VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i përbërë prej:
Edmond Islamaj Kryesues
Guxim Zenelaj Anëtar
Shkëlzen Selimi Anëtar
Artan Zeneli Anëtar
Tom Ndreca Anëtar
në seancën gjyqësore të datës 23.03.2016 mori në shqyrtim çështjen penale me palë:
I GJYKUAR: ARTAN RASKA, në mungesë
A K U Z A:
Prodhim dhe mbajtje pa leje te armeve luftarake,
parashikuar nga neni 278/4 i Kodit Penal.
Baza Ligjore: Neni 278/4 i K.Penal.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.1435 datë 31.10.2013 ka vendosur:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Artan Raska për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe në bazë të nenit 278/4 të K.Penal dënimin e tij me 7 vjet burgim.
Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e 1/3 se këtij dënimi dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit Artan Raska me 4 vjet e 8 muaj burgim.
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.812, datë 19.09.2014, ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.1435, datë 31.10.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kundër vendimit më datë 17.10.2014, ka paraqitur rekurs mbrojtja e të gjykuarit Artan Raska, me anën e të cilit ka kërkuar: Prishjen e Vendimit nr.812, me nr.Regj.Them. 620, datë 19.09.2014 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe ndryshimin e vendimit nr.1435, datë 31.10.2013 të Gjykatës së Shkallës Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë përsa i përket llojit dhe masës së dënimit duke ulur dënimin nën minimumin e parashikuara nga ligji, si dhe duke urdhëruar pezullimin e ekzekutimit të vendimit për pjesën e mbetur të dënimit që do të rezultojë nga dënimi përfundimtar që do të japë gjykata.
2. Nëse gjykata nuk është e bindur për ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës Parë tek e pakta i kërkojmë të urdhërojë kthimin e akteve pranë Gjykatës së Apelit Tiranë për rishqyrtim e çështjes nga një trup tjetër gjykues.
Duke pretenduar si shkaqe:
-
Vendimi i gjykatës së apelit është në kundërshtim me ligjin, sepse:
- I pandehuri nuk ka qenë prezent në seancën e datë 08.09.2014 dhe gjykata nuk ka hetuar aspak për shkaqet e mosparaqitjes së tij.
- Po ashtu, i pandehuri nuk është deklaruar i ikur. Gjithashtu, i pandehuri nuk është mbrojtur as nga avokati i tij Erion SEMANI i cili para seancës gjyqësore me datë 08.09.2014 ka paraqitur kërkesën për shtyrjen e seancës, pasi ishte i sëmurë.
- Gjendja e paaftësisë së përkohshme për punë vërtetohet nga Raporti Mjekësor me nr.Regjistri 3763, Qendra Shëndetësore 8 të lëshuar nga mjeku Dr. Shpresa Dedi. Pas kësaj seancë, Gjykata nuk ka njoftuar aspak sipas rregullave të K.Pr.P. as të pandehurin dhe as mbrojtësin e tij z. SEMANI i cili nuk kishte dijeni nga seanca e kaluar pasi në atë seancë ai nuk ishte i pranishëm për arsye shëndetësore.
- Gjykata në mungesë të plotë të të pandehurit dhe pa hetuar aspak për shkaqet e mosparaqitjes dhe pa njoftuar as mbrojtësin e caktuar me prokurë të posaçme nga i pandehuri z. SEMANI. cakton një avokate kryesisht në seancën e datës 19.09.2014 dhe në përfundim të saj jep vendim ndaj të cilit ankohemi me rekurs. Gjithashtu, në faqen e parë të vendimit, pasqyrohet gabimisht që i pandehuri është mbrojtur nga Av. Ramazan TOPUZI, pasi ky i fundit nuk ka qenë ndonjëherë i pranishëm në gjykimin pranë Gjykatës së Apelit Tiranë dhe nuk e ka mbrojtur atë pranë kësaj gjykate asnjëherë dhe as në seancën e datës 19.04.2014.
