VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
në datën 01.03.2016, në dhomë këshillimi, mori në shqyrtim çështjen administrative me nr.00435/2013 që u përket palëve:
PADITËS: SHOQËRIA “GEA - VALLEVERDE” SH.P.K
PALË E PADITUR: INSPEKTORATI NDËRTIMOR URBANISTIK KOMBËTAR.
Me pjesëmarrjen e Avokaturës së Shtetit.
OBJEKTI:
Shfuqizimin e aktit administrativ, vendim nr.24, datë 02.10.2009
të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar
“Për prishjen e objektit”.
Baza Ligjore: Nenet 31,32/a, 324 e vijues të Kodit të Procedurës Civile,
Ligji nr.9780, datë 16.7.2007 “Për inspektimin e ndërtimit”,
VKM nr.862, datë 5.12.2007
“Për unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit
nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar e ai Vendor”,
Ligji nr.9048 datë 07.04.2003 “Për trashëgiminë kulturore”, i ndryshuar,
VKM nr.426, datë 13.07.2007
“Për miratimin e kartës shqiptare të restaurimit”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.4664, datë 02.06.2011, ka vendosur:
-Pranimin e padisë.
-Shfuqizimin e aktit administrativ vendim nr.24, datë 02.10.2009 të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar “Për prishjen e objektit”.
-Shpenzimet gjyqësore të evidentuara nga gjykata në masën 3.000 lekë, janë në ngarkim të palës së paditur.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1971, datë 19.07.2012, ka vendosur:
-Lënien në fuqi të vendimit nr.4664, datë 02.06.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs Avokatura e Shtetit, e cila kërkon prishjen e vendimit nr.1971, datë 19.07.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe vendimit nr.4664, datë 02.06.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Vendimi i Gjykatës së Apelit është marrë në kundërshtim me ligjin dhe për këtë arsye, ky vendim duhet të ndryshohet dhe kërkesë padia të rrëzohet.
-
Leja e dhënë nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve nuk legjitimon paditësin në kryerjen e ndërtimit të paligjshëm në këtë zonë, i cili është objekt i vendimit nr.24, datë 02.10.2009 për prishjen e objektit të INUK.
-
Në asnjë moment Ligji nr.9048, datë 07.04.2003 “Për trashëgiminë kulturore”, i ndryshuar, nuk përmend termin “rikonstruksion”, por vetëm termin “restaurim”, terma të cilët nuk kanë të njëjtin kuptim.
-
Në bazë të nenit 3, pika 23 të këtij ligji, me termin “restaurim” kuptohet vlerësimi i thelbit origjinal të monumenteve nëpërmjet ndërhyrjeve për ndalimin e ndegradimeve të mëtejshme dhe nxjerrjes në pah të vlerave të tyre, ndërsa termi “rikonstruksion” nënkupton ndryshimin rrënjësor që i bëhet diçkaje në mënyrën e ndërtimit, në organizimin dhe pajisjet për ta përmirësuar.
-
Shkresa me nr.3260/1 prot, datë 05.10.2009 të Njësisë Bashkiake nr.2, Tiranë, e cituar nga Gjykata “...me të cilën lejohet bërja e rikonstruksionit të ambientit...”, nuk legjitimon paditësin në bërjen e ndërtimit të kundraligjshëm “platformë betoni, kollona me rikonstruksion metalik 21 kolona”, sipas proces-verbalit nr.16, datë 28.10.2009 dhe nr.17, datë 01.10.2009 të INUK.
-
Për më tepër Njësia Bashkiake nr.2 Tiranë, nuk është organ që kishte autoritetin ligjor për të miratuar apo lejuar kryerjen e ndërtimeve, qofshin me apo pa leje ndërtimi.
-
Në bazë të legjislacionit të cituar më sipër, punimet që mund të kryheshin në këtë zonë mund të ishin të natyrës “restauruese” dhe jo “rikonstruksioni”.
-
Në asnjë pikë të nenit 17 të Ligjit nr.9048, datë 07.04.2003 “Për trashëgiminë kulturore”, i ndryshuar, nuk parashikohet përcaktimi i cituar nga gjykata se: “gërmimi, përdorimi dhe çdo veprim tjetër në monumentet e kulturës, si dhe cdo ndryshim në truallin evënë në mbrojtje të tyre, bëhet vetëm me autorizimin e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve”.
-
Një përcaktim i tillë bëhet në nenin 33 të Ligjit të sipërcituar të ndryshuar, dhe përcaktimi i plotë i tij është: “gërmimi, përdorimi dhe çdo veprim tjetër në monumentet e kulturës, si dhe çdo ndryshim në truallin e vënë në mbrojtje të tyre, bëhet vetëm me autorizimin e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, Institutit Arkeoligjik për gërmimet shkencore, si dhe të Agjencisë së Shërbimit Arkieologjik në rastet e gërmimeve të shpëtimit”.
-
Ky moment i ligjit, nuk ka të bëjë fare me çështjen objekt shqyrtimi dhe aq më tepër me rikonstruksionin e kamufluar si restaurim, nga ana e paditësit.
-
Akti i ekspertimit të kryer gjatë gjykimit është me të meta.
-
Ky akt është kryer duke konfonduar termat “restaurim” dhe “rikonstruksion”, të cilët jo vetëm që nuk kanë ngjashmëri ndërmjet tyre, por përkundrazi kanë kuptime krejt të kundërta.
-
Edhe në pyetjen e bërë drejtpërdrejtë ekspertit në lidhje me këtë fakt, ai nuk ka dhënë një përgjgije të saktë.
