VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej :
Ardian Nuni Kryesues
Mirela Fana Anëtare
Aleksandër Muskaj Anëtar
në datën 10.03.2016 shqyrtoi në seancë gjyqësore çështjen civile me palë :
PADITËS: LILJANA PIJA, e përfaqësuar në gjyq nga av. Sokol Shehu
I PADITUR: PIRRO PLASA, (në mungesë).
ZYRA VENDORE E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME KORÇË, (në mungesë).
PERSON I TRETË: THOMA PIJA, (në mungesë).
OBJEKTI:
Detyrim i të paditurit Pirro Plasa të njohë pronësinë
mbi një sipërfaqe toke truall prej 70 m2,
lirimin dhe dorëzimin e saj paditëses dhe bashkëpronarëve të tjerë.
Detyrimin e Z.V.R.P.P Korçë për fshirjen e regjistrimit
të kryer në kundërshtim me ligjin për sipërfaqen prej 70 m2
nga Piro Plasa tek paditësja Liljana Pija (Buleçi) e bashkëpronarë të tjerë.
Baza Ligjore: Nenet 156, 192, 193 të Kodit Civil.
Neni 32/a në lidhje me nenin 296 të Kodit Civil
dhe Ligji nr.7843, datë 13.07.1994
“Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”
së bashku me azhurnimet përkatëse.
Gjykata e Shkallës së Parë Korçë me vendimin nr.3149, datë 23.12.2011 ka vendosur:
“Rrëzimin e padisë së paditëses Liljana Pija (Buleçi), të paditur Piro Plasa dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë, person i tretë Thoma Pija, me objekt “Detyrim i të paditurit Piro Plasa të më njohë pronësinë mbi një sipërfaqe toke truall prej 70 m2, lirimin e dorëzimin e saj paditëses dhe bashkëpronarëve të tjerë. Detyrimin e Z.V.R.P.P. Korçë për fshirjen e regjistrimit të kryer në kundërshtim me ligjin për sipërfaqen prej 70 m2 nga Pirro Plasa tek paditësja Liljana Pija (Buleçi) e bashkëpronarët e tjerë”, si të pabazuar në prova dhe ligj...”.
Gjykata e Apelit Korçë me vendimin nr.534, datë 14.09.2012 ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.3149, datë 23.12.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.”.
Kundër këtij vendimi ka paraqitur rekurs në datën 09.10.2012 pala paditëse Liljana Pija duke kërkuar: “Prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Korçë dhe të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim”.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATЁS SЁ LARTЁ
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Aleksandër Muskaj; përfaqësuesin e palës paditëse që kërkoi: “Prishjen e vendimeve të dy gjykatave dhe pranimin e padisë ”, në mungesë të palëve të tjera pjesëmarrëse; si shqyrtoi në tërësi çështjen,
V Ё R E N
Se, vendimi nr.534, datë 14.09.2012 i Gjykatës së Apelit Korçë është rrjedhojë e zbatimit jo të drejtë të ligjit material e procedural civil e si i tillë do të prishet dhe çështja do të kthehet për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.
-
RRETHANAT E FAKTIT
-
Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, nga aktet e dosjes gjyqësore i rezultojnë të pranuara nga gjykatat e faktit rrethanat si vijon:
-
Ka rezultuar se Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish-Pronarëve Bashkia Korçë, me vendim nr.1302, datë 29.12.1995 ka njohur si ish-pronar shtetasin Kristo Buleçi për një arë me sipërfaqe 6 dynym të ndodhur në Korçë tek Uzina e Kushinetave me kufij L-Vëllazëria Shahin Pulaha, Kristaq Thoma, V-Vllazëria Shahin Pulaha, J-Udhë dhe P-Hasan Shami Nallbati. Nga kjo pronë, trashëgimtarëve të ish-pronarit iu ka kthyer një sipërfaqe prej 3895 m2, ndërsa nuk i ka njohur pronësinë për diferencën, pasi sipas komisionit pozicionohej jashtë vijave kufizuese. Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendim nr.853, datë 18.03.1996 ka pranuar padinë e trashëgimtarit Pandi Buleçi (ati i paditëses) duke i kthyer edhe pjesën e panjohur të pronës, duke plotësuar sipërfaqen prej 6000 m2 të kthyer si të lirë.
