FORMIMI I FJALËS LOGJIKA
GJATË ZHVILLIMIT TË GJUHËS ALBANO-PELLAZGE
Gjuha albano-pellazgo, sot gjuha shqipe, është formuar dhe zhvilluar nga njësitë fonetike, të cilat janë përdorur duke sintetizuar dhe komponuar fonemat në fjalë dhe shprehje të shumta gjatë tri epokave historike të njerëzimit. Të njëjtën gjë e shohim edhe te formimi i fjalës albano-pellazge – logika, e cila është formuar duke sintetizuar njësitë fonetike si tinguj të artikuluar l, o, g, i, k dhe a, prej nga formohen fjalët logi dhe ka. Këto dy fjalë, duke u bashkëngjitur, formojnë fjalën pellazge logika, që në shqipen e sotme është formuar fjala logjika, d.m.th. me gj-ë. Siç shihet, krahas zhvillimit të gjuhës albano-pellazge, gjatë tri epokave të kaluara, është zhvilluar edhe fjala logika. Fjala logika është zhvilluar duke sintetizuar fonemat si tinguj të artikuluar, siç do të shohim më poshtë.
KUPTIMI I FONEMËS L-Ë NË EPOKËN E PRIMITIVIZMIT. - Në dy fazat e para të epokës së primitivizmit (egërsirës), krahas lëvizjeve të përhershme të zakonshme për sigurimin e ekzistencës, duke ecur prej një vendi në një vend tjetër, njerëzit kanë bërë edhe lëvizje si aktivitet nga shprehia e bërë për të ecur, por, në këtë rast, për të kënaqur vetveten, vënë në disponim aftësitë fizike dhe mendore.
Në epokën e parë, në vendin e ndejës së përkohshme të grupit të njerëzve, ose pranë atij vendi, në mënyrë instiktive, të rriturit dhe fëmijët kanë ushtruar lëvizje si aktivitete të pa paramenduara, që vetiu i kanë zhvilluar forcat fizike dhe aftësitë intelektuale të një niveli të ulët të asaj kohe. Me rëndësi për atë kohë është se lëvizjet janë përcjellë edhe me anë të të folurit. Ushtrimet e lëvizjeve të thjeshta, por me plot reflekse, të folurit zhvillohet duke përdorur tinguj të artikuluar e mandej edhe me fjalë me një e me më shumë rrokjesh. Si, bie fjala, folja e sotme e gjuhës shqipe lëviz, raca e popullatës para albano-pellazgëve, në atë kohë e kanë shprehur me fonemën l-ë, e cila, si bashkëtingëllore, fillimisht është sintetizuar me zanoren –ë, si vijon: l + ë =lë. Sintetizimi i bashkëtingëlloreve me zanoren –ë është një karakteristikë e gjuhës pellazgo-shqipe.
Në shumë raste, lëvizjet e të rriturve kanë qenë imitim i lëvizjeve në luftërat e zhvilluara me njerëzit e grupeve të fiseve të huaja si dhe me egërsirat. Ata kanë imituar të rinjtë dhe fëmijët. Lëvizjet i kanë bërë edhe me imitimin e lëvizjeve të bëra për sigurimin e ushqimit nga pemët, perimet etj. Kanë bërë imitim të lëvizjeve për përfitimin e zjarrit, zënies dhe pjekjes së peshkut, imitim të thurjes së shportave dhe të rrahçës, përdorimin e topuzit dhe të shtizës etj.
Lëvizjet në kohën e primitivizmit janë bërë në mënyrë instiktive dhe janë shprehje e disponimit fizik dhe psikik. Këto lëvizje zakonisht janë bërë së bashku me dy e me më shumë persona (fëmijë ose të rritur), por më rrallë ka ndodhur të bashkëlëvizin dy e më tepër grupe të njerëzve nga kope të ndryshme. Fillimi i aktiviteteve të këtyre lëvizjeve ka qenë paraqitja e disponimit fizik për lëvizje, ndërsa mbarimi i këtyre lëvizjeve ka qenë paraqitja e lodhjes te njëri person apo grup ose te të gjithë pjesëmarrësit në log të lëvizjeve. Këto lëvizje të koordinuara spontanisht në mes dy a më shumë personave, janë zhvilluar në mënyrë miqësore dhe janë me karakter argëtues, si shenjë e parë e lojërave serioze. Këto bashkëlëvizje shpesh janë bërë edhe me zënka në mënyrë armiqësore, si element i parë ndërluftues, të cilat zakonisht mbarojnë me ikjen e më të dobëtit, por ka ndodhur të mbarojë edhe me likuidimin e personit ose grupit më të dobët.
