VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
Mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 05.11.2015, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: KUJTIM KOLA
E PADITUR: INSTITUTI I SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR TIRANË
OBJEKTI:
Detyrimin gjyqësisht të palës së paditur të më dëmshpërblejë
me një vit page si rezultat i zgjidhjes se kontratës së punës
në mënyre të menjëhershme e të pajustifikuar,
pagimin e një page mujore shpërblim përmosrespektim të afatit të njoftimit
si dhe pagimin e dy pagave mujore,
shpërblim për mosrespektim të proçedurave të largimit nga puna.
Baza Ligjore: Neni 12, 143/1, 144/1/2/3/4/5, 155/3 të K.Punës.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat, me Vendiminnr.108, dt. 16.03.2012, ka vendosur :
Pranimin e padisë së paditësit Kujtim Kola
Detyrimin gjyqësisht të palës së paditur Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor Tiranë të dëmshpërblejë paditësin Kujtim Kola me 12 (dymbëdhjetë) paga mujore si rezultat i zgjidhjes së kontratës së punës në mënyrë të menjëhershme dhe pa shkaqe të arsyeshme, me 1 (një) page mujore për mosrespektim të afatit të njoftimit si dhe pagimin e 2 (dy) pagave mujore për mosrespektim të procedurave të largimit nga puna.
Gjykata e Apelit Tiranë me vendiminnr.67, datë 16.01.2013 ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimitnr.108, datë 16.03.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat.
Kundër këtij vendimi ka ushtruar të drejtën e rekursit pala e paditur që kërkon ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat dhe rrëzimin e padisë dhe ka parashtruar këto shkaqe:
- Sipas shkresësnr.729, dt. 12/12/2012, DRSKSH Dibër propozon lirimin nga detyra të Prgj/agjen, Burrel Z.Kujtim Kola dhe transferimin dhe emrimin e tij ne QSH-es Burrel si Mjek i Përgjithshëm Familje.
- Këtë propozim DRSKSH Dibër e bazon ne Rregulloren e Përgjithshmenr.l424, dt.6/7/2010 te ISKSH Tirane, (Kapitulli VII "Disiplina ne pune"pika 7 germa f, kalimi në një detyrë dhe klasë më të ulët); Duke qene se në kohën kur paditësi ushtronte detyrën e tij funksionale, Agjensia Burrel kishte mangësi në dërgimin e informacionit brenda afateve kohore ashtu dhe përqindja e rimbursimit kishte një rritje progresive, që tregon se përkushtimi i tij nuk ka qenë në nivelin e kërkuar. Gjate kësaj periudhe në mënyre te herëpashershme verbalisht është këshilluar, tërhequr vëmendje dhe paralajmëruar për masa ekstreme, te cilat kane te bëjnë për mos përmbushjen e detyrës se tij funksionale.
- Në këto kushte DRSKSH Dibër, ka qenë e detyruar t’i propozoje ISKSH Tiranë sipas shkresësnr.729,dt. 12/12/2012.
- Për sa më sipër DRSKSH Dibër, ka zbatuar në mënyre shumë korrekte Rregulloren e Përgjithshme për funksionimin e ISKSH, sepse nëse do mendohej për shkeljen e kësaj rregulloreje (sipas paditësit), DRSKSH Dibër mund te kishte propozuar zgjidhjen e kontratës dhe jo kalimin ne një detyre me te ulet.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin e çështjes objekt gjykimi nga gjyqtarja relatore Evelina Qirjako, dhe verifikoi legjitimitetin e palës rekursuese, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor Tiranë,
V Ë R E N
1. Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, rezulton se paditësi Kujtim Kola me urdhrinnr.17, datë 09.03.2011 të Drejtorit të Përgjithshëm të ISKSH Tiranë, është emëruar me detyrën e përgjegjësit te Agjencisë se Sigurimeve te Kujdesit Shëndetësore Mat, me afat tre mujor (periudhe prove). Në këtë pozicion ka kaluar me vone si punonjës definitiv, me vendiminnr.52, datë 04.07.2011 të palës së paditur.
2. Gjithashtu, rezulton se me urdhrinnr.86, datë 12.12.2011 të Drejtorit të Përgjithshëm të palës së paditur, paditësi është liruar nga kjo detyrë. Me këtë urdhër paditësi është njohur me datë 15.12.2011.
3. Rezulton se ky vendim është marrë në bazë të një propozimi të Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shëndetësore datë 12.12.2011, për lirim e paditësit nga detyra e përgjegjësit dhe për emërimin e tij ne një pune tjetër mjek familje pranë qendrës shëndetësore. Ndryshe nga sa thuhet në propozimin më sipër, ne urdhrinnr.86, date 12.12.2011 të palës së paditur, përdoret vetëm fjala "lirim nga detyra" dhe nuk është caktuar punë tjetër për paditësin, duke shënuar vetëm ndërprerjen e marrëdhënies se punës.