- Nga ana e Gjykatës së Apelit Tiranë është shkelur hapur e drejta për proces të rregullt e të pandehurit për t’u mbrojtur dhe për t’u dëgjuar kjo për arsye se në radhë të parë nuk është respektuar ligji në lidhje me kërkesën e ligjshme të avokatit i cili mungonte për arsye të përligjura shëndetësore; dhe së dyti, për shkak se edhe avokati i caktuar kryesisht në kushtet e mungesës së njohjes së plotë të rrethanave të çështjes, fakteve dhe provave të analizuara, pranon të gjasa të mbrojë të pandehurin dhe të bëjë parashtrimet dhe konkluzionet të cilat nuk ekzistojnë në fashikull, pa u njohur më parë me çështjen dhe përmbajtjen e akteve të gjykimit, por de facto është pajtuar me kërkesat e prokurorit dhe nuk ka pasur as mundësi objektive dhe subjektive për të ofruar një mbrojtje efektive të interesave dhe të drejtave të të pandehurit që ka marrë përsipër të mbrojë.
- Gjykata në shkelje të ligjit nuk ka mundur t’i sigurojë këtij të pandehuri një mbrojtje efektive dhe në fakt, në këto kushte ka dëgjuar vetëm prokurorin.
- Një shkelje e rëndë tjetër procedurale është fakti që Gjykata e Apelit Tiranë, në shkelje flagrante të Kushtetutës së RSH dhe Kodit të Procedurës Penale të RSH, nuk ka verifikuar për asnjë moment praninë në gjykim të të pandehurit apo shkaqet e mosparaqitjes, si as nuk ka marrë ndonjë vendim për deklarimin e ikjes.
- Gjykata e Apelit, duke caktuar një avokat kryesisht i cili nuk kishte asnjë dijeni për çështjen dhe nuk u kujdes aspak për njohjen me materialet e fashikullit etj dhe duke bërë që i gjithë procesi të zhvillohej brenda të njëjtës seancë, në fakt ka dëgjuar vetëm prokurorin duke dhunuar hapur të drejtën për t’u dëgjuar të të pandehurit, të drejtën për t’u mbrojtur vetë ose nëpërmjet një mbrojtësi dhe rrjedhimisht të drejtën për proces te rregullt ligjor.
- Gjykata e Apelit duhet të kishte caktuar mbrojtës kryesisht vetëm nëse avokat Ramazan Topuzi nuk do të paraqitej pa arsye në proces dhe të procedonte vetëm pasi avokati të njihej siç duhet me dosjen.
- Nga ana tjetër, një ndihmë juridike efikase mund të ofrohet vetëm nga avokati i përgatitur në mënyrën e duhur për të përfaqësuar të akuzuarin në një stad konkret të procesit, në lidhje me të cilën i akuzuari ka kërkuar caktimin e avokatit nga gjykata vendimi Biondo kundër Italisë ”, i datës 08.12.1983. ankesa nr.8821/79, Dr 64/5. Ndërsa në rastin “Artico kundër Italisë”, në vendimin e datës 13 maj 1980, Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka theksuar që: “Sigurisht që nuk mund t'i vishet një shteti çdo mangësi e një avokati zyrtar, por, në rrethanat e çështjes, u takonte autoriteteve italiane kompetente të vepronin në mënyrën që t‘i siguronin kërkuesit gëzimin e së drejtës efektive të së drejtës që i kishin pranuar. Atyre u ofroheshin dy zgjidhje: të zëvendësonin Zj.della Rocca (avokaten) ose, po të ishte nevoja ta detyronin atë të zbatonte detyrën. Autoritetet zgjodhën një rrugë të tretë, pasivitetin, ndërkohë që respektimi i Konventës kërkon masa pozitive (vendimi Airey)... Në këtë mënyrë arrin, në konstatimin e një mosplotësimi të kërkesave të nenit 6. Pra gjykata nuk ka siguruar as praninë e domosdoshme të të pandehurit dhe as një mbrojtje efektive për të.
