VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej :
Ardian Nuni Kryesues
Aleksandër Muskaj Anëtar
Mirela Fana Anëtare
në datën 03.03.2016 shqyrtoi në seancë gjyqësore çështjen civile me palë :
PADITËS : AVOKATURA E PËRGJITHSHME E SHTETIT, përfaqësuar nga avokati i shtetit Abaz Deda) (në mungesë në shpallje).
I PADITUR: AGJENCIA E KTHIMIT DHE KOMPENSIMIT TË PRONAVE TIRANË, (në mungesë).
PERSON I TRETË: ZYRA VENDORE E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME LEZHË, (në mungesë).
OBJEKTI:
Shfuqizimin e vendimit nr.75, datë 31.01.2011 të AKKP Tiranë.
Baza Ligjore: Nenet 32, 324, 328 e vijues i K.Pr.Civile, etj.
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.4724, datë 03.06.2011, ka vendosur:
“Rrëzimin e kërkesë-padisë së ngritur nga paditësi Avokatura e Shtetit Tiranë, me të paditur AKKP Tiranë, me person të tretë ZVRPP Lezhë me objekt: Shfuqizimi i vendimit nr.75, datë 31.01.2011 të AKKP Tiranë. Detyrimin e të paditurit AKKP Tiranë të rimarrë në shqyrtim ankimin e Zyrës Vendore të Avokaturës së Shtetit Shkodër dhe gjykimin në themel të vendimit nr.26, datë 10.04.2009 të Z.R.K.K.P Qarku Lezhë, si një padi e pambështetur në ligj dhe në prova. Shpenzimet gjyqësore i lihen në ngarkim palës paditëse. ”.
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.973, datë 20.04.2012, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.4724, datë 03.06.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.”.
Kundër vendimit nr.973, datë 20.04.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë, është ushtruar rekurs nga pala e paditëse Avokatura e Përgjithshme e Shtetit, duke kërkuar: “Ndryshimin e vendimit nr.973, datë 20.04.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë me të cilin është lënë në fuqi vendimi nr.4724, datë 03.06.2011 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe pranimin e padisë.”
KOLEGJI CIVIL I GJYKATЁS SЁ LARTЁ
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Aleksandër Muskaj; dëgjoi përfaqësuesin e palës paditëse Avokatura e Përgjithshme e Shtetit, i cili kërkoi: “Ndryshimin e vendimit nr.973, datë 20.04.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë me të cilin është lënë në fuqi vendimi nr.4724, datë 03.06.2011 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe pranimin e padisë”; në mungesë të palëve të tjera pjesëmarrëse, si shqyrtoi në tërësi çështjen,
V Ё R E N
Se, vendimi nr.973, datë 20.04.2012, i Gjykatës së Apelit Tiranë, ashtu edhe vendimi nr.4724, datë 03.06.2011 i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, janë marrë në zbatim të gabuar të ligjit procedural civil e sit ë tillë duhet të prishen e çështja të dërgohet për rishqyrtim në Gjykatën e Shkallës së Parë.
