VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Edmond Islamaj Kryesues
Artan Zeneli Anëtar
Tom Ndreca Anëtar
Shkëlzen Selimi Anëtar
Guxim Zenelaj Anëtar
në séancat gjyqësore të datave 09.03.2016 dhe 16.03.2016 mori në shqyrtim çështjen penale me:
I PANDEHUR: ARTAN MEZINI, mbrojtur nga avokati i caktuar Skënder Breca
A K U Z U A R:
Për kryerjen e veprës penale të “
Vjedhjes me dhunë”, e kryer në bashkëpunim,
parashikuar nga nenet 139 e 25 të K.P.
-
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë me vendimin nr.236, datë 27.11.2013 ka vendosur:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Artan Mezini, për veprën penale të “Vjedhjes me dhunë të kryer në bashkëpunim ” parashikuar nga nenet 139- 25 të KP dhe në bazë të këtyre neneve dënimin e tij me 5 vjet burgim.
2. Në aplikim të nenit 406/1 të KPP, i ulet 1/3 e dënimit dhe
përfundimisht, i pandehur Artan Novrus Mezini dënohet me 3 vjet e 4 muaj burgim.
3. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Artan Mezini fillon nga data e arrestimit në flagrancë datë 12.07.2013 dhe pjesa e pavuajtur e dënimit të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Gjykata e Apelit Vlorë me vendimin nr.319 datë 16.04.2014 ka vendosur:
Prishjen e vendimit gjyqësor penal nr.236 (64-2013-2000), date 27.11.2013, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë dhe pushimin e çështjes penale, në ngarkim të të pandehurit Artan Mezini.
Kundër këtij vendimi ka paraqitur rekurs prokuroria pranë Gjykatës se Apelit Vlore, e cila kërkon prishjen e tij, duke parashtruar se:
-
Pretendimi i mbrojtjes dhe të pandehurit se ka pamjaftueshmëri të provave për përcaktimin e fajësisë së të pandehurit, në rastin konkret nuk qëndron. Kjo për shkak se nuk jemi para një prove të vetme, qoftë kjo edhe shkencore.
-
Gjykata e Apelit për pushimin e çështjes penale ndaj të pandehurit Artan Mezini ka arsyetuar se jemi në kushtet e parashkrimit të ndjekjes penale për shkak se nga data 03.04.2003 që ka ndodhur vepra penale, deri në datën 08.07.2013, kur janë rifilluar hetimet e pezulluara, për shkak të zbulimit të autorit dhe marrjes si të pandehur të Artan Mezinit kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet,duke iu referuar nenit 66,pika “b” për krime që parashikojnë dënim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
-
Arsyetimi i Gjykatës është sa konfuz aq edhe i pa mbështetur në dispozitat përkatëse të Kodit Penal dhe posaçërisht në përcaktimet që bëhen në paragrafët e ndryshëm të nenit 66 të këtij Kodi. Vepra penale për të cilën është akuzuar i pandehuri Artan Mezini, “vjedhja me dhunë” sipas nenit 139 të Kodit Penal parashikon një dënim “nga pesë gjer në pesëmbëdhjete vjet burgim”.
-
Gjykata e Apelit, “duke mos gjetur vend” në ndonjë nga dispozitat e mësipërme, hapet neper gjithë pjesën e përgjithshme të Kodit Penal, duke u marre me dënimin që është kërkuar nga ana e prokurorit dhe atij të caktuar nga gjykata e shkalles se pare, ndërkohë që në rastin tone nuk behet fjale për afatet e parashkrimit të dënimit por për ato të parashkrimit të ndjekjes penale.
-
Gjykata e Apelit e trajton termin “jo me të ulet se dhjete vjet” që përmendet në piken “a” të nenit 66 si minimum të dënimit që duhet të parashikohet në dispozite dhe jo si mase dënimi që përfshihet në dispozitën konkrete të pjesës se posaçme.
-
Në funksion të arsyetimit të vendimit të saj, Gjykata e Apelit here i referohet parimeve që kanë të bëjnë me parashkrimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit dhe here atyre që kanë të bëjnë me parashkrimin e ndjekjes penale. Përdoret ndonjëherë edhe parimi i mos rëndimit të pozitës së të pandehurit që nuk ka lidhje fare me institutin e parashkrimit të ndjekjes penale.
