VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Evelina Qirjako Kryesuese
Arjana Fullani Anëtare
Medi Bici Anëtar
Në datën 03.03.2016 mori në shqyrtim në Dhomën e Këshillimit çështjen administrative me nr.11243-00790-00-2014 akti që iu përket palëve:
PADITËS: TV KABLLOR “APOLLON” FIER
I PADITUR: KËSHILLI KOMBËTAR I RADIOS DHE TELEVIZIONIT SHQIPTAR
OBJEKTI:
Anullimi tërësisht i masës së gjobës në masën 1.000.000 lekë
ndryshuar në 700.000 lekë të vendosur nga grupi i inspektimit të KKRT-së i
miratuar me vendimin me nr.63, datë 11.02.2011
të Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit.
Baza Ligjore: Nenet 320, 324 e vijues të Kodit Procedurës Civile
dhe ligji nr.8655, datë 31.07.2000.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendimin nr.625 (62-2011-1089), datë 14.04.2011 ka vendosur:
Pushimin e gjykimit të çështjes civile nr.712 (31011-00472- 62-2011) akti me datë regjistrimi 01.03.2011, me paditës TV kabllor “Apollon”, i paditur Këshilli Kombëtar i Radio Televizionit Shqiptar dhe objekt: Anullimi tërësisht i masës së gjobës në masën 1.000.000 lekë, ndryshuar në 700.000 lekë të vendosur nga grupi i inspektimit të KKRT-së i miratuar me vendimin me nr.63, datë 11.02.2011 të Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit.
Gjykata e Apelit Vlorë me vendimin nr.248, datë 12.12.2013 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.625 (62-2011-1089), datë 14.04.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.
Ndaj vendimit të sipërcituar rezulton të ketë paraqitur rekurs pala paditëse TV Kabllor “Apollon”, i cili kërkon:
Ndryshimin e vendimit nr.248, datë 12.12.2013 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën Administrative të Apelit.
Shkaqet që pala paditëse TV Kabllor “Apollon” paraqet në rekurs, janë:
-
Përsa i përket faktit civil dhe themelit të saj kjo çështje është pushuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Fier pa u plotësuar kriteret dhe rastet se kur pushohet një çështje. Me vendimin e saj gjykata e shkallës së parë ka arsyetuar se unë pala paditëse ndonëse kam pasur dijeni për datën dhe orën e zhvillimit të seancës gjyqësore nuk i kam parashtruar gjykatës asnjë shkak të arsyeshëm për të justifikuar mungesën time në gjykim. Ky fakt sipas saj u konstatua nga konfirmimet që gjykata bëri pranë kryesekretarisë dhe sekretarisë së gjykatës. Ndërkohë unë pala paditëse nuk kam pasur dijeni për zhvillimin e kësaj seance gjyqësore për arsye se gjatë kësaj kohe kam qenë në pritje të një njoftimi me fletëthirrje për zhvillimin e seancës së ardhshme.
-
Si rrjedhim, duke nisur nga data 04.11.2013, gjykatat e rretheve gjyqësore, gjykatat e apeleve dhe Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, nuk kanë më kompetencë lëndore në shqyrtimin e këtyre çështjeve, për këto arsye: Me hyrjen në fuqi të ligjit nr.49/2012, gjykatat civile nuk mund të zgjidhin mosmarrëveshje administrative, për shkak se kompetenca lëndore për shqyrtimin mosmarrëveshjeve administrative i ka kaluar gjykatave të krijuara për zgjidhjen e tyre me ligjin e posaçëm nr.49/2012.
-
Me fillimin e zbatimit të ligjit të posaçëm, pra me datë 04.11.2013, të gjitha dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Civile, ku mbështetej vendimmarrja e gjykatave në zgjidhjen e çështjeve administrative u shfuqizuan. Për këtë arsye, gjykatat civile nuk kanë bazë ligjore për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative.
-
Sa më sipër, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë arritur në interpretimin unifikues se: Gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat, padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.2013, respektivisht në gjykatat e shkallës së parë, të apelit apo në Gjykatën e Lartë dhe deri në këtë datë, shqyrtimi në këto gjykata nuk ka përfunduar akoma.