I. RRETHANAT E FAKTIT.
-
Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, nga aktet e dosjes gjyqësore i rezultojnë të pranuara nga gjykatat e faktit rrethanat si vijon:
-
Në përfundim të shqyrtimit të dokumentacionit ligjor të depozituar dhe të administruar në dosjen e Z.R.K.K.P Qarku Lezhë, me nr.111, datë 26.07.2007 pasi ka hetuar dhe ka analizuar të gjitha dokumentat shkresore, me vendimin e saj nr.26, datë 10.04.2009 ka vendosur: “Kthimin e pronës në një sipërfaqe prej 28.696 m2 të ndodhur në Malin e Shëngjinit të ndarë në dy zona. Zona e parë me sipërfaqe 18.000 m2 tokë pyll në parcelën nr.882/2 dhe zona e dytë me sipërfaqe 10.696 m2 tokë truall të ndodhur në parcelat nr.1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11, 12, 13, 14, 15, 16, 17, 18, 19 dhe 20 sipas hartave bashkangjitur vendimit, për trashëgimtarët e trashëgimlënësit Rrok Nikoll Nikolla sipas dëshmisë së trashëgimisë nr.116 datë 28.05.1995 ku trashëgimtarë të rradhës së parë Ndue Rrok Nikolla dhe Leze Rrok Nikolla, trashëgojnë 1/3 e pjesës takuese dhe Vasel Luigj Nikolla, Tonin Luigj Nikolla, Vitore Luigj Nikolla dhe Fatmira Luigj Nikolla të cilët trashëgojnë 1/12 pjesë takuese të pasurisë. Të drejtën e kompensimit për sipërfaqen 1304 m2 tokë truall e cila është e zënë nga objektet në proçes legalizimi, në pasuritë 1, 2, 6, 7, 10, 11, 12, 13, 14, 15 dhe 16, sipas hartave bashkangjitur vendimit, për trashëgimtarët e trashëgimlënësit Rrok Nikoll Nikolla sipas dëshmisë së trashëgimisë nr.116 datë 28.05.1995 ku trashëgimtarë të rradhës së parë Ndue Rrok Nikolla dhe Leze Rrok Nikolla, trashëgojnë 1/3 e pjesës takuese dhe Vasel Luigj Nikolla, Tonin Luigj Nikolla, Vitore Luigj Nikolla dhe Fatmira Luigj Nikolla të cilët trashëgojnë 1/12 pjesë takuese të pasurisë.
-
Avokatura e Shtetit, Zyra Vendore Shkodër, përfaqësuar nga Avokatja e Shtetit Znj.Aferjona Lohja, me vënien në dijeni të vendimit nr.26, datë 10.04.2009 të Z.R.K.K.P Qarku Lezhë dhënë në favor të trashëgimtarëve ligjor të subjektit të shpronësuar Rrok Nikoll Nikolla, Bazuar në ligjin nr.9235, datë 29.07.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”, i ndryshuar, nenit 18, paragrafi 1 të tij (dispozitë ligjore në fuqi në momentin e paraqitjes së këtij ankimi), i është drejtuar Zyrës Qendrore të AKKP-së nëpërmjet kërkesës ankimore nr.1950 prot., datë 14.05.2009, me të cilën ka kërkuar shfuqizimin e këtij vendimi.
-
Në lidhje me procedimin administrativ të iniciuar për trajtimin e kësaj kërkese ankimore, rezulton se përfaqësuesi ligjor i trashëgimtarëve ligjor të subjektit të shpronësuar Rrok Nikolla, ka depozituar pranë këtij organi kërkesën e dt. 13.12.2010 (depozituar pranë AKKP-së në dt. 16.12.2010), me objekt “Kërkese për mos shqyrtimin administrativ të kërkesës së Avokaturës së Shtetit, Zyra Vendore Shkodër, ndaj vendimit të AKKP Qarku Lezhë për subjektin Rrok Nikolla”.
-
Nëpërmjet kësaj kërkese, subjektet e interesuar kanë pretenduar se kërkesa ankimore e Avokaturës së Shtetit, Zyra Vendore Shkodër nuk duhet të pranohet për tu shqyrtuar nga ky organ procedurës.
-
Sa sipër, AKKP-ja pasi ka marrë në shqyrtim kërkesat e lartpërmendura ka konkluduar me vendimin e saj nr.75 datë 31.01.2011 nga ku ka vendosur: “Mospranimin e ankimit të depozituara nga Avokatura e Shteti, Zyra Vendore Shkodër, për kundërshtimin e Vendimit nr.26, datë 10.04.2009 të ZRKKP Qarku Lezhë, si kërkesë e depozituar jashtë afatit ligjor të përcaktuar në ligj”.
-
Në marrjen e këtij vendimi AKKP-ja arsyeton shkurtimisht se subjektit kërkues Zyra Vendore e Avokaturës së Shtetit Shkodër nuk ka ankimuar brenda afatit ligjor 30 ditor të përcaktuar në nenin 18/1 të ligjit të pronave të ndryshuar duke filluar ky afat nga dita e marrjes dijeni për vendimin objekt kundërshtimi.
