VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej :
Ardian Nuni Kryesues
Aleksandër Muskaj Anëtar
Mirela Fana Anëtare
në datën 10.03.2016 shqyrtoi në seancë gjyqësore çështjen civile me palë :
PADITËS: TRASHËGIMTARJA E NAZMIJE FERHATI, ELENA PANGANIKA përfaqësuar nga av. Erlir Puto
I PADITUR: AGJENCIA E KTHIMIT DHE KOMPENSIMIT TË PRONAVE TIRANË; (në mungesë).
PRANVERA DUHANXHIU, e përfaqësuar nga av. Arben Hakani
MYZEJEN GJINI, (në mungesë).
BURBUQE SUPARAKU, (në mungesë).
PERSON I TRETË
(Ndërhyrës Kryesor): MINISTRIA E ZHVILLIMIT EKONOMIK,TURZIMIT, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES (ish MINISTRIA E EKONOMISË, TREGTISË DHE ENERGJITIKËS) DREJTORIA E PRIVATIZIMIT TË NDËRMARRJEVE TË VOGLA E TË MESME, (në mungesë).
OBJEKTI DHE I KËRKESËS SË NDËRHYRËSIT KRYESOR:
Kundërshtim i vendimit nr.224/4, datë 17.06.1996
të K.K.K.Pronave pranë Bashkisë Elbasan.
Baza Ligjore: Ligji nr.9235, datë 29.07.2004
“Për kthimin dhe Kompensimin e Pronave”,
Ligji nr.9583, datë 1.07.2006 “Për disa ndryshme dhe shtesa në
Ligjin nr.9235, datë 29.07.2004
“Për kthimin dhe Kompensimin e Pronave”, të ndryshuar
si dhe Vendimi nr.566, datë 23.08.2006
“Për organizimin dhe funksionimin e
Agjencisë së Kthimit të Kompensimit të Pronave”.
Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan me vendimin nr.2266, datë 27.11.2007 ka vendosur:
“Pranimin e kërkesë-padisë;
Ndryshimin e vendimit nr.224/4, datë 17.06.1996 të K.K.K.Pronave ish pronarëve, pranë
Bashkisë Elbasan, në këtë mënyrë;
Anullimin e pikës 1 të këtij vendimi, në të cilën i jepet e drejtë parablerje trashëgimtarëve të të ndjerit Hysen Abdihoxha (të paditurve) për objektin librari...”.
Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr.503, datë 08.12.2009 ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit civil nr.2266, datë 27.11.2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.”
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, ka paraqitur rekurs pala e paditur Pranvera Duhanxhiu duke kërkuar: “Ndryshimin e vendimeve dhe vendosjen e pushimit të gjykimit të çështjes”.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATЁS SЁ LARTЁ
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Aleksandër Muskaj; pasi dëgjoi përfaqësuesin e palës paditëse av. Erlir Puto që kërkoi: “Lënien në fuqi të vendimit nr.503, datë 08.12.2009 të Gjykatës së Apelit Durrës”, përfaqësuesin e palës së paditur av.Arben Hakani që kërkoi: “Ndryshimin e vendimit nr.2266, datë 27.11.2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe vendimit nr.10-2009-1031 (503), datë 08.12.2009 të Gjykatës së Apelit Durrës. Rrëzimin e kërkesë padisë si të pambështetur në ligj dhe në prova”; si shqyrtoi në tërësi çështjen,
V Ё R E N
Se, vendimi nr.503, datë 08.12.2009 i Gjykatës së Apelit Durrës është rrjedhojë e zbatimit të drejtë të ligjit material e procedural civil e si i tillë do të lihet në fuqi.
-
RRETHANAT E FAKTIT
-
Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, nga aktet e dosjes gjyqësore i rezultojnë të pranuara nga gjykatat e faktit rrethanat si vijon:
-
Me vendimin nr.224/4 Prot., datë 17.06.1996, ish-K.K.K.Pronave Elbasan, i ka njohur pronësinë trashëgimtarëve të z.Hysen Abdihoxha, për një sipërfaqe trualli prej 80 m2, nga të cilat 21,6 m2 truall gjenden nën objektin librari, me një sipërfaqe totale prej 57,6 m2, duke i dhënë të drejtën e parablerjes për këtë objekt, kur të privatizohet, dhe kompensim me obligacione për sipërfaqen tjetër prej 58,4 m2, të zënë nga një pallat 5 katësh dhe trotuar.