KUPTIMI I FONEMËS –O. – Fonema –o në fillim të epokës së primitivizmit është përdorur me shumë kuptime, por që është përdorur edhe si folje me qenë – o. Si tingull i artikuluar që ka kuptimin e fjalës o = o^shtë = (është). Pra, është folje me qenë – është, mënyra dëftore, koha e tashme, në njëjës, veta e tretë.
FJALA LO (LOJË) NË FUND TË PRIMITIVIZMITN. - Në kohën e fundit të primitivizmit, te popullata albano-pellazge bëhen shumë ndryshime të qenësishme progresive. Në këtë kohë lëvizjet e thjeshta të njerëzve si aktivitet i imponuar nga disponimi fizik e psikik dhe lëvizjet spontane, zëvendësohen me aktivitete të organizuara të quajtura asaj kohe lo, e që në shqipen e sotme thuhet lojë, që kufizohet në kohë dhe në hapësirë, ku njëkohësisht është përcaktuar edhe numri i personave të kyçur në lojë. Te shtresat e banorëve para albane lojërat përsosen duke u përmbajtur rregullave, të cilat në fillim kanë qenë të thjeshta, e që gradualisht përsosen dhe bëhen lojëra me rregulla tradicionale. Në fazën e fundit të epokës së primitivizmit, lojërat shpesh janë zhvilluar edhe në një vend të caktuar publik, por ai vend nuk ka pasur emër të veçantë siç do të ketë më vonë në epokën e qytetërimit të hershëm (barbarisë), kur te albano-pellazgët do të quhet log.
Në fazën e fundit të primitivizmit, lojërat te popujt para albano-pellazge kanë pasur karakter dëfryes, por, në të njëjtën kohë, kanë qenë edhe aktivitete për përgatitjen fizike dhe mendore për punë dhe për luftë për të siguruar ekzistencën. Lojërat e asaj kohe kanë ndihmuar në formimin dhe zhvillimin fizik dhe mendor, sidomos te fëmijët dhe te të rinjtë. Në lojë fëmijët dhe të rinjtë socializohen, e përsosin të folurit dhe e pasurojnë fjalorin e gjuhës pellazge, e cila zhvillohet duke formuar fjalë dy e më shumërrokëshe nga sintetizimi i tingujve të artikuluar. Në këtë mënyrë, fjalës lo duke i shtuar fonemën j-ë, është formuar edhe fjala e sotme shqipe lojë.
Lojërat kanë qenë aktivitete shumë të dobishme si veprime të organizuara jashtë sferës së procesit të veprimeve (punës) për sigurimin e ushqimit. Zhvillimi dhe përsosja e lojërave ndikon në rritjen e vetëdijes dhe në përsosjen e mjeteve për punë si dhe për organizim më të mirë të jetës në bashkësitë e vjetra albano-pellazge.
Në fazën e fundit të epokës së parë, lojërat bëhen aktivitete më të organizuara dhe llojet e tyre janë shtuar në numër. Nga ana tjetër, te lojërat është rritur edhe kualiteti i tyre. Lojërat përsosen dhe përshtaten sipas moshës dhe ambientit ku njerëzit i zhvillojnë ato. Si aktivitete të organizuara, lojërat fillojnë qysh në fazën e dytë, por, me plotë kuptimin e fjalës, ato formohen në fazën e fundit të primitivizmit (egërsirës).
Me rëndësi është se lojërat kanë vazhduar të zhvillohen edhe nëpër logje gjatë gjithë epokës së qytetërimit të hershëm (barbarisë). Vend të posaçëm kanë zënë si aktivitete të lira jashtë procesit të punës prodhuese edhe në epokën e qytetërimit të lartë e deri më sot.
