VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Edmond Islamaj Kryesues
Artan Zeneli Anëtar
Tom Ndreca Anëtar
Shkëlzen Selimi Anëtar
Guxim Zenelaj Anëtar
në seancat gjyqësore të datave 23.03.2016 dhe 30.03.2016 mori në shqyrtim çështjen penale:
I PANDEHUR: ALTIN SHABANI, mbrojtur nga av. Ilir Murati
A K U Z U A R:
Për kryerjen e veprave penale
“Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë,
dhe te “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”,
të parashikuar nga nenet 79/c-22 dhe 278/2 të Kodit Penal
Gjykata e shkallës së parë për Krime të Rënda me vendimin nr.110, datë 17.12.2013 ka vendosur:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Altin Shabani, për veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79/c e 22 të KP (sipas ndryshimeve bërë me ligjin nr.9275, date 16.09.2004) dhe bazuar dhe në nenin 23/2 të KP, dënimin e tij me 15 vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Altin Shabani, për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” parashikuar nga neni 278/2 i KP (sipas ndryshimeve bërë me ligjin nr.8733 date 24.01.2001) dhe dënimin e tij me 2 vjet burgim.
Në bashkim të dënimeve sipas nenit 55 te KP e dënon përfundimisht të pandehurin Altin Shabani me 15 vjet burgim.
Gjykata e Apelit për Krime të Rënda me vendimin nr.24, datë 18.03.2014 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.110 datë 17.12.2013 të Gjykatës për Krime të Rënda, për sa i përket kualifikimit ligjor juridik dhe deklarimit fajtor të të pandehurit Altin Shabani për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të cilësuese”, mbetur në tentativë dhe të “Prodhimi mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” parashikuara nga nenet 79/c dhe 22, 278/2 të KP.
Ndryshimin e vendimit nr.110 datë 17.12.2013 të Gjykatës për Krime të Rënda si më poshtë:
Dënimin e të pandehurit Altin Shabani për veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, në bazë të neneve 19/c, 22, 23/2, 48 germat “b”, “dh”, “e” të Kodit Penal me 10 vjet burgim.
Dënimin e të pandehurit Altin Shabani për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” në bazë të nenit 278/2 të Kodit Penal me 2 vjet burgim.
Në bashkim të dënimeve, në aplikim të nenit 55/3 të Kodit Penal, dënimin përfundimtar të të pandehurit Altin Shabani me 10 vjet burgim.
Lënien në fuqi të vendimit nr.110 datë 17.12.2013 të Gjykatës Krime të Rënda edhe për pjesët e tjera të tij.
Kundër këtij vendimi ka ushtruar rekurs i pandehuri Altin Shabani, nëpërmjet mbrojtësit, i cili kërkon ndryshimin e tij, duke parashtruar se:
-
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tirane, ka regjistruar procedimin penal ne fjale me date 03.06.2013 për veprën penale te “Vrasjes me dashje”, mbetur ne tentative dhe “Mbajtjes pa leje te armeve luftarake” sipas neneve 76-22 dhe 278 /2 te KP. Nga hetimet e kryera dhe ne gjykim ne dy shkallet e gjykimit nuk ka dale asnjë prove, rrethane apo fakt i ri për te ndryshuar cilësimin juridik te veprës se kryer nga i pandehuri, ndonëse mbrojtja nuk konkludon se është kryer dhe kjo vepër penale nga i pandehuri Altin Shabani.
-
U provua ne gjykim se i pandehuri ka qene ne një gjendje psikologjike shume te renduar për shkak te largimit nga puna dhe këtë gjendje e ka renduar me shume dhe përdorimi ditën e ngjarjes i alkoolit. Mjafton te kujtojmë se ne momentin e pare te takimit i pandehuri Altin Shabani i ndodhur ne kontakt shume afër te dëmtuarit Elmi Allmuça, i ka kërkuar shpjegime duke i thënë se “ çfarë do behet me punën time, a e di se e kam familjen pa buke”. Ky deklarim i te pandehurit i provuar ne gjykim tregon se ne çfarë gjendje te rende psikologjike ka qene i pandehuri,kur realisht largimi i tije nga puna kishte rrezikuar sigurimin e përditshëm te ushqimeve për familjen e tij.
