VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 03.03.2016, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: SHOQËRIA “KALAJA ”SH.A;
I PADITUR: DREJTORIA RAJONALE TATIMORE E TATIMPAGUESEVE TË MËDHENJ TIRANË
OBJEKTI I PADISË:
Shfuqizim i aktit administrativ (shkresë nr.14321/1 datë 28.10.2011)
të Drejtorisë Rajonale Tatimore Njësia e Tatimpagueseve të Mëdhenj.
Rivendosjen e të drejtës sonë të shkelur duke urdhëruar
Komisionin e Administrimit dhe Faljes së Gjobave dhe Kamatëvonesave
pranë DRTNJTPM,që të na falë dhe fshijë nga regjistrat e saj kontabël,
detyrimet tatimore,gjobat dhe kamatëvonesat që i përkasin
Njoftim Detyrimit Tatimor nr.18841 prot., datë 05.11.2008,
përkundrejt pagimit të 30% të detyrimit.
Baza Ligjore: Nenet 24,324,328 e vijues të K.Pr.Civile
Shkronja “c” e nenit 19,neni 20 dhe neni 33 i ligjit nr.10418 datë 21.04.2011
“Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të detyrimit tatimor dhe doganor”
si dhe Udhëzimi nr.12 datë 18.05.2011 i Ministrit të Financave.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.6152 datë 03.06.2013 vendosi:
“Rrëzimin e kërkesë padisë. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen paditësit”.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.2382 datë 06.11.2013 vendosi:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.6152 datë 03.06.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
Kundër vendimit nr.2382 datë 06.11.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala paditëse shoqëria “Kalaja”sh.a, e cila kërkon ndryshimin e vendimeve dhe pranimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Arsyetimi se: "Paditësi ndryshe nga sa pretendon, është ne kushtet e nenit 18 të ligjit nr.10418 date 21.04.2011 me gjendje kreditore 41603101 lekë..." është i pabazuar sepse nga përgjigja e palës së paditur, me shkresën objekt gjykimi, nuk rezulton nëse ne kemi pasur gjendje kreditore pranë saj. Gjendja kreditore e një subjekti pranë organeve tatimore është shume e lëvizshme në bazë të transaksioneve që një subjekt mund të kryejë në momente të caktuara.
-
Paraqitja e gjendjes kreditore në këtë gjykim, nuk përbën proces të rregullt ligjor nga pala e paditur. Ajo i kishte të gjitha mundësitë që të na njoftonte dhe të na ftonte për të bërë kompensimin përkatës.
-
Arsyetimi se kur ka hyrë në fuqi ligji është paguar detyrimi tatimor dhe nuk mund të përfitojë paditësi, është një qëndrim i pabazuar në ligj sipas nenit 107 të Ligjit nr.9920, dt. 19.05.2008, "Për procedurat tatimore".
-
Sqarojmë se pagesa nga ana jone e shumës 2.823.256 lekë që përfaqëson detyrimin dhe kamatat e maturuara, nuk është bërë në mënyrë vullnetare dhe për më tepër kjo pagese nuk tregon se ne kemi pranuar detyrimet dhe gjobat që pasqyrohen në njoftim vlerësimin nr.18481/7 Prot., datë 08.04.2009, por është bërë për të përmbushur detyrimet ligjore procedurale, që përcakton neni 107, përndryshe ankimi nuk do të merrej në shqyrtim nga Komisioni Apelimit Tatimor dhe do të kthehej si i paplotë.
-
Kështu rezulton se në përgjigjen e tyre pala e paditur i referohet Nenit 18 të Ligjit nr.10418 dhe Pikës 5/2 të udhëzimit nr.12 Date 18.05.2011 të Ministrit të Financave. Por pala e paditur, nuk ka sqaruar në asnjë moment se në c'mënyrë janë të aplikueshme : dispozitat ligjore për rastin konkret. Sqarojmë se sipas Nenit 108 të K.Pr.Administrative, dhënia e arsyeve përkatëse kur bëhet fjalë për të drejtat subjektive, është një kërkesë e domosdoshme.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin e gjyqtares Arjana Fullani dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Siç rezulton nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, pala paditëse shoqëria “Kalaja ” sha është regjistruar pranë D.R.T.P.M. Tiranë me NIPT J 76705217 l me objekt aktiviteti import – eksport, tregti me shumicë e pakicë e gazit të lëngshëm, Import, tregti me shumicë e pakicë të materialeve të nderimit, materialeve hidrosanitare, elektroshtëpiake, pjesëve të ndërrimit etj.
