VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Majlinda Andrea Kryesuese
Guxim Zenelaj Anëtar
Artan Broci Anëtar
Në seancën gjyqësore të datës 09.03.2016, mori në shqyrtim çështjen civile me nr.11243-03250-00-2013 akti, që u përket palëve:
PADITËSE E KUNDËRPADITUR: SHOQËRIA “ARSENI” SHPK
E PADITUR KUNDËRPADITËSE: SHOQËRIA “BAVARIA” N.V.
PERSON I TRETË: DREJTORIA E PËRGJITHSHME E PATENTAVE DHE MARKAVE TIRANË
OBJEKTI I PADISË:
Shfuqizimin e markës B-52 me nr.970878, me pronar “Bavaria” N.V.
Çregjistrimin e markës B-52 me nr.970878 me pronar “Bavaria” N.V.
Baza Ligjore: Nenet 140, 143, 144, 156, 173 të ligjit nr.9947, datë 07.07.2008,
“Për Pronësinë Industriale”.
Neni 5 i Protokollit të Marrëveshjes së Madridit
për Regjistrimin Ndërkombëtar të Markave,
ratifikuar me ligjin nr.8992, datë 30.01.2003.
OBJEKTI I KUNDËRPADISË:
Shfuqizimin e markës tregtare B-52 me nr.regjistrimi kombëtar 11992,
në pronësi të shoqërisë “Arseni” SHPK.
Baza Ligjore: Neni 140 e vijues, neni 156 e vijues, neni 167 e vijues
dhe neni 173 të ligjit nr.9947, datë 07.07.2008 “Për pronësinë Industriale”.
Nenet 3 dhe 4 të Protokollit të Marrëveshjes së Madridit
për Regjistrimin Ndërkombëtar të Markave,
ratifikuar me ligjin nr.8992, datë 30.01.2003.
Nenet 32/a,b, 160 e 161 të K.Pr.Civile.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.12870, datë 26.12.2012, ka vendosur:
Pranimin e kërkesë padisë. Shfuqizimin e markës B-52 me nr.regjistrimi 970878 me pronar shoqëria “Bavaria”n.v . Regjistrimin e vendimit të shfuqizimit në regjistrin e markave të Drejtorisë së Përgjithshme të Markave dhe Patentave Tiranë. Shpenzimet gjyqësore të padisë i ngarkohen palës së paditur. Rrëzimin e kundërpadisë. Shpenzimet gjyqësore të kundërpadisë i ngarkohen palës së paditur kundërpaditëse.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1692, datë 05.09.2013, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit civil nr.12870, datë 26.12.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
Kundër vendimit të gjykatës së apelit, ka ushtruar rekurs pala e paditur kundërpaditëse, shoqëria “Bavaria” N.V., më datë 04.10.2013, me të cilin kërkon prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, për këto shkaqe:
-
Referuar të dhënave që gjykata e apelit parashtron, arsyetimi është në kundërshtim me ligjin dhe në zbatim jo të drejtë të tij.
-
Sipas nenit 4 të Konventës së Parisit e drejta e prioritetit subjektit i lind brenda 6 muajve nga data e depozitimit të aplikimit. Kjo e drejtë krijon efekte prapavepruese, që për rastin është data 19.02.2008, e njohur nga Zyra e Beneluksit, duke dhënë edhe çertifikatën e prioritetit me nr.1153546. Pra, marka objekt gjykimi në pronësi të mbajtësit të së drejtës “Bavaria” N.V. gëzon mbrojtje ndërkombëtare prej datës 19.02.2008.
-
Nga ana jonë është bërë aplikimi pranë ËIPO-s për shtrirje të efekteve të mbrojtjes së markës edhe në Shqipëri, më datë 21.10.2008 dhe përfundimisht data e regjistrimit në Shqipëri si shtet i përcaktuar është data 12.02.2009.
-
Edhe sipas nenit 147, pikat 1 dhe 2, njihet e drejta e prioritetit, por gjykatat lidhur me këtë të drejtë, e interpretojnë atë gabim. Referuar datës prioritare 19.02.2008, nga ana jonë është respektuar neni 147 i ligjit nr.9947/2008, duke depozituar kërkesën më datë 24.06.2008 për regjistrim ndërkombëtar, pra brenda 6 muajve, sikurse përcakton Konventa e Parisit dhe neni 147 i ligjit të sipërcituar. Gjykata gabon kur pranon se kërkesa për të zgjedhur Shqipërinë është më datë 21.10.2008 dhe e merr për argument këtë datë, duke arritur në konkluzion të gabuar se kjo është datë e mëvonshme e regjistrimit në raport me atë të palës paditëse të kundërpaditur.
