VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga :
Ardian Nuni Kryesues
Aleksandër Muskaj Anëtar
Tom Ndreca Anëtar
në dhomën e këshillimit datë 18.03.2016 mori në shqyrtim çështjen civile, që u përket palëve:
PADITËS: THIANO ASANAJ
I PADITUR: PANDELI KAÇI
FATMIR QORRI
KASTRIOT QORRI
PERSON I TRETË: DREJTORIA RAJONALE ALUIZNI VLORË
OBJEKTI:
Lirim dhe dorëzim sendi, ullishte me sipërfaqe 1500 m2
e ndodhur në Zonën Kadastrale 8602
me nr.Pasurie 20/29, 20/30 “Ujë i Ftohtë”.
Baza Ligjore: Neni 296 i Kodit Civil, neni 32 i K.Pr.C.
Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin nr.1499, datë 15.07.2015, ka vendosur:
“Shpalljen e moskompetencës lëndore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë për shqyrtimin e kundërpadisë me kundërpaditës Pandeli Kaçi dhe të kundërpaditur Thiano Asanaj me objekt “Lirim dhe dorëzim sendi i sip. 1500 m2 ullishte e ndodhur në zonën kadastrale 8602, me nr.pasurie 20/29, 20/30 Uji i Ftohtë. ”
2. Veçimin e shqyrtimit të padisë nga kundërpadia vetëm për efekt të kompetencës.
3. Dërgimin për shqyrtim të kundër-padisë me kundërpaditës Pandeli Kaci dhe të kundërpaditur Thiano Asanaj, Gjykatës Administrative të Shkalles se Parë Vlorë, si gjykatë kompetente nga pikëpamja e kompetencës lëndore për shqyrtimin e saj...”.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin përkatës dhe si bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES.
-
Paditësja Thiano Asanaj rezulton t’i jetë drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë me kërkesëpadi me objekt lirim dhe dorëzim sendi, ullishte me sipërfaqe 1500 m2 e ndodhur në Zonën Kadastrale 8602 me nr.pasurie 20/29, 20/30 “Ujë i Ftohtë”.
-
Paditësja Thiano Asanaj pretendon lirimin dhe dorëzimin e sendit që pretendon se është në pronësi të saj. Si titull të fitimit të pronësisë mbi pasurinë sipërfaqe tokë ullishte e ndodhur në “Ujë të Ftohtë” Vlorë ZK 8602, nr.pasuri 20/29, 20/30 pala paditëse identifikon Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi në përputhje me Ligjin nr.7501, datë 19.07.1991. AMTP-ia mban datën 08.05.2000 me nr.20803 rregj. lëshuar nga Bashkia Vlorë në favor të Thiano Asanaj. Kjo tokë pretendohet të jetë fituar nga paditësja në cilësinë e punonjëses së ish-NB Vlorë. Pavarësisht kësaj paditësja pretendon se nuk e ka ushtruar ndonjeherë posedimin dhe gëzimin mbi këtë pasuri, pasi ajo është zënë sipas saj në mënyrë të paligjshme nga tre të paditurit, pa autorizimin e kësaj të fundit. Paditësja pretendon të ketë kërkuar zgjidhjen e çështjes me marrëveshje me të paditurit ashtu edhe kërkuar zgjidhjen në rrugë administrative, por në kushtet e mosgjetjes së zgjidhjes së pretenduar paditësja ka ushtruar padi për zgjidhjen gjyqësisht të mosmarrëveshjes.
-
Në datën 01.07.2015 pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë është paraqitur “Kundërpadi” nga i padituri Pandeli Kaçi. Në të kundërpaditet paditësja Thiano Asanaj. Objekti i saj është:
-
"Lirim dhe dorëzim sendi i sip. 1500 m2 ullishte e ndodhur në zonën kadastrale 8602, me nr.pasurie 20/29, 20/30 Uji i Ftohtë. ”
-
bazuar në nenet 168, 169, 296, 304 dhe 309 të Kodit Civil dhe Ligjit nr.9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin e ndërtimeve pa leje” i ndryshuar.
