VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës se Lartë i përbërë nga:
Ardian Dvorani Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Arjana Fullani Anëtare
Medi Bici Anëtar
në datën 24.03.2016, në dhomë këshillimi, mori në shqyrtim çështjen administrative me nr.00267/2016 që u përket palëve:
PADITËS: KOMISIONI VENDOR I VLERËSIMIT TË TITUJVE TË PRONËSISË PRANË PREFEKTIT TË QARKUT DURRËS
PALË E PADITUR: NIKOLIN GJACI
BASHKIA DURRËS
AVOKATURA E SHTETIT
OBJEKTI:
Shfuqizim i plotë i akteve të marrjes në pronësi
nr.224 datë 11.02.1993 të shtetasit Nikolin Zef Gjaci,
duke i hequr sipërfaqen 8000 m2, në parcelën 26/20 me emërtimin popullor
Reparti Ushtarak Rrunë sipas AMTP-së me 8000 m2 në Fshatin Jubë
të Komunës Katund i Ri, Rrethi Durrës, ZK 2009;
Shfuqizim i plotë i akteve të marrjes në pronësi nr.221 datë 11.02.1993
të shtetasit Nikolin Zef Gjaci, duke i hequr sipërfaqen 3000 m2,
në parcelën 33/4 me emërtimin popullor Stani i Deleve Sukth,
sipas AMTP-së me 3000 m2 në Fshatin Jubë të Komunës Katund i Ri,
Rrethi Durrës, ZK 2009;
Baza Ligjore: Nenet 32,61 e vijues të kodit të Procedurës Civile,
nenet 115/a,117 të Kodit të Procedurës Administrative,
nenet 8,9 dhe 10 e vijues të ligjit nr.9948 datë 07/.07.2008
“Për Shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit
të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”
Neni 9, pika1-a, nenet 10, pika 1, vendimi nr.1269,
pika II- B-1c, datë 17.09.2008 të Këshillit të Ministrave
dhe ligjit nr.7501 “Për Tokën”
VKM nr.255 datë 02.08.1991 “Për kriteret e ndarjes së tokës bujqësore,
vendimi nr.230 datë 22.07.1991 “Për krijimin e komisioneve të tokës”
Udhëzimi nr.2 datë 02.09.1991
“Për funksionimin komisioneve të tokës së rretheve e fshatrave;
VKM nr.452 datë 17.10.1992
“Për ristrukturimin ne Ndërmarrjes Bujqësore”;
ligji nr.8053 datë 21.12.1995
“Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”
dhe gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Durrës, me vendimin nr.(82-2015-932) 1211, datë 09.11.2015, ka vendosur:
-Pranimin e padisë.
-Deklarimin e pavlefshmërisë i aktit të marrjes në pronësi nr.224 datë 11.02.1993 të shtetasit Nikolin Zef Gjaci, duke i hequr sipërfaqen 8000 m2, në parcelën 26/20 me emërtimin popullor Reparti Ushtarak Rrunë sipas AMTP-së me 8000 m2 në Fshatin Jubë të Komunës Katund i Ri, Rrethi Durrës, ZK 2009;
-Deklarimin e pavlefshmërisë të aktit të marrjes në pronësi nr.221 datë 11.02.1993 të shtetasit Nikolin Zef Gjaci, duke i hequr sipërfaqen 3000 m2, në parcelën 33/4 me emërtimin popullor Stani i Deleve Sukth, sipas AMTP-së me 3000 m2 në Fshatin Jubë të Komunës Katund i Ri, Rrethi Durrës, ZK 2009;
Kundër këtij vendimi, ka ushtruar ankim pala e paditur Nikolin Gjaci, i cili ka paraqitur vetëm shkaqe te cilat i përkasin juridiksionit gjyqësor duke kërkuar nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor. Në ankim ai pretendon se :
-
Vendimi i dhënë nga Gjykata administrative e shkallës së parë Durrës është në kundërshtim me ligjin 49/2012 dhe nenin 59 të K.Pr.Civile dhe nenin 9/1 të ligjit 49/2012
-
Pasi në kundërshtim me nenin 16 të ligjit 49/2012 është si kusht kryesor ndjekja e rrugës administrative ndërkohe qe pala e paditur nuk na ka lenë kohe qe të ankimojmë aktin administrativ pasi i është drejtuar drejtpërdrejtë gjykatës me kërkesëpadi
-
Padia ndaj aktit administrativ mund të ngrihet vetëm pas shterimit të rrugës administrative, gjë e cila ne rastin konkret nuk ka ndodhur .
-
Ligji nuk parashikon organ më të lartë administrativ për paraqitjen e ankimit administrativ, ose kur organi më i lartë nuk është krijuar ,duhet ti referohemi organit më të lartë që parashikon ligji nr.7501 “Për Tokën”, i cili ka parashikuar ankimin ne Komisionin Qendror të Tokës .
