Nr I vendimit Data palët faqe



Download 7,22 Mb.
bet19/217
Sana14.02.2017
Hajmi7,22 Mb.
#2527
1   ...   15   16   17   18   19   20   21   22   ...   217

VENDIM

NË EMËR TË REPUBLIKËS

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:


Ardian Nuni Kryesues

Aleksandër Muskaj Anëtar

Mirela Fana Anëtare
në seancën gjyqësore të datës 10.03.2016 mori në shqyrtim çështjen civile me nr.02649/13, që u përket palëve:
PADITËS: Hetem Bakillari (në mungesë)

I PADITUR: Avni Çekrezi (në mungesë)

PERSONA TË TRETË: Tefta Behaj, Dodona Bakillari, Drita Dika, Shkëndije Kodra, Bashkim Çekrezi (në mungesë)
OBJEKTI:

Pavlefshmëri e kontratës së shitjes së apartamentit

të ndodhur në lagjen nr.18, rruga “A.Goga”, pallati 225, shkalla 1, kati 1

si dhe detyrimi për t’u njohur pronar i apartamentit.

Baza Ligjore: Nenet 92, 94, 207 të Kodit Civil.

Nenet 349 e 202 të K.Pr.Civile.



Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin nr.(5530) 2778, datë 07.11.2011, ka vendosur:

“Pranimin e kërkesëpadisë së paditësit Hetem Bakillari.

Pavlefshmërinë e kontratës së shitjes nr.2963 Rep. dhe nr.570 Kol., datë 21.06.2008 të lidhur mes palëve shitëse-Liri Bakillari, blerës-Avni Çekrezi me objekt shitjen e një apartamenti banimi me sip. 50.1 m2, ndodhur në lagjen nr.18, Rruga “A.Goga”, pallati 225, Shkalla 1, kati 1 dhe kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme”.
Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr.531 (10-2013-1147), datë 16.07.2013, ka vendosur:

“Prishjen e vendimit civil nr.2778/5530, datë 07.11.2011 të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës dhe pushimin e gjykimit të çështjes”.


Kundër vendimit të gjykatës së apelit ka ushtruar rekurs paditësi Hetem Bakillari, me të cilin kërkon prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, për këto shkaqe:

  • Vendimi i gjykatës së apelit është i padrejtë, pasi është i pambështetur në prova dhe në ligj dhe si i tillë kërkoj të prishet për këto arsye:

  • a) Nuk është respektuar si duhet neni 72 pika 2 i K.Pr.Civile në shqyrtimin e çështjes në të cilën thuhet “gjyqtari, ai vetë ose bashkëshortja e tij është i afërt deri në shkallë të katërt ose krushqi deri në shkallë të dytë ose është i lidhur me detyrime birësimi apo bashkëjeton në mënyrë të përhershme me njërën nga palët ose nga mbrojtësit”.

  • Në rastin konkret i padituri Avni Çekrezi ka lidhje gjaku me gjyqtarin Valbon Çekrezi i cili sipas dispozitës së lartpërmendur ishte i detyruar të hiqte dorë nga gjykimi i çështjes konkrete.

  • b) Siç është shpjeguar gjatë gjykimit, kërkesë padia e paraqitur nga paditësi Hetem Bakillari duhet të pranohej pasi e ndjera Lirie Bakillari me pa të drejtë i ka mohuar të drejtën legjitime për të trashëguar paditësit Hetem Bakillari, pjesën trashëgimore që rrjedh nga pasuria e të ndjerit Hekuran Bakillari që është edhe vëllai paditësit në bazë të nenit 348 të K.Civil si dhe neni 388 të K.Pr.Civile

  • c) Duke qenë se të paditurit i është mohuar e drejta trashëgimore, i është drejtuar Gjykatës për tu njohur trashëgimtar i trashëgimlënësit Hekuran Bakillari dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka vendosur me vendimin nr.1900 (1166), datë 07.05.2010 njohjen si trashëgimtarë në pjesën prej 1/2 e pjesës të së ndjerit Hekuran Bakillarit.

  • d) Kontrata e bërë nga e ndjera Lirie Bakillari me të paditurin Avni Çekrezi është pjesërisht e pavlefshme pasi me pa të drejtë e ndjera Lirie ka marrë të drejta që nuk i takojnë për të bërë shitjen dhe të pjesës trashëgimore të bashkëshortit që e trashëgon vëllai i tij Hetem.

KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË

pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Ardian Nuni, dhe si bisedoi çështjen në tërësi,

V Ë R E N

Rrethanat e çështjes:

1. Nga materialet e dosjes gjyqësore rezulton se paditësi Hetem Bakillari me të paditurin Avni Çekrezi dhe personat e tretë, Tefta Behaj, Dodona Bakillari, Drita Dika, Shkëndije Kodra dhe Bashkim Çekrezi janë në marrëdhënie të posaçme.

1.1. Paditësi Hetem Bakillari është vëllai i të ndjerit Hekuran Bakillari i cili ka qenë i martuar me Liri Bakillari.

2. Rezulton se në emër të Hakuran Bakillari pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, sipas çertifikatës për vërtetim pronësie, lëshuar nga kjo zyrë më datën 13.07.2005, figuron e regjistruar pasuria nr.1/77+1-1 e llojit apartament me sipërfaqe 50.1 m2, e ndodhur në zonën kadastrale nr.8513, lagja nr.18, rruga “A.Goga”, pallati 225, shk. 1, kati 1, ap. nr.Durrës.

3. Mbi kërkesën e Liri Bakillari, pas vdekjes të bashkëshortit Hetem Bakillari më datë 28.07.2006, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin nr.582, datë 22.02.2008, ka lëshuar dëshminë e trashëgimisë të trashëgimlënësit Hekuran Bakillari, duke njohur si trashëgimtare të vetme ligjore bashkëshorten e tij Liri Bakillari, së cilës i ka kaluar e gjithë pasuria trashëgimore.

4. Pasi pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës është bërë regjistrimi i këtij vendimi gjyqësore, midis Liri Bakillarit, me cilësinë e shitëses dhe të paditurit të këtij gjykimi, Avni Çekrezit, me cilësinë e blerësit është lidhur kontrata e shitjes nr.2963 Rep. nr.570 Kol., datë 21.06.2008 me të cilën është bërë kalimi i pronësisë së apartamentit të sipërpërmendur në pikën 2 të këtij vendimi nga shitësja tek blerësi Avni Çekrezi.

4.1. Rezulton se kontrata e shitjes është regjistruar pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës në emër të Avni Çekrezit.

5. Ndërkohë, mbi kërkesën e paditësit të këtij gjykimi Hetem Bakillari, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin nr.11-2010-1900 (1166), datë 07.05.2010, ka lëshuar dëshminë e trashëgimisë të trashëgimlënësve Hekuran Bakillari, vdekur datë 28.07.2006, dhe Liri Bakillari, vdekur datë 19.10.2008, duke u njohur si trashëgimtarë ligjorë, për shkak të konkurimit të bashkëshortes të trashëgimlënësit Hekuran Bakillari, Liri Bakillari me trashëgimtarët ligjorë të tij të radhës së tretë (nenet 361§3-4, 364 të K.Civil) të tyre: “Hetem Bakillari i cili gëzon ½ pjesë të pasurisë trashëgimore. Tefta Behaj, Dodona Bakillari, Drita Dika, Shkëndije Kodra, Bashkim Çekrezi, Avni Çekrezi Të cilët trashëgojnë pjesën takuese të ½ të pasurisë trashëgimore të trashëgimlënëses Liri Bakillari”.

6. Në këto rrethana, paditësi Hetem Bakillari ka pretenduar se është bashkëpronar për shkak trashëgimie mbi sendin në 1/4 pjesë i cili është shitur nga Liri Bakillari si pronare e vetme, duke iu mohuar e drerjta që rrjedh nga trashëgimia dhe, për rrjedhojë, kontrata e shitjes nr.2963 Rep. nr.570 Kol., datë 21.06.2008 është absolutisht e pavlefshme, me padi ka kërkuar si në objektin e saj, pasqyruar në kërkesë padi dhe në pjesët hyrëse të vendimeve të gjykatave të faktit.

7. Nëpërmjet prapësimeve i padituri Avni Çekrezi ka parashtruar se kontrata e shitblerjes objekt kundërshtimi në këtë gjykim është një veprim juridik i vlefshëm, i bërë konform ligjit; sipas dokumentacionit të paraqitur për lidhjen e kësaj kontrate shitësja figuronte pronare e vetme; kontrata ka forcën e ligjit për palët dhe efektet juridike të kësaj kontrate shtrihen edhe tek trashëgimtarët.

8. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin nr.(5530) 2778, datë 07.11.2011, ka pranuar padinë, duke konstatuar Pavlefshmërinë e kontratës së shitjes nr.2963 Rep. dhe nr.570 Kol., datë 21.06.2008 të lidhur mes palëve shitëse-Liri Bakillari, blerës-Avni Çekrezi me objekt shitjen e një apartamenti banimi me sip. 50.1 m2, ndodhur në lagjen nr.18, Rruga “A.Goga”, pallati 225, Shkalla 1, kati 1 dhe kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme”.

8.1. Në pranimin e padisë, gjykata, pasi citon 318, 361, 363, 362, 92, 204 dhe 208 të Kodit Civil, arsyeton: - në zbatim të këtyre dispozitave ligjore “...: Paditësi Hetem Bakillari dhe trashëgimlënësja Liri Bakillari janë bashkëpronarë mbi apartamentin e banimit me sipërfaqe 50.1 m2 të tjetërsuar me kontratën shitjes nr.2863 Rep dhe nr.570 Kol datë 21.06.2008”; - “Në rastin konkret gjykata ka parasysh që për tjetërsimin e një sendi..në bashkëpronësi duhet të respektohen kërkesat e nenit 208 të K.Civil...Gjithashtu rezulton se shitja në rastin konkret është bërë në kundërshtim me nenin 204 të K.Civil...”; -“Gjatë gjykimit u vërtetua se pala paditëse është pronare me ¼ pjesë të pasurisë së paluajtshme apartament banimi me sipërfaqe 50.1 m2. Pala shitëse ka bërë shitjen e një pasurie të paluajtshme pa qenë pronare e vetme e kësaj pasurie, pasi e ndjera Liri Bakillari sipas provave shkresore të administruara gjatë gjykimit rezulton të jetë bashkëpronare me ¾ pjesë mbi këtë pasuri objekt gjykimi...”; - “Duke patur parasysh sa u parashtruan më lartë gjykata arrin në përfundimin se kërkesa e palës paditëse, është e drejtë dhe si e tillë duhet pranuar bazuar në nenin 92 të K.Civil”.

9. Mbi ankimin e të paditurit Avni Çekrezi, Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr.531 (10-2013-1147), datë 16.07.2013, ka prishur vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe ka pushuar gjykimin e çështjes.

9.1. Në prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe pushimin e gjykimit të çështjes, gjykata e apelit arsyeton: - “...kërkesë padia e ngritur nga pala paditëse Hetem Bakillari nuk mund të ngrihej për shkak se pretendimi i përfshirë në objektin e padisë nuk përfaqëson një kërkim ligjor të mirëfilltë, për qëllimet e nenit 32 të K.Pr.Civile”; - “Kur gjykata gjatë shqyrtimit të çështjes, konstaton se një veprim juridik është absolutisht i pavlefshëm, ajo nuk jep vendim për deklarimin e tij të pavlefshëm, por kufizohet vetëm në vërtetimin e pavlefshmërisë dhe duke u nisur nga kjo, zgjidh konfliktin e palëve ndërgjyqëse rreth marrëdhënies juridike përkatëse. (Shih Vendimin e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.10, datë 18.09.2009, i cili ka trajtuar çështjen e pavlefshmërisë absolute të veprimit juridik pas prishjes nga Gjykata Kushtetuese përmes Vendimit të saj nr.34, datë 03.10.2007 të Vendimit Unifikues nr.13, datë 09.03.2006)”; - më tej, në citim të vendimit njësues nr.5, datë 30.10.2012 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, gjykata e apelit parashtron se “...kërkimi i pavlefshmërisë absolute nuk mund të përbëjë pretendimin e mirëfilltë të objektit të padisë, por argumentin e kërkimit themelor të palës paditëse, me qëllim zgjidhjen e konfliktit gjyqësor midis palëve ndërgjyqëse. Pikërisht këtij qëllimi i shërben konstatimi i faktit të paligjshmërisë në formën apo përmbajtjen e veprimit juridik, në lidhje me shkeljen e një norme imperative ligjore”; - “Konkretisht, nëse do të shtrohej çështja e posedimit të banesës, atëherë pala paditëse kishte mundësinë juridike të mbronte interesin e saj përmes padisë petitorie të actio rivendicatios, të parashikuar në nenin 296 të Kodit Civil”; -“Gjithashtu, pretendimi për detyrimin e njohjes pronar nuk është shoqëruar me bazën ligjore të nevojshme. Pra, pretendimi i objektit të padisë, në gjendjen që është, nuk garanton procedurialisht realizimin e ndonjë të drejte materiale të palës paditëse Hetem Bakillari”.