-
Pala e paditur, Pranvera Duhanxhiu, në cilësinë e një prej trashëgimtarëve të Hysen Abdihoxha, i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, duke ankimuar vendimin e KKKP-së Elbasan me pretendimin, ndërmjet të tjerash, se sipërfaqja e truallit nën objektin librari është më e madhe se 21,6 m2.
-
Në referim të dosjes nr.89, datë 21.05.2005, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin ka vendosur pranimin e kërkesëpadisë, ndryshimin e vendimit nr.224/4 Prot., datë 17.06.1996, të KKKP-së Elbasan, duke u njohur trashëgimtarëve të z. Hysen Abdihoxha të drejtën e parablerjes së librarisë, kur të privatizohet, e cila zë 48 m2 të sipërfaqes prej 80 m2, të njohur nga ky komision, dhe kompensim me obligacione për pjesën tjetër të sipërfaqes të zënë nga një pallat, 5 katesh dhe trotuar. Ky vendim ka marrë formë të prerë në datën 09.02.2005.(vendimi i dosjes nuk ndodhet ne aktet e dosjes gjyqesore).
-
Pala paditëse Nazmije Ferhati, që nga viti 1970 ka punuar dhe vazhdon të punojë si librashitëse në librarin artistike Elbasan. Nazmije Ferhati, parashtron se libraria është pronë shtetërore në administrim të Drejtorisë së Tregtimit të Librit Artistik dhe Shkencor sh.a, dhe se aktualisht ekziston një kontratë qiraje ndërmjet saj dhe kësaj Drejtorie, pasi ende nuk kanë përfunduar procedurat e privatizimit të objektit, të filluara ndërmjet tyre që prej vitit 1996.
-
Konflikti i lindur është për objektin librari ku pala paditëse, si punonjëse kërkon ta privatizojë, ndërsa të paditurit si ish-pronarët e tokës (trashëgimtarë) kërkojnë ta blejnë bazuar në vendimin e K.K.K.Pronave me të drejtën e parablerjes.
-
Në këto rrethana, në datën 27.02.2007, pala paditëse Nazmije Ferhati, i është drejtuar gjykatës me padinë objekt shqyrtimi.
B. PROCEDURAT GJYQËSORE.
-
Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan me vendimin nr.2266, datë 27.11.2007 ka vendosur:
“Pranimin e kërkesë-padisë;
Ndryshimin e vendimit nr.224/4, datë 17.06.1996 të K.K.K.Pronave ish pronarëve, pranë Bashkisë Elbasan, në këtë mënyrë;
Anullimin e pikës 1 të këtij vendimi, në të cilën i jepet e drejtë parablerje trashëgimtarëve të të ndjerit Hysen Abdihoxha (të paditurve) për objektin librari...”.
-
Gjykata e Apelit Durrës me vendimin nr.503, datë 08.12.2009 ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit civil nr.2266, datë 27.11.2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan”.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.00-2012-820, datë 12.04.2012, ka vendosur: “Mospranimin e rekursit të ushtruar nga kërkuesja.”
-
Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr.15, datë 19.04.2013 ka vendosur: “Pranimin pjesërisht të kërkesës. - Shfuqizimin e vendimit nr.00-2012-820, datë 12.04.2012 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë. - Dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.”
-
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, ka bërë rekurs pala e paditur Pranvera Duhanxhiu, duke kërkuar: “Ndryshimin e vendimeve dhe vendosjen e pushimit të gjykimit të çështjes”. Në shkaqet e rekursit veçohen:
-
Në kundërshtim me juridiksionin e kompetencat ligjore çështja është ndjekur në rrugë gjyqësore, pa qenë kompetente gjykata, pasi nuk ka ndjekur rrugën administrative.
-
Sipas nenit 18 të ligjit nr.9235, datë 29.07.2004, ndryshuar me ligjin nr.9583, date 17.07.2006, paditësja, Nazmije Ferhati, nuk legjitimohet për të kërkuar ne rruge gjyqësore kundërshtimin e vendimit nr.224/4 te KKKP të ish Pronareve. Këtë të drejte e ka subjekti i shpronësuar (trashëgimtarët e tij) si dhe avokati i shtetit dhe jo paditësja Nazmije Ferhati e cila nuk është pronare trualli, por ka punuar si shitëse librarie, objekt shteti.