-
Duke mos pasur një sqarim të saktë të këtyre dy termave, rrjedhimisht edhe konkluzionet e aktit të ekspertimit nuk janë të sakta.
-
Në bazë të nenit 48 të Ligjit nr.8405, datë 17.09.1998 “Për urbanistikën”, i ndryshuar, kur bëhet fjalë për “rikonstruksion” është e nevojshme pajisja me leje ndërtimi, ndërsa kur bëhet fjalë për “restaurim’, siç u theksua edhe më sipër, ligji kërkon “autorizimin e Këshillit Kombëtar të Restaurimit”.
-
Për sa më sipër, vendimi nr.24, datë 02.10.2009 i INUK për prishjen e objektit, është një akt i marrë në përputhje të plotë me ligjin dhe si i tillë duhet të lihet në fuqi, duke u vendosur rrëzimi i padisë.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e çështjes objekt gjykimi nga gjyqtarja relatore Evelina Qirjako, verifikoi legjitimitetin e palës rekursuese Avokatura e Shtetit, si dhe e diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, rezulton se pala paditëse “Gea–Valleverde” është shoqëri tregtare me përgjegjësi të kufizuar, e cila, ndër të tjera ushtron aktivitet të natyrës: “bar - restorant, ndërtime civile dhe ekonomike, kulturore tregtare, ndërtime rrugës kategoria IV,V, ndërtim ujësjellës e kanalizime, ndërtime vepra arti rrugor e hekurudhor, ushqimore, konfeksione etj”.
2. Sipas të dhënave që pasqyron ekstrakti historik i regjistrit tregtar, të dalë nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, shoqëria rezulton të jetë krijuar nga bashkimi i shoqërive “Gea 3” dhe “Valleverde”, dhe me vendim të ortakëve të këtyre shoqërive, depozituar më datë 25.2.2003, shoqëria ka ndryshuar emrin në “Gea - Valleverde”.
3. Subjekti paditës, nëpërmjet kontratës së qirasë me nr.1059 rep. dhe 121 kol., datë 03.03.2000 të lidhur me Ministrinë e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit për një afat 20 vjeçar, ushtron aktivitet tregtar, bar -restorant në objektin “Bar Kalaja”, ndodhur në Qendrën Kulturore të Fëmijëve, në një sipërfaqe prej 504 m2, nga e cila, ajo nën objekt prej 238 m2 (pika nr.2 e kontratës së qirasë).
4. Rezulton gjithashtu se, ambientet ku ushtron veprimtari pala paditëse, janë pjesë përbërëse e një godine ku ushtron veprimtarinë e saj edhe shoqëria “IDA” sh.a, fakt i cili rezulton nga kontrata e qirasë me nr.1574 rep. dhe 318 kol. datë 07.07.2000, të lidhur midis shoqërisë “IDA” sh.a dhe Ministrisë së Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, për objektin “sallë kinemaje dhe koncertesh” ndodhur në Qendrën Kulturore të Fëmijëve me sipërfaqe 1550 m2 nën objekt dhe 925, 5 m2 sipërfaqe funksionale, për një afat 20 vjeçar. Kontrata është ndryshuar me aneksin nr.1 me nr.570/39, datë 18.02.2002, sipas të cilës, sipërfaqja e dhënë me qira rezulton 1070 m2 nën objekt dhe 480 m2 sipërfaqe funksionale.
5. Subjekti paditës “Gea-Valleverde” sh.p.k, në objektin ku ushtron aktivitetin e sipërcituar, ka kryer punime të konsideruara rikonstruksion në ambientet e lokalit “Valleverde”, me argumentin se: “objekti ekzistues mbështetej në muret e Kalasë së Tiranës zona e të cilës paraqet vlera kulturore, dhe me qëllim ruajtjen e ambienteve si edhe të vlerave kulturore, me sugjerimin e Këshillit Shkencor të Institutit të Monumenteve të Kulturës, i është paraqitur për miratim nga ky i fundit, rikonstruksioni i lokal Valleverde”.
6. Është pretenduar se, me vendim nr.10, datë 20.07.2009, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, në pikën 1/3 të tij ka vendosur të miratojë projektin “Lokal Valleverde”, - sipas përmbajtjes së këtij akti, - miratimi është kryer ndaj projektit të diskutuar nga Këshilli Shkencor Institutit të Monumenteve të Kulturës. Akti i mësipërm, i është komunikuar subjektit “IDA” me shkresën nr.129/4 prot., datë 05.08.2009.
7. Me shkresën nr.3260/1 prot., datë 05.10.2009 “Kthim përgjigje”, Njësia Bashkiake nr.2 Tiranë i ka komunikuar subjektit paditës se: “...lejohet rikonstruksioni i ambientit të lokal Valleverde pa ndryshuar kondicionet e lokalit, duke zëvendësuar muret me konstruksione metalike, dhe rigorozisht duke mos cënuar vlerat e trashëgimisë kulturore”.
8. Nga ana e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK), është bërë inspektim në ambientet ku ushtron aktivitetin shoqëria “Gea-Valleverde”, dhe me procesverbalin nr.16, datë 28.092009, është evidentuar nga inspektorët se: “.... po kryen punime rikonstruksion, pa leje ndërtimi në ambientin lokal Valleverde”. Ky punim sipas këtij proces-verbali i adresohet subjektit IDA sh.a.
