VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i përbërë prej:
Edmond Islamaj Kryesues
Guxim Zenelaj Anëtar
Shkëlzen Selimi Anëtar
Artan Zeneli Anëtar
Tom Ndreca Anëtar
në seancën gjyqësore të datës 30.03.2016, mori në shqyrtim çështjen penale me palë:
KËRKUES: PROKURORIA E RRETHIT GJYQËSOR DURRËS
KUNDËR: EDMOND HYSKO
A K U Z A:
Shpërdorimi i detyrës,
parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
OBJEKTI:
Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit me iniciative
të bërë nga policia gjyqësore ndaj shtetasit Edmond Hyska.
Caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” ndaj të dyshuarit,
parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
Baza Ligjore: Nenet 228 e vijues, 251 e vijues, 238 të Kodit të Procedurës Penale.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me vendimin nr.820, akti datë 20.11.2015, ka vendosur:
1 .Të vlerësojë të paligjshëm ndalimin me iniciativë të shtetasit Hysko, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
2. Të caktojë si masë sigurimi personal ndaj të dyshuarit Edmond Hysko atë të “Arrestit në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
Gjykata e Apelit Durrës me vendimin nr.305, datë 09.12.2015, ka vendosur:
Miratimin e vendimit nr.820 (11-2015-5621), datë 20/11/2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Kundër vendimit më datë 30.12.2015, ka paraqitur rekurs mbrojtësi i personit nën hetim Edmond Hysko, me anën e të cilit ka kërkuar: Shfuqizimin e vendimit nr.821, dt. 20.11.2015, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, i lënë në fuqi me vendimin nr.305,datë 09.12.2015, të Gjykatës së Apelit Durrës dhe heqjen e masës shtrënguese "Arrest në burg" dhënë ndaj shtetasit Edmond HYSKO.
Duke pretenduar edhe shkaqet përkatëse:
Vendimi i gjykatës së apelit është në kundërshtim me ligjin sepse:
- Në vlerësim të qëndrimit gjyqësor mbi konsiderimin të paligjshëm të ndalimit me iniciativë nga Oficeri i Policisë Gjyqësore për shtetasin Edmond HYSKO, kontestojmë urdhërimin ekstrem në të njëjtin akt si kurrsesi të vetmen alternativë sigurie personale në këtë çështje.
- As rreziku i ikjes dhe as ai i dëmtimit të provave nuk mbetet potencial në këtë rast. Ikja e subjektit është tej çdo dyshimi e pabazë të, mendohet, në kushtet kur sjellja dhe veprimi i tij post ngjarje është tërësisht korrekte me ligjin dhe ekzekutuesin përkatës lokal.
- Kështu ai jo vetëm nuk i është shmangur autoriteteve policore, por ka kontribuuar me deklarim të plotë e të sinqertë mbi tërësinë e veprimeve të tij të datës 17.11.2015. Të gjitha këto veprime, veçanërisht ato që lidhen me detyrën e tij pranë Shoqërisë ku është punësuar, janë gjurmëlënëse, të mirë dokumentuara si dhe ruajtur elektronikisht, e në akte shkresore.
- Është tërësisht e provuar shkuara dhe e tashmja e shtetasit HYSKO, si absolutisht korrekte me ligjin dhe pa asnjë rrezikshmëri për individin apo prej tij për shoqërinë.
- Inekzistenca absolute e dyshimit të arsyeshëm, përbën element të dytë e shumë të rëndësishëm të mbrojtjes në këtë kazus. Vepra penale e parashikuar nga neni 248 i K.P, kryhet vetëm me dashje direkte dhe me qëllim përfitimi për vete apo persona të tretë. Kryerja e veprimeve të datës 17.11.2015, nga ana e HYSKOS me dashje, do të kishte kualifikim tërësisht të ndryshëm të faktit penal të atribuuar e për rrjedhojë edhe kompetencë lëndore të ndryshme nga ajo e Rrethit Gjyqësor Durrës.
- Dashja në lejim kalimi të lëndës narkotike, përbën formë bashkëpunimi në trafikimin e saj dhe jo shpërdorim detyre.
- Atribuimi i shpërdorimit të detyrës si ekskluzivitet, përbën provë të ngjizjes artificiale e pa shkak të kësaj çështjeje penale. Në çdo rast lajthitjeje tonën në këtë argument, qartësi të inekzistencës së dashjes dhe tërësisë së anës subjektive në figurën e atribuuar HYSKOS, përbën shënimi si e dyshimtë në pjesën e kabinës së kamionit prej tij. Mbi ç’logjikë, subjekti që me dashje lejon tranzitin e një ngarkese e dyshimtë do të krijonte probleme doganore apo policore të çdo natyre tjetër për transportuesin e saj bashkëpunëtor?!
