VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Edmond Islamaj Kryesues
Guxim Zenelaj Anëtar
Shkëlzen Selimi Anëtar
Artan Zeneli Anëtar
Tom Ndreca Anëtar
në seancën gjyqësore të datës 01.03.2016, mori në shqyrtim çështjen penale që i përket:
KËRKUES: PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË PËR KRIME TË RËNDA
I GJYKUAR: ARDIAN RRUSTEMI (dtl.1969)
A K U Z U A R:
Për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të narkotikëve”,
kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë,
parashikuar nga N.283/a/2-22 të K.Penal.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, me vendimin nr.6, datë 15.01.2014 ka vendosur:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Ardian Rrustemi për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” në bashkëpunim, të mbetur në tentativë, parashikuar nga nenet 283/a/2 e 22 të K.Penal dhe dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.
Në bazë të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, të pandehurit Ardian Rrustemi i ulet një e treta e dënimit dhe dënohet përfundimisht me 8 (tetë) vjet burgim.
Vuajtja e dënimit të pandehurit i fillon nga dita e arrestimit në flagrancë, datë 21.05.2013.
Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, me vendimin nr.18, datë 07.03.2014 ka vendosur:
Ndryshimin e vendimit nr.6 datë 15.01.2014 të Gjykatës së Shkallës Parë për Krime të Rënda Tiranë, si më poshtë:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Ardian Rrustemi për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” të mbetur në tentativë, parashikuar nga nenet 283/a/l e 22 të K.Penal dhe dënimin e tij me 9 (nëntë) vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i pandehuri Ardian Rrustemi dënohet përfundimisht me 6 (gjashtë) vjet burgim.
Lënien në fuqi të vendimit nr.6 datë 15.01.2014 të Gjykatës së Shkallës Parë për Krime të Rënda Tiranë në pjesët e tjera të tij.
Kundër vendimit të mësipërm ka ushtruar rekurs Prokurori pranë Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda, i cili kërkon prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, duke parashtruar këto pretendime:
-
Vendimi i Gjykatës së Apelit është rrjedhojë e zbatimit të gabuar dhe mosrespektimit të ligjit material e procedurial penal.
-
Nga rrethanat e faktit në të cilat bazohet vendimi i gjykatës së faktit provohet plotësisht se i gjykuari në rolin e eksportuesit është përfshirë në veprimtarinë kriminale të trafikimit të lëndës narkotike të kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë.
-
Nga provat e administruara në këtë gjykim, rezulton se vepra penale e trafikimit të narkotikëve është kryer me pjesëmarrjen e më shumë se një personi, pra me pjesëmarrjen e të pandehurit Ardian Rrustemi dhe personave të tjerë të paidentifikuar.
-
Duke ju referuar kqyrjes së aparatit celular të përdoruar nga i gjykuari ky numur figuron i regjistruar në memorien e telefonit të tij me gërmen “X” dhe që gjendet i shënuar edhe në letrën A4 që iu sekuestrua në automjetin e tij, pa përjashtuar këtu edhe pjesëmarrjen e personave të tjerë të paidentifikuar.
-
Me të drejtë gjykata arrin në këtë përfundim duke vlerësuar në tërësi dhe jo të shkëputura nga njëra-tjetra përmbajtjen e të gjitha komunikimeve të sipërcituara mes të pandehurit Ardian Rrustemi me personin e paidentifikuar që përdor numrin celular 0697624740 dhe mes këtij të fundit me personin tjetër të paidentifikuar qe përdor numrin celular 0697624539, të lidhura edhe me provat e tjera të çështjes.
-
Në këtë rast, fakti i pjesëmarrjes në kryerjen e veprës penale minimalisht edhe të një personi tjetër (personi i paidentifikuar që përdor numrin celular 0697624740) krahas të pandehurit Ardian Rrustemi, vërtetohet nga disa indicie që përputhen me njëra-tjetrën.