-
Gjykata keqinterpreton nenin 451/a të K. Pr. Civile kur shprehet se vendimi nr.89, datë 25.01.2005 i formës së prerë i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan nuk ka fuqi ligjore për palët që nuk kanë qenë ndërgjyqësa në procesin gjyqësor, siç është për rastin në fjalë, paditësja dhe personi i trete.
-
Gjykata ka gjykuar një çështje civile që është gjykuar njëherë për të njëjtin shkak dhe objekt gjykimi dhe kjo është zgjidhur me vendim të formës së prerë.
-
Ka paraqitur kundër-rekurs pala paditëse Nazmije Ferhati duke kërkuar: “Mospranimin e rekursit”. Në shkaqet e kundër- rekursit veçohen:
-
Rekursi është paraqitur jashtë afatit 30 ditor, nga dita e gjykimit në Gjykatën e Apelit Durrës.
-
Njoftimi është bërë me shpallje dhe nuk mund të konsiderohet kurrësesi si datë njoftimi, data e marrjes së kopjes së vendimit në sekretarinë e Gjykatës.
C. ARSYETIMI LIGJOR I VENDIMIT TË ANKIMUAR.
-
Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan me vendimin nr.2266, datë 27.11.2007 ndër të tjera ka arsyetuar se: “...(omissis)... padia dhe kërkesa e ndërhyrësit kryesor janë të bazuara në prova e në ligj.
Rezulton sipas shkresës nr.16 Prot, të Drejtorisë së Tregtimit të Librit Artistik dhe Shkencor sh.a. se, Libraria Artistike Elbasan është pronë shtetërore në administrim të kësaj drejtorie dhe se për këtë librari është lidhur kontratë qiraje me paditësen, e cila ka punuar pranë kësaj librarie që prej datës 2.12.1970.
…sipas mandat-arkëtimeve të administruara (faqe 19 dosjes) se, paditësja së bashku me bashkëqiramarrësen tjetër kanë paguar bono privatizimi për … privatizimit të objektit librari. Pra paditësja, ka interes të ligjshëm në kuptim të nenit 32/a të K.Pr.Civile.
Nga akt-ekspertimi i eksperteve ing. topo-gjeodet Hysni Bahiti dhe Aleks Zyba, administruar si provë në gjykim rezulton se prona për të cilën ka disponuar K.K.K.P me vendimin nr.224/4, datë 17/06/2006 nuk ndodhet tek lokali librari, por 6-7 m në veri të saj, nuk ka mbivendosje dhe për rrjedhojë kjo pronë nuk zë asnjë m2 në objektin librari (akt-ekspertimi faqe 77-97 e dosjes).
Në analizë sa më sipër përderisa rezulton se prona e ish pronarit Hysen Abdihoxha (për të cilën ka disponuar K.K.K.P me vendimin nr.224/4 Prot, dt.17/06/1996), nuk ndodhet tek lokali librari, por 6-7 m në veri të saj (nuk ka mbivendosje)... (...).”.
D. NË LIDHJE ME REKURSIN E USHTRUAR.
-
Gjatë shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Lartë ka rezultuar se, më datë 08.09.2011 ka ndërruar jetë paditësja Nazmije Ferhati, duke lënë si trashëgimtare ligjore të saj të bijën Elida Panganika. Në këto kushte, në zbatim të nenit 199 të Kodit të Procedurës Civile i cili përcakton se: “Kur njëra nga palët vdes, çështja vazhdon nga ose kundër trashëgimtarëve të saj…”, në proces u realizua kalimi procedural, duke u thirrur në gjykim trashëgimtarja ligjore e të ndjerës Nazmije Ferhati, e bija Elida Panganika.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim e në vlerësim të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimeve, pretendimeve të kërkuesit të paraqitura në rekurs, si dhe pjesës arsyetuese të vendimeve gjyqësore, arrin në përfundimin se, rekursi i paraqitur nga pala e paditur Pranvera Duhanxhiu, nuk përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 472, të Kodit të Procedurës Civile që, bëjnë të cenueshëm vendimin nr.503, datë 08.12.2009 të Gjykatës së Apelit Durrës.
-
Në juridiksionin rishikues të Gjykatës së Lartë përfshihen vetëm rastet rigorozisht të përcaktuara në nenin 472, të Kodit të Procedurës Civile, që lidhen me mosrespektimin ose zbatimin e gabuar të ligjit, si dhe me shkeljet e rënda të normave procedurale.