-
Në bazë të nenit 59/1 të K.Pr.Civile gjykata në çdo fazë dhe shkallë gjykimi, qoftë edhe kryesisht shqyrton nëse çështja që shqyrton, bën pjesë në juridiksionin gjyqësor apo atë administrativ “.nisur nga sa më sipër përderisa nuk është shteruar kushti i ankimit administrativ pasi me ligj është krijuar një organ më i lartë për të shqyrtuar ankimin administrativ të subjektit të interesuar ku në rastin konkret jam unë i padituri Nikolin Gjaci.
-
Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë administrative Durrës, më ka mohuar të drejtën e ezaurimit të ankimit administrativ ,pavarësisht se në bazë të ligjit , kjo është një e drejtë ekskluzive e personit të interesuar .
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Evelina Qirjako, dhe si bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, rezulton se, Komisioni Vendor pranë Prefekturës Qarkut Durrës, në ushtrim të detyrave të tij funksionale ka filluar procedurën administrative me qëllim verifikimin e akteve të marrjes së tokës në pronësi në fshatin Jubë, të shpërndara nga Komisioni i Ndarjes së Tokës së këtij fshati dhe ka konstatuar se shtetasit Nikolin Zef Gjaci i janë dhënë dy AMTP, duke përfituar ky i fundit tokë bujqësore sipas AMTP-ve objekt kundërshtimi .
2. Ky komision, pasi ka kryer verifikimin e akteve shkresore që ndodheshin në dosjen, që i përket subjektit Nikolin Gjaci, ka konstatuar se, ky subjekt është trajtuar në zbatim të Ligjit nr.7501, nëpërmjet aktit të marrjes së tokës në pronësi me nr.224, datë 11.02.1993 të dhënë nga Komisioni i Ndarjes së Tokës së Fshatit Jubë, Komuna Katund i me një sipërfaqe toke konkretisht: “Parcela nr.26/20, me sipërfaqe 8000 m2.
3. Gjithashtu, Komisioni Vendor i Verifikimit të Titujve të Pronësisë pranë Prefekturës Durrës, ka konstatuar se, subjekti Nikolin Gjaci është trajtuar edhe me AMTP nr.221 datë 11.02.1993, nëpërmjet të cilit, në fshatin Jubë, nga ana e Komisionit të Ndarjes së Tokës së Fshatit Jubë, Komuna Katund i Ri, i është dhënë tokë bujqësore në “Parcelën nr.33/4 me sipërfaqe 3000 m2.
4. Nga shqyrtimi i kryer nga ana e KVVTP pranë Prefekturës Durrës është konstatuar se, aktet e marrjes së tokës në pronësi me nr.224, dhe nr.221 datë 11.02.1993 të dhëna nga Komisioni i Ndarjes së Tokës së Fshatit Jubë, Komuna Katund i Ri në favor të subjektit Nikolin Gjaci, janë akte absolutisht të pavlefshme pasi : “...Shtetasi Nikolin Gjaci nuk ka qenë banor i komunës Katund i ri në datë 01.08.1991. Në certifikatën familjare të lëshuar nga Komuna Katund i ri cilësohet se z.Nikolin Gjaci është transferuar në Komunën Katund i Ri nga Fani i Mirditës më datë 13.06.1994 sipas vendimit të Këshillit të komunës Katund i ri nr.07, datë 17.05.1994 me dy persona ..Z.Nikolin Gjaci ka përfituar tokë bujqësore në parcelën 26/20 dhe parcelën 33/4 duke mos qenë banor i fshatit Jubë. Gjithashtu sipas të dhënave të marra nga Instituti i sigurimeve Shoqërore Durrës rezulton se asnjë prej familjarëve të z.Nikolin Gjaci nuk ka qenë punonjës i ish kooperativës Bujqësore në fshatin Jubë në datë 01.08.1991, për këto arsye AMTP nr.224, dhe nr.221 datë 11.02.1993 janë dhënë në kundërshtim me ligjin e kohës në fuqi nr.7051/1991 “Për Tokën dhe aktet nënligjore të dala për zbatim të tij .
5. Bazuar në konkluzionet e mësipërme, Komisioni Vendor i Verifikimit të Titujve të Pronësisë mbi tokën bujqësore pranë Prefektit Durrës, ka marrë vendimin nr.9, datë 24.04.2015, me të cilin ka vendosur: “Shfuqizimin e plotë të aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi të familjes bujqësore të përfaqësuar nga Nikolin Gjaci. Kthimin e tokës në pronësi shtet me sipërfaqe 8000 m2, sipas AMTP nr.224, datë 11.02.1993, si dhe vendimin nr.10, datë 24.04.2015, me të cilin ka vendosur: “Shfuqizimin e plotë të aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi të familjes bujqësore të përfaqësuar nga Nikolin Gjaci. Kthimin e tokës në pronësi shtet me sipërfaqe 3000 m2, sipas AMTP nr.221, datë 11.02.1993
6. Për gjithë sa u pasqyrua më sipër, pala paditëse, i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Durrës me padinë me objekt të sipërcituar, duke kërkuar shfuqizimin e plotë të akteve të marrjes së tokës në pronësi, dhënë në favor të subjektit Nikolin Gjaci, dhe kthimin e sipërfaqes objekt gjykimi në pronësi të shtetit.
