VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtar
Andi Çeliku Anëtar
Evelina Qirjako Anëtar
Medi Bici Anëtar
me datë 03.11.2015 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen administrative që iu përket palëve ndërgjyqëse të mëposhtme:
PADITËS: MARTE NIKOLLI (Në mungesë).
I PADITUR: BASHKIA LAÇ (Në mungesë).
OBJEKTI:
Konstatimin e zgjidhjes së menjëhershme
dhe të pajustifikuar të kontratës së punës.
Detyrimin e palës së paditur për shpërblimin e paditëses me një vit pagë
për zgjidhjen e menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës.
Detyrimin e palës së paditur për shpërblimin e paditëses me 3 muaj pagë
për mosrespektim të afatit të njoftimit të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës.
Detyrimin e palës së paditur për shpërblimin e paditëses
me 2 muaj pagë mujore për mosrespektim të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës.
Detyrimin e palës së paditur për shpërblimin e paditëses për vjetërsinë në punë.
Baza Ligjore: Nenet 143, 144, 145, 146, 155 e vijues të Kodit Punës.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, me vendimin nr.1517-1236, datë 19.12.2012, ka vendosur:
Pranimin e kërkesëpadisë së paditëses Marte Nikolli.
Detyrimin e palës së paditur Bashkia Laç që ti paguaj paditëses dëmshpërblim për zgjidhjen e menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës në masën e 10 (dhjetë) pagave mujore.
Detyrimin e palës së paditur Bashkia Laç që ti paguaj paditëses Marte Nikolli shumën e 3 (tre) pagave mujore për mosrespektim të afatit të njoftimit.
Detyrimin palës së paditur Bashkia Laç që ti paguaj paditëses shumën e 2 (dy) pagave mujore për mosrespektim të procedurës.
Detyrimin e palës së paditur Bashkia Laç që ti paguaj paditëses shpërblimin për vjetërsi në punë shumën e 9 (nëntë) pagave mujore.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1587, datë 09.07.2013 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.1517-1236, datë 19.12.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin.
Ndaj vendimit të sipërcituar rezulton të ketë paraqitur rekurs pala e paditur Bashkia Laç, e cila kërkon:
Ndryshimin e vendimit nr.1517-1236, datë 19.12.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin dhe vendimit nr.1587, datë 09.07.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe rrëzimin e kërkesëpadisë.
Shkaqet që pala e paditur Bashkia Laç paraqet në rekurs, janë:
-
Gjykatat nuk kanë bërë një analizë të plotë të provave të administruara në dosje dhe argumenteve juridike të prezantuara nga Bashkia Laç. Kështu të dyja gjykatat kanë dhënë një vendim haptazi në kundërshtim me ligjin, duke u shprehur se kemi të bëjmë me një zgjidhje të menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës, ndërkohë që faktet dhe provat e paraqitura nga Bashkia e Laçit provojnë krejt të kundërtën.
-
Gjykatat kanë gabuar kur i janë referuar Kodit Punës në dhënien e këtij vendimi, pasi marrëdhëniet e punës me paditësen Marte Nikolli rregulloheshin nga ligji nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i Nëpunësit Civil”, kështu që gjykatat duhej të vendosnin rrëzimin e kërkesëpadisë së palës paditëse, pasi baza ligjore dhe objekti i kësaj kërkesë padie janë në kundërshtim të hapur me ligjin.
-
Pala paditëse, duke patur statusin e nëpunësit civil është ankuar pranë Komisionit të Shërbimit Civil si organ kompetent, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të Kryetarit të Bashkisë, i cili pasi ka shqyrtuar kërkesën ka vendosur: Pushimin e shqyrtimit të ankesës së paditëses Marte Nikolli për shkak të mungesës së objektit, duke arsyetuar si më poshtë: Nga materialet e administruara në dosje dhe dëgjimi i palëve në seancën dëgjimore rezulton se në datën 06.06.2012 (Informacion nr.1336/1, datë 10.07.2012 i Bashkisë Laç) kemi një ndërprerje të marrëdhënieve të punës e atyre financiare të ankueses me Bashkinë Laç. Për ndërprerjen e kësaj marrëdhënie pune nuk rezulton që të ketë ndonjë akt të Kryetarit të Bashkisë, por krijohet përshtypja se ndodhemi para një shkëputje të njëanshme të tyre bërë nga ankuesja me dëshirën e saj, gjë e cila del indirekt nga përmbajtja e kërkesës nr.1253 prot, datë 18.06.2012 drejtuar Kryetarit të Bashkisë, ku ka deklaruar: ....Deri në datën 05.06.2012 kam qenë punonjëse e këtij institucioni. Prej kësaj date i kam shkëputur marrëdhëniet financiare me këtë institucion.
