VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Medi Bici Anëtar
Evelina Qirjako Anëtare
mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 01.03.2016, çështjen administrative që i përket:
PADITËSE: AMANTIA HAJDINI
E PADITUR: KOMISIONERI PËR MBROJTJEN E TË DHËNAVE PERSONALE
OBJEKTI:
Shfuqizimin e aktit nr.3, datë 04.09.2013
Këshilltar- D.Rregjistrimit të Komisionerit
për Mbrojtjen e të Dhënave Personale,
vendim për dhënie mase disiplinore "Largim nga shërbimi civil".
Shfuqizimin e urdhërit nr.156, datë 04.09.2013 të Komisionerit
për Mbrojtjen e të Dhënave Personale
për lirim nga shërbimi civil dhe ndërprerje të marrëdhënieve financiare.
Kthimin në vendin e mëparshëm të punës si dhe pagimin e plotë të pagës
duke filluar nga momenti i ndërprerjes së marrëdhënieve financiare
deri në rikthimin në punë.
Baza Ligjore: Neni 25/4 e ligjit nr.8549, datë 11.11.1999,
“Statusi i nëpunësit civil”.
Komisioni i Sherbimit Civil me vendimin nr.202, datë 27.09.2013, ka vendosur:
Pranimin e ankesës se znj.Amantia Hajdini.
Shfuqizimin e aktit nr.3, datë 04.09.2013 të Këshilltar-D.rregjistrimit të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për dhënie mase disiplinore "Largim nga shërbimi civil", si të pabazuar në ligj e në prova.
Shfuqizimin e urdhërit nr.156, datë 04.09.2013 të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për ndërprerjen e marrëdhënieve financiare, kthimin e ankueses në pozicionin e punës specialiste në Drejtorinë e Rregjistrimit pranë Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe pagimin e pagës për të gjithë kohën, duke filluar nga momenti i ndërprerjes së marrëdhënieve financiare, deri në zbatimin e këtij vendimi.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.129, datë 05.12.2013, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Shërbimit Civil me nr.202 datë 27.09.2013”.
Kundër vendimit nr.129, datë 05.12.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili kërkon prishjen e vendimit nr.129, datë 05.12.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën Administrative të Apelit, duke parashtruar këto shkaqe:
-
Vendimi i Komisionit të Shërbimit Civil dhe i Gjykatës së Apelit është dhënë në interpretim të gabuar të ligjit material dhe procedurial.
-
Kemi moskryerje të detyrës nga punonjësi i shërbimit civil.
-
Në asnjë provë dhe deklarim të Znj.Hajdini gjatë shqyrtimit të ankesës të saj në KSHC dhe të ankimit në Gjykatën e Apelit Tiranë, nuk vihet në dyshim fakti se ajo nuk kishte dijeni për detyrën e ngarkuar për praktikën që do të shqyrtohej nga ana e saj. Znj.Hajdini duke qënë në pozicionin e specialistes në Drejtorinë e Rregjistrimit është nëpunës civil i rolit "ekzekutues ", që do të thotë se urdhrat që i jepen për t'u zbatuar duhet të zbatohen pavaresisht formës se si janë formuluar apo dhënë ( me shkrim apo me gojë) , pasi nuk jemi ne rastin e zbatimit të një urdhri të paligjshëm të cilin nëpunësi civil mund ta kundershtoje mbështetur në nenin 19.
-
Komisioneri ka paraqitur si provë për këtë fakt proces-verbalin nr.prot 1035/2 mbajtur më datë 03.09.2013 i cili është firmosur nga znj.Hajdini pa asnjë pretendim, në të cilin thuhet shprehimisht se paditësja pranon se nuk ka kryer detyrën për dhënien e mendimit lidhur me një shkresë të ardhur për trajtim në Zyrën e Komisionerit me nr.prot.1029, datë 19.08.2013.
-
Kemi braktisje të vendit të punës nga nënpunësi civil pasi ankuesja ka filluar lejen e pjesshme të vitit 2013, pa miratimin e titullarit të institucionit sipas procesverbalit nr.1035/2 datë 03.09.2013.