7. Ka rezultuar se në seancën përgatitore të datës 15.10.2015 përfaqësuesi i Z. Zef Gjanci ka kërkuar nga ana e gjykatës, nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor me pretendimin se nuk është ekzekutuar ende vendimi gjyqësor në lidhje me vërtetimin e faktit juridik si dhe nuk ka një përgjigje përfundimtare në lidhje me këtë problem nga organi më i lartë administrativ që është Komisioni Qeveritar i Tokës. Rezulton nga procesverbali i dosjes gjyqësore (fq 138) se kjo gjykatë në këtë dite ka vendosur se ka juridiksion gjyqësor për vazhdimin e gjykimit pasi ligji që rregullon këtë mosmarrëveshje nuk parashikon ezaurimin e rrugës së detyrueshme administrative përpara se prefekti ti drejtohet gjykatës, dhe se kundër vendimeve të ndërmjetme bëhet ankim me vendimin përfundimtar.
8. Në përfundim të këtij gjykimi Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Durrës, me vendimin nr.(82-2015-932)1211, datë 09.11.2015, ka vendosur:
-Pranimin e padisë.
-Deklarimin e pavlefshmërisë i aktit të marrjes në pronësi nr.224 datë 11.02.1993 të shtetasit Nikolin Zef Gjaci, duke i hequr sipërfaqen 8000 m2, në parcelën 26/20 me emërtimin popullor Reparti Ushtarak Rrunë sipas AMTP-së me 8000 m2 në Fshatin Jubë të komunës Katund i Ri, Rrethi Durrës, ZK 2009;
-Deklarimin e pavlefshmërisë të aktit të marrjes në pronësi nr.221 datë 11.02.1993 të shtetasit Nikolin Zef Gjaci, duke i hequr sipërfaqen 3000 m2, në parcelën 33/4 me emërtimin popullor Stani i Deleve Sukth, sipas AMTP-së me 3000 m2 në Fshatin Jubë të komunës Katund i Ri, Rrethi Durrës, ZK 2009;
8/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: ".....Gjykata çmon se zgjidhja e konfliktit i përket juridiksionit gjyqësor dhe jo atij administrativ, për shkak se të drejtat pronësore nuk mund të zhvishen të paditurve përveçse nëpërmjet një procesi gjyqësor, qëndrim i mbajtur nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, si dhe nga Gjykata Kushtetuese në një sërë vendimesh. ...Në rastin objekt gjykimi ligji nr.9948/2008 nuk ka parashikuar në mënyrë të detyrueshme ndjekjen e rrugës së ankimit administrativ tek organi më i lartë administrativ, duke mos përbëre pengese për t’ju drejtuar Gjykatës dhe patur të drejtë pala e interesuar për t’ju drejtuar gjykatës në mënyrë të drejtpërdrejtë .
Rezulton nga provat e paraqitura në këtë gjykim nga pala paditëse se dy aktet e marrjes në pronësi , konkretisht AMTP nr.221 datë 11.02.1993 për pajisjen e të paditurit me 3000 m2 në parcelën nr.33/4 dhe AMTP nr.224 datë 11.02.1993 për pajisjen e të paditurit me 8000 m2 në parcelën nr.26/20 janë të pavlefshme pasi në momentin e lëshimit të tyre , paditësi nuk i përmbushte kriteret e përcaktuara nga VKM nr.255/1991, konkretisht atë të qenit banor i fshatit Jubë dhe njëkohësisht ish anëtar i kooperativës bujqësore. Në këto kushte, nisur nga pasojat ligjore të kësaj vlefshmërie, pasuritë objekt gjykimi duhet të kthehen në pronësinë e shtetit .
9. Pala e paditur Nikolin Gjaci ka ushtruar ankim kundër vendimit të mësipërm pranë Gjykatës së Lartë duke parashtruar shkaqe që kanë lidhje vetëm me juridiksionin (të cilat paraqiten më lart në këtë vendim) duke që cilësuar atë si ankim i veçantë dhe duke kërkuar përfundimisht nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
10. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon se, vendimi nr.(82-2015-932)1211, datë 09.11.2015, i Gjykatës Administrative e Shkallës së Parë Durrës për sa i përket çështjes së juridiksionit (kjo gjykatë nuk i hyn shqyrtimit të themelit të çështjes i cili është objekt shqyrtimi i një gjykatë të një shkallë më të lartë siç është Gjykata e Apelit Administrativ) i cili është dhe objekti i gjykimit të këtij Kolegji bazuar në ankimin e paraqitur nga ana e ankuesit Nikolin Gjaci, është një vendim i marrë në përputhje me dispozitat e ligjit procedural dhe atij material, e për rrjedhojë, ai duhet lënë në fuqi.