-
Nga kjo pronë, një sipërfaqe prej 2500 m2 me kufij: L-arë, P-V-reparti i kuzhinetave dhe J-rruga automobilistike, prej vitit 1994 ishte shitur prej Seksionit të Financës pranë Këshillit të Rrethit Korçë në favor të shtetasit Gjergji Ndrio, dhe me urdhrin nr.7, datë 04.07.2000, nga ana e Regjistruesit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë ishte vendosur “regjistrim kufizimi”. Bashkëpronarët Vasillaq Buleçi, Valentina Robo dhe Liljana Pija (trashëgimtarë të Pandi Buleçi) me deklarate noteriale nr.2910 Rep, datë 24.09.2005 kanë deklaruar se nuk kanë asnjë kërkim lidhur me pronën e mbivendosur prej 2545 m2 ( 2270 m2 karburanti dhe 275 m2 trotuar) me kufij: V-4/157, L-4/136, J-4/136 dhe P-rrugë dhe mbi këtë bazë nga regjistruesi është hequr kufizimi.
-
Mandej me kontratë noteriale nr.7 Rep, nr.5 Kol, datë 09.01.2006 shitësi Gjergji Ndrio ka shitur në favor të blerësit Piro Plasa truallin me sipërfaqe 2500 m2 me kufij L-arë, P-V-reparti i kushinetave dhe J-rruga automobilistike.
-
Ndërkohë nga prona e kthyer prej 6000 m2 trashëgimtarët e ish-pronarit kanë tjetërsuar pjesë-pjesë edhe sipërfaqe të tjera në favor të vëllezërve Tona, përkatësisht sipërfaqet 200 m2, 793.44 m2 dhe 132 m2 sipas kontratave.
-
Me kontratën e shitjes nr.1676 Rep, nr.1603 Kol, datë 08.08.2006 paditësja Liljana Pija dhe dy bashkëpronarët Vasillaq Buleçi dhe Valentina Robo i kanë shitur personit të tretë Thoma Pija një truall me sipërfaqe 70 m2, identifikuar si pasuri me nr.4/577 me kufij: V-4/156, J-4/363, L-4/156 dhe P-4/276, pronësia e së cilës (sipas kontratës) është vërtetuar me vërtetimin hipotekor me nr.216/14, datë 09.09.1997 dhe 420/14 datë 05.12.1997 lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
-
Kjo kontratë është depozituar për regjistrim në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, nga blerësi, por është refuzuar regjistrimi pasi sipërfaqja e truallit prej 70 m2 nuk figuronte si pasuri më vete, por përfshihej në pasurinë me nr.4/156 për të cilën trashëgimtarët e ish-pronarit kishin hequr dorë nga çdo lloj pretendimi në favor të Gjergji Ndrio me deklaratën noteriale të cituar më lart. Blerësi i pronës e ka ankimuar vendimin e regjistruesit, por edhe kryeregjistruesi e ka gjetur të drejtë vendimin me arsyetimin se në bazë të nenit 27 të ligjit nr.7843, datë 13.07.1994 “Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme”, regjistrimi i saj krijon mbivendosje me prona të regjistruara më parë duke e orientuar për zgjidhjen gjyqësisht të konfliktit.
-
Në datën 26.09.2007 paditësja Liljana Pija i është drejtuar Gjykatës me padi, me të cilën ka kundërshtuar vendimin e regjistruesit për refuzimin e regjistrimit të kontratës si dhe detyrimin e të paditurit Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive Korçë për regjistrimin e kontratës dhe kalimin e pronësisë nga paditësi tek personi i tretë, por Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendim nr.695 datë 11.03.2008 i cili ka marrë formë të prerë, e ka rrëzuar padinë me arsyetimin se duhet të zgjidhet konflikti me pronarin në favor të të cilit është regjistruar prona pasi sipërfaqja prej 70 m2 nuk është pasuri më vete, por pjesë e pasurisë me nr.4/156 e cila ka kaluar nga Gjergji Ndrio tek Pirro Plasa.
-
Në datën 26.01.2009 paditësja ka paraqitur padinë objekt gjykimi ku kërkon detyrimin e të paditurit Pirro Plasa t’i njohë pronësinë mbi sipërfaqen 70 m2 dhe lirimin e saj paditëses dhe bashkëpronarëve të tjerë si dhe detyrimin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të fshijë regjistrimin e kryer në kundërshtim me ligjin për sipërfaqen 70 m2 nga Pirro Plasa tek paditësja dhe bashkëpronarët e tjerë.