-
Sipas shkronjës “a” të nenit 472, të Kodit të Procedurës Civile, kërkohet që nga ana e gjykatave të faktit të mos jetë respektuar ose të jetë zbatuar keq ligji. Në rekursin e paraqitur nga ana e palës së paditur nuk argumentohet një gjë e tillë.
-
Në rastin në shqyrtim, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, pa i hyrë analizës së fakteve dhe provave, evidenton se pretendimet e parashtruara si shkaqe për ndryshimin e vendimit nr.503, datë 08.12.2009 të Gjykatës së Apelit Durrës nuk gjejnë mbështetje në ligj.
-
Në analizë të përmbajtjes së vendimit nr.503, datë 08.12.2009, të Gjykatës së Apelit Durrës, si dhe nga shqyrtimi i akteve të dosjes gjyqësore nuk rezulton gjithashtu që, gjykata të ketë lejuar shkelje nga ato të parashikuara në shkronjën “b” të nenit 472 të Kodit të Procedurës Civile. Gjykatat nuk kanë lejuar shkelje të dispozitave mbi juridiksionin dhe kompetencën, që përbërja e trupit gjykues të ketë qenë e parregullt apo vendimi të mos jetë nënshkruar nga anëtarët e tij, që çështja të jetë gjykuar në mungesë të palëve pa respektuar dispozitat e njoftimit për gjykimin në gjykatën e apelit, që të mos jetë formuar drejt ndërgjyqësia, apo të mungojnë ose të jenë të pavlefshme aktet procedurale.
-
Në analizë të pjesës arsyetuese të vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës, si dhe në tërësi gjykimin e çështjes, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, çmon se në përputhje me kërkesat e nenit 126 të Kodit të Procedurës Civile, ky vendim është i drejtë dhe me përfundime të qarta të nxjerra nga provat e administruara në gjykim dhe që përkojnë me analizën e rrethanave të çështjes dhe mënyrën e zgjidhjes së saj.
-
Pala e paditur ka parashtruar në rekurs se, pala paditëse nuk është e legjitimuar në paraqitjen e padisë. Ky Kolegj e konsideron të pabazuar pretendimin e palës paditëse, mbi mungesën e legjitimitetit të palës paditëse në ngritjen e padisë, përsa kohë që pala paditëse pretendon se, interesat e saj janë të cenuara nga vendimi i A.K.K.P-së. Të drejtën për t’iu drejtuar zyrave rajonale e kanë vetëm subjektet e shpronësuara dhe të drejtën e ankimit në A.K.K.P. Tiranë, krahas këtyre subjekteve e ka dhe Avokatura e Shtetit. Në kuptim të kësaj dispozite dhe të qëllimit të ligjit, askush tjetër nuk legjitimohet t’u drejtohet zyrave rajonale apo A.K.K.P-së Tiranë. Ky Kolegj vlerëson se, në rrethanat kur pala paditëse pretendon për të drejta të fituara me një mënyrë tjetër të fitimit të pronësisë, jashtë procesit administrativ që zhvillohet në zbatim të ligjit “Për kthimin e kompensimin e pronës”, apo që ka qenë zhvilluar në zbatim të ligjit nr.7698, datë 15.04.1993, mosmarrëveshjet që mund të krijohen midis subjekteve, të cilët kanë tërhequr të drejta pronësie nga struktura të ndryshme shtetërore, dhe pretendojnë për të njëjtën pronë me tituj pronësie të ndryshëm, është gjykata ajo që zgjidh mosmarrëveshjen.
-
Në nenin 31 parashikohet se: “Padia është e drejta e personit që bën pretendimin për t’u dëgjuar, mbi themelin e këtij pretendimi ...”. Ndërsa në nenin 32, mes të tjerave parashikohet se: “Padia mund të ngrihet ... a) për të kërkuar rivendosjen e një të drejte ose interesi të ligjshëm që është shkelur...... b) për vërtetimin e qenies ose mosqenies së një marrëdhënie juridike ose një të drejte .....”. E drejta e ngritjes së padisë lidhet me vërtetimin e ekzistencës së një interesi të ligjshëm të palës që e ngre atë padi, interes që ka të bëjë me njohjen ose rivendosjen e një të drejte që i mohohet ose shkelet nga një pale tjetër e tretë, gjë të cilën paditësi mund ta realizojë e mbrojë nëpërmjet investimit, “ndërhyrjes” së gjykatës (Vendimi nr.91, datë 19 Mars 2009 i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë). Që të justifikohet ligjërisht, kërkimi për njohjen ose rivendosjen e një të drejte të shkelur ose të mohuar, duhet të bëhet vetëm prej atij që i përket, sipas ligjit, e drejta e mohuar ose e shkelur prej një të treti (legjitimimi aktiv) dhe vetëm kundër atij që me faktin ose me veprën e tij mohon ose shkel të drejtën e kërkuesit (legjitimimin pasiv), duke e justifikuar me këtë fakt ose veprim ndërhyrjen e gjykatës për të ndalur ose për të zhdukur dëmin e rrjedhur nga veprimi i të tretit (legitimatio ad causam) (Vendimi nr.800, datë 06 Qershor 2006 i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë).
