VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Ardian Nuni Kryesues
Aleksandër Muskaj Anëtar
Mirela Fana Anëtare
në seancën gjyqësore të datës 03.03.2016 mori në shqyrtim çështjen civile nr.00360/16 Akti, që u përket:
PADITËS: GAZMENT VELIU, përfaqësuar nga avokat Luan Mansaku.
TË PADITUR: Agjensia e Kthimit dhe e KompeNsimit tË Pronave TiranË (në mungesë).
ZANA PUSTINA (SHARRA), SELAUDIN SHARRA, ANITA RUSTEMI, ADUART RUSTEMI (në mungesë).
ARTEMONA RUSHTEMI, përfaqësuar nga avokat Petraq Semani.
OBJEKTI:
Ndryshimin e vendimit nr.199, datë 26.06.2009
të ish-Z.R.K.K.P. Qarku Tiranë, sot A.K.K.Pronave.
Detyrimin e të paditurve A.K.K.Pronave, Igli Pushtina, Zana Sharra (Rustemi),
Selaudin Sharra, Anita Rustemi, Artemana Rustemi, Eduart Rustemi
të njohin bashkëpronarë në 4/5 pjesë të pronës trashëgimtarët ligjorë të Adem Velit:
në sipërfaqen e tokës prej 80000 m2, ndodhur në fshatin Karpen,
Komuna Golem të Rrethit Kavajë, Zona Kadastrale nr.2099 me këto kufizime:
Veriu-me Hysen Krasniqin; Jugu-me arën e Ali Spahiut; Lindje-rrugë; Perëndimi- rrugë.
Detyrimin e të paditurëve A.K.K.K. Pronave, Igli Pustina, Zana Sharra (Rustemi),
Selaudin Sharra, Anita Rustemi, Artemona Rustemi, Eduart Rustemi
të njohin bashkëpronarë në 4/5 pjesë të pronës trashgimtarët ligjorë të Adem Veliut
në sipërfaqen e tokës prej 66912 m2 të kthyer të lirë sipas Vendimit nr.199, datë 26.06.2009 të ish ZRKKP Qarku Tiranë, sot AKKK Pronave, me këto kufizime:
Veriu- Pasuria nr.18/70; 33/39; Jugu-Pasuria nr.13/17; 14,15,16; Lindja-rrugë,
Pasuria nr.33/9; 2/53; Perëndimi-Pasurija nr.13/7.
Detyrimin e të paditurve AKKKPronave, Igli Pustina, Zana Sharra (Rustemi),
Selaudin Sharra, Anita Rustemi, Artemona Rustemi, Eduart Rustemi të njohin bashkëpronarë në 4/5 pjesë të pronës trashëgimtarët ligjorë të Adem Veliut
në sipërfaqen e tokës së kompensuar me Vendimit nr.199, datë 26.06.2009
të ish ZRKKP Qarku Tiranë, sot AKKK Pronave:
SK=13088 m2 që përbëhet nga: (Sk1=835m2, SK2= 7742 m2, SK£ = 4511 m2)
të ndodhur brenda kufijve të përgjithshëm të pronës:
Veriu-Hysen Krasniqi, Pasuria 18/70; 33;/3-9, Jugu-Pasuria nr.13/17; 14,15,16.
Lindja- rrugë, Pasuria nr.33/9; 2/53, Perëndimi-Pasuria nr.13/7.
Detyrimin e personit të tretë ZVRRPP Kavajë për regjistrimin e pronës në fjalë,
sipas këtij objekti në favorin e trashëgimtarëve ligjorë
të subjektit të shpronësuar Adem Veliu.
Sigurimin e padisë, pezullimin e regjistrimit të Vendimit nr.199, datë 26.06.2009
të ish Z.R.K.K.P. Qarku Tiranë, sot A.K.K.K. Pronave
vetëm për trashëgimtarët ligjorë të Halil Beshirit, me qëllim mos tjetërsimin e pronës
dhe ndërprerjen e çdo marrëdhënie tjetër juridike në lidhje me këtë pronë,
deri sa vendimi i gjykatës të marrë formë të prerë.
Baza Ligjore: Nenet 32/a, 36/3, 451/a të K.Pr.Civile.