-
Në referencë të të certifikatës së regjistrimit ndërkombëtar të markës në fjalë, gjykatat sërish gabojnë pasi çdo subjekti i njihet e drejta që nga data e depozitimit për regjistrim ndërkombëtar brenda 12 muajve nga kjo datë të zgjedh vendet ku do të shtrijë regjistrimi;
-
Gjykata e apelit pranon se pala e paditur kundërpaditëse ka bërë kërkesë për shtrirje për regjistrim ndërkombëtar të markës B-52 në datë 12.02.2009, datë kur ekzistonin këto të drejta të mëparshme të përdorimit të markës, për shkak të regjistrimit me nr.regjistrimi 11992;
-
Ri parashtrojmë faktet e regjistrimit të markës B-52, për palën e paditur: (i) data e depozitimit 19.02.2008 në Zyrat e Beneluksit, që edhe sipas nenit 146 të ligjit nr.9947/2008, është data kur depozitohen dokumentet pranë një Institucioni që administron të drejtat mbi objektet e pronësisë industriale. Data e prioritetit është po data 19.02.2008, data e regjistrimit të markës është 22.02.2008; (ii) ndërkohë pala paditëse ka aplikuar-depozituar kërkesën në D.P.P.M. më datë 18.04.2008, nuk ka aplikuar për datë prioritare dhe marka në fjalë është regjistruar më datë 06.11.2008;
-
Nga analiza e këtyre fakteve del se shoqëria “Bavaria” N.V. ka datë më të hershme depozitimi, pra datën 19.02.2008
-
Referuar nenit 143/5 (ç) të ligjit 9947/2008 dhe kritereve të Organizatës Botërore të Mbrojtjes së Pronësisë Industriale lidhur me markën e mirënjohur, gjykata gabojnë sërish në argumentimet e tyre. Kjo dispozitë përcakton dy momente, datës së aplikimit dhe datës prioritare që për rastin është e njëjtë, pra data 19.02.2008. Në përputhje me nenin 6 bis D.P.P.M. duhet të kishte reaguar ex officio, sikundër ka vepruar për të njëjtin rast Zyra Maqedonase, duke kryer regjistrimin e markës në pronësi të subjektit Neniko Dooel Ljubisha B-52 për llogari të subjektit “Bavaria” N.V. Neni 6 bis, pika 1, parashikon që jo vetëm çregjistrimi bëhet ex officio jo vetëm kur marka është identike, por edhe në rast të ngjashmërisë së pjesshme të saj.
-
Gjykatat bëjnë një interpretim të gabuar të rekomandimeve/kritereve të ËIPO-s përsa i përket markës së mirënjohur. Këto kritere (neni 2 pjesa e parë) shërbejnë si një udhërrëfyes për institucionin që administron të drejtën e pronësisë industriale. Nga ana e D.P.P.M. nuk është zbatuar neni 145 pika ç, po kjo përgjegjësi i është deleguar gjykatës.
-
Eksperti i caktuar nga gjykata ka sjellë tezën markë e Njohur dhe e Mirënjohur dhe në kundërshtim me Marrëveshjet Ndërkombëtare hedh tezën e markës së njohur, e cila në fushën e të drejtës së pronësisë industriale nuk ekzistonin.
-
Pyetjet e bëra nga gjykata dhe përgjigjet e dhëna nga eksperti nuk nxjerrin në pah asnjë nga kriteret dhe qëllimin e rekomandimeve apo dhe ato të parashikuara në ligj për “markën e mirënjohur”, që ka qëllim rregullimin e promovimin e një konkurrence të ndershme, praktika të ndershme tregtare, për të evituar kështu dhe produkte e falsifikuara. Rasti në fjalë është një nga shembujt më klasik të regjistrimeve të kryera në keqbesim.