ETIMOLOGJIA E FJALËS LO (LOJË)
Ka elemente gjuhësore që tregojnë se pellazgo-shqiptarët e kanë zanafillën qysh prej fazës së parë të epokës së primitivizmit. E kjo është kohë para formimit të gjuhëve indoevropiane. Elementet e tilla, edhe pse për neve, sot janë të pakta, por si gjurmë mund të regjistrohen në thesarin e gjuhës shqipe. Lëvizja si fenomen natyror reflektohet edhe si fjalë e racës njerëzore, që më vonë do të quhet gjuhë e popullit pellazg. Nga faza e parë e primitivizmit, kuptimi i të lëvizurit raca pellazge e ka shprehur me tingullin e artikuluar l-ë, që sot shprehet me fjalën lëviz ose lëvizje, d.m.th. me luajt prej një vendi në tjetrin vend. Këtë tingull të artikuluar në thesarin e gjuhës shqipe e gjejmë vetëm të komponuar me fjalë të ndryshme, ku l-ja komponohet duke treguar fenomenin e lëvizjes. Tingullin e artikuluar l-ë në fillim e gjejmë të sintetizuar, në radhë të parë, me zanoret a, o, u, i, e dhe ë, (la, lo, lu, li, le, lë). E bashkuar l-ja me o-në dhe u-në formojnë fjalët lo dhe lu, që janë bazë të fjalëve lojë dhe si folje me luajt. Ndërsa, kur l-ja bashkohet me zanoren e formohet fjala le që ka kuptimin e foljes me lind. Në këtë trajtë, folja me le përdoret në disa të folura të shqipes së sotme.
Në fazën e fundit të epokës së primitivizmit, tingulli i artikuluar l-ë sintetizohet me tingullin e artikuluar o dhe formohet fjala lo . Si u tha më sipër, tingulli i artikuluar l-ë ka kuptimin e fjalës së sotme lëviz, ndërsa tingulli i artikuluar o edhe sot pa u ndryshuar përdoret si tingull i artikuluar pa u komponuar me tinguj të tjerë, dhe në gegërishten e mesme përdoret si folje me qenë – o^ ( hundore), e cila e ka pasur, por edhe sot e ka, kuptimin e foljes së sotme o^ = o^shtë ( me o hundore), që në gjuhën e sotme letrare të shqipes përdoret si folje me qenë – është. (Për këtë është dhënë shpjegim i veçantë).
Me sintetizimin e këtyre dy tingujve të artikuluar l-ë dhe o, është formuar fjala e vjetër te banorët para albane lo ( l+o ), e cila ka pasur kuptimin: l-ë = lëviz dhe o^ = o^shtë (është). Këtu o-ja kur sintetizohet me fonemën l-ë pohon lëvizjen si fenomen natyror. Kështu, të komponuara me fjalët e sotme shqipe, mundemi me i shprehur kështu: lëviz është, gjegjësisht është lëviz, apo thjesht thuhet – lëviz. Në këtë mënyrë, fjala e vjetër pellazge lo merr kuptimin e foljes së sotme shqipe – lojë, si aktivitet për të mësuar ose për të ushtruar aftësitë fizike dhe mendore që ka në disponim, por pa qëllim direkt të veprimit për sigurimin e ekzistencës.
Fjala e dikurshme pellazge lo me kuptimin e fjalës së sotme –lojë, edhe sot përdoret me të njëjtin kuptim, por tani në gjuhën shqipe e hasim vetëm si pjesë përbërëse të fjalëve. Megjithatë, l-ja e sintetizuar me u-në, pra fjala e dikurshme lu, është në përdorim edhe sot në të folurën e Kosovës. Fjala lo të bashkangjitur me fjalë të tjera e gjejmë në shumë raste, siç janë: lo+jë = lojë, lo+g = log, lo+t = lot, lo+ng = long (lëng), lo+k = lok, lo+ki+lo =lokilo184 etj.
Në shprehjen popullore shqipe lokilo (si pasthirrmë për të ndjellë viçin), lo-ja e parë është e sintetizuar me fonemën k-ë dhe formon fjalën lok, e cila e skajuar bëhet loki dhe ka kuptimin si titull nderi të burrit, i cili ndjell viçin në mënyrë përkëdhelëse. Ndërsa, lo-ja e dytë e fjalës lokilo e ka plotësisht kuptimin origjinal të fjalës së vjetër të racës pellazge lo, që ka pasur kuptimin e fjalës së sotme shqipe me lojtur. Shprehja lo është përdorur në kohën e fundit të primitivizmit te raca albano-pellazge, e që përdoret edhe sot te shprehja lokilo si relikt në të folurën e gegërishtes së veriut.