-
Siç kërkohet edhe nga neni 152/2 i K.Pr.Penale, këto indicie në rastin në gjykim rezultojnë të rëndësishme dhe të sakta në kuptimin që lidhen dhe përputhen pikërisht me kohën dhe rrethanat e veprës penale, pasi, nga njëra anë, në kohën që i pandehuri Ardian Rrustemi ishte duke kryer procedurat e kalimit të pikës së kalimit kufitar me automjetin ku ishte fshehur lënda narkotike si dhe të imbarkimit në traget, personi i paidentifikuar “X” me numrin celular 0697624740 interesohet në mënyrë të koduar nëse ai kishte arritur të kalonte duke i dërguar SMS, ndërsa, nga ana tjetër, të nesërmen paradite po ky person komunikon me personin tjetër të paidentifikuar që përdor numrin celular 0697624539 dhe aty referojnë për ngjarjen e ndodhur dhe komunikimet e kryera një natë më parë.
-
Në këto rrethana gjykata e apelit ka gabuar në vendimin e saj në lidhje me cilësimin ligjor “se vepra penale në rastin konkret nuk është kryer në bashkëpunim” me arsyetimin se përmbajtja e mesazheve të ndërsjellta, komunikimet telefonike me personin e paidentifikuar janë të natyrës së dyshimit dhe se nuk provojnë bashkëpunimin në këtë vepër.
-
Është fakt që në asnjë sms nuk gjendet e shkruar marrëveshje për bashkëpunim në këtë vepër se është e natyrshme të flitet vetëm me nënkuptime e kode që të çojnë në përfundimin se kjo vepër është kryer në formën e bashkëpunimit. Të kësaj natyre janë sms me përmbajtje “a kaloj” “nuk e di i ka mbyll të gjitha nr kam frig se jo” “paska ba karambol këtu” “ku i ke tret ato mbeturinat atë ditë që bamë”, “i kam djeg” e të tjera. Ndryshe nga vendimi i gjykatës së apelit për kryerjen e veprës penale në bashkëpunim provat janë të mjaftueshme dhe ato janë arsyetuar qartë dhe drejtë në vendimin e gjykatës së shkallës së parë.
KOLEGJI PENAL I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Shkëlzen Selimi, prokurorin Arqilea Koça, i cili kërkoi prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë; mbrojtësen e caktuar kryesisht për të gjykuarin Ardian Rrustemi, av.Sonila Çekrezi, e cila kërkoi lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së apelit; dhe si shqyrtoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
Se vendimi nr.18, datë 07.03.2014 i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda gjendet i bazuar në ligj dhe në prova përsa i përket cilësimit ligjor dhe llojit të dënimit dhe si i tillë do të lihet në fuqi për këtë pjesë, por do të ndryshohet në lidhje me masën e dënimit.
-
Rrethanat e faktit
-
I gjykuari Ardian Rrustemi është emigrant në shtetin italian. Në datën 21.05.2013, ai ishte duke kaluar kufirin shtetëror për t’u imbarkuar në tragetin e udhëtarëve të linjës Durrës-Bari për të shkuar në shtetin italian. Në pikën e kalimit kufitar të portit të Durrësit policia gjyqësore ka kryer kontroll në autoveturën tip Peugeot (monovolum) me targa italiane AP 921 PL që drejtohej nga i gjykuari Ardian Rrustemi, i cili ishte edhe pronar i mjetit.
-
Nga procesverbali i kqyrjes së këtij automjeti datë 21.05.2013, ora 23.10, në pjesën e pasme të tij, poshtë shtresës së llamarinës së dyshemesë së automjetit, u gjetën të fshehura, 14 (katërmbëdhjetë) pako në formë paralelpipedi të mbështjella me ngjitës natriban transparent, brenda të cilave ndodhej pluhur me ngjyrë bezhë të errët me aromë dhe karakteristika të ngjashme me lëndën narkotike të llojit heroinë. Pakot u morën dhe u sekuestruan si prova materiale me procesverbalin përkatës të kqyrjes dhe marrjes së provës materiale datë 22.05.2013 dhe procesverbalin e sekuestrimit datë 22.05.2013 (vleftësuar i ligjshëm nga prokurori me vendimin dt.23.05.2013).
-
Nga procesverbali i peshimit datë 22.05.2013, rezultoi se pesha e përgjithshme e 14 pakove ishte 7 (shtatë) kg e 939.75 (nëntëqind e tridhjetë e nëntë presje shtatëdhjetë e pesë) gram. Me gjetjen e pakove me lëndë të dyshuar narkotike të fshehur në automjet, policia gjyqësore kreu arrestimin në flagrancë të të gjykuarit Ardian Rrustemi, drejtuesi dhe pronari i autoveturës dhe personi i vetëm që po udhëtonte me të, për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” në bashkëpunim, të mbetur në tentativë, parashikuar nga nenet 283/a/2 e 22 të K.Penal.