-
Në këtë drejtim gjykata ka marrë të mirëqena përfundimet e ekspertit i cili e ka lidhur reklamimin dhe rritjen e shitjes së produktit me emrin e tre shoqërive, por ka harruar që për këtë qëllim palët kanë patur një kontratë midis tyre dhe shoqërisë “Arseni” SHPK, e cila e ka tregtuar këtë markë dhe në asnjë moment nuk ka qenë prodhuese e saj. Pala paditëse e kundërpaditur ka vepruar si distributor i shoqërisë “Bavaria Adria” SHPK dhe e ka patur të ndaluar të regjistrojë markën të cilën tregtonte. Nga konkluzioni i ekspertit indirekt del se shoqëria “Bavaria” ka kryer furnizimin e shoqërisë sot “Arseni” me produktin B-52 (fakt i provuar gjatë gjykimit nëpërmjet faturave).
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Artan Broci, dhe pasi e bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
Se vendimi nr.1692, datë 05.09.2013, i Gjykatës së Apelit Tiranës është marrë në zbatim të drejtë të ligjit e si tillë duhet të lihet në fuqi.
-
RRETHANAT E ÇËSHTJES
Nga materialet e dosjes gjyqësore rezulton se pala paditëse e kundërpaditur, shoqëria “ARSENI” SHPK, është regjistruar si person juridik me vendimin nr.36308, datë 15.08.2006, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me objekt veprimtarie, ndër të tjera, tregti me shumicë e pakicë të artikujve ushqimorë dhe industrialë, transport mallrash, regjistruar pranë organeve tatimore me nr.NIPT-i K67015001V.
Shoqëria “BAVARIA” N.V., shoqëri me përgjegjësi të kufizuar me ofertë publike, themeluar sipas legjislacionit holandez, e regjistruar pranë Dhomës së Tregtisë të Brabant, Eindhoven, me nr.regjistrimi 17007387, datë 05.03.1931, me seli në Lieshout, Hollandë.
Rezulton se, mbi kërkesën e shoqërisë maqedonase “Nediko DOOEL Ljubisha” aplikuar në datë 18.04.2008 është regjistruar marka tregtare për pijen energjetike B-52, me datë regjistrimi 06.11.2008, me kohë zgjatje të mbrojtjes nga data 18.04.2008 deri më datë 18.04.2018.
Më pas, datë 16.06.2010, pala paditëse e kundërpaditur e këtij gjykimi, shoqëria “Arseni” SHPK, ka blerë nga shoqëria maqedonase markën tregtare të pijes energjetike B-52.
Rezulton se shoqëria “Bavaria” N.V. ka në pronësi të saj markën tregtare të pijes energjetike B-52, pronësi e fituar nëpërmjet aplikimit në vendin e origjinës, pranë regjistrit të markave tregtare të Beneluksit, më datë 19.02.2008, me nr.regjistrimi 1153546 dhe regjistruar më datë 22.02.2008, me nr.regjistrimi 838872
Mbi aplikimin e shoqërisë “Bavaria” N.V. për regjistrim ndërkombëtar më datë 20.06.2008, marka tregtare B-52 është regjistruar më datë 24.06.2008 me nr.regjistrimi ndërkombëtar 970878.
Pas regjistrimit ndërkombëtar të markës B-52 në pronësi të shoqërisë “Bavaria” N.V., kjo shoqëria ka bërë një aplikim ndërkombëtar pranë ËIPO-s për shtrirje të efekteve të mbrojtjes së markës së saj edhe në Shqipëri. Data e aplikimit 21.10.2008 dhe data e regjistrimit të Shqipërisë si shtet i përcaktuar është 12.02.2009.
Pala paditëse, shoqëria “Arseni” SHPK, me pretendimin se është pronare e markës “B-52” pije energjetike dhe se regjistrimi i markës tregtare B-52 nga ana e palës së paditur, shoqërisë “Bavaria” N.V., është bërë në kundërshtim me ligjin, me padi, duke thirrur si të paditur Drejtorinë e Përgjithshme të Patentave dhe Markave, ka kërkuar: “...çregjistrimi i markës ndërkombëtare B-52 nr.970878 (me pronar, BAVARIA N.V.)”.
Gjatë gjykimit, ka saktësuar objektin e padisë, duke kërkuar “Shfuqizimin e markës B-52 me nr.970878 me pronar “Bavaria” n.v.; Çregjistrimin e markës B-52 me nr.970878 me pronar “Bavaria” n.v.” dhe njëkohësisht ka thirrur me cilësinë e palës së paditur shoqërinë “Bavaria” N.V.