-
Pra, në kushtet e dokumentacionit që kemi administruar krijohet bindja se jemi në kushtet e ndërprerjes së njëanshme të një marrëdhënie pune, e cila nuk është cënuar nga dalja e një akti konkret të eprorit (Kryetarit të Bashkisë Laç).
-
Kërkesëpadia e ngritur nga pala paditëse me objekt “Konstatimin e zgjidhjes së menjëhershme e të pajustifikuar të kontratës së punës, etj dhe bazë ligjore Kodin e Punës drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin është e pabazuar dhe në kundërshtim të hapur me ligjin nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i Nëpunësit Civil” dhe si e tillë duhej të rrëzohej dhe të mos pranohej nga gjykatat, pasi siç e shpjeguam më sipër pala paditëse gëzonte statusin e nëpunësit civil e për rrjedhojë marrëdhëniet e punës rregulloheshin nga ky ligj dhe jo nga dispozitat e Kodit Punës.
-
Në vendimin unifikues nr.20, datë 15.11.2007 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë është shprehur qartë se çfarë procedure do të ndiqet pas dhënies së vendimit nga Komisioni i Shërbimit Civil si për personin e interesuar ashtu dhe për institucionin e administratës publike, kështu Kolegjet e Bashkuara në vendimin e tyre unifikues shprehen: ....Në rast ankimimi të vendimeve të Komisionit të Shërbimit Civil qoftë nga personi i interesuar në gjykatën e shkallës së parë apo nga institucioni i administratës publike, në gjykatën e apelit, palët do të jenë po ato të fillimit të procesit të zgjidhjes së mosmarrëveshjes, punëdhënësi dhe punëmarrësi...... është e detyrueshme që gjykata të administrojë dhe t'ia nënshtrojë hetimit materialet e çështjes së shqyrtuar nga Komisioni i Shërbimit Civil në mënyrë që t'u japë përgjigje të bazuar pretendimeve të palëve.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Medi Bici dhe bisedoi çështjen në tërësi, në mungesë të palëve, në përfundim;
V Ë R E N
1. Në Gjykatën e Lartë me datë 19.09.2013 është regjistruar çështja administrative nr.11241-02493-00-2013 regj. them, që u përket palëve ndërgjyqëse: paditëse Marte Nikolli dhe e paditur Bashkia Laç, me objekt: Konstatimin e zgjidhjes së menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës, etj.
2. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi nr.1517-1236, datë 19.12.2012 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin dhe vendimi nr.1587, datë 09.07.2013 i Gjykatës së Apelit Tiranë, janë rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit material, prandaj si të tillë ato duhet të ndryshohen, duke u vendosur rrëzimi i kërkesëpadisë.
I. Rrethanat e çështjes:
3. Paditësja Marte Nikolli ka filluar punë pranë palës së paditur Bashkisë Laç me 06.12.1994 në detyrën e administratores në Sektorin e Mbrojtjes Shoqërore, detyrë të cilën ajo e ka ushtuar deri me datë 05.06.2012.
4. Pala e paditur Bashkia Laç me vendimin nr.1488/1, datë 03.08.2012 ka vendosur: Zj. Marte Nikolli, me detyrë Administratore në Sektorin e Mbrojtjes Shoqërore të Bashkisë Laç, të lirohet nga shërbimi civil me motivacionin “Largohet me dëshirën e saj”. Marrëdhëniet financiare ndërpriten datë 05.06.2012, që është dhe data e largimit në mënyrë vullnetare të punonjësit, ndërsa marrëdhënia juridike e punës ndërpritet datë 03.08.2012.