-
I tillë është edhe rasti konkret objekt ankimi, pasi mosmarrëveshja buron nga një akt normativ i nxjerrë nga organi publik, pra Këshilli Kombëtar i Radio Televizionit gjatë veprimtarisë së tij administrative.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Medi Bici dhe bisedoi çështjen në tërësi, në Dhomën e Këshillimit, në përfundim;
V Ë R E N
1. Në Gjykatën e Lartë me datë 06.03.2014 është regjistruar çështja administrative nr.11243-00790-00-2014 regj. them, që u përket palëve: paditës TV Kabllor “Apollon” Fier dhe i paditur Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit Shqiptar, me objekt: Anullimi tërësisht i masës së gjobës në masën 1.000.000 lekë, ndryshuar në 700.000 lekë të vendosur nga grupi i inspektimit të KKRT-së, i miratuar me vendimin nr.63, datë 11.02.2011 të Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit.
2. Vendimi nr.248, datë 12.12.2013 i Gjykatës së Apelit Vlorë është rrjedhojë i shkeljeve të rënda të rregullave proceduriale që kanë të bëjnë me kompetencën lëndore, prandaj si i tillë ai duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për tu shqyrtuar nga Gjykata Administrative e Apelit, e cila është gjykata që ka kompetencën lëndore.
I. Rrethanat e çështjes:
3. Pala paditëse TV kabllor “Apollon” Fier i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier me kërkesëpadinë me objektin e sipërcituar. Përfaqësuesi i palës paditëse nuk është paraqitur në seancën gjyqësore të datës 14.04.2011 ora 13.00, ndërsa përfaqësuesja e palës së paditur ka qenë prezent në këtë seancë gjyqësore.
4. Rezulton se, përfaqësuesi i palës paditëse ka patur dijeni për datën dhe orën e zhvillimit të seancës gjyqësore nga seanca përgatitore e datës 31.03.2011 ku ka qenë prezent. Gjithashtu pala paditëse nuk i ka parashtruar gjykatës asnjë shkak të arsyeshëm për të justifikuar mungesën e saj në gjykim.
II. Vendimet e gjykatave dhe arsyetimi i tyre:
5. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendimin nr.625 (62-2011-1089), datë 14.04.2011 ka vendosur:
Pushimin e gjykimit të çështjes civile me nr.712 (31011-00472-62-2011) akti me datë regjistrimi 01.03.2011, me paditës TV kabllor “Apollon”, i paditur Këshilli Kombëtar i Radio Televizionit Shqiptar dhe objekt: Anullimi tërësisht i masës së gjobës në masën 1.000.000 lekë, ndryshuar në 700.000 lekë të vendosur nga grupi i inspektimit të KKRT-së, i miratuar me vendimin me nr.63, datë 11.02.2011 të Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit.
6. Gjykata e rrethit gjyqësor ndër të tjera arsyeton se:
......Gjykata vlerëson si shkaqe të arsyeshme që përligjin mungesën e palëve ndërgjyqëse në gjykim, vetëm ato rrethana me karakter objektiv, që në kuptim të nenit 175/2 i Kodit të Procedurës Civile i vendosin palët në pamundësi për tu paraqitur në gjykatë, në kohën e përcaktuar. Në nenin 299/c të Kodit Procedurës Civile parashikohet se: Gjykata vendos pushimin e gjykimit kur pushimi i gjykimit parashikohet shprehimisht në ligj. Ndërsa në nenin 179/1 të Kodit Procedurës Civile parashikohet se: Nëse paditësi ose asnjë nga palët, pa ndonjë shkak të arsyeshëm, nuk paraqiten, si në veprimet përgatitore ashtu edhe në seancën gjyqësore dhe rezulton se kanë dijeni rregullisht, gjykata, apo gjyqtari i vetëm vendos pushimin e gjykimit...
7. Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.248, datë 12.12.2013 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.625 (62-2011-1089), datë 14.04.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.
