Nga Blendi Fevziu
Almir Aliu nuk është më! Deri dje ishte ende një 4 vjeçar me sytë xixëllues dhe dhëmbët e bardhë rrezëllues që i jepnin bukuri buqëqeshjes. Buzëqeshja e tij e sinqertë si e çdo fëmije më ngulet thellë në zemër ndërsa i shoh foton. Sytë më mbushen me lot. E imagjinoj dhimbjen e prindërve të tij. E di se si mund të ndihen sot, kur në mbrëmje nuk do ta përqafojnë vogëlushin e tyre; nuk do t’i urojnë natën e mirë; nuk do t’i përkëdhelin kokën dhe nuk do t’i thonë frazën standart që besoj se e thotë çdo prind, kudo në botë. Pavarësisht nga gjuhët që flet: fli që të rritesh! Almiri i vogël nuk do të rritet më. Në një natë të shenjtë, ai ka zënë vendin e tij në këtë botë, një vend fare modest, thuajse 1 metër kator varr. Nuk ishte vendi që ai meritonte. Nuk është vendi që meriton asnjë fëmijë në botë. Ai dergjet atje, peng i një urrejtjeje të vjetër dhe i një akti kriminal. Prehu në paqe Almir! Fali të gjithë ata që nuk ditën të të duan dhe kursejua dhimbjen atyre që të deshën shumë. Në rradhë të parë familjarëve të tu! Të gjithë atyre që dërdhën sot lot mbi varrin tënd apo përpara kompjuterave ku lexuan lajmin, kudo që ndodhen.
Almiri iku nga kjo botë, pa e ditur se çfarë është urrejtja etnikë; as racizmi. Ai ishte në një moshë kur fëmijët i ndajnë njerëzit e botës thjeshtë në të mirë dhe të këqinj! Në përbindsha dhe heronj. Me siguri ashtu do t’i jetë dukur edhe Boban Iliç, vrasësi kriminel kur është turrur drejt tij dhe familjes me gjithë gazin që mund të prodhojë makina. E ka parë si një e keqe që shkonte drejt tij dhe që ai nuk e ka ndalur dot. As me buzëqeshjen; as me klithmën për ndihmë dhe as me pafajësinë e një fëmije. Pafajësi që ka ndalur duart e kriminelëve më të mëdhenj të botës, por që nuk ndali atë të Boban Iliç! Djali po kthehej në shtëpi me prindërit. Nuk e dinte që babai i tij kishte bërë fjalë për rradhën në urgjencën shëndetësore me një maqedonas dhe për këtë iku nga rradha. Por kjo nuk mjaftoi. Boban Iliç, djali i një zyrtari të Ministrisë së Brendshme e ndoqi pas dhe i goditi me makinë. Goditi djalin 4 vjeçar që nuk kishte faj. Dëshmitarët thonë që në tërbimin e tij shante shqiptarët. Askush nuk e ndihmoi dot Almirin! As prindërit. Ndodhi gjithçka kaq shpejt dhe djali i vogël lëngoi edhe pak. Ai iku! Atëherë kur s’duhej të ikte. Sepse nuk kishte asnjë faj; asnjë përgjegjësi; asgjë mbi supet e tij të brishta prej fëmije dhe asgjë në ndërgjegjien e tij të bardhë prej engjëlli. Mbase veç një faji nëse konsiderohet kështu: ishte shqiptar. Dhe shqiptarët në Maqedoni, me gjasë meritojnë këtë trajtim!
Nuk dua ta politizoj. E di që kriminelë ka kudo. E di që vrasës e manjakë ka në çdo vend. Por kjo nuk është vrasje e zakonshme. Kjo është urrejtje e mbarsur etnike; është bindje e krijuar me dekada që shqiptarët kaq meritojnë dhe me ta duhet të sillesh kështu. Eshtë produkt i kushtetutës së Repulikës së re të Maqedonisë, që deri në 2001 e konsideronte Maqedoninë shtet të Maqedonasve. Duke lënë jashtë saj më shumë se gjysmën e popullsisë së Republikës. Nuk besoj që Boban Iliç është nisur nga kjo. Por ai është rritur në atë ambjent; ai ka dëgjuar prindërit e tij të arsyetojnë kështu; e ka mësuar se jeta e një shqiptari ka pak vlerë. Siç ndodhi edhe në shumë raste të tjera. I kujtoni përgjimet ku shqiptarët i mbanin në burg dhe i akuzonin pa asnjë fakt. Sepse me shqiptarët mund të sillesh kështu.