-
Në gjithë paragrafin e mësipërm të nënvizuar por edhe në paragrafët vazhdues deri në fund të vendimit,nuk behet asnjë interpretim logjik,gramatikor apo edhe ndonjë interpretim i zgjeruar pikërisht i dispozitës përkatëse,nenit 66 të Kodit Penal, pse rasti në fjalë i përket pikës “b” dhe jo pikës “a” të kësaj dispozite.
-
Me termat “parashikojnë dënim”, ligjvënësi ka pasur parasysh që në përmbajtjen e secilës dispozite të pjesës se posaçme është i parashikuar dënimi përkatës, pavarësisht se ky dënim në vite burgimi parashikohet si dënim minimal apo maksimal në dispozite. Kuptimi dhe interpretimi ndryshe i këtij përcaktimi do të sillte një konfuzion në të pese pikat e nenit 66 të Kodit Penal po të mbajmë parasysh se masat e dënimit që përmbajnë dispozitivët e veprave të ndryshme penale nuk janë të kufizuara në maksimumet dhe minimumet e tyre sipas asaj ndarje që i ka bërë neni 66 i Kodit Penal në të pese pikat e tij.
-
Janë shumë vepra penale që dënohen nga tre gjer në dhjete vjet. Nëse do të ecnim me logjiken e përdorur nga Gjykata e Apelit në rastin tone, duhet që afati i parashkrimit të kësaj vepre të jete pese vjet,sipas pikës “c” të nenit 66 të KP, sepse nuk përfshihet në piken “b” ku thuhet “dhjete vjet për krime që parashikojnë dënim nga pese gjer në dhjete vjet”. Sipas arsyetimit të gjykatës se apelit,nëse nga ana e prokurorit do të ishte kërkuar dënim tre vjet dhe gjykata do ti jepte të pandehurit këtë dënim, atëherë afati i parashkrimit të ndjekjes duhet të ishte jo dhjete vjet por pese vjet.
-
Po të marrim në analize vete piken “a” të nenit 66 të Kodit Penal do të dallojmë disa terma që, ashtu siç janë vendosur, tregojnë se ka rëndësi shumë jo vetëm minimumi por edhe maksimumi që parashikohet si dënim në veprën penale konkrete. Pika “a” përcakton “për krimet që parashikojnë dënim jo me të ulet se dhjete vjet burgim ose dënim tjetër me të rëndë”.
-
Në asnjë fjale të këtij paragrafi nuk përdoret termat “nga” dhe “gjer”, siç thuhet në piken “b” dhe për rrjedhoje nuk ka të beje me dënimin minimal të përcaktuar në dispozitën e posaçme përkatëse, sepse kjo gjë është e pamundur për shkak të parashikimeve të ndryshme në maksimumin dhe minimum që kanë këto dispozita në seksionin e tyre penal. Në këtë kuptim, mjafton që vete dispozita ta parashikoje brenda hapësirës se saj dënimin jo me të ulet se dhjete vjet pra edhe njëmbëdhjete, dymbëdhjetë apo pesëmbëdhjete vjet burgim dhe do të ndodhemi para përcaktimeve që bëhen në nenin 66, pika “a” të Kodit Penal kur afati i parashkrimit do të ishte njëzetë vjet.
-
Aq me pak nuk mund të futet vepra penale e “vjedhjes me dhune” tek pika “b” e nenit 66 në të cilën është përcaktuar “dhjete vjet për krime që parashikojnë dënim nga pese gjer në dhjete vjet burgim”, sepse tek neni 139 i Kodit Penal masa e dënimit të parashikuar dënim është nga pese gjer në pesëmbëdhjete vjet burgim”.
-
Ndërkohë Gjykata e Shkalles se Pare ka gabuar edhe në caktimin e masës se dënimit që është dhënë ndaj të pandehurit, si rrezikshmërinë e larte shoqërore të veprës penale “Vjedhja me dhune”, një krim që dëmton rende të drejtat pasurore të individëve apo të personave juridike dhe njëkohësisht shëndetin e këtyre të fundit. Pra, kemi cenim të dyfishte të dy objekteve, pasuria dhe shëndeti i personit të dëmtuar.