-
Me tej akoma i pandehuri Altin Shabani ne kontaktin e pare është afruar tek xhami i makinës ku ishte i dëmtuari Elmi ne një distance 10 - 20 cm dhe nëse do te kishte qellim vrasjen e tij i ka pasur te gjitha mundësitë te qëllonte ndaj tij dhe ne organet jetike si koka, zemra etj, por ndonëse shume afër te dëmtuarit i pandehuri nuk e ka nxjerre pistoletën dhe nuk ka qëlluar ndaj te dëmtuarit. Qëllimi i te pandehurit Altin Shabani ne kontaktin me te dëmtuarin, ka qene te bënte te mundur ripunesimin e tij ne Komunën Baldushk.
-
Por përballe kësaj gjendje shume te renduar psikike te te pandehurit, ka reaguar me mospërfillje i dëmtuari Elmi, madje me ndjenje fyerje është larguar me shenje prepotence dhe duke e fyer rende nga familja pa i dhënë dhe shpjegime te pandehurit, duke u larguar me makine. Ne këto kushte i pandehuri ne atë gjendje aq te rende psikike dhe përballë reagimit negativ të të dëmtuarit ka nxjerre pistoletën duke qëlluar një herë të vetme ne drejtim te makinës qe po drejtonte i dëmtuari duke e plagosur.
-
Është provuar gjithashtu fakti se i pandehuri kishte qëndruar ne një lokal ditën e ngjarjes për rreth tre ore duke konsumuar pije alkoolike, e cila ka ndikuar ne uljen e ekuilibrit mendor te pandehurit. Sipas aktit mjeko -ligjore nr.710, date 14.06.2012, rezulton se dëmtimet e shkaktuara tek i dëmtuari klasifikohen ne kategorinë e dëmtimeve te renda.
-
Ne distancën ne te cilën ka qëlluar i pandehuri Altin Shabani, ka pasur te gjitha mundësitë te qëllonte përsëri por nuk e ka bere një gjë te tille pasi qëllimi i tij ishte ripunësimi ne komune dhe jo vrasja e te dëmtuarit.
-
Siç e theksuam me sipër nëse i pandehuri Altin kishte qellim vrasje atë e kishte bere pa asnjë vështirësi ne momentin kur ishte ngjitur me te dëmtuarin tek xhami i makinës se këtij te fundit.
-
Është ky shkaku për te cilin i dëmtuari ka shprehur se janë normalizuar marrëdhëniet me te pandehurin dhe familjen e tij.
-
Duke qene ne këto rrethana i pandehuri Altin Shabani është vetëdorëzuar ne polici duke treguar dhe rrethanat e ngjarjes si me sipër.
KOLEGJI PENAL I GJYKATES SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Guxim Zenelaj, prokurorin Sokol Stojani, i cili kërkoi lenie nen fuqi te vendimit te gjykatës se apelit për krimet e renda, mbrojtësin e te pandehurit, i cili kërkoi ndryshimin e vendimeve te gjykatës se shkalles se pare për krimet e renda dhe gjykatës se apelit për krimet e renda, për sa i përket cilësimit juridik të veprës së kryer, në atë të “Plagosjes së rëndë në gjendje të tronditjes së fortë psikike” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, duke u dënuar me kohën e paraburgimit, dhe pasi bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
Se, rekursi i paraqitur përmban shkaqe ligjore qe motivojnë cenimin e vendimit nr.24, datë 18.03.2014 te gjykatës se apelit për krimet e renda.
Nga aktet e administruara ne gjykim, rezulton se, i pandehuri Altin Shabani ka qenë me detyrën e punonjësit të policisë së njësisë së qeverisjes vendore, Komunës Baldushk dhe është liruar nga detyra në date 28.02.2012 ndërsa i dëmtuari Elmi Allmuça ka qene me detyrën e kryetarit të kësaj komune.
Me date 03.06.2012 rreth orës 2145, i dëmtuari Elmi Allmuca ka qenë duke u kthyer me automjetin e tij, për në shtëpi, e cila ndodhet në afërsi të Urës së Farkës Tiranë.
Në momentin kur i dëmtuari ka qenë duke udhëtuar në segmentin e rrugës Tiranë- Baldushk, i ka dalë përpara duke i ndërprerë rrugën, një tjetër automjet, nga i cili ka zbritur i pandehuri Altin Shabani.
Pasi ka zbritur nga automjeti i tij, i pandehuri Altin është drejtuar për tek i dëmtuari Elmi, është afruar pranë xhamit të derës së shoferit ku ndodhej i dëmtuari dhe ka komunikuar me të në drejtim të faktit të largimit të tij nga puna, duke i përmendur dhe gjendjen e tij të vështirë ekonomike dhe familjare.
