REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E APELIT
TIRANË
Nr. 3646/1120 i Regj Themeltar Nr.828 i Vendimit
Datë 08.04.2013 Datë 14.04.2016
V E N D I M
“NË EMËR TË REPUBLIKËS”
Gjykata e Apelit Tiranë e përbërë prej:
KRYESUES : ZEGJINE SOLLAKU
ANËTAR : ZAMIR PODA
ANËTAR : AGIM BENDO
Asistuar nga sekretare gjyqësore Elida Grabovari, sot në dt.14.04.2016 mori në shqyrtim, në seancë gjyqësore publike, në shkallë të dytë, çështjen civile që u përket palëve në gjykim:
PADITËS: Ilir Beqaj, i biri i Hamid dhe Lirije, dtl 18.02.1968, lindur dhe banues ne Tiranë, Adresa: Rruga Pjetër Bogdani, Pallati Nr.20/4, Ap. 7/c, (në mungesë).
TË PADITUR: Arian Jaupllari, i biri i Nasili dhe Dituri, dtl 22.05.1956, lindur ne Korçë dhe banues ne Tiranë, Adresa: Bulevardi “Bajram Curri”, pallati Jon 2002, kati i 6, Hyrja C, përfaqësuar në gjykim nga Av.Erlir Puto.
OBJEKTI: Detyrimi i palës së paditur për të shpërblyer dëmin jopasuror të shkaktuar paditësit në masën 15.000.000 leke.
BAZA LIGJORE: Ligji Nr.9323, date 25.11.2004 “Per barnat dhe shërbimin farmaceutik”. Nenet 608, 625/a, 640 e vijues të Kodit Civil. Nenet 32, 153, 154 dhe vijues te Kodit të Procedurës Civile.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin Nr.1321 datë 23.02.2015 ka vendosur:
-Pranimin pjesërisht të kërkesë – padisë së palës paditëse Ilir Beqaj.
-Detyrimin e palës së paditur Arian Jaupllari të dëmshpërblejë palën paditëse Ilir Beqaj për demin jo-pasuror të shkaktuar atij, në shumën 200.000 (dyqindqind mijë) lekë.
-Rrëzimin e kërkesë – padisë për vlerat e tjera të kërkimit të dëmit.
-Lëshimin e urdhërit të ekzekutimit për këtë vendim gjyqësor.
-Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës së paditur Arian Jaupllari, në raport me masën e pranimit të kërkesë – padisë.
-Kundër këtij vendimi lejohet të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë, brënda 15 ditëve, afat ky që fillon nga e nesërmja e shpalljes së vendimit.
Ndaj këtij vendimi ka paraqitur ankim pala paditëse Ilir Beqaj i cili kërkoi ndryshimin e vendimit dhe pranimin tërësisht të padisë, ka ushtruar ankim edhe pala e paditur Arian Jaupllari i cili kërkon ndryshimin e vendimit dhe rrëzimin e kërkesë padisë, duke parashtruar se:
Pala paditëse Ilir Beqaj parashtron:
-
I padituri ka lëshuar një lumë thëniesh të pavërteta në drejtim të Ilir Beqaj, me shkrimin e tij të publikuar në gazetën Telegraf.
-
I padituri duke qënë një njohës i mirë i problematikave të Farmakologjisë Shqipëtare, është plotësisht i vetëdijshëm në pavërtetësinë e fakteve të paraqitura në këtë shkrim. Deklaratat janë bërë me dashje dhe me bindje dhe nuk pasqyrojnë realitetin, madje e shtrembërojnë atë.
-
I padituri me anë të deklarimeve të tij, i përcjell publikut, pretendimin se “kategoria e të sëmurëve që janë përfitues të shërbimit shëndetësor përdor ilaçe e medikamente të pasigurta, të cilat vijnë nga vënde të ndryshme të botës pa ju ditur origjina, fakt ky tërësisht i pavërtetë”.
-
Për sa i përket pretendimet e të paditurit se nga ana e Ministrit të Shëndetësisë është vepruar në kundërshtim me ligjin, theksojmë se në asnjë rast dhe formë nuk kemi barna të pakontrolluara, pasi importimi i të gjithë barnave bëhet nëpërmjet një procedure të rregullt të barazvlefshme ndërmjet barnave të regjistruara dhe atyre të paregjistruara.