B. PROCEDURAT GJYQËSORE.
-
Gjykata e Shkallës së Parë Korçë me vendimin nr.3149, datë 23.12.2011 ka vendosur:
“Rrëzimin e padisë së paditëses Liljana Pija (Buleçi), të paditur Pirro Plasa dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë, person i tretë Thoma Pija, me objekt “Detyrim i të paditurit Pirro Plasa të më njohë pronësinë mbi një sipërfaqe toke truall prej 70 m2, lirimin e dorëzimin e saj paditëses dhe bashkëpronarëve të tjerë. Detyrimin e Z.V.R.P.P. Korçë për fshirjen e regjistrimit të kryer në kundërshtim me ligjin për sipërfaqen prej 70 m2 nga Pirro Plasa tek paditësja Liljana Pija (Buleçi) e bashkëpronarët e tjerë”, si të pabazuar në prova dhe ligj.”.
-
Gjykata e Apelit Korçë me vendimin nr.534, datë 14.09.2012 ka vendosur:“Lënien në fuqi të vendimit nr.3149, datë 23.12.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.”.
-
Kundër këtij vendimi ka paraqitur rekurs në datën 09.10.2012 pala paditëse Liljana Pija duke kërkuar: “Prishjen e vendimit të Gjykatës se Apelit Korçë dhe të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim”. Në shkaqet e rekursit veçohen:
-
Janë vlerësuar gabim provat dhe faktet.
-
Nuk jemi para mbivendosjes së pronave dhe këtë e thonë dhe ekspertët.
-
Z.R.P.P Korçë me pa të drejtë ka shpronësuar paditësen duke i mohuar ekzistencën e pronës që në fakt ekziston, janë fshirë shënimet në Z.R.P.P duke ia kaluar kufitarit komshi këtë pronë.
-
Me kryerjen e sistemit të digitalizimit prona 70 m2 është zhdukur duke u futur tek prona e Pirro Plasës.
-
I padituri siç nxorri edhe eksperti ka 57 m2 tokë më tepër e cila është e paditëses.
C. ARSYETIMI LIGJOR I VENDIMIT TË ANKIMUAR.
-
Gjykata e Apelit Korçë me vendimin nr.534, datë 14.09.2012 ndër të tjera ka arsyetuar se : “... (omissis)...eksperti konkludon se nëse mbledhim sipërfaqet e shitura vëllezërve Tona, të paditurit Piro Plasa sipërfaqen e kompensuar dhe pjesën e zënë nga karburanti plotësohet sipërfaqja totale e njohur nga K.K.P prej 6000 m2... Asnjë prej pronave të tjetërsuara nuk ka si kufitar pasurinë 4/577...
...pretendimet e palës paditëse se kemi lëshuar këtë deklaratë se na është premtuar nga i padituri se do të na jepte vlerën e sipërfaqes 70 m2 nuk gjeti mbështetje në prova... (...).”.
D. NË LIDHJE ME REKURSIN E USHTRUAR.
-
Rekursi i paraqitur nga pala paditëse përmban shkaqe ligjore që motivojnë cenimin e vendimit nr.534, datë 14.09.2012 të Gjykatës së Apelit Korçë.
-
Në shqyrtim të tërësisë së gjykimit të kësaj çështje, të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimit, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve e prapësimeve të palëve, të vendimeve të gjykatave të faktit, shkaqeve të rekursit, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se, nga gjykata e apelit nuk janë respektuar dispozitat e nenit 14 të Kodit të Procedurës Civile.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, hetimi i plotë dhe i gjithanshëm i çështjes në përputhje me ligjin (neni 14 i K.Pr.Civile) është parim themeltar i gjykimit civil dhe përbën një detyrim për gjykatat në të gjitha shkallët e gjykimit. Gjykatat e shkallës së parë dhe ato të apelit janë gjykata të faktit dhe të ligjit, në ndryshim nga Gjykata e Lartë, e cila është gjykatë ligji.
-
Nga ana e Gjykatës së Apelit nuk janë marrë në konsideratë shkaqet e parashtruara nga pala paditëse, në lidhje me parregullësitë e aktit të ekspertimit. Pala paditëse në ankimin e saj parashtruar gjykatës së apelit, ka kundërshtuar ekspertimin e kryer duke vënë në dukje se, nga ana e ekspertit të caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë, nuk ishte kryer akti i ekspertimit mbi bazën e dokumentave hartografikë të Z. R. P. P-së. Veç kësaj është lënë pa zgjidhje konflikti pasi, eksperti ka konkluduar se, i padituri posedon fizikisht një sipërfaqe toke më të madhe se ajo që rezulton nga dokumentat e tij të pronësisë, se në masën 57 m2.