-
Kemi mashtrim në shërbimin civil. Paditësja nuk është paraqitur duke u justifikuar se ndodhej në Borsh dhe se ka marrë raport mjekësor për fëmijën që e la të sëmurë. Ndërkohë që raporti është lëshuar nga mjeku në qendrën shëndetësore nr.1 Tiranë me arsyetimin se znj.Hajdini nuk është në gjendje të mirë shëndetësore për punë.
-
Kemi mungesë pa arsye në punë. As pas mbarimit të raportit mjekësor në datë 02.09.2013 nuk është paraqitur në punë.
-
Fakte të reja kanë ngjarë pas largimit nga detyra të znj.Hajdini. Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka informuar trupin gjykues të Gjykatës së Apelit Tiranë edhe për faktet e reja që dolën në dritë pas largimit të znj.Hajdini e cila në momentin që ka bërë dorëzimin e detyrës ka rezultuar me 72 praktika /njoftime të kontrolluesve për t’u shqyrtuar) të pa plotësuara.
-
Gjykata e Apelit Tiranë kishte si detyrë të vetme të dërgonte çështjen për gjykim në Gjykatën e Apelit Administrativ, sipas ligjit të posaçëm për shqyrti min e këtyre çështjeve nr.49/2012 "Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative". Gjatë shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Apelit Tiranë të gjitha argumentet dhe provat që administroheshin në dosje të ofruara nga Komisioneri nuk u vlerësuan dhe me vendimin e saj kjo gjykatë la në fuqi vendimin e KSHC vendim i cili është marrë në kundërshtim të plotë me ligjin dhe procedurat përkatëse.
-
Komisioneri ka depozituar provat shkresore ku ankuesja vërteton me firmën e saj se nuk ka kryer detyrën, ka shkuar në lejen vjetore pa marrë aprovimin e punëdhënësit, ka marrë nje raport mjekësor duke mashtruar, nuk është paraqitur në punë pa asnjë arsye pas mbarimit të raportit.
-
Vendimi i Gjykates së Apelit Tiranë ka shkelje të rënda të normave procedurale, me pasojë pavlefshmërinë e vendimit apo të procedurës së gjykimit kjo bazuar në nenin 58/b të ligjit 49/2012.
-
Referuar ligjit nr.49/2012 "Per Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative", i cili ka hyrë në fuqi më datë 04.11.2013 dhe vendimin Unifikues nr.3, datë 06.12.2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, Gjykata Apelit Tiranë nuk duhej të shqyrtonte këtë çështje, pasi nuk ishte më në kompetencë të saj. Përfundimisht, bazuar në nenin 63/c të ligjit nr.49, datë 03.05.2012 "Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative", Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, kërkon nga Gjykata e Lartë Administrative Tiranë, që vendimi nr.129 i Gjykatës së Apelit Tiranë të prishet dhe çështja të dërgohet për rigjykim në Gjykatën Administrative të Apelit sipas ligjit të posaçëm për shqyrtimin e këtyre çështjeve.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin e gjyqtares Arjana Fullani dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Siç rezulton nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, paditësja Amantia Hajdini me vendimin nr.115 prot., datë 28.12.2009 të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është emëruar në detyrën specialiste në Drejtorinë e Rregjistrimit pranë Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
2. Me Shkresën e eprorit direkt nr.115/2 prot., datë 24.01.2011 është bërë konfirmimi i paditëses si nëpunës civil në këtë detyre në përfundim të periudhës së provës.
3. Me shkresen nr.1035 prot., datë 29.08.2013 ka filluar ecuria disiplinore për paditësen, e iniciuar nga Këshilltari i Komisioneres
4. Me vendimin nr.3, datë 04.09.2013 të eprorit direkt është marrë masa disiplinore "Largim nga shërbimi civil". Këto veprime janë kryer po nga Këshilltari i Komisioneres, të cilit me shkresën nr.154, datë 28.08.2013 të titullarit i janë deleguar përkohësisht të gjitha funksionet ligjore të Drejtorisë së Rregjistrimit (eprorja direkte e paditëses).