10. Kundër vendimit të gjykatës së apelit ka ushtruar rekurs paditësi Hetem Bakillari, me të cilin kërkon prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, për shkaqet e pasqyruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
11. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile në të cilat është parashikuar:

11.1. Neni 14 i K.Pr.Civile: “Gjykata ka për detyrë që të zhvillojë një proces të rregullt ligjor, nëpërmjet garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin”.

11.2. Neni 16§1 i K.Pr.Civile: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.

11.3. Neni 468 i K.Pr.Civile: “Gjykata e apelit kur konstaton se çështja nuk hyn në juridiksionin gjyqësor, si dhe kur padia nuk mund të ngrihej ose gjykimi nuk mund të vazhdonte, prish vendimin dhe vendos vetë pushimin e gjykimit të çështjes”.


KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON
12. Se rekursi i paraqitur nga paditësi Hetem Bakillari përmban shkaqe ligjore nga ato të parashikuara në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile që motivojnë cenimin e vendimit nr.531 (10-2013-1147), datë 16.07.2013 të Gjykatës së Apelit Durrës, me të cilin është prishur vendimi nr.(5530) 2778, datë 07.11.2011 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe është pushuar gjykimi i çështjes.

13. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim të akteve procedurale, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve e prapësimeve të palëve në gjykim, të vendimeve të gjykatave të faktit dhe shkaqeve të rekursit, arrin në përfundimin se vendimi nr.531 (10-2013-1147), datë 16.07.2013 i Gjykatës së Apelit Durrës është rrjedhojë e mosrespektimit të ligjit dhe për këtë shkak duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim po pranë kësaj gjykate.

14. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar ose jo. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve të gjykatave të faktit.

15. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim të objektit të padisë, përmbajtjes dhe shkakut të saj, evidenton se:

15.1. Pala paditëse, me padinë objekt shqyrtimi ka kërkuar: “Pavlefshmërinë e kontratës së shitjes së ap. me sipërfaqe 50.1 më të ndodhur në lagjen nr.18 rruga “A.Goga”, P. 225, Sh.1, K. 1 si dhe detyrimin për tu njohur pronarë në këtë apartament”.

15.2. Në referencë të akteve shkresore të paraqitura me cilësinë e provave, paditësi ka pretenduar se: (i) pasuria, apartament, identifikuar si më sipër, ka qenë pasuri bashkëshortore e trashëgimlënësve Hekuran Bakillari dhe Liri Bakillari; (ii) për këtë shkak, në zbatim të trashëgimisë ligjore, ai është bashkëpronar me trashëgimtarët e tjerë të linjës trashëgimore që vjen prej tyre; (iii) kontrata e shitjes nr.2963 Rep. nr.570 Kol., datë 21.06.2008, lidhur midis trashëgimlënëses Liri Bakillari dhe të paditurit, Avni Çekrezi është absolutisht e pavlefshme, pasi bie në kundërshtim me ligjin, për shkak se jo vetëm që nuk është marrë pëlqimi i bashkëpronarëve të tjerë, por është tjetërsuar dhe pjesa ideale që paditësi ka në bashkëpronësi.

15. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka pranuar padinë dhe ka disponuar si në dispozitivin e vendimit të saj.

16. Ky kolegj, pa marrë në shqyrtim ligjshmërinë dhe argumentueshmërinë e vendimit të gjykatës së shkallës së parë lidhur me zgjidhjen në themel që i ka bërë çështjes, evidenton mangësitë nga pikëpamja procedurale të dispozitivit të këtij vendimi. Respektivisht, kjo gjykatë nuk duhej të shprehej në dispozitiv për “kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme”, por, “përderisa ka pranuar padinë, kishte detyrimin ligjor të pasqyronte gjendjen konkrete në të cilën duhet të ktheheshin palët”.

16.1. Po kështu, kjo gjykatë nuk ju ka dhënë përgjigje në dispozitiv të vendimit të gjitha kërkimeve të objektit të padisë. Padia, ndër të tjera, ka për objekt një të drejtë pronësie të pretenduar nga paditësi i cili shprehimisht ka kërkuar “detyrimin për tu njohur pronar mbi...” apartamentin objekt material i këtij gjykimi. Gjykata e shkallës së parë, megjithëse në pjesën arsyetuese të vendimit e ka trajtuar këtë kërkim dhe shkakun e tij, nuk shprehet për të në dispozitiv të vendimit.