8. Gjykata e apelit ndër të tjera arsyeton se:
......Gjykata çmon se pretendimi i paditësit se ai nuk ka pasur dijeni për seancën e datës 14.04.2011, pasi nuk i ka ardhur fletëthirrja është i pabazuar. Paditësi nëpërmjet përfaqësuesit Artur Rustemi ka qenë prezent në seancën përgatitore të datës 31.03.2011. Pikërisht në këtë seancë, gjykata ka vendosur konform nenit 158/a të K.Pr.Civile kalimin e çështjes në seancë gjyqësore, e cila do të zhvillohej në datën 14.04.2011 ora 13.00. Duke qenë se të dy palët kanë qenë prezent në seancën përgatitore, në bazë të nenit 171/a të K.Pr.Civile ato kanë marrë dijeni rregullisht për vendimet e shpallura në këtë seancë, siç ishte dhe vendimi i kalimit të çështjes në seancën gjyqësore të datës 14.04.2011 ora 13.00. Në këtë mënyrë njoftimi i paditësit për këtë seancë është i konfirmuar rregullisht. Në seancën gjyqësore të datës 14.04.2011 është paraqitur rregullisht i padituri nëpërmjet përfaqësuesit të tij, ndërkohë që nuk është paraqitur paditësi. Të dy palët janë njoftuar për seancën e datës 14.04.2011 në të njëjtën mënyrë nëpërmjet shpalljes së vendimeve në seancën e datës 31.03.2011. Sa më sipër Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me të drejtë ka konkluduar se paditësi ka dijeni rregullisht dhe nuk është paraqitur pa shkaqe të arsyeshme, prandaj vendimi i pushimit të gjykimit është marrë në përputhje me ligjin procedurial civil......
III. Ligji i zbatueshëm:
9. Neni 7 germa “a” i ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative” parashikon se:
Gjykatat administrative janë kompetente për: Mosmarrëveshjet që lindin nga aktet administrative individuale, aktet nënligjore normative dhe kontratat administrative publike, të nxjerra gjatë ushtrimit të veprimtarisë administrative nga organi publik.
10. Vendimi unifikues nr.03, datë 06.12.2013 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, të cilat ndërmjet të tjerave thonë se:
....Gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat, padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.2013, respektivisht në gjykatat e shkallës së parë, të apelit apo në Gjykatën e Lartë dhe deri në këtë datë, shqyrtimi në këto gjykata nuk ka përfunduar akoma....
IV. Arsyetimi i Kolegjit Administrativ dhe zgjidhja e çështjes:
11. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, rekursi i paraqitur nga pala paditëse TV Kabllor “Apollon” Fier, përmban shkaqe nga ato që parashikohen në ligj, pasi Gjykata e Apelit Vlorë nuk ka qenë kompetente nga pikëpamja lëndore, prandaj ka arsye ligjore që vendimi i saj të cënohet.
12. Kolegji Administrativ, pasi shqyrtojë aktet procedurale që ndodhen në dosjen gjyqësore, objektin dhe shkakun ligjor të padisë, pretendimet e palëve të parashtruara në këto akte, vendimin e gjykatës dhe parashtrimet e rekursit, në interpretim të dispozitave ligjore të zbatueshme për rastin konkret, arrin në konkluzionin se vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit Vlorë është marrë në shkelje të ligjit procedural, në kushtet kur kjo gjykatë ka shkelur dispozitat ligjore mbi kompetencën lëndore, prandaj për këtë shkak, vendimi i dhënë prej saj duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim, pranë Gjykatës Administrative të Apelit.
13. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar drejtë ose jo nga ato. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve për të cilat është paraqitur rekurs përpara saj.
14. Në analizë të akteve dhe provave të administruara në dosjen gjyqësore rezulton se, pala paditëse TV kabllor “Apollon” Fier i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier me kërkesëpadi, duke kërkuar anullimin tërësisht të aktit administrativ të dënimit me gjobë (vendimit nr.63, datë 11.02.2011 të Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit). Gjykata e Apelit Vlorë, në përfundim të gjykimit me vendimin nr.248, datë 12.12.2013 ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, e cila kishte pushuar gjykimin e çështjes.
15. Në rastin në shqyrtim akti që kundërshtohet është një akt administrativ individual i nxjerrë nga një organ i administratës publike gjatë ushtrimit të veprimtarisë administrative, prandaj duke u bazuar në nenin 7, germa “a” të ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”, çështja ka patur natyrë krejtësisht administrative dhe Gjykata e Apelit Vlorë ka dhënë vendim për një çështje të tillë (me natyrë administrative) pas datës 04.11.2013, në një kohë kur në zbatim të Dekretit nr.7818, datë 16.11.2012 të Presidentit të Republikës kanë filluar veprimtarinë e tyre gjykatat administrative.
