VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Arjana Fullani Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Medi Bici Anëtar
mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 03.03.2016, çështjen administrative që i përket:
PADITËSE: SILVANA ZHUPA
E PADITUR: DREJTORIA E PËRGJITHSHME E TATIMEVE
OBJEKTI:
Kundërshtim i vendimit nr.60, datë 17.04.2013
të Komisionit të Shërbimit Civil.
Baza Ligjore: Neni 8/3 i Ligjit nr.8549, datë 11.11.1999
"Statusi i Nëpunësit Civil"
dhe nenet 442 e vijues të Kodit të Procedurës Civile.
Komisioni i Shërbimit Civil, me vendimin nr.60, datë 17.04.2013, ka vendosur:
“Pranimin e ankesës së zj.Silvana Zhupa.
Shfuqizimin e vendimit nr.913 datë 28.02.2013 të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve "për lirim nga detyra",
Rikthimin e ankueses në pozicionin e mëparshëm, inspektore e dytë në Sektorin e Përpunimit, Vlerësimit dhe Kontabilitetit të të Ardhurave, në Drejtorinë e Menaxhimit të të Ardhurave, në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë.
Detyrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, t’i paguajë ankueses pagën e plotë, për periudhën e qëndrimit pa punë, nga momenti i ndërprerjes e deri në ekzekutimin e plotë të këtij vendimi”.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.108, datë 03.12.2013, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.60, datë 17.04.2013 të Komisionit të Shërbimit Civil”.
Kundër vendimit nr.108, datë 03.12.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs, pala e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila kërkon prishjen e vendimit të Komisionit të Shërbimit Civil dhe vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe lënien në fuqi të vendimit të Drejtorit të Përgjthshëm të Tatimeve për ankuesen Silvana Zhupa, duke parashtruar këto shkaqe:
-
Vendimi i mësipërm nuk është i bazuar në ligj dhe në prova dhe duhet të ndryshohet.
-
Vendimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve është i drejtë dhe i ligjshëm mbështetur në dispozitat ligjore në fuqi. Drejtori i Përgjithshë i Tatimeve, konform atributeve që i njeh ligji ka dalë me këtë vendim mbështetur në nenet 19 dhe 20 të ligjit 9920 datë 19.05.2008 "Për Procedurat Tatimore" dhe në ligjin 8549, datë 11.11.1999 "Statusi i Nënpunësit Civil", urdhërin e Kryeministrit nr.130, datë 06.11.2012 "Për miratimin e strukturës organizative dhe numrit të punonjësve të administratës tatimore qëndrore" si dhe urdhërin nr.70, datë 13.12.2012 të Ministrit të Financave "Për miratimin e organigramës së punonjësve të administratës tatimore qëndrore",
-
Vendimi i Drejtorit të Përgjithshem të Tatimeve është marrë brenda kompetencave të autoritetit epror dhe në përputhje me formën dhe procedurën e kërkuar nga ligji. Neni 13 i ligjit 9920 "Për Procedurat Tatimore" i ndryshuar saktëson: në përbërje të adminisratës tatimore qëndrore janë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoritë Rajonale dhe njësitë e tjera të saj. Gjithashtu në kuptim të nenit 14 Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve është titullari i administratës tatimore qëndrore. Ai kryen detyrat e përcaktuara në ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi.
-
Me urdhërin të Kryeministrit nr.130, datë 06.11.2012 "Për miratimin e strukturës organizative dhe numrit të punonjësve të administratës tatimore qëndrore" si dhe urdhërin nr.70, datë 13.12.2012 të Ministrit të Financave "Për miratimin e organigramës së punonjësve të administratës tatimore qëndrore" është miratuar struktura e administratës tatimore qëndrore e cila në vetvete ka pasur mjaft ndryshime nga struktura dhe organigrama e mëparshme. Bazuar në nenin 22 pika 2/c të ligjit nr.9920, datë 18.05.2008 "Për procedurat tatimore në RSH", i ndryshuar, është titullari i institucionit që me nismën e tij, gjykon dhe vendos për largimin nga shërbimi civil të punonjësve.
-
Vendimi i Komisionit të Shërbimit Civil është marrë në interpretim të gabuar të ligjit dhe gjendjes së faktit ndaj bazuar në nenin 8/3 të Ligjit 8549, datë 11.11.1999 "Statusi i Nenpunesit Civil" kërkojmë lënien në fuqi të vendimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve si të bazuar tërësisht në ligj dhe prova.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin e gjyqtares Arjana Fullani dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Siç rezulton nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, paditësja Silvana Zhupa, ka filluar punë në administratën tatimore, në Prill të vitit 1997, në detyrën Inspektore e Dytë në Sektorin e Përpunimit, Vlerësimit dhe Kontabilitetit të të Ardhurave, në Drejtorinë e Menaxhimit, në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë.
