VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 10.03.2016, çështjen administrative që i përket:
PADITËSE: NADO LILAJ (ABAZAJ)
E PADITUR: AGJENCIA E KTHIMIT DHE KOMPESIMIT TË PRONAVE
OBJEKTI:
Kërkohet shfuqizimi tërësisht i aktit administrativ
që ka cënuar interesin e ligjshëm personal të trashëgimtarëve të familjes Lilaj.
Baza Ligjore: Nenet 154, 156 të Kodit të Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë,
nenet 7/a, 17 a, 15 a, 16/1 të ligjit 49/2012
“Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative
dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
ligji nr.9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompesimin e pronës”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin nr.298 datë 19.02.2015, ka vendosur:
“Shpalljen e moskompetencës lëndore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë për gjykimin e çështjes civile me nr.2563 Rregj Them datë 29.10.2014. Dërgimin e akteve Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë si gjykatë kompetente për shyrtimin e kësaj çështje”.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Vlorë me vendimin nr.1765 datë 22.12.2015, ka vendosur:
“Moskompetencën tokësore të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë për gjykimin e çështjes civile me nr.1926 akti datë rregjistrimi 09.11.2015 dhe dërgimin e kësaj kërkesë padie së bashku me aktet që e shoqërojnë pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë”.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin nr.1558 akti datë 16.02.2016, ka vendosur:
“Të parashtrojë çështjen e mosmarrëveshjes për kompetencë përpara Gjykatës së Lartë për gjykimin e çështjes me nr.1558 akti me palë paditëse Nado Lilaj.
Urdhërohet sekretaria gjyqësore të njoftojë këtë vendim, Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë dhe Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë”.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, bazuar në nenin 7, 11, 13, 25 të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i është drejtuar Gjykatës së Lartë duke ngritur çështjen e mosmarrëveshjes në lidhje me kompetencën lëndore dhe tokësore të shqyrtimit të çështjes, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë në vijim të verifikimit të kompetencës lëndore dhe asaj tokësore vëren se nuk është kompetente për gjykimin e çështjes referuar jo vetem objektit të kërkesë padisë por edhe mënyrës së përcaktimit të saj.
-
Referuar nenit 11/3 të ligjit 49/2012 rezulton se nga ana e palës paditëse është paraqitur një padi e cila ka në thelb të saj mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ligjshëm, që rrjedhin nga sendet e paluajtshme si dhe të luajtshme. Nga hetimi gjyqësor rezulton se pasuria e paluajtshme e pretenduar prej palës paditëse ndodhet në qytetin e Vlorës.
-
Duke qënë se kërkimet parashtruar në kërkesë padi lidhen me mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ligjshëm, që rrjedhin nga sendet e paluajtshme kjo gjykatë çmon se nuk është kompetente për gjykimin e kësaj çështje për shkak të mungesës së kompetencës lëndore dhe tokësore. Në këto kushte kompetente për gjykimin e kësaj çështje nuk është Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë.
-
Sipas vendimi Unifikues nr.4 datë 10.12.2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, Gjykata Administrative nuk ka kompetencë për shqyrtimin e vlefshmërisë së vendimeve të AKKP”.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin e gjyqtares Arjana Fullani, si dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore rezulton se, paditësja Nado Lilaj është trashëgimtare e ligjore e të ndjerit Kamber Lilaj. Duke pretenduar të drejta pronësie mbi pasuri të paluajtshme paditësja i është drejtuar me kërkesë Agjencisë së Kthimit dhe Kompesimit të Pronave Tiranë.
2. Me shkresën nr.3063 datë 22.10.2014 Agjencia e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave Tiranë i ka kthyer përgjigje palës paditëse duke e vënë në dijeni se: “...Aktualisht A.K.K.P është në proces inventarizimi dhe dixhitalizimi arkivor. Ndërkohë dosja nr.797 datë 07.07.2008 në emër të subjektit Kamber Lilaj ndodhet në trajtim në Sektorin e Shqyrtimit për Qarqet Vlorë, Fier e Gjirokastër. Në këto kushte AKPP në zbatim të ndryshimeve të ligjit 9235/29.07.2004 ‘Për Kthimin dhe Kompesimit e Pronave” shqyrton sipas rradhës të gjitha kërkesat e pashqyrtuara nga ish zyrat rajonale të kthimit dhe kompensimit të pronave në qarqe..”. Pala paditëse ka kundërshtuar shkresën e mësipërme.
3. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin nr.298 datë 19.02.2015, ka vendosur: “Shpalljen e moskompetencës lëndore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë për gjykimin e çështjes civile me nr.2563 Rregj Them datë 29.10.2014. Dërgimin e akteve Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë si gjykatë kompetente për shyrtimin e kësaj çështje”.
3.1. Arsyetimi i gjykatës: “Bazuar në nenin 7 të ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” kemi të bëjmë me mosmarrëveshje që lindin për shkak të ndërhyrjes së paligjshme ose mosveprimit të organit publik. Duke qënë se pretendimi i palës paditëse lidhet me mosverpimin e palës së paditur, gjykata vlerëson se nuk ka kompetencë lëndore në gjykimin e kësaj çështjeje”.
4. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Vlorë me vendimin nr.1765 datë 22.12.2015, ka vendosur: “Moskompetencën tokësore të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë për gjykimin e çështjes civile me nr.1926 akti datë rregjistrimi 09.11.2015 dhe dërgimin e kësaj kërkesë padie së bashku me aktet që e shoqërojnë pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë”.
4.1 Arsyetimi i gjykatës: “Gjykata çmon, se në rastin konkret ndodhemi përpara kërkimeve me detyrime veprimi ndaj palës së paditur AKKP-së Tiranë, në lidhje me kompetencën dhe detyrimin e saj për të marrë në shqyrtim aktet e një natyre të veçantë, të cilat nga nayra e tyre janë quajtur “quazi gjyqësore”. Në lidhje me natyrën jurdike të konflikteve civile në lidhje me këtë çështje Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në vendimin e tyre Unifikues Civil me nr.4, datë 10.12.2013 janë shprehur se: “ Kur në objektin e gjykimit kundërshtohet vendimi i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave apo Agjencisë Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, kjo çështje do të konsiderohet si mosmarrëveshje civile dhe do të shyrtohet nga gjykata që ka kompetencë gjykimin e mosmarrëveshjeve civile.
Gjykata në referencë të nenit 13 të ligjit me nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimnin e mosmarrveshjeve administrative” kompetencën lëndore dhe funksionale e ngre edhe kryesisht në çdo gjendje dhe shkallë gjykimi.
Referuar kërkesë padisë dhe akteve shoqëruese të saj të paraqitura nga pala iniciuse e këtij procesi gjyqësor konstatohet se në rastin konkret kompetente për gjykimin e këtyre lloj padive është Gjykata Civile e Rrethit Gjyqësor dhe konkretisht, në rastin tonë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, por nisur nga fakti se nga ana e kësaj gjykate vlerësohet se kompetente nga pikpamja tokësore është Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë mbi bazë edhe të kërkesës së Avokaturës së Shtetit Zyra Vendore Vlorë, vendosi në mbështetje të nenit 11/1 të ligjit me nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e mosmarrveshjeve administrative” t’ia dërgojë aktet që shoqërojnë këtë kërkesë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe nëse ajo gjykatë vlereson se duhet të ngrejë pranë Kolegjit Administrate të Gjykatës së Lartë konfliktin për mosmarrveshjen e kompetencave është e drejtë legjitime e saj t’i drejtohej këtij kolegji".
5. Nga ana e Avokaturës së Shtetit është kërkuar shpallja e moskompetencës lëndore për shqyrtimin e kësaj çështje nga ana e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
6. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin nr.1558 akti datë 16.02.2016, ka vendosur: “Të parashtrojë çështjen e mosmarrëveshjes për kompetencë përpara Gjykatës së Lartë për gjykimin e çështjes me nr.1558 akti me palë paditëse Nado Lilaj.
Urdhërohet sekretaria gjyqësore të njoftojë këtë vendim, Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë dhe Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë”.
6.1 Arsyetimi i gjykatës: “Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë në vijim të verifikimit të kompetencës lëndore dhe asaj tokësore vëren se nuk është kompetente për gjykimin e çështjes referuar jo vetem objektit të kërkesë padisë por edhe mënyrës së përcaktimit të saj.
Referuar nenit 11/3 të ligjit 49/2012 rezulton se nga ana e palës paditëse është paraqitur një padi e cila ka në thelb të saj mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ligjshëm, që rrjedhin nga sendet e paluajtshme si dhe të luajtshme. Nga hetimi gjyqësor rezulton se pasuria e paluajtshme e pretenduar prej palës paditëse ndodhet në qytetin e Vlorës.