-
Nga akti i ekspertimit kimik nr.5396, datë 23.05.2013 i Drejtorisë së Policisë Shkencore Tiranë, në pluhurin që ndodhej në pakot e sekuestruara rezultoi prania e lëndës narkotike “heroinë”. Nga akti i ekspertimit vlerësues të provave materiale nr.5499, dt.24.05.2013 i Drejtorisë së Policisë Shkencore Tiranë, rezulton se në pakot me lëndë narkotike nuk u përfituan gjurmë papilare të vlefshme për identifikim.
-
Sipas procesverbalit të sipërpërmendur të kqyrjes së autoveturës, rezulton gjithashtu se në kroskotin e saj, përveç dokumentacionit të mjetit dhe pasaportës së të gjykuarit, u gjet edhe një letër format A4 ku ishin shkruar me stilolaps emrat dhe numrat: “MESA - x 0697624740, Alesio 3804982197, MEZA - x 0697877982”, e cila u mor si provë materiale me procesverbalin e kqyrjes dhe marrjes së provave materiale datë 21.05.2013.
-
Gjithashtu të gjykuarit Ardian Rrustemi në momentin e arrestimit iu gjeten dhe sekuestruan si prova materiale edhe dy telefona celularë që kishte me vete. Nga kqyrja e dy telefonave celularë të sekuestruar të gjykuarit, sipas procesverbalit të sipërcituar të kqyrjes dt.22.05.2013, ka rezultuar se ne telefonin Nokia me numër IMEI 357422041856423 që kishte kartën Vodafone me numër 0697755893, i gjykuari kishte disa komunikime me mesazhe SMS të gjitha të shkëmbyera me numrin celular 0697624740 të rregjistruar në memorien e kontakteve të këtij telefoni “X 0697624740”, që është edhe njëri nga numrat e shënuar në letrën e gjetur në kroskotin e autoveturës së të gjykuarit që u përmend më lart. Nga këto komunikime rezulton se përdoruesi i këtij numri interesohej ditën e ngjarjes nëse i gjykuari kishte hipur apo jo në traget. Po kështu, mes të gjykuarit dhe këtij numri kishte edhe disa komunikime të tjera me SMS të kryera në paraditen e po asaj dite (dt.21.05.2013). Në mënyrë kronologjike gjykatat kanë pasqyruar komunikime të kryera me dt.21.05.2013 dhe 22.05.2013, me mesazhe SMS, mes numrit 0697755893 të të gjykuarit Ardian Rrustemi dhe numrit “0697624740” të personit të paidentifikuar të regjistruar me “X”.
-
Në këto rrethana Prokuroria për Krime të Rënda, ka dërguar për gjykim çështjen penale në ngarkim të të gjykuarit Ardian Rustemi, duke e akuzuar për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” në bashkëpunim, të mbetur në tentativë, parashikuar nga nenet 283/a/2 e 22 të K.Penal.
-
I gjykuari Ardian Rrustemi, gjatë pyetjes së tij nga policia gjyqësore menjëherë pas arrestimit, sipas procesverbalit për marrjen e të dhënave nga personi ndaj të cilit zhvillohen hetimet datë 22.05.2013, ka pohuar se ka qenë në dijeni se në automjetin e tij ishin rreth 7 (shtatë) kg lëndë narkotike. Në procesverbalin e pyetjes me cilësinë e të pandehurit datë 15.11.2013, i gjykuari Ardian Rrustemi, në prani të mbrojtësit, ka deklaruar se veprën penale e ka kryer vetëm dhe nuk ka bashkëpunuar me persona të tjerë. Ai ka deklaruar se nuk e ka ndihmuar asnjë person tjetër dhe se lëndën narkotike e ka blerë vetë dhe do ta shiste po vetë në Itali, duke u shprehur edhe se ishte penduar për veprën e kryer.
-
Procedurat gjyqësore
-
Gjykata e Shkallës së parë për Krime të Rënda, me vendimin nr.6, datë 15.01.2014 ka vendosur:
-
“Deklarimin fajtor të të pandehurit Ardian Rrustemi për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” në bashkëpunim, të mbetur në tentativë, parashikuar nga nenet 283/a/2 e 22 të K.Penal dhe dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.