9. Mbi bazën e konstatimeve të mësipërme, ana e paditur INUK, ka marrë vendimin nr.14, datë 29.09.2009, nëpërmjet të cilit ka vendosur: “Pezullimi i punimeve në ndërtim”. Ky vendim pezullimi sërish i adresohet subjektit IDA sh.a.
10. Nga ana e inspektorëve të anës së paditur, është kryer verifikimi i zbatimit të vendimit të pezullimit dhe nëpërmjet proces-verbalit nr.17, datë 01.10.2009 të Inspektorëve të INUK, është evidentuar se: “...është shkelur akti i pezullimit të punimeve në objekt, duke sqaruar se në fazën e pezullimit ishte shtruar platforma, ndërsa në kohën e verifikimit janë ngritur kolona me konstruksion metalik”. Edhe sipas këtij proces-verbali punimet rezultojnë ti adresohen subjektit juridik “IDA” sh.a.
11. Bazuar sa më sipër, me vendim nr.24, datë 02.10.2009 “Për prishjen e objektit” (me nr.serie 001149) të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, është vendosur: “Dënim për prishje të objektit platformë bla + kollona me konstruksion metalik ndaj kundërvajtësit “IDA” shpk”.
12. Me vendim nr.480 akti, datë 16.10.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, rezulton të jetë vendosur: “Pezullimi i zbatimit të vendimit nr.24, datë 02.10.2009 të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Kërkuesit i caktohet afati 15 ditor për paraqitjen e padisë në gjykatë.”
13. Bazuar sa më sipër, shoqëria paditëse “Gea – Valleverde” duke mos qenë dakort me vendimin e nxjerrë nga i padituri INUK, në datën 30.10.2009, i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me padinë më objekt të sipërcituar në pjesën hyrëse, duke pretenduar se ky vendim është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.
14. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.4664, datë 02.06.2011, ka vendosur:
-Pranimin e padisë.
-Shfuqizimin e aktit administrativ vendim nr.24, datë 02.10.2009 të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar “Për prishjen e objektit”.
-Shpenzimet gjyqësore të evidentuara nga gjykata në masën 3.000 lekë, janë në ngarkim të palës së paditur.
14/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “...Nga pikëpamja formale e vlerësimit të aktit: Identitetit i subjektit të cilit i drejtohet akti, është një ndër elementët e kërkuar në përmbajtjen e aktit administrativ, sipas nenit 107 të Kodit të Procedurave Administrative, referuar këtu identitetit të saktë të personit, interesat e të cilit preken nga pasojat e aktit. Në rastin konkret, rezulton se të gjitha aktet e hartuara nga INUK, si procesverbalet e konstatimit ashtu edhe vendimet për pezullim dhe prishje, kanë dalë në emër të “IDA” shpk, (kjo e fundit është shoqëri anonime). Nga pikëpamja procedurale: ligji specifik nr.9780/2007 “Për inspektimin e ndërtimit”, i ndryshuar, në nenet 12 dhe 13 të tij, ka përcaktuar procedurën e ushtrimit të kontrollit, nga i cili, në rastin konkret, janë konstatuar parregullsitë e pretenduara nga INUK, dhe kanë prodhuar vendimin për prishje të objektit nr.24, datë 02.10.2009. Sipas nenit 12 të këtij ligji, “Kur subjekti i kontrolluar nuk pranon të nënshkruajë procesverbalin ose nuk është i pranishëm, ky fakt pasqyrohet në procesverbal dhe i jepet një kopje e procesverbalit brenda 5 ditëve nga data e kontrollit”, ndërsa sipas nenit 13 të tij, vendimi për marrjen e dhënien e sanksionit administrativ, nxirret brenda 10 ditëve nga marrja e kopjes së procesverbalit ose e njoftimit për rezultatin e kontrollit. Nga sa më sipër, gjykata vlerëson se, përcaktimi në aktin administrativ objekt gjykimi të emrit të gabuar të subjektit, të cilit ky akt i drejtohet (shoqërisë “IDA”), është në kundërshtim me kërkesat e ligjit procedural administrativ, por se, në kushtet konkrete të kontestimit të këtij akti në rrugë gjyqësore nga vetë subjekti, i prekur nga pasojat e aktit (shoqëria Gea-Valleverde) ky gabim në elementin “identitet” nuk shkakton pavlefshmëri të aktit në formë. Qëllimi i ligjit në përcaktimin e këtij elementi në formën e aktit, lidhet me vënien në dijeni të palës mbi pasojat e tij, dhe në rastin konkret, pala ka reaguar, aq me tepër që qëllimi identifikues realizohet nga përshkrimi në akt i objektit të inspektuar, në të cilin edhe kryhet inspektimi në terren. Nga ana tjetër, gjykata konstaton se, në të gjitha aktet e nxjerrë nga INUK janë në emër të shoqërisë “IDA” dhe në asnjë nga këto akte, nuk rezulton të jetë marrë dijenia nëpërmjet një përfaqësuesi të subjektit “Gea –Valleverde”. (sipas përmbajtjes së procesverbaleve, është bërë shënimi “u la në objekt”). Pala e paditur, as nuk arriti të provojë në gjykim që procesverbalet konstatuese dhe vendimi i pezullimit i janë komunikuar rregullisht subjektit të duhur, i cili, as nuk rezulton në akt (për shkak të referimit tek shoqëria “IDA”) dhe as nuk ka marrë në dorëzim ndonjë prej tyre. Janë pikërisht këto arsye që pasjellin mosrespektimin e procedurës së nxjerrjes së aktit, sipas ligjit të posaçëm 9780/2007, “Për inspektimin e ndërtimit”, të ndryshuar, në nenet 12 dhe 13 të tij. Nga aktet