VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 03.03.2016, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: ERION KAFAZI;
I PADITUR: INSPEKTORATI NDËRTIMOR URBANISTIK KOMBËTAR (INUK)
OBJEKTI:
Detyrimin e të paditurit “Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar”
(INUK) Tiranë
për ta dëmshpërblyer paditësin Erion Kafazi me pagën e një viti pune,
si rrjedhojë e zgjidhjes së menjëhershme e pa shkaqe të justifikuara
të marrëdhënieve të tij të punës; me dy paga mujore
për mosrespektim të afatit të njoftimit për largimin e tij nga puna ;
me dy paga mujore për mosrespektim të procedurës se largimit nga puna
si dhe me pagën e një muaji për pushimet vjetore të pakryera.
Baza Ligjore: Nenet 140, 141, 143, 144, 145, 146/2, 153 dhe 155 të K.Punës.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.12122 datë 10.12.2012 vendosi:
“Pranimin e pjesshëm të padisë. Detyrimin e të paditurit Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) për të dëmshpërblyer paditësin Erion Kafazi me dhjetë paga mujore si rrjedhojë e zgjidhjes së menjëhershme e pa shkaqe të justifikuara të marrëdhënieve të tij të punës; me dy paga mujore për mosrespektim të afatit të njoftimit për largimin e tij nga puna si dhe me dy paga mujore për mosrespektim të procedurës për largimin e tij nga puna .Në përllogaritjen e dëmshpërblimit dhe pagesës si më sipër të merret për bazë paga mujore bruto që paditësi Erion Kafazi merrte (paguhej) në momentin e largimit të tij nga puna. Rrëzimin për pjesën e mbetur të padisë ( që lidhet me kërkimin e dëmshpërblimit tej masës së përcaktuar si më lart në këtë dispozitiv vendimi si dhe për kërkimin e pagës për pushimet vjetore të pakryera), si të pabazuar në prova e në ligj. Shpenzimet gjyqësore palës së paditur”.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.2436 datë 12.11.2013 vendosi:
“Lënien në fuqi të vendimit civil nr.12122 datë 10.12.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
Kundër vendimit nr.2436 datë 12.11.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs, brenda afati ligjor, pala e paditur Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) e cila kërkon ndryshimin e vendimeve të gjykatave të faktit dhe rrëzimin e padisë duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Zgjidhja e kontratës ka ardhur si pasojë e një sërë verimesh jo korrekte të paditësit.
-
Paditësi është njoftuar sipas parashikimeve të nenit 144 të Kodit të Punës dhe nuk është paraqitur në takimin e datës 15.02.2012.
-
Interpretimi i gjykatës se nuk është respektuar afati i njoftimit nuk është i saktë pasi mosplotësimi i detyrave tregon njëanshmëri të paditësit dhe jemi përpara rastit flagrant.
-
Paditësi ka përcaktuar si bazë ligjore nenin 1346 të Kodit të Punës dhe në asnjë rast motivacioni i ndërprerjes së marrëdhënieve të punës nuk gjen referim në nenin 146 të Kodit të Punës dhe për më tepër paditësi ka barrën e provës në bazë të këtij neni të provojë zgjidhjen e marrëdhënies së punës në bazë të këtij neni.
Ka ushtruar kundër rekurs pala paditëse Erion Kafazi duke parashtruar shkaqet e mëposhtme
-
Asnjë nga pretendimet e ngritura në rekurs nuk përmbush kërkesat e ligjit për ndryshimin e vendimit.
-
Të gjitha pretendimet lidhen me rrethanat e faktit të cilat janë shqyrtuar nga gjykatat e të dy shkallëve.
-
Nuk është zbatuar asnjë procedurë ligjore në largimin tim nga puna.
-
Pretendimi se është përdorur si bazë ligjore neni 146 i kodit të Punës nuk është i vërtetë.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin e gjyqtares Arjana Fullani dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Siç rezulton nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, pala paditëse Erion Kafazi ka qenë në marrëdhënie pune pranë të paditurit “Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar” (INUK) Tiranë për periudhën nga dt. 03.11.2009 deri në datën 20.02.2012 dhe së fundmi ka kryer detyrën e Inspektorit “Jurist”.
2. Me shkresën nr.75 prot, datë 13.02.2012 të palës së paditur, drejtuar paditësit Erion Kafazi është njoftuar për një takim që do të mbahej më datë 15.02.2012, ora 14.00 në zyrën e Sektorit të Burimeve Njerëzore në lidhje me ecurinë e punës së tij, shkresë e cila nuk rezulton ti jetë njoftuar paditësit si dhe nuk rezulton të jetë mbajtur ndonjë procesverbal në lidhje me këtë takim.