- Element të tretë të ankimit përbën lajthitja në atribuimin e një vepre dhe marrjen e një mase sigurie përkatëse individit që nuk mund të jetë kurrsesi subjekt i saj!
- Statusi i nëpunësit publik si i domosdoshëm për ndërfutjen në kategorinë e subjekteve potenciale të një vepre shpërdor të detyrës nuk mundet të jetë i pajtueshëm e madje i përputhshëm me atë të të punësuarit të një shoqërie private, paçka kontratës dhe detyrimeve ligjore që vetë kjo shoqëri mund të ketë me shtetin.
- HYSKO është i punësuar privatisht dhe i paguar për punën e tij në të njëjtën mënyrë. Detyra e tij nuk është funksion publik, përsa kohë nuk përmbush asnjë element karakterizues.
- Pamundësia e atribuimit të veprës së "Shpërdorimit të detyrës", shtetasit Edmond HYSKO, e bën vetë veprën të mangët në elementin parësor të saj, siç është subjekti. Në kushtet kur qartësisht mohohet ky element thelbësor i veprës penale, vetë vepra e atribuuar shtetasit HYSKO është nul dhe e paqenë.
KOLEGJI PENAL I GJYKATЁS SЁ LARTЁ
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Artan Zeneli; dëgjoi prokurorin pranë Gjykatës së Lartë, A. Dollapaj, i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së apelit, pasi dëgjoi mbrojtësin e personit të hetuar av. A. Vishaj, i cili kërkoi ndryshimin e vendimeve dhe heqjen e masës shtrënguese arrest në burg për të gjykuarin Hysko, si dhe pasi shqyrtoi në tërësi çështjen;
V Ё R E N
Se vendimi i Gjykatës së Apelit me të cilin është miratuar vendimi i gjykatës së shkallës së parë, i cili ka caktuar masën e sigurimit personal të arrestit në burg, për të hetuarin Edmond Hysko është marrë në kundërshtim me ligjin procedural penal dhe atë penal, e si i tillë ai është i cenueshëm dhe duhet të ndryshohet për shkaqet dhe arsyet që vijojnë.
-
Rrethanat e faktit
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës më datë 19.11.2015 ka regjistruar procedimin penal nr.2140 për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal ndaj personave nën hetim Edmond Hysko dhe Fatjon Trezhnjeva, për faktin se:
Më datë 17.11.2015 në Portin e Barit, Itali, Guardia di Finanza në bashkëpunim më personelin e Agjencisë Doganore të Barit, në kamionin me kabinë të tipit FH 12 targë AA292IY dhe rimorkio ACR 715 që ka zbritur nga anija “RIGEL II” e ardhur nga Shqipëria, kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 1460 qese me drogë të llojit marihuanë në sasinë 1,650 kg dhe kamionin më sipër, në dyshemenë e të cilit ishte krijuar një dysheme e dyfishtë e krijuar me panele kompensate ku ishte futur lënda narkotike e mbështjellë me natërban, si dhe janë arrestuar dy shoferët Andrea Lleshi dhe Dorian Lleshi;
-Kamioni më sipër me ngarkesën e lëndës drusore dhe lëndën narkotike të sekuestruar nga autoritetet italiane, është lejuar të kalojë nëpërmjet Pikës së Kalimit të Kufirit të Portit Durrës, më datë 16.11.2015, pas kontrollit dhe mbikëqyrjes së kryer nga përfaqësuesit e Shoqërisë Koncensionare “Rapisca Security INC”, koncesionar që me ligjin nr.123/2013, i ndryshuar me ligjin nr.74/2015, ka marrë shërbim publik për operimin e shërbimit të skanimit të kontenjerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë, nga përfaqësuesit e Degës së Doganës dhe më pas të Policisë Kufitare Durrës;
-Në rastin objekt shqyrtimi, përfaqësuesit e Shoqërisë Koncesionare Rapisca Security INC”, personi nën hetim Edmond Hysko, supervizor i pikës dhe personi nën hetim Fatjon Trezhnjeva, operator i analizës kanë kryer analizimin e deklaratës doganore nr.l3042/R2545, datë 16.11.2015 me të cilin është deklaruar “Panele druri të zdrukthuara me përmasa 4m x 0,22m x 0,1 m = 26.136 m3 /3m e 0” të deklaruara nga përfaqësuesi i shoqërisë “Arkidi Mermer” sh.p.k. për llogari të cilit bëhet eksporti;
-Sipas fletës së skanerit, rezulton dukshëm se ka pasur dyshime për dy lloje mallrash, pasi në fotografimin e skanimit, vërehet me sy të lirë se në kontenjer kishte dy lloje lënde që përfaqësonin dendësi të ndryshme;
-Në këto rrethana të konstatimit, të dy personat nën hetim, në ushtrim të rregullt dhe në përputhje me ligjin të detyrës, duhej të rrethonin mallin e dyshuar me qëllim dhënien e sinjalit për dyshime lidhur me veprimtari të paligjshme dhe të bënin printimin e imazhit, të cilin duhej t’ia dorëzonin doganierit të skanerit;
Personat nën hetim Fatjon dhe Edmond, kanë vepruar në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tyre gjatë skanimit, në shkelje të ligjit dhe akteve nënligjore, me pasojë trafikimin e lëndës narkotike marihuanë në sasinë 1,650 kg të ambalazhuar në 1460 qese, të vendosura në brendësi ku ishte krijuar një fund i dyfishtë dyshemeje me paleta.