2. Me vendimin nr.913 datë 28.02.2013 "Për lirim nga detyra", të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, paditësja është liruar nga detyra.
3. Nga përmbajtja e këtij vendimi, rezulton se një veprim i tillë i Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, është ndërmarrë për arsye të miratimit të strukturës së re të administratës tatimore me urdhërin nr.130 datë 06.11.2012 të Kryeministrit "Për miratimin e strukturës organizative dhe numrit të punonjësve të administratës tatimore qëndrore".
4. Vendi i punës së paditëses, Sektori i Përpunimit, Vlerësimit dhe Kontabilitetit të të Adhurave, ka qënë i organizuar brenda Drejtorisë së Përpunimit dhe Menaxhimit të të Ardhurave me 67 punonjës gjithsej, nga të cilët, 1 drejtor, 4 përgjegjësa, 20 inspektorë të parë dhe 42 inspektorë të dytë, ndërkohë që me strukturën e re sipas urdhërit nr.130 datë 06.11.2012 të Kryeministrit, ky sektor është organizuar brenda Drejtorisë së Vlerësimit të të Ardhurave Tatimore dhe është ndarë në dy sektorë, Sektori i Përpunimit të Deklaratave dhe Vlerësimit me 67 punonjës, nga të cilët 4 përgjegjës, 21 inspektorë të parë dhe 42 inspektorë të dytë, dhe Sektori i Kontabilitetit të të Ardhurave, me 14 punonjës të tjerë, nga të cilët 1 përgjegjës, 3 inspektorë të parë dhe 10 inspektorë të dytë. Pra rezulton që numri i inspektorëve të dytë ishte 42 dhe ka mbetur 42.
5. Kundër vendimit nr.913 datë 28.02.2013 të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve "Për lirim nga detyra" paditësja i është drejtuar Komisionit të Shërbimit Civil.
6. Komisioni i Shërbimit Civil, me vendimin nr.60, datë 17.04.2013, ka vendosur:
“Pranimin e ankesës së zj.Silvana Zhupa.
Shfuqizimin e vendimit nr.913 datë 28.02.2013 të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve "për lirim nga detyra",
Rikthimin e ankueses në pozicionin e mëparshëm, inspektore e dytë në Sektorin e Përpunimit, Vlerësimit dhe Kontabilitetit të të Ardhurave, në Drejtorinë e Menaxhimit të të Ardhurave, në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë.
Detyrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, t’i paguajë ankueses pagën e plotë, për periudhën e qëndrimit pa punë, nga momenti i ndërprerjes e deri në ekzekutimin e plotë të këtij vendimi”.
6.1. Arsyetimi i K.SH.C:“Nga dokumentacioni i paraqitur nga ana e përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ka rezultuar që të mos jetë zbatuar procedura e duhur ligjore, sipas së cilës rregullohet procesi i ristrukturimit të institucionit. Me konkretisht nuk ka një analizë të detajuar të nevojave për ristrukturim, nuk ka përshkrime të reja të vendeve të punes për pozicione të reja të krijuara dhe në këto kushte nuk mund të ketë krahasim të përshkrimeve të vendeve të reja të krijuara me ato të vjetrat. Po kështu nuk ka as krahasim të vlerësimeve të punës për punonjësit e liruar dhe ata të mbajtur në punë, madje në një vështrim të përgjithshëm rezulton që të jenë liruar nga detyra punonjësit me përvojë më të gjatë në administratë tatimore. Nga sa më sipër, rezulton që ristrukturimi i institucionit të jetë bërë pa u mbështetur në nenin 23 të ligjit nr.8549 datë 11.11.1999 "Statusi i nëpunësit civil".
Rezulton se ankuesja është liruar nga detyra Inspektore e Dytë në Sektorin e Përpunimit, Vlerësimit dhe Kontabilitetit të të Ardhurave, në Drejtorinë e Menaxhimit, në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, duke u liruar njëkohesisht edhe nga shërbimi civil. Nga krahasimi i dy strukturave, pra asaj të mëparëshmes dhe asaj të miratuar me urdhërin nr.130 datë 06.11.2012 të Kryeministrit, konstatojmë se Sektori i Përpunimit, Vlerësimit dhe Kontabilitetit të të Adhurave, ka qënë i organizuar brenda Drejtorisë së Përpunimit dhe Menaxhimit të të Ardhurave me 67 punonjës gjithsej, nga të cilët, 1 drejtor, 4 përgjegjesa, 20 inspektorë të parë dhe 42 inspektorë të dytë, ndërkohe që me strukturën e re, ky sektor është organizuar brenda Drejtorisë së Vlerësimit të të Ardhurave Tatimore dhe është ndarë në dy sektore, Sektori i Përpunimit të Deklaratave dhe Vlerësimit me 67 punonjës, nga të cilët 4 përgjegjës, 21 inspektorë të parë dhe 42 inspektorë të dytë, dhe Sektori i Kontabilitetit të të Ardhurave, me 14 punonjës të tjerë, nga të cilët 1 përgjegjës, 3 inspektorë të parë dhe 10 inspektorë të dytë. Pra sikurse mund të shihet, jo vetëm që nuk ka shkurtim real të numrit të punonjësve të këtij sektori, por nga ndarja që i është bërë këtij sektori, rezulton që të ketë shtim të numrit të përgjithshëm të punonjësve me 14 vetë. Pavarësisht kësaj, edhe sikur kjo shtesë të mos llogaritej. Nga krahasimi i dy strukturave, rezulton që numri i inspektorëve të dytë ishte 42 dhe ka mbetur 42.