-
Ky vendim i është dërguar Zyrës Vendore Tiranë së Avokaturës së Shtetit me shkresën nr.487/6 datë 31.01.2011 të AKKP dhe kjo zyrë ka marrë dijeni me shkresën nr.104/1 Prot., datë 01.02.2011 dhe i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me kërkesë-padinë me objekt “ Anullimim e Vendimit nr.75, datë 31.01.2011, të Agjencisë të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë Detyrimin e të paditurit AKKP Tiranë të rimarrë në shqyrtim ankimin e Zyrës Vendore të Avokaturës së Shtetit Shkodër dhe gjykimin në themel të vendimit nr.26, datë 10.04.2009 të Z.R.K.K.P.Qarku Lezhë”.
II. PROCEDURAT GJYQËSORE
-
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.4724, datë 03.06.2011, ka vendosur: “ Rrëzimin e kërkesë-padisë së ngritur nga paditësi Avokatura e Shtetit Tiranë, me të paditur AKKP Tiranë, me person të tretë ZVRPP Lezhë me objekt: Shfuqizimi i vendimit nr.75, datë 31.01.2011 të AKKP Tiranë. Detyrimin e të paditurit AKKP Tiranë të rimarrë në shqyrtim ankimin e Zyrës Vendore të Avokaturës së Shtetit Shkodër dhe gjykimin në themel të vendimit nr.26, datë 10.04.2009 të Z.R.K.K.P Qarku Lezhë, si një padi e pambështetur në ligj dhe në prova. Shpenzimet gjyqësore i lihen në ngarkim palës paditëse. ”.
-
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.973, datë 20. 04. 2012, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.4724, datë 03.06.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.”.
-
Kundër vendimit nr.973, datë 20. 04. 2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë, është ushtruar rekurs nga pala e paditëse Avokatura e Përgjithshme e Shtetit, duke kërkuar: “Ndryshimin e vendimit nr.nr.973, datë 20. 04. 2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë me të cilin është lënë në fuqi vendimi nr.4724, datë 03.06.2011 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe pranimin e padisë”.
Në shkaqet e rekursit veçohen:
-
Vendimet e gjykatave janë marrë në zbatim të gabuar të ligjit.
-
Zbatimi i vendimit nr.26, datë 10.04.2009 i Z.R.K.K.P Lezhë, pas regjistrimit të tij në Z.V.R.P.P Lezhë mund të cenojë rëndë interesat pasurore të shtetit dhe të drejtën e pronësisë publike, pasi personi i tretë duke u bërë pronarë mund ta tjetërsojë këtë pronë publike tek të tretë apo mund ta disponojë në mënyra të tjera ligjore.
-
Nga ana e Gjykatës nuk është marrë asnjë lloj vendimi për pranim ose rrëzim të kërkesës për pezullim të ekzekutimit të këtij vendimi, në shkelje të rregullave procedurale për të vendosur për çdo kërkesë të palëve.
-
Hetimi administrativ është jo i plotë dhe nuk provon ekzistencën e ushtrimit të ankimit nga ana e Zyrës Vendore të Avokaturës së Shtetit Shkodër jashtë afatit 30 ditorë.
-
Në analizë të dokumentacionit që është vënë në dispozicion nga Zyra Vendore e Avokaturës së Shtetit Shkodër mund të vërtetohet se subjekti ankimues kishte të drejtë ligjore të ankimimit brenda 30 ditëve, sepse në analogji bazuar në nenin 149 K.Pr.Civile afati nuk quhet i humbur, kur kërkesa ose akti është dërguar me postë edhe në ditën e fundit të afatit.
-
Kryerja e një procedimi administrativ jo të hapur për subjektet e interesuara duke mos i dhënë mundësinë këtyre për tu njohur me të dhëna apo të japin informacione ka sjellë vendimmarrje të gabuar nga ana e A.K.K.P Tiranë.
III. ARSYETIMI LIGJOR I VENDIMIT TË ANKIMUAR
-
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.4724, datë 03.06.2011 ndër të tjera ka arsyetuar se: “…(omissis).. .Sa sipër, gjykata referuar provave shkresore të marra për shqyrtim në dosjen gjyqësore si dhe, referuar ligjit material, konkludon se padia e ngritur nga paditësi Avokatura e Shtetit është e pambështetur në ligj dhe në prova. Shkaqet që gjykata arrin në këtë konkluzion janë si më poshtë.