Më datë 19.11.2015 nga policia gjyqësore është bërë ndalimi me iniciativë i shtetasit Edmond Hysko, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal.
-
Procedurat gjyqësore
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me vendimin nr.820, akti datë 20.11.2015, ka vendosur:
- 1. Të vlerësojë të paligjshëm ndalimin me iniciativë të shtetasit Hysko, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
2. Të caktojë si masë sigurimi personal ndaj të dyshuarit Edmond Hysko atë të “Arrestit në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
Duke arsyetuar:
Përsa i përket kërkesës së akuzës për caktimin e masës së sigurimit, mbrojtja pretendoi se Vepra penale është e mangët nga ana subjektive, pasi nuk ka dashje, por dhe po të kishte dashje do të kishte bashkëpunim në trafikim të lëndës narkotike dhe do të kishte kualifikim tjetër.
Mungon dhe subjekti i veprës penale pasi, subjektet e shpërdorimit të detyrës janë subjekte të posaçme. Funksioni publik kërkon dy elemente emërim ose pagimin nga shtetit. Këta shtetas nuk janë me emërim dhe as nuk paguhen nga shteti. Në sektorin privat është noteri publik dhe nuk ka subjekt tjetër privat që të ketë shpërdorim detyre. Duke mos pasur një element të veprës mungon vepra penale.
Mbrojtja pretendoi se është e vërtetë që mjeti i sipërcituar i është nënshtruar procesit të skanimit, por i ndaluari ka marrë dy deklarata doganore për dy mallra të ndryshme dru dhe tallash dhe mjeti kishte ngarkuar dy lloj mallrash të ndryshme, dhe për këtë arsye, nuk është dhënë sinjal për dyshime.
Sipas mbrojtjes, subjekti ka paraqitur dy deklarata doganore në të cilat pasqyroheshin panele druri dhe tallash druri. Tallashi i drurit në imazhet e skanerit jep të njëjtat të dhëna si lënda narkotike. I ndaluari ka bërë shënimin në kamion në një kuadrat në kabinën e kamionit, ku i kanë rezultuar sende të pashënuara në aktet dhe dokumentacionin e mjetit dhe për këtë i është sinjalizuar dhe doganës për të bërë verifikimet e duhura dhe më tej nuk e di së çfarë është bërë. Në kabinë nga pamjet skanerike kishte sende të paidentifikuara.
Në vlerësim të fakteve të mësipërme, veprimeve procedurale të policisë gjyqësore dhe kërkesave të ligjit procedural penal, në lidhje me kërkesat e akuzës,Gjykata çmon se ndalimi i shtetasit Edmond Hysko është i paligjshëm, mbasi është kryer në kundërshtim me kriteret e neneve 244, 253 pika 1) e 255 të Kodit të Procedurës Penale.
Në rastin konkret, policia gjyqësore nuk ka vepruar mbi bazën e një urdhri për ndalim të prokurorit, siç përcakton dispozita me lart, por ka vepruar me iniciativë, duke përdorur hapësirën e parashikuar nga neni 253, pika 2) të K.Pr.Penale.
Mjeti i mësipërm procedural si një mundësi e veprimit me iniciative e policisë gjyqësore, është një përjashtim i jashtëzakonshëm, i cili gjen vend për t’u aplikuar vetëm në kushtet e një situate vërtetë të ngutshme, e cila nuk lejon pritjen e urdhrit të prokurorit, me pasojë dëmtimin e rëndë të hetimit apo marrjen e masave në ndalimin e autorëve të mundshëm.