16. Meqenëse ligji nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative”, në dispozitat e tij tranzitore heshte për mënyrën se si do të veprohej me çështjet e regjistruara në gjykatën civile para datës 04.11.2013, për të unifikuar praktikën gjyqësore Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë me vendimin nr.03/2013 kanë arritur në këtë përfundim unifikues: ....Gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat, padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.2013, respektivisht në gjykatat e shkallës së parë, të apelit apo në Gjykatën e Lartë dhe deri në këtë datë, shqyrtimi në këto gjykata nuk ka përfunduar akoma....
17. Duke qenë se çështja kishte natyrë administrative dhe gjykimi i saj nuk kishte përfunduar akoma, në zbatim të nenit 7/a të ligjit nr.49/2013 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative” dhe vendimit unifikues nr.03/2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, Gjykata e Apelit Vlorë ka qenë e detyruar që të vendoste moskompetencën e saj lëndore dhe dërgimin e çështjes për shqyrtim në gjykatën kompetente, që është Gjykata Administrative e Apelit
18. Kolegji Administrativ thekson se kompetenca lëndore nuk duhet të shikohet vetëm me kërkesë të palëve të ngritura në ankim ose rekurs, por edhe vetë kryesisht nga gjykata e apelit ose Gjykata e Lartë, pasi kjo kompetencë nuk mund të “kurohet” qoftë edhe me zgjidhjen e drejtë të çështjes në themel nga gjykata më e ulët. Çështja e kompetencës lëndore konsiderohet e një rëndësie të veçantë në respektim të zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor. Gjykata në çdo shkallë gjykimi është e detyruar që të marrë në shqyrtim dhe të vendosë në lidhje me kompetencën e saj lëndore përpara se të gjykojë çështjen që i paraqitet për shqyrtim. Ky detyrim i gjykatës për të vepruar edhe kryesisht është e lidhur drejtpërdrejt me zbatimin dhe respektimin e parimit të një procesi të rregullt ligjor, i sanksionuar në nenin 42/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenin 6 të KEDNJ. Nëse një gjykatë nuk ka kompetencë lëndore për të gjykuar çështjen objekt shqyrtimi, në përputhje me dispozitat që zbatohen sipas legjislacionit përkatës nuk mund të kryejë asnjë veprim tjetër procedural në lidhje me këtë çështje.
19. Duhet theksuar se, në kuptimin e së drejtës procedurale, kompetenca lëndore është një kusht i domosdoshëm procedural, që e bën të vlefshëm procesin gjyqësor, si dhe të gjitha aktet e marra në administrim gjatë zhvillimit të tij, në kuptimin që një gjykatë jokompetente nuk mund të kryejë asnjë veprimtari procedurale dhe një gjykatë jokompetente duhet të deklarojë moskompetencën e saj, (neni 61 i K.Pr.Civile, neni 7 i ligjit 49/2012). Ndarja e kompetencës, është përcaktuar qartë në ligjin nr.9877, datë 18.02.2008 “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, ligjin nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative” dhe Kodin e Procedurës Civile.
20. Përsa u thanë më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se, moskompetenca lëndore për zgjidhjen e çështjes përbën shkelje të rëndë të rregullave procedurale, e cila ndikon drejtpërdrejt në dhënien e vendimit në kuptimin që, mosrespektimi i saj e bën vendimin gjyqësor absolutisht të pavlefshëm. Gabimet në procedim, të cilat parashikohen në nenin 467/a të K.Pr.Civile dhe nenin 54 të ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”, shqyrtohen nga gjykata edhe kryesisht, pikërisht për shkak të efektit të drejtpërdrejt që ato kanë në vendimin e dhënë, prandaj vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenet 7 dhe 63/c të ligjit nr.49, datë 03.05.2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”;
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.248, datë 12.12.2013 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit.
Tiranë, më 03.03.2016
Nr. 11243-02475-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2016 - 2327 i Vendimi (131)
Do'stlaringiz bilan baham: |