FORMIMI I FJALËS LOG NË FILLIM TË EPOKËS
SË QYTETËRIMIT TË HERSHËM (BARBARISË)
Me zhvillimin e strukturave shoqërore të pellazgëve në një shkallë më të lartë, qysh në fillim të qytetërimit të hershëm (barbarisë), ndërtohen marrëdhëniet e përbashkëta sociale të tyre brenda grupeve gjinore të fiseve të vendosura nëpër fshatra dhe qyteza. Vendi më i përshtatur i pellazgëve për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta të shumëllojshme është quajtur log.
Fjala log, në atë kohë, u formua nga fjala e mëparshme lo, që kishte kuptimin e fjalës së sotme shqipe – lojë. Por kur i shtohet edhe tingulli i artikuluar g-ë, e cila, në atë kohë ka pasur kuptimin e fjalës së sotme shqipe - hapësirë ( gonë = gjonë ose gjerësisë dhe gusht = ngushtë ). Në këtë rast, g-ja i shtohet fjalës lo për t’i dhënë kuptimin e hapësirës së kufizuar të vendit ku zhvillohen aktivitetet e shumëllojshme, që atë kohë është emëruar me fjalën log = ( lo + g ).
Logu, apo siç i thuhet në të folurën e Dervenit të Shkupit – logi, pra me i e jo me u në fund, si shprehje e vjetër, është hapësirë e një vendi publik (shesh ose mejdan), ku zakonisht, në kohë të lirë, njerëzit si qenie fizike, sociale, psikike e intelektuale, mblidhen, qëndrojnë, veprojnë dhe manifestojnë gjërat sipas rregullave të krijuara për një kohë të gjatë, prej nga janë shndërruar në rregulla tradicionale.
Fjala log me kuptim të plotë nga koha e qytetërimit të hershëm (barbarisë) përdoret origjinale në thesarin e gjuhës shqipe, gjë që shihet në shpjegimin e fjalës log në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” dhe në pjesën ku bëhet fjalë për përdorimin e fjalës log në të folurën popullore shqipe në këtë punim. Duhet ta dimë se fjala e vjetër pellazge log dhe si fjalë e sotme e gjuhës shqipe, pleqtë, të rriturit si edhe fëmijët shqiptarë, fjalën log e përdorin normalisht si fjalë e gjuhës së tyre shqipe. Kjo na dëshmon qartë për trashëgiminë e fjalës pellazge log edhe te gjuha e sotme shqipe.
Në kohën e qytetërimit të hershëm, fjala log te pellazgët ka marrë përmasa të mëdha dhe është bërë shumë produktive dhe është fjalë e mbarë gjuhës pellazge, gjë që në tërësi është trashëguar edhe në gjuhën popullore dhe letrare shqipe.
Sipas karakterit të aktivitetit dhe të veprimeve të shumëllojshme të shfaqura në mënyrë të organizuar në log, ato mund të jenë lojëra të thjeshta, gara sportive, shfaqje kulturo-artistike, ceremoni dasmore, mortore e fetare, aktivitet me karakter mësimor e punues, kuvend për trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve nga jeta shoqëroro-politike e shkencore, logjet e vendbetejave luftarake e shumë e shumë manifestimeve të tjera të llojllojshme. Gjatë gjithë epokës së qytetërimit të hershëm, aktivitetet në logje janë shtuar në numër, ato janë përsosur në çdo pikëpamje. Janë përsosur lëvizjet e njerëzve në log, është përsosur mënyra e të folurit të përpiktë. Mandej janë përsosur edhe rregullat e veprimeve të organizuara në log dhe kalojnë në rregulla tradicionale, të pashkruara, por të mësuara përmendësh, prej një gjenerate në tjetrën.
Me rëndësi është se në këtë epokë është përsosur edhe ndërtimi i vendeve të logjeve, që më vonë formohen logje për aktivitete të caktuara, të cilat e marrin edhe emrin sipas llojit të veprimit në të. Në epokën e qytetërimit të hershëm janë ndërtuar edhe ndërtesa me lokale të caktuara si logje e mandej janë ndërtuar edhe tempuj që edhe sot janë të njohur, si tempulli i Zeusit në Dodon, i Apolit në Delfi, i Thotit në Egjipt etj.
Logu është vend ku nëpërmjet të aktiviteteve të shumëllojshme, njerëzit kanë zhvilluar aftësitë fizike në një anë, por edhe aftësitë intelektuale në anën tjetër. Kanë zhvilluar edhe dituritë në një shkallë më të lartë për të siguruar njohuri të sakta për fenomenet fizike dhe shoqërore duke i shprehur me një fjalor shumë të pasur të gjuhës pellazge.