Neni 41 i Kushtetutës.
Nenet 199, 202, 207 e vijues, 296, 298, 349 e vijues të K.Civil.
Neni 6 i Konventës Evropiane të Drejtave të Njeriut.
Ligji nr.9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”
i ndryshuar me ligjin nr.33/2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë, me vendimin e datës 15.12.2015, ka vendosur:
“Të rrëzojë kërkesën e palës së paditur av. Petraq Semani si të pabazuar në prova dhe në ligj.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim i veçantë sipas ligjit”.
Kundër vendimit të datës 15.12.2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë ka ushtruar ankim të veçantë e paditura Artemona Rustemi, me të cilin kërkon prishjen e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë “...e pushimin e gjykimit, pasi çështja civile e filluar konstatohet se ndodhet jashtë juridiksionit gjyqësor dhe atij administrative”, për këto shkaqe:
-
Vendim i gjykatës është marrë në zbatim të gabuar të ligjit material e atij procedural, për këto arsye:
-
Nga pala e paditur, bazuar në nenin 304 të Kodit të Procedurës Civile, është kërkuar riçelja e shqyrtimit gjyqësor në lidhje me kërkesat e parashikuara nga neni 59/1/2 e vijues të po këtij Kodi. Kjo kërkesë nuk ka qenë e mundur të bëhej më parë, pasi pala kërkuese nuk ka qenë e pranishme në seancën përgatitor. Jemi futur në gjykim me kërkesën tonë si person i tretë.
-
Neni 59 i Kodit të Procedurës Civile e lejon gjykatën që në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit, qoftë edhe kryesisht e merr në shqyrtim kërkesën lidhur me juridiksionin gjyqësor apo administrativ.
-
Gjithashtu, kjo e drejtë bazohet dhe në vendimet njësuese nr.2/2009 dhe nr.2/2011 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë ku përcaktohet në mënyrë taksative që subjektet e shpronësuar në rastin kur paraqesin kërkesë për herë të parë për njohje dhe kthim të pronës kanë detyrimin që t’i drejtohen më parë organit shtetëror përkatës, pra A.K.K.Pronave. Për rastin konstatohet se pala paditëse nuk i është drejtuar më parë Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave sikurse parashikon ligji dhe praktika njësuese e Gjykatës së Lartë, vendimet njësuese të sipërpërmendur. Pra, pala paditëse nuk ka shteruar rrugën administrativ, përpara se t’i drejtohej gjykatës.
-
Në rastin konkret pala paditëse nuk kundërshton tërësisht vendimin e komisionit, por ajo kërkon ndryshimin e tij, që është një ndryshim thelbësor e substancial që e përjashton nga detyrimi për t’ju drejtuar rrugës gjyqësore si një mosmarrëveshje civile. Kjo çështje i përket juridiksionit administrativ dhe jo atij gjyqësor.
-
Me vendimin e Z.R.K.K.P. Qarku Tiranë, që kundërshtohet nga pala paditëse, është disponuar në favor të pesë trashëgimtarëve të Halil Beshirit, sipas akteve të pronësisë të regjistrit hipotekor viteve 1935-1938. Ky vendim është shndërruar në titull ekzekutiv dhe ka marrë formë të prerë.
-
Kundër vendimit nr.199/2009 ka ushtruar ankim Avokatura e Shtetit pranë A.K.K.P-së Tiranë, e cila me vendimin nr.174, datë 03.04.2012 ka deklaruar mungesën e juridiksionit administrativ dhe kompetencës për shqyrtimin e kërkesës ankimore të paraqitur nga Avokatura e Shtetit. Edhe kërkesa e Avokaturës së Shtetit për rivendosje në afat të ankimit është rrëzuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.11191, datë 08.11.2013; vendim i cili është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.778, datë 27.11.2014.
-
Pala paditëse investon gjykatën sikurse mund të ndodhemi para kushteve të parashikuara nga neni 388 e vijues të Kodit të Procedurës Civile. Nga ana tjetër, prej kësaj pale nuk është paraqitur asnjë lloj prove lidhur me mënyrat e fitimit të pronësisë apo bashkëpronësisë sipas ligjit lidhur me këtë objekt padie.