Me kundërpadinë e paraqitur, gjatë gjykimit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe të marrë në shqyrtim së bashku me padinë, pala e paditur, shoqëria “Bavaria” N.V., duke pretenduar se regjistrimi i markës B-52 nga ana e palës paditëse është bërë në kundërshtim me parimin e markës së mirënjohur, ka kërkua: “Shfuqizimi i markës tregtare B-52, me nr.regjistrimi kombëtar 11992, në pronësi të shoqërisë Arseni Sh.p.k.”.
Gjatë gjykimit pala paditëse e kundërpaditur, shoqëria “Arseni” SHPK, ka pretenduar: (i) shtrirja e regjistrimit edhe në Shqipëri për të drejtën e përdorimit tregtar të markës B-52 energy drink nga pala e paditur kundërpaditëse, bie në kundërshtim me të drejtat e mëparshme, në pronësi të shoqërisë “Arseni” SHPK; (ii) kërkesa për shtrirje të mbrojtjes në Shqipëri është bërë më datë 12.02.2009, në një kohë që ekzistonin të drejta të mëparshme, që më datë 18.04.2008, regjistruar nga ana e shoqërisë maqedonase; (iii) marka tregtare B-52, figurë e logo, në pronësi të shoqërisë “Arseni” SHPK ka dhe një regjistrim ndërkombëtar të bërë më datë 26.08.2008 me nr.977607, në favor të shoqërisë Zlatevski Ljubisa ul “Fazancrija” l.br., me datë prioriteti 29.02.2008.
Ndërsa pala e paditur kundërpaditëse, shoqëria “Bavaria” N.V. ka pretenduar: (i) marka tregtare B-52 në pronësi të saj është identike me markën B-52 në pronësi të palës paditës të kundërpaditur, si nga ana vizuale, dhe fonetike e konceptuale; (ii) marka B-52 e palës së paditur kundërpaditëse është një markë e mirënjohur sipas referimeve të rekomandimeve të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO); (iii) kjo markë është regjistruar që nën vitin 2000, fillimisht në Spanjë dhe më pas në 21 vende të tjera brenda dhe jashtë Europës; (iv) kjo markë ka qenë e pranishme në treg (neni 2/2 i rekomandimit të WIPO-s.
Drejtoria e Përgjithshme e Patentave dhe e Markave ka parashtruar: (i) në kuptim të nenit 143 të ligjit nr.9947/2008 nuk ka kompetencë të refuzojë kryesisht markat të cilat shkelin të drejta të mëparshme, por vetëm mbi bazën e kërkesës për kundërshtim dhe, meqenëse nuk pati kundërshtim nuk u mor asnjë vendim refuzimi; (ii) në bazë të nenit 5 të Marrëveshjes dhe Protokollit të Madridit, marka ndërkombëtare konsiderohet e mbrojtur në Shqipëri; (iii) nëse një markë është e mirënjohur, ky pretendim duhet të provohet nga ai që ngrihet, ligji parashikon kriteret ligjore që duhet të merren në konsideratë gjatë vlerësimit nëse një markë është e mirënjohur apo jo brenda territorit të Shqipërisë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.12870, datë 26.12.2012, ka vendosur:”Pranimin e kërkesë padisë. Shfuqizimin e markës B-52 me nr.regjistrimi 970878 me pronar shoqëria “Bavaria” N.V . Regjistrimin e vendimit të shfuqizimit në regjistrin e markave të Drejtorisë së Përgjithshme të Markave dhe Patentave Tiranë. Shpenzimet gjyqësore të padisë i ngarkohen palës së paditur. Rrëzimin e kundërpadisë. Shpenzimet gjyqësore të kundërpadisë i ngarkohen palës së paditur kundërpaditese.
Gjykata ndër të tjera ka arsyetuar se:”...Në zgjidhjen e dhënë gjykata, pasi citon dispozitat ligjore të zbatueshme për rastin, pasi ka administruar akt ekspertimin përkatës,
A) ka shtruar për zgjidhje këto çështje: - (i) “A i përmbushte marka tregtare B-52 kriteret ligjore për t’u quajtur markë e mirënjohur në favor të palës së paditur kundërpaditëse, në datën 18.04.2008 kur shoqëria Neniko Dooel Ljubisa ka kryer regjistrimin kombëtar të markës (më datë prioriteti 29.02.2008)?; (ii) “A ka qenë pala paditëse e kundërpaditur në keqbesim kur ka regjistruar të drejtën e pronësisë mbi markën B-52 në territorin e Republikës së Shqipërisë?”.