Almiri iku. Ai nuk arriti të mësonte ende asgjë për marrëveshjen e Ohrit; as për implementimin e saj; as për politikanët shqiptarë që po nëpërkëmben nga maqedonasit me keq se sa vetë popullata shqiptare. Nëse Almiri do rritej, padyshim që do të sillesh ndryshe. Ai do të mësonte në gjeografi se shqiptarët e Maqedonisë janë afro 35 % e popullatës së Republikës. Se ndryshe nga 20 vjet më parë, kjo Republikë kufizohet me atë të Kosovës e Shqipërisë, të banuara po nga shqiptarë si ai. Se shqiptarët janë një popullatë prej 8 milion banorësh vetëm në rajon dhe nuk kanë asnjë arsye të jenë inferiorë ndaj maqedonasve. Almiri do të lodhej të gjente prejardhjen e Iliç. Është bullgar, rom, turk i shartuar apo si? Do e kishte vështirë t’i gjente kombësi atij, por do ishte i qetë dhe i bindur për kombësinë e tij. Ai ishte shqiptar. Dhe për këtë arsye nuk u rrit dot kurrë. Për këtë arsye e vranë. Iku në moshën 4 vjeçare, një ditë të shenjtë, me po atë buzëqeshje dhe me po ato sy xixëllues, duke na buzëqeshur të gjithëve. Iku duke vuajtur plagët e lëndimit, dhe duke lënduar gjithë ndërgjegjiet tona. Që nuk e ndihmuam dot, që nuk bëmë një shoqëri më të mirë dhe pa urrejtje etnike ku ai të rritej.
Fli i qetë Almir. Lotët tona nuk e vadisin dot, tokën ku t’i prehesh. Por lotët e tu, e kanë tronditur thellë gjithë këtë tokë. Nga Këtu, Tirana ku unë po shkruaj tani nën dritën e hënës e deri në Kumanovë; nga Prishtina e deri në Shkup; nga Ulqini e deri në Tetovë. Prehu i qetë Almir dhe na fal që nuk të mbajtëm dot mes nesh në këtë botë. Të morën me forcë. Fali prindërit e tu që nuk do të të puthin dot sot në mbrëmje dhe asnjë ditë më të kësaj jete. Që do jetojnë me pengun tënd dhe beso, që edhe nëse na fal, jemi ne fajtor që ti nuk je sot në këtë botë! Zoti u tregoftë me ty në parajsë më i mirë se sa u treguan me këtu poshtë në këtë botë!/Opinion.al/
Grabitja në aeroport/ "Shefi i komisariatit të Rinasit ishte në gjumë"
Supergrabitja e rreth 1 milion eurove në aeroportin e Rinasit ka qenë çështje diskutimi edhe në mbledhjen e sotme të Komisionit të Sigurisë në Parlament.
Nënkryetari i këtij komisioni, Flamur Noka, ka thënë se, në kohën kur ndodhi grabitja në aeroport, shefi i Komisariatit të Rinasit, Skënder Sallaku, ka qenë duke fjetur gjumë, ndërkohë Lapsi.al publikon ekskluzivisht foton e zyrtarit të policisë.
Gjatë ditës së sotme ka reaguar zyrtarisht kompania private që menaxhon aeroportin.
Ajo ia la përgjegjësinë policisë së shtetit, ndërsa policia bën me faj kompaninë private që kishte sigurinë e aeroportit./LAPSI.AL/
Rama reagon pas padisë së PD-së: Nuk është krim që bëra foto me Obamën
Pas padisë së bërë nga Partia Demokratike, Kryeministria ka reaguar sërish përmes një deklarate lidhur me çështjen e shumëpërfolur së fundi: fotografia e Ramës me Obamën në vitin 2012.