4. Paditësi duke mos qenë dakord me sa më sipër, i është drejtuar gjykatës me padi me objekt sa parashtrohet në pjesën hyrëse të këtij relacioni. Sipas tij, ana e paditur nuk ka zbatuar asnjë nga dispozitat ligjore te K.Punes për fillimin e procedurave te zgjidhjes se kontratës se punës, afatet e njoftimit dhe nuk provohet asnjë lloj shkaku parashikuar ne K.Punes qe punedhenesi te ndërpresë marrëdhëniet e punës.
5. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat, me Vendiminnr.108, dt. 16.3.2012, ka vendosur:
Pranimin e padisë së paditësit Kujtim Kola
Detyrimin gjyqësisht të palës së paditur Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor Tiranë të dëmshpërblejë paditësin Kujtim Kola me 12 (dymbëdhjetë) paga mujore si rezultat i zgjidhjes së kontratës së punës në mënyrë të menjëhershme dhe pa shkaqe të arsyeshme, me 1 (një) page mujore për mosrespektim të afatit të njoftimit si dhe pagimin e 2 (dy) pagave mujore për mosrespektim të procedurave të largimit nga puna.
5/1. Kjo gjykate ka arsyetuar se: .. ne aspektin formal te aktit qe shënon marrëdhëniet e punës, ashtu edhe për shkaqet për largimin e paditësit nga puna nuk janë te justifikuara, duke bere qe marrëdhëniet e punës te ndërpriten ne mënyre te menjëhershme dhe pa shkaqe te arsyeshme.. jemi përpara zgjidhjes se menjëhershme te kontratës se punës pa shkak te arsyeshëm pasi nuk rezultojnë shkelje te paditësit qe nuk lejojnë sipas parimit të mirëbesimit vazhdimin e marrëdhënies së punës....
6. Gjykata e Apelit Tiranë me vendiminnr.67, datë 16.01.2013 ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimitnr.108, datë 16.03.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat.
6/1. Kjo gjykate ka përdorur të njëjtin arsyetim si gjykata e faktit
7. Kundër këtij vendimi ka ushtruar te drejtën e rekursit pala e paditur qe kërkon ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat dhe rrëzimin e padisë për ato shkaqe që pasqyrohen në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
8. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se rekursi i paraqitur nga pala e paditur përmban shkaqe ligjore nga ato te parashikuara në nenin 58 të Ligjitnr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të cilat e bëjnë të cenueshëm vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë. Ky Kolegj konstaton se në gjykimin e kësaj çështje kjo gjykatë ka interpretuar pjesërisht gabim ligjin material që zbatohet për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje dhe si rezultat nuk e ka zgjidhur atë në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj.
9. Në analize të kërkimeve të palës paditëse dhe shkakut ligjor, në të cilat mbështeten këto kërkime, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se në rastin objekt shqyrtimi jemi përpara një mosmarrëveshje që rrjedh nga marrëdhëniet e punës, për zgjidhjen e të cilës referim duhet bërë në dispozitat e K.Punës.
10. Rezulton nga aktet e dosjes gjyqësore se paditësi ka qenë në marrëdhënie pune me palën e paditur, në periudhë prove nga data 09.03.2011 për tre muaj, në pozicionin e përgjegjësit të agjensisë Mat. Pas përfundimit të kësaj periudhe prove, paditësi është emëruar si përgjegjës defitiniv në të njëjtin vend pune, me urdhërnr.52, datë 04.07.2011 të palës së paditur. Marrëdhënia juridike e punës mes palëve ka kaluar me afat te pacaktuar. Kontrata e punës është zgjidhur në mënyrë të menjëhershme nga pala e paditur me urdhrinnr.86, datë 12.12.2011. Rezulton se pala e paditur nuk ka zbatuar afatin për zgjidhjen e kontratës së punës, ndaj në kuptim të nenit 143 të K.Punës, që shprehimisht thotë “Kur njëra nga palët e zgjidh kontratën pa respektuar afatin e njoftimit, zgjidhja e kontratës trajtohet si zgjidhje e kontratës me efekt te menjëhershëm”, kjo zgjidhje është e njëanshme dhe e menjëhershme. Në kushtet kur arrihet në konkluzionin se jemi para zgjidhjes së kontratës së punës në mënyrë të menjëhershme, është mëse e domosdoshme për gjykatën të hetojë në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme nëse zgjidhja e menjëhershme, e njëanshme e kontratës së punës nga ana e punëdhënësit, DPSHTRRT (pala e paditur) është bërë për shkak të justifikuar apo jo, ashtu siç parashikohet në nenin 153 të K.Punës?