11. Fillimisht, ky Kolegj, vlerëson të theksojë se: Është e qartë nga e drejta jonë procedurale, se çështja e juridiksionit, është një nga çështjet më të rëndësishme procedurale, mosrespektimi dhe moszgjidhja e drejtë e së cilës, sjell automatikisht prishjen e vendimit. Kjo është dhe arsyeja se përse në nenin 9/1 dhe 9/2 të ligjit 49/2012 parashikohet shprehimisht se: “Gjykata në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit, qoftë edhe kryesisht, kur konstaton se çështja nuk bën pjesë në juridiksionin gjyqësor, merr vendim për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit dhe dërgimin e akteve organit kompetent. Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim i veçantë në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë. Kolegji vendos në dhomë këshillimi brenda 10 ditëve nga data e marrjes së akteve, nëse çështja përfshihet ose jo në juridiksionin gjyqësor.
12. Në analizë literale të dispozitës së mësipërme, rezulton se, kur Gjykata merr vendim për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit dhe dërgimin e akteve organit kompetent mund të bëhet ankim i veçantë në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë. Për rrjedhojë kur gjykata vendos që çështja është në juridiksionin e saj (sa më sipër del nga analiza e dispozitës pasi kjo e fundit nuk e thotë këtë në mënyrë të shprehur) ajo vazhdon gjykimin e çështjes dhe pala mund të ankohet për çështjen e juridiksionit edhe me vendimin përfundimtar. Dhe jo vetëm kaq por nisur nga rëndësia e madhe që ka kjo çështje, çdo lloj gjykate dhe në çdo shkallë gjykimi, ka të drejtë të marrë në shqyrtim edhe vetë kryesisht gjatë shqyrtimit te çështjes se themelit, të analizojë dhe të vendosë, në lidhje me juridiksionin e çështjes objekt gjykimi. Kjo e drejtë e gjykatës për të vepruar edhe kryesisht, është e lidhur drejtpërsëdrejti me zbatimin dhe respektimin e parimit të një procesi të rregullt ligjor, të sanksionuar në nenin 6 të KEDNJ.
13. Nisur nga rëndësia e madhe, që ka përcaktimi i drejtë i juridiksionit në Kodin e Procedurës Civile, si dhe në nenin 9 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, është përcaktuar qartë raporti dhe marrëdhënia midis dy juridiksioneve, atij administrativ dhe atij gjyqësor “Gjykatat nuk mund të shqyrtojnë një çështje që ligji e ka lënë në juridiksionin administrativ”. Në analizë të dispozitave të mësipërme, juridiksioni administrativ, pengon gjykatën në shqyrtimin e themelit të çështjes.
14. Rezulton që pala paditëse në këtë gjykim ka kërkuar: (i)“Shfuqizim i plotë i akteve të marrjes në pronësi nr.224 datë 11.02.1993 të shtetasit Nikolin Zef Gjaci, duke i hequr sipërfaqen 8000 m2, në parcelën 26/20 me emërtimin popullor Reparti Ushtarak Rrunë sipas AMTP-së me 8000 m2 në Fshatin Jubë të Komunës Katund i Ri, Rrethi Durrës, ZK 2009; ..........(ii)Shfuqizimin e plotë të akteve të marrjes në pronësi nr.221 datë 11.02.1993 të shtetasit Nikolin Zef Gjaci, duke i hequr sipërfaqen 3000 m2, në parcelën 33/4 me emërtimin popullor Stani i Deleve Sukth, sipas AMTP-së me 3000 m2 në Fshatin Jubë të komunës Katund i Ri, Rrethi Durrës, ZK 2009;Këtë kërkim, pala paditëse e ka mbështetur në Ligjin nr.9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë së titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, vendimi nr.1269,pika II- B-1c, datë 17.09.2008 të Këshillit të Ministrave dhe ligjit nr.7501 “Për Tokën” VKM nr.255 datë 02.08.1991 “Për kriteret e ndarjes së tokës bujqësore, vendimi nr.230 datë 22.07.1991 “Për krijimin e komisioneve të tokës” Udhëzimi nr.2 datë 02.09.1991 “Për funksionimin komisioneve të tokës së rretheve e fshatrave; VKM nr.452 datë 17.10.1992 “Për ristrukturimin ne Ndërmarrjes bujqësore;”ligji nr.8053 datë 21.12.1995 “për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore” dhe gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative
15. Referuar kërkimit të palës paditëse si dhe shkakut ligjor ku ai e mbështet këtë pretendim, ky Kolegj, vlerëson se, mosmarrëveshja objekt shqyrtimi ka lindur si pasojë e verifikimit të titujve të pronësisë dhënë të paditurit me Ligjin nr.7501, datë 19.07.1991 “Për tokën” nga paditësi, në zbatim të Ligjit nr.9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë së titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, i ndryshuar.
16. Sa më sipër, ky proces kryhet fillimisht në rrugë administrative nga Komisionet Vendore të Verifikimit të Titujve të Pronësisë dhe rregullohet sipas parashikimeve të Ligjit nr.9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, i ndryshuar, si dhe VKM nr.1269, datë 17.09.2008 “Për përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe detyrat dhe përgjegjësitë e strukturave shtetërore të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”.