-
Me kundërpadinë pretendohet nga Pandeli Kaçi se paditësja i ka shitur atij një pjesë të pronës objekt padie. Kjo pronë sipas kundërpaditësit i është blerë motrës së tij (Thiano Asanaj) megjithëse kjo e fundit nuk kishte titull pronësie në lidhje me të (shiko përmbajtjen e kundërpadisë) dhe në të ka ndërtuar një shtëpi banimi të cilën e ka gëzuar dhe poseduar qetësisht preej 21 vjetësh, ashtu sikurse është parashikuar në nenin 168 dhe 169 të Kodit Civil. Në lidhje me këtë ndërtim kundërpaditësi ka bërë edhe aplikim për legalizim për sipërfaqen 400 m2 dhe parcelën rreth saj. Pasuria e pretenduar nga pala paditëse është pasuri shtet, brenda vijës së verdhë të qytetit dhe për këtë arsye AMTP-ja në emër të paditëses Thiano Asanaj datë 08.05.2000 nr.rregj 20803 lëhsuar nga Bashkia Vlorë është akt absolutisht i pavlefshëm. (për më tepër shiko kundërpadinë)
-
Referuar përmbajtjes së kërkesëpadisë së paraqitur për shqyrtim nga ana e të paditurit Pandeli Kaçi, praktikës unifikuese të Gjykatës së Lartë, si dhe duke e vlerësuar në unitet me kuadrin ligjor të së drejtës pozitive të detyrueshme për zbatim nisur nga vetë specifikat dhe rrethanat që paraqet kundërpadia duhet të shqyrtohet së bashku me padinë, por ndërkohë arrihet në përfundimin se kundërpadia është në kompetencën lëndore të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë.
II. PROCEDURA
-
Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë , me vendimin nr.1499, datë 15.07.2015, ka vendosur :
“Shpalljen e moskompetencës lëndore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë për shqyrtimin e kundërpadisë me kundërpaditës Pandeli Kaçi dhe të kundërpaditur Thiano Asanaj me objekt “Lirim dhe dorëzim sendi i sip. 1500 m2 ullishte e ndodhur në zonën kadastrale 8602, me nr.pasurie 20/29, 20/30 Uji i Ftohtë. ”
2. Veçimin e shqyrtimit të padisë nga kundërpadia vetëm për efekt të kompetencës.
3. Dërgimin për shqyrtim të kundër-padisë me kundërpaditës Pandeli Kaci dhe të kundërpaditur Thiano Asanaj, Gjykatës Administrative të Shkalles se Parë Vlorë, si gjykatë kompetente nga pikëpamja e kompetencës lëndore për shqyrtimin e saj...”.
Kjo gjykatë në vendimin e sipërcituar ka arsyetuar se: “ ... Nga identifikimi i elementëve të kundërpadisë dhe për pasojë të elementëve të marrëdhënies juridiko- materiale të cilave u referohet kjo kërkesë për mbrojtje gjyqësore në rastin objekt shqyrtimi, rezulton se:
Së pari, një nga pretendimet në themel të kundërpadisë është kundërshtimi i AMTP-së datë 08.05.2000 nr.20803 lëshuar nga Bashkia Vlorë. Kjo rezulton në përmbajtje apo në pjesën “shpjeguese” të aktit të kundërpadisë. Pavarësisht parashtrimit në këtë pjesë të aktit, kjo e fundit sipas përcaktimeve unifikuese të Gjykatës së Lartë vlerësohet pjesë e objektit të kundërpadisë dhe përbën një nga kërkimet të cilave gjykata duhet t’u japë zgjidhje në kuadër të shqyrtimit të kundërpadisë. Më konkretisht vendimi unifikues që vendoset në zbatim në këtë vlerësim është Vendimi nr.3/2012 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë: “Objekti i padisë (petitum) është ajo që kërkohet nëpërmjet paraqitjes së kërkesëpadisë në gjykatë dhe, që ka të bëjë me vendimmarrjen që i kërkohet gjykatës.
