VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga :
Ardian Nuni Kryesues
Aleksandër Muskaj Anëtar
Mirela Fana Anëtare
në seancën gjyqësore të datës 10.03.2016 mori në shqyrtim çështjen civile me nr.00557/16, që u përket palëve:
PADITËSE: MARIA ROSA TOFFANELLO, përfaqësuar nga avokat Rajmond Todhe
I PADITUR: MAURO MARIA MACERRATA (në mungesë)
OBJEKTI:
Detyrimin e të paditurit
për t’i paguar paditëses shumën prej 70.000 Euro,
detyrim i lindur nga kontrata e huasë lidhur (firmosur)
ndërmjet palëve ndërgjyqëse më datë 15 Janar 2010.
Baza Ligjore: Nenet 32/a, 37, 42, 43 të K.Pr.Civile.
Nenet 419, 420, 445 të K.Civil.
Nenet 1050 e vijues të K.Civil.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin e datës 20.01.2016, ka vendosur:
“Rrëzimin e kërkesës së palës së paditur Mauro Maria Macerata “Për nxjerrjen jashtë juridiksionjit të Gjykatës Shqiptare” të çështjes civile me nr.2699 Akti, datë 09.10.2015 Regj., të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
Kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë, ka ushtruar ankim të veçantë pala e paditur, Mauro Maria Macerata, me të cilin kërkon “Ndryshimin e Vendimit duke nxjerrë jashtë juridiksionit gjyqësor shqiptar” gjykimin e kësaj çështje, për këto shkaqe:
-
Vendimi i gjykatës është marrë në zbatim të keq të ligjit procedural.
-
Arsyetimi i vendimit se detyrimi i debitorit do të përmbushet në territorin e Republikës së Shqipërisë është i pambështetur në provat shkresore të administruara në dosjen gjyqësore.
-
Referuar nenit 37 të Kodit të Procedurës Civile, kriteret lidhëse objektive dhe subjektive, që përcaktojnë juridiksionin e gjykatave shqiptare, gjejnë përcaktimin e veçantë në ligjin nr.10428/2011. Në rastin konkret ndodhemi në fushën e marrëdhënieve kontraktore tërësisht me elementë të huaj, pasi paditësi dhe i padituri janë shtetas italianë dhe kanë vendbanimin e zakonshëm në Itali dhe, nga ana tjetër, edhe përmbajtja dhe objekti i kontratës janë lidhur me sistemin ligjor italian.
-
Legjislacioni pozitiv italian, mbi bazën e të cilit është lidhur kontrata midis palëve ndërgjyqëse është i ndryshëm nga ai shqiptar.
-
Sipas nenit 46 të ligjit nr.10428/2011 kontratat, të cilat nuk janë përmendur shprehimisht në pikën 1 të këtij neni, ose kur elementet e kontratës përfshijnë tiparet e më shumë se një nga llojet e kontratave të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, kontrata rregullohet nga ligji i shtetit, ku pala që duhet të përmbushë shërbimin që karakterizon kontratën ka vendbanimin e saj të zakonshëm në çastin e lidhjes së kontratës.
-
Nga arsyetimi i kësaj dispozite kontrata rregullohet nga ligji i shtetit ku pala duhet të përmbushë shërbimin që karakterizon kontratën.
-
Në nenin 12 të Kodit tonë Civil përmendet vetëm vendbanimi (vendi ku personi qëndron zakonisht, ose të shumtën e kohës, për shkak të punës apo të shërbimit të përhershëm, të ndodhjes së pasurisë apo të realizimit të interesave të vet), kurse në nenin 14 jepet kuptimi i vendqëndrimit. Po kështu edhe në nenin 12.1 të ligjit nr.10428/2011. Për rastin rezulton se të dyja palët në kontratën e huasë kanë përcaktuar adresat e banesave respektive zyrtare të tyre, që janë në Itali.
-
Po kështu, dhe nga përmbajtja e kontratës del se vendi i përmbushjes së detyrimit është Italia.