-
Sikurse parashtruam më sipër, pala paditëse nuk legjitimohet në kërkimet e veta, të cilat janë të pabazuara në ligj e në prova “...edhe për arsyen e thjeshtë se të gjitha vendimet, sikurse është edhe vendimi me nr.199 datë 26.06.2009,...i kthyer tashmë në titull ekzekutiv, duhet të ankimohet vetëm në Gjykatën Kompetente, siç është ajo e Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, duke i’u referuar ndryshimeve sipas Ligjit nr.49/2012...”.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Ardian Nuni; përfaqësuesin e të paditurës Artemona Rustemi, avokatin Petraq Semani, që kërkoi prishjen e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë dhe pushimin e gjykimit të çështjes; përfaqësuesin e paditësit Gazmend Veliu, avokatin Luan Mansaku, që kërkoi lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, dhe si bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
RRETHANAT E ÇËSHTJES
1. Nga materialet e dosjes gjyqësore rezulton se paditësi Gazment Veliu, me pretendimin se është një nga trashëgimtarët ligjorë të trashëgimlënësit Adem Veliu dhe se nga vendimi nr.199, datë 26.06.2009 të Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Qarkut Tiranë i janë cenuar të drejtat që rrjedhin nga ky fakt, me padinë e paraqitur para Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka kërkuar si në objektin e saj, pasqyruar në kërkesë padi dhe në pjesën hyrëse të vendimit të gjykatës së shkallës së parë.
2. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kryesisht ka marrë në shqyrtim çështjen e kompetencës tokësore dhe, me vendimin nr.7161, datë 20.06.2014, ka shpallur moskompetencën tokësore të kësaj gjykate “...për gjykimin e çështjes civile nr.11956 Akti...” dhe ka dërguar aktet “...për vazhdimin e gjykimit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë”.
3. Çështja është regjistruar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë me nr.Regj. Them. 21291-00416-12-2014 (3121), datë 21.07.2014 dhe shqyrtimi i saj në themel ka vijuar nga kjo gjykatë.
4. Gjatë gjykimit është bërë ndërhyrje si person i tretë nga Artemona Rustemi. Kërkesa e saj është pranuar me vendimin e gjykatës datë 24.04.2015 dhe gjatë procesit gjyqësor, për shkak se ndërhyrësja Artemona Rustemi ka interesa të përbashkëta me të paditurit e tjerë të këtij gjykimi, ajo është pozicionuar si palë e paditur.
4.1. Nga përmbajtja e proces verbalit gjyqësor nuk rezulton që kjo palë të ketë patur kërkesa paraprake lidhur me zhvillimin e procesit gjyqësor.
5. Nga proces verbali gjyqësor rezulton se në seancën gjyqësore të datës 03.12.2005 i është dhënë fund shqyrtimit gjyqësor dhe me vendimin e ndërmjetëm të po kësaj date “Gjykata bazuar në nenin 302 të K.Pr.Civile Vendos të mbyllë hetimin gjyqësor, administron provat shkresore të sipërcituara nga palët në proces” dhe “Në bazë të nenit 303 të K.Pr.Civile fton përfaqësuesin e kërkuesit për pretendimet e fundit”.
5.1. Për shkak se nga përfaqësuesit ligjorë të palëve të gjykimit është kërkuar “…kohë për të paraqitur konkluzionet përfundimtare me shkrim” gjykata ka vendosur “…të pranojë kërkesën e palëve ndërgjyqëse dhe ti japë mundësi palëve të paraqesin konkluzionet përfundimtare me shkrim sipas ligjit” dhe ka caktuar seancën gjyqësore për më datën 09.12.2015, ora 15.20.
5.2. Në seancën pasardhëse, atë të datës 09.12.2015, pasi është bërë verifikimi i prezencës së palëve, nga pala e paditur Artemona Rustemi dhe avokati i saj Petraq Semani është paraqitur kërkesë nëpërmjet së cilës kërkohet riçelja e hetimit gjyqësor.