5. Paditësja Marte Nikolli, duke mos qenë dakort me këtë vendim i është drejtuar fillimisht KSHC-së për të kundërshtuar vendimin e mësipërm. Komisioni i Shërbimit Civil, pasi ka shqyrtuar kërkesën me vendimin nr.124, datë 25.07.2012 ka vendosur: Pushimin e shqyrtimit të ankesës së zj. Marte Nikolli për shkak të mungesës së objektit, duke arsyetuar si më poshtë: Nga materialet e administruara në dosje dhe dëgjimi i palëve në seancën dëgjimore rezulton se në datën 06.06.2012 (Informacion nr.1336/1, datë 10.07.2012 i Bashkisë Laç) kemi një ndërprerje të marrëdhënieve të punës e atyre financiare të ankueses me Bashkinë Laç. Për ndërprerjen e kësaj marrëdhënie pune nuk rezulton që të ketë ndonjë akt të Kryetarit të Bashkisë, por krijohet përshtypja se ndodhemi para një shkëputje të njëanshme të tyre bërë nga ankuesja me dëshirën e saj, gjë e cila del indirekt nga përmbajtja e kërkesës nr.1253 prot, datë 18.06.2012 drejtuar Kryetarit të Bashkisë, ku ka deklaruar: ....Deri në datën 05.06.2012 kam qenë punonjëse e këtij institucioni. Prej kësaj date i kam shkëputur marrëdhëniet financiare me këtë institucion.
6. Paditësja pretendon se me datë 05.06.2012 i është kërkuar të japë dorëheqjen dhe i është komunikuar verbalisht nga Kryetari i Bashkisë largimi nga puna pa treguar motivacionin e largimit. Sipas paditëses vendimi i largimit nga puna është pa shkaqe të arsyeshme. Duke qenë se në momentin e largimit nga puna gëzoja Statusin e Nëpunësit Civil kam ezauruar rrugën administrative, duke u ankuar në Komisionin e Shërbimit Civil Tiranë, i cili nuk e ka shqyrtuar kërkesën, pasi pala e paditur nuk më kishte dhënë vendim me shkrim për zgjidhjen e marrëdhënies se punës.
7. Në këto kushte paditësja i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, duke kërkuar dëmshpërblim sipas ligjit për zgjidhje të padrejtë të marrëdhënies së punës.
II. Vendimet e gjykatave dhe arsyetimi i tyre:
8. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, me vendimin nr.1517-1236, datë 19.12.2012, ka vendosur:
Pranimin e kërkesëpadisë së paditëses Marte Nikolli.
Detyrimin e palës së paditur Bashkia Laç që ti paguaj paditëses dëmshpërblim për zgjidhjen e menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës në masën e 10 (dhjetë) pagave mujore.
Detyrimin e palës së paditur Bashkia Laç që ti paguaj paditëses Marte Nikolli shumën e 3 (tre) pagave mujore për mosrespektim të afatit të njoftimit.
Detyrimin palës së paditur Bashkia Laç që ti paguaj paditëses shumën e 2 (dy) pagave mujore për mosrespektim të procedurës.
Detyrimin e palës së paditur Bashkia Laç që ti paguaj paditëses shpërblimin për vjetërsi në punë shumën e 9 (nëntë) pagave mujore.
9. Gjykata e rrethit gjyqësor ndër të tjera arsyeton se:
.... Pala e paditur nuk është në gjendje të justifikojë nga ana juridike se si konsiderohej paditësja Marte Nikolli gjatë periudhës 2 mujore mes datës 05.06.2012 deri në datën 03.08.2012, me raport jo se nuk ishte dhe i kishte të ndërprera marrëdhëniet financiare, me leje gjithashtu jo, pra pala e paditur në përpjekje për të motivuar largimin e pajustifikuar juridikisht të paditëses, ka krijuar një gjendje juridike që nuk bazohet në norma ligjore, ku një ish punonjëse të cilën e ka larguar nga puna dhe i ka ndërprerë marrëdhëniet financiare, e konsideron dhe për dy muaj pas këtyre veprimeve punonjëse që qenka me “marrëdhënie juridike pune”.
Del qartë se largimi paditëses nga puna nga pala e paditur, është bërë në mënyrë të menjëhershme, të njëanshme dhe të pajustifikuar, me datën 05.06.2012. Pretendimet e palës së paditur për largimin vullnetar të saj, nuk janë të bazuara në asnjë akt shkresor ku paditësja të ketë shprehur vullnetin e saj, por janë pretendime që bazohen në shkresa të njëanshme të palës së paditur që janë kontradiktore dhe të pa bazuara në ligj.