-
Në bazë të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, të pandehurit Ardian Rrustemi i ulet një e treta e dënimit dhe dënohet përfundimisht me 8 (tetë) vjet burgim.
-
Vuajtja e dënimit të pandehurit i fillon nga dita e arrestimit në flagrancë, datë 21.05.2013”.
-
Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, me vendimin nr.18, datë 07.03.2014 ka vendosur:
-
Ndryshimin e vendimit nr.6 datë 15.01.2014 të Gjykatës së Shkallës Parë për Krime të Rënda Tiranë, si më poshtë:
-
Deklarimin fajtor të të pandehurit Ardian Rrustemi për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” të mbetur në tentativë, parashikuar nga nenet 283/a/l e 22 të K.Penal dhe dënimin e tij me 9 (nëntë) vjet burgim.
-
Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i pandehuri Ardian Rrustemi dënohet përfundimisht me 6 (gjashtë) vjet burgim.
-
Lënien në fuqi të vendimit nr.6 datë 15.01.2014 të Gjykatës së Shkallës Parë për Krime të Rënda Tiranë në pjesët e tjera të tij.
-
Kundër vendimit të mësipërm ka ushtruar rekurs Prokurori pranë Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda, i cili kërkon prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, duke parashtruar pretendimet e pasqyruara në pjesën hyrëse të vendimit.
-
Arsyetimi ligjor i vendimit të ankimuar
-
Gjykata e apelit për krime të rënda e ka gjetur të gabuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë përsa i përket cilësimit juridik të veprës penale dhe për pasojë edhe të masës së dënimit, duke arsyetuar ndër të tjera se: “...Gjykata e apelit, në ndryshim nga akuza dhe të pranuara nga gjykata e shkallës së parë në vendim, vlerëson se në gjendjen që janë aktet nuk mund të gjykojë për persona të tjerë qoftë dhe të paidentifikuar bashkëpunëtorë të të pandehurit, nëse ekziston apo jo një marrëveshje midis tyre, kohën dhe vendin e arritjes së saj, veprimet konkrete të kryera dhe rolin e secilit prej bashkëpunëtorëve, shkallën e pergjegjësisë, për sa kohë të dhënat që merren nga aktet nuk japin asnjë dijeni se personat të cilët kanë komunikuar me të pandehurin e kanë ndihmuar atë në realizimin e qëllimit kriminal, pasi nuk është marrë asnjë e dhënë se ku konsiston kjo ndihmë e tyre etj. Sipas vendimit Unifikues të Gjykatës së Lartë nr.4 datë 15.04.2011 është përcaktuar “që të ndodhemi në kushtet e bashkëpunimit duhet të bashkekzistojnë si kushte sine qua non katër elementët: dy ose më shumë subjekte (pluralitet personash); realizimi i faktit kriminal në të gjithë elementet e tij material; dhënia e një kontributi rilevant në kryerjen e veprës penale nga secili prej bashkëpunëtorëve; ana subjektive, të paktën në formën e saj minimale, që është dijenia e të paktën njërit prej bashkëpunëtorëve për të bashkëpunuar me të tjerët në kryerjen e faktit kriminal. Pra çmohet se gjykata e shkallës së parë ka gabuar që faktit penal, nuk i ka dhënë cilësimin e duhur juridik dhe, në kundërshtim me normat proceduriale penale, ka arritur në konkluzionin që i pandehuri veprën penale e ka kryer në rrethana cilësuese në bashkëpunim, pasi nga provat të cilat citon gjykata nuk u arrit të provohet se ku konsiston kontributi rilevant në kryerjen e veprës penale nga secili prej bashkëpunëtorëve dhe që në kryerjen veprës penale të kenë marrë pjesë më shumë se një person.
Gjatë gjykimit nuk u bë e mundur që të vërtetohet se nga ana objektive, vepra penale është kryer nga dy ose më shumë persona në bashkëpunim, pasi nuk u bë e mundur të provohet që shtetasit që përdornin numrat celularë 697624740 dhe 697624539 të pretenduar nga prokurori si bashkëpunëtor, kanë ndikuar apo kanë synuar pasojën kriminale të trafikimit të lëndës narkotike.
