VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
Mori në shqyrtim në seancë gjyqësore të datës 08.03.2016, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: PASKAL JORGJI;
I PADITUR: ZYRA ARSIMORE ERSEKË.
OBJEKTI:
Detyrimin e anës së paditur të më paguajë 1 vit pagë
për ndërprerje të marrëdhënieve të punës, në mënyrë të menjëhershme
dhe për arsye të pajustifikuara.
Detyrimin e anës së paditur të më paguajë 2 muaj pagë
për moszbatim të rregullt të procedurës së zgjidhjes së kontratës.
Detyrimin e anës së paditur të më paguajë shpërblim
për vjetërsi në punë 15 ditë për çdo vit.
Baza Ligjore: Nenet 144, 145, 153, 154 të Kodit të Punës
dhe neni 47 i Kodit të Procedurës Civile.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin nr.41-2012-3284 (1920) datë 09.07.2012 vendosi:
“Pranimin e kërkesëpadisë së paditësit Paskal Jorgji me të paditur Zyra Arsimore Ersekë. Detyrimi i të paditurit Zyra Arsimore Erseke ti paguaje paditësit shumën prej 1.584.000. lekë 1 – Pagën e një viti si shpërblim për zgjidhje të menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës parashikuar nga neni 155 i kodit të punës, e cila është :12 muaj page X 48.000. lekë, page bruto e një muaji = 576.000.lekë. 2 – Detyrimi i palës së paditur Zyra Arsimore Erseke ti paguajë paditësit për moszbatim të procedurave të zgjidhjes së kontratës së punës. 2 muaj pagë X 48.000. lekë page bruto e një muaji = 96.000.lekë. 3 – Detyrimi i të paditurit Zyra Arsimore Erseke ti paguajë paditësit vjetërsi në pune për zgjidhje të menjëhershme parashikuar nga neni 154 pika 4 i Kodit të punës. ( 38 vjet X 15 dite për çdo vit kalendarik) 19 vjet X 48.000 leke page bruto e një muaji = 912.000 lekë. Shpenzimet gjyqësore dhe për avokat në masën 40.000 lekë i ngarkohen palës së paditur”.
Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr.74 datë 18.02.2013 vendosi:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.1920 datë 09.07.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë për pikat 1 dhe 2 dhe shpenzimet gjyqësore. Ndryshimin e pikës 3 të vendimit të sipërcituar si më poshtë: Rrëzimin e kërkesës në lidhje me kërkimin për vjetërsi në punë”.
Kundër vendimit nr.74 datë 18.02.2013 të Gjykatës së Apelit Korçë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala paditëse Paskal Jorgji i cili kërkon prishjen e vendimit të gjykatës së apelit për pjesën që ka rrëzuar padinë dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së rrethit gjyqësor, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Kërkimi për vjetërinë në punë i është kërkuar palës së paditur deri në datën 12.09.2010 pasi pala paditëse është paguar me një muaj për periudhën pas vitit 2010.
-
Paditësi deri në vitin 2010 ka një vjetërsi në punë prej 37 vjet e 8 muaj e 11 ditë dhe gjykata e rrethit e ka vlerësuar drejtë duke llogaritur 19 paga mujore.
-
Fakti që mund të ketë mangësi në arsyetimin e gjykatës së shkallës së parë nuk duhet të penalizojë paditësin pasi gjykata duhet të hetojë nga ato akte të cilat ndodhen në dosjen gjyqësore dhe atë që kërkojnë palët.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Arjana Fullani, në mungesë të palëve ndërgjyqëse, si dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Siç rezulton nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, pala paditëse Paskal Jorgji ka filluar punë pranë palës së paditur në datën 03.01.1973 duke kryer detyrën e mësuesit në shkolla të ndryshme dhe së fundmi ka qenë si mësues në shkollën 9 vjeçare të fshatit Luaras.
2. Rezulton se me vendimin nr.52 datë 07.05.2010 pala e paditur i ka zgjidhur marrëdhëniet e punës me paditësin duke filluar nga data 05.08.2010. Ndërkohë që në datën 13.10.2010 e ka rimarrë përsëri në punë.