-
Të gjitha veprimet e kryera nga pala e paditur janë kryer në cënim të emrit të mirë, nderit dhe personalitetit të paditësit.
-
Ky vendim edhe pse në thelb i drejtë nuk e ka rikuperuar të drejtën e cënuar pasi pranimi i përgjegjësisë civile dhe dëmit të shkaktuar dhe masës propocionale të dëmshpërblimit, mundëson që edhe në të ardhmen të jenë të cënuara të drejta të mbrojtura me ligj.
-
Pavarësisht se Jurisprudenca shqipëtare nuk është shumë e elaboruar në këtë drejtim, kjo nuk mund të justifikoj këtë masë dëmshpërblimi.
-
Për sa më lartë kërkojmë ndryshimin e vendimit dhe pranimin tërësisht të padisë.
Pala e paditur Arjan Jaupllari parashtron:
-
Vendimi i gjykatës është i pabazuar si në ligjin procedural dhe në atë material.
-
Theksojmë se kërkimet e paditësit janë të pabazuara dhe në kundërshtim me të drejtën e përcaktuar në Kushtetutën tonë dhe në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe dispozitave ët K.Civil për dëmin jashtëkontratktor.
-
Në fjalët e të paditurit nuk gjëndet asnjë element shpifës apo fyes, I cili mund të shkaktojë dhunim të personalitetit të paditësit. Qëllimi i të paditurit nuk ka qënë dashakeq, për të cënuar dinjitetin, personalitetin apo imazhin e paditësit. Si President Nderi i Urdhërit të Farmacistëve, është e natyrshme që ky person për detyrën që ka të shprehë një opinion publik mbi sigurinë mbi barnat. Për mënyrën se si manipulohen titujt dhe fjalët nga gazetarët, nuk është përgjegjësi e të paditurit.
-
Në lidhje me çka pretendohet nga paditësi, theksojmë se përsa i përket dhënies së autorizimit të Importit me Nr.22 datë 28.02.2014 për shoqërinë “Evita” Sh.p.k, për 50.000 shiringa Enoxiparin di sodium 4000 UI , 0.4 ml, vetë ai e ka pranuar që ka dhënë autorizimin në kundërshtim me ligjin.
-
Gjykata ka gjykuar në mënyrë ta gabuar pavërtetësinë e thelbit të shprehjeve të botuara, duke mos konsideruar provat tona mëse të bindshme e duke mos zhvilluar një hetim të thelluar gjyqësor. Ky vendim është marrë në abuzim me ligjin pasi e bazon vendimin ne detyrimin e palës së paditur për të siguruar barrën e provës dhe paragjykon fajin e të paditurit duke vendosur çdo shprehje të gazetës si detyrimisht e shprehur nga i padituri.
-
Theksojmë se deklarimet e të paditurit janë pjesë e lirisë së shprehjes të garantuar nga Kushtetuta dhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.
-
Gjithashtu edhe kërkesa për dëmshpërblim në masën (15.000.000 lekë), nënkupton kërkesën për shtypje dhe nënshtrim të të paditurit për t’i mbyllur gojën nëpërmjet një procesi gjyqësor që zgjat në kohë dhe në këtë mënyrë të realizohet trembja e tij me terma ekonomikë.
GJYKATA E APELIT TIRANË
Pasi dëgjoi relatimin e çështjes nga gjyqtare Z.Sollaku;
përfaqësuesin e palës së paditur. Arian Jaupllari, Av. Erlir Puto, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit dhe rrëzimin tërësisht të padisë;
palës paditëse Ilir Beqaj, (në mungesë, dijeni sipas ligjit me shpallje);
si e shqyrtoi dhe e bisedoi çështjen në tërësi;
VËREN
Se vendimi Nr.1321 datë 23.02.2015, i Gjykatës së Rrethit Gjyqsorë Tiranë, në vështrim të nenit 466/ç e 467/e/ë të K.Pr.Civile, duhet të prishet dhe çështja të kthehet për rigjykim pranë asaj gjykate po me tjeter trup gjykues.