provuese, gjykata arrin në përfundimin se Vendimi nr.24 datë 02.10.2009 i INUK për prishjen e objektit, nuk provohet të ketë dalë, pasi subjekti i duhur të vihej në dijeni të rregullt për kontrollin e kryer, sipas nenit 12 të ligjit 9780/2007. ...Në këtë gjykim, akti i kontestuar - vendimi nr.24, datë 02.10.2009 i INUK, i prodhuar nga procedura e kontrollit e kryer në shkelje të kërkesave të ligjit - është i pavlefshëm, për shkak se është nxjerrë në kundërshtim me procedurën e kërkuar nga ligji. Kjo situatë pavlefshmërie sipas nenit 116 të Kodit të Procedurave Administrative, gërma “c” është absolute, në pasojë të së cilës, akti nuk sjell pasoja ligjore. .... gjykata është e mendimit se, diskutimi mbi përmbajtjen e aktit dhe përputhjen e tij me ligjin i takon pavlefshmërisë relative, dhe në derivat të arsyetimit të mësipërm, kjo analizë gjendet irilevante. Sidoqoftë, në funksion të hetimit gjyqësor të kryer dhe analizës së provave, referuar këtu aktit të ekspertimit teknik dhe dokumenteve mbi kondicionet e objektit, rezultoi se: 1. nga dokumentet e paraqitura nuk provohet se është kryer shtesë në objekt, e cila do të kërkonte leje ndërtimi sipas nenit 45 të ligjit 8405/1998 “Për urbanistikën”; 2. termi “rikonstruksion” i përdorur në objektet kulturore të rëndësisë së veçantë, i përgjigjet termit “restaurim”, i cili në rastin konkret, ka konsistuar në rikonstruksionin e objektit sipas kushteve të përcaktuara nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, pasi ka prekur muret e objektit – të konstatuara nga ekspertimi. Për sa më sipër, gjykata çmon se, padia e palës paditëse “Gea – Valleverde” sh.p.k është e mbështetur në ligj dhe si e tillë, duhet të pranohet...”.
15. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1971, datë 19.07.2012, ka vendosur:
-Lënien në fuqi të vendimit nr.4664, datë 02.06.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
15/1. Kjo gjykatë arsyetuar se: “...Kolegji gjyqësor i Gjykatës së Apelit nisur nga sa rezulton e provuar, çmon të pabazuara pretendimet e ngritura në ankimin e palës së paditur se, vendimi nr.24, datë 02.10.2009 i INUK është i pavlefshëm për shkak se, është nxjerrë në kundërshtim me procedurën e kërkuar nga ligji. ....ndryshe nga sa pretendohet nga pala e paditur, se vendimi nr.24, datë 02.10.2009 i palës së paditur INUK për prishjen e objektit, nuk provohet të ketë dalë në zbatim të kërkesave proceduriale të ligjit, pasi subjekti duhej të vihej në dijeni të rregullt për kontrollin e kryer, kjo në konsideratë të nenit 12, 13 të Ligjit nr.9780/2007. Identiteti i subjektit të cilit i drejtohet akti, është një ndër elementët e kërkuar në përmbajtjen e aktit administrativ, në konsideratë dhe urdhërimeve të nenit 107 të K.Pr.Administrative, element i cili nuk rezulton të jetë respektuar nga pala e paditur. Veç pjesës së mosprespektimit të të procedurës për daljen e aktit administrativ objekt gjykimi nga pala e paditur INUK, akti administrativ dhe nga përmbajtja e tij vjen në kundërshtim me kërkesat e Ligjit nr.8405/1998 “Për urbanistikën” apo me restaurim sipas Ligjit nr.9048 dhe vlerësohet se i takon pavlefshmërisë relative dhe është derivat me arsyetimin e mësipërm dhe kjo për shkak se, nuk provohet se është kryer shtesë në objekt, e cila do të kërkonte leje ndërtimi sipas nenit 45 të Ligjit nr.8405/1998 “Për urbanistikën” dhe “rikonstruksion” i përdorur në objektet kulturore të rëndësisë së veçantë, i përgjigjet termit “restaurim”, i cili në rastin konkret ka konsistuar në rikonstruksionin e objektit sipas kushteve të përcaktuara nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve...”.
16. Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs Avokatura e Shtetit, e cila kërkon prishjen e vendimit nr.1971, datë 19.07.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe vendimit nr.4664, datë 02.06.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar ato shkaqe, që pasqyrohen në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
17. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se rekursi i paraqitur nga Avokatura e Shtetit, përmban shkaqe ligjore nga ato të parashikuara në nenin 58 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të cilat i bëjnë të cenueshme vendimet e dhëna nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykata e Apelit Tiranë. Ky Kolegj, çmon se, vendimet e dhëna nga gjykatat më të ulëta, janë marrë në zbatim të gabuar të ligjit procedural dhe atij material dhe për rrjedhojë, ato duhet të ndryshohen duke u rrëzuar padia e ngritur nga pala paditëse shoqëria “Gea – Valleverde”.
18. Në shqyrtim të akteve të ndodhura në dosjen gjyqësore, të cilat i janë nënshtruar hetimit dhe debatit gjyqësor në gjykatat më të ulëta, objektit dhe shkakut ligjor të padisë, si dhe në analizë të vendimeve të gjykatave, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se, të dy gjykatat më të ulëta kanë interpretuar dhe zbatuar gabim ligjin material që shërben për zgjidhjen e konfliktit mes palëve.