Kryeministria thotë se padia e PD-së tregon dëshpërimin që ka kapur opozitën e sotme.
Rama i bën sërish thirrje opozitës për të miratuar reformën në drejtësi.
Më poshtë deklarata e plotë:
“Kryeministri Edi Rama shpreh edhe njëherë keqardhjen për përpjekjen e dëshpëruar të Partisë Demokratike për të mos u përballur me nevojën reale të vendit sot, që është Reforma në Drejtësi.
Kallëzimi i Partisë Demokratike për fotografinë e vitit 2012 me Presidentin Obama, kur Kryeministri i sotëm ishte në opozitë dhe akuza për financim të paligjshëm nga ana e tij të fushatës së Presidentit Obama, përben një tjetër rast për qytetarët për të parë se në çfarë niveli dëshpërimi gjendet opozita e sotme.
Kryeministri Rama s’ka lidhje me asnjë lloj financimi të paligjshëm dhe i vetmi “krim” që ka bërë në vitin 2012 është se ka dalë në fotografi me Presidentin e SHBA në një kohë kur qeverisë shqiptare dhe shefit të saj i ishin mbyllur të gjitha dyert dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë vuanin rrënimin e imazhit të vendit tonë për shkak te keqqeverisjes.
Ishte koha kur qeveria e Shqipërisë shpërdoronte miliona dollarë nga taksat e shqiptarëve, për të lobuar në SHBA jo për Shqipërinë, po për përbaltjen e Partisë Socialiste dhe Edi Ramës me artikuj dizinformues të porositur e të paguar nga Tirana.
Edhe sot Partia Demokratike vazhdon të paguajë për të nxjerrë artikuj në gazeta të dorës së dytë e të tretë matanë oqeanit, që përpiqet t’i shesë në Shqipëri si “bomba” kundër qeverisë së sotme, e cila u prit zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë pas vitesh të tëra dyersh të mbyllura.
Kryeministri Edi Rama përfiton edhe njëherë nga rasti për t’i bërë publikisht thirrje Partisë Demokratike që përveç propagandës së baltës dhe kallëzimeve që janë pjesë e kësaj propagande, të merret seriozisht me nevojën historike të vendit për Reformën në Drejtësi. Një drejtësi e çliruar nga kthetrat e korrupsionit politik e financiar, do të çlirojë më në fund edhe të vërtetën e gjithë akuzave të Partisë Demokratike si edhe të vërtetën e krimeve të pandëshkuara në gjithë këto vite!
Pse i trembet Partia Demokratike këtij çlirimi të domosdoshëm për të gjithë?
Pse nuk pranon Partia Demokratike që partitë së bashku të heqin duart nga kontrolli i sistemit e drejtësisë?
Çfarë e frikëson Partinë Demokratike në përfshirjen e aleateve tanë strategjikë në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit të Reformës në Drejtësi?
Këto janë pikëpyetjet e mëdha të Shqipërisë së sotme dhe jo fotografia e vitit 2012 me Presidentin e Shteteve të Bashkuara”.
Grabitja në Rinas/ Tahiri thyen heshtjen, heq përgjegjësinë nga policia
Më në fund pas disa ditë heshtje ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka folur për supergrabitjen e parave në Rinas.
Por më shumë ai i është shmangur përgjigjeve direkte ndaj pyetjeve të gazetarëve, duke përsëritur versionin zyrtar se fajin për grabitjen nuk e ka policia, por kompania private e sigurisë.
Tahiri ka thënë se kontrata koneçensionare duhet riparë, ndërsa u shpreh me besim se autorët do të kapen.
Më poshtë reagimi i tij i plotë:
“Ju ftoj dhe ju të jeni më të vëmendshëm ndaj institucioneve që kanë përgjegjësi. Ka një kontratë koncensionare që e bën policinë të ketë përgjegjësi për aeroportin, ku e keni dëgjuar që policia kujdeset për udhëtarët në terminal.