-
Përfundimisht kriteri lidhës apo fakti lidhës për përcaktimin e juridiksionit është vendi i përmbushjes së detyrimit, që për rastin është Italia. Ky kriter është konstant, i pandryshueshëm në kohë dhe përcaktimi i këtij kriteri nuk mund të anashkalohet, sikurse ka vepruar gjykata e shkallës së parë.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Ardian Nuni; përfaqësuesin e paditësit, avokatin Rajmond Todhe, që kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, dhe si bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
RRETHANAT E ÇËSHTJES
1. Nga materialet e dosjes gjyqësore rezulton se paditësja Maria Rosa Toffanello është shtetase italiane, banuese në San Benedetto del Tronto (AP), rr. Abruzzi nr.26.
2. I padituri Mauro Maria Macerata, është shtetas italian, banues në Tiranë në adresë: Kodra e Diellit, Pallati Ben Mjaltit, Kati 5, Ap. 23, dhe administrator i shoqërisë “TEKNALB 66” SHPK, me seli qendrore Njësia Bashkiake nr.5, rruga “Muharrem Butka”, Pallati 19, hyrja 5, Ap. 16, Tiranë.
3. Rezulton se midis paditëses Maria Rosa Toffanello, me cilësinë e huadhënëses dhe të paditurit Mauro Maria Macerata, me cilësinë e huamarrësit, është lidhur kontrata e huas datë 15.10.2010, sipas së cilës hudhënësja i ka dhënë hua huamarrësit shumën prej 70.000 euro “..., për kryerjen e aktiviteteve të veta të punës...” (neni 1 i kontratës).
3.1. Sipas nenit 2 të kontratës së huasë huamarrësi merrte “...përsipër të kryejë derdhjet e kësteve të kredisë së lartpërmendur sipas afateve të parashikuara në planin e amortizimit...merr përsipër pagesën e interesave të morës dhe të gjitha shpenzimeve të lidhura me të, që i detyrohen vonesës së mundshme në pagesë, për arsye të ndryshme, të kësteve sipas nenit paraardhës”.
4. Paditësja Maria Rosa Toffanello, me pretendimin se huamarrësi, i padituri i këtij gjykimi, nuk ka paguar asnjë detyrim të përcaktuar në nenin 2 të kontratës dhe është larguar nga Italia, duke shkëputur kontaktet me huadhënësen, me padinë e paraqitur para Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka kërkuar si në objektin e saj, pasqyruar në kërkesë padi dhe në pjesën hyrëse të vendimit të gjykatës së shkallës së parë.
5. Në seancë gjyqësore nga ana e të paditurit është kërkuar nxjerrja e çështjes jashtë juridiksionit të gjykatave shqiptare, me argumentin se, bazuar në nenin 37 të Kodit të Procedurës Civile dhe në nenin 46, pikat 2 e 3 të ligjit nr.10428, datë 02.06.2011 “Për të drejtën ndërkombëtare private”, si paditësi dhe i padituri janë shtetas italianë dhe vendbanimet e zakonshme i kanë në Itali dhe nga ana tjetër edhe kontrata janë lidhur sipas sistemit ligjor Italian.
6. Nëpërmjet prapësimeve, pala paditëse, mbështetur në nenet 42 dhe 43 të Kodit të Procedurës Civile, ka parashtruar se, në kushtet kur i padituri ka banesën dhe vendqëndrimin e tij të përkohshëm në Shqipëri, si dhe kur ai është administrator i një shoqërie me personalitet juridik shqiptar i cili ka selinë në Shqipëri, gjykata shqiptare ka juridiksion për të gjykuar këtë mosmarrëveshje.
7. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin e datës 20.01.2016, ka rrëzuar kërkesën e “...palës së paditur Mauro Maria Macerata “Për nxjerrjen jashtë juridiksionit të Gjykatës Shqiptare” të çështjes civile me nr.2699 Akti, datë 09.10.2015 Regj., të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
7.1. Në arritjen e këtij përfundimi, gjykata, pasi citon nenin 37 të Kodit të Procedurës Civile dhe nenin 80 pikat “a” dhe “b” të ligjit nr.10428/2011, arsyeton: - Në rastin konkret ligji që rregullon këtë mosmarrëveshje civile në këtë gjykim është Ligji nr.10428, datë 02.06.2011 “Për të drejtën ndërkombëtare private”, neni 80, pika “a” dhe “b” e tij”; - kjo për arsye se rezulton që i padituri ka vendqëndrimin e tij në Republikën e Shqipërisë, si dhe vendi i përmbushjes së detyrimit është Shqipëria.
8. Kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë, ka ushtruar ankim të veçantë pala e paditur, Mauro Maria Macerata, me të cilin kërkon “Ndryshimin e Vendimit duke nxjerrë jashtë juridiksionit gjyqësor shqiptar” gjykimin e kësaj çështje, për shkaqet e pasqyruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
9. Paraprakisht, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë evidenton se nga ana e avokatit Alban Toro, përfaqësues me prokurë i të paditurit Mauro Maria Macerata, ka paraqitur kërkesë për shtyrje të seancës gjyqësore me pretendimin se ndodhet jashtë shtetit dhe nuk mund të marrë pjesë në këtë gjykim.
9.1. Ky kolegj, referuar Prokurës së Posaçme nr.1285 Rep. nr.528/2 Kol., datë 27.12.2015 sipas së cilës i padituri i këtij gjykimi Mauro Maria Macerata ka caktuar si përfaqësues të tij të posaçëm avokatët Alban Toro dhe Artion Pashollari, pamundësinë e paraqitjes së avokatit Alban Toro nuk e vlerëson si pengesë ligjore për zhvillimin e këtij gjykimi, pasi përfaqësimin e të paditurit, në mungesë të njërit prej përfaqësuesve, nëse do të ishte dëshira për pjesëmarrje në gjykim, nuk ka patur asnjë pengesë ligjore që ta realizonte avokati tjetër.
9.2. Ndërkohë, nga verifikimi në sekretarinë gjyqësore dhe në zyrën e protokollit të Gjykatës së Lartë, nuk rezulton të jetë paraqitur ndonjë akt shkresor nëpërmjet të cilit të pasqyrohet shkaku i mungesës i avokatit Artion Pashollari.
9.3. Pra, rezulton që avokati Artion Pashollari, ndonëse ka patur dijeni rregullisht për datën dhe orën e zhvillimit të kësaj seance gjyqësore, konform nenit 482§3 të Kodit të Procedurës Civile,[1] pa ndonjë shkak të ligjshëm apo të arsyeshëm nuk është paraqitur në gjykim. Në këto rrethana, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, referuar neneve 175, 179 dhe dispozitave të Kreut II, Titulli II, Pjesa e Tretë të Kodit të Procedurës Civile për procedurat e gjykimit në Gjykatën e Lartë, vendosi zhvillimin e gjykimit pa pjesëmarrjen e avokatëve të palës së paditur.
LIGJI I ZBATUESHËM
10. Dispozitat e Kodit Civil, të Kodit të Procedurës Civile dhe ato të ligjit nr.10428, datë 02.06.2011 “Për të drejtën ndërkombëtare private”, në të cilat është parashikuar:
10.1. Neni 3 i K.Civil: “Të huajt gëzojnë po ato të drejta e detyrime që u njihen shtetasve shqiptarë, përveç përjashtimeve të caktuara me ligj”.
10.2. Neni 12 i K.Civil: “Banimi është vendi ku personi, për shkak të punës apo të shërbimit të përhershëm, të ndodhjes së pasurisë apo të realizimit të interesave të veta, qëndron zakonisht ose të shumtën e kohës. Çdo person madhor ka të drejtë të caktojë lirisht vendbanimin e tij. Personi nuk mund të ketë njëkohësisht me shumë se një vendbanim. Kjo dispozitë nuk zbatohet për vendbanimin e veprimtarisë së tregtarit”.
10.3. Neni 14 i K.Civil: “Vendqëndrimi i personit është vendi ku ai ndodhet për të kryer punë ose detyra të caktuara, për të vazhduar një shkollë ose kurs të caktuar, për t’u mjekuar, për të vuajtur një dënim penal, dhe për raste të tjera të kësaj natyre”.