I dëmtuari është munduar ta qetësojë duke i thënë se nuk zgjidhej aty kjo punë, se do ta shikonin problemin e tij dhe ai të paraqitej në zyrat e Komunës për problemet që kishte. Këto fjalë nuk e kanë qetësuar të gjykuarin, nuk e kanë zbutur gjendjen dhe i dëmtuari Elmi ka vendosur te largohet nga vendi. Ai ka lëvizur me mjetin e tij pak mbrapa për shkak se përpara i ishte zënë rruga nga mjeti i të gjykuarit dhe pasi ka shmangur mjetin e të gjykuarit që kishte zënë krahun e tij te lëvizjes, është nisur përpara.
Sapo është nisur të largohet, i dëmtuari Elmi nga pasqyrat e mjetit të tij, ka parë të pandehurin Altin Shabani që ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe me të ka qëlluar në drejtim të tij, mjetit që ai drejtonte. Nga kjo e shtënë i dëmtuari Elmi ka mbetur i plagosur, megjithatë ai ka vazhduar lëvizjen duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Me pas ai është transportuar ne spital, ku dhe i është dhëne ndihma mjekësore.
I pandehuri, pas ngjarje është larguar nga vendngjarja dhe banesa e tij duke u fshehur. Të nesërmen në date 04.06.2012 ora 19.00, ai është dorëzuar vetë ne polici duke dorëzuar dhe mjetin e krimit pistoletën tip TT.
Ne veprimet e para hetimore, nga këqyrja e automjetit, ka rezultuar, në kapakun e bagazhit në sipërfaqen e jashtme, 2 cm poshtë xhamit të bagazhit, nje vrimë tejshpuese me diametër 1 cm. Në mbështetësen e sediljes së pasme u fiksua një vrimë tejshpuese, në pjesën e pasme të sediljes së shoferit, u fiksua një dëmtim vrimë tejshpuese,dhe po i njëjti dëmtim u fiksua dhe në pjesën e përparme të kësaj sedilje.
Sipas aktit mjeko- ligjor nr.710 date 14.06.2012, tek i dëmtuari është konstatuar një plagë penetrale ne anën e djathtë të pasme të barkut, me dëmtim të zorrëve dhe mezenterit, hematoma, subhepatike, anemi akute. Këto dëmtime futen në kategorinë e dëmtimeve të rënda.
Në këto rrethana, prokuroria pranë gjykatës se shkalles se pare për krimet e rënda ka kërkuar gjykimin e çështjes penale për te pandehurin Altin Shabani, për kryerjen e veprave penale të “ Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79/c e 22 te KP dhe te “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/2 i KP.
Gjykata e shkallës së parë për krime të rënda me vendimin nr.110, datë 17.12.2013 ka deklaruar fajtor të pandehurin Altin Shabani, për kryerjen e veprave penale, për te cilat ishte akuzuar, duke e dënuar përfundimisht me 15 vjet burgim. Vendimi është lënë ne fuqi nga gjykata e apelit për krime të rënda me vendimin e saj nr.24, datë 18.03.2014, duke u ndryshuar vetëm masa e dënimit për te pandehurin ne 10 vjet burgim. Kundër këtij vendimi ka ushtruar rekurs i pandehuri Altin Shabani, nëpërmjet mbrojtësit, i cili kërkon ndryshimin e tij.
Kolegji Penal pasi shqyrtoi shkaqet e parashtruara ne rekursin e paraqitur dhe tërësinë e gjithë akteve të administruara ne dosjen penale vlerëson se, vendimi i gjykatës se apelit, ashtu edhe vendimi i gjykatës së shkallës së parë, janë marrë ne zbatim te gabuar te ligjit material penal, për sa i përket cilësimit ligjor të veprës penale të kryer nga i pandehuri Altin Shabani.
Në gjykimin e çështjes, nga aktet e administruara, është provuar se:
- i pandehuri me te dëmtuarin kane debatuar me njeri tjetrin;
- kur i dëmtuari po largohej, i pandehuri ka qëlluar me arme vetëm një here ne drejtim te automjetit;
- lartësia e qitjes ka qene deri ne 2 cm poshtë xhamit te bagazhit;
- dëmtimet, kanë qenë të rrezikshme për jetën në çastin e shkaktimit;
Gjykatat e faktit, pas analizës dhe vlerësimit te provave kane arritur ne përfundimin se i pandehuri ka kryer veprën penale te vrasjes, te mbetur ne tentative, duke u bazuar vetëm ne faktin qe i pandehuri ka qëlluar ne drejtim te të dëmtuarit.