KOLEGJI PENAL I GJYKATES SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Guxim Zenelaj, prokurorin Artur Selmani, i cili kërkoi prishjen e vendimit të gjykatës së apelit Vlore dhe lënien ne fuqi te vendimit te Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Lushnje, mbrojtësin e te pandehurit, i cili kërkoi lënien ne fuqi te vendimit të Gjykatës së Apelit Vlore dhe pasi bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
Se, rekursi i paraqitur nga prokuroria pranë Gjykatës se Apelit Vlore, përmban shkaqe ligjore qe motivojnë cenimin e vendimit te Gjykatës se Apelit Vlore.
Nga aktet e administruara ne dosje, rezulton se, me datën 31.03.2003, ka bërë kallëzim penal, shtetasi Idriz Musai, i cili ka shpjeguar se mesnatën e datës 30.03.2003, katër persona të maskuar dhe të armatosur me automatikë, pistoleta dhe thika, kanë hyrë me forcë në banesën e tij në fshatin Qukas, Lushnjë dhe duke përdorur dhunë fizike dhe psikike, i kanë kërkuar që t’i dorëzonte të gjitha të hollat që kishte në shtëpi.
Kallëzuesi, së bashku me bashkëshorten të ndodhur nën kërcënimin e armëve u kanë treguar autorëve të hollat që kishin. Pas kësaj autorët kanë marrë një sasi të konsiderueshme lekësh.
Është disponuar me vendim për kryerjen e ekspertimit mjekoligjor të dëmtimeve të kallëzuesit nga të cilat nga akti i ekspertimit mjekoligjor nr.39, datë 01.04.2003 i ekzaminimit të shtetasit Idriz Musai rezulton se: "Tek i dëmtuari konstatohet një ekimoze dhe dy gërvishtje. Këto dëmtime janë shkaktuar me mjet të fortë jo të mprehtë. Këto dëmtime hyjnë në kategorinë e rrahjeve ".
Për këtë vepër penale, janë marrë në cilësinë e të pandehurve, shtetasit Ilir Xhogu, Arjan Belishoku, Eris Musaku, Fatjon Rustemi, Rinor Hatia dhe Eriseld Hatia dhe në përfundim të hetimeve, prokurori i çështjes, bazuar në nenin 328/dh të KPP, ka vendosur pushimin e akuzës, në ngarkim të të pandehurve.
Duke qene se, me gjithë veprimet hetimore të kryera, nuk u arrit të identifikoheshin autoret e kësaj vepre penale, me vendimin e datës 20.07.2004, prokurori i çështjes, ka vendosur pezullimin e hetimeve.
Në datën 08.07.2013, kane rifilluar hetimet e procedimit penal, pasi nga ekzaminimet krahasuese daktiloskopike të kryera në sistemin automatik të krahasimit të gjurmëve të duarve”AFIS/APIS Papillon 7” në datën 03.06.2013, është identifikuar gjurma papilare, në vendin e ngjarjes "vjedhje me armë e banesës së shtetasit Idriz Musai", ndodhur në datën 31.03.2003 në fshatin Qukas i Vjetër-Lushnje. Gjurma papilare është identifikuar me gjurmën papilare të te pandehurit Artan Mezini.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, pas përfundimit të hetimeve paraprake, ka paraqitur pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, kërkesën për gjykim të çështjes penale, në ngarkim të pandehurit Artan Mezini të akuzuar për veprën penale të "Vjedhjes me dhunë", e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 139- 25 i K.P.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, pasi ka pranuar kërkesën për gjykim te shkurtuar, me vendimin nr.236, datë 27.11.2013 ka deklaruar fajtor të pandehurin Artan Mezini për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes me dhunë të kryer në bashkëpunim ” parashikuar nga nenet 139- 25 të KP dhe ne përfundim, pas zbatimit edhe te nenit 406 te KPP e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim. Ky vendim është prishur nga gjykata e apelit Vlorë me vendimin e saj nr.319 datë 16.04.2014 dhe është pushuar çështja penale, në ngarkim të të pandehurit Artan Mezini. Kundër këtij vendimi ka paraqitur rekurs prokuroria pranë Gjykatës se Apelit Vlore, e cila kërkon prishjen e tij.