Në vlerësim të rrethanave të rastit konkret, Gjykata çmon se veprimi me iniciativë i policisë gjyqësore në ndalimin e shtetasit Edmond Hysko, vjen në kundërshtim flagrant me kërkesat e ligjit procedural.
Nuk ka ekzistuar asnjë lloj situate e ngutshme me pasoja të rënda, që të legjitimonte një veprim të tillë të policisë, në anashkalim të hapur të rolit të prokurorit në një procedim penal, i cili është ai që ushtron ndjekjen penale në të gjithë komponentët e saj, duke filluar që më vlerësimin e nevojave të sigurimit.
Në lidhje me kërkesën për caktim sigurimit personal, Gjykata çmon se ekziston prova se i arrestuari Edmond Hysko ka kryer veprën penale për të cilën kërkohet masa e sigurimit, dyshim ky i bazuar në provat e mësipërme të paraqitura nga organi i akuzës dhe të marra në shqyrtim nga Gjykata në tërësinë e tyre.
Deri në sqarimin përfundimtar të rrethanave të ngjarjes dhe qëndrimit të akuzës në lidhje me faktin penal, është e nevojshme caktimi i një mase sigurimi personal.
Në caktimin e masës së sigurimit personal ndaj të dyshuarit Gjykata ka parasysh: kërkesat e palëve, rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale, e cila sipas vlerësimit të Gjykatës në këtë rast është e theksuar, duke patur parasysh këtu jo vetëm sanksionin që ligji parashikon, por më tepër pasojën e ardhur në drejtim të mirëfunksionimit të shtetit, imazhit të autoriteteve përgjegjëse shqiptare dhe luftës kundër trafikut të lëndëve narkotike e krimit të organizuar.
Në caktimin e kësaj mase sigurimi personal ndaj të dyshuarit Gjykata, mban parasysh gjithashtu, ekzistencën e kushteve të parashikuara nga neni 228 i Kodit të Procedurës Penale dhe kritereve te parashikuara nga neni 229 i Kodit të Procedurës Penale për caktimin e masave.
Në referim të dispozitave ligjore të mësipërme Gjykata çmon se në rastin konkret masa e sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 të Kodit të Procedurës Penale, është e përshtatshme.
Në vlerësim të kritereve të përcaktuara në nenin 229 të Kodit të Procedurës Penale në raport me rrethanat e faktit në rastin konkret, Gjykata çmon se masa e sigurimit e parashikuar nga neni 238 të Kodit të Procedurës Penale “arrest në burg”, është në përshtatshmëri të plotë me shkallën dhe nevojat e sigurimit të rastit konkret, nëpërmjet të cilës realizohet qëllimi i masës.
Sa sipër Gjykata e gjen të bazuar kërkesën e organit të akuzës për të caktuar ndaj të dyshuarit masën e sigurimit ekstreme arrest në burg, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, e cila në kuptim të nenit 230 të Kodit të Procedurës Penale caktohet vetëm atëherë kur për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të autorit dhe rrezikshmërisë së theksuar të veprës penale, çdo masë tjetër është e papërshtatshme. Personi i ndaluar plotëson kriteret e një subjekti të posaçëm siç detyrimisht kërkon neni 248 i Kodit Penal, edhe pse gjatë kryerjes së detyrës ka qenë punonjës i një kompanie private.
Në këtë rast, kompania private e për rrjedhojë dhe punonjësit e përzgjedhur të saj, veprojnë në bazë të një kontrate koncensioni të përcaktuar me ligj të veçantë, nëpërmjet të cilës shteti i ka deleguar posaçërisht kësaj kompanie dhe për rrjedhojë këtyre punonjësve të përzgjedhur, pushtetin për të ushtruar kontroll mbi çdo mjet dhe mall që destinohet të kalojë kufirin shqiptar. Ky pushtet i deleguar në këtë mënyrë, mbart dhe të gjitha detyrimet dhe përgjegjësitë për kryerjen e detyrës në përputhje me ligjin, çdo veprim i kundërt i bën ata subjekt të nenit 248 të KP.
Pretendimi i mbrojtjes se mungon subjekti i posaçëm në këta punonjës, siç kanë patur të drejtën ekskluzive të ushtrojnë kontroll është besuar në formën e një funksioni publik, ashtu kanë në çdo kohë të gjitha detyrimet e më tej përgjegjësitë në lidhje me përmbushjen e funksionit të tyre, me pasoja të rënda e direkte mbi shtetin dhe ai shtetëror.