Lidhur me largimin e saj nga puna, paditësja, duke patur statusin e nëpunësit civil i është drejtuar fillimisht Komisionit të Shërbimit Civil, i cili pasi e ka shqyrtuar kërkesën është shprehur me vendimin nr.124, datë 25.07.2012 për pushimin e shqyrtimit të ankesës dhe paditësja i është drejtuar gjykatës.
Në rastin konkret jemi para kontratës me kohëzgjatje të pacaktuar dhe përfundimi i marrëdhënieve të punës rregullohet në Kreun e XIV, në pjesën “A” të këtij Kreu, në nenet 141-148 të Kodit Punës.
Paditësja ka më tepër se pesë vjet dhe i padituri ishte i detyruar të respektonte afatin 3 mujor. Nga pala e paditur nuk u paraqit asnjë akt që të tregojë për njoftimin e paditëses se do t’i zgjidhej kontrata e punës.
Sa më sipër del qartë se nuk është respektuar kërkesa ligjore për afatin e njoftimit që do të zgjidhej kontrata e punës.
Zgjidhja e kontratës se punës nga punëdhënësi ndaj punëmarrësit çmohet nga gjykata si një zgjidhje e menjëhershme e pajustifikuar. Kjo jo vetëm se nuk janë respektuar afatet e njoftimit, por nuk ka dhënë një motiv të provueshëm brenda kritereve ligjore.
Punëdhënësi ka shkelur gjithashtu edhe nenin 144 të Kodit Punës, procedurën. Sa më sipër gjykata e çmon si të drejtë kërkesën e paditëses, pasi në rastin konkret kemi të bëjmë me një zgjidhje të menjëhershme të pajustifikuar të kontratës dhe konform nenit 155/3 të K.Punës duhet të vendos detyrimin e punëdhënësit që ti paguaj punëmarrësit 10 (dhjetë) muaj pagë si dëmshpërblim......
10. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1587, datë 09.07.2013 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.1517-1236, datë 19.12.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin.
11. Gjykata e apelit ndër të tjera arsyeton se:
.....Gjykata e Apelit Tiranë, çmon të sqarojë çështjen se cili është ligji i aplikueshëm në rastin konkret. Pala e paditur si në shkallë të parë dhe në apel ka ngritur pretendimin se në rastin konkret duhet të aplikohen dispozitat e ligjit “Për Statusin e Nëpunësit Civil”, duke qenë se paditësja gëzonte këtë status që nga data 27.01.2002, konfirmuar me vendimin nr.04, datë 01.03.2004 të Bashkisë Laç. Nga aktet e administruara, u provua se paditësja e ka ezauruar rrugën administrative, duke u ankuar pranë Komisionit të Shërbimit Civil lidhur me vendimmarrjen e Kryetarit të Bashkisë, vendimmarrje e cila në kohën e këtij ankimi, nuk ishte materializuar në një vendim të shkruar. Në mungesë të këtij akti, Komisioni i Shërbimit Civil nuk ka patur se çfarë të shqyrtojë dhe me vendimin e tij nr.124, datë 25.07.2012 ka pushuar çështjen për shkak të mungesës së objektit. Pas këtij vendimi të KSHC-së, pala e paditur rezulton të ketë nxjerrë vendimin nr.1488/1 prot., datë 03.08.2012 për lirimin nga shërbimi civil të paditëses. Pala e paditur, Bashkia Laç i ka dhënë fuqi prapavepruese këtij akti, duke përcaktuar ndërprerjen e marrëdhënieve financiare me datë 05.06.2012. Gjykata e Apelit Tiranë çmon se ky akt është absolutisht i pavlefshëm, pasi është nxjerrë në kundërshtim flagrant me ligjin. Aktet administrative si rregull hyjnë në fuqi nga dita e miratimit të tyre. Siç shihet nga përcaktimet e 112 të KPA, nuk jemi në asnjë nga rastet e parashikuara aty, për ti dhënë vendimit nr.1488/1 prot., datë 03.08.2012 të Bashkisë Laç një efekt prapaveprues, përkundrazi, në kundërshtim me pikën 2/a, fuqia prapavepruese është në disfavor të palës paditëse, pasi nga ana financiare i