-
Nga provat e administruara në dosjen gjyqësore, të cilat i janë nënshtruar hetimit dhe debatit gjyqësor, si dhe në analizë të pjesës arsyetuese të vendimeve gjyqësore konstatohet se, gjatë gjykimit në gjykata e faktit është provuar se, nga akt-ekspertimi i eksperteve ing. topo-gjeodet Hysni Bahiti dhe Aleks Zyba, administruar si provë në gjykim rezulton që, prona për të cilën ka disponuar K.K.K.P me vendimin nr.224/4, datë 17/06/2006 nuk ndodhet tek lokali librari, por 6-7 m në veri të saj, nuk ka mbivendosje dhe për rrjedhojë kjo pronë nuk zë asnjë m2 në objektin librari (akt-ekspertimi faqe 77-97 e dosjes), sa më sipër.
-
Gjykatat e faktit, në harmoni me të gjitha provat e tjera të administruara në proces, si dhe me rëndësinë dhe fuqinë provuese të tyre, me të drejtë ka arritur në përfundimin se, pala paditëse ka paraqitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të vërtetuar se prona e ish pronarit Hysen Abdihoxha (për të cilën ka disponuar K.K.K.P me vendimin nr.224/4 Prot, dt.17.06.1996), nuk ndodhet tek lokali librari, por 6-7 m në veri të saj (nuk ka mbivendosje).
-
Gjithashtu Kolegji Civil vlerëson se, rekursuesi pretendon në rekurs, mos bazueshmërinë në prova të vendimeve të gjykatave, në një kohë që vlerësimi i provave nuk është kompetencë të Gjykatës së Lartë.
-
Sipas nenit 472, të Kodit të Procedurës Civile, ky Kolegj ka në kompetencë të shqyrtojë problemet që kanë të bëjnë me mosrespektimin ose zbatimin e gabuar të ligjit material e procedural, por pa bërë një rivlerësim të provave në të kundërt me atë që kanë bërë gjykatat e hallkave më të ulëta. (Shih vendimin nr.17, datë 30.04.2007 të Gjykatës Kushtetuese). Një kontroll i tillë konsiston në analizën e plotë të fakteve dhe të rrethanave, të cilat janë pranuar më parë si të vërteta nga gjykata e faktit dhe e apelit dhe pa i ndryshuar ato. Gjatë shqyrtimit të çështjeve, Gjykata e Lartë nuk merr prova, por shqyrton dhe analizon çështjen në drejtim të kontrollit të ligjshmërisë dhe të bazueshmërisë së vendimeve të ankimuara.
-
Në lidhje me pretendimin palës së paditur se, gjykata ka gjykuar një çështje civile që është gjykuar njëherë për të njëjtin shkak dhe objekt gjykimi dhe kjo është zgjidhur me vendim të formës së prerë, ky Kolegj e konsideron këtë pretendim të pabazuar.
-
Nga shqyrtimi i çështjes në gjykatat e faktit ka rezultuar se, në vendimin nr.89, datë 21.05.2005 të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, me paditës Pranvera Duhanxhiu me të paditur K.K.P.Pronave me objekt kundërshtim vendimi rezulton që, e ndjera Nazmije Ferhati të mos ketë qenë palë e këtij procesi. Ky vendim nuk mund të jetë i detyrueshëm për paditësen dhe për personat e tjerë që nuk kanë qënë pjesë e këtij procesi, ndaj nuk ndodhemi në kushtet e gjësë së gjykuar.