3. Me shkresën nr.383 prot., datë 09.09.2011 të palës së paditur është njoftuar paditësi Paskal Jorgji për tu paraqitur në datën 12.09.2011 ora 13 e 45 në zyrën e burimeve njerëzore për të diskutuar në lidhje me vazhdimësinë e marrëdhënieve të punës. Nga aktet e dosjes rezulton që te jete mbajtur procesverbal në lidhje me takimin e programuar ku zgjidhja e kontratës justifikohet për shkak të strukturave të reja, ndërkohë që paditësi e ka kundërshtuar largimin me argumentimin e eksperiencës në punë.
4. Sa më sipër me vendimin nr.27 datë 14.09.2011 të Drejtorit të Zyrës Arsimore Kolonjë, është vendosur: “Të ndërpres marrëdhëniet e punës duke zgjidhur kontratën e punës me Z. Paskal Jorgji në datë 14.09.2011. Në bazë të nenit 143/1 të përfitojë 1 muaj pagë e cila i korrespondon afateve të njoftimit”.
5. Ndodhur në këto kushte pala paditëse Paskal Jorgji i është drejtuar gjykatës me padinë objekt gjykimi.
6. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin nr.41-2012-3284 (1920) datë 09.07.2012 vendosi:” Pranimin e kërkesëpadisë së paditësit Paskal Jorgji me të paditur Zyra Arsimore Ersekë. Detyrimi i të paditurit Zyra Arsimore Erseke ti paguaje paditësit shumën prej 1.584.000. lekë 1 – Pagën e një viti si shpërblim për zgjidhje të menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës parashikuar nga neni 155 i kodit të punës, e cila është :12 muaj page X 48.000. lekë, page bruto e një muaji = 576.000 lekë. 2 – Detyrimi i palës së paditur Zyra Arsimore Erseke ti paguajë paditësit për moszbatim të procedurave të zgjidhjes së kontratës së punës. 2 muaj pagë X 48.000. lekë page bruto e një muaji = 96.000 lekë. 3 – Detyrimi i të paditurit Zyra Arsimore Erseke ti paguajë paditësit vjetërsi në pune për zgjidhje të menjëhershme parashikuar nga neni 154 pika 4 i Kodit të punës. ( 38 vjet X 15 dite për çdo vit kalendarik) 19 vjet X 48.000 leke page bruto e një muaji = 912.000 lekë. Shpenzimet gjyqësore dhe për avokat në masën 40.000 lekë i ngarkohen palës së paditur”.
6.1 Arsyetimi i Gjykatës: “Largimi nga puna i paditësit është bere në mënyrë të menjëhershme dhe pa arsye të justifikuara. Justifikimi se nuk plotësohej me ore të plota është i pabazuar. Paditësi jo vetëm qe ishte i plotësuar me normat e punës mësimore dhe numri i nxënësve dhe vendi i punës se tij nuk është mbyllur për shkakun e mësipërm. Pra nuk ka asnjë shkak të justifikuar për largim nga puna, shkaqe qe parashikohen nga neni 153 të Kodit të punës. Pala e paditur nuk arriti te provonte në seance gjyqësore se në orët mësimore që jepte paditësi nuk plotësonte normat mësimore të punës. Pala e paditur për largim të padrejte nga puna të paditësit nuk ka zbatuar procedurat e largimit nga puna e largimit nga puna te parashikuara nga neni 144 i Kodit të Punës. Paditësi nuk është njoftuar për bisedime me datën 12.09.2011 por ka ardhur ne dijeni se nuk është emëruar në asnjë shkolle si mësues dhe është paraqitur në zyrën arsimore ku janë kryer bisedime me palën e paditur. Pra nuk është njoftuar 72 ore para takimit siç e parashikon ligja. Pavarësisht se shkresa mban datën 09.09.2011 paditësi nuk e ka marre këtë lajmërim. Nga pala e paditur nuk u provua ky fakt ne lidhje me lajmërimin , pra nuk është zbatuar procedura e parashikuar nga neni 144 i Kodit të Punës . Pra jemi para ndërprerjes së marrëdhënieve të punës në mënyrë të menjëhershme dhe pa arsye të justifikuara të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës. Me kopje të librezës së punës vërtetuar me origjinalin provohet se paditësi ka filluar pune me 17 Dhjetor 1973 me profesion mësues Kimi – Biologji, pra një kohë prej 38 vjet pune duke mos patur asnjë ndërprerje”.
7. Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr.74 datë 18.02.2013 vendosi: “Lënien në fuqi të vendimit nr.1920 datë 09.07.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë për pikat 1 dhe 2 dhe shpenzimet gjyqësore. Ndryshimin e pikës 3 të vendimit të sipërcituar si më poshtë: rrëzimin e kërkesës në lidhje me kërkimin për vjetërsi në punë”.
7.1 Arsyetimi i gjykatës:“ Në lidhje me shpërblimin për vjetërsi, çmohet se marrëdhënia e punës nuk ka qenë pandërprere. Ka rezultuar se marrëdhënia e punës është ndërprerë në muajin gusht 2010 dhe pas rifillimit në datën 13.10.2010 ajo ka zgjatur më pak se tre vjet, dhe paditësi nuk përmbush kushtin prej 3 vjetësh për të përfituar sipas përcaktimeve të nenit 145 të Kodit të Punës”.
8. Kundër vendimit nr.74 datë 18.02.2013 të Gjykatës së Apelit Korçë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala paditëse Paskal Jorgji i cili kërkon prishjen e vendimit të gjykatës së apelit për pjesën që ka rrëzuar padinë dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së rrethit gjyqësor, duke parashtruar shkaqet e pasqyruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
9. Dispozitat e ligj nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
9.1 Neni 1/2: Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe.
9.2 Neni 17/2: Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët.
10. Dispozitat e Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë;
10.1 Neni 145/1: Punëmarrësi përfiton shprëblim për vjetërsi, kur kontrata është zgjidhur nga punëdhënësi dhe marrëdhëniet e punës kanë zgjatur jo më pak se tre vjet. Punëmarrësi e humb të drejtën e shpërblimit për vjetërsi, nëse është pushuar me efekt të menjëhershëm, për shkaqe të arsyeshme.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
11. Se rekursi i paraqitur nga pala paditëse, Paskal Jorgji përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 58 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” të cilat bëjnë të cenueshëm vendimin e Gjykatës së Apelit Korçë.
12. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimeve, pretendimeve e prapësimeve të palëve, vendimeve të gjykatave të faktit, shkaqeve të rekursit, arrin në përfundimin se vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë, me të cilin është ndryshuar pika 3 e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë duke rrëzuar këtë kërkim, është i cenueshëm dhe për këtë shkak ai duhet të prishet dhe të lihet në fuqi vendimi i gjykatës së rrethit gjyqësor.
13. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar ose jo. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve të gjykatave të faktit.
14. Ky Kolegj e vlerëson të drejtë përfundimin e arritur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë dhe për rrjedhojë vendimi i kësaj gjykate duhet të lihet në fuqi. Ndërsa arsyetimi i Gjykatës së Apelit Korçë është rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit, ç’ka e bën vendimin e kësaj gjykate të cenueshëm.
15. Kolegji evidenton se pala paditëse Paskal Jorgji ka bërë objekt padie në gjykatë pasojat që rrjedhin nga zgjidhja e menjëhershme dhe e pajustifikuar e marrëdhënieve të punës me palën e paditur Zyra Arsimore Ersekë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka vendosur detyrimin e palës së paditur të dëmshpërblejë paditësin për zgjidhjen e menjëhershme të marrëdhënieve të punës me 12 paga mujore, për mosrespektim të procedurës me 2 paga mujore si dhe shpërblimin për vjetërsi në punë në masën 19 pagave mujore për 38 vjet vjetërsi në punë”. Gjykata e Apelit Korçë, mbi ankimin e palës së paditur Zyra Arsimore Ersekë ka vendosur, lënien në fuqi të vendimit duke ndryshuar pikën 3 të tij në lidhje me shpërblimin për vjetërsi dhe rrëzim e padisë për këtë kërkim.
16. Ndryshe nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Gjykata e Apelit, mbi të njëjtat fakte parashtron se nga aktet e administruara në gjykim, rezultoi se, marrëdhëniet e tij të punës janë ndërprerë dhe nuk plotësohet kushti prej 3 vjet vjetërsi në punë pranë punëdhënësit për të përfituar dëmshpërblim për vjetërsi në punë dhe ka arritur në përfundimin se vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë për këtë pjesë duhet të ndryshohet.