17. Gjykata e apelit ka marrë çështjen në shqyrtim mbi ankimin e të paditurit dhe, ndryshe nga gjykata e shkallës së parë, pa shqyrtuar themelin e çështjes, referuar nenit 468 të Kodit të Procedurës Civile, ka prishur vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe ka pushuar gjykimin e çështjes me argumentin se ndodhet përpara një padie që nuk mund të ngrihet.

18. Ndryshe nga gjykata e apelit, ky kolegj, në shqyrtim të shtjellimit të padisë, vlerëson se, pavarësisht nga formulimi dhe renditja që paditësi ka pasqyruar në objektin e saj, në thelb padia ka për objekt njohjen e së drejtës së bashkëpronësisë të paditësit mbi apartamentin objekt material i këtij gjykimi. Si arsye të këtij kërkimi paditësi ka pretenduar për një të drejtë pasurore që i vjen për shkak trashëgimie nga trashëgimlënësi Hekuran Bakillari e cila i është cenuar nga kontrata e shitjes nr.2963 Rep. nr.570 Kol., datë 21.06.2008, lidhur midis trashëgimlënëses Liri Bakillari dhe të paditurit, Avni Çekrezi.

19. Gjykata e apelit në vendimmarrjen e vet referon në vendimin njësues nr.5, datë 30.10.2012 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, por keqinterpreton qëndrimin dhe përfundimet e arritura në këtë vendim lidhur me objektin e padisë dhe shkakun e saj, që për rastin konkret vlerësohet se janë të qenësishme dhe jo sikurse parashtron kjo gjykatë.

20. Në vendimin njësues të sipërpërmendur thuhet se “22. Një ndër elementet që identifikon padinë dhe pa të cilin nuk mund të ketë padi është shkaku i saj (causa petitionis). Shkaku i padisë është arsyeja e kërkimit gjyqësor që përbëhet nga e drejta dhe nga një gjendje fakti që i kundërvihet kësaj të drejte. Që padia të merret në shqyrtim nga gjykata duhet të përmbajë në vetvete, jo vetëm kërkimin që përbën objektin e saj, por dhe shkakun. Kërkimi për konstatimin e pavlefshmërisë pa treguar të drejtën dhe gjendjen e faktit që i është kundërvënë kësaj të drejte është një padi që në kuptim material nuk ekziston. Nuk ka padi pa shkak.

22.1. Është pikërisht shkaku i padisë, e drejta dhe gjendja e faktit që i kundërvihet kësaj të drejte, që përbën cenim të së drejtës së një subjekti/pale dhe që e motivon atë të verë në lëvizje gjykatën (neni 32/a/b i K.Pr.Civile). Arsyeja e kërkimit, mbi të cilën bazohet padia, përbëhet nga e drejta materiale ku ajo themelohet, pra është e drejta materiale e afirmuar në bazë të së cilës përcaktohet objekti (petitium), dhe gjendja e faktit që i kundërvihet kësaj të drejte”.

20.1. Referuar këtij qëndrimi dhe padisë në shqyrtim nuk rezulton që ajo të ketë thjesht si kërkim pavlefshmërinë e kontratës, sikurse arsyeton gjykata e apelit. Përkundrazi, paditësi, ka pretenduar se i është cenuar një e drejtë subjektive dhe ka identifikuar: (i) marrëdhënien juridike nga i buron ajo; (ii) personat që e kanë cenuar në të drejtën; (iii) faktin që përbën cenimin e të drejtës, veprimet e tyre që i kanë mohuar atë, si dhe (iv) të drejtën që synon të realizojë e cila është konkrete dhe e lindur para ngritjes së padisë.

21. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë sjell në vëmendje të gjykatës së apelit praktikën gjyqësore të Gjykatës së Lartë në të cilën në mënyrë të konsoliduar është parashtruar kuptimi dhe interpretimi që duhet të bëhet lidhur me nenin 468 të Kodit të Procedurës Civile, veçanërisht lidhur me “padinë që nuk mund të ngrihet”.

21.1. Kështu, në interpretim të kësaj dispozite, duhet të mbahet parasysh se padia nuk mund të ngrihet në rastet e mungesës të parakushteve procedurale, si ekzistenca e gjyqvarësisë (neni 58 i K.Pr.Civile); mungesa e zotësisë së palëve (nenet 33 dhe 91 të K.Pr.Civile); dhe në raste të mungesës së kushteve themelore të padisë, të tilla si mungesa e legjitimitetit formal dhe interesit për të ngritur padi (neni 184 i K.Pr.Civile), si dhe kur e drejta e pretenduar të mbrohet nëpërmjet vendimit të gjykatës nuk është parashikuar në një normë të së drejtës.