Hetimi administrativ i kryer nga AKKP Tiranë në dhënien e vendimit objekt shqyrtimi gjyqësor është i plotë dhe provon ekzistencën e ushtrimit të ankimit nga ana e Zyrës Vendore të Avokaturës së Shtetit Shkodër jashtë afatit 30 ditor .
Afati 30 ditor i përcaktuar në ligjin e posaçëm dhe material, konkretisht neni 18/1 i Ligjit nr.9235 dt. 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, i ndryshuar, (dispozitë ligjore në fuqi në momentin e depozitimit të ankimit, apo e legjitimimit për të ushtruar të drejtën e rekursit administrativ), presupozohet si një afat optimal dhe i arsyeshëm për subjektin i cili pretendon se i cënohet një e drejtë.
Ky afat nuk lidhet me momentin e nxjerrjes së aktit nga organi administrativ, por me ditën kur ankuesi ka marrë njoftimin për aktin. Nga ky moment, llogaritet afati 30 ditor për paraqitjen e ankimit administrativ.
Në referim të sa më sipër, si dhe llogaritjeve për përcaktimin e afatit ligjor brenda të cilit subjekti ankimues duhet të kishte ushtruar të drejtën e ankimit ndaj vendimit objekt shqyrtimi, evidentohet se afati maksimal dhe përfundimtar brenda të cilit Avokatura e Shtetit, Zyra Vendore Shkodër ka pasur të drejtë për të kundërshtuar vendimin nr.26 datë 10.04.2009 të ZRKKP Qarku Lezhë, ka qenë data 13.05.2009, duke marrë si moment të fillimit të tij datën 14.04.2009, ditë në të cilën është vënë në dijeni të këtij vendimi objekt kundërshtimi (pranuar kjo nga vetë subjekti ankimues në kërkesën ankimorë të depozituar në dosje).
Për këtë arsye, në referim të nenit 144/b të K.Pr.Administrative, ky organ procedues (në këtë rast AKKP Tiranë) në respektim të një procedimi të rregullt administrativ dhe mbi të gjitha ligjor, ka vepruar drejt që ka vendosur mospranimin e ankimit të kryer nga ana e Avokaturës së Shtetit, Zyra Vendore Shkodër, për shkak se afatet kohore për të ushtruar të drejtën e ankimit kanë përfunduar.
Ky Organ ( AKKP Tiranë) ka detyrimin ligjor, që në fazën paraprake të vlerësimit të apelimit administrativ, pa i hyrë shqyrtimit në themel të tij, të vendosë mospranimin e ankimit. Kjo është një e drejtë e ligjshme e këtij organi, e cila nuk shkel asnjë të drejtë të subjektit i cili ka kryer ankimin…”.
-
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.973, datë 20.04.2012, ndër të tjera ka arsyetuar se: “...(omissis)... Gjykata e Apelit çmon se referuar vendimit nr.26 datë 10.04.2009 i Z.R.K.K.P Qarku Lezhë nuk është ankimuar brenda afatit ligjorë 30 ditorë të përcaktuar në nenin 18/1 të ligjit të pronave të ndryshuar, duke filluar ky afat nga dita e marrjes dijeni për vendimin objekt kundërshtimi. Nga shqyrtimi i provave dhe dokumentacioneve të administruara rezulton se vendimi me nr .26 datë 10.04.2009 i është komunikuar Zyrës Vendore Shkodër me anë të postës më datë 14.04.2009, fakt i cili konfirmohet edhe në mënyrë të shprehur nga vetë ky subjekt, në kërkesën ankimore nr.181/1 prot., datë 12.05.2009. Rezulton se ankimi kundër vendimit objekt shqyrtimi është depozituar pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në dt. 14.05.2009, fakt i cili pasqyrohet nëpërmjet kartelës shoqëruese me nr.1950 prot., datë 14.05.2009.