Kolegji Penal, pasi shqyrtoi shkaqet e parashtruara ne rekursin e paraqitur dhe tërësinë e gjithë akteve të administruara ne dosjen penale vlerëson se, vendimi i gjykatës se apelit, është marrë ne zbatim te gabuar te ligjit penal e procedural.
Gjykata e apelit, e cila ka prishur vendimin e gjykatës se shkalles se pare, për dënimin e te pandehurit Artan Mezini ka pushuar çështjen ndaj tij, me arsyetimin se, vepra penale është kryer në 30.03.2003 dhe deri me datën 07.10.2013 qe ai është marre i pandehur, kanë kaluar mbi 10 vjet prandaj, është parashkruar ndjekja penale, ne interpretim te zgjeruar te nenit 66 të KP.
Pikërisht, ky arsyetim i vendimit te gjykatës se apelit vjen ne kundërshtim ne ligjin penal, nenin 66 te K.P, sipas te cilit:
Nuk mund të bëhen ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur kanë kaluar:
a) njëzet vjet për krimet që parashikojnë dënim jo më të ulët se dhjetë vjet burgim ose dënim tjetër më të rëndë;
b) dhjetë vjet për krimet që parashikojnë dënim nga pesë gjer në dhjetë vjet burgim;
c) pesë vjet për krimet që parashikojnë dënim gjer në pesë vjet burgim ose gjobë;
ç) tre vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim gjer në dy vjet burgim;
d) dy vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim me gjobë.
I pandehuri është akuzuar për kryerjen e veprës penale te të “Vjedhjes me dhunë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 139 e 25 të KP. Neni 139 te KP, parashikon se:”Vjedhja e pasurisë e shoqëruar me përdorim dhune dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.”
Ky kolegj, në analizë të dispozitës së parashikuar në nenin 66 të KP, vëren se, objekti i masës së dënimit të parashikuar në këtë nen i referohet maksimumit të dënimit të parashikuar shprehimisht nga secila dispozitë që parashikon veprën penale.
Parashikimi i një hapësire dënimi, duke filluar me një cak minimumi dhe një cak maksimumi të masës së dënimit shërben, jo vetëm për përcaktimin dhe individualizimin e sanksionit penal me parimin e fajësisë dhe realizimin e dhënies së drejtësisë, por gjithashtu edhe për përcaktimin e maksimumit të sakrifikimit të lirisë personale që mund të caktohet për cenimin e një marrëdhënieje juridike të mbrojtur penalisht nga dispozita penale e posaçme, dhe kriteri i maksimumit të marzhit të dënimit për secilën vepër përbën një baraspeshim të drejtë midis interesit publik për ndjekjen dhe ndëshkimin e veprës penale dhe ato të individit për lirinë dhe sigurinë juridike.
Duke ju referuar sanksionit te parashikuar në nenin 139 të KP, ne lidhje me llogaritjen e afateve te parashkrimit te ndjekjes penale nga momenti i kryerjes se veprës penale, nuk mund te zbatohet pika “b” e nenit, pasi, vërtet, përcaktohet si dënim minimal 5 vjet burgim, por se kjo është e është e kushtëzuar edhe nga maksimalja e dënimit e parashikuar ne këtë pike prej 10 vjetësh burgim.
Për rrjedhoje, ne lidhje me llogaritjen e afatit te parashkrimit te ndjekjes penale, duhet te zbatohet pika “a” e nenit 66 te K.C, duke qene ky afat 20 vjeçar, nga momenti qe personi është marre i pandehur. Prandaj, vendimi i gjykatës se apelit qe ka prishur vendimin e gjykatës se shkalles se pare dhe ka pushuar çështjen penale ne ngarkim të të pandehurit, është marre ne mosrespektim te nenit 428 te K.P.P.
Ndërkohë qe, gjykata e shkalles se pare pasi ka analizuar në tërësi faktet që rezultojnë nga aktet e përfshira në fashikullin e hetimeve paraprake, ka arritur në përfundimin se, fajësia e të pandehurit rezulton plotësisht e provuar dhe ai duhet të deklarohet fajtor dhe të dënohet për veprën penale për të cilën është akuzuar.