19. Rezulton se, kërkimi i palës paditëse në këtë gjykim, është: “Shfuqizimin e aktit administrativ, vendim nr.24, datë 02.10.2009 të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar “Për prishjen e objektit”. Këtë kërkim pala paditëse e ka mbështetur tek nenet 31,32/a, 324 e vijues të Kodit të Procedurës Civile; Ligji nr.9780, datë 16.07.2007 “Për inspektimin e ndërtimit”, VKM nr.862, datë 5.12.2007 “Për unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar e ai Vendor”, Ligji nr.9048 datë 07.04.2003 “Për trashëgiminë kulturore”, i ndryshuar, VKM nr.426, datë 13.07.2007 “Për miratimin e kartës shqiptare të restaurimit”.
20. Paditësi në këtë gjykim, ka kërkuar shfuqizimin e aktit administrativ, vendim nr.24, datë 02.10.2009 të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar “Për prishjen e objektit”, i cili rezulton të ketë dalë në emër të shoqërisë “IDA” sh.p.k, me arsyetimin se: së pari ambienti ku po kryheshin punimet i përket dhe është marrë me qera nga ana e palës paditëse, shoqëria “Gea-Valleverde”, por gabimisht ana e paditur në këtë gjykim ka referuar si subjekt kundravajtës shoqërinë “IDA” sh.p.k; dhe së dyti: Pala paditëse disponon leje ndërtimi për kryerjen e këtyre punimeve, pasi me vendimin nr.10, datë 20.07.2009, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, në pikën 1/3 të tij ka vendosur të miratojë projektin “Lokal Valleverde”. Sipas përmbajtjes së këtij akti, miratimi është kryer ndaj projektit të diskutuar nga Këshilli Shkencor Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe për këtë arsye, veprimet e kryera nga ana e paditur janë në kundërshtim me ligjin e si të tilla, ato duhen anulluar.
21. Pala e paditur në këtë gjykim dhe Avokatura e Shtetit kanë prapësuar se: Leja e dhënë nga këshilli Kombëtar i Restaurimeve nuk legjitimon paditësin në kryerjen e ndërtimit të paligjshëm në këtë zonë, i cili është objekt i vendimit nr.24, datë 02.10.2009 “Për prishjen e objektit” të INUK. Në asnjë moment Ligji nr.9048, datë 07.04.2003 “Për trashëgiminë kulturore”, i ndryshuar, nuk përmend termin “rikonstruksion”, por vetëm termin “restaurim”, terma të cilët nuk kanë të njëjtin kuptim. Në bazë të nenit 3, pika 23 të këtij ligji, me termin “restaurim” kuptohet vlerësimi i thelbit origjinal të monumenteve nëpërmjet ndërhyrjeve për ndalimin e degradimeve të mëtejshme dhe nxjerrjes në pah të vlerave të tyre, ndërsa termi “rikonstruksion” nënkupton ndryshimin rrënjësor që i bëhet diçkaje në mënyrën e ndërtimit, në organizimin dhe pajisjet për ta përmirësuar. Në bazë të legjislacionit të cituar më sipër, punimet që mund të kryheshin në këtë zonë mund të ishin të natyrës “restauruese” dhe jo “rikonstruksioni”. Akti i ekspertimit të kryer gjatë gjykimit është me të meta. Duke mos pasur një sqarim të saktë të këtyre dy termave, rrjedhimisht edhe konkluzionet e aktit të ekspertimit nuk janë të sakta. Në bazë të nenit 48 të Ligjit nr.8405, datë 17.09.1998 “Për urbanistikën”, i ndryshuar, kur bëhet fjalë për “rikonstruksion” është e nevojshme pajisja me leje ndërtimi, ndërsa kur bëhet fjalë për “restaurim’, siç u theksua edhe më sipër, ligji kërkon “autorizimin” e Këshillit Kombëtar të Restaurimit. Për sa më sipër, vendimi nr.24, datë 02.10.2009 i INUK për prishjen e objektit, është një akt i marrë në përputhje të plotë me ligjin dhe si i tillë duhet të lihet në fuqi, duke u vendosur rrëzimi i padisë.
22. Mbi bazën e këtyre pretendimeve të paditësit, të dyja gjykatat më të ulëta kanë pranuar kërkimet e paditësit me arsyetimin se: “...vendimi nr.24, datë 02.10.2009 i INUK është i pavlefshëm për shkak se, është nxjerrë në kundërshtim me procedurën e kërkuar nga ligji. ....ndryshe nga sa pretendohet nga pala e paditur, se vendimi nr.24, datë 02.10.2009 i palës së paditur INUK për prishjen e objektit, nuk provohet të ketë dalë në zbatim të kërkesave proceduriale të ligjit, pasi subjekti duhej të vihej në dijeni të rregullt për kontrollin e kryer, kjo në konsideratë të nenit 12, 13 të Ligjit nr.9780/2007. Identiteti i subjektit të cilit i drejtohet akti, është një ndër elementët e kërkuar në përmbajtjen e aktit administrativ, në konsideratë dhe urdhërimeve të nenit 107 të K.Pr.Administrative, element i cili nuk rezulton të jetë respektuar nga pala e paditur. Veç pjesës së mosprespektimit të të procedurës për daljen e aktit administrativ objekt gjykimi nga pala e paditur INUK, akti administrativ dhe nga përmbajtja e tij vjen në kundërshtim me kërkesat e Ligjit nr.8405/1998 “Për urbanistikën” apo me restaurim sipas Ligjit nr.9048 dhe vlerësohet se i takon pavlefshmërisë relative dhe është derivat me arsyetimin e mësipërm dhe kjo për shkak se, nuk provohet se është kryer shtesë në objekt, e cila do të kërkonte leje ndërtimi sipas nenit 45 të Ligjit nr.8405/1998 “Për urbanistikën”...”.
