VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Ardian Nuni Kryesues
Aleksandër Muskaj Anëtar
Mirela Fana Anëtare
në datën 03.03.2016, mori në shqyrtim në seancën gjyqësore çështjen civile nr.11243-01437-00-2013 Regj. Themeltar, që i përket palëve:
PADITËSE: 1-DORJANA ASLLANAJ, përfaqësuar në gjykim nga av. Valbona Gjoncari.
2-ELONA JAUPAJ, përfaqësuar në gjykim nga av.Valbona Gjoncari.
TË PADITUR: 1-SHOQËRIA PËRMBARIMORE PRIVATE ARB SH.P.K., (në mungesë).
2- PËRMBARUESI PRIVAT ALBAN RULI, (në mungesë).
OBJEKTI:
Kundërshtohet veprimi përmbarimor
“Vendim për gjobitjen e personit” datë 26.07.2011,
i Përmbaruesit privat Alban Ruli Shoqëria Përmbarimore Private ARB shpk.
Baza Ligjore: Nenet 31, 153, 161, 589, 606, 610 etj të K.Pr.Civile.
Neni 31, 32 i Kodit Civil.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.1862 datë 29.02.2012 ka vendosur:
“Pranimin e padisë së paditëseve Dorjana Asllanaj dhe Elona Jaupaj.
Anullimin e Vendimit dt.26.07.2011``Për gjobitjen e personit për mosekzekutim të detyrimit për kryerjen e një veprimi të caktuar``, të përmbaruesit gjyqësor privat Alban Ruli dhe në paditëseve Dorjana Asllanaj dhe Elona Jaupaj.
Shpenzimet gjyqësore të paditurit…”
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.2852 datë 04.12.2012 ka vendosur:
“Ndryshimin e vendimit civil nr.1862, datë 29.02.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe rrëzimin e kërkesëpadisë.
Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës paditëse…”
Kundër vendimit nr.2852 datë 04.12.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë ka paraqitur rekurs pala paditëse Dorjana Asllanaj dhe Elona Jaupaj, nëpërmjet të cilit kërkon ndryshimin e vendimit nr.2852 datë 04.12.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe lënien në fuqi të vendimit nr.1862 datë 29.02.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për këto shkaqe:
- Vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë është dhënë në zbatim të gabuar të ligjit, pasi paditëset kanë vepruar në cilësinë e punëmarrëseve të bankës “ProCredit” sh.a., personit juridik, duke e përfaqësuar atë dhe jo në cilësi personale. Në zbatim të nenit 31 të K.Civil, paditëset brenda kompetencave të punës së tyre kanë shprehur vullnetin e personit juridik, ndaj dhe gjoba e përmbaruesit nuk mund të drejtohej ndaj tyre por vetëm ndaj personit juridik.
- Po ashtu, edhe në përmbajtje të shkresës me anë të së cilës paditëset i kanë kthyer përgjigje përmbaruesit privat, është i drejtë argumentimi në këtë shkresë se nuk mund të vendosej sekuestro mbi llogari të shtetit. Në kuptim të nenit 589 të K.Pr.Civile, nuk lejohet ekzekutimi i detyrueshëm mbi pasuri të luajtshme apo të paluajtshme të institucionit buxhetor. Për më tepër, në zbatim të VKM nr.335 datë 02.06.1998 “Për procedurat për zbatimin e vendimeve gjyqësore për detyrimet që prekin buxhetin e shtetit” si dhe në zbatim të Udhëzimit nr.12 datë 08.12.2000 të Ministrit të Financave “Për administrimin e llogarive të të ardhurave dhe shpenzimeve të buxhetit të shtetit”, pika 4, Ministritë dhe institucionet e tjera qendrore ndjekin zbatimin e vendimeve gjyqësore për detyrimet e institucioneve buxhetore në varësi të tyre. Këto detyrime përballohen nga vetë institucioni brenda fondeve të miratuara për vitin buxhetor, sipas kritereve e procedurave që do të përcaktohen në udhëzim të përbashkët të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave. Burimet në mjete monetare të buxhetit të shtetit, mbahen në llogarinë “Depozitë e Qeverisë”, në lekë në Bankën e Shqipërisë. Llogaritë e hapura në bankat e nivelit të dytë nga Ministri i Financave në emër të Doganave, Tatimeve dhe Thesarit, janë llogari të buxhetit të shtetit, mjetet monetare të të cilave konsolidohen çdo ditë në llogarinë “Depozitë e Qeverisë” në lekë pranë Bankës së Shqipërisë. Në këto kushte bankat e nivelit të dytë funksionojnë vetëm si ndërmjetëse financiare dhe nuk kryejnë asnjë transaksion buxhetor pa miratimin e Ministrisë së Financave, e cila kontrollon qëllimin e transaksionit dhe kufijtë e përcaktuar buxhetorë.