Nga kjo gjykate janë analizuar te gjitha veprimet qe i pandehuri Artan Mezini i ka kryer në bashkëpunim disa persona të tjerë, marrëveshjen e tyre, qe ka qene paraprake dhe jo vetëm e shprehur, por e manifestuar dhe në veprime, me përdorimin e mjeteve dhe përgatitjen paraprake te kushteve të kryerjes se veprës penale.
I pandehuri Artan Mezini, në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar ka vjedhur me dhunë banesën e shtetasit Idriz Musai, duke konsumuar elementët e veprës penale të “Vjedhjes me dhune' të kryer në bashkëpunim në dëm të shtetasit Idris Musai, parashikuar nga nenet 139 dhe 25 të KP duke mbajtur përgjegjësi penale për veprën penale të mësipërme. Po kështu, ne caktimin e llojit dhe masës së dënimit për të pandehurin Artan Mezini, gjykata e shkalles se pare, ka dhënë një vendim te bazuar në nenet 47-50 të .KP.
Ne këto kushte, duhet prishet vendimi i Gjykatës se Apelit Vlorë për mosrespektim te ligjit procedural dhe të lihet ne fuqi vendimi i Gjykatës se Shkallës se Parë Lushnje, si i bazuar ne ligjin procedural e material.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 441/d të KPP
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.319 datë 16.04.2014 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe lënien ne fuqi te vendimit nr.236, datë 27.11.2013 te Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Lushnjë.
Tiranë, më 16.03.2016
MENDIMI I PAKICËS
Në ndryshim nga qëndrimi i shumicës që ka pranuar rekursin e paraqitur nga prokuroria pranë Gjykatës se Apelit Vlorë, ne gjyqtaret Edmond Islamaj dhe Guxim Zenelaj, vlerësojmë se, në rastin konkret nuk ka shkaqe ligjore për cenimin e vendimit nr.319, datë 16.04.2014 të Gjykatës së Apelit Vlorë.
Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore rezulton se shtetasi Artan Mezini, në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar, kanë vjedhur banesën e shtetasit Idriz Musai, ngjarje e kryer në datën 30.03.2003, për pasojë është marrë si i pandehur në datën 07.10.2013 për kryerjen e veprës penale “Vjedhja me dhunë” të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 139- 25 i K.P.
Pas përfundimit të fazës së hetimeve paraprake Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë ka paraqitur pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë kërkesën për gjykim të çështjes penale në ngarkim të shtetasit Artan Mezini për këtë vepër penale.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në përfundim të gjykimit të zhvilluar në bazë të ritit të gjykimit të shkurtuar, me vendimin nr.236, datë 27.11.2013 ka vendosur të deklarojë fajtor të pandehurin Artan Mezini për kryerjen e veprës penale “Vjedhja me dhunë” të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 139- 25 të KP dhe në zbatim të nenit 406 të KPP e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim.
Ky vendim është prishur nga Gjykata e Apelit Vlorë me vendimin nr.319, datë 16.04.2014, e cila ka vendosur prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe pushimin e çështjes, duke arsyetuar se, në interpretim te zgjeruar të nenit 66 të KP, vepra penale është kryer në datën 30.03.2003 dhe deri në datën 07.10.2013, kur shtetasi Artan Mezini është marrë i pandehur, kanë kaluar mbi 10 vjet, për rrjedhojë është parashkruar ndjekja penale ndaj tij.
Gjykata e apelit, ne arsyetimin e saj ka gabuar, duke analizuar ne lidhje me parashkrimin, masën e dënimit te kërkuar nga prokurori ne gjykim dhe te caktuar me pas nga gjykata e shkalles se pare, duke ju referuar kështu, parashkrimit te ekzekutimit te dënimit, parashikuar nga neni 68 i KP dhe jo parashkrimit te ndjekjes penale, parashikuar nga neni 66 i KP. Por se, përfundimi i saj për pushimin e çështjes penale, pasi nuk mund te vazhdohej procedimi, ne baze te nenit 428/c i KP, është i drejtë.