Në lidhje me pretendimin e ekzistencës së dy deklaratave të doganore, në të cilat përcaktohen dy lloj mallrash për eksport, rezulton është tërësisht i pabazuar, pasi provohet se në dalje në Portin e subjekti ka bërë një deklarate doganore vetëm me një lloj malli lëndë drusor.
Në lidhje me pretendimet e mbrojtjes në drejtim të mungesës së kushteve për caktimin e masës së sigurimit, Gjykata i gjen të pabazuara.
Gjykata e Apelit Durrës me vendimin nr.305, datë 09.12.2015, ka vendosur:
- Miratimin e vendimit nr.820 (11-2015-5621), date 20/11/2015 të Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Durrës.
Kundër vendimit më datë 30.12.2015, ka paraqitur rekurs mbrojtësi i personit nën hetim Edmond Hysko, me anën e të cilit ka kërkuar: Shfuqizimin e vendimit nr.821, dt. 20.11.2015, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, i lënë në fuqi me vendimin nr.305,datë 09.12.2015, të Gjykatës së Apelit Durrës dhe heqjen e masës shtrënguese "Arrest në burg" dhënë ndaj shtetasit Edmond HYSKO, me shkaqet e parashtruara si më lart.
-
Arsyetimi ligjor i vendimit të ankimuar
Vendimi i gjykatës çmohet i bazuar në rrethanat e faktit që përbëjnë dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova e ligj nenet 228, 229, 230 e vijues të K.Pr.Penale e për rrjedhojë ai duhet të miratohet.
Ndryshe nga sa pretendohet në ankim se masa e sigurimit personal “arrest në burg” për shtetasin Edmond Hysko nuk është e bazuar, çmohet se gjykata e rrethit pasi ka analizuar dhe vlerësuar ekzistencën e kushteve të përgjithshme e të veçanta, me të drejtë ka caktuar masë sigurimi personal atë të “arrestit në burg”.
Rezulton se ajo ka vlerësuar drejt përshtatshmërinë e llojit dhe masës së sigurimit personal e cila sipas vlerësimit të gjykatës është e theksuar për shkak të pasojës së ardhur në dëm të interesave të shtetit.
Po kështu, konstatohet se gjykata në caktimin e masës së sigurimit ka vlerësuar drejt rrethanat e kryerjes të veprës të dyshuar ndaj tij, si dhe sanksionin që parashikon ligji për këtë vepër, vetëm burgim gjer në 7 vjet.
Në të kundërt me pretendimin e përsëritur në ankim se mungon subjekti i veprës penale të parashikuar nga neni 248 i K.Penal, pasi personi nën hetim nuk është punonjës publik, por i një kompanie private Koncensionare, çmohet se në rastin për shqyrtim kjo kompani dhe punonjësit e zgjedhur prej saj, veprojnë në bazë të një komisioni të miratuar me ligj të veçantë, nëpërmjet të cilës shteti i ka deleguar kompanisë, si dhe punonjësve të saj funksionin për të ushtruar kontroll mbi çdo mjet dhe mall që ka destinacion për të kaluar kufirin e Republikës së Shqipërisë.
Pra, ky funksion i deleguar me ligj në këtë sektor mbart të drejtat ligjore për të ushtruar kontroll që iu është besuar në formën e një funksioni publik, ashtu dhe të gjitha detyrimet e përgjegjësitë ligjore për mospërmbushjen e rregullt të detyrës.
Për sa u analizua me sipër, në mbështetje të nenit 249/6 të K.Pr.Penale vendimi i gjykatës duhet të miratohet.
-
Në lidhje me rekursin
Shkaqet e parashtruara në rekursin e personit nën hetim janë të mbështetura në ligj, prandaj ato gjenden të bazuara dhe vendimi i gjykatës së apelit, me të cilin është miratuar vendimi i gjykatës së shkallës së parë, që ka caktuar masën e sigurimit personal të arrestit në burg, për të hetuarin Edmond Hysko, është i cenueshëm, sepse është marrë në shkelje të ligjit, konkretisht dispozitave lidhur me kushtet dhe kriteret për caktimin e masës së sigurimit personal, standardit mbi arsyetimin e vendimit, dhe së drejtës penale materiale, në mënyrën dhe në masën që vijon.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson se faza e procedimit penal lidhur me caktimin masave të sigurimit, konsiderohet si “proces në procesin penal”, dhe ka funksion aksesor e incidental, në raport me procedimin kryesor mbi ushtrimin e ndjekjes penale për vërtetimin e themelit të akuzës që do të paraqitet për gjykim para gjykatës së themelit.