3. Me urdhrin nr.84 prot., datë 20.02.2012 kryeinspektori i INUK ka vendosur: ”Z. Erion Kafazi me detyrë Inspektor Jurist, në Drejtorinë e Inspektimit Juridik në Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, lirohet nga detyra, për moskryerje të detyrave funksionale pa shkaqe të arsyeshme. Marrëdhëniet e punës dhe ato financiare i ndërpriten në datë 20.02.2012”.
4. Ndodhur në këto kushte pala paditëse Erion Kafazi i është drejtuar gjykatës me padinë objekt gjykimi.
5. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.12122 datë 10.12.2012 vendosi:” Pranimin e pjesshëm të padisë. Detyrimin e të paditurit Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) për të dëmshpërblyer paditësin Erion Kafazi me dhjetë paga mujore si rrjedhojë e zgjidhjes së menjëhershme e pa shkaqe të justifikuara të marrëdhënieve të tij të punës; me dy paga mujore për mosrespektim të afatit të njoftimit për largimin e tij nga puna si dhe me dy paga mujore për mosrespektim të procedurës për largimin e tij nga puna .Në përllogaritjen e dëmshpërblimit dhe pagesës si më sipër të merret për bazë paga mujore bruto që paditësi Erion Kafazi merrte (paguhej) në momentin e largimit të tij nga puna. Rrëzimin për pjesën e mbetur të padisë ( që lidhet me kërkimin e dëmshpërblimit tej masës së përcaktuar si më lart në këtë dispozitiv vendimi si dhe për kërkimin e pagës për pushimet vjetore të pakryera), si të pabazuar në prova e në ligj. Shpenzimet gjyqësore palës së paditur”.
5.1 Arsyetimi i Gjykatës: “Së pari: Nuk është respektuar afati përkatës i njoftimit për zgjidhjen e marrëdhënieve të punës që parashikon për të tilla raste neni 141 në lidhje me nenin 143 të K.Punës; afat njoftimi ky, që për paditësin Erion Kafazi rezulton që të jetë 2 mujor. Në këtë aspekt , Gjykata vë në dukje se në nenin 141 të K.Punës është sanksionuar shprehimisht se “Kontrata me kohëzgjatje të pacaktuar përfundon kur zgjidhet nga njëra palë dhe ka përfunduar afati i njoftimit”. Pra, siç shihet, nga formulimi i kësaj dispozite del qartë se mjafton që njëra palë të kërkojë zgjidhjen e kontratës së punës dhe marrëdhëniet e punës përfundojnë kur respektohet afati i njoftimit për largimin nga puna. Ndërkohë,në rastin në gjykim,provohet plotësisht se pala e paditur nuk ka respektuar afatin e njoftimit për largimin nga puna të paditësit Erion Kafazi ;afat njoftimi ky, i cili rezulton që për paditësin Erion Kafazi të jetë dy mujor. (Paditësi Erion Kafazi ka një vjetërsi ;pune prej 2 vjet e tre muaj pranë palës së paditur , çka do të thotë,se në vështrim të nenit 143/1 të K.Punës afati i njoftimit për largimin e tij nga puna është dy muaj). Së dyti: Nuk është respektuar, gjithashtu, as procedura e zgjidhjes së marrëdhënieve të punës të palës paditëse; sikurse, parashikon neni 144 i K.Punës. Kështu, rezulton e provuar se paditësi Erion Kafazi është njoftuar me shkresën nr.84 prot, dt 20.02.2012 nga pala e paditur për largimin e tij të menjëhershëm nga puna – duke mos ju dhënë kështu mundësia palës paditëse për tu njohur e shprehur për arsyet e këtij largimi nga puna në një takim të veçantë,sikurse parashikon neni 144/2 i K.Punës - veprime këto të palës së paditur, që vijnë në kundërshtim me nenin 144/3,4 të K.Punës. Gjykata vlerëson e çmon se këto dy shkelje ligjore si më sipër të kryera nga pala e paditur në procesin e largimit nga puna të paditësit Erion Kafazi e bëjnë këtë largim nga puna të tij si një largim të pambështetur në ligj dhe njëkohësisht si një zgjidhje të menjëhershme e të pajustifikuar të marrëdhënieve të punës së paditësit Erion Kafazi. Gjykata vë në dukje se detyrimi ligjor për të respektuar dy momentet e mësipërme (afatin dhe procedurën e largimit nga puna) qëndron për punëdhënësin jo vetëm në vështrim të nenit 141,143 e 144 të K.Punës por në veçanti edhe në zbatim të detyrave të vëna nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në vendimin e saj nr 19 dt 15.11.2007. Kujtojmë se sipas këtij Vendimi Unifikues citohet se: “ Mosrespektimi i afatit të njoftimit apo procedurës së largimit nga puna automatikisht e bënë largimin nga puna të punëmarrësit si një largim të menjëhershëm pa shkaqe të justifikuara”.Kjo Gjykatë thekson gjithashtu,se në të njëjtin konkluzion si më sipër ka arritur në një rast analog edhe Gjykata e Apelit Tirane me vendimin e dhënë prej