Gjykatat gjatë shqyrtimit të çështjeve që u shtrohen për gjykim, kanë detyrimin të vlerësojnë dhe të marrin parasysh të gjithë përmbajtjen e akteve proceduriale, të identifikojnë shkakun ligjor të kërkimeve në mënyrë që të mund të japin vendime të drejta për to. Sa më sipër është shprehur qartë dhe në vendimin Unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.3/2012. Duke qënë se kërkimet parashtruar në kërkesë padi lidhen me mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ligjshëm, që rrjedhin nga sendet e paluajtshme kjo gjykatë çmon se nuk është kompetente për gjykimin e kësaj çështje për shkak të mungesës së kompetencës lëndore dhe tokësore. Në këto kushte kompetente për gjykimin e kësaj çështje nuk është Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë.
Sipas vendimi Unifikues nr.4 datë 10.12.2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, Gjykata Administrative nuk ka kompetencë për shqyrtimin e vlefshmërisë së vendimeve të AKKP”.
LIGJI I ZBATUESHËM
7. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
7.1 Neni 42/2: “Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetuese dhe ligjore ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj”.
8. Ligji nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
8.1 Neni 1/2: “Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe”;
8.2 Neni 7: “Kompetenca lëndore” përcakton: Gjykatat administrative janë kompetente për:
a) mosmarrëveshjet që lindin nga aktet administrative individuale, aktet nënligjore normative dhe kontratat administrative publike, të nxjerra gjatë ushtrimit të veprimtarisë administrative nga organi publik;
b) mosmarrëveshjet që lindin për shkak të ndërhyrjes së paligjshme ose të mosveprimit të organit publik;
c) mosmarrëveshjet e kompetencave ndërmjet organeve të ndryshme administrative në rastet e parashikuara nga Kodi i Procedurave Administrative;
ç) mosmarrëveshjet në fushën e marrëdhënieve të punës, kur punëdhënësi është organ i administratës publike;
d) kërkesat e paraqitura nga organet administrative për shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative, për të cilat ligji parashikon heqjen e lirisë deri në 30 ditë, si një lloj të dënimit administrativ për kundërvajtësin;
dh) kërkesat e paraqitura nga kundërvajtësit për zëvendësimin e dënimit administrativ me heqje lirie deri në 30 ditë me dënimin me gjobë.
8.3 Neni 13/5 përcakton se: “Gjykata me kërkesë të palëve ose kryesisht, ngre çështjen e mosmarrëveshjes me vendim të arsyetuar, me të cilin i paraqet Gjykatës së Lartë kopjen e akteve të nevojshme për zgjidhjen e saj. Gjykata, që ka dhënë vendimin, njofton menjëherë gjykatën në mosmarrëveshje. Vendimi për ngritjen e mosmarrëveshjes, së bashku me aktet, i dërgohet Gjykatës së Lartë brenda 5 ditëve”.
9. Kodi i Procedurës Civile;
9.1 Neni 32 i Kodit të Procedurës Civile: “Padia mund të ngrihet:
a) për të kërkuar rivendosjen e një të drejte ose interesi të ligjshëm që është shkelur;
b) për vërtetimin e qenies ose mosqenies së një marrëdhënie juridike ose një të drejte;
c) për njohjen e vërtetësisë ose pavërtetësisë së një dokumenti me pasoja juridike për paditësin.
10. Vendimi unfikues nr.4, datë 10.12.2013 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON SE:
11. Vendimi nr.298, datë 19.02.2015 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë që ka shpallur moskompetencën lëndore për shqyrtimin e çështjes objekt gjykimi dhe dërgimin e saj për gjykim, Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, është një vendim i marrë në zbatim të gabuar të ligjit. Gjithashtu dhe vendimi nr.1765 datë 22.12.2015 i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë është marrë në zbatim të gabuar të ligjit. Për këtë shkak, këto vendime duhet të prishen dhe çështja të dërgohet për gjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.
12. Kolegji Administrativ i Gjykatë së Lartë, referuar llojit të mosmarrëveshjes dhe kohës së shqyrtimit të saj, konstaton se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka gabuar në zbatimin e ligjit procedural. Kjo gjykatë nuk duhet të shpallte moskompetencën e saj nga pikëpamja lëndore duke referuar në dispozitat e ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” dhe dispozitat e Kodit të Procedurës Civile.
13. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, shkaqet që ngrihen në vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë janë të bazuara në ligj, prandaj ka arsye ligjore që vendimet e dhëna nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Vlorë të cënohen.
14. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson të nënvizojë se, në kuptimin e së drejtës procedurale, kompetenca lëndore është një kusht i domosdoshëm procedural, që bën të vlefshëm procesin gjyqësor, si dhe të gjitha aktet e marra në administrim gjatë zhvillimit të tij, në kuptimin që një gjykatë jokompetente nuk mund të kryejë asnjë veprimtari procedurale dhe një gjykatë jokompetente duhet të deklarojë moskompetencën e saj, (neni 61 K.Pr.Civile, neni 7 i Ligjit 49/2012).
15. Çështja e kompetencës konsiderohet e një rëndësie të veçantë në respektim të zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor. Gjykata në çdo shkalle gjykimi ka të drejtë të marrë në shqyrtim dhe të vendosë në lidhje me kompetencën e saj lëndore apo tokësore përpara se të gjykojë çështjet që i paraqiten nga palët për shqyrtim. Kjo e drejtë e gjykatës për të vepruar edhe kryesisht është e lidhur drejtpërsëdrejti me zbatimin dhe respektimin e parimit të një procesi të rregullt ligjor të sanksionuar në nenin 42/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në nenin 6 të KEDNJ. Nëse një gjykatë nuk ka juridiksion/kompetencë për të gjykuar çështjen objekt shqyrtimi, në përputhje me dispozitat që zbatohen sipas legjislacionit përkatës nuk mund të kryejë asnjë veprim procedural.
16. Kompetenca lëndore, përcakton për çdo gjykatë të veçantë, se, në çfarë rastesh dhe në lidhje me çfarë mosmarrëveshjesh ajo ka pushtet për të gjykuar, duke përcaktuar qartë rrethin e mosmarrëveshjeve që i është njohur e dhënë asaj për ta gjykuar. Ndarja e kompetencës, është përcaktuar qartë në Ligjin nr.9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, në Ligjin nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” dhe në Kodin e Procedurës Civile.
17. Gjykata, në përcaktimin e kompetencës lëndore, i referohet natyrës së mosmarrëveshjes që i shtrohet për gjykim, nëse ajo është e natyrës civile apo administrative. Për identifikimin e saj, gjykata i referohet shkakut ligjor të kërkimeve të paditësit, të parashtruara në kërkesëpadi ashtu dhe gjatë gjykimit, natyrës së çështjes, si dhe statusit juridik të palëve që marrin pjesë në këtë gjykim, si dhe bën lidhjen midis fakteve që pretendohen prej paditësit se kanë ngjarë, të drejtave apo interesave që ai pretendon se i janë cënuar, si dhe ligjin e zbatueshëm për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje.
18. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në lidhje me çështjen objekt gjykimi, në shqyrtim të akteve të ndodhura në dosjen gjyqësore, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve dhe kërkimeve të parashtruara prej paditësit në aktet procedurale, qëndrimit të ngritur nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, dhe në interpretim të dispozitave të Ligjit nr.49/2012 të zbatueshme, çmon se, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë nuk e kanë kuptuar drejtë natyrën e vërtetë të mosmarrëveshjes dhe qëllimin e vërtetë të këtij gjykimi.
19. Pala paditëse në këtë gjykim ka kërkuar në objektin e padisë: Shfuqizimin e aktit administrativ që ka cënuar interesin e ligjshëm personal të trashëgimtarëve të familjes Lilaj, por pa specifikuar aktin administrativ që pretendon se duhet të shfuqizohet. Nga përmbajtja e padisë rezulton se pala paditëse kundërshton duke e konsideruar si akt administrativ shkresën nr.3063 datë 22.10.2014 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompesimit të Pronave Tiranë dhe kërkon në përmbajtje njohjen e të drejtës së pronësisë.
20. Në analizë të këtij kërkimi, si dhe shkakut ligjor të tij, rezulton se jemi para rastit ku subjekti i interesuar në cilësinë e paditësit në këtë gjykim, i është drejtuar gjykatës duke kundërshtuar një shkresë e cila nuk plotëson kushtet ligjore për t’u konsideruar si akt administrativ. Në nenin 2 të ligjit 49/2012 jepet koncepti i aktit administrativ, ku përcaktohet se: “Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime: 1 ."Akt administrativ" është çdo akt administrativ individual dhe çdo akt nënligjor normativ. 2. "Akt administrativ individual" është çdo vullnet i shprehur nga organi publik, në ushtrim të funksionit të tij publik, ndaj një ose disa subjekteve individualisht të përcaktuara të së drejtës, që krijon, ndryshon ose shuan një marrëdhënie juridike konkrete...”. Nga përmbajtja e shkresës rezulton se AKKPP i ka kthyer përgjigje paditëses se kërkesa e saj do të shqyrtohet nga sektori përkatës por pa disponuar për njohjen apo refuzimin e vet të drejtës. Pra ky kërkim pavarësisht mënyrës së formulimit, rezulton të jetë i natyrës civile dhe si i tillë, duhet të gjykohet nga gjykata civile.
