VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina QIrjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
Mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 24.03.2016, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: BELISA DOMI
TË PADITUR : ZYRA QENDRORE E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME TIRANË.
ZYRA VENDORE E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME TIRANË.
OBJEKTI:
Pavlefshmërinë e zgjidhjes së kontratës së punës
me palën e paditur ZQRPP Tiranë.
Detyrimin e palëve të paditura të më kthejnë në vendin e mëparshëm të punës.
Detyrimin e palëve të paditura të më dëmshpërblejnë me pagën e një viti
si rezultat i zgjidhjes së menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës;
pagën bruto të dy muajve si rezultat i mosrespektimit të procedurës;
pagën e një muaji për mosrespektimin e afatit të njoftimit.
Dhënien e vendimit me ekzekutim të përkohshëm.
Detyrimin e palëve të paditura me shpenzimet gjyqësore.
Baza Ligjore: Nenet 32/a, 47, 106, 153, 317/b të K.Pr.Civile,
Neni 140, 141, 143, 144/5, 151, 155/3 të K.Punës,
Ligji 49/2012, neni 419, 420 i K.Civil,
Ligji 33/2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” .
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin nr.373 datë 03.02.2014 ka vendosur:
Pranimin e pjesshëm të padisë.
Detyrimin e të paditurve t’i paguajnë paditëses një muaj pagë për mosrespektimin e afatit të njoftimit.
Detyrimin e të paditurve t’i paguajnë paditëses dy muaj pagë për mosrespektimin e procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës.
Detyrimin e të paditurve t’i paguajnë paditëses dy muaj pagë si dëmshpërblim për zgjidhjen e kontratës së punës në mënyrë të menjëhershme pa shkaqe të justifikuara.
Rrëzimin e kërkimit për pjesën tjetër të kërkimeve.
Gjykata Administrative e Apelit me vendimin nr.2701 datë 02.07.2014 ka vendosur:
Ndryshimin e vendimit nr.373 datë 03.02. 2014 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë në këtë mënyrë:
Pranimin e pjesshëm të padisë.
Detyrimin e të paditurve t’i paguajnë paditëses një muaj pagë për mosrespektim të afatit të njoftimit për zgjidhjen e kontratës së punës.
Detyrimin e të paditurve t’i paguajnë paditëses dy muaj pagë për mosrespektim të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës.
Detyrimin e të paditurve t’i paguajnë paditëses 10 muaj pagë si dëmshpërblim për zgjidhjen e kontratës së punës në mënyrë të menjëhershme të pajustifikuar.
Rrëzimin për pjesën tjetër të kërkimeve.
Kundër vendimit nr.2701 datë 02.07.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs pala e paditur Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, e cila ka kërkuar prishjen e vendimeve të gjykatave dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar këto shkaqe:
-
Zgjidhja marrëdhënies së punës është kryer për shkaqe të justifikuara pasi paditësja ka përfunduar arsimin për gjuhë gjermane dhe angleze, ndërkohë që regjistrimi i pasurive të paluajtshme kërkonte njohuri juridike dhe hartografike.
-
Respektimi i procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës nuk gjen vend të kontratat me afat të caktuar, por vetëm në ato pa afat të caktuar. Si rrjedhojë paditësja nuk duhet të përfitonte dëmshpërblim për mosrespektimin e procedurës.
-
Nisur nga fakti që zgjidhja e kontratës së punës është kryer për shkaqe të justifikuara, paditësja nuk duhej të përfitonte dëmshpërblimin prej 10 pagash.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e Gjyqtarit Xhezair Zaganjori, dhe si bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
Rrethanat e çështjes
-
Paditësja ka filluar punë pranë palës së paditur Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë me detyrën e specialistes me datë 01.06.2011. Me Urdhrin nr.439 datë 07.05.2013 të Kryeregjistruesit, paditësja është emëruar specialiste me kontratë të përkohshme, tek ZVRPP Tiranë dhe për këtë qëllim mes palëve është lidhur kontrata e punës me afat nga data 07.05.2013 – 31.12.2013.
Me urdhrin nr.873 datë 12.11.2013, Kryeregjsitruesi ka kryer zgjidhjen e kontratës së përkohshme të punës me paditësen, argumentin se arsimi i saj nuk përkonte me funksionin që ajo kryente.
-
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin nr.373 datë 03.02.2014 ka vendosur pranimin e pjesshëm të padisë. Detyrimin e të paditurve t’i paguajnë paditëses një muaj pagë për mosrespektimin e afatit të njoftimit. Detyrimin e të paditurve t’i paguajnë paditëses dy muaj pagë për mosrespektimin e procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës. Detyrimin e të paditurve t’i paguajnë paditëses dy muaj pagë si dëmshpërblim për zgjidhjen e kontratës së punës në mënyrë të menjëhershme pa shkaqe të justifikuara. Rrëzimin e kërkimit për pjesën tjetër të kërkimeve.