Masat e sigurimit mund të caktohen vetëm kur ekzistojnë dhe provohen kushtet dhe kriteret e përcaktuara me ligj. Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në Kodin e Procedurës Penale janë parashikuar dhe detajuar kushtet dhe kriteret për vendosjen e masave të sigurimit. Në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, në kreun lidhur mbi masa personale, parashikohet një listë taksative dhe shteruese të masave të sigurimit, si dhe të nevojave të sigurimit që përligjin aplikimin e një masë siguruese, në rastin konkret, asaj personale.
Në kuptim të nenit 228/1 të Kodit të Procedurës Penale, për aplikimin e një mase sigurimi kërkohet kushti i vërtetimit të një dyshimi të arsyeshëm për kryerjen e një vepre penale; por, nga ana tjetër, ky dyshim i arsyeshëm duhet të mbështetet në prova dhe nuk duhet të jetë i supozuar. Kësisoj, në procedimin penal, aplikimi i masave të sigurimit personal kërkon vërtetimin e pranisë së elementit të “dyshimeve të arsyeshme” (neni 228 i K.Pr.Penale), të bazuar në prova. Bëhet fjalë për ato “të dhëna provuese” që prokurori duhet të grumbullojë gjatë zhvillimit të hetimeve paraprake, por të cilat formohen në gjendjen që janë aktet; pra, që bazohen në materialin provues të grumbulluar deri në atë çast të caktuar, e që mund të ndryshojë, duke evoluar apo involuar në bazë të pretendimeve dhe të dhënave të sjella nga prokuroria dhe nga mbrojtja.
Kusht tjetër i përgjithshëm, për caktimin e masave të sigurimit personal, është ekzistenca e veprës penale, ku sipas secilës kërkohet që fakti i dhënë të jetë parashikuar nga Kodi Penal dhe që vepra penale të mos jetë shuar për efekt të parashkrimit ose të shfuqizimit të dispozitës përkatëse të Kodit Penal.
Kushti i tretë i përgjithshëm, për caktimin e masës së sigurimit, është mundësia për të ndëshkuar të atij që u nënshtrohet masave të sigurimit. Në këtë kuptim, në bazë të nenit 228/2, asnjë masë sigurimi nuk mund të zbatohet kur ka shkaqe padënueshmërie, siç janë mosha për përgjegjësi penale, gjendja mendore ose çdo arsye tjetër ligjore që përjashton nga përgjegjësia penale (mbrojtja e nevojshme, nevoja ekstreme etj.).
Të tre kushtet e karakterit të përgjithshëm duhet të ekzistojnë dhe të vërtetohen njëkohësisht dhe bashkërisht në çdo rast konkret. Sepse nuk mjafton vetëm ekzistenca e dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova, por duhet të vërtetohet që fakti përbën vepër penale dhe se ai që dyshohet për kryerjen e saj të jetë i përgjegjshëm, të ketë moshën e përgjegjësisë penale, të mos jetë i sëmurë psikik, të mos ketë vepruar në kushtet e mbrojtjes së nevojshme apo të nevojës ekstreme.
Dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, si kusht i përgjithshëm përbën një element shumë të rëndësishëm, është i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm. Së bashku me të kërkohet të plotësimi edhe i një prej kushteve të veçanta, të parashikuara nga neni 27, germa “c’ i Kushtetutës dhe neni 228, pika 3, i Kodit të Procedurës Penale, që janë:
- ekzistenca e shkaqeve të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës;
- largimi i të pandehurit ose rreziku që ai të largohet;
- rreziku që i pandehuri, për shkak të rrethanave të faktit dhe të personalitetit të tij, mund të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet.
Nuk kërkohet të ekzistojnë të gjitha kushtet e veçanta, mjafton plotësimi qoftë edhe njërit prej tyre. E rëndësishme është që shkaku të jetë real dhe të provohet rregullisht në gjykim.
Sipas nenit 244 të Kodit të Procedurës Penale, masat e sigurimit vendosen me kërkesën e prokurorit, i cili i paraqet gjykatës kompetente arsyet ku bazohet kërkesa. Pra në thelb, sipas këtij neni përveç paraqitjes së kërkesës është prokurori ai që duhet të paraqesë së bashku me të edhe ‘arsyet’ në të cilat mbështet kërkesa, duke bashkëlidhur të dhënat e nevojshme që sipas nenit 245/1/c, të K.Pr.Penale ‘përligjin masën e sigurimit’.