Në këto kushte, në zbatim të nenit 23 të ligjit nr.8549 datë 11.11.1999 "Statusi i nëpunësit civil", VKM nr.360 datë 14.07.2000 "Për lirimin nga shërbimi civil", pika 8, 9 dhe 10, shkurtimet apo ndryshimet, duhet të prekin ata punonjës, pozicionet e të cilëve shkurtohen apo ndryshojnë dhe jo punonjës të tjerë, sikurse ka ndodhur në rastin e ankueses.
Në kushtet e mësipërme, akti i lirimit nga shërbimi civil i nxjerrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, është nxjerrë në kundërshtim me kërkesat dhe përcaktimet e ligjit”.
7. Kundër këtij vendimi është ushtruar e drejta e ankimit nga pala e paditur në Gjykatën e Apelit Tiranë.
8. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.108, datë 03.12.2013, ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr.60, datë 17.04.2013 të Komisionit të Shërbimit Civil”.
8.1. Arsyetimi i gjykatës: “I njëtë me të Komisionit të Shërbimit Civil”.
9. Kundër vendimit nr.108, datë 03.12.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs, pala e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila kërkon prishjen e vendimit të Komisionit të Shërbimit Civil dhe vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe lënien në fuqi të vendimit të Drejtorit të Përgjthshëm të Tatimeve për ankuesen Silvana Zhupa, duke parashtruar shkaqet e pasqyruar në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
10. Dispozitat e ligj nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
10.1 Neni 1/2: “Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe”.
10.2 Neni 17/2: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
10.3. Neni 54: “Gjykata Administrative e Apelit prish vendimin e gjykatës administrative të shkallës së parë dhe ia dërgon çështjen organit kompetent për rigjykim kur: a) gjykata administrative e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën lëndore dhe funksionale....”.
11. Kodi i Procedurës Civile,
11.1. Neni 467: “Gjykata e apelit prish vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe e dërgon çështjen për rigjykim kur:
a) gjykata e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën...”
12. Ligji nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
13. Se rekursi i paraqitur nga i padituri Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve përmban shkaqe ligjore që motivojnë cënimin e vendimit nr.108, datë 03.12.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë me të cilin është vendosur lënia në fuqi e vendimit nr.60, datë 17.04.2013 të Komisionit të Shërbimit Civil.
14. Kolegji Administrativ, pas shqyrtimit të akteve procedurale që ndodhen në dosjen gjyqësore, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve të palëve të parashtruara në këto akte, vendimit të gjykatës dhe parashtrimeve të rekursit, në interpretim të dispozitave ligjore të zbatueshme për rastin konkret, arrin në konkluzionin se vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit Tiranë është marrë në shkelje të ligjit procedural, në kushtet kur kjo gjykatë ka shkelur dispozitat ligjore për kompetencën lëndore. Prandaj, për këtë motiv thelbësor, vendimi i dhënë prej saj duhet të prishet e çështja të dërgohet për gjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
15. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar drejtë ose jo. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve për të cilat është paraqitur rekurs.
16. Në analizë të akteve dhe provave të administruara në dosjen gjyqësore rezulton se paditësja Amantia Hajdini me padi i është drejtuar Komisionit të Shërbimit Civil, duke kërkuar anullimin e aktit administrativ të largimit nga shërbimi civil dhe rikthimin në vendin e mëparshëm të punës pranë Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Komisioni i Shërbimit Civil ka vendosur të pranojë ankimin e paditëses të shfuqizojë aktin e largimit nga shërbimi civil dhe kthimin e ankueses në pozicionin e mëprashëm të punës.
17. Gjykata e Apelit Tiranë, në përfundim të gjykimit ka vendosur të lerë në fuqi vendimin e Komisionit të Shërbimit Civil. Vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë është shpallur në datën 03.12.2013.