-
Gjykata Administrative e Apelit me vendimin nr.2701 datë 02.07.2014 ka vendosur ndryshimin e vendimit nr.373 datë 03.02. 2014 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë në këtë mënyrë: pranimin e pjesshëm të padisë. Detyrimin e të paditurve t’i paguajnë paditëses një muaj pagë për mosrespektim të afatit të njoftimit për zgjidhjen e kontratës së punës. Detyrimin e të paditurve t’i paguajnë paditëses dy muaj pagë për mosrespektim të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës. Detyrimin e të paditurve t’i paguajnë paditëses 10 muaj pagë si dëmshpërblim për zgjidhjen e kontratës së punës në mënyrë të menjëhershme të pajustifikuar. Rrëzimin për pjesën tjetër të kërkimeve. Në këtë vendim është argumentuar se paditësja ka punuar dy vite dhe pala e paditur nuk ka respektuar afatin e njoftimit që parashikon ligji për një periudhë të tillë në punë. Lidhur me shkakun e zgjidhjes së kontratës së punës, sipas gjykatës së apelit, nëse arsimimi i paditëses konsiderohej i papërshtatshëm për atë pozicion pune, punëdhënësi ka pasur të drejtën të zgjidhë kontratën e punës, por pasi të kishte respektuar më parë afatin e njoftimit. Sipas kontratës së përkohshme, kjo mbaronte me datë 31.12.2013 dhe mbështetur në nenin 155 të K.Punës paditësja duhet të përfitojë pagën deri në përfundim të afatit të kontratës me afat të caktuar. Marrëdhënia e punës është zgjidhur 1 muaj e 19 ditë para mbarimit të afatit. Po kështu, gjykata ka argumentuar se pala e paditur nuk ka zbatuar procedurën e zgjidhjes së kontratës së punës dhe drejtë ka vepruar gjykata e shkallës së parë që i ka njohur dëmshpërblimin me pagën e dy muajve.
Lidhur me ndryshimin e masës së dëmshpërblimit, Gjykata Administrative e Apelit ka mbajtur parasysh mundësitë e kufizuara që ofron tregu aktual i punësimit, kohëzgjatja e marrëdhënies së punës, efektet sociale dhe negative që ka krijuar zgjidhja e kontratës së punës, etj.
Kundër vendimit nr.2701 datë 02.07.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs pala e paditur Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, e cila ka kërkuar prishjen e vendimeve të gjykatave dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e përmendura në mënyrë të përmbledhur në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
Vlerësimi i Kolegjit Administrativ
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë pasi u njoh me aktet e dosjes gjyqësore, vendimet e gjykatave dhe shkaqet e parashtruara në rekurs vëren se vendimet e gjykatave të faktit janë marrë në zbatim të gabuar të ligjit material dhe si të tilla ato duhen ndryshuar pjesërisht. -
Kolegji thekson se pretendimi në rekurs i palës së paditur lidhur me shkakun e zgjidhjes së marrëdhënies së punës nuk qëndron. Është i drejtë qëndrimi i gjykatës së apelit se nëse arsimimi i paditëses konsiderohej i papërshtatshëm për atë pozicion pune, punëdhënësi ka pasur të drejtën të zgjidhë kontratën e punës, por pasi të kishte respektuar më parë afatin e njoftimit. Sipas kontratës së përkohshme, kjo mbaronte me datë 31.12.2013 dhe mbështetur në nenin 155 të K.Punës paditësja duhet të përfitojë pagën deri në përfundim të afatit të kontratës me afat të caktuar. Ndërkohë, kjo kontratë është zgjidhur nga pala e paditur përpara përfundimit të afatit kontraktor, e pikërisht me datë 12.11.2013.
-
Në referim të nenit 153 të Kodit të Punës, punëdhënësi mundet që në çdo moment, në mënyrë të menjëhershme, të zgjidhë marrëdhënien e punës, kur ekzistojnë shkaqe të arsyeshme dhe të tilla janë ato rrethana të rënda, të cilat sipas parimit të mirëbesimit nuk e lejojnë vazhdimin e marrëdhënieve të punës, pasi e kanë shkatërruar besimin e punëdhënësit tek punëmarrësi. Të tilla rrethana kanë të bëjnë me shkeljen e detyrimeve kontaktuale të punës ose detyrimeve që rrjedhin nga rregullimi ligjor specifik që rregullon atë marrëdhënie pune, shkelje e cila duhet të jetë kryer me faj të rëndë ose edhe me faj të lehtë, por në rastin e fundit zgjidhja e marrëdhënies së punës duhet të vijë pas një paralajmërimi të mëparshëm të punëdhënësit, për shkelje të tjera të lehta në kryerjen e detyrës.