Ky Kolegj vlerëson se me konceptin ‘dyshim i arsyeshëm’, duhet të kuptohen të dhëna të tilla provuese, të cilat duhet të jenë në raport me rëndësinë e faktit, që do të thotë se ky element i referohet shkallës së konfirmimit të fakteve të veprës penale objekt të akuzës që supozohet se është kryer të cilat, kur nuk janë shpjeguar apo arsyetuar nga gjykata e themelit nuk mund të konsiderohen në mbështetje të një gjykimi rreth probabilitetit të kryerjes së veprës penale të supozuar.
Në rastin objekt shqyrtimi, gjykata e apelit, sa i përket arsyetimit rreth përshtatshmërisë së masës së sigurimit, është mjaftuar vetëm në citimin e dispozitave procedurale penale. Gjykata e apelit ka marrë të mirëqenë, duke mos verifikuar në rastin konkret përshtatshmërinë e masës së caktuar nga gjykata e shkallës së parë, në raport me rrethanat e çështjet konkrete dhe nevojat e procedimit penal. Gjykatat e themelit nuk kanë bërë një analizë rreth arsyetimit të rrezikshmërisë së veçantë të autorit me rëndësinë e veprës penale të supozuar se është kryer nga ana e autorit në raport dhe me nevojat e procedimit penal.
Kolegji Penal vëren se nga shqyrtimi i vendimit të gjykatës së apelit, dhe akteve të paraqitura gjatë shqyrtimit të kërkesës së prokurorit për caktimin e masës së sigurimit, personi nën hetim procedohet lidhur me veprën penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Elemente të anës objektive të veprës penale të shpërdorimit të detyrës janë veprimet ose mosveprimet e kryera nga personi i ngarkuar me një funksion publik, të cilat duhet domosdoshmërisht të jenë kryer:
1. Në kundërshtim me ligjin ose aktet nënligjore që normojnë veprimtarinë përkatëse të personit që ushtron funksion publik konkret;
2. t’i kenë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta
3. të kenë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale.
Në verifikimin e fakteve nga ana e gjykatës së apelit dhe në arsyetimin e vendimeve të themelit nuk është marrë në shqyrtim përcaktimi dhe individualizimi i veprës penale sa i takon formës së supozuar të kryerjes së veprës penale të dyshuar, duke konfirmuar dyshimin e arsyeshëm se pikërisht ka arsye të mendohet se ekziston një shkelje e detyrës në formën e veprimit dhe mos veprimit, që parashikohet në përshkrimin e punës së personit të interesuar, se kjo shkelje është e parashikuar nga një normë ligjore, si dhe ka ardhur një pasojë e caktuar nga kjo sjelljeje e personit në formën e veprimit apo të mosveprimit si përfitim material apo jomaterial i padrejtë, apo të një dëmtimi i interesave të ligjshme të shtetit . Nga analiza e akteve të dosjes ka rezultuar se personit nën hetim i atribuohet fakti se ai “nuk ka dhënë sinjalin për dyshime për praninë e veprimtarive të paligjshme dhe nuk ka bërë printimin e skanimit” për rastin konkret. Ndonëse gjykatat e themelit janë bazuar në praninë e një dyshimi të arsyeshëm, Kolegji Penal vlerëson se, nevojat e procedimit penal nuk janë të asaj shkalle sa të përligjin caktimin e një mase sigurimi ekstreme për lirinë personale të personit nën hetime, për sa kohë që arsyetimi i gjykatave të themelit sipas të cilit: në referim të dispozitave ligjore të mësipërme, Gjykata çmon se në rastin konkret masa e sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 të Kodit të Procedurës Penale, është e përshtatshme” dhe “se masa e sigurimit e parashikuar nga neni 238 të Kodit të Procedurës Penale “arrest në burg”, është në përshtatshmëri të plotë me shkallën dhe nevojat e sigurimit të rastit konkret, nëpërmjet të cilës realizohet qëllimi i masës”, nuk janë të mjaftueshme, për sa i përket ekzistencës së një rrezikshmërie të madhe në rastin konkret dhe përputhshmërisë së kësaj mase, me rastin konkret dhe nevojat konkrete të këtij procedimi që në fakt nuk përmenden të konkretizuara nga gjykata dhe dëmtimin e interesit të ligjshëm të shtetit.
Për interpretimin e “rrezikshmërisë” së personit nën hetim, është e nevojshme të përmendim disa elementë orientues për t’u mbajtur parasysh, si: a) Gjendja sociale; b) Profesioni; c) Arsimimi; d) Gjendja familjare; e) Gjendja gjyqësore, etj.