...Referuar sa më sipër, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë vlerësojnë se përgatitja dhe gjykimi e zgjidhja e çështjes nuk mund të bazohet vetëm mbi atë që formalisht shkruhet në pjesën hyrëse të kërkesëpadisë e që emërtohen “objekti i padisë" dhe “baza ligjore" e saj. Gjykata kur zgjidh mosmarrëveshjen merr në shqyrtim pretendimet e paditësit të cilat parashtrohen në kërkesëpadi si dhe gjatë ushtrimit të së drejtave që rrjedhin nga procesi, duke mbajtur parasysh se konform neneve 5, 31, 154 e 185 të K.Pr.C. objekti i padisë dhe shkaku i saj nuk përmblidhen domosdoshmërisht vetëm në pjesën hyrëse të kërkesëpadisë. Gjykata ka detyrimin të vlerësojë dhe të marrë parasysh të gjithë përmbajtjen e padisë dhe të identifikojë kërkimet e paditësit, në mënyrë që të mund të japë një vendim për to. ”
Së dyti, Vendimi unifikues nr.2, datë 10.03.2014 të i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë ka përcaktuar se:
“...Këto Kolegje theksojnë se aktet e marrjes së tokës në pronësi janë akte administrative të një natyre individuale...sa më sipër edhe mosmarrëveshjet që burojnë nga aktet e marrjes së tokës në pronësi, që kanë të bëjnë me kundërshtimin e tyre janë të natyrës administrative, pavarësisht natyrës civile të pasojave që akti i dhënies së tokës në pronësi apo përdorim ka sjellë për palët e interesuara. ”
Në zbatim të këtij vendimi, pretendimi i palës kundërpaditëse për rivendikim bazohet ndër të tjera në kundërshtimin me pavlefshmëri absolute të AMTP-së datë 08.05.2000 nr.20803 lëshuar nga Bashkia Vlorë, akt mbi të cilin ndër të tjera bazohet edhe pretendimi për rivendikim si akti “titull i pronësisë” nga paditësja Thiano Asanaj.
...Në kushtet kur nga ana e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë me vendimin unifikues administrativ nr.3, datë 06.12.2013 rezulton të jetë përcaktuar se: “Gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës gjykimit.” arrihet në përfundimin se kundërpadia objekt apo shkallës së gjykimi me datë regjistrimi 01.07.2015 nuk është në kompetencë lëndore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe ajo duhet t’i kalojë për shqyrtim Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë.
Së treti, Veçimi i shqyrtimit të padisë nga kundërpadia bazohet në Vendimin unifikues nr.3/2014 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Nëse në një gjykim civil paraqitet një kundërpadi e natyrës administrative, gjykata që po shqyrton padinë nuk mund të shqyrtojë këtë kërkim të të paditurit për shkak të mungesës së kompetencës lëndore të Gjykatës që po shqyrton padinë.”.
Kundër këtij vendimi ka paraqitur ankim të veçantë paditësi Thiano Asanaj, përfaqësuar nga av. Atrida Demiraj duke kërkuar: “Prishjen e vendimit nr.1499 , datë 15.07.2015 të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë dhe dërgimin e çështjes për vazhdimin e gjykimit pranë kësaj gjykate”. Në shkaqet e përmendura në parashtresën e Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë veçohen:
-
Gjykata ka gabuar kur ka deklaruar moskompetencën lëndore për gjykimin e kundërpadisë së të paditurit Pandeli Kaçi dhe dërgimin e saj Gjykatës Admninistrative të Shkallës së Parë Vlorë.