21.2. Parakushtet procedurale janë kushte për krijimin e marrëdhënies procedurale; mungesa e tyre nuk pengon inicimin e procesit, por përbën pengesë për shqyrtimin e themelit të çështjes. Mungesa e legjitimitetit procedural (formal) pas sjell pushimin e gjykimit të padisë, ndërsa mungesa e legjitimitetit substancial pas sjell rrëzimin e saj.

21.3. Interesi për të ngritur një padi është një element i së drejtës së padisë. Ai dallon nga interesi material për mbrojtjen e të cilit shërben padia. Kjo për arsye sepse janë të dallueshme dy të drejta, ajo materiale dhe ajo procedurale, që ushtrohet për mbrojtjen e së parës. Interesi për të ngritur padi është një interes procedural, dytësor dhe instrumental në lidhje me interesin material dhe ka për objekt vendimin që i kërkohet gjykatës të japë si mjet për arritjen e përmbushjes së interesit material, i cili është cenuar apo shkelur nga sjellja e palës tjetër ose nga gjendja faktike objektive ekzistuese. Pra, interesi për të ngritur padi lind nga domosdoshmëria për të mbrojtur interesin material dhe për këtë arsye, në esencë, presupozon njohjen e cenimit të një interesi që mund të përmbushet duke kërkuar mbrojtjen në gjykatë.

22. Ky kolegj evidenton se, nëse gjatë gjykimit nuk vërtetohet pronësia e paditësit mbi sendin objekt gjykimi dhe as që nga ana e të paditurit mohohet pronësia e paditësit mbi atë send, atëherë do të ndodheshim përpara mungesës së legjitimimit substancial, i cili nuk do t’i humbiste palës të drejtën për të ngritur padi, por nuk do të çonte në rrëzimin e saj si të pabazuar. Legjitimimi substancial (legitimatio ad causam) nënkupton marrëdhënien subjektive mes paditësit dhe të paditurit ndaj së drejtës subjektive për mbrojtjen e së cilës është vënë në lëvizje procesi gjyqësor. Pala ndërgjyqëse gëzon legjitimim substancial nëse gjatë gjykimit vërteton se e drejta subjektive që rrjedh nga marrëdhënia juridiko-civile me të cilën lidhet konflikti, i takon asaj dhe palës tjetër. Pra, është e drejta materiale ajo që përcakton legjitimimin real të palëve ndërgjyqëse në gjykim dhe në këtë kuptim vetë thelbi i gjykimit është përcaktimi se cilës palë i takon realisht e drejta subjektive.

22.1. Interesi në gjykim përcakton edhe pozitën procedurale të palëve në proces. Kështu, personi që, duke pretenduar se e drejta subjektive i takon atij, i drejtohet gjykatës për të kërkuar njohjen ose rivendosjen e kësaj të drejte të shkelur nga një person tjetër që e thërret në gjykim, quhet paditës (legjitimimi aktiv). Ndërsa, personi të cilit i drejtohet kërkimi, duke pretenduar se është ky person që ka shkelur, cenuar apo mohuar të drejtën e paditësit, quhet i paditur (legjitimimi pasiv). Legjitimimi aktiv konsiderohet ndryshe si legjitimimi për të kërkuar, ndërsa legjitimimi pasiv, si legjitimi për të kundërshtuar. Legjitimimi procedural është kusht për vazhdimin e gjykimit, ndërsa legjitimimi substancial i takon shqyrtimit gjyqësor të themelit të çështjes, për të cilin gjykata shprehet në vendimin përfundimtar.

22.2. Në këtë kuptim, ky kolegj, duke iu përmbajtur qëndrimeve të tij të mëparshme, vlerëson të evidentojë edhe një herë se rrëzimi i padisë ka vend kur ngritja e padisë e ka një shkak, bazuar në të drejtën objektive, për t’iu parashtruar gjykatës për zgjidhje, pra është një padi që mund të ngrihet dhe i përket juridiksionit gjyqësor, por ajo që kërkohet me padi, në përfundim të gjykimit, nuk arrin të provohet. Po kështu edhe nëse ajo që është e kërkueshme ligjërisht në rrugë gjyqësore, mbi provat e paraqitura, vërtetohet se nuk gjen mbështetje në ligj.