Nga shqyrtimi i akteve të ndodhura në dosje rezulton se ajo nuk është depozituar në rrugë zyrtare pra nëpërmjet postës, por dorazi, personalisht nga vetë subjekti përfaqësues i subjektit ankimues më datë 14.05.2009. Në këto rrethana Gjykata e Apelit çmon ankimi i kryer nga ana e këtij subjekti ankimues është protokolluar pranë vetë këtij të fundit në datën 12.05.2009, ai rezulton të jetë depozituar në Zyrën Qendrore të AKKP-së në dt. 14.05.2009, pra me dy ditë vonesë.
Në këto rrethana Gjykata e Apelit çmon se referuar përmbajtjes së dispozitës ligjore, nenit 18/1 të ligjit nr.9235 datë 29.07.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” i ndryshuar, mbi bazën e të cilës legjitimohet depozitimi i kërkesës ankimore të ZVASH Shkodër, vërehet se ajo përcakton si afat maksimal ditën e 30-të nga marrja e dijenisë, ky afat është afat prekluziv.”.
IV. NË LIDHJE ME REKURSIN E USHTRUAR
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, rekursi i paraqitur nga pala paditëse Avokatura e Përgjithshme e Shtetit përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile që motivojnë cenimin e vendimit nr.4724, datë 03.06.2011 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe vendimit nr.973, datë 20. 04. 2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, vendimet e gjykatave të faktit të cilat kanë argumentuar se, ankimi i ushtruar nga Avokatura e Shtetit, është paraqitur jashtë afatit 30 ditor janë marrë në zbatim të gabuar të ligjit të posaçëm si dhe ligjit procedural civil.
-
Nga rrethanat e parashtruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi, të pranuara nga gjykatat e faktit rezulton se, Z.R.K.K.Pronave Qarku Lezhë me vendimin nr.10.04.2009 ka vendosur kthimin e një sipërfaqe të ndodhur në Malin e Shëngjinit, në dobi të trashëgimtarëve ligjorë të subjektit të shpronësuar Rrok Nikolla. Në lidhje me këtë vendim Avokatura e Shtetit ka marrë dijeni më datë 14.04.2009. Në datë 14.05.2009 Avokatura e Shtetit, Zyra Vendore Shkodër ka paraqitur ankim pranë A.K.K.P-së, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit. A.K.K.P-ja me vendimin nr.75, datë 31.01.2011 ka vendosur: “Mospranimin e ankimit të depozituar nga Avokatura e Shteti, Zyra Vendore Shkodër për kundërshtimin e Vendimit nr.26, datë 10.04.2009 të ZRKKP Qarku Lezhë, si kërkesë e depozituar jashtë afatit ligjor të përcaktuar në ligj”. Ky vendim është lënë në fuqi nga gjykatat e faktit me arsyetimet e sipërcituara.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë konsideron se, në rrethanat e çështjes konkrete shtrohet për zgjidhje analizimi i momentit kohor në të cilin fillon afati i ankimimit, nga dita e marrjes njoftim për vendimin e apo nga e nesërmja e marrjes njoftim për vendimin. Pra nëse nga ana e palës paditëse Avokatura e Shtetit Zyra Vendore Shkodër është depozituar në kohë ankimi, kundër vendimit nr.26, datë 10.04.2009 të Z.R.K.K.P Qarku Lezhë, pranë palës së paditur AKKP-së.
-
Në ligjin nr.9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe Kompensimin e Pronës” i ndryshuar, i njihet e drejta Avokaturës së Shtetit për të ankimuar vendimin e Zyrës Rajonale të AKKP-së në qark për të kundërshtuar vendimin në zyrën e AKKP-së në qendër brenda 30 ditëve nga njoftimi i vendimit.
-
Në nenin 18 të këtij ligji 1parashikohej: “... Kundër vendimit të njohjes së të drejtës së pronësisë, kthimit ose kompensimit të pronës, si dhe të të drejtave të tjera reale të zyrës rajonale të AKKP-së në Qark, subjekti i shpronësuar ose Avokatura e Shtetit kanë të drejtë të bëjnë ankim, brenda 30 ditëve nga njoftimi i këtij vendimi, në zyrën e AKKP-së në qendër. Kundër vendimit të njohjes së të drejtës së pronësisë, kthimit ose kompensimit të pronës, si dhe të të drejtave të tjera reale të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe ish-komisioneve të rretheve ose bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve, subjekti i shpronësuar ose Avokatura e Shtetit kanë të drejtë të bëjnë ankim në zyrën e AKKP-së në qendër...”.