-
Gjykata nuk ka përcaktuar saktë natyrën juridike të mosmarrëveshjes dhe shkakun e lindjes së saj, duke bërë një identifikim të gabuar të elementëve dhe kritereve ligjore që shërbejnë për përcaktimin e gjykatës kompetente. Vendimi i Gjykatës që ka shpallur moskompetencën lëndore është i padrejtë, pasi objekti i kundërpadisë të paraqitur nga i padituri Pandeli Kaçi është : “Lirim dhe dorëzim i sendit, ullishte me sipërfaqe 1500 m2 e ndodhur në zonën kadastrale 8602 m,e nr.pasurie 20/29/20/30 , “Uji i Ftohtë”.
-
Për rrjedhojë në rastin objekt gjykimi jemi përpara një padie pronësie dhe nuk jemi para një mosmarrëveshje që ka lindur nga aktet administrative individuale , aktet nënligjore normative,por mosmarrëveshja është e natyrës tërësisht civile.
-
Në vendimin e saj gjykata duke iu referuar vendimit unifikues nr.3 datë 29.03.2014 arsyeton se edhe pse objekti i kundërpadisë është lirim dhe dorëzim sendi prapë nga përmbajtja e kësaj kundërpadie i padituri kundërshton aktin normativ AMTP dhe si rrjedhojë ky kërkim ka natyrë administrative. Ky arsyetim është i gabuar pasi i padituri kundërpaditës qoftë në padi përmbajtjen e saj qoftë në bazën ligjore ka përcaktuar qartë objektin e padisë që është lirim dorëzim sendi dhe mbi të gjitha nuk është që detyrë e gjykatës të përcaktojë apo të hamendësoj se cili është objekti i padisë , por vetëm të orientojë palët në kërkimet tyre kur këto kërkime janë të paqarta , por jo të vendos apo të ndryshojë bazën ligjore apo objektin pa kërkesën e palës.
-
Faktin se kërkimet në kundërpadi janë me natyrë civile provohet në fund të kërkesë padisë ku i padituri kundërpaditës në fund të saj përcakton se ai kërkon të njihet pronar me mënyrën e fitimit me parashkrim fitues, pasi ai e posedon qetësisht sendit mbi 21 vjet “sendin objekt gjykimi madje edhe dispozitat ligjore tek të cilat i padituri kundërpaditës ka referuar janë 198,199 të Kodit Civil pra dispozitat e parashkrimit fitues si dhe neni 296 i padisë së rivendikimit”.
III. VLERËSIMI I KOLEGJIT CIVIL TË GJYKATËS SË LARTË
-
Se vendimi nr.1499, datë 15.07.2015 i Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, me të cilin është shpallur moskompetenca lëndore e kësaj gjykate, duke i dërguar kundër-padinë dhe aktet bashkëngjitur Gjykatës së Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, është marrë në mosrespektim të ligjit dhe për këtë shkak duhet të prishet.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim të akteve të dosjes gjyqësore, objektit dhe shkakut të padisë, vendimit të gjykatës dhe parashtrimit të bërë nga pala, nuk e gjen të bazuar në ligj arsyetimin dhe përfundimin e arritur nga Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, në lidhje me kompetencën lëndore të shqyrtimit të çështjes objekt gjykimi.
-
Ndryshe nga sa arsyeton Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, kjo gjykatë nuk ka bërë një identifikim të elementeve dhe/ose kritereve ligjore që për rastin konkret shërbejnë për përcaktimin e kompetencës lëndore.
-
Nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, është vendosur: “Shpalljen e moskompetencës lëndore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë për shqyrtimin e kundërpadisë me kundërpaditës Pandeli Kaçi dhe të kundërpaditur Thiano Asanaj me objekt “Lirim dhe dorëzim sendi i sip. 1500 m2 ullishte e ndodhur në zonën kadastrale 8602, me nr.pasurie 20/29, 20/300 Uji i Ftohtë.
Veçimin e shqyrtimit të padisë nga kundërpadia vetëm për efekt të kompetencës...”.