Faktorët kryesor që përbëjnë logun janë: 1. Hapësira e vendit, 2. pjesëmarrja e njerëzve, 3. zhvillimi i aktiviteteve, 4. rregullat tradicionale për zhvillimin e aktiviteteve, 5. të shprehurit me gojë, 6. kohëzgjatja e aktivitetit, 7. motivi i aktivitetit etj.
PËRFITIMET NGA AKTIVITETET NË LOG
Aktivitetet e veprimtarive të organizuara në logje, gjithmonë kanë pasur qëllim të caktuar dhe kanë ndikuar te pjesëmarrësit në log për zhvillimin dhe përsosjen e aftësive fizike e intelektuale dhe me rëndësi të veçantë është zhvillimi i të shprehurit me gojë. Nga aktivitetet në log përfitojnë edhe personat që prezantohen në log si shikues ose si dëgjues. Para së gjithash, në logje fitohen dituri, shkathtësi dhe shprehi të mira. Përfitohet aftësimi për punë prodhuese dhe për mbrojtje dhe sulm sipas nevojës. Në log fitohet edhe eksperiencë për veprime konkrete në jetën praktike. Asaj kohe në log njerëzit janë përgatitur për të kryer më me sukses detyrat që i presin në jetën e përditshme.
Angazhimi fizik dhe mendor të njerëzve në log, në epokën e qytetërimit të hershëm, përafërsisht është i barabartë. Gjatë gjithë epokës së dytë zhvillimi intelektual bëhet me një tempo më të shpejtë në krahasim me zhvillimin fizik të njeriut. Kështu që, nën ndikimin e veprimtarive në logje, në epokën e qytetërimit të zhvilluar, zhvillimi intelektual e tejkalon plotësisht atë fizik.
DITURITË E FITUARA NË LOG
Dituritë e fituara në log të tubimit, ndër të tjera, janë edhe mënyra e të mësuarit dhe të kuptuarit të botës reale. Dituritë e zhvilluara nëpër logje të tubimeve nga njerëzit më të ditur se masa popullore janë marrë si dituri më të vërteta dhe si të vërtetuara, janë të dala nga logu, që do të thotë se janë dituri që i ka logi (logu). Pra, LOGI I KA këto dituri, prej nga krijohet edhe fjala LOGIKA, me kuptim se logu, gjegjësisht njerëzit më të ditur të tubuar në të, i kanë vërtetuar dituritë që pasqyrojnë botën reale. Fjalën logika (logjika) njerëzit duke e hyjnizuar e ngrenë në piedestal dhe me të e largojnë nga realiteti i praktikës konkrete të logut dhe duke e harruar krejtësisht atë, termi logjikë kalon në teori themelore për të njohurit gnosologjik të botës reale, që do të thotë se bëhet një disiplinë e rëndësishme filozofike. Logjika merret si teori e të menduarit të drejtë, e gjykimit dhe e konkludimit real gjatë zgjedhjeve të të gjitha çështjeve shkencore. Me këtë, në një mënyrë, logjika bëhet kriter dhe normë për formimin e diturive shkencore, ku edhe kjo fjalë është një formë e veçantë e shprehjes së fjalës log.
ETIMOLOGJIA E FJALËS LOG
Fjala log përbëhet prej dy bashkëtingëlloreve, l-ë dhe g-ë, dhe prej zanores -o. Që të tria këto fonema janë tinguj të artikuluar të përdorur nga popullata e racës pellazge që nga faza e hershme e epokës së primitivizmit. Në fazën e dytë dhe të tretë të epokës së parë, këto fonema janë sintetizuar me zanore dhe bashkëtingëllore të tjera.
Me rëndësi është se në të folurën e racës së pellazgëve në fazën e fundit të primitivizmit, siç kam cekur më sipër, bëhet sintetizimi i l-së me o-në dhe formojnë fjalën lo që sot ka kuptimin e fjalës lojë. L-ja si tingull i artikuluar ka pasur kuptimin e fjalës së sotme lëviz. Ndërsa, o-ja që në fillim të të folurit të pellazgjishtes është përdorur për shumë kuptime, por ka pasur edhe kuptimin e fjalës me qenë o^, prej nga më vonë formohet folja me qenë o^shtë (është). O-ja hundore me këtë kuptim përdoret edhe sot në gegërishten jugore dhe ka kuptimin e foljes me qenë – është.