- Gjithashtu me shkresën nr.8407 prot., datë 18.08.2008, mbi vënien e sekuestros në Llogaritë Buxhetore të Shtetit, Ministria e Financave njofton bankat e nivelit të dytë se institucionet buxhetore, nuk zotërojnë llogari mjetesh monetare në bankat e nivelit të dytë. Ministri i Financave është autoriteti që lëshon udhëzime në bazë të ligjit, për ekzekutimin e detyrimeve në të holla të institucioneve buxhetore, në llogari të Thesarit. Në të njëjtin kuadër konsiderohen edhe institucionet e Doganave dhe Tatimeve të cilat nuk disponojnë mjete monetare për pagesat në bankat e nivelit të dytë, por fonde në sistemin e thesarit. Për sa më sipër, bankat e nivelit të dytë kanë detyrimin në çdo kohë të veprojnë konform urdhërimeve ligjore të mësipërme, sa i takon ekzekutimeve të detyrimeve të institucioneve buxhetore në llogaritë e buxhetit të shtetit. Në analizë të gjithë sa më sipër, vendimi i Gjykatës së Apelit është në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtares Mirela Fana, dëgjoi përfaqësuesin e paditëseve, Av.Valbona Gjoncari, e cila kërkoi prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së rrethit gjyqësor, në mungesë të palës së paditur, si diskutoi e analizoi çështjen në tërësi
V Ë R E N
Rrethanat e Faktit
-
Paditëset janë punëmarrëse të Bankës Procredit sh.a. filiali Laprakë, Tiranë.
-
Nga ana e të paditurit Zyrës së Përmbarimit Privat ARB sh.p.k., nëpërmjet përmbaruesit privat, të paditurit tjetër në gjykim Alban Ruli, është regjistruar kërkesa e kreditorit Halil Kullolli për ekzekutim të Urdhrit të Ekzekutimit nr.2919 akti, datë 23.05.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
-
Midis të tjerash, në veprimet e tij të ekzekutimit, përmbaruesi privat ka kërkuar nga Banka ProCredit sh.a. me shkresën dt.11.07.2011, vendosjen e sekuestros konservative ndaj debitorit Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për llogari të ekzekutimit të Urdhrit të Ekzekutimit nr.2919 akti, datë 23.05.2011, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
-
Në përgjigje të shkresës së mësipërme të përmbaruesit, paditëset në cilësinë e punonjësit bankar përgjegjës, me shkresën nr.OP 1444/1, KIB:209 11005 datë 20.07.2011, kanë njoftuar të paditurin se, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është një institucion buxhetor dhe në bazë të legjislacionit bankar, banka nuk mund të bëjë bllokimin e llogarive për detyrime monetare të organeve buxhetore.
-
Pas kësaj kthim përgjigje, me Vendimin datë 26.07.2011 “Për gjobitjen e personit për mosekzekutim të detyrimit për kryerjen e një veprimi të caktuar”, i padituri në cilësinë e përmbaruesit gjyqësor privat Alban Ruli, ka vendosur ndaj paditëseve gjoba respektive në masën 10.000 lekë secila, në bazë të nenit 606/ paragrafi i dytë të K.Pr.Civile.
-
Duke mos qenë dakord me vendimin e mësipërm të nxjerrë nga pala e paditur, paditëset i janë drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me kërkesëpadinë objekt gjykimi.