2. Paditësi pasi është njohur me Njoftim Vlerësimin për Detyrimet Tatimore nr.18481/7 prot datë 08.04.2009 brenda afatit ligjore ka depozituar pranë DAT kërkesën për apelim duke paguar njëkohësisht dhe detyrimin e plotë sëbashku me kamatëvonesat në shumën 2.823.256 lekë.
3. Me vendimin nr.2500 datë 14.08.2009 DAT ka rrezuar kërkesën e paditësit dhe ka lënë në fuqi Njoftim Vlerësimin Tatimor nr.18481/7 prot., datë 08.04.2009 të DRTM.
4. Kundër vendimit nr.2500 datë 14.08.2009 të DAT dhe Njoftim Vlerësimit Për Detyrimet Tatimore datë 08.04.2009 paditësi brenda afatit ligjor ka depozituar kërkesë padi në gjykatë.
5. Në kohën që çështja ishte në gjykim është miratuar ligji nr.10148 datë 21.04.2011“Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të detyrimit tatimor dhe doganor”.
6. Me kërkesën nr.346 date 26.07.2011 paditësi i ka kërkuar palës së paditur faljen e detyrimeve tatimore gjobave dhe kamatëvonesave, që i përkasin Njoftim Vlerësimit Tatimor nr.18481/7 prot., datë 08.04.2009 përkundrejt pagimit të 30% te detyrimit tatimor, kontabilizimit të shumës 732.741 lekë dhe kthimin e shumës prej 2.090.515 lekë.
7. Me shkresën nr.14321/1 prot datë 28.10.2011 D.R.T.T.P.M.Tiranë ka vendosur refuzimin e kërkesës së paditësit me arsyetimin se bazuar në nenin 18 të ligjit nr.10418 date 21.04.2011 dhe udhëzimin nr.12 datë 18.05.2011, paragrafi II.1.pika 5, germa i), nuk mund të bëhet kthimi i shumës së detyrimit që është paguar përpara hyrjes në fuqi të ligjit të mësipërm.
8. Ndodhur në këto kushte pala paditëse shoqëria “Kalaja” sh.a i është drejtuar gjykatës me padinë objekt gjykimi.
9. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.6152 datë 03.06.2013 vendosi:” Rrëzimin e kërkesë padisë. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen paditësit”.
9.1 Arsyetimi i Gjykatës: “Paditësi ndryshe nga sa pretendon, është në kushtet e nenit 18 të ligjit nr.10418 datë 21.04.2011 me gjendje kreditore 41603101 leke. Paditësi nuk përfiton nga ligji nr.10418 date 21.04.2011 për arsye se nuk është në kushtet e parashikuara në piken “c” të nenit 19 të ligjit nr.10418 datë 21.04.2011 i cili përcakton se: “Detyrimet tatimore të papaguara të tatimpaguesve,persona juridike apo persona fizike, të regjistruar si subjekt i TVSH së, që janë te evidentuar në regjistrat e administratës tatimore deri në datën 31 dhjetor 2008”. Për shkak se referuar pikës “c” të nenit 19 të ligjit nr.10418 datë 21.04.2011 të sipërcituar, detyrimi i tij është i datës 08.04.2009. Paditësi nuk përfiton nga ligji nr.10418 date 21.04.2011 sepse nuk është as ne kushtet e pikës 1 të nenit 20 i cili përcakton se: Detyrimet tatimore të papaguara të tatimpaguesve, persona juridikë, apo persona fizikë, të regjistruar si subjekt i TVSH-së, që janë të evidentuara në regjistrat e administratave tatimore në periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2009, falen nëse tatimpaguesi, brenda periudhës së zbatimit të këtij ligji, paguan 30 për qind të principalit të tatimit. Për shkak se në kohën kur ka hyrë në fuqi ligji nr.10148 datë 21.04.2011“Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të detyrimit tatimor dhe doganor” ai e kishte paguar detyrimin tatimor dhe nga dispozita e sipërcituar përfitojnë vetëm subjektet që nuk i kane paguar detyrimet tatimore,ndryshe nga sa pretendon paditësi në kërkimin e tij”.
10. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.2382 datë 06.11.2013 vendosi: “Lënien në fuqi të vendimit nr.6152 datë 03.06.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
10.1 Arsyetimi i gjykatës:“ I njëjtë me atë të faktit”.
11. Kundër vendimit nr.2382 datë 06.11.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala paditëse shoqëria “Kalaja”sh.a, e cila kërkon ndryshimin e vendimeve dhe pranimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e pasqyruar në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
12. Dispozitat e ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
12.1 Neni 1/2: “Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe”.
12.2 Neni 17/2: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
12.3. Neni 54: “Gjykata Administrative e Apelit prish vendimin e gjykatës administrative të shkallës së parë dhe ia dërgon çështjen organit kompetent për rigjykim kur: a) gjykata administrative e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën lëndore dhe funksionale....”.
13. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile;
13.1. Neni 467: “Gjykata e apelit prish vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe e dërgon çështjen për rigjykim kur: a) gjykata e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën...”
14. Vendimi unifikues nr.3 datë 06.12.2013 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë;
15. Dekreti nr.8349 datë 14.10.2013 i Presidentit të Republikës së Shqipërisë;
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
16. Se pas shqyrtimit të akteve procedurale që ndodhen në dosjen gjyqësore, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve të palëve të parashtruara në këto akte, vendimit të gjykatës dhe parashtrimeve të rekursit, në interpretim të dispozitave ligjore të zbatueshme për rastin konkret, arrin në konkluzionin se vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit Tiranë është marrë në shkelje të ligjit procedural, në kushtet kur kjo gjykatë ka shkelur dispozitat ligjore për kompetencën lëndore. Prandaj, për këtë shkelje të dispozitave procedurale, vendimi i dhënë prej saj duhet të prishet e çështja të dërgohet për gjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
17. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar drejtë ose jo. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve për të cilat është paraqitur rekurs.
18. Në analizë të akteve dhe provave të administruara në dosjen gjyqësore rezulton se paditësi shoqëria “Kalaja” sh.p.k i është drejtuar me padi gjykatës, duke kërkuar shfuqizimin e aktit administrativ të lëshuar nga pala e paditur Drejtoria Rajonale Tatimore e Tatimpagueseve të Mëdhenj Tiranë i cili e ngarkon atë me pagimin e një njoftim vlerësimi tatimor dhe gjithashtu edhe faljen e këtij detyrimi në bazë të ligjit nr.10418 datë 21.04.2011.
19. Me vendimin nr.6152 datë 03.06.2013, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në përfundim të gjykimit ka vendosur të rrëzojë padinë. Mbi ankimin e palës paditëse, Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.2382 datë 06.11.2013 ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e gjykatës së rrethit gjyqësor.
20. Në rastin konkret nga objekti i gjykimit, si dhe nga shkaku ligjor i kërkimeve të padisë, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konstaton se natyra e çështjes në gjykim është administrative.
21. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë pa i hyrë zgjidhjes në themel të çështjes konstaton se nga Gjykata e Apelit Tiranë janë lejuar shkelje të ligjit procedural që lidhen me kompetencën lëndore të gjykatës për të gjykuar çështjen, të cilat pasjellin zhvillimin e një procesi jo të rregullt ligjor.