-
Veç kësaj, nga përmbajtja e proces-verbalit gjyqësor evidentohet se gjykata e apelit, pa vendim për përsëritjen e hetimit gjyqësor, ka kryer një sërë veprimesh procedurale, që bien ndesh me dispozitat e Kodit të Procedurës Civile e që përbëjnë shkak për cenimin e vendimit.
-
Gjykata e Apelit pa marrë një vendim për riçeljen e hetimit gjyqësor, ka pyetur ekspertin e caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në seancë gjyqësore, shpjegime të cilat kanë ndikuar në dhënien e vendimit prej saj. Këto shpjegime janë përdorur në arsyetimin e vendimit nga Gjykata e Apelit. Në faqe 8 të vendimit Gjykata e Apelit Korçë ndër të tjera arsyeton se: “...Eksperti dhe në Gjykatën e Apelit, pas pyetjeve të bëra sqaroi se nisur nga transaksionet dhe matjet në terren të pronës së trashëgimtarëve Buleci rezultoi se në total plotësohej sipërfaqja 6000m2. Fakti që, brenda sipërfaqes së blerë nga vëllezërit Tano ndodhet (rezulton një sipërfaqe) rreth 57 m2 më tepër, nuk e bën posedimin e paligjshëm në kuptim të nenit 296 të K.Civil...”.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, këto veprime procedurale që në thelb përbëjnë marrje provash të reja, përderisa nuk është marrë vendim sipas kërkesave të nenit 465 të Kodit të Procedurës Civile, përbëjnë shkelje të rënda, të tilla që passjellin pavlefshmërinë e këtyre veprimeve dhe të akteve që burojnë nga këto veprime. Në këtë kontekst, Ky Kolegj vlerëson se, vendimi i gjykatës së apelit është marrë në kundërshtim me nenin 467/e të Kodit të Procedurës Civile.
-
Ky Kolegj sjell në vëmendje të gjykatës së apelit se, marrja e një vendimi të ndërmjetëm, bazuar në përcaktimet e nenit 465 të Kodit të Procedurës Civile, nuk është thjesht një formalitet, por në referim të nenit 1§1 të po këtij Kodi përbën një detyrim ligjor për gjykatën.
-
Kjo për arsye se, nëpërmjet këtij vendimi të ndërmjetëm, gjykatës së apelit i lind e drejta që, të paktën, gjatë shqyrtimit gjyqësor “...të lexohen aktet e gjykimit në shkallë të parë” dhe, nëse e vlerëson të nevojshme, të marrë “...edhe prova të reja”.
-
Marrja e vendimit për përsëritjen tërësisht apo pjesërisht të hetimit gjyqësor, shoqërohet detyrimisht edhe me respektimin e nenit 213 të Kodit të Procedurës Civile, në lidhje me nenin 11 të po këtij Kodi. Pra, gjykata, krahas vendimit për përsëritjen tërësisht apo pjesërisht të hetimit gjyqësor, është e detyruar të marrë vendim lidhur edhe me rrethin e çështjeve apo fakteve mbi të cilat do të shtrihet hetimi gjyqësor dhe veçanërisht, mbi provat apo mjetet provuese që, do të merren në vërtetimin ose jo të këtyre rrethanave e fakteve të pretenduara nga palët.
-
Nga përmbajtja e proces-verbalit të kësaj seance gjyqësore nuk rezulton që, gjykata e apelit të ketë marrë vendim për përsëritjen e hetimit gjyqësor, sipas nenit 465 të Kodit të Procedurës Civile.
-
Ndërsa, referuar natyrës të shqyrtimit të një çështje në gjykatën e apelit, kur vlerësohet të zbatohet neni 465 i Kodit të Procedurës Civile, situata juridike është e ndryshme nga ajo e parashikuar në nenin 304 të po këtij Kodi. Shqyrtimi në gjykatën e apelit bëhet mbi ankimin e palëve dhe kontrollohet ligjshmëria e bazueshmëria e vendimit të gjykatës së shkallës së parë. Nëse, rrethanat e çështjes dhe vendimi i ankimuar janë me mangësi që mund të ndreqen në gjykatën e apelit, kjo e fundit mbi kërkimin e palës apo kryesisht, merr një vendim të ndërmjetëm, jo për riçelje të hetimit, por për përsëritjen pjesërisht apo tërësisht të hetimit gjyqësor, duke u mjaftuar me leximin e akteve të gjykimit në shkallë të parë apo edhe me marrjen e provave të reja. Në rastin e fundit, ky vendim do të shoqërohet dhe me respektimin e kërkesave të nenit 213 të Kodit të Procedurës Civile në lidhje me nenet 11, 12, si dhe me dispozitat e tjera të po këtij Kodi, që parashikojnë marrjen e provave.