17. Arsyetimi dhe përfundimi i Gjykatës së Apelit Korçë është rrjedhojë e interpretimit pjesërisht të gabuar të dispozitave të Kodit të Punës, ç’ka e bën vendimin e gjykatës të pambështetur në ligj. Kjo gjykatë në zbatim të dispozitave të Kodit të Punës thekson se, gjykata, nisur nga kërkimet në padi ka për detyrë të analizojë shkakun dhe mënyrën e zgjidhjes së kontratës së punës, nëse është respektuar procedura e zgjidhjes së kontratës së punës si dhe nëse është respektuar afati i njoftimit për zgjidhjen e kontratës së punës. Në varësi të përfundimeve të arritura, gjykata përcakton edhe llojin dhe masën e dëmshpërblimeve sipas parashikimeve të dispozitave të zbatueshme për çështjen konkrete.
18. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson, më të drejtë gjykatat e kanë vlerësuar se marrëdhënia e punës është zgjidhur në mënyrë të menjëhershme, pa shkaqe të justifikuara, me të drejtë është vlerësuar se paditësi Paskal Jorgji nuk ka shkelur detyrimet kontraktore me faj, siç kërkon neni 153/3 i Kodit të Punës. Gjykata e Lartë, si gjykatë ligji, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore evidenton se në lidhje me këtë pjesë të vendimit gjyqësor të Gjykatës së Apelit që ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së rrethit gjyqësor nga pala paditëse dhe pala e paditur nuk është ushtruar rekurs dhe në këto kushte çdo pretendim për pabazueshmërinë ligjore të vendimit të gjykatës së apelit për këtë pjesë ka rënë në dekadencë dhe nuk mund të jetë objekt shqyrtimi nga ana e Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë.
19. Përsa i përket kërkimit për dëmshpërblimin për vjetërsinë në punë, ndryshe nga sa ka konkluduar Gjykata e Apelit Korçë, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë e vlerëson të drejtë arsyetimin dhe konkluzionin e arritur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë në lidhje me përcaktimin e dëmshpërblimit për vjetërsinë në punë në masën e 19 muaj pagë duke patur parasysh se marrëdhëniet e punës kanë zgjatur 38 vjet në mënyrë të pandërprerë pranë të njëjtit punëdhënës.
20. Kolegji vlerëson se akti i largimit të palës paditëse Paskal Jorgji dhe rikthimi i tij përsëri në detyrë nuk ka sjellë asnjë efekt pasi paditësi ka rifilluar përsëri punë pranë të njëjtit punëdhënës, duke u vendosur thjesht kalimi në një detyrë tjetër si mësues. Në këto kushte arsyetimi i Gjykatës së Apelit Korçë për mungesën e ekzistencës së një marrëdhënie për pandërprerë për tre vitet e fundit pranë palës së paditur është gabuar pasi ky veprim nuk ka ndikuar dhe nuk ka sjellë asnjë pasojë në marrëdhënien e punës së paditësit Paskal Jorgji me punëdhënësin e tij Zyra Arsimore Ersekë duke u konkretizuar kështu në një marrëdhënie pune të pandërprerë pranë të njëjtit punëdhënës.
21. Ky Kolegj, përfundimisht çmon se gjykata e rrethit ka argumentuar dhe ka analizuar drejtë atë ç’ka ka pranuar në lidhje me ligjin e zbatueshëm, natyrën e mosmarrëveshjes dhe masën e dëmshpërblimit, bazuar në dispozitat ligjore dhe aktet e administruara në dosjen gjyqësore.
22. Mbështetur sa më sipër, ky Kolegji konkludon se vendimi i Gjykatës së Apelit Korçë është rrjedhojë e mosrespektimit të ligjit përkundrejt vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë e cila ka zgjidhur drejt çështjen objekt gjykimi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63 të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.74 datë 18.02.2013 të Gjykatës së Apelit Korçë dhe lënien në fuqi të vendimit nr.41-2012-3284 (1920) datë 09.07.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.
Tiranë, më 08.03.2016
Nr. 11241-01621-00 - 2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2016 - 1490 i Vendimit ( 142)
Do'stlaringiz bilan baham: |