B) Gjykata pasi ka pranuar të vërtetuar faktet: - (i) “Marka “B-52” është regjistruar në DPPM nga shoqëria e të drejtës maqedonase Neniko Dooel Ljubisha, në bazë të kërkesës për regjistrim marke me nr.AL/T/2008/228, depozituar në datë 18.04.2008, (me datë priorieti 29.02.2008). Kjo kërkesë, pasi është ekzaminuar nga DPPM dhe është gjetur se i plotëson të gjitha kërkesat formale të parashikuara nga neni 78 i ligjit nr.7819, dt. 27.04.1994…që ka qenë në fuqi në kohën e këtij aplikimi, është publikuar në Buletinin e Pronësisë Industriale nr.20, dt. 10.07.2008. Duke qenë se brenda afatit prej tre muajsh nga publikimi i markës, nuk u depozitua asnjë kundërshtim nga palët e treta, kjo markë u regjistrua nga DPPM në pronësi të palës paditëse në datë 06.11.2008. Lista e mallrave dhe ose shërbimeve që mbrohen nëpërmjet kësaj marke është klasa 32 sipas klasifikimit ndërkombëtar të Nices, pije joalkoolike, pije energjike, pije sportive”; - (ii) “Në datë 28.06.2010 pranë DPPM është depozituar një kërkesë nga paditësi për transferimin e pronësisë mbi markën B-52 nga Neniko Dooel Ljubisa tek paditësi”; - (iii) “Nga ana tjetër, pala e paditur kundërpaditëse ka paraqitur pranë Zyrës Ndërkombëtare të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale kërkesën për regjistrimin e markës B-52 Energy Drink më datë 24.06.2008, duke kërkuar shtrirjen e mbrojtjes së markës në një sërë shtetesh anëtare të Marrëveshjes së Protokollit të Madridit, por nuk kishte kërkuar shtrirjen e mbrojtjes së kësaj marke edhe në Shqipëri. Kjo palë ka depozituar pranë Zyrës Ndërkombëtare një kërkesë për shtrirjen e mëvonshme të mbrojtjes territoriale të markës B-52 Energy Drink, duke përcaktuar Shqipërinë si shtet ku shtrihet mbrojtja e markës. Kërkesa për shtrirjen e mëvonshme të markës në Shqipëri është regjistruar nga Zyra Ndërkombëtare më datë 05.02.2009, datë e cila është edhe data e fillimit të efekteve ligjore në Shqipëri, në bazë të parashikimeve të nenit 3 të Marrëveshjes së Protokollit të Madridit”.
C) Mbi këto rrethana fakti gjykata arsyeton: - “Marka nr.11992 në pronësi të palës paditëse të kundërpaditur ka një datë aplikimi në DPPM më të hershme për territorin e Republikës së Shqipërisë, (18.04.2008, më datë prioriteti 19.02.2008), sesa kërkesa për shtrirjen e mbrojtjes në këtë territor për të njëjtën markë nga ana e palës së paditur kundërpaditëse (21.10.2008 me nr.970878). Duke iu referuar këtyre të dhënave, marka B-52 është një markë e mëparshme (e palës paditëse të kundërpaditur), bazuar në pikën 5, germa a të nenit 143 të sipërcituar”; - “Por, bazuar në germën ç, pika 5 të të njëjtit nen, markë e mëparshme është edhe marka e cila, në datën e aplikimit për regjistrim, ose në datën e prioritetit, në rastet kur pretendohet për prioritet, është e mirënjohur në Republikën e Shqipërisë, në kuptim të nenit 6 bis të Konventës së Parisit, te publiku i sektorit përkatës, si rezultat i përdorimit, përfaqësimit, publikimit ose reklamimit, në përputhje me parashikimet e DPPM-së dhe të autoriteteve ndërkombëtare”; - me qënë se nga ana DPPM-së “…ende nuk ka miratuar ndonjë akt juridik në të cilin të sanksionohen kritere të tilla” është referuar në rekomandimin e Organizatës Botërore të Pronësisë Industriale, sipas të cilit “…autoriteti përgjegjës do të konsiderojë informacionin që i është paraqitur atij duke patur parasysh faktorët nëpërmjet të cilave mund të nxirren konkluzione se marka tregtare është, ose jo është e mirënjohur, duke përfshirë, por pa u kufizuar në informacion e mëposhtëm: 1. shkalla e njohurive apo njohjen e markës tregtare në sektorin publik