Këto gjykata kane gabuar, kur kane arritur ne konkluzionin se, i pandehuri ka kryer veprën penale të vrasjes, e mbetur ne tentative, duke mos pasur parasysh se, nga ana subjektive pandehuri nuk është synuar marrja e jetës të të dëmtuarit, e cila nuk është realizuar, jo për shkak të vullnetit të autorit, por për shkaqe të pavarura nga ai vetë.
Gjykatat e faktit nuk kane pasur parasysh se, ana subjektive në kryerjen e veprës penale evidentohet nga analiza e tërësisë së elementëve të anës objektive të saj, si veprimet e kryera nga i pandehuri, koha, vendi, mënyra e kryerjes së veprimeve prej tij, mjeti i përdorur, vendi i goditjes, numri e intensiteti i goditjeve, kjo pasi faji (dashja ose pakujdesia) si qëndrimi psikik që mban autori i veprës ndaj veprimeve të kryera dhe pasojës së ardhur është një proces i brendshëm të menduari që zhvillohet në trurin e njeriut, në vetëdijen e tij, e si i tillë ka karakter personal dhe duhet të vërtetohet gjatë procesit gjyqësor.
Ne analize te provave të marra dhe të shqyrtuara nga gjykatat e faktit, arrihet në konkluzionin se, qëllimi i te pandehurit nuk ka qenë vrasja e të dëmtuarit, por kanosja serioze për jetën e tij. Përdorimi i armës nga i pandehuri ka qenë në funksion të mendimit të tij kriminal për te dekurajuar të dëmtuarin, si pjesë e mendimit të gabuar që kishte krijuar si pasojë e bisedës që ai beri me te përpara ngjarjes.
Shkaku i largimit për shkurtim te vendit të punës, nga puna që kryente në komunë dhe njëkohësisht konstatimi që po në atë vend pune ishte marrë një tjetër person, ka qenë arsyeja që e ka shtyrë të pandehurin të ndërmarrë veprimin e tij të kundërligjshëm qëlluarjen me armë zjarri ne drejtim te automjeti, te drejtuar nga i dëmtuari, kryetar i Komunës Baldushk, të cilin e ka bërë përgjegjës për gjendjen rende financiare te familjes, pas largimit e tij nga puna.
Drejtimi i qitjes ka qenë jashtë kontureve fizike të të dëmtuarit dhe për më tepër ne një zonë të automjetit që nuk kishte asnjë pjesë të trupit me funksione vitale për të vënë në rrezik jetën e tij. Megjithëse, i pandehuri i kishte të gjitha mundësitë jo vetëm nga distanca e afërt, aftësive te tij si punonjës policie, por edhe pamjes krejtësisht te lirë, për të shënjestruar të dëmtuarin, ai nuk ka qëlluar në drejtim të tij, por ne pjesën metalike te automjetit.
Ky fakt provon se, i pandehuri nuk ka pasur qëllim vrasjen e të dëmtuarit apo dëmtimin e shëndetit të tij, por vetëm kërcënimin e jetës. Në analizë të veprimeve të kryera nga i pandehuri, përkundrazi, rezulton se dashja si formë faji me të cilën ka vepruar i pandehuri, nuk është drejtuar drejt dëmtimit të jetës se te dëmtuarit dhe se plagosja e këtij të fundit ka ardhur si pasojë e pakujdesisë në formën e neglizhencës, pasi në rrethanat konkrete, edhe pse nuk i ka parashikuar, i pandehuri duhet dhe kishte mundësi të parashikonte se nga goditja e dhëne prej tij, ne drejtim te automjetit, do t’i shkaktohej pasojë te te dëmtuarit, duke plotësuar kështu me veprimet e tij, të gjithë elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 88 i KP “Plagosja e rëndë”.
Neni 88 i KP, parashikon se:
Plagosja e kryer me dashje që ka sjellë si pasojë gjymtimin, shëmtimin e çdo dëmtim tjetër të përhershëm të shëndetit, ndërprerjen e shtatzanisë ose ka qenë e rrezikshme për jetën në çastin e shkaktimit të saj, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet. Po kjo vepër, kur është kryer kundër disa personave ose kur ka sjellë si pasojë vdekjen, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.”