-
Në lidhje me zgjidhjen e kësaj çështje gjykata, çmon se duhet të kihet parasysh, natyra e vendimeve të organeve të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si vendime “sui generis”, të nxjerrë nga organe “sui generis”, të nxjerrë nga organe për të cilët GJEDNJ-ja ka përdorur termin quasi gjykatë.2
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në kushtet kur vendimet e dhëna nga organet e kthimit dhe kompensimit kanë natyrën e sipërcituar, çmon se janë të zbatueshme të njëjtat parime dhe rregulla të afirmuara në vendimin unifikues nr.2, datë 27.03.2012 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë3 në lidhje me përcaktimin e momentit të fillimit të ankimit për kundërshtimin e vendimit të gjykatave për palët që kanë qenë në mungesë, pra se momenti i ankimit duhet të fillojë nga e nesërmja e marrjes njoftim të vendimit.
-
Afatet procedurale caktohen nga Kodi i Procedurës ose nga ligje të veçanta. Kohëzgjatja në të cilin një akt procedural duhet të realizohet (për shembull, afati i paraqitjes së ankimit kundër vendimit, nën rrezikun e mospranimit të ankimit), është shprehur sipas rastit në ditë, muaj apo vite.
-
Në lidhje me rregullimet e përgjithshme për mënyrën e llogaritjes së afateve, afati i caktuar me ditë dhe me orë, përjashtohet dita dhe ora në të cilën ka filluar ngjarja ose koha nga e cila duhet të fillojë afati, sipas parimit “Dies a quo non computatur in termino” sipas të cilit, në llogaritjen e afateve në ditë, dita e fillimit (a.q. dies a quo) nuk llogaritet në ecjen e afatit, ndërsa dita e fundit (a.q. dies ad quem) llogaritet në afat. Termi dies a quo nënkupton ditën nga e cila ecën afati ndërsa termi dies ad quem nënkupton ditën në cilën afati skadon.
-
Në lidhje me mënyrën e përllogaritjes së afateve kohore Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mban qëndrim në harmoni me vendimin unifikues nr.2/2012 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë të cilat janë shprehur se: “…është rregull gjerësisht i pranuar se dies a quo nuk llogaritet në afatin kohor brenda të cilit verifikohet një ngjarje apo duhet të kryhet një veprim i caktuar, rregull ky i cili ka gjetur shprehjen e tij edhe në Kodin e Procedurës Civile të Shqipërisë në nenet 1481, 433, 444/12 të K.Pr.Civile.”.
-
Sa më sipër Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në kushtet kur vendimet e dhëna nga organet e kthimit dhe kompensimit të pronës janë konsideruar si akte “sui generis” të nxjerra nga organe “sui generis” për të cilët GJEDNJ-ja ka përdorur termin “quasi gjykatë”, konsideron të zbatueshme të njëjtat parime të zbatuara dhe në vendimin unifikues nr.2 datë 27.03.2012.
26. Vihet re se, qasja e nenit 18 të ligjit nr.9684, datë 6.2.2007 Për disa ndryshime e shtesa në ligjin nr.9235, datë 29.07.2004 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës”, në lidhje me përcaktimin e momentit të fillimit të afatit të ankimit duke e lidhur atë me njoftimin e vendimit përputhet me parashikimet e nenit 444/2 të Kodit të Procedurës Civile lidhur me fillimin e afatit të ankimit për palën e cila ka qenë në mungesë.
26. Interpretimi që i duhet bërë nenit 18 të ligjit nr.9684, datë 6.2.2007 Për disa ndryshime e shtesa në ligjin nr.9235, datë 29.07.2004 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës”, duhet të jetë në harmoni me interpretimin e bërë nga Kolegjet e Bashkuara për nenin 444/2 të K.Pr.Civile, i cili përcakton të nesërmen e marrjes njoftim për vendimin, për palën që ka qenë në mungesë, si ditën nga i cili fillon afati.