Nga hetimi gjyqësor i zhvilluar nga gjykata e shkallës së parë, aktet dhe provat shkresore të administruara në dosje, ka rezultuar se :
Pala paditëse Ilir Beqaj është zgjedhur Deputet i Kuvendit të Shqipërisë në zgjedhjet e fundit Parlamentare të vitit 2013, per Qarkun Durrës. Me dekretin Nr.8320, date 11.09.2013 te Presidentit te Republikes është emëruar në postin e Ministrit te Shëndetësisë. Pala e paditur Arian Jaupllari, aktualisht është President Nderi i Urdhërit të Farmacistit dhe ish President i Urdhërit te Farmacistit, me nje eksperience disavjeçare në fushën e farmaceutikes shqiptare.
Në datë 23.04.2014, në gazetën “Telegraf”, në faqen e parë të saj, është publikuar titulli “Asgjë nuk e shpëton Ilir Beqajn nga burgu” dhe më poshtë “Flasin specialistet e farmaceutikës: Ministri i Shendetësisë ka shkelur ligjin në dhënien e autorizimit dhe në barnat e rimbursueshme. Tenderat me ilaçe të falsifikuar nga Turqia dhe karriera problematike e korruptive e një ministri.”
Shkrimi vijon në faqen 7 të gazetës “Telegraf”, ku në krye të artikullit është vendosur një foto e palës së paditur Arian Jaupllari dhe titulli “Ministri i Shëndetësisë Beqaj ka shkelur ligjin në dhënien e autorizimit dhe në barnat e rimbursueshme. Barnat e falsifikuara te Turqise drejt nesh.” dhe me poshtë në vijim është titulli “ Asgjë nuk e shpëton Ilir Beqajn nga rruga drejt burgut”.
Ndodhur në rrethanat si më lart pasi është njohur me përmbajtjen e këtij shkrimi, në datë 30.04.2014, pala paditëse Ilir Beqaj i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqesor Tiranë, me padinë kundrejtuar të paditurit Arian Jaupllari me object: “Detyrimi i palës së paditur për të shpërblyer dëmin jopasuror të shkaktuar paditësit në masën 15.000.000 lekë.” Kjo padi bazohet në Ligjin Nr.9323, datë 25.11.2004 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, Nenet 608, 625/a, 640 e vijues të Kodit Civil, Nenet 32, 153, 154 dhe vijues të Kodit të Procedurës Civile.
Pala paditëse në këtë padi dhe në gjykim ka pretenduar ndër të tjera se:
Thëniet në këtë artikull i padituri i ka bërë me cilësinë e qënies së tij si President Nderi dhe si ish President i Urdhërit të Farmacistit. I padituri, si njohës i mirë i problematikave të farmakologjisë shqiptare, është plotësisht i vetëdijshëm në pavërtetësinë e fakteve të paraqitura në këtë shkrim. Në rastin konkret, situata paraqitet krejt ndryshe nga sa janë njohuritë e të paditurit. Këto deklarime të palës së paditur janë bërë me dashje dhe me bindje nga i padituri dhe nuk pasqyrojnë realitetin, madje e shtrembërojnë atë, edhe pse ky i fundit është i ndergjegjshem për thëniet e paverteta dhe referimet jo të sakta dhe te drejta ligjore, duke synuar krijimin e bindjes në opinionin publik për ekzistences e një fakti te tillë.
Autorizimi i importimit, Nr.22, datë 28.02.2014, të cilit i padituri i referohet në shkrimin e dates 23 Prill 2014, sillet si shembull për të argumentuar që fituesit e tenderit jane te paracaktuar, fakt ky, i cili është i pavertete, pasi nuk ka kurrëfarë lidhje ndermjet autorizimit dhe procedurës se prokurimit të barnave spitalore për vitin 2014… I padituri me anë të deklarimeve të tij, i përcjell publikut, pretendimin se kategoria e të sëmurëve që janë përfitues të shërbimit shëndetësor përdorin ilaçe e medikamente të pasigurta, të cilat vijnë nga vende të ndryshme të botës pa iu ditur origjina, fakt ky i tërësisht i pavërtetë.