Ky kolegj arrin në përfundimin se nuk u arrit të provohet se në trafikimin e lëndës narkotike nga jashtë territorit shqiptarë, i pandehuri është ndihmuar edhe nga ndonjë person tjetër i paidentifikuar që të jetë e pranishme rrethana cilësuese e parashikuar nga neni 283/a/2 i K.Penal “kryerja e kësaj vepre penale në bashkëpunim”. Në arritjen e këtij përfundimi, gjykata e apelit mban në konsideratë dhe qëndrimin unifikues të Gjykatës së Lartë në vendimin nr.4 datë 15.04.2011 ...
Por në të kundërt, sa pranohet nga gjykata e shkallës së parë, në lidhje me faktin se vepra penale është kryer në bashkëpunim, gjykata e apelit çmon, se vepra penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, nuk është kryer në rrethana të cilësuara në bashkëpunim, pasi Ky kolegj e gjen të pamjaftueshëm materialin provues që ndodhet në dosjen gjyqësore në funksion të provimit të pjesëmarrjes së personave të tjerë në kryrjen e veprës penale të “Trafikimit të narkotikëve” dhe për pasojë, të paaftë për të krijuar bindjen për praninë e rrethanës cilësuese të bashkëpunimit të kontestuar vazhdimisht nga i pandehuri, pasi edhe po të provohej se personat e paidentifikuar që kanë komunikuar me të pandehurin kishin dijeni që i pandehuri po transportonte drogë përtej kufijve në drejtim të shtetit italian, nuk i bën domosdoshmërisht bashkëpunëtor në këtë vepër penale në kushtet kur nuk u provua asnjë rol i tyre, veprim konkret në krimin e trafikimit të lëndës narkotike...”
-
Në lidhje me rekursin e paraqitur nga prokurori
-
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson se pretendimet e paraqitura në rekursin e Prokurorit përsa i përket cilësimit ligjor të veprës penale janë të pabazuara në ligj, (neni 432 i K.Pr.Penale) dhe si i tillë nuk do të pranohet, por vendimi i gjykatës së apelit për krime të rënda duhet të ndryshohet përsa i përket masës së dënimit ndaj të gjykuarit Ardian Rrustemi.
Në lidhje me pretendimin për kryerjen e veprës penale në bashkëpunim
-
Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka zbatuar drejt ligjin procedural penal në lidhje me çmuarjen e provave N.152 K.Pr.Penale1, duke arritur në konkluzion të saktë përsa i përket kualifikimit ligjor të faktit penal të ndodhur në lidhje me veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”, të mbetur të tentativë, ç’ka ka bërë që vendimi i saj të jetë i pacenueshëm për këtë pjesë.
-
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë konkludon se ndryshimi i kualifikimit nga gjykata e apelit i veprimeve të të gjykuarit Ardian Rrustemi nga “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga N.283/a/2 i K.Penal2, në veprën penale të “Trafikim i narkotikëve”, të parashikuar nga N.283/a/1 i K.Penal3, pra duke hequr rrethanën cilësuese të bashkëpunimit është në zbatim të drejtë të ligjit procedural e material penal.
-
Në bazë të provave të shqyrtuara rezulton e provuar se i gjykuari Ardian Rrustemi është emigrant në shtetit italian. Në një datë të pacaktuar atij i ka lindur mendimi kriminal që të sigurojë lëndë narkotike në shtetin shqiptar dhe ta eksportojë me automjetin e tij tip Peugot monovolum për në shtetin italian. Pasi ka siguruar lëndën narkotike të tipit “heroinë”, në sasinë prej 7 (shtatë) kg e 939.75 (nëntëqind e tridhjetë e nëntë presje shtatëdhjetë e pesë) gram (siç ka rezultuar nga akti i ekspertimit kimik nr.5396, datë 23.05.2013 dhe procesverbali i peshimit datë 22.05.2013) të ambalazhuar në 14 (katërmbëdhjetë) pako në formë paralelpipedi të mbështjella me ngjitës natriban transparent, e ka “sistemuar” në pjesën e pasme të mjetit, poshtë shtresës së llamarinës së dyshemesë së automjetit, në një hapësirë me lartësi 5(pesë) cm, ka kryer procedurat për tu imbarkuar në tragetin e linjës Durrës-Bari.