-
Gjatë gjykimit, paditëset kanë pretenduar se veprimi i mësipërm përmbarimor, Vendimi dt.26.07.2011 “Për gjobitjen e personit për mosekzekutim të detyrimit për kryerjen e një veprimi të caktuar’ i përmbaruesit gjyqësor privat Alban Ruli, vjen në kundërshtim me ligjin dhe duhet të anullohet në bazë të nenit 610 të K.Pr.Civile pasi i padituri ka shkelur urdhërimet e nenit 606 të K.Pr.Civile në lidhje me të drejtën e tij për të gjobitur personin përgjegjës që ka penguar zbatimin e procedurave përmbarimore.
-
Në rastin konkret paditëset nuk kanë penguar përmbaruesin por kanë vepruar konform nenit 589 të K.Pr.Civile “Ekzekutimi i detyrimeve ndaj shtetit”. Sipas kësaj dispozite nuk lejohet ekzekutimi i detyrueshëm mbi pasurinë e luajtshme ose të paluajtshme të institucionit buxhetor.
-
Sipas paditëseve, ligji parashikon ekzekutimin vullnetar të këtyre institucioneve dhe jo ekzekutimin e detyrueshëm ndaj këtyre të fundit.
-
Po ashtu, sipas tyre, në bazë të nenit 31 dhe 32 të Kodit Civil, paditëset kanë vepruar në emër dhe për llogari të personit juridik, që në këtë rast është Pro Credit Bank. Edhe nëse veprimet e paditëseve do të ishin të padrejta ato nuk mbajnë përgjegjësi personale për to, për sa kohë ato kanë vepruar në emër dhe për llogari të personit juridik përkatës, punëdhënësi i tyre.
-
Ndërkohë gjatë gjykimit, të paditurit Shoqëria Përmbarimore ARB dhe përmbaruesi privat Alban Ruli, kanë prapësuar se padia është e pabazuar dhe vendimi për të gjobitur paditëset duhet të mbetet në fuqi.
-
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.1862 datë 29.02.2012 ka vendosur pranimin e padisë së paditëseve Dorjana Asllanaj dhe Elona Jaupaj, anullimin e Vendimit dt.26.07.2011 ”Për gjobitjen e personit për mosekzekutim të detyrimit për kryerjen e një veprimi të caktuar”, të përmbaruesit gjyqësor privat Alban Ruli dhe në paditëseve Dorjana Asllanaj dhe Elona Jaupaj.
-
Gjykata ka arsyetuar se: “... Gjykata çmon se shkresa kthim përgjigje nr.OP 1444/1, KIB:209 11005 datë 20.07.2011, e përpiluar nga paditëset në lidhje me ekzekutimin për vendosjen e sekuestros konservative ndaj debitorit Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, nuk është shprehje e vullnetit dhe qëndrimi i paditëseve ndaj urdhërimit të të paditurit për veprim përmbarimor. Me anë të shkresës, paditëset kanë shprehur vullnetin e personit juridik që përfaqësojnë dhe punonjëse të të cilit janë. Tek e fundit urdhërimi i përmbaruesit ka qenë për këtë subjekt privat, pra për ProCredit Bankën. Nëse duhej të konstatonte, siç ka konstatuar, refuzim të personave të tjerë (jo debitore), këtë konstatim përmbaruesi duhej ta bënte për personin juridik ProCredit Bank, të cilin kishte urdhëruar për të kryer veprimin dhe për të cilin paditëset kanë përpiluar kthim përgjigjen e konsideruar prej përmbaruesit refuzim i urdhërimit të tij. Këtë konkluzion të saj kjo Gjykatë e bazon në nenin 31 dhe 32 të Kodit Civil në të cilin përcaktohet se: Neni 31: “Personi juridik vepron me anë të organeve të veta të parashikuara në ligj, në aktin e krijimit ose në statut, të cilët shprehin vullnetin e tij. Veprimet juridike të kryera nga organet e personit juridik, brenda kompetencave të tyre, quhen si të kryera nga vetë personi juridik.” Neni 32: “Personi juridik është përgjegjës për dëmet e shkaktuara nga organet e tij gjatë përmbushjes së detyrave të tyre. Personi juridik përgjigjet për detyrimet e tij brenda kufijve të pasurisë së tij. Personat që kanë vepruar me cilësinë e organit të personit juridik, kanë përgjegjësi vetjake për shpërblimin e dëmeve që janë shkaktuar për fajin e tyre”. Në këto kushte edhe zbatimi i nenit 606 të K.Pr.Civile nga përmbaruesi gjyqësor ndaj punonjësit të personit juridik (ky i fundit i ngarkuar me kryerjen e veprimit përmbarimor), në rastin në gjykim, nuk është i drejtë dhe në këto kushte