Të gjitha këto veprimet e palës së paditur, të shfaqura publikisht, janë ndërmarrë në cënim të emrit të mirë, nderit, personalitetit, imazhit dhe kredibilitetit të paditësit. Shkaktimi i dëmit jopasuror të shkaktuar paditësit konsiston pikërisht në shprehjet e deklaruara nga i padituri dhe të cilat janë publikuar, duke u synuar mbarsja e opinionit publik me informacione dhe rrethana të pavërteta të cilat tentojnë të denigrojnë emrin e paditësit.
Cënimi i këtyre të drejtave nëpërmjet përhapjes së qëllimshme të thënieve, të të dhënave apo informacioneve të tjera që dihet se janë të rreme e të paprovuara më parë nga i padituri, përbën dëmin jo pasuror që i shkaktohet paditësit, pasi jo vetëm që ai pengohet në arritjen e qëllimit të vet politiko-institucional, por edhe në këtë mënyrë është kompromentuar apo reduktuar aksionin institucional politike i ndërmarrë nga paditësi për shërbimin shëndetësor falas të kësaj kategorie të sëmurësh, pra të sëmureve që vuajnë nga kancer.
Pala e paditur Arian Jaupllari, ka prapësuar e pretenduar ndër të tjera se:
Arian Jaupllari, President Nderi i Urdhrit të Farmacistit dhe ish President i Urdhrit të Farmacistit ka një eksperiencë shumë vjeçare në fushën e Farmaceutikës Shqiptare. Si një person me një përvojë të tillë, është një njohës i mirë i funksionimit të sistemit farmaceutik shqiptar, si dhe i problematikave të saj të shumta. Ai është thirrur si ekspert i përhershëm pranë Kuvendit të Shqipërisë dhe institucioneve shtetërore shqiptare që merren me fushën e farmacisë.
Në këtë kuadër ai edhe në media ka dhënë shpjegime të herëpashershme, duke shprehur mendimin e tij si qytetar i lirë në lidhje me problematikën që shqetëson sistemin e furnizimin dhe shpërndarjen e barnave në RSH. Opinionet e tij të dhëna në raste të ndryshme prekin një sërë problematikash, që ai mendon se janë të tilla që duhen trajtuar edhe në shtyp. Edhe në rastin konkret që i atribuohet të paditurit, ai është kontaktuar disa herë nga gazeta Telegraf në linjë telefonike ku gazetarja i ka kërkuar në linja shumë të shkurtra opinionin e tij personal ndër të tjera mbi një akt të nxjerrë nga Ministri. Po në telefon ai është përgjigjur gazetares, se “... për mendimin e tij .... , ky akt ka tiparet e një akti në kundërshtim me ligjin në fuqi ...”. Nga kjo bisedë e shkurtër telefonike, ka marrë shkas gazeta për të krijuar një artikull me akuza edhe më të rënda duke përdorur emrin e të paditurit.
Në fjalët e të paditurit, nuk gjendet asnjë element shpifës apo fyes, i cili mund të shkaktojë dhunim të personalitetit të paditësit. Qëllimi i të paditurit nuk ka qenë dashakeq, për të cënuar dinjitetin, personalitetin apo imazhin e paditësit. I padituri me daljen e tij në publik ka dashur të shprehë një shqetësimi publik rreth fakteve të njohura prej tij e të bëra publike në media.
…I padituri ka pasur si të vetmin shqetësim mundësinë që nëpërmjet këtyre autorizimeve, të cilat lëshohen vetëm për barna të paregjistruara, në raste të veçanta, kur ka nevoja të shërbimit shëndetësor, dhënia e autorizimeve edhe për barnat e regjistruara ligjvënësi e ka ndaluar për shkak të precedentit që krijohet për të hyrë në treg barna të pasigurta që mund të dëmtojnë shëndetin e përdorueseve, si pasojë e shmangies së rrugës normale të qarkullimit. Si President Nderi i Urdhrit të Farmacistëve është e natyrshme që ky person për detyrën që ka të shprehë një shqetësim publik mbi sigurinë mbi barnat. Se si i manipulojnë titujt dhe fjalët gazetarët në gazetë nuk është përgjegjësi e të paditurit.