-
Fuqia e gjësë së gjykuar, nëpërmjet një vendimi gjyqësor të formës së prerë përcakton detyrueshmërinë dhe pakundërshtueshmërinë e përmbajtjes së vendimit të themelit të dhënë nga gjykata, në atë proces, por edhe në gjykime të tjera në të ardhmen. Referuar nenit 451/a të K.Pr.C., elementet e gjësë së gjykuar kanë të bëjnë me të njëjtat palë në gjykim, të njëjtin objekt dhe të njëjtin shkak të padisë. Në mënyrë që të jemi para gjësë së gjykuar këta elementë duhet të jenë bashkërisht të pranishëm, pasi mungesa qoftë dhe e njërit prej tyre do të sillte edhe mungesën e gjësë së gjykuar.
-
Gjëja e gjykuar në procesin civil shfaqet në dy trajta, në atë formale dhe në atë substanciale (materiale). Në kuptimin formal ajo shfaqet si një gjendje juridike e ezaurimit të mjeteve proceduriale të ankimit, si dhe e ekzistencës së prekluzivitetit lidhur me mundësinë për t’u ankuar ndaj vendimit gjyqësor të formës së prerë. Në kuptimin substancial ajo kuptohet si një gjendje juridike jo thjesht pamundësie nga palët ndërgjyqëse të vendimit gjyqësor të formës së prerë për të rihapur shqyrtimin e çështjes, por edhe si një e drejtë e secilës prej tyre për të kundërshtuar mundësinë e rishikimit të zgjidhjes së dhënë për konfliktin në një gjykim të ri.
-
Në interpretim dhe zbatim të ligjit, vendimi gjyqësor i formës së prerë që e ka zgjidhur çështjen në themel, përbën një zgjidhje të natyrës përfundimtare dhe të qëndrueshme të mosmarrëveshjes si në kuptimin konstituiv, ashtu dhe atë prekluziv. Në kuptimin konstituiv ai jep zgjidhjen përfundimtare të mosmarrëveshjes, pozitave të palëve të kundërta në atë gjykim, ndërsa në kuptimin prekluziv ndalohet mundësia e kërkimit në gjykatë të ndryshimeve në zgjidhjen e mosmarrëveshjes së përcaktuar me vendimin gjyqësor të formës së prerë. Pra autoriteti dhe efektet e gjësë së gjykuar janë përfundimi i procesit civil dhe pamundësia e të njëjtave palë ndërgjyqëse për t’i kërkuar gjykatës që të shqyrtojë dhe vendosë përsëri mbi të njëjtin objekt gjykimi (res iudicata est).
-
Në kuptimin objektiv, gjëja e gjykuar qëndron në lidhje me të njëjtin objekt të padisë dhe të njëjtin shkak ligjor (causa pretendi) të saj. Në kuptimin subjektiv gjëja e gjykuar qëndron në lidhje me faktin që ajo që është vënë në bisedim (kërkimet, pretendimet, prapësimet), sipas parimit të kontradiktorialitetit dhe që është vendosur në gjykim me anë të urdhërimeve të vendimit, është e detyrueshme vetëm ndërmjet palëve ndërgjyqëse në gjykim, trashëgimtarët e tyre dhe personat që tërheqin të drejta nga palët. Pra, ndonëse vendimi duhet të njihet dhe respektohet nga të gjithë, efektet e tij të detyrueshmërisë nuk mund të shtrihen tek të tretet që nuk janë palë ndërgjyqëse.
-
Duke pasur parasysh përfundimet e mësipërme të këtij vendimi, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se Gjykata e Apelit Durrës, në përputhje me kërkesat e normave procedurale, ka kryer një hetim gjyqësor të plotë dhe të gjithanshëm në përputhje me ligjin, në çështjen objekt gjykimi (neni 14 i K.Pr.Civile); i ka dhënë përgjigje një sërë pretendimeve të palëve, kanë bërë një analizë tërësore dhe objektive të provave (neni 126 i K.Pr.Civile), dhe si rezultat e ka zgjidhur mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj (neni 16 i K.Pr.Civile).
-
Për sa më sipër, Kolegji Civil arrin në konkluzionin se vendimi nr.503, datë 08.12.2009, i Gjykatës së Apelit Durrës është i drejtë dhe duhet të lihet në fuqi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, bazuar në përcaktimet e nenit 485, shkronja “a” të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.503, datë 08.12.2009 të Gjykatës së Apelit Durrës.
Tiranë, më 10.03.2015
Nr. 11115-00497-00-2013 Rregj. Themeltar
Nr.00-2016 - 725 i Vendimit (81)
Do'stlaringiz bilan baham: |