5.2.a) Në argument të këtij pretendimi, bazuar në nenin 304 të Kodit të Procedurës Civile, pala e paditur ka parashtruar se kërkohet riçelja “…e shqyrtimit gjyqësor lidhur…”: (i) “…me arsyetimet e parashikuara në nenin 35/1/2 germa “a” e vijues të K.Pr.Civile për shqyrtimin e kësaj çështje me 3 gjyqtarë” dhe (ii) “…me arsyetimet e parashikuara në nenin 59/1/2 e vijues të K.Pr.Civile…Kjo e drejtë parashikohet nga kjo dispozitë e cila e lejon gjykatën që në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit qoftë kryesisht e merr në shqyrtim kërkesën lidhur me këtë konflikt në lidhje me juridiksionin gjyqësor apo administrative”, pasi nga ana e palës paditëse nuk është shteruar rruga e “ankimit administrativ ndaj aktit të kontestuar…”.
5.2.b) Gjykata ka vendosur “…të ndërprerës gjykimin të konsultohet me aktet dhe të shpallë vendimin për këtë pretendim më dt. 15.12.2015, ora 14.15”.
5.2.c) Nga proces verbali i seancës gjyqësore të 15.12.2015 lidhur me kërkesën e “...palës së paditur për riçeljen e hetimit gjyqësor, për kompetencën dhe juridiksionin e kësaj gjykate, si dhe përbërjen e trupit gjykues. Gjykata pasi u konsultua me aktet dhe kërkesën e palëve vendosi të rrëzojë kërkesën e palës së paditur...si të pabazuar në prova dhe në ligj, pasi janë kërkesa, të cilat bëhet në fazën fillestare të fillimit të procesit gjyqësor ku av. ka qenë prezent në gjykim dhe në asnjë rast se ka ngritur këtë fakt...” dhe më pas, pasi kanë shprehur mendimin e vet palët ndërgjyqëse, gjykata ka vendosur pezullimin e gjykimit deri në shqyrtim të ankimit nga Gjykata e Lartë.
6. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë, me vendimin e datës 15.12.2015, ka rrëzuar “...kërkesën e palës së paditur av. Petraq Semani si të pabazuar në prova dhe në ligj. Kundër këtij vendimi lejohet ankim i veçantë sipas ligjit”.
6.1. Në rrëzimin e kërkesë së palës së paditur, gjykata arsyeton: - “Më datën 09.12.2015 pala paditëse Artemona Rustemi nëpërmjet përfaqësuesit të sajë ligjorë Av.Petraq Semani kërkoi riçeljen e hetimit gjyqësor me pretendimin se: 1-Çështja objekt gjykimi nuk është në juridiksion dhe kompetencë të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë. 2-Vlera e padisë është e madhe dhe duhet të gjykohet me trup gjykues me tre gjyqtar dhe jo me një gjyqtarë”; - “A)- Kërkesa për riçeljen e hetimit gjyqësor Neni 304 i K.Pr.Civile parashikon shprehimisht se: “Pasi i është dhënë fund hetimit gjyqësor, nuk mund të merren prova të tjera. Kur palët e shohin të nevojshme paraqitjen e tyre, kërkojnë çeljen e hetimit gjyqësor. Për këtë kërkesë vendos gjykata sipas vlerësimit të rrethanave të çështjes”; - nga ana e kërkueses “…përveç kërkesës për riçeljen e hetimit gjyqësor nuk i paraqiti kësaj gjykate as edhe një provë të vetme ku palët ta shohin të nevojshme paraqitjen e sajë sipas nenit 304 I K.Pr.Civile”; - “B)-Përpara shqyrtimit të ligjshmërisë dhe bazueshmërisë në prova të kërkesë padisë, gjykata konstatoi se në bazë të nenit 36 të K.Pr.Civile në të cilin parashikohet shprehimisht se: “Në juridiksionin e gjykatave hyjnë të gjitha mosmarrëveshjet civile dhe mosmarrëveshje të tjera të parashikuara në këtë kod e në ligje të veçanta”, duke qenë se ndodhemi përpara një padie që lidhet me konflikt për pronësinë, çmoi kryesisht se çështja është në juridiksionin gjyqësor. - Si pasojë e ligjit për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative, si