17. Në nenin 2, pika 1 të Ligjit nr.9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, i ndryshuar, janë parashikuar llojet e sipërfaqeve bujqësore, titujt e të cilave, do t’i nënshtrohen veprimtarisë nga këto komisione. Dhe konkretisht, janë: “a) sipërfaqet, që më 01.08.1991 kanë figuruar në regjistrat kadastralë, në zërin "Tokë bujqësore" dhe janë përfshirë në territoret e administruara nga ish-kooperativat bujqësore deri në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit nr.7501, datë 19.07.1991 "Për tokën", të ndryshuar; b) sipërfaqet e tjera të tokave bujqësore, të administruara nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore, të kaluara për ndarje për fshatrat e ish-kooperativave bujqësore vetëm me miratim të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit, deri në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit nr.8337, datë 30.04.1998 "Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave"; c) sipërfaqet e tokave bujqësore të ish-NB-ve, sipas dispozitave të përcaktuara në ligjin nr.8053, datë 21.12.1995 "Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore".
18. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon të evidentojë faktin se, procedura e verifikimit të ligjshmërisë së këtyre akteve, sipas parashikimeve të përcaktuara në ligjin e sipërcituar, kryhet nga komisionet vendore të vlerësimit të titujve të pronësisë (KV), duke pasur ndër të tjera si detyrë dhe përgjegjësi ato që parashikon neni 8, pika 3 e Ligjit nr.9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, i ndryshuar, në të cilën pasqyrohet se: “Kontrollon dokumentet dhe veprimtarinë, që kanë kryer komisionet e tokës së komunave dhe/ose bashkive për zbatimin e dispozitave ligjore të ndarjes së tokës, gjatë procesit të shqyrtimit të mosmarrëveshjeve dhe të konflikteve, sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni dhe, në përfundim të këtij kontrolli, merr vendimet përkatëse për korrigjimet e nevojshme, shfuqizimin e plotë apo të pjesshëm të këtij dokumentacioni dhe krijimin e dokumentacionit të ri, në bazë të kritereve të përcaktuara në këtë ligj”.
19. Pra, bazuar në këtë kompetencë që i ka dhënë ligji, Komisioni Vendor i Verifikimit të Titujve të Pronësisë mbi Tokën Bujqësore pranë Prefektit Tiranë, pasi ka kontrolluar dhe verifikuar dokumentacionin që ka lidhje me AMTP objekt shqyrtimi dhënë në favor të subjektit Nikolin Gjaci në përfundim të hetimit administrativ ka marrë ka marrë vendimin nr.9, datë 24.04.2015, me të cilin ka vendosur: “Shfuqizimin e plotë të aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi të familjes bujqësore të përfaqësuar nga Nikolin Gjaci. Kthimin e tokës në pronësi shtet me sipërfaqe 8000 m2, sipas AMTP nr.224, datë 11.02.1993, si dhe vendimin nr.10, datë 24.04.2015, me të cilin ka vendosur: “Shfuqizimin e plotë të aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi të familjes bujqësore të përfaqësuar nga Nikolin Gjaci. Kthimin e tokës në pronësi shtet me sipërfaqe 3000 m2, sipas AMTP nr.221, datë 11.02.1993. Këtë vendim ky komision ja ka njoftuar Prefektit të Qarkut Durrës për të proceduar më tej sipas parashikimeve të nenit 10 të Ligjit nr.9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, i ndryshuar.
20. Prefekti i Qarkut Durrës, pasi është vënë në dijeni të vendimmarrjes së KVVTP pranë Qarkut Durrës, nga ku ka rezultuar që AMTP me nr.224 datë 11.02.1993 dhe AMTP nr.221 datë 11.02.1993 në emër të paditurit Nikolin Gjaci janë akte të pavlefshme, pasi janë dhënë në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit 7501/1991 ”Për tokën”, ka kërkuar gjyqësish kundërshtimin e këtyre akteve dhe kalimin e sipërfaqes prej 8000 m2 dhe 3000 m2 në pronësi të shtetit. Kundërshtimi i këtyre akteve administrative, bëhet sipas kushteve dhe afateve të parashikuara në nenin 7/ç, 17/a dhe 18 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, si dhe në nenet 8, 9 dhe 10 të Ligjit nr.9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, i ndryshuar.
21. Në vlerësim të sa më sipër, Ky Kolegj arrin në konkluzionin se çështja objekt gjykimi është në juridiksionin gjyqësor dhe vendimi i marre nga Gjykata Administrative e Shkallës së parë Tiranë në seancën e datës 15.10.2015 për vazhdimin e gjykimit është një vendim i drejtë dhe i bazuar në ligjin nr.49/2012 si dhe në ligjin nr.9948, datë 07.07.2008 pasi:
Së pari : Referuar ligjit 49/2012, si dhe normave të përgjithshme të parashikuara në Kpr.C është parim i gjithë pranuar se kur flitet për ndjekje të rrugës së detyrueshme administrative, kjo kërkohet gjithmonë si një detyrim për paditësin, për atë që ka ngritur padinë dhe që ka kërkuar t’ia nënshtrojë konfliktin juridiksionit gjyqësor. Është e drejta e anës së paditur që të kërkojë nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit kur paditësi, (dhe jo i padituri) nuk ka respektuar parashikimet ligjore për ndjekjen e një rrugë të detyrueshme administrative (në rast se parashikon ligji specifik) por ka ardhur direkt në gjykate. Po të analizosh shkaqet e ngritura në ankim nga ankuesi i cili është në pozicionin procedurial të të paditurit rezulton se ai thotë që ky i fundit (pra i padituri) nuk ka ezauruar rrugën administrative, pavarësisht se nuk sqaron se për çfarë rruge administrative bën fjalë dhe ku parashikohet kjo e fundit në ligjin specifik që rregullon këtë mosmarrëveshje .