Duket qartë, që në vetvete janë të ndërgjegjshëm që vetë artikulli nuk ka asnjë bazë cenimi imazhi, por në këtë përbalIje, synimi nuk është gazeta, dhe lufta politike që ajo bën, por individi i paditur. I padituri ka konfirmuar dy mendime të tijat në telefon e nuk mund të imagjonte se si do ta stiste artikullin gazeta. Të thuash një të vërtetë me bazë ligjore nuk mund të quhet në asnjë moment shtrembërim realiteti. …
Kemi të bëjmë me një temë shumë të diskutueshme që duhet të kesh eksperiencë të gjerë në këtë fushë për të zbuluar parregullsitë apo rregullsitë. I padituri ka të drejtën të shprehi mendimin e tij lirshëm dhe gjykimin e tij mbi disa fakte që atij i paraqitet. Çdo person ka të drejtën të arsyetojë dhe të arrijë në konkluzione jo domosdoshmërisht të pranuara nga të gjithë. Këtë gjë ka bërë dhe i padituri, ai ka shprehur një vlerësim të tij për situatën aktuale të barnave në tregun shqiptar mbi bazë faktesh sepse të gjitha VKM janë akte të miratuara dhe jo shpifje e trillime.
Opinionet jepen jo vetëm për vlerësime pozitive, por edhe vlerësime të cilat përmbajnë kritika. Deri më sot që nga momenti i thënies së këtyre shprehjeve, Zoti Beqaj është po aq i respektuar dhe me imazh të mirë në shoqëri. Ai vazhdon të kryejë detyrën si Ministër, duke gëzuar mbështetje në publik dhe qartazi nuk i ka ardhur ndonjë pasojë nga këto.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, si ka shqyrtuar çështjen dhe provat shkresore të administruara në dosje me vendimin Nr.1321 datë 23.02.2015, ka vendosur si në dispozitiv të vendimit :
-Pranimin pjesërisht të kërkesë – padisë së palës paditëse Ilir Beqaj.
-Detyrimin e palës së paditur Arian Jaupllari të dëmshpërblejë palën paditëse Ilir Beqaj për demin jo-pasuror të shkaktuar atij, në shumën 200.000 (dyqindqind mijë) lekë.
-Rrëzimin e kërkesë – padisë për vlerat e tjera të kërkimit të dëmit.
-Lëshimin e urdhërit të ekzekutimit për këtë vendim gjyqësor.
-Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës së paditur Arian Jaupllari, në raport me masën e pranimit të kërkesë – padisë.
Gjykata e Apelit Tiranë është vënë në lëvizje për shqyrtimin e kësaj çështje nëpërmjet ankimit të paraqitura nga pala paditëse Ilir Beqaj dhe pala e paditur Arian Jaupllari të cilët kërkojnë ndryshimin e vendimit - paditësi të pranohet tërësisht kërkesë padia - i padituri të rrëzohet tërësisht.
Pala paditëse Ilir Beqaj parashtron:
-
I padituri ka lëshuar një lumë thëniesh të pavërteta në drejtim të Ilir Beqaj, me shkrimin e tij të publikuar në gazetën Telegraf.
-
I padituri duke qënë një njohës i mirë i problematikave të Farmakologjisë Shqipëtare, është plotësisht i vetëdijshëm në pavërtetësinë e fakteve të paraqitura në këtë shkrim. Deklaratat janë bërë me dashje dhe me bindje dhe nuk pasqyrojnë realitetin, madje e shtrembërojnë atë.
-
I padituri me anë të deklarimeve të tij, i përcjell publikut, pretendimin se “kategoria e të sëmurëve që janë përfitues të shërbimit shëndetësor përdor ilaçe e medikamente të pasigurta, të cilat vijnë nga vënde të ndryshme të botës pa ju ditur origjina, fakt ky tërësisht i pavërtetë”.
-
Për sa i përket pretendimet e të paditurit se nga ana e Ministrit të Shëndetësisë është vepruar në kundërshtim me ligjin, theksojmë se në asnjë rast dhe formë nuk kemi barna të pakontrolluara, pasi importimi i të gjithë barnave bëhet nëpërmjet një procedure të rregullt të barazvlefshme ndërmjet barnave të regjistruara dhe atyre të paregjistruara.
-
Të gjitha veprimet e kryera nga pala e paditur janë kryer në cënim të emrit të mirë, nderit dhe personalitetit të paditësit.