5. Me urdhrin nr.156, datë 04.09.2013 të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është vendosur lirimi nga sherbimi civil si dhe ndërprerja e marrëdhënieve të punës pasi ndaj paditëses është marre masa disiplinore largim nga sherbimi civil (sipas aktit nr.3, datë 04.09.2013 të eprorit direkt).
6. Duke mos qënë dakord me këtë akt për marrjen e masës disiplinore largim nga shërbimi civil, paditësja brenda afateve ligjore ka paraqitur ankim në Komisionin e Shërbimit Civil.
7. Komisioni i Sherbimit Civil me vendimin nr.202, datë 27.09.2013, ka vendosur: “Pranimin e ankesës se znj.Amantia Hajdini.
Shfuqizimin e aktit nr.3, datë 04.09.2013 të Këshilltar-D.rregjistrimit të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për dhënie mase disiplinore "Largim nga shërbimi civil", si të pabazuar në ligj e në prova.
Shfuqizimin e urdhërit nr.156, datë 04.09.2013 të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për ndërprerjen e marrëdhënieve financiare, kthimin e ankueses në pozicionin e punës specialiste në Drejtorinë e Rregjistrimit pranë Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe pagimin e pagës për të gjithë kohën, duke filluar nga momenti i ndërprerjes së marrëdhënieve financiare, deri në zbatimin e këtij vendimi”.
7.1 Arsyetimi i K.SH.C: “Nga analiza e mënyrës së zhvillimit të procedurës së ecurisë disiplinore, konstatohet se, pavarësisht një farë nxitimi që vërehet në kryerjen e veprimeve, në thelb institucioni i ka kryer detyrimet ligjore për të vënë në dijeni ankuesen për ecurinë disiplinore, ka kërkuar shpjegimet e saj për këtë ecuri dhe në fund e ka vënë në dijeni për masën e marrë, duke realizuar në këtë mënyrë qëllimin e ligjit.
Duke i hyrë çështjes në themel vëmë re se masa disiplinore është marrë per dy shkaqe konkrete: Së pari, pretendohet se ankuesja nuk ka kryer detyrën lidhur me trajtimin e shkresës (informacion) nr.1029 prot., datë 19.08.2013 të ardhur në Zyrën e Komisionerit nga Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun dhe së dyti, pretendohet se ankuesja ka filluar lejen e pjesshme të vitit 2013, pa miratimin e titullarit të institucionit. Nga analiza e fakteve që lidhen me të dy shkaqet e pretenduara është provuar se: Është e vërtetë që ka patur një informacion nga Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun, për një shkelje të ligjit për të dhënat e konstatuara në faqen on-line "stoprrenimit.com" por, mbi këtë shkresë, ka një shënim (urdhër pune) nga Këshilltari i Komisioneres nga përmbajtja e të cilit rezulton se, detyra për trajtimin e këtij informacioni i është lënë drejtores, znj.M.Hila dhe jo ankueses dhe specialistes tjetër që ishin të pranishme. Në kushtet kur, drejtoresha, për arsyet e veta nuk ishte në punë, specialistet nuk kishin autoritetin dhe përgjegjësinë për të kryer një detyrë që i ishte ngarkuar eprores së tyre, pa marrë porosi zyrtare nga eprorët, sipas linjes së hierarkisë. Pra, ankuesja nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi disiplinore për moskryerije të një detyre e cila nuk i ishte ngarkuar në mënyrë eksplicite asaj.
Edhe pretendimi tjetër se ankuesja ka thyer disiplinën duke filluar lejen e pjesshme vjetore të vitit 2013, pa miratimin e titullarit të institucionit, nuk qëndron. Nga analiza e akteve të administruara konstatohet se, në fakt ankuesja nuk ka munguar në punë, në datat e përmendura në akt, për shkak të fillimit të lejes vjetore, por për shkaqe shëndetësore. Është rastësi që njësia e burimeve njerëzore i ka filluar procedurat për fillimin e lejes së ankueses në të njëjtën ditë që ankuesja për arsye shëndetësore nuk është paraqitur në punë. Nga materialet e administruara rezulton se, mungesa e ankueses prej disa ditësh (nga data 26.08.2013 deri në datën 30.08.2013) është për shkaqe shëndetësore dhe jo për arsye të fillimit të lejes së zakonshme, gjë e cila provohet me raportin për paaftësi të përkohëshme në punë të lëshuar nga Qendra Shëndetësore nr.1, Tiranë. Fakti që raportin e dorëzoi pasi u paraqit në punë nuk mund të përbëjë shkak për marrje mase disiplinore, pasi ankuesja ka njoftuar me telefon njësinë e personelit, për mosparaqitje në punë”.