Unë besoj se kontrata koncensionare duhet minimumi duhet riparë se kështu s’mund të ecet, e para me lojëra të paprincipta në publik, kukafshehtasi kush e ka fajin.
Jeni njohur se testet e njëpasnjëshme kanë treguar defekte dhe ky është gjykimi im. Unë se besoj se ka shumë për të bërë si besoj se edhe vetë policia ka shumë për të bërë zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorëve
Kam besim se autorët do të kapen dhe do të mbajnë përgjegjësi po deri në atë kohë ne do të mbajmë vëmendjen tek sistemi që duhet të garantojë paprekshmërinë.
Policia e Shtetit ka bërë shumë duhet të bëjë më shumë. Jam i pari që refuzoj që për çdo gjë që ndodhë në këtë vend t’i drejtohet gishti policisë. Besoj se jemi në kohë për të shikuar sigurinë në aeroportin e Rinasit”.
Ja ku po e feston Edi Rama 52 vjetorin e lindjes...
Sot më 4 Korrik kryeministri Edi Rama feston 52 vjetorin e lindjes. Kreu i ekzekutivit ndodhet në Paris aty ku po merr pjesë në Forumin Ekonomik. Ky angazhim ka bërë që Rama të gjendet jashtë vendit në ditën e lindjes. Por gjithsesi, Parisi është një rastësi e bukur për Kryeministrin…
Vrasja e biznesmenit në Qipro, Aleks Burreli vrau Jani Voglin
Policia e Qipros vazhdon kërkimet për të dyshuarin shqiptar Aleks Burreli, që akuzohet si një nga autorët e vrasjes së katërfishtë që ndodhi mbrëmjen e 23 qershorit në Ajia Napa.
Nga ekspertiza ka rezultuar se kundër biznesmenit qipriot, Fotis Kalopsidhiotis dhe personave që e shoqëronin janë përdorur dy armë, një pistoletë dhe një kallashnikov. Pistoletën e ka përdorur atentatori Jani Vogli, cili mbeti edhe vetë i vrarë.
Që në fillim ishte dyshuar se Vogli mund të jetë vrarë nga Aleks Burreli. Por ky dyshim tashmë është shndërruar në fakt, pas ekspertiza ka rezultuar me shenja të qarta se ai është qëlluar nga bashkatdhetari i tij, pra Burreli.
Sipas mediave, policia mendon se ka shumë gjasë që përveç dy shqiptarëve në atentatin kundër biznesmenit të ketë marrë pjesë edhe një person i tretë.
Tre qipriotë dhe truproja serb i biznesmenit janë arrestuar deri më tani, si të dyshuar për pjesëmarrje në vrasje.
Por ata ende nuk po bashkëpunojnë me hetuesit. Në atentatin e 23 qershorit ekzekutuam biznesmeni Fotis Kalopsidhiotis dhe një çift policësh me të cilët po darkonte, si dhe një prej atentatorëve, shtetasi Jani Vogli, i moshës 41 vjeç.
Foto/ Pavarësia e Amerikës, luftë për liri por dhe për... para
Lufta Revolucionare Amerikane (1775-1783), e njohur edhe si Lufta Amerikane për Pavarësi, filloi si luftë mes Mbretërisë së Britanisë së Madhe dhe besëlidhjes së trembëdhjetë kolonive britanike të Amerikës së Veriut dhe përfundoi, si luftë globale ndërmjet disa fuqive të mëdha evropiane. Lufta ishte kulmi i Revolucionit politik Amerikan, me ç’rast kolonët refuzuan të drejtën e Parlamentit të Britanisë së Madhe për t’i qeverisur pa përfaqësim.