përkatës; 2. kohëzgjatjen, shtrirjen dhe hapësirën gjeografike në të cilën përdoret marka tregtare; 3. kohëzgjatjen, shtrirjen dhe hapësirën gjeografike të çdo promovimi të markës tregtare, duke përfshirë reklamat ose publicitet dhe prezantimet, në panaire apo ekspozita, e mallrave dhe/ose shërbimet për të cilën marka u zbatohet; 4. kohëzgjatja dhe hapësira gjeografike e çdo regjistrimi dhe/ose e çdo aplikimi për regjistrim, të markës, në masën që ato pasqyrojnë përdorimin ose njohjen e markës; 5. të dhënat e vënies në zbatim në mënyrë të suksesshëm të të drejtave të lidhura me markën tregtare dhe në veçanti, shkallën në të cilën marka është njohur si e mirënjohur nga autoritetet përgjegjëse; 6. vlera e lidhur me markën tregtare”; - më tej, gjykata, në analizë të kryer kritereve, parashtron: - “Në lidhje me kriterin e parë, shkalla e njohurive apo njohjen e markës tregtare në sektorin publik përkatës; Sipas këtij rekomandimi, me sektor të publikut përkatës do të kuptohet, por pa u kufizuar në to: (I) konsumatorët aktualë dhe/ose të mundshëm të llojit të mallrave dhe/ose shërbimet të cilat marka tregtare u zbatohet;…që duke ia qasur çështjes në gjykim, nënkupton konsumatorët e pijes energjike B-52 në periudhën e aplikimit për regjistrim të markës në DPPM (18.04.2008). Në këtë kontekst lind pyetja: Në periudhën kur është kryer aplikimi për regjistrim të markës B-52 (nga shoqëria e të drejtës maqedonase NENIKO Dooel Ljubisha), konsumatoret e kësaj pije në Republikën e Shqipërisë a e lidhnin detyrimisht këtë markë me shoqërinë “Bavaria N.V” pala e paditur kundërpaditëse? A e dinin që marka tregtare B-52 ishte një marke e mirënjohur për Bavaria N.V?”; - pala e paditur kundërpaditëse, së cilës i takonte barra e provës “…nuk paraqiti ndonjë provë në këtë aspekt, nuk paraqiti ndonjë sondazh apo pyetësor të konsumatorëve që të evidentonte vetëdijen e tyre se pija energjike nën markën tregtare B-52 është e…” kësaj pale; - në referencë edhe të ekspertimit ku rezultoi se “...Në vlerësimin e një marke të mirënjohur, nëse është e tillë ose jo, do të duhej që përveç krahasimit të të dhënave ekonomiko-financiare të markave që operojnë në treg për të njëjtën klasë mallrash, të bëhej një sondazh sipas metodologjive të sondazheve, tek konsumatori mesatar, përdorues i zakonshëm i markave në fjalë…për arsye objektive ishte i vështirë të bëhej një sondazh i tillë, por edhe nëse do të bëhej do i referohej një periudhe kohe të tanishme dhe jo periudhës 2006-2008...”; - “…nuk u provua që konsumatorët e kësaj pije në RSH të kenë patur njohuri për lidhjen ndërmjet mallit (pijes energjike) nën markën B-52 dhe shoqërisë Bavaria N.V, në mënyrë që ajo të konsiderohet e mirënjohur. Ndërkaq,…u provua që ka qenë pala paditëse e kundërpaditur ajo që ka reklamuar dhe ka bërë të njohur produktin tek konsumatorët”; - pala e paditur kundërpaditëse provoi se “…nëpërmjet shoqërisë kroate Bavaria Adria ka furnizuar me produktin tre shoqëri shqiptare “Gjithësia Market” sh.p.k., “Arseni” sh.p.k dhe “TL-08”sh.p.k. (të treja këto shoqëri kanë patur për ortak Z.Lavdosh Tormetaj)…u provua importimi i produktit në 10 gusht 2006, 9 tetor 2007, 15 shtator 2009 dhe 1 shkurt 2010. Nëpërmjet këtyre importimeve tek tre shoqëritë e lartpërmendura, pala e paditur kundërpaditëse, ndër të tjera, ka mbështetur pretendimin se marka B-52 është markë e mirënjohur e saj”; - nga akti i ekspertimit është konstatuar “…se në vitet 2006-2010 ka patur rritje të vëllimit të importimit të pijes…Ndër të tjerë, subjektet tregtare janë Arseni sh.p.k. dhe TL-08 sh.p.k. janë pjesë e sektorit relevant të