18. Në rastin konkret nga objekti i gjykimit, akti që kundërshtohet në këtë gjykim, si dhe nga shkaku ligjor i kërkimeve të palës paditëse, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konstaton se natyra e çështjes në gjykim është administrative.
19. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë pa i hyrë zgjidhjes në themel të çështjes konstaton se nga Gjykata e Apelit Tiranë janë lejuar shkelje të ligjit procedural që lidhen me kompetencën lëndore të gjykatës për të gjykuar çështjen, të cilat pasjellin zhvillimin e një procesi jo të rregullt ligjor.
20. Kolegji thekson se në datën 04.11.2013 kanë filluar funksionimin gjykatat administrative, veprimtaria dhe kompetenca e të cilave është përcaktuar në ligjin e posaçëm nr.49, datë 03.05.2012 "Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative". Për rrjedhim prej kësaj date të gjitha çështjet administrative janë në kompetencë, duhet të gjykohen dhe të jepet vendimi nga gjykatat administrative pavarësisht se çështja objekt shqyrtimi është rregjistruar dhe ka qënë në gjykim, para datës 04.11.2013,.
21. Gjykata e Apelit Tiranë nuk e ka konstatuar mungesën e kompetencës lëndore për shqyrtimin e çështjes dhe ka dhënë një vendim të pabazuar në ligj duke sjellë si pasojë zgjidhjen e çështjes nga gjykata jo kompetente nga pikëpamja lëndore.
22. Çështja e kompetencës konsiderohet e një rëndësie të veçantë në respektim të zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor. Gjykata në çdo shkalle gjykimi ka të drejtë të marrë në shqyrtim dhe të vendosë në lidhje me kompetencën e saj lëndore apo tokësore përpara se të gjykojë çështjet që i paraqiten nga palët për shqyrtim. Kjo e drejtë e gjykatës për të vepruar edhe kryesisht është e lidhur drejtpërsëdrejti me zbatimin dhe respektimin e parimit të një procesi të rregullt ligjor të sanksionuar në nenin 42/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në nenin 6 të KEDNJ. Nëse një gjykatë nuk ka juridiksion/kompetencë për të gjykuar çështjen objekt shqyrtimi, në përputhje me dispozitat që zbatohen sipas legjislacionit përkatës nuk mund të kryejë asnjë veprim procedural.
23. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson të nënvizojë se, në kuptimin e së drejtës procedurale, kompetenca lëndore është një kusht i domosdoshëm procedural, që bën të vlefshëm procesin gjyqësor, si dhe të gjitha aktet e marra në administrim gjatë zhvillimit të tij, në kuptimin që një gjykatë jokompetente nuk mund të kryejë asnjë veprimtari procedurale dhe një gjykatë jokompetente duhet të deklarojë moskompetencën e saj, (neni 61 K.Pr.Civile, neni 7 i Ligjit 49/2012).
24. Ndarja e kompetencës, është përcaktuar qartë në Ligjin nr.9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, në Ligjin nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykata administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” dhe në Kodin e Procedures Civile.
25. Mbështetur sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin ne përfundimin se moskompetenca për zgjidhjen e çështjes përbën shkelje të rëndë procedurale, e cila ndikon drejtpërsëdrejti në dhënien e vendimit në kuptimin që, mosrespektimi i kompetencës lëndore e bën vendimin gjyqësor absolutisht të pavlefshëm. Gabimet në procedim, të cilat parashikohen në nenin 467/a të K.Pr.Civile dhe në nenin 54 të ligjit nr.49/2012, shqyrtohen nga gjykata edhe kryesisht, pikërisht për shkak të efektit të drejtpërdrejtë që ato kanë në vendimin e dhënë.
26. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson të theksojë se në çështjen objekt gjykimi, nuk mund të marrë në shqyrtim dhe të analizojë zbatimin e ligjit material, nëse ligji është zbatuar drejtë apo jo nga gjykatat e faktit.
27. Për sa më sipër, në kushtet kur Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konstaton se Gjykata e Apelit Tiranë kanë lejuar shkelje procedurale, vlerëson se vendimi nr.108, datë 03.12.2013 i Gjykatës së Apelit Tiranë duhet të prishet dhe çështja t’i dërgohet Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë si gjykatë kompetente për shqyrtimin e çështjes.
28. Gjykata e Administrative e Apelit është kompetente nga pikëpamja lëndore dhe tokësore për gjykimin e çështjes bazuar në vendimin unifikues nr.3, datë 06.12.2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, ligjin nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” dhe Dekretin nr.7818, datë 16.11.2012 të Presidentit të Republikës.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63 të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.108, datë 03.12.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
Tiranë, më 01.03.2016
Nr. 31001-03606-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2016 - 592 i Vendimit (139)
Do'stlaringiz bilan baham: |