-
Ky vendim edhe pse në thelb i drejtë nuk e ka rikuperuar të drejtën e cënuar pasi pranimi i përgjegjësisë civile dhe dëmit të shkaktuar dhe masës propocionale të dëmshpërblimit, mundëson që edhe në të ardhmen të jenë të cënuara të drejta të mbrojtura me ligj.
-
Pavarësisht se Jurisprudenca shqipëtare nuk është shumë e elaboruar në këtë drejtim, kjo nuk mund të justifikoj këtë masë dëmshpërblimi.
-
Për sa më lartë kërkojmë ndryshimin e vendimit dhe pranimin tërësisht të padisë.
Pala e paditur Arjan Jaupllari parashtron:
-
Vendimi i gjykatës është i pabazuar si në ligjin procedural dhe në atë material.
-
Theksojmë se kërkimet e paditësit janë të pabazuara dhe në kundërshtim me të drejtën e përcaktuar në Kushtetutën tonë dhe në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe dispozitave ët K.Civil për dëmin jashtëkontratktor.
-
Në fjalët e të paditurit nuk gjëndet asnjë element shpifës apo fyes, I cili mund të shkaktojë dhunim të personalitetit të paditësit. Qëllimi i të paditurit nuk ka qënë dashakeq, për të cënuar dinjitetin, personalitetin apo imazhin e paditësit. Si President Nderi i Urdhërit të Farmacistëve, është e natyrshme që ky person për detyrën që ka të shprehë një opinion publik mbi sigurinë mbi barnat. Për mënyrën se si manipulohen titujt dhe fjalët nga gazetarët, nuk është përgjegjësi e të paditurit.
-
Në lidhje me çka pretendohet nga paditësi, theksojmë se përsa i përket dhënies së autorizimit të Importit me Nr.22 datë 28.02.2014 për shoqërinë “Evita” Sh.p.k, për 50.000 shiringa Enoxiparin di sodium 4000 UI , 0.4 ml, vetë ai e ka pranuar që ka dhënë autorizimin në kundërshtim me ligjin.
-
Gjykata ka gjykuar në mënyrë ta gabuar pavërtetësinë e thelbit të shprehjeve të botuara, duke mos konsideruar provat tona mëse të bindshme e duke mos zhvilluar një hetim të thelluar gjyqësor. Ky vendim është marrë në abuzim me ligjin pasi e bazon vendimin ne detyrimin e palës së paditur për të siguruar barrën e provës dhe paragjykon fajin e të paditurit duke vendosur çdo shprehje të gazetës si detyrimisht e shprehur nga i padituri.
-
Theksojmë se deklarimet e të paditurit janë pjesë e lirisë së shprehjes të garantuar nga Kushtetuta dhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.
-
Gjithashtu edhe kërkesa për dëmshpërblim në masën (15.000.000 lekë), nënkupton kërkesën për shtypje dhe nënshtrim të të paditurit për t’i mbyllur gojën nëpërmjet një procesi gjyqësor që zgjat në kohë dhe në këtë mënyrë të realizohet trembja e tij me terma ekonomikë.
Gjykata e Apelit Tirane, pasi shqyrtoi çështjen në fjalë mbi ankimet e mësipërm, në përfundim arrin në konkluzion se : Vendimi Nr.1321 datë 23.02.2015 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është rrjedhoje e shkeljeve proceduriale të lejuara në gjykim dhe si i tillë ai në vështrim të nenit 466/ç të K.Pr.Civile duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rigjykim në po atë gjykate, me tjetër trup gjykues. Në këtë konkluzion përfundimtar, Gjykata e Apelit Tiranë arrin më konkretisht nisur nga sa më poshtë :
Së pari : Gjykata e Apelit konstaton se proces verbalet e seancave gjyqësore të datave 11.07.2014 dhe 19.09.2014 (faq 155-157 në dosje) dhe proces verbali i seancës gjyqësore datë 24.10.2014 (adm faq 165 në dosje) nuk janë nënshkruar nga gjyqtari i çështjes, kryetari i seancës çka përbën shkelje të dispozitave të ligjit procedurial, nenit 118 të K.Pr.Civile, dhe aktin e bën të pavlefshëm.
Në nenin 118 të K.Pr.Civile parashikohet :
“... Nëse proces verbali mbahet në formë të përmbledhur me shtypshkrim apo dorëshkrim, ai nënshkruhet në fund të çdo faqeje nga sekretari dhe në fund të dokumentit nga kryetari i seancës, menjëherë pas seancës, dhe përfshihet në dosjen gjyqësore.”