duhet të anullohet si veprim përmbarimor i pambështetur në ligj. Së treti Ndërkaq paditëset janë kontradiktore kur kërkojnë të arsyetojnë në lidhje me ligjshmërinë e vendimit të sekuestros për ta konsideruara atë të paligjshëm kur nga ana tjetër arsyetojnë se ato kanë vepruar në emër të personit juridik, ProCredit Bank, punonjëse të të cilit kanë qenë në atë kohë (të përpilimit të shkresës) dhe vazhdojnë të jenë. Duke qenë se kjo gjykatë pranoi dhe arsyetoi si me lart, çmon se për sa i përket argumentimit të paligjshmërisë së aktit të përmbaruesit gjyqësor privat Alban Ruli dt.11.07.2011 për vendosjen e sekuestros konservative ndaj debitorit Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për llogari të ekzekutimit të Urdhërit të Ekzekutimit nr.2919 akti datë 23.05.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, paditëset Dorjana Asllanaj dhe Elona Jaupaj nuk mund të legjitimohen të bëjnë gjyqësisht një gjë të tillë. Ato kanë pranuar se ky argumentim i tyre në kthim përgjigjen nr.OP 1444/1, KIB:209 11005 datë 20.07.2011, është qëndrim dhe vullnet i personit juridik që ato kanë përfaqësuar dhe të cilin ato e kanë materializuar në aktin përkatës sipas detyrës funksionale përkatëse. Argumentimi i mësipërm do të përbënte objekt shqyrtimi gjyqësor nëse do të ngrihej prej personit juridik përpara një gjykate në rast se do të ishte gjobitur prej përmbaruesit ai drejtpërdrejtë. Në kushtet sa më lart gjykata në përfundim dhe konkluzion të sa më lart ka arsyetuar, çmon se padia e paditëseve është e bazuar në ligj dhe prova dhe duhet të pranohet në lidhje me anullimin e Vendimit datë 26.07.2011”Për gjobitjen e personit për mosekzekutim të detyrimit për kryerjen e një veprimi të caktuar”, të përmbaruesit gjyqësor privat Alban Ruli…”
-
Mbi ankim të palës së paditur, Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.2852 datë 04.12.2012 ka vendosur ndryshimin e vendimit civil nr.1862, datë 29.02.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe rrëzimin e kërkesëpadisë.
-
Në ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Gjykata e Apelit ka arsyetuar se: “...Gjykata e Apelit Tiranë, ndryshe nga çfarë ka konstatuar gjykata e faktit, konstaton se: Paditëset edhe pse janë në marrëdhënie pune me personin juridik sa sipër ProCredit Sh.A. Tiranë, në fakt me mosveprimet e tyre kanë penguar ekzekutimin e titullit ekzekutiv të kryer nga shërbimi përmbarimor, dhe nuk kanë treguar asnjë shkak të ligjshëm që i detyronte të mos merrnin parasysh riskun e ndëshkimit prej të paditurit. Paditëset i kanë nënshkruar përgjigjet me shkrim drejtuar shërbimit përmbarimor në emër e titull personal ndërkohë që Banka në fjalë duhet t’i drejtonte përgjigjet e veta në emër të personit juridik të përfaqësuar gjë që do të legjitimonte që sanksionet t’i drejtoheshin personit juridik. Përsa më sipër, gjykata çmon, krijon bindjen e brendshme juridike dhe vendos të ndryshojë vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe të rrëzojë kërkesëpadinë…”
-
Kundër vendimit nr.2852, datë 04.12.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë ka paraqitur rekurs pala paditëse Dorjana Asllanaj dhe Elona Jaupaj, nëpërmjet të cilit kërkon ndryshimin e vendimit nr.2852, datë 04.12.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe lënien në fuqi të vendimit nr.1862, datë 29.02.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shkaqet e parashtruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
-
Dispozitat e K.Pr.Civile, në të cilat është parashikuar:
-
Neni 589 i K.Pr.Civile: “Ekzekutimi i detyrimeve në të holla ndaj institucioneve buxhetore bëhet vetëm në llogarinë e tyre përkatëse bankare, në kredi që ata kanë te të tretët dhe kur nuk ka të tilla në llogari të thesarit. Nuk lejohet ekzekutimi i detyrueshëm mbi pasurinë e luajtshme e të paluajtshmen të institucionit buxhetor.