saj nr 78 dt 29.01.2009. Nga ana tjetër,përsa i përket motivacionit të parashtruar në këtë gjykim nga pala e paditur për largimin nga puna të paditësit Erion Kafazi ( sikurse është ai “Për moskryerje të detyrave funksionale në punë”) Gjykata vë në dukje se ky motivacion faktikisht nuk qëndron dhe se ai nuk u provua në këtë gjykim. Madje në të kundërt sa pretendon sa sipër pala e paditur ,në këtë gjykim u provua plotësisht se paditësi Erion Kafazi ka qenë një punonjës korrekt në përmbushjen e detyrave të tij si punëmarrës– çka i përforcon bindjen e brendshme juridike Gjykatës se në rastin konkret nuk qëndron motivacioni i largimit nga puna të paditësit Erion Kafazi”.
6. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.2436 datë 12.11.2013 vendosi: “Lënien në fuqi të vendimit civil nr.12122 datë 10.12.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
6.1 Arsyetimi i gjykatës:“i njëjtë me atë të faktit”.
7. Kundër vendimit nr.2436 datë 12.11.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala e paditur Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) e cila kërkon ndryshimin e vendimeve të gjykatave të faktit dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e pasqyruar në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
8. Dispozitat e ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
8.1 Neni 1/2: “Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe”.
8.2 Neni 17/2: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
8.3. Neni 54: “Gjykata Administrative e Apelit prish vendimin e gjykatës administrative të shkallës së parë dhe ia dërgon çështjen organit kompetent për rigjykim kur: a) gjykata administrative e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën lëndore dhe funksionale....”.
9. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile;
9.1. Neni 467: “Gjykata e apelit prish vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe e dërgon çështjen për rigjykim kur: a) gjykata e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën...”
10. Vendimi unifikues nr.3 datë 06.12.2013 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë;
11. Dekreti nr.8349 datë 14.10.2013 i Presidentit të Republikës së Shqipërisë;
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
12. Se pas shqyrtimit të akteve procedurale që ndodhen në dosjen gjyqësore, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve të palëve të parashtruara në këto akte, vendimit të gjykatës dhe parashtrimeve të rekursit, në interpretim të dispozitave ligjore të zbatueshme për rastin konkret, arrin në konkluzionin se vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit Tiranë është marrë në shkelje të ligjit procedural, në kushtet kur kjo gjykatë ka shkelur dispozitat ligjore për kompetencën lëndore. Prandaj, për këtë shkelje të dispozitave procedurale, vendimi i dhënë prej saj duhet të prishet e çështja të dërgohet për gjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
13. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar drejtë ose jo. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve për të cilat është paraqitur rekurs.
14. Në analizë të akteve dhe provave të administruara në dosjen gjyqësore rezulton se paditësi Erion Kafazi i është drejtuar me padi gjykatës, duke kërkuar detyrimin e palës së paditur INUK që në bazë të dispozitave të Kodit të Punës ta dëmshpërblejë atë për zgjidhjen e kontratës së punës në mënyrë të pajustifikuar.
15. Me vendimin nr.12122 datë 10.12.2012, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në përfundim të gjykimit ka vendosur të pranojë pjesërisht padinë. Mbi ankimin e palës së paditur, Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.2436 datë 12.11.2013 ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e gjykatës së rrethit gjyqësor.
16. Në rastin konkret nga objekti i gjykimit, si dhe nga shkaku ligjor i kërkimeve të padisë, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konstaton se natyra e çështjes në gjykim është administrative.
17. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë pa i hyrë zgjidhjes në themel të çështjes konstaton se nga Gjykata e Apelit Tiranë janë lejuar shkelje të ligjit procedural që lidhen me kompetencën lëndore të gjykatës për të gjykuar çështjen, të cilat pasjellin zhvillimin e një procesi jo të rregullt ligjor.