Ne interpretim te kësaj dispozite, objekt i kësaj vepre penale janë marrëdhëniet juridike të vendosura për të siguruar paprekshmërinë e shëndetit të personit, tërësinë dhe funksionimin normal të organeve të trupit, marrëdhënie këto të cilat janë cenuar në rastin konkret nga i pandehuri Altin Shabani me veprime aktive.
Nga ana objektive kjo vepër penale kryhet me veprime aktive, në forma dhe mënyra të ndryshme, që kanë sjellë si pasojë dëmtimin e përhershëm të shëndetit, gjymtimin, shëmtimin apo kanë qenë të rrezikshme për jetën.
Pra, nga gjykatat e faktit, nuk është bere i mundur dallimi midis veprës penale te vrasjes se mbetur në tentativë nga vepra penale e plagosjes së rëndë me dashje, pasi autori i veprës penale të plagosjes së rëndë me dashje, nuk dëshiron ose nuk lejon me ndërgjegje ardhjen e pasojës kurse me vrasjen e mbetur në tentativë e dëshiron ose lejon me ndërgjegje ardhjen e pasojës, po se kjo e fundit nuk realizohet për shkaqe të pavarura nga vullneti i tij.
Për sa më sipër, ky Kolegj vëren se veprimet e kryera nga i pandehuri Altin Shabani, plotësojnë të gjithë elementët e figurës së veprës penale “Plagosja e rëndë me dashje” parashikuar nga neni 88 i KP.
Në lidhje me caktimin e llojit dhe masës së dënimit për këtë të pandehur, ky Kolegj ka parasysh, rrezikshmërinë e veprës penale, për te cilën është parashikuar edhe dënim me burgim (tre gjer në dhjetë vjet); rrezikshmërinë e autorit, të pandehurit Altin Shabani, i cili siç kanë analizuar të dyja gjykatat, nuk është i dënuar më parë, ka pranuar veprën dhe ka shfaqur pendim, ka dhënë spjegime të hollësishme në hetim për rrethanat e ngjarjes; si dhe ekzistencën edhe te rrethanave lehtësuese të parashikuara nga neni 48 i KP, që vepra është kryer nën ndikimin e tronditjes psikike të shkaktuar nga veprimet e padrejta të të dëmtuarit, që vetë ai dhe familjarët e tij kanë lajmëruar organet kompetente pas kryerjes së veprës penale.
Prandaj, ky Kolegj çmon se, dënimi i përshtatshëm për të pandehurin Altin Shabani është ai me 6 vjet burgim. Kjo masë dënimi, është në përputhje me rëndësinë e faktit, tërësinë e rrethanave të çështjes, rrezikshmërinë e veprës dhe të vetë të pandehurit, si dhe i shërben qëllimit final të dënimit penal, riedukimit të të pandehurit dhe riintegrimit të tij në shoqëri, duke përmbushur njëkohësisht edhe funksionin e tij ndëshkues.
Ndërkohe, vendimi për deklarimin fajtor te te pandehurit Altin Shabani për kryerjen veprës penale te “Armëmbajtjes pa leje, parashikuar nga neni 278/2 te KP dhe dënimin e tij me 2 vjet burgim, gjendet i bazuar ne ligj.
Sa me sipër, ne zbatim edh ete nenit 55/1 te KP, pas bashkimit te dënimeve, i pandehuri Altin Shabani dënohet përfundimisht me 6 vjet burgim.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 441/b të KPP
V E N D O S I
Ndryshimin e vendimit nr.24, date 18.03.2014 te Gjykatës se Apelit për Krimet e Renda dhe te vendimit nr.110, date 17.12.2013 te Gjykatës se Shkalles se Pare për Krimet e Renda, duke e deklaruar fajtor te pandehurin Altin Shabani për kryerjen e veprës penale te “Plagosjes se rende me dashje”, parashikuar nga nenin 88 i KP dhe dënimin e tij me 6 vjet burgim.
Lënien ne fuqi te vendimit për deklarimin fajtor te tij për kryerjen e veprës penale te “Armëmbajtjes pa leje”, parashikuar nga neni 278/2 te KP dhe ne bashkim te dënimeve ne baze te nenit 55/1 te KP, dënimin përfundimisht me 6 vjet burgim.
Tiranë, më 30.03.2016
ÇËSHTJE ADMINISTRATIVE
Nr. 31001-00435-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-1767 i Vendimit (121)
Do'stlaringiz bilan baham: |