23. Këtë konkluzion të gjykatave më të ulëta, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, e gjen të pambështetur në ligj dhe në provat e administruara në dosjen gjyqësore. Referuar kërkimit të palës paditëse, ky Kolegj, vëren se konflikti mes palëve (paditësit dhe anës së paditur) ka lindur si pasojë e nxjerrjes së aktit administrativ, vendimit nr.24, datë 02.10.2009 të INUK “Për prishjen e objektit”, bazuar në Ligjin nr.9780, datë 16.7.2007 “Për inspektimin e ndërtimit”, i ndryshuar dhe Ligjin nr.8405, datë 17.09.1998 “Për urbanistikën”, i ndryshuar.
24. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë në gjykimin e kësaj çështje konstaton se po të analizojmë kërkimet e paditësit të shprehura në kërkesë padi, pretendimet e tij të shprehura gjatë gjykimit, si dhe arsyetimin e vendimeve të gjykatave më të ulëta na rezulton se paditësi nëpërmjet këtij gjykimi, kërkon edhe pavlefshmërinë absolute të aktit administrativ, vendimit nr.24, datë 02.10.2009 të INUK “Për prishjen e objektit” dhe pavlefshmërinë relative të tij. Sipas paditësit, organi administrativ: (i) nuk ka respektuar formën dhe procedurën në nxjerrjen e këtij akti, pasi ai nuk ka dalë në emër të paditësit dhe nuk i është komunikuar kurrë këtij të fundit; dhe (ii) akti është nxjerrë në kundërshtim me ligjin, pasi shoqëria paditëse “Gea-Valleverde” ishte pajisur me leje për kryerjen e këtij ndërtimi, i cili ishte miratuar me vendimin nr.10, datë 20.07.2009 të Këshilli Kombëtar të Restaurimeve, ku në pikën 1/3 të tij ka vendosur të miratojë projektin “Lokal Valleverde”.
25. Nisur nga sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, për një zgjidhje të drejtë dhe të përfundimtare të çështjes objekt shqyrtimi, vlerëson të analizojë në këtë vendim, problemet qe u shtruan për zgjidhje përpara tij të cilat janë: i) A legjitimohet paditësi në ngritjen e kësaj padie në kushtet kur akti administrativ nuk ka dalë në emër të tij; ii) A është akti, vendimi nr.24, datë 02.10.2009 të INUK për prishjen e objektit, një akt absolutisht i pavlefshëm apo relativisht i pavlefshëm?
26. Në lidhje me çështjen e parë të shtruar për zgjidhje para këtij Kolegji, ky i fundit vlereson se, referimi për zgjidhjen e këtij problemi duhet të bëhet si në ligjet specifike që rregullojnë këtë mosmarrëveshje, në K.Pr.Administrative dhe në parimet e përgjithshme të parashikuara në K.Pr.Civile.
27. Siç është thënë dhe më lartë në këtë vendim, rezulton se vendimi nr.14, datë 29.09.2009 i anës së paditur “Për pezullimin e punimeve në ndërtim”, proces-verbali i konstatimit të kundravajtjes administrativ nr.17, datë 01.10.2009 të Inspektorëve të INUK, vendimi nr.24, datë 02.10.2009 i INUK “Për prishjen e objektit”, si dhe të gjitha aktet e tjera mbi bazën e të cilave ana e paditur ka nxjerrë këtë vendim, nuk kanë dalë në emër të shoqërisë paditëse e cila aktualisht kryente punimet në objekt (gjë që vërtetohet dhe nga pohimet e paditësit në seancë gjyqësore si dhe nga aktet shkresore që janë depozituar në dosje padia, parashtrimet, pretendimet përfundimtare), por kanë dalë në emër të një subjekti tjetër shoqërisë “IDA” sh.a., e cila nuk ka asnjë lidhje me paditësin si dhe me rikonstruksionin që po realizohej në objektin e marrë me qira nga paditësi.
28. Ka rezultuar qartë nga gjithë hetimi gjyqësor i realizuar nga gjykatat më të ulëta se, e gjithë veprimtaria administrative e kryer nga ana e paditur rezulton ti jetë kundërdrejtuar subjektit IDA sh.a dhe në asnjë akt të vetëm, nuk rezulton të ketë dalë apo ti jetë komunikuar shoqërisë paditëse “GEA-Valleverde”. Ndërkohë edhe pse këto akte kanë dalë në emër të shoqërisë “IDA” sh.a (kur punimet siç thamë kryheshin nga shoqëria paditëse), në asnjë rast nuk rezulton që këto akte ti jenë njoftuar kësaj të fundit apo të jetë thirrur kjo shoqëri për tu pyetur në lidhje me shkeljen që përmbajnë këto akte.