-
Nisur edhe nga këto konsiderata në lidhje me normën, Kolegji Civil vjen në përfundimin se, kur çështja është vendosur në mungesë të njërës palë, afati i ankimimit për këtë palë fillon të llogaritet përkatësisht nga e nesërmja e marrjes njoftim të vendimit, sipas rregullave të përcaktuara nga dispozitat e nenit 148 të K.Pr.Civile.
-
Në kushtet kur procedura është kryer nga Z.R.K.K.P Qarku Lezhë në mungesë të palëve dhe afati fillon nga e nesërmja e njoftimit të vendimit, ankimi i paraqitur nga Avokatura e Shtetit pranë AKKP-së duhet të konsiderohet si ankim i paraqitur brenda afatit ligjor, afati 30 ditor është plotësuar në datë 14.05.2009.
-
Kolegji Civil vlerëson se, sa kohë që marrëdhënia juridike për shkak të së cilës ka lindur konflikti, ka në themel probleme që kanë të bëjnë me të drejta reale mbi sende të paluajtshme, në përcaktimin e kompetencës tokësore për shqyrtimin e mosmarrëveshjes, duhet referuar në nenin 45 të Kodit të Procedurës Civile, i cili përbën një nga rastet e kompetencës tokësore ekskluzive.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, në kushtet në të cilat kemi të bëjmë me një kompetencë tokësore ekskluzive, kompetenca do të përcaktohet sipas nenit 45 të Kodit të Procedurës Civile dhe nuk gjen zbatim neni 18 i Ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 i ndryshuar i cili, përcakton si gjykatë kompetente nga pikëpamja tokësore, Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
-
Në këtë vështrim dhe në kushtet kur sendi i paluajtshëm ndaj të cilit drejtohen pretendimet e palës paditëse, ndodhet në Lezhë, vlerësohet se nga pikëpamja tokësore, kompetente për shqyrtimin e çështjes konkrete është Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë.
-
Kolegji Civil vlerëson se, një konkluzion i tillë është në koherencë të plotë edhe me përfundimin njësues të arritur në Vendimin Unifikues nr.4 datë 10.12.2013, të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, sipas të cilit: “...Kur në objektin e gjykimit kundërshtohet vendimi i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave apo Agjencisë Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, kjo çështje do të konsiderohet si mosmarrëveshje civile dhe do të shqyrtohet nga gjykata që ka kompetencë gjykimin e mosmarrëveshjeve civile...”. Në zbatim të sentencës së mësipërme, kur për nga natyra e tij ky konflikt përbën një mosmarrëveshje civile dhe ka të bëjë me të drejta reale mbi pasuri të paluajtshme, për përcaktimin e kompetencës territoriale, do të zbatohen parashikimet e nenit 45 të K.Pr.Civile, sipas të cilit kompetente nga pikëpamja tokësore do të jetë gjykata e rrethit gjyqësor ku ndodhet sendi i paluajtshëm.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson gjithashtu se, në gjykim duhet të thirren dhe personat e tretë të cilët kanë interes në lidhje me vendimin që është ankimuar nga Avokatura e Shtetit, subjektet të cilët kanë përfituar nga vendimi nr.26, datë 10.04.2009 i Z.R.K.K.P Qarku Lezhë.
-
Sa më sipër Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se, vendimi nr.4724, datë 03.06.2011 i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe vendimi nr.973, datë 20.04.2012 i Gjykatës së Apelit Tiranë duhet të prishen dhe çështja duhet të rikthehet për rishqyrtim në Gjykatën e Shkallës së Parë Lezhë, e cila duhet të marrë në shqyrtim shkaqet e parashtruara prej palës paditëse, për gjykimin e të cilëve është investuar juridiksioni gjyqësor.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 485, shkronja “ç” të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.973, datë 20.04.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë, të vendimit nr.4724, datë 03.06.2011 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën e Shkallës së Parë Lezhë për rishqyrtim.
Tiranë, më 03.03.2016
Nr. 11243-01437-00-2013 Rregj. Themeltar
Nr. 00-2016 - 623 i Vendimit (63)
Do'stlaringiz bilan baham: |