- Gjykata ka dëgjuar vetëm prokurorin, duke mos respektuar parimet e rëndësishme të mbrojtjes dhe të kontradiktorialitetit në gjykim. Të gjitha këto e bëjnë procesin të parregullt, në kuptim të nenit 42/1 të Kushtetutës”. Në këto kushte, të ankuesit Artan Raska i është mohuar e drejta për proces të rregullt e garantuar nga neni 42/1 i Kushtetutës, neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore, si dhe Protokolli shtesë nr.7 i kësaj të fundit.
- Gjykata e Apelit kanë shkelur parimin e kontradiktorialiteti dhe parimin e barazisë së armëve. Kjo për arsye se e drejta për të marrë pjesë në gjykim, presupozon jo vetëm pjesëmarrjen fizike të palës, por krijimin për të të mundësive që duke njohur pretendimet e palës tjetër, të jetë në gjendje të parashikojë prapësimet dhe pretendimet e saj.
- Gjykatat nuk kanë arsyetuar aspak vendimet e tyre, ose kanë arsyetuar në kundërshtim me provat dhe faktet juridike të provuara lidhur me llojin dhe masën e dënimit. Ajo nuk ka arsyetuar aspak në lidhje me pretendimet e sipërpërmendura të mbrojtjes, të shprehura edhe gjatë gjykimit të çështjes dhe në parashtrimet e saj. Ky arsyetim është tërësisht i mangët dhe nuk ju jep përgjigje të arsyetuar asnjërit prej pretendimeve të parashtruara nga mbrojtja gjatë gjykimit, në ankim dhe as fakteve juridike të provuara nga provat e administruara në funksion të zbatimit të ligjit penal.
- Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në vendimet për çështje “Hadjianastassiou kundër Greqisë”, 16 Dhjetor 1992, sipas së cilës kërkon që Gjykatat të japin arsye për gjykimin si në çështjet civile dhe ato penale. Gjykatat nuk janë të detyruara të japin përgjigje të detajuara për çdo pyetje, por në rastet kur një pretendim është thelbësor për zgjidhjen e çështjes, atëherë Gjykata duhet të arsyetojë posaçërisht për këtë pretendim. Po ashtu, në çështjen “Hiro Baiani kundër Spanjës”, Gjykata thekson që: aplikanti i kishte parashtruar një pretendim të posaçëm, i cili kërkonte gjithashtu një përgjigje të posaçme dhe të qartë.
- Gjykata dështoi duke mos arsyetuar lidhur me këtë pretendim të posaçëm duke bërë në këtë mënyrë të pamundur vlerësimin nëse ata thjesht kishin neglizhuar të merreshin me këtë problem apo kishin pasur në mendje të mos merreshin dhe nëse kështu, cilat ishin arsyet për mos marrjen parasysh të pretendimit. Kjo mënyrë të vepruari, u vlerësua që shkelte nenin 6 (1) të KEDNJ-së.
KOLEGJI PENAL I GJYKATЁS SЁ LARTЁ
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Artan Zeneli; dëgjoi prokurorin pranë Gjykatës së Lartë, Sokol Stojani, i cili kërkoi prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe kthimin e çështjes për rigjykim, si dhe pasi e shqyrtoi në tërësi çështjen;
V Ё R E N
Se vendimi i gjykatës së apelit me të cilin është lënë në fuqi vendimi i gjykatës së shkallës së parë, që ka dënuar të pandehurin Artan Raska për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, duke e dënuar përfundimisht me 4 vjet e 8 muaj burgim, është marrë në kundërshtim me ligjin procedural, prandaj ai është i cenueshëm në mënyrën dhe për shkaqet që vijojnë.