8. Kundër këtij vendimi është ushtruar e drejta e ankimit nga pala e paditur në Gjykatën e Apelit Tiranë.
9. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.129, datë 05.12.2013, ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr.202 datë 27.09.2013 të Komisionit të Shërbimit Civil”.
9.1. Arsyetimi i gjykatës: “I njëjtë me të KSHC”.
10. Kundër vendimit nr.129, datë 05.12.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili kërkon prishjen e vendimit nr.129, datë 05.12.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën Administrative të Apelit, duke parashtruar shkaqet e pasqyruar në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
11. Dispozitat e ligj nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
11.1 Neni 1/2: “Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe”.
11.2 Neni 17/2: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
11.3. Neni 54: “Gjykata Administrative e Apelit prish vendimin e gjykatës administrative të shkallës së parë dhe ia dërgon çështjen organit kompetent për rigjykim kur: a) gjykata administrative e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën lëndore dhe funksionale....”.
12. Kodi i Procedurës Civile,
12.1. Neni 467: “Gjykata e apelit prish vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe e dërgon çështjen për rigjykim kur:
a)gjykata e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën...”
13. Ligji nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
14. Se rekursi i paraqitur nga i padituri Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale përmban shkaqe ligjore që motivojnë cënimin e vendimit nr.129, datë 05.12.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë me të cilin është vendosur lënia në fuqi e vendimit nr.202 datë 27.09.2013 të Komisionit të Shërbimit Civil.
15. Kolegji Administrativ, pas shqyrtimit të akteve procedurale që ndodhen në dosjen gjyqësore, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve të palëve të parashtruara në këto akte, vendimit të gjykatës dhe parashtrimeve të rekursit, në interpretim të dispozitave ligjore të zbatueshme për rastin konkret, arrin në konkluzionin se vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit Tiranë është marrë në shkelje të ligjit procedural, në kushtet kur kjo gjykatë ka shkelur dispozitat ligjore për kompetencën lëndore. Prandaj, për këtë motiv thelbësor, vendimi i dhënë prej saj duhet të prishet e çështja të dërgohet për gjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
16. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar drejtë ose jo. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve për të cilat është paraqitur rekurs.
17. Në analizë të akteve dhe provave të administruara në dosjen gjyqësore rezulton se paditësja Amantia Hajdini me padi i është drejtuar Komisionit të Shërbimit Civil, duke kërkuar anullimin e aktit administrativ të largimit nga shërbimi civil dhe rikthimin në vendin e mëparshëm të punës pranë Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Komisioni i Shërbimit Civil ka vendosur të pranojë ankimin e paditëses të shfuqizojë aktin e largimit nga shërbimi civil dhe kthimin e ankueses në pozicionin e mëparshëm të punës.
18. Gjykata e Apelit Tiranë, në përfundim të gjykimit ka vendosur të lerë në fuqi vendimin e Komisionit të Shërbimit Civil. Vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë është shpallur në datën 05.12.2013.
19. Në rastin konkret nga objekti i gjykimit, akti që kundërshtohet në këtë gjykim, si dhe nga shkaku ligjor i kërkimeve të palës paditëse, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konstaton se natyra e çështjes në gjykim është administrative.
20. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë pa i hyrë zgjidhjes në themel të çështjes konstaton se nga Gjykata e Apelit Tiranë janë lejuar shkelje të ligjit procedural që lidhen me kompetencën lëndore të gjykatës për të gjykuar çështjen, të cilat pasjellin zhvillimin e një procesi jo të rregullt ligjor.