Më 1775, revolucionarët morën kontroll mbi secilën qeveri të trembëdhjetë kolonive, u mblodhën në Kongresin e Dytë Kontinental dhe formuan Ushtrinë Kontinentale. Peticionet drejtuar mbretit për të ndërhyrë në parlament në emër të tyre rezultuan në cilësimin e Kongresit si akt tradhtar, ndërsa shtetet nisën kryengritjen në vitin tjetër. Amerikanët u përgjigjën me shpallje zyrtare të pavarësisë dhe të shtetit të tyre, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke pretenduar sovranitet dhe duke flakur tej çdo lidhje me monarkinë britanike. Më 1777, kontinentasit, zunë rob një ushtri britanike, duke bërë që Franca të hyjë në luftë në anën e amerikanëve në fillim të vitit 1778 dhe të ofrojë barazi ushtarake kundrejt Britanisë. Spanja dhe Republika Holandeze, aleatë të Francës gjithashtu, hyjnë në luftë kundër Britanisë, brenda dy viteve të ardhshme.
Gjatë tërë luftës, britanikët arritën të përdorin epërsinë e tyre detare dhe të zaptojnë dhe pushtojnë qytetet bregdetare, mirëpo kontrolli i brendisë (ku jetonte 90% e popullsisë) iu iku nga duart, për shkak të tokësorisë relativisht të vogël. Përfshirja frënge u provua vendimtare ; fitorja detare e Francës në Chesapeake, shkaktoi dorëzimin e një ushtrie të dytë britanike në Yorktown më 1781. Më 1783, Traktati i Parisit përfundoi luftën dhe njohu sovranitetin e Shteteve të Bashkuara mbi territorin përbri Kanadës së sotme në veri, Floridës në jug dhe lumit Misisipi në perëndim.
Dilemat e fillimit
Marrëdhëniet mes 13 kolonive amerikane dhe kurorës mbretërore të Britanisë së Madhe, vit pas viti acaroheshin, kjo si pasojë e taksave të rënda që u kërkoheshin. Të pakënaqurit filluan të organizoheshin që përpara vitit 1775. Mes tyre tashmë ishte vendosur që do të shpallnin luftë kundër ushtrisë britanike, por dilema e madhe ishte që në bazë të kësaj lufte do të ishte kërkesa për pavarësi ekonomike, apo ajo do të niste që në fillim si një revolucion për larine, me synim përfundimtar pavarësinë.
Pavarësisht kësaj në vitin 1775 lufta mes trupave britanike nga njëra anë dhe kolonëve amerikanë nga tjetra, nisi. Tetë vjet më vonë, në 1783, tërheqja e anglezëve kishte shënjuar lindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por disa dekada pas fundit të konfliktit, njëri prej protagonistëve të revolucionit amerikanë i bëri një rilexim fakteve të luftës. “Revolucioni ka ndodhur përpara se të fillonte lufta”, shkruante John Adams, presidenti i dytë i SHBA pas George Uashingtonit.
“Revolucioni ishte në zemrat dhe mendjet e popullit. Ky ndryshim radikal në parime, në mendime, në ndjenja dhe në afeksionin e njerëzve ishte revolucioni i vërtetë amerikan”. Pra, sipas tij, atë luftë e kishte shkaktuar një dëshirë e madhe për lirinë, që ishte bërë e papërmbajtshme. Kur populli kishte marrë armët, thoshte Adams, revolucioni tashmë ishte kryer dhe betejat ishin vetëm pasojat e pashmangshme.
Luftë për liri, por edhe çështje parash
Pavarësisht se çfarë shkruhet në librat e shkollave që mësojnë sot fëmijët amerikanë, e vërteta që kanë rindërtuar historianët, ka edhe një anë tjetër të medaljes. Ajo i jep të drejtë John Adamsit, duke e vendosur fillimin e revolucionit më përpara se sa shpërthimi i gjyles së parë të topit. Por nuk bëhej fjalë vetëm për një çështje “zemrash dhe mendjesh”. Ishte më shumë një problem tregtie dhe taksash. Revolucioni, të paktën në fillimin e tij, ishte mbi të gjitha një çështje parash.
Premisa e përgjithshme u krijua në vitin 1763, kur Anglia kishte mposhtur francezët në fundin e Luftës 7-vjeçare, duke dalë prej saj si fuqia më e madhe koloniale në Amerikën e Veriut. Anglezët ishin të ardhurit e fundit, pas spanjollëve, holandezëve dhe francezëve. Por dy shekuj e gjysmë pas Kristofor Kolombit, i kishin shtyrë francezët në veri, në Kanada dhe spanjollët në Jugperëndim, përtej lumit Misisipi. Anglezët dominonin në një territor shumë të madh që shtrihej nga oqeani Atlantik në Misisipi, i banuar nga popullsi vendase me të cilat herë luftohej, dhe herë lidheshin aleanca.