-
Rrethanat e faktit
Nga aktet e ndodhura ne fashikullin e gjykimit, si dhe nga pohimi i vetë të pandehurit, rezulton e provuar se i pandehuri Artan Raska është efektiv i policisë bashkiake në Bashkinë e Kamzës. Në datën 07.08.2013, rreth orës 22.10’, i pandehuri është kapur në flagrance, duke mbajtur në brez një armë pistolete me numër serie EV-1070356, se bashku me krehrin me pesë fishekë, të cilën e mbante pa leje të organeve kompetente. Policia ka ushtruar kontroll ndaj të pandehurit, për shkak se ai po debatonte me shtetasin Luan Daçi dhe ky i fundit, i indinjuar nga sjellja e të pandehurit kishte njoftuar policinë. Arma që mbante i pandehuri, është armë zjarri pistoletë, e kalibrit 7.65 mm, e cila klasifikohet në armët e zjarrit jo standarde (pistoletës i është adaptuar tyta).
-
Procedurat gjyqësore
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.1435 datë 31.10.2013 ka vendosur:
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Artan Raska për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe në bazë të nenit 278/4 të K.Penal dënimin e tij me 7 vjet burgim.
Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e 1/3 se këtij dënimi dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit Artan Raska me 4 vjet e 8 muaj burgim.
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.812, datë 19.09.2014, ka vendosur:
- Lënien në fuqi të vendimit nr.1435, datë 31.10.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kundër vendimit më datë 17.10.2014, ka paraqitur rekurs mbrojtja e të gjykuarit Artan Raska, me anën e të cilit ka kërkuar:
Prishjen e Vendimit nr.812, me nr.Regj.Them. 620, datë 19.09.2014 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe ndryshimin e vendimit nr.1435, datë 31.10.2013 të Gjykatës së Shkallës Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë përsa i përket llojit dhe masës së dënimit duke ulur dënimin nën minimumin e parashikuara nga ligji, si dhe duke urdhëruar pezullimin e ekzekutimit të vendimit për pjesën e mbetur të dënimit që do të rezultojë nga dënimi përfundimtar që do të japë gjykata. 2. Nëse gjykata nuk është e bindur për ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës Parë tek e pakta i kërkojmë të urdhërojë kthimin e akteve pranë Gjykatës së Apelit Tiranë për rishqyrtim e çështjes nga një trup tjetër gjykues, me shkaqet e parashtruara si më lart.
-
Arsyetimi ligjor i vendimit të ankimuar
Gjykata e Apelit Tiranë çmon se i pandehuri Artan Raska e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Ai është kapur në posedim të një arme të rregullt për nga ana teknike, të cilën e mbante pa lejen e organeve kompetente.
Vepra penale e kryer nga i pandehuri Artan Riska është kryer pasi ka hyrë në fuqi Ligji nr.144, viti 2013, sipas rregullimit të të cilit mbajtja e armëve në automjete, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, pa lejen e organeve kompetente, dënohet me burgim nga 7 deri në 15 vjet.
Gjykata e Apelit Tiranë nuk i konsideron rrethanat në të cilat paraqitet i pandehuri Artan Riska si rast i veçantë nga ato të parashikuara nga neni 53 i Kodit Penal, për uljen e dënimit nën minimumin e parashikuar nga ligji.
Gjithashtu, Gjykata e Apelit Tiranë çmon se është e pambështetur në rrethanat e çështjes edhe kërkesa e të pandehurit Artan Riska për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim për të pandehurin Artan Riska.
Neni 59 i Kodit Penal i jep të drejtën gjykatës që, në raste të veçanta, kur jep dënimin me burgim deri në pesë vjet të urdhërojë që i dënuari të vihet në provë duke u pezulluar ekzekutimi i dënimit, por, në çdo rast, gjykata duhet të ketë parasysh rrezikshmërinë e pakët të personit dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale.