publikut që me aktivitetin e suksesshëm të tregtimit të pijes energjike B-52 e kanë bërë të njohur në qarqet e konsumatorëve të interesuar …”; - gjykata “konstaton se produkti (pija energjike nën markën B-52) është shpërndarë në territorin e Republikës së Shqipërisë (…) vetëm prej tre shoqërive “Gjithësia Market” sh.p.k., “Arseni” sh.p.k dhe “TL-08”sh.p.k. të cilat kanë të njëjtin ortak (Lavdosh Tormetaj). Këto shoqëri, të treja së bashku, formojnë operatorin e vetëm që ka bërë importimin e pijes në Shqipëri”; - lidhur me subjektet e tjerë që veprojnë në treg “…pala e paditur nuk paraqiti prova për të provuar shkallën e njohjes së këtyre subjekteve ndërmjet markës B-52 dhe shoqërisë “Bavaria N.V”, me qëllim që të konkludohej prej gjykatës për statusin e mirënjohur apo jo të markës tregtare B-52”; - “Në lidhje me kriterin e dytë dhe të katërt, kohëzgjatja, shtrirja dhe hapësira gjeografike në të cilën përdoret marka tregtare; kohëzgjatja dhe hapësira gjeografike e çdo regjistrimi dhe/ose e çdo aplikimi për regjistrim, të markës, në masën që ato pasqyrojnë përdorimin ose njohjen e markës…pala e paditur kundërpaditëse provoi gjatë gjykimit se ka regjistruar pronësinë e markës tregtare B-52 në vendet e Beneluksit (Belgjikë, Hollandë dhe Luksemburg) më datë 22.02.2008. (data e prioritetit 19.02.2008). Në vijim, në datë 20.06.2008 ka bërë një regjistrim ndërkombëtar të markës, ndërsa data e aplikimit për përcaktimin e Shqipërisë si vend ku kërkohet mbrojta e markës tregtare B-52 është bërë më datë 21.10.2008. Kjo kërkesë është regjistruar në Shqipëri nga Zyra Ndërkombëtare më datë 05.02.2009 (data nga e cila fillojnë edhe efektet e mbrojtjes)…Ndërsa, nga pala tjetër u provua se më datë 18.04.2008 pranë DPPM, është depozituar një kërkesë për regjistrimin kombëtar të markës B-52 pije energjike nga aplikuesit Neniko Dooel Ljubisa. Kjo markë është regjistruar përfundimisht në pronësi të këtij të fundit më datë 06.11.2008, por mbrojtja e kësaj marke fillon prej datës 18.04.2008. (nenet 146/1 dhe 164/1 te Ligjit). Gjithashtu, u provua nga pala paditëse e kundërpaditur,…se e njëjta markë, pra marka B52 figure dhe logo, ka edhe një regjistrim ndërkombëtar të bërë për të me nr.977607, në datë 26.8.2008 dhe është e regjistruar ndërkombëtarisht përveç regjistrimit kombëtar, edhe në atë ndërkombëtar, në favor të shoqërisë Zlatevski Ljubisa ul “Fazancrija” 1, br. Gostivar, Republika e Maqedonisë, me datë prioriteti prej 29.02.2008…regjistruar në Shqipëri, në Austri, në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Bullgari, në Republikën Çeke, në Gjermani, ne Itali, ne Mal te Zi, ne Serbi, ne Sllovaki dhe ne Hungari, pra ne 12 shtete të tjera. Ndërkohë që i është refuzuar mbrojtja në 5 shtete e konkretisht në Rumani, Spanjë, Ukrainë, Federatë Ruse, Poloni”; - Pra, për të njëjtën markë “…ekzistojnë edhe dy regjistrime ndërkombëtare. Regjistrimi ndërkombëtar i kryer nga pala e paditur kundërpaditëse mban datën 20.06.2008 me nr.970878 dhe regjistrimi ndërkombëtar i kryer Zlatevski Ljubisa ul “Fazancrija” 1, br. Gostivar, Republika e Maqedoni mban datën 26.08.2008, me datë prioriteti prej 29.2.2008”; - “…gjykata, nuk mund të konkludojë për kriterin e “kohëzgjatjes, shtrirjes dhe hapësirës gjeografike në të cilën përdoret marka tregtare” për ta quajtur markën tregtare të mirënjohur apo jo, duke qenë se për të njëjtën markë ka dy regjistrime ndërkombëtare...Në të njëjtën kohë, datat e regjistrimit ndërkombëtar të markave tregtare prej këtyre subjekteve janë shumë të afërta me njëra tjetrën (29.02.2009 për Zlatevski Ljubisa ul “Fazancrija” 1 dhe 