Në këtë pikë, atdheu vendosi që ta bënte të kthyeshëm investimin: Kurora angleze rriti taksat e kolonëve, për të paguar kostot e konfliktit që sapo ishte mbyllur, si dhe për të përballuar shpenzimet e ushtrisë që mbikëqyrte kolonitë. Problemi ishte se kolonët nuk konsideroheshin të tillë: konsideroheshin anglezë, të paktën po aq sa edhe vetë anglezët.
Revolucioni mbërriti nga Europa
Më të pasurit (e ashtuquajtura “aristokracia e kolonive”, borgjezia e lartë dhe oligarkia financiare, latifondistët dhe kultivuesit e pambukut) kishin zakonin që të dërgonin bijtë e tyre të studionin në Europë, atje ku këta njihen filozofë “liberalë” anglezë si Locke dhe Hume. E quanin fyes sensin e superioritetit të atij, që ende e konsideronin atdheu i tyre. “Ekzistonte një çështje morale”, shpjegon Eduard Taylor, docent i historisë amerikane të shekullit XIX në San Jose University, në Kalifornia. “Kur hidhnin sytë nga Britania e Madhe dhe nga Europa, kolonët shihnin një botë që e konsideronin të korruptuar. Ndonëse të nënshtruar në planin politik, kishin maturuar një ndjesi superioriteti”.
Në fund ishte problemi fiskal, ndoshta më i ndjeri: “anglezët e Amerikës” ishin të taksuar nga ata të Anglisë, por nuk kishin përfaqësues në parlamentin e Londrës. Paguanin ashtu si dhe kolonitë e tjera të mbretit George III i Anglisë, por në ndryshim nga ata nuk kishin akses në qeverinë e vendit (as edhe atë të kolonive). “U nënshtroheshin edhe detyrimeve dhe kufizimeve në tregti – mbi të gjitha atë ndërkombëtare – si dhe ishin viktima të proteksionizmit të prodhuesve dhe tregtarëve të tokës mëmë”,- shton Taylor.
Pra, kolonët ishin të varur të kategorisë së dytë. “Nga ana tjetër, nuk u shpëtonte borgjezisë tregtare të veriut dhe pronarëve të mëdhenj të jugut, shansi i madh që ofronte fundi i luftës kundër francezëve si dhe disponueshmëria e tokave të reja. Kolonitë angleze ishin vetëm një rrip pararoje përgjatë bregut lindor dhe avantazhet e ekspansionit në perëndim dukeshin (dhe në fakt ishin) shumë të mëdhenj.
Nga lufta civile, te dorëzimi i mbretit George III
Ajo tokë me sasi e pafundme burimesh dhe perspektivash ishte për amerikanët një Eden i ri, një vend i paprekur (prania e vendasve praktikisht nuk konsiderohej aspak), ku një njerëzim i ri në moshë dhe i pastër kishte rastin për të krijuar një botë të re. Ashtu si në një Gjenezë të dytë, Amerika do të ishte Izraeli i Ri i thirrur për shpëtimin e botës. Por, megjithëse kolonëve u pëlqente që të shiheshin si anëtarë të një kombi të zgjedhur dhe me vokacion demokratik, i gatshëm të çlirohej nga monarkia e Anglisë së vjetër, ata gjithësesi ishin me këmbë në tokë.
Si duhej siguruar zotërimi i plotë i atij Edeni? E maturuar në dekadën 1763-73, lufta civile (sepse e tillë ishte, përpara se të shndërrohej në luftë për pavarësi) do të mund të shmangej vetëm në dy mënyra: me pranimin, nga ana e kolonëve, të një gjendjeje varësie që u kufizonte kontrollin mbi burimet, apo ndoshta me një zgjatje të statusit që gëzonin anglezët e tokës mëmë, kundrejt atyre të përtej oqeanit. Një lloj “ndarjeje e perandorisë”.