dhe Vendimit Unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.04, datë 10.12.2013, në lidhje me kompetencën territoriale në çështjet me objekt kundërshtim të vendimit të K.K.K.Pronave, apo të A.K.K.Pronave, në përmbajtjen e tij shprehimisht ka cituar: “Në këto gjykime Kolegji Civil, në përcaktimin e kompetencës tokësore për shqyrtimin e këtyre çështjeve në varësi të natyrës së këtij gjykimi, objektit dhe shkakut ligjor të padisë, ka vendosur se duhet të zbatohen parashikimet e nenit 45 të Kodit të Procedurës Civile lidhur me kompetencën tokësore...”; - “Lidhur po me kompetencën tokësore, në nenin 46 të K.Pr.Civile përcaktohet se: “Paditë që rrjedhin nga trashëgimi, paditë për pavlefshmërinë e testamentit dhe ato për pjesëtimin e trashëgimit ngrihen në gjykatën e vendit ku trashëgimlënësi ka pasur banimin e tij të fundit dhe, kur ky nuk dihet, në gjykatën e vendit ku ndodhet e gjithë pasuria ose pjesa më e madhe e saj”. Sa më sipër duke e konsideruar këtë padi në vështrim të nenit 45, 46 të K.Pr.Civile, kur pasuria objekt gjykimi ndodhet në rrethin Kavajë, veprimi që kërkohet të kryhet ndodhet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë, kjo gjykatë është kompetente nga pikëpamja tokësore për të gjykuar këtë çështje dhe kërkesa e palës së paditur Artemona Rustemi duhet të rrëzohet si e pa bazuar në prova dhe në ligj”; - C) lidhur me pretendimin “...se vlera e padisë është e madhe dhe se kjo çështje duhet të gjykohet me trup gjykues me tre gjyqtar dhe jo me një gjyqtarë, në vështrim të Nenit 35/a, b, të K.Pr.Civile duhet të rrëzohet për faktin se kjo kërkesë duhet të bëhej në seancë përgatitore, sipas nenit 158/a, të këtij Kodi” dhe më tej gjykata citon këtë dispozitë.
7. Kundër vendimit të datës 15.12.2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë ka ushtruar ankim të veçantë e paditura Artemona Rustemi, me të cilin kërkon prishjen e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë “...e pushimin e gjykimit, pasi çështja civile e filluar konstatohet se ndodhet jashtë juridiksionit gjyqësor dhe atij administrative”, për shkaqet e pasqyruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
8. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile në të cilat është parashikuar:
8.1. Neni 125 i K.Pr.Civile: “Vendimet e ndërmjetme jepen nga gjykata në seancë gjyqësore me qëllim që t’i përgjigjet kërkesave dhe të sigurohet zhvillimi i gjykimit në pajtim me dispozitat e këtij Kodi”.
8.2. Neni 171/a§1 dhe §3 i K.Pr.Civile: “Gjykata ushtron të gjitha të drejtat e përcaktuara në këtë Kod, që janë të nevojshme për zhvillimin sa më të mirë të procesit gjyqësor.
Gjykata drejton procesin gjyqësor nëpërmjet vendimeve dhe urdhrave...”.
8.3. Neni 304 i K.Pr.civile:“Pasi i është dhënë fund hetimit gjyqësor, nuk mund të merren prova të reja. Kur palët e shohin të nevojshme paraqitej e tyre, kërkojnë çeljen e hetimit gjyqësor. Për këtë kërkesë vendos gjykata, sipas vlerësimit të rrethanave të çështjes”.
8.4. Neni 450/c i K.Pr.Civile:“Gjykata që ka dhënë vendimin nuk e pranon ankimin kur” a)...c)është bërë kundër një vendimi ndaj të cilit nuk lejohet ankim”.
8.5. Neni 470 i K.Pr.Civile: “Vendimet e ndërmjetme që jepen nga gjykata e shkallës së parë mund të ndryshohen apo të tërhiqen gjatë gjykimit. Këto vendime mund të goditen me ankim së bashku me vendimin përfundimtar.