22.3. Në thelb, ngritja e padisë, hartimi dhe paraqitja e kërkesëpadisë, janë mjeti procedural me të cilin paditësi vë në lëvizje gjykatën, kur pretendon se ka një të drejtë subjektive, për të njohur a mbrojtur, e cila gjen mbështetje në të drejtën pozitive, si nga pikëpamja materiale ashtu edhe nga ajo procedurale (për t’iu drejtuar gjykatës). Nëse ajo që, konkretisht, paditësi pretendon se i është cenuar apo që duhet t’i njihet, parashikohet nga e drejta pozitive në aspektin material, e akoma më tej, nëse e drejta pozitive i njeh paditësit të drejtën që këtë të kërkojë ta realizojë nëpërmjet gjykatës, atëherë gjykata ka detyrimin të vijojë me shqyrtimin dhe zgjidhjen e çështjes për të verifikuar nëse ajo kërkohet konkretisht me padi (në objekt) është e mbështetur edhe në prova e në ligj.

22.4. E kundërta, nëse ajo që i kërkohet gjykatës nuk gjen mbështetje në të drejtën pozitive materiale, atëherë gjykata pushon çështjen si një padi që nuk mund të ngrihet (neni 468 i Kodit të Procedurës Civile). Por, nuk kemi të bëjmë me mungesë të së drejtës pozitive materiale, ndaj edhe gjykata nuk e pushon vetvetiu çështjen me motivin se nuk gjen një normë konkrete juridike ligjore të zbatueshme për të drejtën që pretendohet nga paditësi. Kjo sepse mund të ndodhë që ligji (norma juridike) mungon, nuk është i qartë, i plotë apo është kontradiktor.

22.5. Dhe më tej, Kodi i Procedurës Civile, duke respektuar parimet e së drejtësisë kushtetuese dhe civile, në nenin 1 të tij, shprehimisht urdhëron gjykatat ta zgjidhin çështjen edhe në të tilla rrethana ligjore. E drejta pozitive vlerësohet se ekziston edhe kur ajo që pretendohet të njihet a të mbrohet me anë të gjykatës, ndonëse mund të mos jetë parashikuar nga një normë konkrete e ligjit, përbën një vlerë e të drejtë të njohur e të mbrojtur nga Kushtetuta, parimet, fryma dhe dispozitat e saj.

23. Gjithashtu, bazuar në nenin 468 të Kodit të Procedurës Civile, gjykata vendos pushimin e çështjes edhe kur, ndonëse ajo që ngrihet në padi ka mbështetje në të drejtën pozitive materiale, nga ana e së drejtës pozitive procedurale parashikohet shprehimisht detyrimi që, ai kërkim, nuk mund t’i parashtrohet (drejtpërdrejt) gjykatës, por një organi që bën pjesë në juridiksionin administrativ apo një organi tjetër të ngarkuar posaçërisht për atë qëllim nga ligji.

24. Së fundi, duke qenë se padia ka si kërkim detyrimin për njohje pronar, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se këto lloj kërkimesh i përkasin gjithmonë juridiksionit gjyqësor dhe mund të ngrihen para gjykatës me anë të padisë.

25. Sa më sipër, bazuar në interpretimin dhe zbatimin e drejtë të ligjit sikurse parashtrohet më sipër në këtë vendim, si dhe duke patur parasysh që gjykata e apelit nuk ka marrë në shqyrtim dhe as nuk ka arsyetuar mbi pretendimet e ngritura në ankim lidhur me vlerësimin e çmimin e provave dhe të rrethanave të faktit nga gjykata e shkallës së parë, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi i gjykatës së apelit duhet prishur dhe çështja duhet t’i dërgohet për rishqyrtim po asaj gjykate.

25.1. Gjykata e apelit për të garantuar një proces të rregullt ligjor, në mbështetje të neneve 486, 493 e 465 të Kodit të Procedurës Civile, qoftë edhe kryesisht, duke mbajtur parasysh konkluzionet e mësipërme të këtij vendimi, duhet të përsërisë hetimin gjyqësor nëpërmjet të cilit të verifikojë e të identifikojë me argumente ekzistencën ose jo të rrethanave ligjore që përbëjnë shkakun e padisë në gjykim dhe të prapësimeve të të paditurit.