Nuk ndodhi as njëra dhe as tjetra dhe tensioni shpërtheu në luftë. Shumë pak hynte në fakt këtu “Boston tea party”, e 16 dhjetorit 1773, që “legjenda themeluese” e Amerikes e tregon si shkëndijën që solli shpërthimin e luftës (një ngarkesë çaji e mbërritur në Boston nga Anglia, u derdh në det prej kolonëve të maskuar si indianë lëkurëkuq).
Konflikti vazhdoi me përplasje epike, me tërheqje gjatë dimrit dhe episode që kanë hyrë në legjendë (si për shembull kalërimi gjatë natës i gdhendësit Paul Revere, i cili në vitin 1776 paralajmëroi rebelët për ardhjen e anglezëve duke penguar sulmin) deri në vitin 1781, viti i përplasjeve të fundit në fushëbeteja.
George Uashington, kolon nga Virginia ishte kryekomandant i ushtrisë së rebelëve (e quajtur Ushtria kontinentale). Por pavarësia nuk erdhi vetëm për shkak të vlerave të shfaqura në betejë, dhe nëse lufta mori fund, kjo ndodhi për arsye se konflikti po i kushtonte shumë Madhërisë së Tij. Pas humbjes së dyfishtë në Saratoga në 1777 dhe ndërhyrjes më pas të Francës në krah të kolonëve (ndërhyrje pa të cilën ushtria kontinentale nuk do të kishte arritur të organizohej), ruajtja e kontrollit të 13 kolonive u bë e papërballueshme. Prej këtu buroi edhe vendimi i mbretit George III që të braktiste “lojën”.
Deklarata e Pavarësisë
pavaresia e shba (5)Megjithatë, edhe shkurtimet e financimeve angleze për trupat koloniale nuk do të kishin mjaftuar për t’u dhënë fitoren amerikanëve, nëse këta nuk do të kishin vendosur se çfarë të bënin me fatin e tyre. “Deklarata e Pavarësisë erdhi vetëm në vitin 1776, plot tre vite pas nisjes së luftimeve, në fundin e një negociimi të vështirë mes kolonëve radikalë dhe të moderuarve”, shpjegon Taylor.
Në vitin 1774 Kongresi kontinental, organi i vetëqeverisjes i kolonive, kishte denoncuar taksimin pa përfaqësim politik dhe praninë e trupave angleze pa miratimin e kolonëve. Vetë Kongresi kishte nxjerrë edhe embrionin e Bill of Rights, lista e të drejtave të pashkelshme të qytetarit amerikan në bazë të Kushtetutës. Megjithatë, nuk kishte guxuar që të kërkonte pavarësi.
U desh intervali mes betejës së Long Island dhe atyre të Trenton dhe Princeton, që kolonët të miratonin Deklaratën e Pavarësisë, në 4 korrik 1776, duke bashkuar më në fund fatet e tyre. Të hartuara nga Thomas Jefferson, frazat e preambulës së Deklaratës janë mësuar përmendësh nga breza të tërë amerikanësh: “… të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, që atyre u ka dhënë Krijuesi i tyre disa të drejta të patjetërsueshme, mes të cilave janë jeta, liria dhe kërkimi i lirisë …”.
Kolonët që shkonin në sulm ndaj trupave imperiale angleze kishin në fund, përveç se një interes ekonomik, edhe një ideal. Jo aq shumë lirinë, e lartësuar prej pak kohësh nga revolucionarët francezë, se sa lumturinë. Nuk është një ndryshim i vogël: ato fraza ishin simbol i një kontrate sociale të frymëzuar nga Zoti që u jepte Shteteve të Bashkuara rolin e “shpëtimtarëve” të të gjithë njerëzimit.