-
Sipas procesverbalit të kqyrjes së autoveturës, datë 21.05.2013, u gjet edhe një letër format A4 ku ishin shkruar me stilolaps emrat dhe numrat: “MESA - x 0697624740, Alesio 3804982197, MEZA - x 0697877982”; ndërsa sipas procesverbalit të kqyrjes së aparatit celular të sekuestruar të gjykuarit, në memorien e telefonit janë konstatuar disa komunikime me mesazhe SMS të shkembyera me numrin celular 0697624740 të regjistruar në memorien e kontakteve të këtij telefoni “X 0697624740”, që është edhe njëri nga numrat e shënuar në letrën A4 të gjetur në kroskotin automjetit.
-
Janë pikërisht këto indicie të mbivlerësuara nga gjykata e shkallës së parë, e cila duke i vlerësuar me kohën dhe rrethanat e veprës penale, pasi, nga njëra anë, në kohën që i gjykuari Ardian Rrustemi ishte duke kryer procedurat e kalimit të pikës së kalimit kufitar me automjetin ku ishte fshehur lënda narkotike si dhe të imbarkimit në traget, personi i paidentifikuar “X” me numrin celular 0697624740 interesohet në mënyrë të koduar nëse ai kishte arritur të kalonte duke i dërguar SMS-të e ndryshme, duke e bërë këtë gjykatë të arrijë në konkluzionin e gabuar se vepra penale është kryer në bashkëpunim; por në rrethanat që organi i akuzës, nuk arriti jo vetëm të identifikojë bashkëpunëtorët e pretenduar, por as të argumentojë rolin e tyre në bashkëpunim, e për rrjedhojë nuk mundi të provojë as marrëveshjen mes të gjykuarit Ardian Rrustemi dhe bashkëpunëtorëve të pretenduar ky argumentim mbetet i pambështetur në provat e administruara.
-
Dyshimet e ngritura për bashkëpunim me personin e paidentifikuar, por të ruajtur në memorien e telefonit si “X”, nuk u arritën të ngriheshin në nivel provueshmërie. Duke ju referuar materialeve të administruara në gjykimin e çështjes, rezulton se asnjë provë, fakt apo indicje veç mesazheve telefonike me numra të paidentifikur nuk tregon se si ka ndodhur bashkëpunimi midis të gjykuarit dhe bashkëpunëtorit; cila është marrëveshja midis bashkëpuntorëve; cili ka qenë roli dhe veprimet e tyre; për më tepër cili ka qenë bashkëpuntori dhe roli i tij në trafikimin e lëndës narkotike.
-
Kolegjet e Bashkuara në vendimin nr.4 datë 15.04.2011, kanë unifikuar praktikën gjyqësore në lidhje me bashkëpunimin në kryerjen e veprës penale duke përcaktuar se: “Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë vlerësojnë se që të ndodhemi në kushtet e bashkëpunimit duhet të bashkekzistojnë si kushte sine qua non:
-
dy ose më shumë subjekte (pluralitet personash);
-
realizimi i faktit kriminal në të gjithë elementet e tij materiale;
-
dhënia e një kontributi rilevant në kryerjen e veprës penale nga secili prej bashkëpunëtorëve;
-
ana subjektive, të paktën në formën e saj minimale, që është dijenia e të paktën njërit prej bashkëpunëtorëve për të bashkëpunuar me të tjerët në kryerjen e faktit kriminal.”
-
Kolegji Penal e gjen të drejtë vendimin e gjykatës së apelit në lidhje me cilësimin ligjor dhe vlerëson se akuza nuk arriti të ngrinte përtej dyshimit, bashkëpunimin në kryerjen e veprës penale. E vetme, e palidhur me prova të tjera apo indicie të rëndësishme, të sakta dhe në përputhje me njëra-tjetrën, prova që paraqet procesverbali i transkriptimit të komunikimeve të përgjuara të numrit 0677624740, nuk mjafton për të provuar bashkëpunimin e të gjykuarit Ardian Rrustemi, dhe rolin të secilit bashkëpunëtor në kryerjen e veprës penale.