fillon efektet që me datë 05.06.2012. Në këto kushte, duke iu referuar kuptimit të nenit 4 të Kodit Punës, .... si dhe bazuar në epërsisë që ka zbatimi i Kodit Punës në krahasim me ligje të tjera të zakonshme, për rregullimin e marrëdhënies së punës, Gjykata e Apelit Tiranë çmon se në rastin konkret duhet të aplikohen dispozitat e Kodit Punës. Këtë e përforcon edhe më tepër fakti se paditësja gjatë gjykimit në shkallë të parë, ka hequr dorë edhe nga kërkimi i kthimit në punë, çka nënkupton heqjen dorë prej saj nga shërbimi civil, por jo nga dëmshpërblimi për ndërprerjen e padrejtë të marrëdhënies së punës. Prandaj, Gjykata e Apelit Tiranë bazuar në nenin 6 të K.Pr.Civile, duhet të shprehet mbi gjithçka që kërkohet dhe vetëm për atë që kërkohet. Referuar Kodit Punës, gjykata çmon se zgjidhja e menjëhershme e kontratës së punës mund të bëhet vetëm për shkaqe të justifikuara, neni 153 i Kodit Punës. Në rastin konkret, gjykata çmon se, nuk plotësohen këto kushte komulative për të pranuar ekzistencën e shkakut të justifikuar. Nuk ka rezultuar e provuar që paditësja të ketë shkelur detyrimet kontraktuale me faj të rëndë, as me faj të lehtë e as në mënyrë të përsëritur. Motivacioni i ndërprerjes së marrëdhënies së punës sipas vendimit nr.1488/1, datë 03.08.2012, të Kryetarit të Bashkisë Laç ka qenë se: Largohet me dëshirën e saj. Ndërkohë që pala e paditur nuk ka paraqitur asnjë provë ku të vërtetonte se paditësja kishte kërkuar të largohej me vullnetin e saj nga puna. Pra rezulton qartë se nuk jemi para një largimi vullnetar nga puna nga ana e paditëses dhe pretendimet e palës së paditur nuk janë të bazuara......
III. Ligji i zbatueshëm:
12. Në nenin 4 të Kodit Punës, ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003 është parashikuar se:
Përjashtohen nga fusha e zbatimit të këtij Kodi: punësimi i personave që rregullohet me ligj të veçantë.
Dispozita të veçanta të këtij Kodi zbatohen edhe ndaj personave, punësimi i të cilëve rregullohet me ligj të veçantë, nëse ligji i veçantë nuk parashikon zgjidhje për probleme të lidhura me marrëdhëniet e punës.
13. Në nenin 8 të ligjit nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”1, parashikohet se:
1. Komisioni i Shërbimit Civil ka këto kompetenca:
a) Zgjidh ankesat ndaj vendimeve lidhur me pranimin në shërbimin civil, periudhën e provës, ngritjen në detyrë, lëvizjen paralele, vlerësimin, masat disiplinore dhe të drejtat e nëpunësit civil.
b) Mbikëqyr menaxhimin e shërbimit civil në të gjitha institucionet që hyjnë në fushën e veprimit të këtij ligji. Kur konstaton parregullsi, Komisioni i Shërbimit Civil paralajmëron institucionin përkatës, duke i dhënë dy muaj kohë për të rregulluar ligjshmërinë dhe në mbarim të këtij afati çon çështjen në gjykatë.
c) Ushtron çdo kompetencë tjetër që i jepet në këtë ligj apo në aktet normative të nxjerra në bazë dhe për zbatimin e tij.
2. Komisioni i Shërbimit Civil zgjidh ankesat e parashikuara në pikën 1 shkronja “a” të këtij neni brenda 30 ditëve nga regjistrimi i ankesës. Në qoftë se ankesa nuk zgjidhet brenda këtij afati, personi i interesuar mund të ankohet në gjykatë brenda 30 ditëve nga mbarimi i afatit për zgjidhjen e ankesës nga Komisioni i Shërbimit Civil. Sekretariati Teknik publikon vendimet e Komisionit të Shërbimit Civil dhe njofton të interesuarit. Vendimet e Komisionit të Shërbimit Civil mund të kundërshtohen në gjykatë brenda 30 ditëve pune nga njoftimi i vendimit.