Kur institucioni buxhetor nuk ka gjendje në llogarinë bankare, as kredi te të tretët dhe as në thesar, i kërkohet organit epror financiar përkatës të caktojë fondin e nevojshëm e kapitullin e buxhetit të subjektit nga do të shlyhet detyrimi ose financim të veçantë nga Buxheti i Shtetit.
Kur detyrimi i shtetit është në metale të çmuara, ekzekutimi bëhet me pëlqimin paraprak të Ministrit të Financave.
Këshilli i Ministrave nxjerr udhëzim për mënyrën e ekzekutimit të detyrimeve monetare të institucioneve buxhetore në llogari të thesarit.”
-
Dispozitat e VKM nr.335, datë 02.06.1998, “Për procedurat për zbatimin e vendimeve gjyqësore për detyrimet që prekin buxhetin e shtetit”, në të cilat është parashikuar:
-
Pika 1 “Ministritë dhe institucionet e tjera qendrore ndjekin zbatimin e vendimeve gjyqësore për detyrimet e institucioneve buxhetore në varësi të tyre. Detyrimet që rrjedhin nga zbatimi i vendimeve gjyqësore, përballohen nga vetë institucioni brenda fondeve të miratuara për vitin buxhetor, sipas kritereve e procedurave që do të përcaktohen në udhëzim të përbashkët të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave.”
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON
-
Se rekursi i paraqitur nga pala paditëse Dorjana Asllanaj dhe Elona Jaupaj, përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile, që motivojnë cenimin e vendimit nr.2852, datë 04.12.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë, i cili ka ndryshuar vendimin nr.1862, datë 29.02.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke vendosur rrëzimin e kërkesëpadisë.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, çmon se vendimi nr.2852, datë 04.12.2012, i Gjykatës së Apelit Tiranë, është rrjedhojë e mosrespektimit të ligjit material, e për këtë shkak ai duhet të prishet dhe vendimi nr.1862, datë 29.02.2012, i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duhet të lihet në fuqi.
-
Ky Kolegj vlerëson të theksojë fillimisht se, në interpretim të nenit 472 të K.Pr.Civile dhe jurisprudencës së konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht pretendimeve që mund të ngrihen në një rekurs, në juridiksionin rishikues të Gjykatës së Lartë përfshihen vetëm rastet e përcaktuara rigorozisht në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile, të cilat lidhen me mosrespektimin ose zbatimin e gabuar të ligjit, si dhe me shkeljet e rënda të normave procedurale. Ushtrimi i kontrollit rishikues të Gjykatës së Lartë nuk mund të konsistojë në një rivlerësim të provave në të kundërt me atë që kanë bërë gjykatat e faktit, për shkak se një rivlerësim i tillë bie ndesh me vetë natyrën e gjykimit në këtë Gjykatë. (Vendimi nr.32, datë 28.12.2009; Vendimi nr.17, datë 30.04.2007 i Gjykatës Kushtetuese).