25.2. Në vlerësim të natyrës juridike të mosmarrëveshjes, shkakut të lindjes së saj, kërkimeve dhe pretendimeve të palëve gjykata duhet të argumentojë zgjidhjen që do t’i japë mosmarrëveshjes konform dispozitave ligjore të zbatueshme për rastin konkret dhe, në se konkludon se: (i) trashëgimtarë të trashëgimlënësve Hekuran Bakillari dhe Liri Bakillari janë ata që pretendohet nga paditësi; (ii) sendi objekt material i këtij gjykimi ka qenë në bashkëpronësi të tyre, të argumentojë pavlefshmërinë absolute ose jo të kontratës nr.2963 Rep. nr.570 Kol., datë 21.06.2008 dhe më pas të përcaktojë gjendjen e mëparshme konkrete, njohjen ose jo të bashkëpronësisë së paditësit me trashëgimtarët e tjerë, pjesëmarrës në gjykim.

25.3. Gjithashtu, gjykata duhet të ketë parasysh nenin 111 të Kodit Civil. Në respektim të rregullimeve të bëra në këtë dispozitë gjykata me argumente ligjore të përcaktojë shtrirjen pavlefshmërisë mbi gjithë veprimin juridik apo në pjesë të veçanta të tij. Në këtë drejtim, duke patur parasysh vendimin njësues nr.5, datë 30.10.2012 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, gjykata nuk duhet të dalë tej kuadrit të kërkimeve të palëve.

25.4. Në rigjykim, gjykata e apelit, për t’iu dhënë zgjidhje problemeve të mësipërme, në respektim të të drejtave të palëve dhe detyrimeve të tyre që rrjedhin nga procesi gjyqësor civil, ka për detyrë që të zhvillojë një proces të rregullt ligjor, nëpërmjet garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin (neni 14) dhe, duke bërë një “cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen” ta zgjidhë atë “në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi” (neni 16).

25.5. Gjykata t’u bëjë të qartë palëve se është detyrë e secilës prej tyre, që në përputhje me ligjin, të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm e të provojnë faktet mbi të cilat bazojnë pretendimet për të drejtat që kërkojnë. Në zgjidhjen e drejtë e ligjore të mosmarrëveshjes, ashtu si palët kanë të drejta, ato kanë dhe detyrime “që rrjedhin prej këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara” në Kodin e Procedurës Civile (neni 3).

26. Kryerja e veprimeve të mësipërme, si dhe e të tjerave që eventualisht mund të dalin gjatë rigjykimit, do ta lejojnë gjykatën e apelit, që në përputhje me kërkesat e ligjit procedural e atij material të mund të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive, lidhur me zgjidhjen e çështjes.

PËR KËTO ARSYE

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 485/c të Kodit të Procedurës Civile.

V E N D O S I

Prishjen e vendimit nr.531 (10-2013-1147), datë 16.07.2013 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues.
Tiranë, më 10.03.2016

Nr. 11243-03020-00-2013 i Regj. Themeltar

Nr. 00-2016 - 717 i Vendimit (72)


Download 7,22 Mb.

Do'stlaringiz bilan baham:
1   ...   15   16   17   18   19   20   21   22   ...   217




Ma'lumotlar bazasi mualliflik huquqi bilan himoyalangan ©hozir.org 2024
ma'muriyatiga murojaat qiling

kiriting | ro'yxatdan o'tish
    Bosh sahifa
юртда тантана
Боғда битган
Бугун юртда
Эшитганлар жилманглар
Эшитмадим деманглар
битган бодомлар
Yangiariq tumani
qitish marakazi
Raqamli texnologiyalar
ilishida muhokamadan
tasdiqqa tavsiya
tavsiya etilgan
iqtisodiyot kafedrasi
steiermarkischen landesregierung
asarlaringizni yuboring
o'zingizning asarlaringizni
Iltimos faqat
faqat o'zingizning
steierm rkischen
landesregierung fachabteilung
rkischen landesregierung
hamshira loyihasi
loyihasi mavsum
faolyatining oqibatlari
asosiy adabiyotlar
fakulteti ahborot
ahborot havfsizligi
havfsizligi kafedrasi
fanidan bo’yicha
fakulteti iqtisodiyot
boshqaruv fakulteti
chiqarishda boshqaruv
ishlab chiqarishda
iqtisodiyot fakultet
multiservis tarmoqlari
fanidan asosiy
Uzbek fanidan
mavzulari potok
asosidagi multiservis
'aliyyil a'ziym
billahil 'aliyyil
illaa billahil
quvvata illaa
falah' deganida
Kompyuter savodxonligi
bo’yicha mustaqil
'alal falah'
Hayya 'alal
'alas soloh
Hayya 'alas
mavsum boyicha


yuklab olish