-
Ky Kolegj, po ashtu si gjykata e apelit, nuk mund të pranojë “bashkëpunimin” mes të gjykuarit Ardian Rrustemi dhe personit të paidentifikuar, të regjistruar në rubrikën e telefonit si “X” sipas parashtrimit të përfaqësuesit të akuzës në rekurs, pasi mesazhet e shkëmbyera për këto rrethana, mbeten vetëm në kuadrin e indicieve, dhe si të tilla, vetëm krijojnë dyshimin për ekzistencën e tyre. Në kushtet kur, këto indicie, nuk përputhen me prova të tjera, direkte ose indirekte, ato nuk përmbushin standardin e kërkuar nga ligji procedurial penal shqiptar dhe nga praktika e Gjykatës së Strasburgut, që të provojnë fajësinë, “tej çdo dyshimi të arsyeshëm”. Në bazë të nenit 4 të Kodit të Procedurës Penale1, këto indicie, sipas parimit “In dubbio pro reo”, si dyshime, vlerësohen në favor të të gjykuarit, duke rrëzuar pretendimin e akuzës për ekzistencën e bashkëpunimit. Në këto kushte, ajo që mund të provohet jashtë çdo dyshimi, është se i gjykuari Ardian Rrustemi, e ka konsumuar veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në formën e eksportimit të lëndës heroinë, në drejtim të Italisë të mbetur në tentativë, por jo në kushtet e bashkëpunimit.
Në lidhje me masën e dënimit
-
Megjithëse gjykata e apelit ka marrë në konsideratë se sasia e lëndës narkotike të sekuestruar është e konsiderueshme, dhe rrezikshmëria e autorit të veprës është e lartë, masa e dënimit të përcaktuar prej saj nuk është proporcionale.
-
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në lidhje me dënimin e caktuar ndaj të gjykuarit si element i zbatimit të ligjit penal material, arrin në konkluzionin se masa e dënimit e dhënë nga gjykata e apelit nuk është në përputhje me rrezikshmërinë e veprës dhe të autorit dhe jo në vlerësim korrekt të neneve 481 e 492 të Kodit Penal të cilat ndikojnë në zbatimin e marzhit të dënimit të parashikuar nga dispozita penale në individualizimin e dënimit.
-
Vendimi i gjykatës së apelit nuk është rezultat i matjes korrekt të rrethanave lehtësuese e atyre rënduese duke caktuar një masë dënimi joproporcionale dhe në mungesë të analizimit të rrethanave të tilla si: Sasia e lëndës narkotike të gjetur të gjykuarit 7 (shtatë) kg e 939.75 (nëntëqind e tridhjetë e nëntë presje shtatëdhjetë e pesë) gram, lloji i lëndës narkotike heroinë, qëndrimi bashkëpunues e pendues i të gjykuarit Ardian i cili deklaroi se e dinte që në automjetin e tij kishte lëndë narkotike dhe ai kishte si qëllim ta tregëtonte në shtetin italian, faktin që është i divorcuar, por që nuk rezultoi që të ketë fëmijë apo prindër të moshuar në ngarkim, fakti që sipas vërtetimit të gjendjes gjyqësore rezulton i rehabilituar, fakti që vepra penale ka mbetur në tentativë.
-
Kolegji Penal, vlerëson se masa e dënimit e dhënë nga gjykata e apelit është në zbatim të gabuar të ligjit material penal; masa e dënimit prej 6 (gjashtë) vjet burgim nuk është në përputhje me rrezikshmërinë e veprës dhe të autorit. Vepra penale e trafikimit të lëndëve narkotike ka si objekt të saj mbrojtjen e marrëdhënieve juridike të vendosura për të siguruar kontrollin dhe rendin në veprimtaritë e importimit, eksportimit, tranzitimit dhe tregtimit ndërkombëtar të narkotikëve, kundër veprimeve e mosveprimeve kriminale. Po kështu, me anë të kësaj dispozite, në harmoni e plotësim reciprok me dispozita të tjera penale, ligjvënësi synon edhe mbrojtjen e marrëdhënieve juridike të vendosura për garantimin e jetës, shëndetit, familjes dhe të drejtave të tjera e objektivave sociale në një shoqëri demokratike. Kjo veprimtari kriminale, nëpërmjet nxitjes, sigurimit të burimeve dhe të rrjeteve të përhapjes së përdorimit të paligjshëm, abuziv, të lëndëve narkotike e psikotrope, si në nivel kombëtar edhe ndërkombëtar, ka një ndikim negativ vendimtar, veç të tjerave, jo vetëm në dëmtimin e shëndetit dhe krijimin e varësisë të përdoruesve nga këto lëndë, por edhe në dëmtimin e shëndetit e të pasurisë, pra të cilësisë së jetës personale e familjare dhe zhvillimin normal të shoqërisë, veçanërisht të brezit të ri.