Bashkëtingëllorja e fundit g-ë e fjalës log, si tingull i artikuluar, që nga fillimi i primitivizmit ka pasur kuptimin e një hapësire të vendit. Në fillim nuk ka qenë e caktuar hapësira e gjerë ose e ngushtë. Në fazën e fundit të kësaj epoke, hapësira caktohet si e gjerë ose si e ngushtë.
Edhe fjalës log, g-ja i jep të njëjtin kuptim të hapësirës, si log me hapësirë të ngushtë ose log me hapësirë të gjerë. Më gjerësisht për fonemën g-ë jepet shpjegim te formimi i fjalës gon. Por fonema g-ë, kur sintetizohet me fjalën lo (lojë), është e pacaktuar gjerësia dhe tregon vetëm hapësirën.
Siç shihet, fjala log është e formuar nga tre tinguj (l + o + g), të cilët kanë tri kuptime të ndryshme, që, siç u tha më sipër, edhe në të folurën e sotme shqipe kanë tri kuptime të ndryshme: l-ë = lëviz, o = o^shtë (është) dhe g-ë= gonë ose gusht ( e gjerë ose ngushtë, që në këtë rast është hapësirë e kufizuar). Më konkretisht, me fjalët e sotme shqipe, mund të shprehet kështu:
Lëvizja + është + në hapësirë.
Kjo praktikisht do të thotë se lojërat bëhen në një vend me hapësirë të kufizuar. Kjo lëvizje, që bëhet në një vend të kufizuar, tregon tubimin e njerëzve dhe manifestimet e tyre me motive dhe qëllime të shumëllojshme.
FORMIMI DHE KUPTIMI I FJALËVE LOG DHE LOK
Fjala lok është me të njëjtin kuptim me fjalën log, sepse në esencë rrënjën këto dy fjalë e kanë njësoj. Fonemat g-ë dhe k-ë si tinguj të artikuluar tregojnë të njëjtin kuptim, por nga aspekte të ndryshme. Përderisa g-ja tregon hapësirën e një vendi, k-ja tregon kahun e hapësirës së një vendit që, në këtë rast, tregon hapësirën e logut. Edhe sot në disa të folura të gegërishtes së mesme, krahas fjalës log, përdoret edhe fjala lok, d.m.th. me k-ë. Si, fjala vjen, në Derven të Shkupit thuhet: “Agimi e mori login!” ose “Agimi hini (hyri) në lok!”; mandej thuhet: “Ata janë logtar”, Por thuhet: “Ata janë loktar.”
Si fjala log edhe fjala lok apo fjala lokal janë fjalë shumë produktive në gjuhën pellazge dhe janë të mbarë gjuhës pellazge, njëkohësisht kjo si e tillë reflektohet plotësisht edhe te gjuha e sotme shqipe.
Fjala lok dhe lokal janë formuar shumë më vonë se sa fjala log. Fjala lok dhe lokal janë formuar në kohën kur kanë filluar të ndërtohen ndërtesa me lokale të shumta, të cilat pjesërisht ose tërësisht janë përdorur si lokale ku janë tubuar njerëzit në mënyrë të organizuar për të kryer të njëjta veprime me ato të logjeve në natyrë. Pra, veprimtaria e logjeve kalon nga logjet në natyrë, në logje nëpër lokale të ndërtesave. Prej nga kuptohet se me kuptim të fjalës log përdoret edhe fjala lokal, por fjala lok merr kuptimin e personit që luan rolin kryesor udhëheqës në mesin e njerëzve të tubuar në log të lokalit. Pjesa e dytë e fjalës lokal, domethënë fjalëza al, tregon veprimin e loksit në log të lokalit. Kjo tregon se në kuptimin e logut integrohen lokalet e ndërtuara nga vetë njerëzit dhe personi më i mençur dhe më i ditur, luan rolin e loksit, që ne sot e quajmë mësuesi, arsimtari profesori e të tjerë. Lokalet ku tubohen më shumë njerëz, ku dikur ka zhvilluar aktivitete të caktuara loksi, sot i quajmë klasë, mësonjëtore, kabinet, sallë sporti e të tjerë.