22. Kolegji Administrativ e gjen me vend të konfirmojë qëndrimin se kompetenca e gjykatës nga pikëpamja lëndore për gjykimin e një mosmarrëveshje është shumë e rëndësishme si një element që garanton procesin e rregullt ligjor. Nëse një gjykatë nuk ka juridiksion/kompetencë për të gjykuar çështjen objekt shqyrtimi, në përputhje me dispozitat që zbatohen sipas legjislacionit përkatës, ajo nuk është një gjykatë “e krijuar me ligj” sipas kuptimit të nenit 42/2 të Kushtetutës dhe nenit 6/1 të Konventës Evropiane. Nëse një gjykatë nuk ka juridiksion/kompetencë për të gjykuar çështjen objekt shqyrtimi, në përputhje me dispozitat që zbatohen sipas legjislacionit përkatës nuk mund të kryejë asnjë veprim procedural.
23. Në kuptimin e së drejtës procedurale, kompetenca lëndore është një kusht i domosdoshëm procedural, që bën të vlefshëm procesin gjyqësor, si dhe të gjitha aktet e marra në administrim gjatë zhvillimit të tij, në kuptimin që një gjykatë jokompetente nuk mund të kryejë asnjë veprimtari procedurale dhe një gjykatë jokompetente duhet të deklarojë moskompetencën e saj, (neni 61 K.Pr.Civile, neni 7 i Ligjit 49/2012). Këto parime janë përcaktuar qartë në Ligjin nr.9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, në Ligjin nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykata administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” si dhe në Kodin e Procedurës Civile.
24. Me Dekretin nr.8349 datë 14.10.2013 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë është përcaktuar data 04.11.2013 si datën e fillimit të funksionimit të Gjykatave Administrative. Ndërkohë që, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.3 datë 6.12.2013, kanë konkluduar se: “Gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.2013, respektivisht në gjykatat e shkallës së parë, të apelit apo në Gjykatë të Lartë dhe deri në këtë datë shqyrtimi në këto gjykata nuk ka përfunduar akoma”.
25. Si rrjedhojë, duke nisur nga data 04.11.2013 të gjitha mosmarrëveshjet që kanë qenë administrative, janë në kompetencë dhe janë objekt gjykimi i gjykatave administrative sipas parashikimeve të ligjit 49/2012, pavarësisht nëse çështja gjyqësore i është paraqitur gjykatës për shqyrtim është regjistruar ose ka qenë në gjykim, në çdo shkallë të gjykimit, përpara datës 04.11.2013.
26. Kolegji vëren se vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë është shpallur në datën 06.11.2013, pra pas datës 04.11.2013. Nisur nga sa u trajtua më sipër të gjitha çështjet që përbëjnë mosmarrëveshje administrative pas datës 04.11.2013 duhet të shqyrtoheshin nga gjykatat administrative, ndërkohë që Gjykata e Apelit Tiranë nuk e ka konstatuar mungesën e kompetencës lëndore për shqyrtimin e çështjes dhe ka dhënë një vendim në kundërshtim me dispozitat ligjore të zbatueshme duke sjellë si pasojë zgjidhjen e çështjes nga gjykata jo kompetente nga pikëpamja lëndore.
27. Në përfundim, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në konkluzionin se mosrespektimi i kompetencës lëndore nga ana e gjykatës përbën shkelje të rëndë procedurale, e cila ndikon drejtpërsëdrejti në dhënien e vendimit, e cila e bën vendimin gjyqësor absolutisht të pavlefshëm. Gabimet në procedim, të cilat parashikohen në nenin 467/a të K.Pr.Civile dhe në nenin 54 të ligjit nr.49/2012, shqyrtohen nga gjykata edhe kryesisht, pikërisht për shkak të efektit të drejtpërdrejtë që ato kanë në vendimin e dhënë.
28. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson të theksojë se në çështjen objekt gjykimi, nuk mund të marrë në shqyrtim dhe të analizojë, nëse ligji material është zbatuar drejtë apo jo nga gjykatat e faktit.
29. Për sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi nr.2382 datë 06.11.2013 i Gjykatës së Apelit Tiranë duhet të prishet dhe çështja t’i dërgohet Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë si gjykatë kompetente nga pikëpamja lëndore për shqyrtimin e çështjes.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63 të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.2382 datë 06.11.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
Tiranë, më 03.03.2016
Nr. 31001-02791-00-2014 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2016 - 1302 i Vendimit (135)
Do'stlaringiz bilan baham: |