-
Kolegji Penal vlerëson se identifikimi i rrethanave lehtësuese si një situatë ligjore nga ato të parashikuara nga norma penale dhe provueshmëria e tyre në lidhje me caktimin e llojit dhe masës së dënimit në arsyetimin e vendimit janë të detyrueshme për gjykatat që të evidentohen me qëllim që gjatë kontrollit gjyqësor të vendimit në shkallët e tjera të gjykimit të vlerësohet ligjshmëria e vendimit në lidhje me këtë aspekt esencial të vendimmarrjes së gjykatës; Gjykata e apelit në caktimin e masës së dënimit ka marrë në vlerësim faktet që i gjykuari është në moshë të re, nuk ka qenë dënuar më parë dhe rrethana të tjera familjare.
-
Siç ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese në vendimin nr.19, datë 01.06.2011, “Dënimi penal përmbush dy funksione të ndryshme, të cilat mund të konsiderohen si edukative. Nga njëra anë qëndron funksioni i parandalimit të përgjithshëm të veprave penale, pasi kërcënimi, se shteti do të zbatojë sanksione penale sa herë që shtetasit do të kryejnë veprime të dënueshme nga legjislacioni penal, funksionon si një mënyrë për të dekurajuar dhe parandaluar cilindo nga shtetasit që të ndërmarrë veprime që bien në kundërshtim me normat penale. Nga ana tjetër qëndron funksioni i parandalimit të posaçëm, i cili lidhet drejtpërsëdrejti me autorin e veprës, pasi duke zbatuar sanksionin penal synohet riedukimi i tij në mënyrë që, pas kryerjes së dënimit, të mos ndërmarrë në të ardhmen veprime kriminale.”
-
Duke theksuar se dënimi penal është rezultat i vlerësimit të rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale, nga njëra anë, dhe shkallës së fajit të autorit të saj, nga ana tjetër dhe duke shqyrtuar të gjitha elementët juridikë të veprës penale, shkallën e fajit dhe pasojat e ardhura nga vepra penale, gjykata cakton llojin dhe masën e dënimit për autorët e veprave penale. Kolegji Penal çmon se masa e dënimit e vendosur nga gjykata e apelit nuk është në përshtatje me veprën dhe autorin, dhe do të rritet duke u dënuar me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim për veprën penale të “Trafikim i narkotikëve”, të mbetur në tentativë, parashikuar nga N.283/a/1 i K.Penal, dhe në aplikim të të nenit 406/1 të K.Pr.Penale dënimin përfundimisht të të gjykuarit Ardian Rrustemi me 8 (tetë) vjet burgim.
-
Në lidhje me zgjidhjen e çështjes
-
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë arrin në konkluzionin se vendimi i gjykatës së apelit për krime të rënda nr.18, datë 07.03.2014, i cili i ka ndryshuar kualifikimin e veprimeve të kundraligjshme të gjykuarit Ardian Rrustemi, nga “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, parashikuar nga N.283/a/2 i K.Penal, në veprën penale të “Trafikim i narkotikëve”, mbetur në tentativë, të parashikuar nga N.283/a/1 i K.Penal, pra duke hequr rrethanën cilësuese të bashkëpunimit është i drejtë dhe i bazuar në ligjin material dhe procedural penal dhe si i tillë duhet të lihet në fuqi.
-
Ky vendim do të cenohet në lidhje me masën e dënimit, pasi Kolegji Penal e gjen këtë vendim në zbatim të gabuar të ligjit material penal, duke e dënuar të gjykuarin Ardian Rrustemi me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim dhe në aplikim të N.406 të K.Pr.Penale dënimin e të gjykuarit Ardian Rrustemi me 8 (tetë) vjet burgim.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 441/1, gërma “a” dhe “b” të K.Pr.Penale,
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.18, datë 07.03.2014 të Gjykatës së apelit për Krimet e Rënda Tiranë, përsa i përket kualifikimit ligjor në lidhje me deklarimin fajtor të të gjykuarit Ardian Rustemi në bazë të nenit 283/a/1 e 22 të K.Penal.
Ndryshimin e këtij vendimi në lidhje me masën e dënimit dhe dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë vjet) burgim.
Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale e dënon përfundimisht të gjykuarin Ardian Rustemi me 8 (tetë) vjet burgim.
Tiranë, më 01.03.2016
Nr. 52105-01368-00-2014 Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-343 Vendimi (28)
Do'stlaringiz bilan baham: |