me atë të “Barrikadave”, është tregues i qartë i dëshirës për të shkaktuar vdekjen ose plagosjen e rëndë të personave si dhe sasia e madhe e eksplozivit është njohje e dëshirës së shkatërrimit serioz të pronës private në përmasa të mëdha, çka dhe në fakt është verifikuar. Po ashtu sepse akti u krye në një qendër të tillë në ato kushte është shfaqje e padyshimtë e qëllimit të autorëve për të përhapur panik e frikë në popullatë. Gjithashtu nga prova ‘deklarim’ dt.13 dhe 21 tetor 1996, të bashkëpandehurit E.Agaj, për të cilin edhe më sipër është konkluduar se ato janë të lidhura dhe në unitet me provat e tjera të këtij procedimi që konfirmojnë vërtetësinë e tyre, merret njohja e “qëllimit për të shkatërruar struktura të shtetit shqiptar si të policisë në Ministrinë e Rendit, Presidentit të Republikës, apo kryetarit të Shërbimit lnformativ Kombëtar”. Po ashtu këto deklarime gjejnë përputhje dhe unitet me deklarimet e bashkëpandehurit në këtë procedim Nikolin Novruzaj datë tetor 1996, që i referohet të bashkëpandehurit Orik Shyti (pika 2, neni 154 K.Pr.P) se “qëllimi i organizatës ishte vjedhja e vrasja e personave që bënin padrejtësi” apo se “personi i parë për tu vrarë ishte Gazidede, kryetar i Shërbimit informativ Kombëtar”.
-
Për këtë, në vështrim të pikës 3 të nenit 3 të K.Penal, Kolegji i Apelit për Krime të Rënda çmon se vepra penale e kryer më datë 26/02/1996, kohë në të cilën ka qenë në fuqi kodi penal sipas ligjit nr.7895/1995 nën titullin “Aktet terroriste”, në dispozitën e të cilit shprehimisht parashikohej dënimi me “burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm a me vdekje”, është më pak e favorshme se dispozitat e nenit 230 të ligjit penal në fuqi që shprehimisht parashikon me ‘burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm”.
16. PËR VJEDHJEN ME ARMË TË DEGËS SË BANKËS KOMBËTARE VLORË, NË SHUMËN RRETH 2.170.000 (DY MILION E NJËQIND E SHTATËDHJETË MIJË) LEKË, DATË 18.04.1996.
-
Prokuroria e krimeve të rënda ka sjellë për gjykim të gjykuarit Orik Shyti, Altin Arapi, Nikolin Novruzaj, dhe Gentian Çaka, duke i akuzuar për veprën penale të “Vjedhjes me armë” në bashkëpunim dhe me shtetasin Enkeledi Agaj tashmë i vdekur, sipas neneve 140 dhe 28 të K.Penal.
-
Të gjykuarit Altin Arapi, Orik Shyti, Nikolin Novruzaj dhe Gentian Çaka si dhe shtetasi Enkeledi Agaj pas një studimi të detajuar të Bankës Kombëtare Tregtare Vlorë, kanë vendosur për të kryer vjedhjen e kësaj banke. Fillimisht nga ana e tyre është menduar të përdorej një mikrobuz “Volsvagen” transportier, por më pas është vendosur për të përdorur një automjet tjetër tip Renault, modeli “Espace” në ngjyrë gri me targa BG 789884, i cili do t’u shërbente të gjykuarve të sipërcituar për afrimin dhe largimin e tyre pas kryerjes së krimit. Pas realizimit të planit të tyre këtë automjet, ata do ta digjnin për të humbur gjurmët dhe transporti i mëtejshëm i tyre do të realizohej nëpërmjet një makinë tjetër “BMË” me targë 2658 C. Sipas planit të hartuar, djegia e mikrobuzit do të realizohej me një shpërthim tritoli nga i gjykuari Altin dhe shtetasi Enkeledi.