11. Neni 153 i K.Punës parashikon se:“1) Punëdhënësi e punëmarrësi, në çdo kohë, mund të zgjidhin menjëherë kontratën për shkaqe të justifikuara. 2) Vlerësohen si shkaqe të justifikuara të gjitha rrethanat e rënda që nuk lejojnë, sipas parimit të mirëbesimit, t’i kërkohet atij që ka zgjidhur kontratën, vazhdimin e marrëdhënieve të punës. 3) Gjykata vendos nëse ekzistojnë shkaqe të justifikuara për zgjidhjen e menjëhershme të kontratës. Konsiderohen shkaqe të justifikuara rastet kur punëmarrësi shkel detyrimet kontraktuale me faj të rëndë, si edhe rastet kur punëmarrësi shkel detyrimet kontraktuale me faj të lehtë, në mënyrë të përsëritur, me gjithë paralajmërimin me shkrim të punëdhënësit.
12. Në analize të kësaj dispozite, punëmarrësi dhe/ose punëdhënësi në çdo kohë mund ta zgjidhin kontratën e punës, (që do të thotë se zgjidhja e kontratës së punës në mënyrë të menjëhershme prej secilës palë është ligjshme), me kusht që të provohet se shkaku i zgjidhjes së kontratës së punës është i justifikuar, pra që jemi para kushteve të parashikuara në nenin 153/2 të K.Punës. Kushtet kumulative për te pranuar ekzistencën e shkakut te justifikuar janë: a – punëmarrësi te ketë shkelur një detyrim kontraktual qe rrjedh nga ligji, kontrata e punës, kontrata kolektive; b – kjo shkelje te jete kryer me faj; c – ekzistenca e lidhjes shkakësore midis shkeljes me faj dhe pushimit te menjëhershëm nga puna; d – kjo shkelje te ketë krijuar një situate te rende qe nuk lejon sipas parimit te mirëbesimit ti kërkohet punedhenesit vazhdimi i marrëdhënieve te punës.
13. Në çështjen objekt gjykimi rezulton se pala e paditur nuk ka dhëne asnjë shkak për zgjidhjen e kontratës se punës te paditësit ne momentin kur ka vendosur lirimin e paditësit nga detyra, por gjatë gjykimit ka pretenduar se paditësi ka kryer mospërmbushje të detyrave të tij. Në aktet e dosjes gjyqësore nuk është administruar asnjë akt për të provuar se cila janë ato shkelje që ka kryer paditësi gjatë punës së tij që përligjin largimin e tij nga detyra. Prandaj ky Kolegj arrin në përfundimin se në çështjen objekt gjykimi, nuk plotësohen kushtet kumulative për te pranuar ekzistencën e shkakut te justifikuar për zgjidhjen e kontratës se punës (neni 153 i K.Punës).
14. Nisur nga sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës se Larte vlereson se në çështjen objekt gjykimi nuk ka shkak te justifikuar për zgjidhjen e marrëdhënies se punës. Gjithashtu, referuar akteve të administruara në dosjen gjyqësore, ky Kolegj vlerëson se pala e paditur nuk ka zbatuar as procedurën për zgjidhjen e kontratës së punës parashikuar nga neni 144 i K.Punës. Në kuptim të kësaj dispozite, procedura për zgjidhjen e kontratës së punës duhet zbatuar edhe në rastin e zgjidhjes së menjëhershme të kontratës së punës, në rast të kundërt punëdhënësi detyrohet të dëmshpërblejë punëmarrësin me pagën e dy muajve. I takon pikërisht punëdhënësit të vërtetojë që procedura e përcaktuar nga ky nen është respektuar.