Se dyti: Ky kolegj vlerëson të theksojë se duke analizuar dispozitat e Ligjit nr.9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, i ndryshuar, nuk rezulton në asnjë dispozitë detyrimi për paditësin apo anën e paditur që, të ndjekë një rrugë të detyrueshme administrative në organet më të larta administrative.
22. Në nenin 10 të Ligjit nr.9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, i ndryshuar, i titulluar “Procedurat për titujt e pronësisë, të krijuar në kundërshtim me ligjin”, parashikohet se: “1. Kur KV-ja, gjatë verifikimit të dokumentacionit dhe të vendimeve përkatëse të komisioneve të tokës, vëren se krijimi i titullit të pronësisë mbi tokën është dhënë në kundërshtim me dispozitat e përcaktuara në nenet 2, 3 e 4 të këtij ligji dhe me vendimet e tij, të marra sipas neneve 8 pikat 2 e 3 dhe 9 pikat 3 dhe 6 të këtij ligji, i paraqet gjykatës së rrethit gjyqësor përkatës një kërkesë për anulimin e aktit administrativ, Akt i Marrjes së Tokës në Pronësi. 2. Kërkesa i paraqitet subjektit përkatës nga prefekti i qarkut brenda 7 ditëve nga data e njoftimit të vendimit për paligjshmërinë e aktit të pronësisë mbi tokën bujqësore. Objekt i kërkesës së prefektit është deklarimi i pavlefshmërisë së Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi, shfuqizimi i tij dhe kthimi i pronës në pronësi të shtetit, kur ajo posedohet ende nga mbajtësi i parë i titullit, si dhe ngarkimin me detyrimin financiar, kur ky e ka tjetërsuar apo i është shpronësuar për interes publik. 3. Gjykata shqyrton kërkesën e prefektit brenda 60 ditëve, duke thirrur në proces gjyqësor edhe Avokatin e Shtetit".
23. Në analizë të dispozitës ligjore të mësipërme, legjislatori jo vetëm që nuk parashikon rrugë të detyrueshme administrative, por ai e ka përcaktuar saktësisht se, kur nga ana e KV-së është konstatuar që një AMTP e lëshuar në favor të subjekteve të tretë është marrë në kundërshtim me ligjin, është KVVTP pranë Qarkut përkatës, përfaqësuar nga prefekti i këtij qarku që, brenda 7 ditëve nga dita që ka njoftuar palët e interesuara dhe të prekura nga kjo vendimmarrje e KV-së, ti drejtohet me padi themeli gjykatës, e cila vetë duhet ta marri në shqyrtim këtë çështje brenda një afati 60 ditor.
24. Në rastin objekt shqyrtimi, padia është ngritur nga ana e Prefektit të Qarkut Durrës pas marrjes së vendimit nr.9 dhe nr.10 datë 24.04.2015 të KVVTP, me të cilin ky komision ka vendosur shfuqizimin e plotë të akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi të familjes bujqësore të përfaqësuar nga Nikolin Gjaci, si dhe kthimin e tokës në pronësi të shtetit, mbështetur në parashikimet e nenit 10 të ligjit të sipërcituar. Në kushtet kur ligji e ka parashikuar në mënyrë të posaçme se si duhet të veprohet në të tilla raste, nuk ka vend pretendimi i palës së paditur, që këtij të fundit nuk i është dhënë mundësia që para se të vinte në gjyq të ndiqte rrugën administrative .
25. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, në vendimin e tyre unifikues nr.1, datë 26.11.2010, kanë arritur në konkluzionin unifikues se: “Ndjeka e rrugës administrative (të apelimit administrativ) për zgjidhjen e mosmarrëveshjes administrative përpara se subjekti t’i drejtohet gjykatës, është e detyrueshme vetëm nëse ligji që rregullon marrëdhëniet juridike dhe veprimtarinë administrative të fushës përkatëse, parashikon shprehimisht se ndaj aktit administrativ mund të ushtrohet ankim administrativ, si dhe tregon organin apo organet konkrete administrative tek të cilët eventualisht, sipas hierarkisë, duhet të drejtohet apelimi administrativ...Ligji i posaçëm mund të parashikojë edhe modalitete konkrete mbi afatet, kushtet e procedurat që duhen respektuar për të bërë të pranueshëm për shqyrtim në themel ankimin administrativ, për procedurat e shqyrtimit dhe natyrën e vendimmarrjes nga organi administrative, etj. Nëse rregulla të tilla eventuale nuk janë parashikuar, gjejnë zbatim afatet, kushtet e procedurat e parashikuara nga Kodi i Procedurave Administrative”.