Pretendimi i të pandehurit Artan Riska se ai armën objekt akuze e ka mbajtur me qëllim vetëmbrojtje, edhe sikur të provohet, nuk konsiderohet nga Gjykata e Apelit Tiranë si rrethanë lehtësuese, për shkak se shtetasi shqiptar që ndihet i kërcënuar nga fenomene të ndryshme kriminale, duhet ti drejtohet për mbrojtje autoriteteve kompetente dhe jo ti përgjigjet këtyre kërcënimeve me veprime të kundërligjshme.
Qëndrimin e të pandehurit Artan Riska në kërkesën ankimore, lidhur me politikën penale që duhet të ndiqet për veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, Gjykata e Apelit Tiranë përveçse e konsideron një opinion të tij personal, e gjen atë në kundërshtim me vullnetin e ligjvënësit, i cili me Ligjin nr.144, të vitit 2013, ka vendosur ashpërsimin e dënueshmërisë të veprës penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.
-
Në lidhje me rekursin
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë arrin në konkluzionin se rekursi i paraqitur nga ana e mbrojtjes së të gjykuarit Artan Raska, për sa i takon zhvillimit të gjykimit në gjykatën e apelit për krime të rënda është i mbështetur në ligjin procedural në masën dhe mënyrën që vijon.
Kolegji i Gjykatës së Lartë, vlerëson se e drejta për t’u mbrojtur realizohet qoftë me praninë e një mbrojtësi, qoftë me praninë e të pandehurit në gjykimin që zhvillohet ndaj tij.
E drejta për t’u mbrojtur është një e drejtë themelore e individit të akuzuar për një vepër penale, dhe si e tillë ajo duhet të gjejë zbatim në çdo shkallë dhe fazë të procedimit penal. E drejta për t’u mbrojtur duhet të jetë reale, efektive dhe jo vetëm teorike. Ushtrimi i kësaj të drejte nuk duhet të pengohet, por përkundrazi, gjykatat duhet të marrin të gjitha masat ligjore, që në përputhje me parimin e procesit të rregullt e të drejtë, t’i japin mundësinë palës së interesuar të bëjë mbrojtje reale, duke respektuar parimin e barazisë së armëve, njoftimin e palës së interesuar, dhe dhënien e mundësive për të marrë pjesë në formimin e provës dhe kontribuar në përcaktimin e fakteve, si edhe në cilësimin e saktë të natyrës së akuzave së ngritura dhe të dërguara për gjykim.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vëren se, në bazë të nenit 1 të Kodit të Procedurës Penale, legjislacioni procedural penal ka për detyrë të sigurojë një procedim të drejtë, të barabartë e të rregullt ligjor, të mbrojë liritë personale dhe të drejtat e interesat e ligjshme të shtetasve, po ashtu, sipas nenit 2 të Kodit të Procedurës Penale, respektimi i normave procedurale është i detyrueshëm për subjektet e procedimit penal, për organet shtetërore, personat juridikë dhe shtetasit.
Është detyrë e legjislacionit procedural që të sigurojë një procedim të drejtë, të barabartë e të rregullt ligjor për të gjithë personat ndaj të cilëve ka filluar një procedim penal. Veçanërisht, në procesin penal, barazia e armëve, kontradiktoriteti dhe lidhur ngushtë me këto, realizimi i mbrojtjes së të pandehurit, është e garantuar shprehimisht në nenin 31 të Kushtetutës, nenin 6 të KEDNJ-së dhe nenin 14 të Paktit për të Drejtat Civile dhe Politike, këto parime përbëjnë në vetvete elementët më thelbësorë të procesit të rregullt ligjor, të cilët duhet të kihen parasysh nga ana e gjykatave gjatë zbatimit dhe interpretimit të ligjit.
Kolegji Penal vëren se dhënia e mundësisë për të marrë pjesë dhe për të qenë i pranishëm, është një e drejtë e personit të gjykuar në mungesë (in absentia), kur nuk ka rezultuar se ai nuk ka hequr dorë në mënyrë shprehur, pra të qartë nga e drejta e tij për të qenë i pranishëm në gjykim, dhe pasur një vendim të ri mbi akuzat e ngritura ndaj tij.