Ne baze te nenit 66 të KP:
Nuk mund të bëhen ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur kanë kaluar:
a) njëzet vjet për krimet që parashikojnë dënim jo më të ulët se dhjetë vjet burgim ose dënim tjetër më të rëndë;
b) dhjetë vjet për krimet që parashikojnë dënim nga pesë gjer në dhjetë vjet burgim;
c) pesë vjet për krimet që parashikojnë dënim gjer në pesë vjet burgim ose gjobë;
ç) tre vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim gjer në dy vjet burgim;
d) dy vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim me gjobë.
Ndërkohë, që rezulton se, i pandehuri është akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhje me dhunë”, e parashikuar nga neni 139 i KP, sipas të cilit: “Vjedhja e pasurisë e shoqëruar me përdorim dhune dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.”.
Duke ju referuar rastit ne gjykim, duket se ka një përplasje mes shkronjave “a” dhe “b” të nenit 66 të K.P. për shkak se, ndërkohë që shkronja “a” parashikon dënimet mbi 10 vjet, në shkronjën “b” përfshihen veprat penale që përfshijnë dënimin nga 5 deri në 10 vjet.
Në një vështrim të këtyre dispozitave, vepra penale për të cilën është dënuar shtetasi Artan Mezini, duket se ka vështirësi të përcaktohet se në cilën dispozitë përfshihet, pasi për te edhe pse dënimi minimal është 5 vjet, parashikohet një dënim maksimal prej 15 vjetësh.
Meqenëse, dispozita për parashkrimin e ndjekjes penale, shfaq dyshime në lidhje me mënyrën e interpretimit të saj, si një dispozitë jo shumë e qartë, çka përforcohet edhe nga fakti se është interpretuar në mënyra të ndryshme edhe nga gjykatat më të ulëta, është e nevojshme një interpretim me i zgjeruar i saj.
Instituti i parashkrimit të veprës penale, bazuar në doktrinën penale, bazohet në të ashtuquajturin parim të ekonomisë së sistemit gjyqësor, si edhe në kërkesën për t`i garantuar të pandehurit një të drejtë mbrojtjeje efektive. Në lidhje me të parin, në fakt kalimi i kohës shpesh zbeh interesin e shtetit për të ndjekur penalisht disa vepra penale, për të cilat ndihet më pak nevoja për mbrojtje penale në zbatim të qëllimit riedukues të dënimit penal.
Pastaj, në të njëjtën kohë, në zbatim të së drejtës për një proces të rregullt, të parashikuar nga neni 42 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ, merr rëndësi edhe kohëzgjatja jo e tepruar e procesit, dhe në këtë kuptim, parashkrimi përfaqëson instrumentin për të evituar që të abuzohet në lidhje me ndjekjen penale nga ana e sistemit gjyqësor. Për pasojë, arsyet kryesore që justifikojnë parashikimin e një instituti me karakter të përgjithshëm siç është parashkrimi, lidhen me faktin se kalimi i kohës nga njëra anë ul alarmin social për ndëshkimin e autorit të veprës penale dhe nga ana tjetër bën më të vështirë ushtrimin e të drejtës së mbrojtjes, dhe kjo edhe për shkak të vonesës në zhvillimin e procesit, administrimit të provave, etj.
Bazuar në këto arsye, megjithatë, ligjvënësi ka bërë dallim midis veprave të ndryshme penale, bazuar në rëndësinë e tyre dhe nevojën për mbrojtje penale, duke përcaktuar afate të ndryshme kohore për vepra penale të ndryshme, sipas masës së dënimit të parashikuar për to.
Duke bërë një interpretim sistematik të dispozitës (neni 66 i KP), bazuar në ratio legis (qëllimin e ligjvënësit), si bazë për llogaritjen e periudhës së parashkrimit ai ka përcaktuar minimumin e dënimit te veprës penale të parashikuar, duke përcaktuar një periudhe më të shkurtër kohe për veprat e konsideruara më të lehta prej tij, nisur nga konsiderata se, në këtë rast mungon interesi i përgjithshëm për të ndjekur penalisht vepra penale për të cilat koha e gjatë e kaluar pas kryerjes ka bërë që të mos ekzistojë më dhe shteti heq dorë nga pushteti i tij ndëshkues.