-
Pasi e kanë blerë mikrobuzin e sipërcituar të gjykuarit e kanë dërguar në Vlorë dhe fillimisht e kanë parkuar në një parking privat në rrugën Transballkanike e cila ndodhej në afërsi të banesës së të gjykuarit Nikolin. Ndërsa i gjykuari Nikolin Novruzaj duke qenë banor i qytetit të Vlorës ndodhej atje, të gjykuarit e tjerë kanë marrë masat e nevojshme duke prenotuar dy dhoma në një hotel në Skelë, disa ditë përpara ngjarjes.
-
Të gjykuarit kanë mbajtur nën vëzhgim Degën e Bankës Tregtare Kombëtare Vlorë dhe më datë 18.04.1996, në mesditë kanë konstatuar se aty kanë ardhur makina të kompanisë Vefa për të bërë dorëzimin e parave të mbledhura me fajde nga qytetarët.
-
I gjykuari Orik Shyti e shtetasi Enkeledi Agaj kanë qenë të armatosur me armë automatike, kallashnikovë, ndërsa të gjykuarit e tjerë me pistoletë. Gjithashtu Enkeledi ka qene i pajisur dhe me një antiplumb, ndërsa në momentin e kryerjes së veprës penale kanë qenë të maskuar me maska. I gjykuari Orik Shyti ka hyrë i pari në ambientet e bankës dhe menjëherë pas tij janë futur të gjykuarit e tjerë. I fundit ka qenë shtetasi Enkeledi Agaj. Roja i bankës, dëshmitari Thanas Pasko ka reaguar menjëherë duke tentuar të mbushë armën, por në këtë moment ai është qëlluar me breshëri nga i gjykuari Orik. Të gjykuarit e tjerë kanë kapërcyer sportelet e bankës dhe me shpejtësi kanë arritur të marrin një shumë lekësh e cila ka qenë në monedha të ndryshme me vlerë totale rreth 2.170.000 (dy milionë e njëqind e shtatëdhjetë mijë) lekë. Pas marrjes së parave të gjykuarit janë larguar me shpejtësi nga mjediset e brendshme të bankës dhe nëpërmjet një mikrobuzi tip “Renault”, model “Espace” janë larguar nëpër rrugica e pasi kanë mbërritur në afërsi të shkollës “Ali Demi” kanë zbritur nga mikrobuzi. Ndërsa të gjykuarit e tjere kanë hipur tek automjeti tip BMË, shtetasi Enkelejd ka spërkatur me benzinë mikrobuzin dhe i ka vënë flakën. Të gjykuarit kanë vepruar në shpejtësi, aq sa i gjykuari Altin Arapi provohet se duke qenë më mbrapa të tjerëve, nuk ka arritur të marrë në kohë një prej çantave ku gjendeshin paratë e për rrjedhojë ajo ka marrë flakë. I gjykuari Altin ka bërë përpjekje për marrjen e parave që gjendeshin në çantë dhe ka arritur të marrë pjesën më të madhe të tyre, por më pas në vendngjarje janë gjetur aty shuma prej 500.000 lekësh së bashku me dy doreza të përdorur nga të gjykuarit.
-
Të gjykuarit duke udhëtuar me makinën tip BMË, janë larguar për në shtëpinë e të gjykuarit Nikolin dhe kur kanë mbërritur aty kanë numëruar sasinë e parave të vjedhura. I gjykuari Orik, duke marrë në konsideratë kursin e këmbimit të valutës, ka bërë ndarjen e shumës së vjedhur mes të gjykuarve.
-
I gjykuari Orik është larguar për në Tiranë, pa marrë pjesën e parave me vete dhe të nesërmen është kthyer përsëri në Vlorë i shoqëruar nga i gjykuari Gëzim Gjoni, me një automjet tip benz me targa TR 7053 C. Të gjykuarit pasi kanë futur në një thes çimentoje, shumën e parave të vjedhura në Bankë e kanë vendosur atë në një maune të ngarkuar me çimento duke e stivuar mes thasëve të tjerë.
-
Do'stlaringiz bilan baham: |