Së dyti : Në debatin gjyqësorë që u zhvillua në gjykatën e apelit rezultoi se palës së paditur nuk i janë komunikuar të gjitha provat e administruara në dosje, konkretisht kjo palë nuk njihej me bisedën e zbardhur (bisedë e bërë midis të paditurit dhe gazetares në linjë telefonike), administruar në dosje.
Po kështu veç sa më lart konstatohet se gjykata e shkallës së parë nuk rezulton të ketë kryer një hetim të plotë dhe të gjithanshëm të çështjes sipas parashikimeve të neneve 10, 11, 12, 14, 16, 20 e 28 të K.Pr.Civile.
Në nenin 12 të K.Pr.Civile parashikohet se :
“Pala që pretendon një të drejtë, ka detyrimin që, në përputhje me ligjin, të provojë faktet mbi të cilat bazon pretendimin e saj”.
Në nenin 14 të K.Pr.Civile parashikohet se :
“Gjykata ka për detyrë që të zhvillojë një proçes të rregullt ligjorë nëpërmjet garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm në përputhje me ligjin.”
Në nenin 16 të K.Pr.Civile parashikohet se :
“Gjykata zgjidh mosmarreveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët.
Megjithatë, gjykata nuk mund të ndryshojë bazën juridike të padisë pa kërkesën e palës.”
Ndërsa në nenin 20 të K.Pr.Civile parashikohet se :
“Gjykata duhet të ndjekë dhe të kërkojë të zbatohet parimi i kontaradiktoritetit.
Ajo e mbështet vendimin e saj vetëm në mjetet, shpjegimet, dokumentet, provat e tjera të treguara ose të sjella nga palët, kur këto të fundit kanë qenë në gjendje të debatojnë, sipas parimit të kontradiktoritetit”.
Ky kolegj konstaton se pretendimet e ngritura në gjykim në shkallë të parë dhe më pas në ankim nga palët ndërgjyqëse rezultojnë të pa hetuara nga ana e gjykatës së shkallës së parë. Gjykata e shkallës së parë ka arritur në konkluzionin e pranimit të pjesshëm të padisë së paditësit pa një hetim të plotë e të gjithëanshëm të çështjes në përputhje me ligjin dhe duke mos bërë një një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen dhe analizuar në tërësi provat e paraqitura nga të dyja palët.
Po kështu në këtë gjykim rezulton se gjykata e shkallës së parë ka thirrur si person të tretë Gazetën “Telegraf” botuese e artikullit dhe më pas në kushtet kur i ka rezultuar se botues i kësaj gazete është shoqëria “Hekla” shpk edhe pse fillimisht ka bërë kalimin procedurial më pas e ka nxjerrë atë jasht gjykimit. Referuar faktit që artikulli veç prononcimit dhe opinionit të të paditurit Arjan Jaupllari përmban dhe komente të gazetares që e ka kontaktuar, për sqarimin e rrethanave të çështjes ka qenë e nevojshme që gjykata të vlerësonte thirrja e saj në gjykim.
Këto veprime si më lart të gjykatës së shkallës së parë çmohen nga Gjykata e Apelit Tiranë si shkelje të rënda të ligjit procedurial që në vështrim të 466/ç dhe 467/e/ë të K.Pr.Civile detyrimisht passjell prishjen e vendimit Nr.1321, dt. 23.07.2015, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata e Apelit Tiranë, në bazë të nenit 466/ç e 476/e/ë K.Pr.Civile
VENDOSI
-Prishjen e vendimit Nr.1321, dt. 23.07.2015, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim pranë asaj gjykate me tjetër trup gjykues.
-Kundër këtij vendimi lejohet rekurs sipas ligjit në Gjykatën e Lartë.
U shpall në Tiranë
Sot më dt. 14.04.2016
A N Ë T A R A N Ë T A R K R Y E S U E S
Zamir PODA Agim BENDO Zegjine SOLLAKU
dv dv dv
Vërtetohet njësia me origjinalin
KANCELARE
Lertida BALILI
Do'stlaringiz bilan baham: |