Kështu, edhe GjEDNj-ja, në rastet Sejdoviç (10 nëntor 2004) dhe Somogyi (18 maj 2004), GJEDNJ-a ka deklaruar se: “Përbën një mohim të drejtësisë kur një individi të dënuar në mungesë”, nuk mund t’i garantohet e drejta që një gjykatë të mund të vendosë përsëri, pasi dëgjon atë në përputhje me kërkesat e nenit 6 të Konventës mbi themelësinë e akuzës penale, në fakt dhe në ligj, përveç kur konstatohet në mënyrë të qartë se ai ka hequr dorë nga e drejta e tij për të qenë i pranishëm dhe mbrojtur veten”.
GjEDNj-ja, ka theksuar se, përpara se të vlerësohet që i pandehuri, nëpërmjet sjelljes së tij, ka hequr dorë në mënyrë eksplicite nga një e drejtë e rëndësishme e nenit 6 të KEDNj-së, është e nevojshme që më parë të vërtetohet në mënyrë të arsyeshme, nëse ai i kishte parashikuar pasojat e zgjedhjes së tij.
Duke iu kthyer çështjes objekt rekursi, në zbatim të parimeve të mësipërme, Kolegji Penal vëren se, nga rrethanat pranuara nga gjykata rezulton se në Gjykatën e Apelit Tiranë, i gjykuari ka zgjedhur, nëpërmjet prokurës nr.2176 Rep dhe 872 Kol, datë 08.07.2014, që përfaqësimi i tij në të gjitha shkallët e gjykimit të bëhej nga avokati Erion Semani, i cili kishte të drejtë edhe përfaqësimin e tij në mungesë. Shqyrtimi gjyqësor në gjykatën e apelit është zhvilluar në disa seanca. Në seancën e datës 09.07.2014 është paraqitur av.E.Semani, i paisur me prokurë, i cili kërkoi nga gjykata të njihet me materialet e dosjes për faktin se nuk ka qenë më parë mbrojtës i të gjykuarit, kërkesë kjo që gjykata e konsideroi të drejtë dhe të ligjshme dhe me vendim të ndërmjetëm shtyu seancën për më datë 08.09.2014. Në këtë seancë gjykata ka deklaruar mungesën e të pandehurit dhe vazhdimin e gjykimit në prani të mbrojtësit të tij. 15. Më datë 08.09.2014 meqenëse avokati E.Semani, kishte depozituar në sekretarinë e gjykatës një kërkesë me shkrim për shtyrje seance për arsye shëndetësore, duke bashkëngjitur edhe raportin mjekësor, gjykata me vendim të ndërmjetëm vendosi të shtyjë seancën për më datë 19.09.2014 duke urdhëruar njoftimin si të mbrojtësit ashtu edhe të pandehurit me shpallje në Gjykatën e Apelit dhe Njësinë Administrative ku ai banon. 16. Në seancën e datës 19.09.2014 gjykata ka vendosur të zhvillojë gjykimin në mungesë të pandehurit dhe mbrojtësit të tij, pasi asnjëri prej tyre nuk është paraqitur në gjykim dhe ka caktuar mbrojtës kryesisht. Nga aktet që janë administruar në dosje rezulton se gjykata pa njoftuar mbrojtësin e caktuar me prokurë të posaçme nga i pandehuri, cakton një avokate kryesisht në seancën e datës 19.09.2014 dhe në përfundim të saj jep vendimin objekt rekursi.
Gjithashtu referuar procesverbalit të seancës gjyqësore rezulton se nuk i është siguruar atij mbrojtja e nevojshme në përputhje me interesat e të gjykuarit dhe kërkesat kushtetuese e procedurale penale.