26. Në analizë të sa më sipër dhe duke u bazuar në sa arsyetojnë Kolegjet e Bashkuara, në vendimin unifikues nr.1, datë 26.11.2010, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se, për sa kohë në Ligjin nr.9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, i ndryshuar, nuk është parashikuar ndjekja e një procedure të tillë, e detyrueshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjes (kur flasim për rrugë administrative të detyrueshme kemi parasysh parashikimin në ligj të gjitha elementëve të domosdoshme, si paraqitja e kërkesës organit më të lartë që e shqyrton atë, afati brenda së cilës shqyrtohet ankimi, vendimet që merren nga organi me i lartë, e drejta e ankimit etj.), paditësi ka të drejtë që të rivendosë të drejtat e tij të shkelura, duke ju drejtuar direkt juridiksionit gjyqësor.
27. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në lidhje me natyrën e mosmarrëveshjes objekt shqyrtimi, çmon të evidentojë faktin se, jo më kot ligjvënësi ja ka lënë shqyrtimin e këtyre konflikteve gjykatës. Kjo për shkak se: (i) Është vetëm gjykata ajo e cila mund të vendosë nëpërmjet një procesi të rregullt ligjor, nëse dikush do të zhvishet apo jo nga e drejta e pronësisë. Asnjë organ administrativ nuk mund të marrë një vendim të tillë përfundimtar dhe nuk mund të zhveshë subjektet nga e drejta e tyre e pronësisë. Natyra e këtyre konflikteve dhe gjykimeve është e tillë që, nuk kemi të bëjmë vetëm me kundërshtimin e një akti administrativ, por kemi të bëjmë edhe me kalimin e tokave bujqësore nga individi i cili pretendon se e ka përfituar atë në mënyrë të ligjshme në pronësi të shtetit, kur konstatohet se AMTP janë dhënë në kundërshtim me ligjin; (ii) Shqyrtimi i këtyre konflikteve nga ana e gjykatës është një garanci më tepër se sa shqyrtimi i tyre vetëm në rrugë administrative, pasi zhveshja nga e drejta e pronësisë nuk mund të vlerësohet vetëm në rrugë administrative. (iii) Pretendimet e palëve që preken nga aktet objekt shqyrtimi, duke qenë se kemi të bëjmë me një të drejtë kaq të rëndësishme siç është e drejta e pronësisë, duhet t’i nënshtrohen një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm në përputhje me ligjën procedurale dhe materiale, në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje shteruese dhe definitive në gjykatë, përmes garancive që jep procesi gjyqësor, për pjesëmarrjen e palëve në gjykim, të drejtën për tu dëgjuar, të drejtën për të ngritur pretendime dhe për të prapësuar (parimi i kontradiktorialitetit); të drejtën për të marrë përgjigje për çdo pretendim të ngritur gjatë procesit gjyqësor (pra e drejta për të pasur një proces të rregullt ligjor) etj.
28. Legjislatori, pikërisht për efekt të garancive më të mëdha që jep shqyrtimi gjyqësor, si dhe nisur nga fakti që duhen rregulluar pasojat që derivojnë nga konstatimi i pavlefshmërisë së AMTP-ve, sikundër është kalimi i tokës në pronësi të shtetit (kur konstatohet që këto akte janë marrë në kundërshtim me ligjin), ka vlerësuar që aktet e nxjerra nga KVVTP, i cili është një organ administrativ i ngarkuar për vlerësimin e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore në rrugë administrative, t’i nënshtrohen kontrollit gjyqësor në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke mos e zvarritur më procesin në hallka të ndryshme dhe të panevojshme administrative.