Megjithatë, në rastet e parashikuara shprehimisht në këtë Kod, kundër vendimeve të ndërmjetme mund të bëhet ankimi i veçantë në gjykatën e apelit, brenda 5 ditëve nga shpallja apo njoftimi i tyre”.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON
9. Se në rastin në shqyrtim ndodhemi përpara një vendimi ndaj të cilit nuk mund të ushtrohet ankim i veçantë.
9.1. Ky kolegj vlerëson se nuk mund të marrë në shqyrtim ankimin e palës së paditur Artemona Rustemi në lidhje me ligjshmërinë ose jo të vendimit të ndërmjetëm të datës 15.12.2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, me të cilin është rrëzuar kërkesa e kësaj pale për riçeljen e hetimit gjyqësor, për shkak se kundër këtij vendimi nuk lejohet ushtrimi i ankimit në Gjykatën e Lartë.
10. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë e gjen me vend të parashtrojë se në ligjin procedural civil janë parashikuar mjetet e ankimit ndaj vendimeve gjyqësore, rastet kur këto mjete ushtrohen si dhe vendimet ndaj të cilëve mund të ushtrohen.
10.1. Gjithashtu, në dispozitat e Kodit të Procedurës Civile, janë përcaktuar shprehimisht edhe rastet kur mund të ankimohen në Gjykatën e Lartë vendimet e dhëna nga gjykata e shkallës së parë (nenet 59-64, 442, 442/b, 470, 472).
11. Ushtrimi i ankimit të veçantë kundër vendimeve për çështje që kanë të bëjnë me “riçeljen e hetimit gjyqësor” ose jo, si të gjithë mjetet e tjera të ankimit, i nënshtrohet parimit të inisiativës së palës për të inicuar gjykatën kompetente për gjykimin e kontrollit të vendimit gjyqësor, që ajo e quan të gabuar ose që cenon interesat e saj. Por kjo e drejtë, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile, i nënshtrohet rregullimeve të bëra në këtë Kod dhe ushtrimi i kësaj të drejte jashtë këtyre rregullimeve çon në pamundësinë e shqyrtimit të çështjes nga Gjykata e Lartë.
12. Sipas nenit 304 të Kodit të Procedurës Civile, pasi i është dhënë fund hetimit gjyqësor, “nuk mund të merren prova të reja”, por kur palët e shohin të nevojshme se duhet të paraqiten prova, që deri në atë moment nuk janë marrë, mund të “kërkojnë çeljen e hetimit gjyqësor” për t’iu nënshtruar hetimit gjyqësor dhe këto prova të reja. Gjykata ka detyrimin ligjor të marrë në shqyrtim kërkesën. Në qoftë se në fund të shqyrtimit të saj gjykata rrëzon kërkesën për “riçeljen e hetimit gjyqësor”, ajo merr një vendim të ndërmjetëm, kundërshtimi i të cilit bëhet pjesë e kundërshtimit të vendimit të themelit të marrë nga kjo gjykatë.
12.1. Pra, vendimi i gjykatës që rrëzon apo pranon kërkesën për “riçeljen e hetimit gjyqësor”, pavarësisht nga shkaqet që paraqiten nga pala kërkuese, është një vendim i ndërmjetëm ndaj të cilit në Kodin e Procedurës Civile nuk është parashikuar ankim i veçantë, por ky vendim mund të goditet me ankim së bashku me vendimin përfundimtar (neni 470§1 i K.Pr.Civile) dhe jo sikurse ka vepruar pala e paditur Artemona Rustemi.
13. Nga përmbajtja e dispozitave procedurale civile mbi kundërshtimin e vendimeve të ndërmjetme të gjykatës del se ankimi i veçantë mund të ushtrohet nga palët vetëm kur ky ankim është parashikuar shprehimisht në ligj.
13.1. Sipas nenit 470 të Kodit të Procedurës Civile vendimet e ndërmjetme “...mund të goditen me ankim së bashku me vendimin përfundimtar”, por për rastet e parashikuara shprehimisht në Kodin e Procedurës Civile “..., kundër vendimeve të ndërmjetme mund të bëhet ankim i veçantë në gjykatën e apelit, brenda 5 ditëve nga shpallja apo njoftimi i tyre”.
