VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga :
Ardian Nuni Kryesues
Tom Ndreca Anëtar
Aleksandër Muskaj Anëtar
në dhomën e këshillimit datë 18.03.2016 mori në shqyrtim çështjen civile me nr.003857/15, që u përket palëve:
KËRKUES: THANAS MATO
OBJEKTI:
Lëshimi i Urdhrit Ekzekutiv
(Vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec
nr.1263, datë 27.09.2015).
Baza Ligjore: Nenet 32, 388, 510, 511 të K.Pr.Civile.
Gjykata Shkallës së Parë Pogradec me vendimin nr.(51)- 26 datë 21.01.2016 ka vendosur :
“Deklarimin e moskompetencës tokësore për gjykimin e çështjes civile me nr.2/00730-286 regj. them, datë 23.12.2015 regjistrimi që i përket:
Kërkues: Thanas Mato
Objekti: Lëshimi i urdhrit të ekzekutimit të titullit ekzekutiv, vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec nr.1263, datë 27.09.1995
Dërgimin e akteve Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec si gjykatë kompetente...”.
Kundër vendimit të mësipërm ka ushtruar ankim të veçantë kërkuesi Thanas Mato duke kërkuar: “Prishjen e Vendimit nr.(5-26, datë 21.01.2016 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec dhe dërgimin për rigjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor).”.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin përkatës dhe si bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
-
Kërkuesi i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec me kërkesë duke kërkuar lëshimin e urdhrit të ekzekutimit të titullit ekzekutiv, vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec nr.1263, datë 27.09.1995.
-
Gjykata e Shkallës së Parë Pogradec me vendimin nr.1263, datë 27.09.1995 ka vendosur: “- Pranimin e pjesshëm të kërkesëpadisë dhe prishjen e pikës nr.3 të vendimit nr.285, datë 25.05.1995 të anës së paditur. - Rrëzimin e kërkesëpadisë për kthimin e truallit të lirë trashëgimtarëve të Dhimitër Bllazhdë në 1419 m2. - Detyrohet e paditura të shqyrtojë sipërfaqen objekt gjykimi.”.
-
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.2943, datë 17.05.1996 ka vendosur: “Prishjen e vendimit të mësipërm dhe dërgimin e çështjes për rigjykim pranë asaj gjykate, por me tjetër trup gjykues.”.
-
Gjykata e Shkallës së Parë Pogradec me vendimin nr.(s’ka) datë 23.12.1997 të gjyqtares së vetme ka vendosur:“Moskopetencën e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec për gjykimin eçështjes dhe dërgimin e kësaj padie së bashku me aktet seksionit për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative pranë Gjykatës së Rrethit Korçë. ”.
-
Me shkresën nr.48/1331 të vitit 1997 dosja civile me nr.1019 regjistri, datë 04.07.1995 i është dërguar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.
-
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin nr.379, datë 09.03.1999 ka vendosur: “Ndryshimin e pikës nr.3, të vendimit të KKKP duke ju kthyer si truall i lirë sipërfaqja prej 126 m2 trashëgimtarëve të Zisi Bllazhde. Anullimin e vendimit përsa i përket sipërfaqes prej 1419 m2.”.
-
Gjykata e Apelit Korçë me vendimin nr.291, datë 17.11.1999 ka vendosur: “Pranimin e pjesshëm të kërkesëpadisë së paditësit Bllazhde, duke ndryshuar vendimin e KKKP si më poshtë: Ndryshimin e pikës nr.1 të vendimit duke u njohur Zisi Bllazhde ish pronar i një sipërfaqe trualli prej 1590 m2 me kufizimet përkatëse. Ndryshimin e pikës 3 të vendimit duke ju kthyer truall i lirë (sipërfaqja prej 1261 m2) trashëgimtarëve të Zisi Bllazhde dhe kompensimin e tyre me obligacione për sipërfaqen 329 m2. Anullimin e pikës nr.3 të vendimit për sipërfaqen prej 1419 m2.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.494, datë 26.04.2001 ka vendosur: “Ndryshimin e vendimit nr.291, datë 17.11.1999 të Gjykatës së Apelit Korçë si më poshtë: Pranimin e pjesshëm të kërkesëpadisë së paditësit Margarit Bllazhde; duke ndryshuar vendimin nr.285, datë 25.05.1995 të KKKP Pogradec si vijon:
Ndryshimin e pikës nr.1 të vendimit duke u njohur Dhimitër Bllazhde ish pronar i një sipërfaqe trualli prej 1590 m2 me kufizimet përkatëse.