-
Kolegji Civil vlerëson se ky qëndrim dhe disponim i gjykatës së shkallës së parë është rrjedhojë e interpretimit dhe zbatimit të gabuar të ligjit procedural civil, për pasojë të të cilit, duke i mohuar palës në gjykim të drejtën e ngritjes dhe marrjes në shqyrtim të kundërpadisë pa u mbështetur në parimet e motivet që kërkon ligji për këtë qëllim, është cënuar rëndë procesi i rregullt ligjor.
-
Në nenin 160 të Kodit të Procedurës Civile parashikohet se: “I padituri ka të drejtë të paraqesë kundërpadi kur kërkimi i kundërpadisë ka lidhje me atë të padisë ose kur midis tyre mund të bëhet kompensimi. Kundërpadia mund të paraqitet derisa nuk ka përfunduar hetimi gjyqësor dhe i nënshtrohet të gjitha rregullave të caktuara për ngritjen e padisë. Kur të metat e kundërpadisë nuk plotësohen në afatin e caktuar nga gjykata, kundërpadia kthehet”.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë konstaton se, në dosjen gjyqësore nuk gjendet e administruar kundër-padia, duke u vendosur kështu në pamundësi për të vendosur në lidhje me faktin se, cilës gjykatë i takon kompetenca lëndore për shqyrtimin e saj. Gjykata e Shkallës së Parë arsyeton se, njëri nga kërkimet e saj lidhet me pavlefshmërinë e AMTP-së dhe me të drejtë analizon se, kompetenca lëndore për shqyrtimin e pavlefshmërisë së AMTP-së i takon gjykatës administrative.
-
Nga ana tjetër pala e paditur pretendon se, kërkimi i saj ndër të tjera është edhe fitimi i pronësisë me parashkrim fitues, ç’ka duke qenë në thelb një kërkim i lidhur me të drejtën e pronësisë, përcakton si gjykatë kompetente gjykatën civile.
-
Gjykata merr vendimet e ndërmjetme dhe përfundimtare për zgjidhjen e çështjes bazuar në aktet procedurale dhe në provat e administruara dhe të debatuara në gjykim. Nëse ato mungojnë në dosjen gjyqësore gjykimi vlerësohet se, është i parregullt në atë shkallë gjykimi. Edhe gjykata më e lartë e ka të vështirë apo të pamundur të shprehet në mënyrë ezauruese, nëse nga palët ngrihen pretendime të lidhura me përmbajtjen apo mbi mungesën e provave apo akteve procedurale në dosje. Prandaj, mes të tjerave, si shkak për prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim, në shkronjën “e’ të nenit 467 të K.Pr.Civile parashikohet rasti kur: “e. Kur mungojnë ose janë të pavlefshme padia, proces-verbali gjyqësor, ankimi, si dhe çdo dokument tjetër që ka ndikuar në dhënien e vendimit”.
-
Përsa më sipër, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në interpretim të dispozitave të ligjit nr.49/2012, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” dhe në referim të të dispozitave të Kodit të Procedurës Civile, vlerëson se vendimi nr.1499, datë 15.07.2015 i Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, me të cilin është shpallur moskompetenca lëndore e kësaj gjykate për gjykimin e çështjes, duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për shqyrtim po pranë kësaj gjykate.
-
Vetëm pasi të administrojë e shqyrtojë në përputhje me ligjin, të gjitha aktet dhe kërkimet e palëve, gjykata e shkallës së parë mund të shprehet për kompetencën lëndore konkrete apo për çështje të tjera ligjore të kërkuara nga palët apo të zgjedhura kryesisht nga gjykata.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 64 të Kodit të Procedurës Civile.
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.1499 Akti, datë 15.07.2015 të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë dhe dërgimin e çështjes për vazhdimin e gjykimit po asaj gjykate.
Tiranë, më 18.03.2016
Nr. 11243-03857-00-2015 i Regj. Themeltar
Nr.00-2016-1725 i Vendimit
Do'stlaringiz bilan baham: |