10.4. Neni 37 i K.Pr.Civile: “Juridiksioni i gjykatave shqiptare për personat fizikë dhe juridikë të huaj rregullohet me ligj.
Juridiksioni i gjykatave shqiptare nuk mund t’i kalohet me marrëveshje një juridiksioni të huaj, përveç kur gjykimi ka lidhje me një detyrim ndërmjet të huajve ose ndërmjet një të huaji e një shtetasi shqiptar, ose personi juridik pa banim ose qëndrim në Shqipëri, si dhe kur këto përjashtime janë parashikuar në marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë”.
10.5. Neni 12 i ligjit nr.10428, datë 02.06.2011: “Vendqëndrimi i zakonshëm dhe lidhjet më të ngushta 1. Për qëllime të këtij ligji, me "vendqëndrim të zakonshëm të një personi fizik" kuptohet vendi, në të cilin ai ka vendosur për të qëndruar në pjesën më të madhe të kohës, qoftë dhe në mungesë të regjistrimit dhe pavarësisht nga leja apo autorizimi për të qëndruar. Në përcaktimin e këtij vendi gjykata mban parasysh rrethanat e natyrës personale apo profesionale, që tregojnë lidhje të qëndrueshme me këtë vend, apo synimin e personit për të krijuar lidhje të tilla. 2. Për qëllime të këtij ligji, lidhja më e ngushtë përcaktohet nga gjykata, sipas rrethanave të faktit”.
10.6. Neni 71 i ligjit nr.10428, datë 02.06.2011: “Rregulli i përgjithshëm i Juridiksionit ndërkombëtar”: “Gjykatat shqiptare kanë juridiksion në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve juridiko-civile me elemente të huaja, nëse pala e paditur ka vendqëndrimin e zakonshëm në Republikën e Shqipërisë, përveçse kur rregullat e këtij kreu parashikojnë ndryshe”.
10.7. Neni 80 i ligjit nr.10428, datë 02.06.2011: “Raste të tjera të juridiksionit ndërkombëtar”: “Gjykatat shqiptare kanë juridiksion ndërkombëtar edhe në rastet e mëposhtme: a) kur paditen njëkohësisht disa persona së bashku dhe njëri prej tyre ka vendqëndrimin e tij në Republikën e Shqipërisë, si dhe kur personi juridik i paditur ka selinë e tij në Republikën e Shqipërisë”.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON
11. Se ankimi i veçantë i paraqitur nga pala e paditur, Mauro Maria Macerata nuk përmban shkaqe ligjore që motivojnë cenimin e vendimit të datës 20.01.2016 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me të cilin është rrëzuar kërkesën e “...palës së paditur Mauro Maria Macerata “Për nxjerrjen jashtë juridiksionit të Gjykatës Shqiptare” të çështjes civile me nr.2699 Akti, datë 09.10.2015 Regj., të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”. Për rrjedhojë ky vendim duhet të lihet në fuqi.
12. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se arsyetimi dhe përfundimi i arritur nga gjykata e shkallës së parë është rrjedhojë e interpretimit dhe zbatimit të drejtë të ligjit.
12.1. Njëkohësisht vendimi i gjykatës gjen mbështetje në aktet shkresore të fashikulluara në dosjen gjyqësore të paraqitura me cilësinë e provave nga palët
13. Gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka arritur në përfundimin se marrëveshja juridike civile për shkak të së cilës ka lindur mosmarrëveshja objekt gjykimi përmban elemente të huaj.
13.1. Ky kolegj vlerëson se arsyetimi i gjykatës lidhur me çështjen e juridiksionit gjen mbështetje në nenin 37 të Kodit të Procedurës Civile dhe në nenet 12, 71, 73 dhe 80/a të ligjit nr.10428, datë 02.06.2011 “Për të drejtën ndërkombëtare private” në raport me rrethanat dhe faktet e parashtruara nga palët, si dhe me aktet shkresore të paraqitura prej tyre në mbështetje të pretendimeve.
14. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, pa marrë në analizë provat shkresore, ut infra, parashtron argumentet që përcaktojnë juridiksionin për shqyrtimin e çështjes konkrete.
14.1. Në përcaktimin e juridiksionit ky kolegj drejtohet nga ekzistenca e “faktit lidhës”[1] që për rastin ka të bëjë me vendbanimin dhe/ose vendqëndrimin e të paditurit.
14.2. Fakti lidhës që, për rastin, përcakton juridiksionin ndërkombëtar të gjykatës shqiptare, evidentohet në harmoni me nenin 37 të Kodit të Procedurës Civile dhe me dispozitat e ligjit nr.10428, datë 02.06.2011 “Për të drejtën ndërkombëtare private” në raport me përmbajtjen e akteve shkresore të paraqitura nga palët ndërgjyqëse, përfshirë pretendimet e tyre lidhur me këto veprime dhe pasojat e tyre, ende të pa shqyrtuara në themel.
14.3. Ndërkohë, duhet theksuar se “fakti lidhës” vlerësohet sipas ligjit shqiptar (lex fori) dhe sipas parimit “perpetuario jurisdictionis”. Ekzistenca e tij përcaktohet duke patur parasysh momentin e ngritjes së padisë dhe çdo ndryshim faktik i mëvonshëm që do të bënte të mungonte juridiksioni nuk ka rëndësi.
15. Ndryshe nga sa pretendohet nga pala ankuese, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim të akteve të ndodhura në dosjen gjyqësore, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve të parashtruara në këto akte, përmbajtjes së akteve shkresore të fashikulluara në dosjen gjyqësore, vendimit të gjykatës, shkaqeve të ankimit dhe parashtrimeve në seancë gjyqësore në Gjykatën e Lartë, arrin në përfundimin se padia e paditëses Maria Rosa Toffanello, ka të bëjë me detyrime që kanë lindur nga një kontratë huaje e lidhur në territorin e shtetit Italian, porse, përderisa si i paditur në këtë gjykim është thirrur një shtetas Italian me vendbanim/ vendqëndrim në territorin e Republikës së Shqipërisë mosmarrëveshja objekt gjykimi i përket juridiksionit të gjykatave shqiptare.
16. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë e gjen me vend të parashtrojë se juridiksioni i gjykatave shqiptare në çështjet me elementë të huaj, “për personat fizikë dhe juridikë të huaj rregullohet me ligj” [2], nga marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë dhe/ose nga marrëveshjet midis palëve kontraktuese.
16.1. Për rastin në shqyrtim evidentohet se mosmarrëveshja civile e lindur midis palëve ndërgjyqëse është një mosmarrëveshje me elemente të huaj. Palët ndërgjyqëse janë persona me shtetësi italiane. Shkak i mosmarrëveshjes në shqyrtim është një marrëdhënie detyrimi e krijuar midis palëve ndërgjyqëse në territorin e Republikës Italiane. Po kështu, evidentohet se paditësi ka vendbanimi në territorin e shtetit Italian, ndërsa i padituri ka vendbanimin në territorin e shtetit Shqiptar.[1]
17. Ndryshe nga sa pretendohet në ankim, ky kolegj vlerëson se, ndonëse marrëdhënia e detyrimit, kontrata e huas, që është bërë shkak për lindjen e mosmarrëveshjes është lidhur në shtetin Italian apo se dhe detyrimet që përmban kjo kontratë duhet të përmbushen po në territorin e shtetit Italian, përderisa i padituri Maria Rosa Toffanello është me banim në territorin e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenin 12 të Kodit Civil, në nenin 37 të Kodit të Procedurës Civile dhe në nenet 12, 71, 73 dhe 80/a të ligjit nr.10428, datë 02.06.2011 “Për të drejtën ndërkombëtare private” gjykata shqiptare ka juridiksion për shqyrtimin e mosmarrëveshjes konkrete.