Lënien në fuqi të vendimit nr.291, datë 17.11.1999 të Gjykatës së Apelit Korçë, për pjesën tjetër të saj.”
-
Kolegji Seleksionues i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.T39, datë 10.07.2002 ka vendosur: “Mospranimin e rekursit të paraqitur nga Dhimitër Bllazhdë”.
-
Me cilësinë e kërkuesit shtetasit Thanas Mato, Thoma Mato, Jovan Mato, i janë drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë duke kërkuar lëshimin e urdhrit të ekzekutimit të titullit ekzekutiv, vendimit nr.1263, datë 27.09.1995 të Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.
-
Me vendimin nr.(314) -61, datë 06.05.2015 të Gjykata e Shkallës së Parë Pogradec ka vendosur: “Deklarimin e moskompetencës lëndore për shqyrtimin e çështjes civile me kërkues-Thanas Mato, Thoma Mato, Jovan Mato, me objekt- Lëshimi i urdhërit të ekzekutimit të titullit ekzekutiv, vendimit nr.1263, datë 27.09.1995 të Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec dhe dërgimin e akteve Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë si gjykatë kompetente.”.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.00-2015-2263, datë 21.09.2015 ka vendosur: “ Lënien në fuqi të vendimit nr.(314)-61, datë 06.05.2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec. ”.
-
Gjykata e Shkallës së Parë Korçë me vendimin nr.41-2015-3304 (515), datë 21.09.2015 ka vendosur: “Pushimin e gjykimit të çështjes me kërkues - Thanas Mato, Thoma Mato, Jovan Mato. -Objekti: Lëshimin e urdhrit të ekzekutimit të titullit ekzekutiv, vendimit nr.1263, datë 27.09.1995 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec.”.
II. PROCEDURA
-
Gjykata Shkallës së Parë Pogradec, me vendimin nr.(51)- 26 datë 21.01.2016 ka vendosur: “Deklarimin e moskompetencës tokësore për gjykimin e çështjes civile me nr.2/00730-286 regj. them, datë 23.12.2015 regjistrimi që i përket:
Kërkues: Thanas Mato
Objekti: Lëshimi i urdhrit të ekzekutimit të titullit ekzekutiv, vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec nr.1263, datë 27.09.1995
Dërgimin e akteve Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec si gjykatë kompetente...”.
-
Kundër vendimit të mësipërm ka ushtruar ankim të veçantë kërkuesi Thanas Mato duke kërkuar: “Prishjen e Vendimit nr.(51-26, datë 21.01.2016 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec dhe dërgimin për rigjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor).”. Në shkaqet e ankimit veçohen:
-
Në bazë të ligjit procedural civil, asnjë gjykatë nuk ka të drejtën ligjore për të lëshuar urdhër ekzekutimit të titullit ekzekutiv të vendimit nr.1263, datë 27.09.1995, përveç Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec që e ka lëshuar atë.
-
Vendbanimi im është në Pogradec ku edhe kam paraqitur kërkesën që bën fjalë për të drejta reale mbi sendet e paluajtshme që rrjedhin nga trashëgimia.
-
Vendimi nr.(51) - 26, datë 21.01.2016, nuk mbështetet në të dhënat që ndodhen në aktet dhe që janë shqyrtuar në seancë gjyqësore.
-
Vendimi nr.1263, datë 27.09.1995 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec është në kompetencë tokësore sepse vend banimi im është Pogradeci, kërkesa është në kompetencën tokësore sepse vend banimi im është Pogradec, kërkesa bën fjalë për të drejta reale mbi sendin e paluajtshëm që rrjedh nga trashëgimi.
III. VLERËSIMI I KOLEGJIT CIVIL TË GJYKATËS SË LARTË
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, vendimi nr.(51) – 26, datë 21.01.2016 i Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, me të cilin është shpallur moskompetenca tokësore e kësaj gjykate, duke i dërguar padinë dhe aktet bashkëngjitur Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, është marrë në respektim të drejtë të ligjit material dhe procedural dhe për këtë shkak duhet të lihet në fuqi.