Në këto kushte, dyshimet për ekzistencën e kryerjes së veprave penale nuk janë të konkretizuara dhe të pranishme në atë nivel sa të përligjin caktimin e masës më ekstreme për lirinë personale.
Kolegji Penal vlerëson se niveli i dyshimeve dhe gjendja e rrezikut nuk është e pranishme në atë shkallë e rëndësi që të bëjë të zbatueshme masën e sigurimit “arrest në burg”, pasi në rastin në gjykim, nuk rezulton një shkallë rrezikshmërie e theksuar shoqërore e personit nën hetim: Edmon Hysko, në ngarkim të të cilit, nuk rezultojnë të dhëna të rënda që do të cenonin nevojat për sigurimin e procedimit penal. Interpretuar kjo edhe në harmoni të të gjithë atyre treguesve objektivë që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me personalitetin dhe individualitetin që paraqet personi në fjalë. Kësisoj, arrihet në konkluzionin se personi në hetim Edmond Hysko, nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore të theksuar - çka përligj përsëri marrjen e një mase sigurimi personal më të butë se ajo e “arrestit me burg”, dhe se masa e sigurimit personal detyrim paraqitjeje në policinë gjyqësore, është më se e përshtatshme me nivelin e të dhënave në ngarkim dhe nuk do të pengonte hetimin e plotë, objektiv e të shpejtë të çështjes.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në jurisprudencën e saj ka theksuar në mënyrë të vazhdueshme mjaftueshmërinë e një justifikimi dhe arsyetimi të përshtatshëm për masën e arrestit në burg. GjEDNj-ja në praktikën e saj ka deklaruar se arsyetimi i gjykatave vendëse do të konsiderohet gjithmonë i papërshtatshëm nëse është “abstrakt” ose “i bazuar në stereotipe” (çështja “Clooth kundër Belgjikës”, GJEDNJ 12.12.1991; çështja Yagci dhe Sargin kundër Turqisë; GJEDNJ 23.05.1995).
Sa më sipër, ky Kolegj arrin në konkluzionin se caktimi i masës së sigurimit “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore”, një herë në javë është në përputhje me ligjin, sepse i përgjigjet rëndësisë së faktit dhe rrezikshmërisë shoqërore të personit të dyshuar dhe nuk vërehet ndonjë arsye ligjore që do të pengonte plotësimin e nevojave të sigurimit.
-
Në lidhje me zgjidhjen e çështjes
Në përfundim, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi shqyrtoi rrethanat dhe faktet sikundër janë pranuar dhe nga vetë gjykata e apelit, në vështrim të parimeve kushtetuese dhe atyre të procedurës penale, vlerëson se vendimi i gjykatës së apelit dhe ai gjykatës së shkallë së parë, janë marrë në kundërshtim me ligjin, sa i takon përshtatshmërisë së llojit të masës së sigurimit, pasi në gjendjen që janë aktet, edhe caktimi i një mase tjetër sigurimi do të ishte në raport të drejtë me shkallën e nevojave të sigurimit për rastin konkret, rrjedhimisht vendimet e gjykatave të themelit nuk janë në përputhje me ligjin procedural dhe atë material.
Meqenëse nuk është e nevojshme shqyrtimi i provave të tjera, çmohet se ka vend për ndryshimin e vendimit të gjykatës së apelit, lidhur me llojin e masës së sigurimit personal, dhe zbatimin e nenit 234 të Kodit të Procedurës Penale, duke u vendosur caktimi i masës së detyrimit për paraqitje në policinë gjyqësore për personin nën hetim Edmon Hysko.
PЁR KЁTO ARSYE
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, bazuar në përcaktimet e nenit 441 të Kodit të Procedurës Penale,
V E N D O S I
- Ndryshimin e vendimit nr.2665, datë 09.12.2015, të Gjykatës së Apelit Durrës, dhe vendimit nr.820 datë 20.11.2015 të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për sa i përket masës sigurimit.
-Caktimin si masë sigurimi ndaj personit nën hetim Edmond Bari Hysko atë të “Detyrimit për paraqitje në policinë gjyqësore, në baze të nenit 234 të K.Pr.Penale dy herë në muaj çdo ditë të hënë ora 10.00.
-Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim Edmond Hysko, nëse nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër ligjor.
-Urdhërohet Prokurori pranë Gjykatës së Lartë, për ekzekutimin e këtij vendimi.
Tiranë, më 30.03.2016
Nr. 52105-00666-00-2014 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-473 i Vendimit (58)
Do'stlaringiz bilan baham: |