21. Kolegji Administrativ çmon të theksojë se ky lloj gjykimi, i cili lidhet me të drejta subjektive dhe synon njohjen e të drejtës së pronës, kthimin apo kompensimin në vlerë për pronën që nuk mund të kthehet, mund të bëhet vetëm nga gjykatat e zakonshme civile. Kërkesë padia për të detyruar Angjensinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të marrë një vendim në lidhje me njohjen e të drejtës së pronës nuk parashtron në gjykatë nevojën e zgjidhjes së një mosmarrveshje administrative.
22. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, konstaton se AKPP Tiranë, është thirrur në këtë gjykim me cilësinë e palës së paditur dhe për këtë arsye, në rastin objekt shqyrtimi, ky organ shtetëror nuk është duke ushtruar pushtet shtetëror apo publik. Në këto kushte, mosmarrëveshja objekt shqyrtimi, nuk lidhet as me veprimtari administrative në kuptim të nenit 2 të K.Pr.Administrative, dhe as me veprimtarinë e një organi publik, në kuptim të nenit 3 të po këtij Kodi, si edhe nenit 2, pika 6 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykata administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.
23. Çështja objekt shqyrtimi, ka në thelb të saj shqyrtimin e një mosmarrëveshjeje të natyrës civile, njohjen e të drejtës së pronës, për rrjedhojë gjykimi i saj i nënshtrohet rregullimeve të parashikuara në Kodin Civil, ligjin e posaçëm nr.9325 datë 29.07.2004 "Për kthimin dhe kompesimin e pronave" i ndryshuar dhe në Kodin e Procedurës Civile. Kjo çështje nuk i përket asnjë prej parashikimeve ligjore të përcaktuara në nenin 7 të Ligjit nr.49/2013 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, por gjen mbështetje tek neni 8 gërma “b” të po këtij ligji, në të cilën pasqyrohet se: “Gjykata Administrative nuk shqyrton mosmarrëveshjet:... b) shqyrtimi i të cilave, sipas legjislacionit në fuqi, është në kompetencën e një gjykate tjetër”, kjo çështje nuk është e natyrës administrative dhe si e tillë, nuk është në kompetencën lëndore të Gjykatave Administrative.
24. Sa më sipër, është në përputhje edhe me qëndrimin unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë në vendimin nr.4, datë 10.12.2013, ku shprehimisht thuhet: ““... gjykimet me objekt kundërshtim të vendimit të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronës apo të Agjencisë Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk janë gjykime që përfshihen në rrethin e atyre çështjeve që i përkasin fushës administrative, por mosmarrëveshje të natyrës civile, në të cilat subjekti pretendues kërkon të drejtën e pronës mbi një send të paluajtshëm, duke paraqitur për këtë qëllim prova në mbështetje të kësaj të drejte, ... Në këto gjykime, gjykata zhvillon një gjykim themeli lidhur me titullin e pronësisë duke ndryshuar apo shfuqizuar vendimin e K.K.K.Pronave apo A.K.K.Pronave, si dhe duke zgjidhur në themel këtë konflikt që është një konflikt pronësie, pra i natyrës civile...”..
25. Kompetencë territoriale për të gjykuar këtë çështje e ka Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, në zbatim të nenit 45 të K.Civil, pasi në Vlorë ndodhet pasuria e paluajtshme.
26. Për sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson të prishi vendimin nr.298, datë 19.02.2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe vendimin nr.1765 datë 22.12.2015 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë veta dërgojë këtë çështje për gjykim Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të ligjit nr.49/2012 duke u bazuar në 13/6 të ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative”.
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.298, datë 19.02.2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe të vendimit nr.1765 datë 22.12.2015 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë dhe dërgimin e çështjes për gjykim Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Tiranë, më 10.03.2016
Nr. 31003-00230-00-2016 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-2037 i Vendimit
Do'stlaringiz bilan baham: |