3. Vendimet e Komisionit të Shërbimit Civil, marrë në përputhje me pikën 1, shkronja “a” të këtij neni, janë të detyrueshme për institucionet e administratës publike vendore dhe qendrore.
Institucionet e administratës qendrore apo vendore mund të ankohen në gjykatat e apelit kundër vendimeve të Komisionit të Shërbimit Civil, të marra në përputhje me pikën 2 të këtij neni, brenda 30 ditëve nga komunikimi i vendimit.
14. Në VKM nr.306, datë 13.06.2000 në pikën 12 dhe 13 të tij, parashikohet se:
....Ankimi në Komisionin e Shërbimit Civil paraqitet në formë shkresore dhe përmban këto të dhëna:
a) emrin dhe adresën e ankuesit,
b) vendimi që kundërshtohet (një kopje e tij);
c) bazën ligjore dhe faktike të ankimit;
ç) provat shkresore dhe çdo dokument tjetër, që vlerësohet i rëndësishëm nga ankuesi.
13. Pas shqyrtimit të ankesës, Komisioni i Shërbimit Civil vendos:
a) rrëzimin e ankesës;
b) shfuqizimin e vendimit të eprorit të drejtpërdrejtë;
c) ndryshimin e masës disiplinore, në një masë më të lehtë apo më të rëndë.
15. Vendimi unifikues nr.20, datë 15.11.2007 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
IV. Arsyetimi i Kolegjit Administrativ dhe zgjidhja e çështjes:
16. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, rekursi i paraqitur nga pala e paditur Bashkia Laç, përmban shkaqe nga ato që parashikohen në ligj, prandaj ka vend që vendimet e gjykatave të cënohen.
17. Në ndryshim nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë ka për objekt shqyrtimi vetëm kontrollin e zbatimit të ligjit material e procedurial nga ana e gjykatave, vendimet e të cilave janë objekt i rekursit, por pa patur të drejtën që të zhvillojë hetimin gjyqësor në drejtim të marrjes së provave. Hetimi gjyqësor i plotë dhe i gjithanshëm, për të provuar parashtrimet apo prapësimet e palëve, me mjetet provuese të lejueshme që Kodi i Procedurës Civile parashikon, është detyrë e gjykatës së shkallës së parë dhe asaj të apelit.
18. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, arsyetimi dhe përfundimi i arritur nga gjykatat më të ulta në çështjen objekt gjykimi është rrjedhojë i zbatimit të gabuar të ligjit material, prandaj vendimet e tyre duhet të ndryshohen, duke u vendosur rrëzimi i kërkesëpadisë. Duhet theksuar se gjykata që shqyrton mosmarrëveshjen duhet të shprehet mbi gjithçka që kërkohet dhe vetëm për atë që kërkohet, sipas nenit 6 i K.Pr.Civile, të kryej një hetim të plotë e të gjithanshëm, në përputhje me parashikimet e nenit 14 i K.Pr.Civile, të zgjidhë mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj sipas nenit 16 i K.Pr.Civile dhe në përputhje me përcaktimet e nenit 126 të Kodit të Procedurës Civile, duhet të bëjë një analizë tërësore dhe objektive të provave dhe të çmojë provat e marra gjatë gjykimit të çështjes, sipas bindjes së brendshme, të formuar nga shqyrtimi i të gjitha rrethanave të çështjes në tërësinë e tyre, sipas nenit 309 të po këtij Kodi.
19. Në nenin 8 të ligjit nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”1, parashikohet se: Komisioni i Shërbimit Civil zgjidh ankesat e parashikuara në pikën 1 shkronja “a” të këtij neni brenda 30 ditëve nga regjistrimi i ankesës. Në qoftë se ankesa nuk zgjidhet brenda këtij afati, personi i interesuar mund të ankohet në gjykatë brenda 30 ditëve nga mbarimi i afatit për zgjidhjen e ankesës nga Komisioni i Shërbimit Civil. Sekretariati Teknik publikon vendimet e Komisionit të Shërbimit Civil dhe njofton të interesuarit. Vendimet e Komisionit të Shërbimit Civil mund të kundërshtohen në gjykatë brenda 30 ditëve pune nga njoftimi i vendimit.