Kjo, sepse për shkak të ndryshimeve sociale apo politikave penale ligjvënësi mund të bëjë ndryshime të shpeshta ose jo si në përcaktimin e veprave penale ashtu edhe në masën e dënimit për to. Për pasojë është e pamundur që ai të parashikojë në çdo rast marzhe të sakta dënimi, por niset nga premisat se, minimumi i përcaktuar i dënimit, për një vepër penale është i mjaftueshëm për të përcaktuar edhe se sa ë rëndë është ajo, pavarësisht masës së dënimit maksimal të parashikuar për të.
Kjo është edhe fryma që përshkon të gjithë Kodin, duke iu referuar edhe dispozitave të tjera, siç janë nenet 68 e 69 te tij. Edhe, ne një interpretim historik, te parashikimeve ne kohe te ndryshme te institutit te parashkrimit, ne legjislacionin shqiptar, serish, përcaktimi i afatit te parashkrimit, i referohet minimumit te dënimit te parashikuar për veprat penale.1
Bazuar në rregullimet e ngjashme në vende të tjera, edhe ne një interpretim krahasimor, rezulton se, përcaktimi i afatit të parashkrimit bëhet gjithmonë sipas minimumit të dënimit te veprës penale të përcaktuar në Kod.2
Edhe nga interpretimi literal i kësaj dispozite, për saktësimin e kuptimit të termave, rezulton se, në shkronjën “a” të nenit 66 është përdorur shprehja “jo më të ulët se dhjetë vjet” çka nënkupton se ky është kufiri minimal dhe vepra penale për të cilën është akuzuar i pandehuri, për sa kohë që parashikon një dënim që fillon nga 5 vjet, është e përjashtuar nga fusha e veprimit të saj.
Nisur nga interpretimi logjik i dispozitës, është e papranueshme që një vepër penale dënimi për të cilën fillon nga 5 vjet, do të trajtohet në të njëjtën mënyrë me një vepër tjetër penale për të cilën parashikohet një dënim jo më i vogël se 10 vjet, pa marrë parasysh këtu dënimin që do rezultojë në fund të gjykimit duke zbatuar edhe rrethanat lehtësuese apo rënduese, apo edhe elementet e tjerë përcaktuese në dhënien e dënimit.
Një argument tjetër, në arritjen e këtij përfundimi, është se edhe në rastet e parashkrimit gjen zbatim parimi in dubio pro reo, ne këtë rast, zbatimi i normës më te favorshme për të pandehurin. Edhe, ne lidhje me këtë parim, GJEDNJ ka theksuar se, ligji penal nuk duhet interpretuar në mënyrë të zgjeruar në dëm të të pandehurit (vendimi në çështjen Kokkinakis kundër Greqisë, datë 25 maj 1993).
Përmbajtja e shumë ligjeve nuk është absolutisht e saktë, prandaj, nevoja për të evituar ngurtësi të tepruar dhe për të qenë në linjë me rrethanat në ndryshim nënkupton se, për shumë ligje qe, në mënyrë të paevitueshme të shprehur në terma që në një masë të caktuar janë të paqartë, interpretimi dhe zbatimi i tyre i lihet praktikës gjyqësore.
Në raste të tilla, dispozita penale duhet të interpretohet në atë kuptim që favorizon situatën e të pandehurit. Në rastin konkret, për sa kohë që ka një përplasje mes përmbajtjes së shkronjave “a” dhe “b” të nenit 66 të KP, gjykata duhet të zbatojë dispozitën më të butë, pra më të favorshme për të pandehurin.
Në këto kushte, kur nga kryerja e veprës penale dhe deri ne momentin qe shtetasi Artan Mezini është marre i pandehur kane kaluar me shume se 10 vjet, sipas pikës “b” te nenit 66 te KP, ndjekja penale është parashkruar. Prandaj vendimi nr.319, datë 16.04.2014 i Gjykatës së Apelit Vlore, për prishjen e vendimit te gjykatës se shkalles se pare dhe pushimin e çështjes penale, është marrë në zbatim të drejtë të ligjit material e atij procedural, prandaj duhej të lihej në fuqi.
Guxim Zenelaj Edmond Islamaj
Nr. 71008-00155-00-2015 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016- 430 i Vendimit (46)
Do'stlaringiz bilan baham: |