Kuptimi i fjalës lok dhe lokal është zgjerim i kuptimit të logut, duke përfshirë lokalet që luajnë rolin e logut dhe loksi si person që luan rolin kryesor në log të lokalit ku tubohen njerëzit. Fjala lokal është formuar nga fjala log, duke i shtuar fjalëzën al, domethënë logal (log+al). Te fjala logal, g-ja zëvendësohet me fonemën k-ë dhe është formuar fjala lokal. Me fjalën lokal formohet kuptimi i objekteve të ndërtuara të kufizuara me mure. Nga ky ndryshim i fonemës g-ë në k-ë, është formuar nga fjala log në fjalën lok. Prapashtesa e fjalës lok, domethënë fjalëza al, është e formuar prej dy fonemave, që si tinguj të artikuluar –a-ja, do të thotë është, dhe l-ë do të thotë lëviz. Pellazgët me fjalën lok, gjegjësisht LOKSI, kanë quajtur personin që ka luajtur rolin kryesor në log të lokaleve duke kryer veprime dinamike. Por zakonisht në log të lokalit të caktuar nuk përjashtohet edhe puna e loksit në natyrë. Këtë e shohim edhe në veprimtarinë e Aristotelit të madh pellazg, në shkollën e tij, ku, krahas punës mësimore nëpër lokale, ai ka ligjëruar edhe në natyrë duke shëtitur, nga ku shkolla e tij e ka pasur emrin Shëtitore.
KUPTIMI I FJALËS LOGJIKA
Në shkencë është e njohur se fjala logjikë rrjedh nga fjala greke logos. Edhe pse shkencëtarët nuk e kanë të njohur saktësisht etimologjinë e fjalës logika, ata japin shpjegim të drejtë për kuptimin e fjalës logjikë, por shpjegimi i kuptimit të kësaj fjale jepet si disiplinë filozofike. Sipas tyre, fjala logos do të thotë fjalë, arsye, mendim, gjykim dhe se logjika studion ligjet e të menduarit dhe të formave të saj. Nga kjo kuptohet se kjo fjalë shpjegohet si proces i të menduarit të drejtë për njohjen e botës reale, si teori dhe disiplinë filozofike. Kjo ndodh se fjalën logika (logjika) nuk e shpjegojnë si shprehje reale gjuhësore, e cila rrjedh prej fjalëve pellazge logi dhe foljes ka, me të cilën pohohet fjala log si shesh prej nga ka dalë kuptimi i logjikës si disiplinë filozofike. Këto dy fjalë pellazge normalisht përdoren me të njëjtin kuptim edhe në gjuhën e sotme shqipe si trashëguese e pellazgjishtes.
Prandaj, nuk është e rastit që Aristoteli i madh i lindur në Stagirë të Maqedonisë, me prejardhje nga fisi pellazg i maqedonasve, i cili realisht është krijues i vërtetë i LOGJIKËS. Ai e ka ditur shumë mirë kuptimin e fjalëve logi dhe ka, si fjalë të gjuhës amtare, prandaj i ka përdorur si fjalë që tregojnë dituritë e fituara sheshazi, si dituri reale të vërtetuara në log të kuvendit nga njerëz më të ditur. Para Aristotelit kanë ekzistuar vetëm disa elemente të shkruara për logjikën, edhe ato nga burimet e qendrave kulturore të Azisë së Vogël perëndimore, ku shumica dërrmuese kanë qenë popuj pellazg. Aristoteli me format e të menduarit shkencor ka themeluar në kuptim të plotë LOGJIKËN KLASIKE, të cilën nuk ka mundur t’ia tejkalojë deri në kohën e krijimit të simbolikës moderne të matematikës logjike.
Kuptimi i fjalës logika (logjika) si mësim dhe dituri shkencore e filozofike është ngritur në piedestal dhe ka marrë karakter kozmogonik, gjë që shihet më poshtë.
Filozofia stoike fjalën logos e kupton si dituri hyjnore, e cila sundon në vasjon.
Në filozofinë e religjionit evrejo-aleksandriane, fjala logos kuptohet si forcë hyjnore krijuese dhe providencë, e kujdes për mbarëvajtje.
Teologjia krishtere logosin e kupton si natyrë hyjnore të Jezu Krishtit. Ndërsa, Ebu Hanefeja si Drejtues i Akademisë islame, me qendër në Kufë të Irakut, logjikës i jep një vend me rëndësi të posaçme si kriter dhe dituri hyjnore.
Do'stlaringiz bilan baham: |