-
Për çështjen objekt gjykimi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka konkluduar se padia e paditëseve Dorjana Asllanaj dhe Elona Jaupaj, është e bazuar në ligj e në prova. Në qendër të argumentimit të asaj gjykate ka qenë fakti se, sipas nenit 31 dhe 32 të K.Civil, është personi juridik, i cili është përgjegjës për dëmet e shkaktuara nga organet e tij gjatë përmbushjes së detyrave të tyre dhe jo personat punëmarrës që mund të veprojnë në cilësinë e përfaqësuesve të personit juridik. Personi juridik përgjigjet për detyrimet e tij brenda kufijve të pasurisë së tij, ndërkohë që personat që kanë vepruar me cilësinë e organit të personit juridik apo përfaqësuesve të tij, kanë përgjegjësi vetjake për shpërblimin e dëmeve që janë shkaktuar për fajin e tyre. Në këto kushte, në vlerësimin e asaj gjykate, edhe zbatimi i nenit 606 të K.Pr.Civile nga përmbaruesi gjyqësor ndaj punonjëseve të personit juridik në rastin në gjykim, nuk është i drejtë, pasi është pikërisht ky i fundit, subjekti ndaj të cilit do të mund të drejtohej masa e marrë nga ana e përmbaruesit. Në të tilla rrethana, vendimi për gjobitjen e paditëseve për pengim ekzekutimi është kryer në kundërshtim me ligjin dhe si i tillë, ai duhet të anullohej.
-
Ndryshe nga arsyetimi i mësipërm, Gjykata e Apelit Tiranë ka konkluduar se, paditëset Dorjana Asllanaj dhe Elona Jaupaj, edhe pse janë në marrëdhënie pune me personin juridik, me mosveprimet e tyre kanë penguar ekzekutimin e titullit ekzekutiv nga ana e shërbimit përmbarimor dhe nuk kanë paraqitur asnjë shkak të ligjshëm për këtë qëllim. Në vlerësimin e asaj gjykate, paditëset i kanë nënshkruar përgjigjet me shkrim drejtuar shërbimit përmbarimor në emër e titull personal, pa vepruar në kushtet e përfaqësimit të personit juridik, ndaj dhe në të tilla rrethana, nuk ka patur vend për anullimin e veprimit përmbarimor të gjobitjes së tyre. Me këtë argumentim Gjykata e Apelit ka vendosur ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor dhe rrëzimin e padisë.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi i Gjykatës së Apelit, i bazuar në arsyetimin e mësipërm, është marrë në zbatim të gabuar të ligjit material, e konkretisht neneve 589 dhe 598 të K.Pr.Civile, si dhe VKM-së nr.335, datë 02.06.1998, “Për procedurat për zbatimin e vendimeve gjyqësore për detyrimet që prekin buxhetin e shtetit”.
-
Ndryshe nga sa ka arsyetuar Gjykata e Apelit, në çështjen objekt gjykimi, në zbatim të nenit 589 të K.Pr.Civile, ekzekutimi i detyrimeve në të holla për rastet kur në pozicionin e debitorit janë institucionet buxhetore, ndryshon nga ekzekutimi i një detyrimi ku debitorë janë subjektet private. Konkretisht, në zbatim të dispozitës së sipërcituar, një ekzekutim detyrimi ndaj institucionit buxhetor realizohet vetëm në llogarinë e tyre përkatëse bankare, në kredi që ata kanë te të tretët dhe kur nuk ka të tilla, në llogari të thesarit.
-
Ashtu sikurse ka rezultuar nga hetimi i kryer në të dyja gjykatat e faktit, Drejtoria e e Përgjithshme e Doganave, e cila ka qenë edhe subjekti debitor kundrejt llogarive të së cilës është kërkuar ekzekutimi i titullit ekzekutiv, nuk ka rezultuar të ketë llogari bankare pranë punëdhënësit të paditëseve, të asaj natyre, mbi të cilën të mund të vendosej sekuestro nga ana e përmbaruesit gjyqësor. Natyra specifike e llogarive të institucioneve buxhetore pranë bankave të nivelit të dytë, bazuar në legjislacionin e aplikueshëm, e konkretisht, VKM-në nr.335 datë 02.06.1998 “Për procedurat për zbatimin e vendimeve gjyqësore për detyrimet që prekin buxhetin e shtetit”, si dhe Udhëzimin nr.12 datë 08.12.2000 të Ministrit të Financave “Për administrimin e llogarive të të ardhurave dhe shpenzimeve të buxhetit të shtetit”, konsiston në faktin që burimet në mjete monetare të buxhetit të shtetit, nuk mbahen në bankat e nivelit të dytë, por në llogarinë “Depozitë e Qeverisë” në lekë në Bankën e Shqipërisë. Llogaritë e hapura në bankat e nivelit të dytë nga Ministri i Financave në emër të institucioneve të tilla si Doganat dhe Tatimet, janë llogari të buxhetit të shtetit, mjetet monetare të të cilave konsolidohen çdo ditë në llogarinë “Depozitë e Qeverisë” në lekë pranë Bankës së Shqipërisë.