29. Ky qëndrim i Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, vjen në përputhje edhe me qëndrimin që ka mbajtur Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj me nr.29, datë 31.05.2010, në të cilin ka cituar se: “...Për pasojë, midis këtyre individëve, me cilësinë e pronarëve të tokës bujqësore dhe gjithë subjekteve të tjerë, duke përfshirë edhe Shtetin, krijohet një marrëdhënie që trajtohet në kuadrin e të drejtës private. Kjo do të thotë se, pas këtij momenti që u përshkrua më sipër, çdo pretendim kundrejt pronarëve të mësipërm, zgjidhet në kuadrin e të drejtës private. Për pasojë, titujt e pronësisë të fituar si rezultat i përfundimit të procedurave të parashikuara në ligjet e sipërpërmendura si dhe regjistrimet e këtyre titujve në regjistrat e pronave të paluajtshme, nuk mund të anulohen apo shfuqizohen iure imperi, pra në mënyrë të njëanshme, me anën e vendimeve administrative të nxjerra nga autoritetet publike përkatëse..... Në të njëjtën kohë, sipas nenit 10/1 të këtij ligji, kur KV-ja, gjatë verifikimit, vëren se krijimi i titujve të pronësisë mbi tokën është bërë në kundërshtim me dispozitat e përcaktuara në nenet 2, 3 dhe 4 të këtij ligji, i paraqet gjykatës së rrethit gjyqësor përkatës një kërkesë për anulimin e aktit administrativ “akti i marrjes së tokës në pronësi”, dhe sipas pikës 2 të nenit 10 të këtij ligji, kërkesa i paraqitet subjektit përkatës nga prefekti dhe objekti i kërkesës së prefektit është deklarimi i pavlefshmërisë së “aktit të marrjes së tokës në pronësi”... Duke bërë një interpretim sistematik të dispozitave të mësipërme të ligjit të kundërshtuar, nga konteksti i tyre si dhe nisur nga kuptimi i përgjithshëm i këtij ligji, pra nisur nga ratio legis (ose qëllimi final social dhe ekonomik i normës), Gjykata vlerëson se qëllimi i tyre është t`i vendosin komisionet vendore në pozicionin e konstatuesit të situatës së paligjshmërisë, parregullsive të titujve të pronësisë, në drejtim të mangësive të tyre ligjore. Këto komisione munden vetëm të ngrenë dyshime në lidhje me fitimin e pronësisë dhe më pas duhet t`i drejtohen gjykatës, e cila do të vendosë në lidhje me vlefshmërinë ose jo të titullit të pronësisë dhe, në rast të konstatimit të kësaj pavlefshmërie, janë po gjykatat që do të vendosin edhe për pasojat ligjore. Kjo do të thotë se vendimet e marra nga komisionet vendore, në bazë të kompetencave që u japin dispozitat e kundërshtuara, nuk mund të sjellin si rezultat anulimin apo shfuqizimin e akteve që kanë krijuar tituj pronësie. Gjithashtu, këto vendime nuk mund të urdhërojnë zyrat e regjistrimit për fshirjen e regjistrimit të këtyre titujve. Verifikimet/konstatimet e KV-ve mund të shërbejnë vetëm si bazë për ngritjen e padisë në gjykatë nga subjektet përkatëse të interesuara apo nga Shteti, nëpërmjet autoriteteve përkatëse. ...”.
30. Në analizë të sa më sipër, përsa kohë Prefekti i Qarkut (i cili përfaqëson interesat pasurore të shtetit mbi tokat bujqësore), nëpërmjet padisë objekt shqyrtimi ka kërkuar në rrugë gjyqësore deklarimin e pavlefshmërisë së aktit të marrjes së tokës në pronësi dhe rregullimin e pasojave që ka prodhuar ky akt, duke pretenduar kalimin e tokës në pronësi të shtetit, është e drejta e tij që brenda afateve të përgjithshme që parashikon e drejta për të kundërshtuar aktet administrative si dhe nenit 18, të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, t’i drejtohet gjykatës me padi si mjet i vetëm procedural, nëpërmjet të cilës të mund të rivendosë në vend të drejtat e tij të pretenduara si të shkelura nga pala e paditur. Padia është e drejta e personit që bën pretendimin, për t’u dëgjuar, mbi themelin e këtij pretendimi, në mënyrë që gjykata ta shpallë atë të bazuar ose jo. Pala kundërshtare ka të drejtë të diskutojë dhe të ngrejë prapësime mbi themelin dhe bazueshmërinë në ligj të këtij pretendimi (neni 31 i K.Pr.Civile).
31. Që padia të jetë e vlefshme, duhet të plotësojë dy kushte themelore: (a) interesi i ligjshëm për të ngritur padi; dhe (b) legjitimiteti për të vepruar. Në rast se ekzistojnë këto dy kushte, mund të konsiderohet që padia ekziston, në kuptimin që gjykata është e detyruar të marrë vendim mbi themelin e saj, pra për ta pranuar ose rrëzuar atë. Interesi për të ngritur padi, parashikohet qartë në nenin 32 të K.Pr.Civile, dhe është një element i së drejtës së padisë, që konsiston në interesin për të marrë nga gjykata, vendimin e kërkuar.
32. Në çështjen objekt gjykimi, paditësi ka disponuar të drejtën e tij për të ngritur padinë me kërkimet e paraqitura më lart, jo vetëm në përputhje me parashikimet e nenit 10 të Ligjit nr.9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, i ndryshuar, por edhe në mënyrën që ai e ka çmuar më të drejtë për mbrojtjen dhe rivendosjen e interesave të shtetit, të pretenduara si të shkelura. Gjykata ka për detyrë të zgjidhë mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët (neni 16 i K.Pr.Civile).
33. Për të gjitha arsyet e përmendura më sipër, ky Kolegj, çmon se, mosmarrëveshja objekt shqyrtimi është brenda juridiksionit gjyqësor dhe vendimi nr.(82-2015-932) 1211,datë 09.11.2015 i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës, është i drejtë dhe duhet të lihet në fuqi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 63 të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.(82-2015-932) 1211,datë 09.11.2015 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës
Tiranë, më 24.03.2016
Do'stlaringiz bilan baham: |