-
Ky Kolegj, në interpretim të dispozitave ligjore të zbatueshme vlerëson se, për rastin konkret ndodhemi përpara një mosmarrëveshje për të cilën kompetente nga pikëpamja tokësore është Gjykata e e Shkallës së Parë Korçë.
-
Në shqyrtim të akteve të ndodhura në dosjen gjyqësore, objektit dhe shkakut të kërkesës, pretendimeve të parashtruara në këto akte, vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec dhe rekursit, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në interpretim të dispozitave të Kodit të Procedurës Civile të zbatueshme për rastin konkret, arrin në konkluzionin se kompetente për gjykimin e çështjes konkrete është Gjykata e Shkallës së Parë Korçë.
-
Ky Kolegj e vlerëson të drejtë arsyetimin dhe përfundimin e arritur nga Gjykata e Shkallës së Parë Pogradec, e cila ka përcaktuar drejtë natyrën juridike të mosmarrëveshjes dhe vendin e gjykimit të saj.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë për zgjidhjen e çështjes konkrete referon në rregullimet e bëra në pjesën e katërt (Ekzekutimi i detyrueshëm), Titulli i parë (Dispozita të përgjithshme) të Kodit të Procedurës Civile dhe në parimet e së drejtës, në lidhje me kompetencën tokësore të gjykatave për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve civile të parashikuara në po këtë Kod dhe në ligje të tjera të veçanta, në të cilat është patur parasysh, midis të tjerave, që palëve të mos u bëhet i vështirë aksesi në drejtësi.
-
Në përcaktimin e gjykatës kompetente për shqyrtimin e çështjes konkrete nga pikëpamja tokësore, ky Kolegj, bazuar në dispozitat e Kodit të Procedurës Civile të zbatueshme për rastin, merr në konsideratë objektin e shkakun e kërkesës.
-
Kjo për arsye se marrëdhënia juridike për shkak të së cilës ka lindur konflikti, ka në themel probleme që kanë të bëjnë me fazën e ekzekutimit të një vendimi gjyqësor. Ky Kolegj vlerëson se, në përcaktimin e kompetencës për shqyrtimin e saj duhet referuar në nenin 510, 511 të Kodit të Procedurës Civile.
-
Neni 510 i K. Pr. Civile “ Titujt ekzekutivë ” parashikon se: “Ekzekutimi i detyrueshëm mund të bëhet vetëm në bazë të një titulli ekzekutiv. Janë tituj ekzekutivë: a) vendimet civile të formës së prerë të gjykatës, që përmban një detyrim, vendimet e dhëna prej saj për sigurimin e padisë, si dhe për ekzekutimin e përkohshëm...”.
-
Neni 511 i K.P.Civile parashikon se: “Titulli ekzekutiv vihet në ekzekutim nëpërmjet lëshimit të urdhrit të ekzekutimit, i cili: a) për rastet e parashikuara nga shkronjat “a” dhe “b” të nenit 510 të këtij Kodi, lëshohet nga gjykata që ka dhënë vendimin...”.
-
Në rastin konkret, objekti i këtij gjykimi është “Lëshim i urdhrit të ekzekutimit”, të vendimit gjyqësor e vendimi nr.379, datë 09.03.1999, është dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Korçë e mbi të cilin ka disponuar Gjykata e Apelit dhe Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë.
-
Në zbatim të “nenit 511, shkronja“a”, të K.Pr.Civile kompetente për gjykimin e kërkesës për lëshimin e Urdhrit të Ekzekutimit është Gjykata e Shkallës së Parë Korçë e cila ka dhënë vendimin e sipërpërmendur.
-
Përsa më sipër, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, vendimi nr.(51) - 26, datë 06.05.2015 i Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, që ka shpallur moskompetencën lëndore për shqyrtimin e çështjes civile, duke i dërguar aktet Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, është i drejtë dhe duhet të lihet në fuqi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 63 të Kodit të Procedurës Civile.
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.(51) - 26, datë 21.01.2016, të Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.
Tiranë, më 18.03.2016
Nr. 31001-00292-00- 2016 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2016 - 1923 i Vendimit
Do'stlaringiz bilan baham: |