-
Pretendimi i ngritur nga pala e paditur se, kontrata e punës është zgjidhur për shkaqe të justifikuara, për shkak të mosplotësimit të kriterit arsimor nga paditësja, Kolegji vëren se ky pretendim nuk gjen mbështetje ligjore në rastin konkret. Neni 11/3/4 i K.Punës parashikon se: “ Çdo dispozitë që shkel një dispozitë të një shkalle më të lartë, është e pavlefshme. Megjithatë, janë të vlefshme vetëm ato dispozita që përmirësojnë pozitën e punëmarrësit. 4) Punëmarrësi nuk mund të heqë dorë nga të drejtat, që rrjedhin nga dispozitat urdhëruese të këtij Kodi ose të kontratave kolektive të punës.” Përsa kohë që ligji i ka përcaktuar qartë dhe në mënyrë shteruese shkaqet për të cilat kontrata e punës mund të zgjidhet në mënyrë të menjëhershme, palët në kontratë nuk mund të përcaktojnë shkaqe të tjera për të cilat të zgjidhin në mënyrë njëanshme dhe të menjëhershme marrëdhënien e punës, shkaqe të cilat çojnë në rëndimin e pozitës së punëmarrësit.
-
Nga ana tjetër gjykatat e faktit i kanë njohur paditësit dëmshpërblim prej 10 muaj pagë si dëmshpërblim për zgjidhjen e kontratës së punës në mënyrë të menjëhershme të pajustifikuar, si dhe shpërblimin për mosrespektimin e afatit të njoftimit dhe procedurës në zgjidhjen e kësaj kontrate. Kolegji thekson se ky qëndrimi i gjykatave të faktit është i gabuar dhe i pabazuar në nenit 155//3 të KPunës.
-
Neni 155 pika 1 e K.Punës parashikon se “1) Punëmarrësi ka të drejtën e pagës që do të kish fituar, nëse marrëdhëniet e punës do të kishin përfunduar në fund të afatit të njoftimit të parashikuar në ligj ose me kontratë ose në përfundim të kontratës me afat të caktuar; ndërsa pika 3 e tij parashikon se: Në rastet e zgjidhjes së menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës nga punëdhënësi, gjykata, duke vlerësuar të gjitha rrethanat, vendos detyrimin e punëdhënësit ndaj punëmarrësit me një dëmshpërblim jo më shumë se paga e një viti pune....:.
-
Në këndvështrim të rregullimit të mësipërm ligjor paditësit i takon vetëm një dëmshpërblim për zgjidhjen e menjëhershme dhe të pajustifikuar të marrëdhënies së punës, ai i parashikuar nga neni 155/1 i K.Punës, që është paga deri në përfundim të kontratës me afat. Pra i padituri detyrohet t`i paguajë paditëses vetëm pagën nga data 12.11.2013, datë kur është larguar nga detyra, deri me datë 31.12.2013, kohë kur mbaronte kontrata me afat. Neni 155/3 i K.Punës, i cili është pasur parasysh nga gjykata lidhur me dëmshpërblimin për zgjidhjen e menjëhershme të marrëdhënies së punës, parashikon situatën e zgjidhjes së menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratave pa afat të caktuar. Në rastin konkret, pala paditëse e dinte se kontrata e tij mbaronte në përfundim të afatit të caktuar dhe nuk ka arsye që të dëmshpërblehet për zgjidhjen e menjëhershme të pajustifikuar të kontratës përpara afatit të përfundimit të saj. Me qëllim mbrojtjen e punëmarrësit, ligji parashikon që ai në rastet e kësaj ndërprerje (kuptohet të pajustifikuar) ai duhet të marrë pagën që i takon deri në përfundim të kontratës.
-
Në këto kushte, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimet e gjykatave janë të drejta dhe në përputhje me ligjin për pjesën që kanë disponuar lidhur me detyrimin e palës së paditur për të shpërblyer paditësen me pagën që do të merrte deri në përfundim të kontratës së tij të punës. Nga ana tjetër, gjykatat e faktit kanë interpretuar në mënyrë të gabuar ligjin material lidhur me dhënien e dëmshpërblimit për paditësin në mbështetje të nenit 155/3 të K.Punës dhe si rrjedhojë këto vendime duhen ndryshuar, duke u vendosur rrëzimi i padisë lidhur me këtë kërkim
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” i ndryshuar.
V E N D O S I
Ndryshimin e vendimit nr.373 datë 03.02.2014 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe të Vendimit nr.2701 datë 02.07.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë dhe pranimin e pjesshëm të padisë.
Detyrimin e të paditurit t`i paguajë palës paditëse pagën që do t`i takonte nga data 12.11.2013 deri me datë 31.12.2013.
Tiranë, më 24.03.2016
Nr. 31001-00958-00-2015 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2014-1465 i Vendimit (182)
Do'stlaringiz bilan baham: |