18. Kolegji Administrativ e gjen me vend të konfirmojë qëndrimin se kompetenca e gjykatës nga pikëpamja lëndore për gjykimin e një mosmarrëveshje është shumë e rëndësishme si një element që garanton procesin e rregullt ligjor. Nëse një gjykatë nuk ka juridiksion/kompetencë për të gjykuar çështjen objekt shqyrtimi, në përputhje me dispozitat që zbatohen sipas legjislacionit përkatës, ajo nuk është një gjykatë “e krijuar me ligj” sipas kuptimit të nenit 42/2 të Kushtetutës dhe nenit 6/1 të Konventës Evropiane. Nëse një gjykatë nuk ka juridiksion/kompetencë për të gjykuar çështjen objekt shqyrtimi, në përputhje me dispozitat që zbatohen sipas legjislacionit përkatës nuk mund të kryejë asnjë veprim procedural.
19. Në kuptimin e së drejtës procedurale, kompetenca lëndore është një kusht i domosdoshëm procedural, që bën të vlefshëm procesin gjyqësor, si dhe të gjitha aktet e marra në administrim gjatë zhvillimit të tij, në kuptimin që një gjykatë jokompetente nuk mund të kryejë asnjë veprimtari procedurale dhe një gjykatë jokompetente duhet të deklarojë moskompetencën e saj, (neni 61 K.Pr.Civile, neni 7 i Ligjit 49/2012). Këto parime janë përcaktuar qartë në Ligjin nr.9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, në Ligjin nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykata administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” si dhe në Kodin e Procedurës Civile.
20. Me Dekretin nr.8349 datë 14.10.2013 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë është përcaktuar data 04.11.2013 si datën e fillimit të funksionimit të Gjykatave Administrative. Ndërkohë që, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.3 datë 6.12.2013, kanë konkluduar se: “Gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.2013, respektivisht në gjykatat e shkallës së parë, të apelit apo në Gjykatë të Lartë dhe deri në këtë datë shqyrtimi në këto gjykata nuk ka përfunduar akoma”.
21. Si rrjedhojë, duke nisur nga data 04.11.2013 të gjitha mosmarrëveshjet që kanë qenë administrative, janë në kompetencë dhe janë objekt gjykimi i gjykatave administrative sipas parashikimeve të ligjit 49/2012, pavarësisht nëse çështja gjyqësore i është paraqitur gjykatës për shqyrtim është regjistruar ose ka qenë në gjykim, në çdo shkallë të gjykimit, përpara datës 04.11.2013.
22. Kolegji vëren se vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë është shpallur në datën 12.11.2013, pra pas datës 04.11.2013. Nisur nga sa u trajtua më sipër të gjitha çështjet që përbëjnë mosmarrëveshje administrative pas datës 04.11.2013 duhet të shqyrtoheshin nga gjykatat administrative, ndërkohë që Gjykata e Apelit Tiranë nuk e ka konstatuar mungesën e kompetencës lëndore për shqyrtimin e çështjes dhe ka dhënë një vendim në kundërshtim me dispozitat ligjore të zbatueshme duke sjellë si pasojë zgjidhjen e çështjes nga gjykata jo kompetente nga pikëpamja lëndore.
23. Në përfundim, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në konkluzionin se mosrespektimi i kompetencës lëndore nga ana e gjykatës përbën shkelje të rëndë procedurale, e cila ndikon drejtpërsëdrejti në dhënien e vendimit, e cila e bën vendimin gjyqësor absolutisht të pavlefshëm. Gabimet në procedim, të cilat parashikohen në nenin 467/a të K.Pr.Civile dhe në nenin 54 të ligjit nr.49/2012, shqyrtohen nga gjykata edhe kryesisht, pikërisht për shkak të efektit të drejtpërdrejtë që ato kanë në vendimin e dhënë.
24. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson të theksojë se në çështjen objekt gjykimi, nuk mund të marrë në shqyrtim dhe të analizojë, nëse ligji material është zbatuar drejtë apo jo nga gjykatat e faktit.
25. Për sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi nr.2436 datë 12.11.2013 i Gjykatës së Apelit Tiranë duhet të prishet dhe çështja t’i dërgohet Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë si gjykatë kompetente nga pikëpamja lëndore për shqyrtimin e çështjes.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63 të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.2436 datë 12.11.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
Tiranë, më 03.03.2016
Nr. 31001-01393-00-2014 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-1299 i Vendimit (134)
Do'stlaringiz bilan baham: |