21. Kolegji thekson se pretendimi i palës rekursuese, që vendimi është dhënë nga gjykata jo kompetente nga pikëpamja lëndore, është i bazuar. Në datën 04.11.2013 kanë filluar funksionimin gjykatat administrative, veprimtaria dhe kompetenca e të cilave është përcaktuar në ligjin e posaçëm nr.49, datë 03.05.2012 "Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative". Për rrjedhim prej kësaj date të gjitha çështjet administrative janë në kompetencë, duhet të gjykohen dhe të jepet vendimi nga gjykatat administrative pavarësisht se çështja objekt shqyrtimi është rregjistruar dhe ka qënë në gjykim, para datës 04.11.2013,.
22. Gjykata e Apelit Tiranë nuk e ka konstatuar mungesën e kompetencës lëndore për shqyrtimin e çështjes dhe ka dhënë një vendim të pabazuar në ligj duke sjellë si pasojë zgjidhjen e çështjes nga gjykata jo kompetente nga pikëpamja lëndore.
23. Çështja e kompetencës konsiderohet e një rëndësie të veçantë në respektim të zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor. Gjykata në çdo shkalle gjykimi ka të drejtë të marrë në shqyrtim dhe të vendosë në lidhje me kompetencën e saj lëndore apo tokësore përpara se të gjykojë çështjet që i paraqiten nga palët për shqyrtim. Kjo e drejtë e gjykatës për të vepruar edhe kryesisht është e lidhur drejtpërsëdrejti me zbatimin dhe respektimin e parimit të një procesi të rregullt ligjor të sanksionuar në nenin 42/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në nenin 6 të KEDNJ. Nëse një gjykatë nuk ka juridiksion/kompetencë për të gjykuar çështjen objekt shqyrtimi, në përputhje me dispozitat që zbatohen sipas legjislacionit përkatës nuk mund të kryejë asnjë veprim procedural.
24. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson të nënvizojë se, në kuptimin e së drejtës procedurale, kompetenca lëndore është një kusht i domosdoshëm procedural, që bën të vlefshëm procesin gjyqësor, si dhe të gjitha aktet e marra në administrim gjatë zhvillimit të tij, në kuptimin që një gjykatë jokompetente nuk mund të kryejë asnjë veprimtari procedurale dhe një gjykatë jokompetente duhet të deklarojë moskompetencën e saj, (neni 61 K.Pr.Civile, neni 7 i Ligjit 49/2012).
25. Ndarja e kompetencës, është përcaktuar qartë në Ligjin nr.9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, në Ligjin nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykata administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” dhe në Kodin e Procedurës Civile.
26. Mbështetur sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin ne përfundimin se moskompetenca për zgjidhjen e çështjes përbën shkelje të rëndë procedurale, e cila ndikon drejtpërsëdrejti në dhënien e vendimit në kuptimin që, mosrespektimi i kompetencës lëndore e bën vendimin gjyqësor absolutisht të pavlefshëm. Gabimet në procedim, të cilat parashikohen në nenin 467/a të K.Pr.Civile dhe në nenin 54 të ligjit nr.49/2012, shqyrtohen nga gjykata edhe kryesisht, pikërisht për shkak të efektit të drejtpërdrejtë që ato kanë në vendimin e dhënë.
27. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson të theksojë se në çështjen objekt gjykimi, nuk mund të marrë në shqyrtim dhe të analizojë zbatimin e ligjit material, nëse ligji është zbatuar drejtë apo jo nga gjykatat e faktit.
28. Për sa më sipër, në kushtet kur Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konstaton se Gjykata e Apelit Tiranë kanë lejuar shkelje procedurale, vlerëson se vendimi nr.129, datë 05.12.2013 i Gjykatës së Apelit Tiranë duhet të prishet dhe çështja t’i dërgohet Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë si gjykatë kompetente për shqyrtimin e çështjes.
29. Gjykata e Administrative e Apelit është kompetente nga pikëpamja lëndore dhe tokësore për gjykimin e çështjes bazuar në vendimin unifikues nr.3, datë 06.12.2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, ligjin nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” dhe Dekretin nr.7818, datë 16.11.2012 të Presidentit të Republikës.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63 të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.129, datë 05.12.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
Tiranë, më 01.03.2016
Nr. 11241-02101-00-2011 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-2051 i Vendimit (129)
Do'stlaringiz bilan baham: |