15. Për sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson të drejta përfundimet e arritura nga gjykatat më të ulta se në çështjen objekt gjykimi, jemi përpara zgjidhjes së menjëhershme e të pajustifikuar të kontratës së punës. Ne këto kushte pala e paditur eshte e detyruar qe te japë dëmshpërblimet përkatëse te parashikuara ne nenet 143/1, 155/3 dhe 144 te K.Punes ne lidhje me mosrespektimin e afatit te njoftimit ne zgjidhjen e kontratës se punës, dëmshpërblimin për zgjidhje te menjëhershme te pajustifikuar te kontratës se punës dhe shpërblimin për mosrespektim të procedurës për zgjidhjen e kontratës se punës. Por në ndryshim nga gjykatat më të ulta, ky Kolegj vlerëson se të dyja këto gjykata nuk kanë zbatuar drejt dispozitat materiale për dëmshpërblimin që duhet të përfitojë paditësi nga zgjidhja e padrejtë e kontratës së punës. Këto gjykata i kanë njohur paditësit dëmshpërblimin maksimal prej një viti page që njeh Kodi I Punës, ndërkohë që marrëdhënia e punës midis palëve ndërgjyqëse ka zgjatur rreth 9 muaj, tre nga te cilat janë periudhe prove ne pune. Dëmshpërblimi prej një viti pagë kur marrëdhënia e punës nuk ka zgjatur as një vit, konsiderohet nga ky Kolegj në kundërshtim me nenin 155/3 të K.Punës, që parashikon se dëmshpërblimi prej 12 muaj pagë është masa maksimale e shpërblimit që i takon punëmarrësit, i cili largohet nga puna padrejtësisht. Është tashmë praktikë e konsoliduar se gjykata ka për detyrë të përcaktojë drejt dhe në përputhje me ligjin, masën e dëmshpërblimit që i takon punëmarrësit, duke u nisur nga kohëzgjatja e raportit të punës, mosha, mundësitë e tij për punë, kualifikimet profesionale, gjendja familjare, etj.. 16. Në përcaktimin e dëmit, Kolegjit Administrativ i Gjykatës së Lartë i referohet dhe vendimit unifikuesnr.31/2003 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë ku shprehimisht thuhet: “Dëmshpërblimi në vend te rikthimit në punë do të thotë se, “shkaktuesi i dëmit” do të paguajë një shumë të hollash që do ta vendose të larguarin nga puna ne atë gjendje pasurore qe do te ishte po te mos ishte larguar nga puna. Parimi i shpërblimit të plotë të demit është një parim themelor. Shpërblimi i plote i demit do të thotë që sasia e shpërblimit të jetë në pajtim me masën e demit te shkaktuar. Largimi nga puna është i lidhur me ndërprerjen e pagës. Mosmarrja e pagës ndikon ne kushtet materiale të jetës se punonjësit dhe familjes se tij. Pagat e humbura ose te pakësuara duhet të shpërblehen. Ne këto raste dëmshpërblimi duhet për të përballuar kushtet materiale te jetës për aq kohe, brenda se cilës çmohet se punëmarrësi mund të gjejë një pune tjetër. Gjykata në çdo rast, sipas diskrecionit të saj, me vendimin që jep bën një vlerësim paraprak të dëmit të pësuar nga punëmarrësi. …Për rrjedhoje, është në diskrecionin e gjykatës për të vendosur një masë të arsyeshme dëmshpërblimi, duke u nisur nga rrethanat konkrete të çdo rasti te veçante”.
17. Në rigjykim, Gjykata e Administrative e Apelit Tiranë duke u bazuar ne përfundimet e arritura nga Kolegji Administrativ i Gjykatës se Larte, duke patur parasysh për aq sa janë te zbatueshme dispozitat mbi procedurën e gjykimit ne shkalle te pare dhe konkretisht dispozitat e neneve 225 - 230 te K.Pr.Civile, si dhe te gjitha provat qe ndodhen ne dosjen gjyqësore, te përsërisë pjesërisht hetimin gjyqësor duke vendosur bazuar ne këto prova vetëm ne lidhje me masën e dëmshpërblimit, (i cili duhet te jete një dëmshpërblim i drejte), qe duhet te përfitoje paditësi ne respektim te dispozitave te K.Punës.
18. Në rigjykim, kjo gjykatë duhet t’i bëjë të qartë paditësit që është detyrë e tij që në përputhje me ligjin te provoje pikërisht pretendimet qe ngre ne lidhje me masën e dëmshpërblimit. Palët ashtu siç kanë të drejtat, kanë dhe detyrimet që rrjedhin prej këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara në ligj. Kryerja e veprimeve si më sipër si dhe e të tjerave që eventualisht mund të lindin gjatë rigjykimit, do të lejojnë gjykatën të mund të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive lidhur me zgjidhjen e pasojave që rrjedhin nga zgjidhja e kësaj çështjeje.
19. Gjykata e Lartë, si gjykate ligji, nuk i hyn analizës së provave, (nuk mund të bëjë llogaritjet e dëmshpërblimit që i takon paditësit), gjë që duhet ta bëjnë dy gjykatat e tjera të niveleve më të ulta, por ajo vetëm evidenton shkeljet që kanë lejuar këto dy gjykata, qoftë të normave proceduriale dhe atyre materiale duke kërkuar respektimin e tyre.
20. Për sa më sipër dhe për një zgjidhje të drejtë dhe përfundimtare të çështjes, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë çmon se vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë duhet prishur dhe në referim të Ligjitnr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” dhe Dekretitnr.7818, datë 16.11.2012 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, çështja duhet të dërgohet për rigjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, për të zgjidhur vetëm problemin e masës se dëmshpërblimit qe i takon paditësit në përputhje me dispozitat ligjore të K.Punës.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 63 të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O SI
Prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranënr.67, datë 16.01.2013 dhe dërgimin e çështjes për rigjykim pranë Gjykatës së Administrative të Apelit Tiranë.
Tiranë, më 05.11.2015
Nr.11241-00318-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr.00-2015-4438 i Vendimit (579)
Do'stlaringiz bilan baham: |