29. Në nenin 105 të K.Pr.Administrative, jepet përkufizimi i qartë se çfarë është një akt administrativ, në të cilin pasqyrohet se: “akti administrativ nuk është gjë tjetër, veçse çdo vendim, urdhër apo veprim që merret nga autoritetet administrative për rregullimin e një marrëdhënieje konkrete të posaçme ose rasteve të përgjithshme në sferën e të drejtës publike”. Në referim të këtij përkufizimi, akti administrativ është akti që rregullon në mënyrë të hollësishme veprimtarinë e subjekteve të së drejtës administrative, në marrëdhëniet që ato krijojnë mes tyre. Akti administrativ flet me gjuhën e pasojave ligjore konkrete, duke përcaktuar qartë të drejta dhe detyrime për subjektet të cilëve ai u drejtohet. Ndërsa në nenin 106 të K.Pr.Administrative, është përcaktuar qartësisht se cila është forma e aktit administrativ, në të cilit thuhet shprehimisht se: “1.Aktet administrative kanë formë shkresore, me përjashtim të rasteve kur me ligj kërkohet një formë tjetër ose kur një gjë të tillë e imponojnë rrethanat. 2. Aktet e organeve kolegjiale bëhen detyrimisht në formë shkresore vetëm në rastet kur një gjë të tillë e kërkon shprehimisht ligji. Në rastet e tjera këto akte regjistrohen në një procesverbal, pa të cilin, ato nuk shkaktojnë asnjë pasojë juridike”.
30. Nga analiza e dispozitave të mësipërme, rezulton se, aktet administrative në kuptim të ligjit janë vetëm aktet të cilat krijojnë pasoja juridike në raste individuale. Akti administrativ individual, rregullon në veçanti një marrëdhënie konkrete të posaçme, për një çështje specifike dhe ndaj një subjekti apo grupi të caktuar subjektesh. Karakteri individual i aktit, dallohet nga specifika e problemit konkret që ai trajton dhe nga subjekti apo grupi i subjekteve, të cilit apo cilëve ky akt u drejtohet. Meqënëse akti administrativ synon një subjekt të caktuar apo një grup subjektesh të caktuar, ose lidhet me fakte të caktuara, atëhere ky akt është konkret, specifik dhe për rrjedhojë, akti administrativ është individual.
31. Referuar të drejtës materiale administrative, akti individual në vetvete përmban (i) urdhërime për kryerjen e një detyrimi të caktuar, ose (ii) mund të krijojë të drejta apo favore për subjekte të interesuara. Duke qenë se, nëpërmjet akteve me karakter individual shfaqet vullneti i organit shtetëror, këto akte jo vetëm që duhet të jenë në formë të shkruar, por ky vullnet, duhet të jetë konkret dhe duhet t’u drejtohet subjekteve konkrete, me qëllim që akti, të mos mbetet thjesht në letër i pazbatueshëm dhe pa asnjë pasojë juridike. Në nenin 107 dhe 108 të K.Pr.Administrative, parashikohen qartë të gjithë elementet që duhet të përmbajë akti administrativ, si dhe rëndësia e arsyetimit të aktit, të cilat përbëjnë dhe atë që quhet, qëllimi i nxjerrjes së aktit administrativ.
32. Në analizë të këtyre dispozitave arrihet në konkluzionin konkret që akti administrativ nxirret për një qëllim të caktuar, për të krijuar, ndryshuar ose shuar pasoja juridike konkrete ndaj një subjekti konkret dhe të përcaktuar qartë, i cili është i detyruar që t’i nënshtrohet urdhërimeve të këtij akti. Përveç elementeve të përmendur në këtë dispozitë, akti duhet të ketë të saktë identifikimin e palës që i kundrejtohet akti. Përmbajtja e aktit administrativ duhet të jetë shumë e qartë dhe e përcaktuar mirë. Nuk duhet të kihen dyshime rreth personit të cilit i adresohet akti, rëndësisë së subjektit të përfshirë në akt dhe pasojave ligjore që krijon akti. Pikërisht respektimi i këtyre elementeve formale të një akti administrativ, vlerësohen si shumë i rëndësishme, pasi sjellin si pasojë pavlefshmërinë e aktit administrativ.
33. Në analizë të sa më sipër, në kushtet që akti nuk i kundrejtohet paditësit, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në konkluzionin se, ky akt nuk sjellë pasoja për të dhe në këto kushte, paditësi nuk ka një interes të ligjshëm direkt për ta goditur atë. Subjekti i cili do të legjitimohej të godiste aktin e mësipërm, do të ishte shoqëria “IDA” sh.a, e cila me të drejtë do kërkonte shfuqizimin e këtyre akteve si absolutisht të pavlefshëm, pasi ato nuk kishin dalë në formën e duhur.
34. Po përse ky Kolegj arrin në konkluzionin që, paditësi nuk ka interes të ligjshëm në ngritjen e kësaj padie, e cila lidhet dhe me legjitimitetin aktiv të tij. Referuar të drejtës sonë proceduriale padia është mjeti procedural me të cilin paditësi vë në lëvizje gjykatën, kur pretendon se ka një të drejtë subjektive, për të njohur a mbrojtur, e cila gjen mbështetje në të drejtën materiale. Nëse e drejta që paditësi pretendon se i është cënuar apo që duhet t’i njihet, parashikohet nga e drejta materiale, paditësi ka të drejtë ti drejtohet gjykatës dhe kjo e fundit, ka detyrimin të vijojë me shqyrtimin dhe zgjidhjen e çështjes.