Kolegji Penal vlerëson se e drejta e të pandehurit për të qenë i pranishëm dhe marrë pjesë në zhvillimin e seancave lidhur me gjykimin e zhvilluar ndaj tij është një element i rëndësishëm i procesit penal, pasi mundëson ushtrimin efektiv të së drejtës së mbrojtjes dhe kontribuon në përcaktimin e së vërtetës së fakteve, paraqitjen e provave dhe ballafaqimin me to në lidhje me akuzat që janë ngritur në ngarkim të të pandehurit, si dhe në vetë dhënien e drejtësisë. Gjykata e apelit vepruar ndesh me dispozitat e neneve 48, 49, 51, 55 dhe 57 të Kodit të Procedurës Penale, duke i caktuar një avokat kryesisht të pandehurit Artan Raska, kur avokati i zgjedhur prej tij Erion Semani, nuk ka pasur dijeni për ditën dhe orën e gjykimit. Gjykata e apelit në këtë rast, nuk kishte refuzim nga ky mbrojtës (av.Erion Semani) për të përfaqësuar të gjykuarin Artan Raska, prandaj nuk duhej të kryente zëvendësimin e tij e t’i caktonte avokat kryesisht sikundër ka vepruar. Gjykata e Apeli ka vepruar në kundërshtim me kërkesat e neneve 57 e 426 të Kodit të Procedurës Penale.
Në lidhje me përligjen e shkakut të mungesës dhe mos-përsëritjes së njoftimeve për aktet dhe veprimet e tjera të kryera nga gjykata e apelit, Kolegji çmon se një ndër shkaqet që mund të pengojë marrjen pjesë e të pandehurit dhe mbrojtësit në gjykimi mund janë edhe motivet që lidhen me shëndetin. Kolegji vërën se e drejta e shëndetit është e parashikuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ku të gjithë shtetasit, pa dallim, gëzojnë në mënyrë të barabartë të drejtën për kujdes shëndetësor nga shteti. Ky Kolegj çmon se hetimi dhe vlerësimi i shkakut të mungesës hyn në kompetencën e gjykatës së themelit, e cila duhet të arsyetojë në përputhje me të gjithë elementet faktike dhe rrethanat konkrete duke mbajtur parasysh tërësinë e tyre brenda kontekstit konkret, ndërsa çështja e respektimit të ligjit shqyrtohet nga Gjykata e Lartë.
Në vendimin për deklarimin e mungesës së të pandehurit gjykata e themelit nuk ka arsyetuar në mënyrë të mjaftueshme shkakun e pamundësisë absolute për t’u paraqitur, duke vazhduar me pa të drejtë gjykimin në mungesë të pandehurit dhe mbrojtësit të zgjedhur personalisht me prokurë.
-
Në lidhje me zgjidhjen e çështjes
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë konstaton se gjykata e apelit ka gabuar në zbatimin e ligjit procedural penal, kur ka vendosur gjykimin në mungesë të të pandehurit Raska. Në rastin në gjykim nuk plotësohen standardet e një procesi të rregullt ligjor, në përputhje me nenin 31/ç të Kushtetutës dhe nenit 6/1 të KEDNJ-së. Si pasojë e shkeljes së rregullave në lidhje me mbrojtësin e zgjedhur nga i pandehuri nuk është respektuar e drejta e të gjykuarit për t’u mbrojtur nga akuzat nëpërmjet mbrojtësit të zgjedhur personalisht prej tij dhe nuk është realizuar një mbrojtje efektive. Për rrjedhojë, vendimi i gjykatës së apelit duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rigjykim në po atë gjykatë me një tjetër trup gjykues, duke u respektuar parimet e zhvillimit të procesit të rregullt e të drejtë gjatë zhvillimit të gjykimit në atë gjykatë.
PЁR KЁTO ARSYE
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, bazuar në përcaktimet e nenit 441 të Kodit të Procedurës Penale,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.812, datë 19.09.2014, të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe kthimin e akteve për rishqyrtim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues.
Tiranë, më 23.03.2016
Nr. 52102-01070-00-2014 Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-450 i Vendimi (55)
Do'stlaringiz bilan baham: |