Heronjtë e pavarësisë
Kolonët, në “pushtimin” e Edenit të tyre udhëhiqeshin nga një grusht burrash: George Uashington, kryekomandant, president i Kongresit që miratoi Kushtetutën, në bazë të së cilës u zgjodh, në vitin 1789, president i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës; John Adams, presidenti i dytë (1797-1801); Thomas Jefferson, nxitësi kryesor i Deklaratës së Pavarësisë dhe president i tretë (1801-1809); James Madison, president i katërt (1809-1817). Uashington, Adams, Madison (të gjithë nga Virginia) dhe Jefferson (nga Massachusetts), bashkë me Benjamin Franklin, Alexander Hamilton (president i Kongresit) dhe John Jay ishin ata që i dhanë formë Kushtetutës, duke u frymëzuar nga Roma republikane dhe nga idetë iluministe.
Ajo luftë civile, që u shndërrua në revolucion indipendentist u siguroi amerikanëve (edhe për shkak të dorëzimit të anglezëve, që në 1783 në bazë të Traktatit të Parisit, i lanë kolonitë) lirinë, një qeveri demokratike dhe mundësinë për të gëzuar pasuritë e pamata të atij Edeni. Një shekull e gjysmë më vonë, me Luftën e Parë Botërore, ai komb i ri do të zhvendoste bariqendrën e fuqisë botërore nga ana e vet e Atlantikut./Syri.net/
Video/ Rekord kokaine në Torino, kapen 4 ‘Çapja’ nga Elbasani
Policia e Torinos ka sekuestruar 25 kg kokainë, të një cilësie shumë të pastër, sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në qytetin verior. Në prangat e policisë ranë 4 shqiptarë, identiteti i të cilëve nuk bëhet ende i ditur, por sipas mediave italiane të gjithë të lidhur me familjen Çapja, nga Elbasani.
E përditshmja italiane “La Stampa” shkruan se gjithçka nisi pas arrestimit të Sajmir Serjanit, më 12 maj, një nga kokat e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar, edhe ky bashkëpunëtor me Çapjajt.
Në makinën e Serjanit, tip “Peugeot”, u gjetën 600 gramë kokainë. Më pas policia gjeti në banesën e tij një makinë numërimi parash dhe 108 mijë euro kesh.
Por ajo që tërhoqi vëmendjen e hetuesve italianë ishte një tufë çelësash. Prej javësh agjentët e anti-drogës, tentuan me anë të çelësave, të hapnin dyer në të gjitha zonat që frekuentonte Serjani.
Me sukses rezultoi porta e një apartamenti, i cili shfrytëzohej si laborator për përgatitjen e dozave. Përveç kokainës së pastër, në apartament u gjetën edhe 35 kg substanca holluese. Nëse do të hidhej në treg, vlera në total e drogës i kalonte 1 milion euro.
Zvicër, kapet me mbi 3 kg heroinë dhe mijëra franga, pranga taksistit shqiptar
Një shqiptar është arrestuar të premten nga policia zvicerane në Zyrih.
Sipas policisë, janë sekuestruar në një taksi dhe në një apartament rreth 3.5 kg heroinë dhe janë arrestuar dy persona, të dyshuar si shpërndarës droge.
Një taksisti shqiptar 39-vjeçar iu gjet me vete mëngjesin e së premtes 100 gramë heroinë dhe më pas u arrestua.
Më pas, efektivët kontrolluan banesën e shqiptarit (identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur) në Berikon, ku gjetën pjesën tjetër të drogës dhe mijëra franga.
Në apartament, jetonte dhe një 47-vjeçar zviceran, i cili gjithashtu u vu në pranga.
Urgjente! Ja 11 gjërat që duhet të fshihni menjëherë nga Facebook
Me mbi 1.49 miliardë përdorues, Facebook është një prej rrjeteve sociale më me influencë në botë. Por përballë një rrjeti kaq të fuqishëm duhet të tregoni kujdes me mënyrën sesi bashkëveproni me të.
Teksa Facebook thotë se mbrojtja e privacisë së përdoruesëve të tij është prioriteti kryesor, disa informacione do të bënit mirë që të mos i linit në profil, si adresa e shtëpisë apo shkolla që keni ndjekur.
Këto janë 11 informacionet që duhet të fshini sa më parë nga rrjeti social:
Do'stlaringiz bilan baham: |