17.1. Ky qëndrim gjen mbështetje në dispozitat ligjore të mësipërme në të cilat parashikohet: (i) “Banimi është vendi ku personi, për shkak të punës apo të shërbimit të përhershëm, të ndodhjes së pasurisë apo të realizimit të interesave të veta, qëndron zakonisht ose të shumtën e kohës...” (neni 12 i K.Civil), që për rastin rezulton se i padituri ka vendbanimin në territorin e Republikës së Shqipërisë; (ii) “Gjykatat shqiptare kanë juridiksion në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve juridiko-civile me elemente të huaja, nëse pala e paditur ka vendqëndrimin e zakonshëm në Republikën e Shqipërisë, përveçse kur rregullat e këtij kreu parashikojnë ndryshe” (neni 71 i ligjit nr.10428/2011), që në harmoni me nenin 12 të po këtij ligji, sipas të cilit vendqëndrimi i zakonshëm i personit fizik, për qëllime të këtij ligji “…kuptohet vendi, në të cilin ai ka vendosur për të qëndruar në pjesën më të madhe të kohës, qoftë dhe në mungesë të regjistrimit dhe pavarësisht nga leja apo autorizimi për të qëndruar”, dhe me përmbajtjen e akteve shkresore të paraqitura me cilësinë e provave shkresore konfirmohet vendbanimi/vendqëndrimi i të paditurit Shqipëria dhe jo Italia; (iii) gjithashtu përmbajtja e këtyre dispozitave është e lidhur dhe me përmbajtjen e nenit 80/a të ligjit nr.10428/2011, ndonëse për rastin është vetëm një person fizik i paditur, sipas të cilit “Gjykatat shqiptare kanë juridiksion ndërkombëtar edhe në rastet e mëposhtme: a) kur paditen njëkohësisht disa persona së bashku dhe njëri prej tyre ka vendqëndrimin e tij në Republikën e Shqipërisë, si dhe kur personi juridik i paditur ka selinë e tij në Republikën e Shqipërisë”.
17.2. Vlerësohet se pretendimi i ankuesit se, meqenëse adresat e përcaktuara në kontratën e huasë janë adresa që i përkasin territorit Italian, gjykata shqiptare nuk ka juridiksion për shqyrtimin e kësaj mosmarrëveshje nuk gjen mbështetje në ligj dhe në gjendjen e faktit që mbartin aktet shkresore të fashikulluara në dosjen gjyqësore.
18. Mbi këto argumente ligjorë dhe në rrethanat kur evidentohet se i padituri ka ndryshuar vendbanimin duke caktuar si vendbanim Shqipërinë, të cilin e ka dhe të regjistruar, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë dhe arrin në konkluzionin se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka juridiksion për shqyrtimin e mosmarrëveshjes konkrete.
19. Edhe në konsideratën që për rastin konkret duhet patur parasysh vendqëndrimi dhe jo vendbanimi, ky kolegj, referuar dispozitave të sipërcituara në raport me sa rezulton nga aktet shkresore të dosjes gjyqësore, rrethanave të natyrës profesionale [2] që tregojnë lidhje të qëndrueshme me Shqipërinë dhe kur i padituri ka vendosur që të qëndrojë “në pjesën më të madhe të kohës” në Shqipëri, vlerëson se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka juridiksion për shqyrtimin e mosmarrëveshjes konkrete.
20. Po kështu, për rastin konkret, përsa u parashtrua ut supra, kriteri lidhës apo fakti lidhës për përcaktimin e juridiksionit nuk është vendi i përmbushjes së detyrimit, sikundër pretendohet në ankim, por vendqëndrimi i zakonshëm i të paditurit
21. Përsa më sipër, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi i datës 20.01.2016 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me të cilin është rrëzuar kërkesa për nxjerrjen jashtë juridiksionit të gjykatës shqiptare çështja civile nr.12741/2699 akti, datë regjistrimi 09.10.2015, duhet të lihet në fuqi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenet 37§1 dhe 485 të Kodit të Procedurës Civile.
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit datë 20.01.2016 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Tiranë, më 10.03.2016
Nr. 11243-00271-00-2016 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016 - 713 i Vendimit (68)
Do'stlaringiz bilan baham: |