20. Në referim të dokumentacionit të administruar në dosje, objektit dhe shkakut ligjor të kërkesëpadisë, dhe në analizë të vendimeve të gjykatave, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se gjykatat më të ulta, duke mos përcaktuar saktë natyrën e mosmarrëveshjes në gjykim, kanë gabuar në zgjidhjen e çështjes, pasi është plotësisht e provuar se marrëdhënia mes palëve ndërgjyqëse, ka lindur nga zbatimi i kërkesave dhe kritereve të ligjit nr.8549/1999 “Statusi i nëpunësit civil”.
21. Duke qenë se në rastin objekt gjykimi pala paditëse gëzonte statusin e nëpunësit civil sipas vendimit nr.563, datë 05.03.2004 të kryetarit të bashkisë që e konfirmon një gjë të tillë, marrëdhënia e punës ndërmjet palëve duhet të rregullohet nga dispozitat e ligjit nr.8549/1999 “Statusi i nëpunësit civil”, pra edhe mosmarrëveshjet që lindin ndërmjet palëve duhet të rregullohen nga ligji specifik që rregullon fushën përkatëse, dhe nëse ai ka ndonjë zbrastësi, atëhere mund tu drejtohemi për “ndihmë” dispozitave të përgjithshme, të parashikuara nga Kodi Punës.
22. Në zbatim të dispozitave ligjore të cituara më lart, si dhe nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në konkluzionin se arsyetimi i gjykatave më të ulta se në këtë rast janë të zbatueshme dispozitat e Kodit Punës, pasi paditësja ka ezauruar ankimin pranë Komisionit të Shërbimit Civil, është i pabazuar në ligj, pasi ndodhemi përpara një rasti ku paditësja i është drejtuar këtij Komisioni pa patur në dorë një vendim të palës së paditur për largimin e saj nga detyra, prandaj Komisioni ka vendosur pushimin e shqyrtimit të ankesës. Kolegji Administrativ thekson se, në momentin e marrjes së vendimit nr.1488/1, datë 03.08.2012 të Kryetarit Bashkisë Laç, pala paditëse Marte Nikolli në zbatim të nenit 8/2 të ligjit nr.8549/1999 duhej ti ishte drejtuar përsëri Komisionit të Shërbimit Civil dhe nëse nuk pajtohej me vendimin e tij brenda një afati 30 ditor mund të vinte në gjykatë.
23. Arsyetimi i gjykatës së apelit se meqenëse pala paditëse nuk ka kërkuar kthimin në punë, ajo mund ta kërkonte dëmshpërblimin, duke u bazuar në dispozitat ligjore, të parashikuara nga Kodi i Punës është i pabazuar në ligj, pasi në nenin 4 të Kodit Punës, ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003 është parashikuar se përjashtohen nga fusha e zbatimit të këtij Kodi: punësimi i personave që rregullohet me ligj të veçantë. Dispozita të veçanta të këtij Kodi zbatohen edhe ndaj personave, punësimi i të cilëve rregullohet me ligj të veçantë, nëse ligji i veçantë nuk parashikon zgjidhje për probleme të lidhura me marrëdhëniet e punës. Citimi i kësaj dispozite ligjore tregon mjaft qartë se paditësja nuk mund të kërkonte zgjidhjen e mosmarrëveshjes së punës, duke vendosur në bazën ligjore të padisë vetëm dispozitat e përgjithshme të Kodit Punës, pa iu referuar më parë ligjit nr.8549/1999 “Statusi i nëpunësit civil” dhe vetëm nëse ky ligj krijonte ndonjë zbrastësi, atëhere e drejta mund të kërkohej, duke u bazuar edhe në dispozita të veçanta të Kodit Punës.
24. Përsa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se, rekursi i paraqitur nga pala e paditur Bashkia Laç është i bazuar në ligj, prandaj si i tillë ai duhet të pranohet dhe për rrjedhojë vendimet e gjykatave duhet të ndryshohen, duke u rrëzuar kërkesëpadia e paraqitur nga pala paditëse.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenin 63/dh të ligjit nr.49, datë 03.05.2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”......
V E N D O S I
Ndryshimin e vendimit nr.1517-1236, datë 19.12.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin dhe vendimit nr.1587, datë 09.07.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe rrëzimin e kërkesëpadisë.
Tiranë, më 03.11.2015
Nr.31003-01716-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr.00-2015-3668 i Vendimit (569)
Do'stlaringiz bilan baham: |