14. Referuar përmbajtjes së nenit 470 të Kodit të Procedurës Civile dhe të nenit 304 të po këtij Kodi në të cilin nuk është parashikuar shprehimisht se ndaj vendimit të gjykatës që ka pranuar apo jo kërkesën për “riçeljen e hetimit gjyqësor” ushtrohet ankim i veçantë, ky kolegj vlerëson se ankimi i veçantë i ushtruar nga e paditura Artemona Rustemi, pavarësisht nga shkaqet që ka paraqitur për riçeljen e hetimit gjyqësor (çështje që kanë të bëjnë me juridiksionin dhe me përbërjen/formimin e trupit gjykues), është tej rasteve të parashikuara në ligj.
15. Rastet kur Gjykata e Lartë vihet në lëvizje mbi ankim të veçantë janë parashikuar në mënyrë taksative në Kodin e Procedurës Civile (nenet 59-64, 442, 442/b, 470, 472) dhe tej këtyre përcaktimeve Gjykata e Lartë nuk mund të marrë në shqyrtim asnjë ankim të veçantë.
16. Duke iu rikthyer rastit konkret evidentohet se, në thelb, kërkesa për riçeljen e hetimit gjyqësor përmban si shkaqe çështje që kanë të bëjnë me: (i) juridiksionin dhe (ii) formimin e trupit gjykues. Nga ana e gjykatës me të drejtë janë lejuar palët të parashtrojnë qëndrimet e tyre dhe më pas, gjykata, pasi ka analizuar e vlerësuar se shkaqet e pretenduara nga pala kërkuese nuk janë nga ato të parashikuara në nenin 304 të Kodit të Procedurës Civile, ka rrëzuar kërkesën. Nëse ky vendim gjen ose jo mbështetje në ligj dhe në faktet e parashtruar nga pala kërkuese, është kjo palë që ka të drejtë ta godasë atë me vendimin përfundimtar para gjykatës së apelit dhe jo sikurse ka vepruar, duke i’u drejtuar Gjykatës së Lartë.
17. Ky kolegj e gjen me vend të sjellë në vëmendje të gjykatës së shkallës së parë se kjo gjykatë ka gabuar kur në dispozitiv të vendimit shprehet se “Kundër këtij vendimi lejohet ankim i veçantë sipas ligjit” dhe po kështu, kjo gjykatë ka gabuar kur më tej ka pezulluar edhe gjykimin e çështjes.[1]
17.1. Gjithashtu, gjykata e shkallës së parë, ndonëse ka qenë në kushtet e shkronjës “c” të nenit 450 të Kodit të Procedurës Civile, ka gabuar kur nuk ka vepruar konform kësaj dispozite ligjore dhe ka përcjellë ankimin dhe çështjen për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.
18. Gjykata konfondon vendimin për rrëzimin e kërkesës për “riçelje të hetimit gjyqësor” me kërkesën për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor.
18.1. Për aq sa nuk është vendosur “riçelja e hetimit gjyqësor”, gjykata nuk mund të merrte në shqyrtim dhe të shprehej në atë moment lidhur me juridiksionin.
18.2. Me dhënien fund të hetimit gjyqësor e vetmja mundësi që kanë palët për të kërkuar nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit janë pretendimet përfundimtare. Në këtë rast gjykata shprehet me vendimin përfundimtar edhe lidhur me këtë çështje, çka në çdo rast gjykata mund ta bëjë edhe kryesisht. Kundër këtij vendimi ankimi bëhet në gjykatën e apelit.
19. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, nisur nga rregullimet ligjore të mësipërme dhe në shqyrtim të akteve të dosjes gjyqësore, vlerëson se nuk mund të shqyrtojë ligjshmërinë ose jo të vendimit të ndërmjetëm të datës 15.12.2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për aq sa ligji procedural civil nuk lejon ushtrimin e ankimit kundër vendimit të gjykatës që ka rrëzuar kërkesën për “riçeljen e hetimit gjyqësor”.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 485 të Kodit të Procedurës Civile.
V E N D O S I
Pushimin e gjykimit të çështjes nr.11243-00360-00-2016 në Gjykatën e Lartë.
Tiranë, më 03.03.2016
Nr. 11243-01575-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016 - 620 i Vendimit (59)
Do'stlaringiz bilan baham: |