20.06.2008 për palën e paditur kundërpaditëse) dhe nuk e përmbushin funksionin për ta kualifikuar markën B-52 si të mirënjohur për palën e paditur kundërpaditëse”; - “Parimi i mbrojtjes së markës lidhet me një territor të caktuar. Në këtë aspekt, marka e paditësit të kundërpaditur është regjistruar e para në territorin shqiptar”; - “U provua gjithashtu…se në datën në të cilën është regjistruar në Shqipëri në mënyrë përfundimtare kjo markë, nuk ka pasur in prima face, një karakter të mirënjohur të markës në vend, pasi nëse një gjë e tillë do të kishte ekzistuar, atëherë do të kishte pasur një veprim prej personit të tretë në këtë drejtim”; - “Në lidhje me kriteret e tjera 3, 5 dhe 6, pala e paditur kundërpaditëse nuk paraqiti asnjë provë për të provuar kohëzgjatjen, shtrirjen dhe hapësirën gjeografike të çdo promovimi të markës tregtare, duke përfshirë reklamat ose publicitet dhe prezantimet, në panaire apo ekspozita, e mallrave dhe/ose shërbimet për të cilën marka u zbatohet; të dhënat e vënies në zbatim në mënyrë të suksesshëm të të drejtave të lidhura me markën tregtare dhe në veçanti, shkallën në të cilën marka është njohur si e mirënjohur nga autoritetet përgjegjëse si dhe vlerën e lidhur me markën tregtare”; - “Referuar nenit 143/5 të Ligjit, konsiderohet si markë e mëparshme marka e cila në datën e aplikimit për regjistrim ose në datën e prioriteti në rastet kur pretendohet për prioritet është e mirënjohur në Republikën e Shqipërisë në kuptim të nenit 6 bis të Konventës së Parisit, tek publiku i sektorit përkatës, si rezultat i përdorimit, përfaqësimit, publikimit ose reklamimit në përputhje me parashikimet e DPPM dhe autoriteteve ndërkombëtare…rezultoi se në datën e regjistrimit të kësaj marke në pronësi të Arseni shpk, këta elementë janë marrë në konsideratë nga autoriteti përkatës që është DPPM dhe ajo ka pranuar regjistrimin e markës tregtare me nr.11992 duke i trajtuar të tërë këta elementë në lidhje me kushtet paraprake për efekt të regjistrimit”; - “Nga ana tjetër, në kuptim të regjistrimit në Shqipëri të markës nr.970878 në favor të palës së paditur kundërpaditëse, sipas prapësimeve dhe të personit të tretë, marka tregtare 970878 në favor të Bavaria Nv është regjistruar në Shqipëri për mungese opozicioni, pra jo për shkak të një ekzaminimi në themel të elementeve përkatës të markës tregtare”; - Gjykata ka arritur në konkluzionin “…se marka tregtare B-52 nuk ka qenë e mirënjohur për palën e paditur kundërpaditëse në datën 18.04.2008 kur shoqëria Neniko Dooel Ljubisa ka kryer regjistrimin kombëtar të markës (me datë prioriteti 29.02.2008)”; - lidhur me “…çështjen tjetër të shtruar për trajtim, që nëse ka qenë pala paditëse e kundërpaditur në gjendjen e keqbesimit kur ka fituar të drejtën e pronësisë mbi markën B-52 në territorin e RSH, gjykata e gjen me vend të shpjegojë se, nuk ka qenë pala paditëse e kundërpaditur që ka bërë regjistrimin fillestar të kësaj marke në territorin e RSH…Pala paditëse ka fituar të drejtën e pronësisë mbi markën duke e blerë prej shoqërisë maqedonase në datë 16.06.2010 dhe transferimi i të drejtës së pronësisë është regjistruar në DPPM më datë 28.06.2010. Në këto kushte, rezulton i paprovuar krejtësisht fakti se pala paditëse ka qenë në keqbesim në regjistrimin e markës në Shqipëri, …”.
Mbi ankimin e palës së paditur kundërpaditëse, me të njëjtin arsyetim, Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1692, datë 05.09.2013, ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit civil nr.12870, datë 26.12.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
Do'stlaringiz bilan baham: |