-
Në këto kushte, bazuar në aktet nënligjore të sipërcituara, llogaritë bankare të hapura prej institucioneve buxhetore pranë bankave të nivelit të dytë, sikurse dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në çështjen objekt gjykimi, funksionojnë vetëm si ndërmjetëse financiare për efekt të llogarisë “Depozitë e Qeverisë” në të cilën konsolidohen çdo ditë, duke mos kryer asnjë transaksion buxhetor pa miratimin e Ministrisë së Financave, e cila nga ana e saj kontrollon qëllimin e transaksionit dhe kufijtë e përcaktuar buxhetorë.
-
Në vijim të argumentimit të mësipërm, Kolegji Civil vlerëson të gabuar konkluzionin e Gjykatës së Apelit, sipas të cilit paditëset kanë penguar efektivisht ekzekutimin e titullit ekzekutiv pa shkak të ligjshëm, në kushtet kur siç ka rezultuar e provuar nga të dy gjykatat e faktit, përmbajtja e shkresës së dërguar nga ana e paditëseve ndaj përmbaruesit privat, e cila ka përbërë edhe arsyen e gjobitjes së mëpasshme të tyre, ka qenë në përputhje të plotë me ligjin dhe aktet nënligjore të sipërcituara, të zbatueshme në çështjen objekt gjykimi.
-
Ky Kolegj thekson se, në rastin kur janë pikërisht dispozitat ligjore të aplikueshme ato të cilat diktojnë pamundësinë e ekzekutimit të titullit ekzekutiv në formën e kërkuar nga ana e përmbaruesit gjyqësor, sikurse dhe rasti objekt gjykimi, nuk ka vend për përgjegjësinë individuale të punëmarrësit i cili gjatë kryerjes së detyrës së tij funksionale, respekton ligjin në fuqi mbi mënyrën e ekzekutimit të detyrimeve ndaj institucioneve buxhetore.
-
Thënë kjo, Kolegji Civil vlerëson të theksojë gjithashtu se, ndërkohë që disponimi përfundimtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë mbi pranimin e kërkesëpadisë dhe anullimin e vendimit të përmbaruesit gjyqësor është i drejtë, i marrë në kushtet e kryerjes së një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, i njëjti disponim duhej të ishte arritur duke u plotësuar argumentimi ligjor, bazuar në interpretimin e mësipërm të kryer nga ky Kolegj.
-
Së fundmi, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se, bazuar në arsyetimin e mësipërm dhe sikurse ka rezultuar nga hetimi i kryer nga të dy gjykatat e faktit, nuk plotësohen kushtet e nenit 598 të K.Pr.Civile, për marrjen e masës nga ana e përmbaruesit gjyqësor ndaj punonjësit bankar fajtor apo ndaj organit drejtues të tij, ndaj dhe me të drejtë Gjykata e Rrethit Gjyqësor ka disponuar me anullimin e vendimit të përmbaruesit gjyqësor për gjobitjen e paditëseve në gjykim.
-
Për gjithë sa më sipër, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se vendimi nr.2852 datë 04.12.2012 i Gjykatës së Apelit Tiranë, është rrjedhojë e mosrespektimit të ligjit material dhe për këtë shkak ai duhet të prishet, duke u lënë në fuqi vendimi nr.1862 datë 29.02.2012 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 485/b të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.2852, datë 04.12.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe lënien në fuqi të vendimit nr.1862, datë 29.02.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Tiranë, 03.03.2016.
Nr. 11115-01496-00-2013 Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-624 i Vendimit (64)
Do'stlaringiz bilan baham: |