35. “Padia është e drejta e personit që bën pretendimin, për t’u dëgjuar, mbi themelin e këtij pretendimi, në mënyrë që gjykata ta shpallë atë të bazuar ose jo. Pala kundërshtare ka të drejtë të diskutojë dhe të ngrejë prapësime mbi themelin dhe bazueshmërinë në ligj të këtij pretendimi (neni 31 i K.Pr.Civile). Që padia të jetë e vlefshme, duhet të plotësojë dy kushte themelore: (a) interesi i ligjshëm për të ngritur padi; dhe (b) legjitimiteti për të vepruar. Në rast se ekzistojnë këto dy kushte, mund të konsiderohet që padia ekziston, në kuptimin që gjykata është e detyruar të marrë vendim mbi themelin e saj, pra për ta pranuar ose rrëzuar atë. Interesi për të ngritur padi, parashikohet qartë në nenin 32 të K.Pr.Civile, dhe është një element i së drejtës së padisë që, konsiston në interesin për të marrë nga gjykata vendimin e kërkuar.
36. Në analizë të sa më sipër, nëse gjatë gjykimit nuk vërtetohet interesi i ligjshëm i paditësit në ngritjen e një padie, do të ndodheshim përpara mungesës së legjitimimit real/aktiv, i cili, nuk do t’i humbiste palës të drejtën për të ngritur padi, por që do të çonte në rrëzimin e saj si të pabazuar. Legjitimimi real (legitimatio ad causam) nënkupton marrëdhënien subjektive mes paditësit dhe të paditurit ndaj së drejtës subjektive për mbrojtjen e së cilës, është vënë në lëvizje procesi gjyqësor. Pala ndërgjyqëse gëzon legjitimim real/aktiv, nëse gjatë gjykimit vërteton se e drejta subjektive që rrjedh nga marrëdhënia juridiko-civile me të cilën lidhet konflikti, i takon asaj kundrejt palës tjetër. Pra, është e drejta materiale ajo që përcakton legjitimimin real të palëve ndërgjyqëse në gjykim dhe në këtë kuptim, vetë thelbi i gjykimit është përcaktimi se cilës palë i takon realisht e drejta subjektive.
37. Interesi në gjykim, përcakton edhe pozitën procedurale të palëve në proces. Kështu, personi që pretendon se e drejta subjektive i takon atij, i drejtohet gjykatës për të kërkuar njohjen ose rivendosjen e kësaj të drejte të shkelur nga një person tjetër, quhet paditës (legjitimimi aktiv). Ndërsa, personi të cilit i drejtohet kërkimi, duke pretenduar se është ky person që ka shkelur, cënuar apo mohuar të drejtën e paditësit, quhet i paditur (legjitimimi pasiv). Legjitimimi aktiv konsiderohet ndryshe si legjitimimi për të kërkuar, ndërsa legjitimimi pasiv, si legjitimi për të kundërshtuar. Legjitimimi procedural është kusht për vazhdimin e gjykimit, ndërsa legjitimimi real i takon shqyrtimit gjyqësor të themelit të çështjes, për të cilin gjykata shprehet në vendimin përfundimtar..
38. Në rastin objekt gjykimi, evidentohet qartësisht se, akti objekt kundërshtimi nuk ka dalë ndaj shoqërisë “Gea-Valleverde”, por ndaj një shoqërie tjetër e cila nuk rezulton të ketë shfaqur asnjë interes për të mbrojtur të drejtat e saj nëpërmjet padisë. Përsa kohë akti i kundërdrejtohet një subjekti tjetër, ai nuk sjellë pasoja për paditësin. Është subjekti të cilit i kundërdrejtohet akti, ai që është cënuar padrejtësisht në të drejtat dhe interesat e tij dhe jo pala paditëse në këtë gjykim (sqarojmë se objekt i padisë janë aktet administrative dhe jo veprimet konkrete të anës së paditur).
39. Në nenin 90/2 të Kodit të Procedurës Civile, është parashikuar se: “askush nuk mund të përfaqësojë në një gjykim civil të drejtat e të tjerëve, përveç kur ligji parashikon ndryshe”. Për këtë arsye, ky Kolegj vlerëson se përsa kohë referuar akteve administrative objekt kundërshtimi, pala paditëse nuk është subjekt i kundërvajtjes administrative dhe si e tillë, ajo nuk mund të pretendojë se i janë cenuar të drejta të ligjshme si dhe të ketë interes të ligjshëm për të ngritur këtë padi.
40. Në lidhje me çështjen e dytë të shtruar për zgjidhje në këtë gjykim, pra nëse aktet objekt shqyrtimi janë akte absolutisht të pavlefshme apo relativisht të pavlefshme, ky Kolegj, referuar konkluzionit të mësipërm që, pala paditëse nuk legjitimohet në ngritjen e kësaj padie, e vlerëson të panevojshme që të marri në trajtim këtë çështje. Kjo pasi, ky vlerësim i përket një gjykimi tjetër, nëse subjekti të cilit i kundërdrejtoheshin aktet do ti kundërshtonte ato në gjykatë (vetëm ai legjitimohet ti kundërshtojë ato).
41. Në përfundim të gjithë analizës së kryer më sipër në këtë vendim, ky Kolegj, vlerëson se, si vendimi nr.4664, datë 02.06.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ashtu edhe vendimi nr.1971, datë 19.07.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë, i cili ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së faktit, janë marrë në interpretim të gabuar të ligjit procedurial dhe për këtë arsye, këto vendime duhet të ndryshohen, duke u rrëzuar kërkesë padia e ngritur nga pala paditëse, shoqëria “Gea-Valleverde”.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63/a, të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O S I
Ndryshimin e vendimit nr.1971, datë 19.07.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë vendimit nr.4664, datë 02.06.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe rrëzimin e kërkesë-padisë.
Tiranë më 01.03.2015
Nr. 31003-02095-00-2015 Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-540 Vendimi (122)
Do'stlaringiz bilan baham: |