-
Gjykata e apelit, me vendimin që merr, bazuar në nenin 465 të Kodit të Procedurës Civile, ka të drejtë që të bëjë një shqyrtim gjyqësor të plotë, por gjithnjë kufijtë e shqyrtimit në këtë gjykatë varen nga kufijtë dhe shkaqet e ankimit që kanë investuar gjykatën.
Dhe më pas, në analizë juridike të gjendjes konkrete të vërtetuar lidhur me këto fakte, të zgjidhte çështjen sipas normave ligjore të zbatueshme për rastin konkret.
-
Përsa më sipër dhe në rrethanat kur gjykata e apelit i ka të gjitha mundësitë ligjore të marrë në shqyrtim dhe të zgjidhë mosmarrëveshjen objekt gjykimi, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, vlerëson të prishë vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë dhe të dërgojë çështjen për rishqyrtim në po atë gjykatë.
-
Në rigjykim, gjykata e apelit për të garantuar një proces të rregullt ligjor, në mbështetje të neneve 486, 493 e 465 të Kodit të Procedurës Civile, qoftë edhe kryesisht, duke mbajtur parasysh konkluzionet e mësipërme të këtij vendimi, duhet të përsërisë hetimin gjyqësor nëpërmjet të cilit të verifikojë e të identifikojë ekzistencën ose jo të rrethanave ligjore që përbëjnë shkakun e padisë në gjykim dhe të prapësimeve të palës së paditur.
-
Gjykata e apelit ka detyrimin ligjor që, në funksion të shqyrtimit të pretendimeve të ankimit dhe zgjidhjes së drejtë të çështjes, “të zhvillojë një proces të rregullt ligjor, nëpërmjet garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin” (neni 14), të bëjë një “cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen”, të çmojë “provat e marra gjatë gjykimit të çështjes, sipas bindjes së saj të brendshme, të formuar nga shqyrtimi i të gjitha rrethanave të çështjes në tërësinë e tyre” (neni 309) dhe “të zgjidhë mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj” (neni 16).
-
Gjykata duhet t’ju bëjë të qartë palëve se, është detyrë e secilës prej tyre që, në përputhje me ligjin, të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm e të provojnë faktet mbi të cilat bazojnë pretendimet për të drejtat që kërkojnë. Në zgjidhjen e drejtë e ligjore të mosmarrëveshjes, ashtu si palët kanë të drejta, ato kanë dhe detyrime “që rrjedhin prej këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara” në Kodin e Procedurës Civile (neni 3).
-
Në respektim të nenit 213 në lidhje me nenet 11 e 12 të Kodit të Procedurës Civile, gjykata duhet të përcaktojë me vendim për secilën palë faktet që duhet të provohen prej tyre, provat që lejohen të paraqiten nga secila palë veçmas, vlerën provuese të secilës provë, si dhe barrën e provës për secilën palë.
-
Kryerja e veprimeve të mësipërme, si edhe e të tjerave që eventualisht mund të dalin gjatë rigjykimit, do ta lejojnë gjykatën e apelit, që në përputhje me kërkesat e ligjit procedural e atij material të mund të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive, lidhur me zgjidhjen e çështjes.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, një grup ekspertesh i thirrur nga Gjykata e Apelit do saktësonte pretendimet e palëve.
-
Nga sa më sipër Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se, me qëllim kryerjen e një hetimi të plotë e të gjithanshëm të çështjes, vendimi nr.534, datë 14.09.2012 i Gjykatës së Apelit Korçë do të prishet dhe çështja do të kthehet për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, bazuar në përcaktimet e nenit 485, shkronja “c” të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.534, datë 14.09.2012, të Gjykatës së Apelit Korçë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në po këtë gjykatë, me tjetër trup gjykues.
Tiranë, më 10.03.2016
Nr. 11115-00088-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-721 i Vendimit (76)
Do'stlaringiz bilan baham: |