VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Evelina Qirjako Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Medi Bici Anëtar
në datën 29.03.2016, në dhomë këshillimi, mori në shqyrtim çështjen administrative me nr.02861/2013 akti, që u përket palëve:
PADITËS: ROBERT MARTINI, në mungesë
BUBULINA MARTINI, në mungesë
PALË E PADITUR: MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME, përfaqësuar në gjykim nga Znj. Etleva Haka, në mungesë në shpalljen e vendimit.
OBJEKTI:
Detyrimin e palës së paditur të na paguajë pagën
në lidhje me afatin e njoftimit.
Detyrimin e të paditurit të na paguajë:
dëmshpërblimin për zgjidhjen në mënyrë të njëanshme,
të pajustifikuar të kontratës së punës,
dëmshpërblimin për moszbatim procedure të pushimit nga puna,
shpërblimin për vjetërsinë në punë,
pushimet vjetore të pakonsumuar për vitet 2009–2011;
Detyrimin e të paditurit për të na paguar shpenzimet e banimit
në Republikën e Malit të Zi për shkak të ushtrimit të detyrës;
Detyrimin e të paditurit të derdhë kontributin e sigurimeve shoqërore
dhe shëndetësore për periudhën tetor 2010 – shkurt 2011.
Baza Ligjore: Neni 153 i K.Pr.Civile;
nenet 94, 126/1, 141, 143,144, 145, 152, 155
të Ligjit nr.7971, datë 12.07.1995 “Për Kodin e Punës”;
Ligji nr.9136, datë 11.09.2003;
Ligji nr.7703, datë 11.03.1993 “Për sigurimet shoqërore”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.5091, datë 18.05.2012, ka vendosur:
-Pranimin pjesërisht të padisë së paditësit Robert Martini.
-Detyrimin e palës së paditur Ministria e Punëve të Jashtme, t’i paguajë paditësit Robert Martini:
-dëmshpërblimin për moszbatimin e procedurës për zgjidhjen e kontratës së punës të barabartë me pagën e 2 muajve punë,
-dëmshpërblimin për mosrespektim të afateve të njoftimit të barabartë me pagën e 2 muajve punë,
-dëmshpërblimin për zgjidhjen e menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës të barabartë me 12 paga mujore,
-shpërblimin për vjetërsi të barabartë me 2 paga mujore,
-pagesën për pushimet vjetore të pakryera për tre vitet e fundit 2008 - 2011,
-kontributin shëndetësor dhe shoqëror për periudhën tetor 2010 – 10.02.2011,
duke i llogaritur detyrimet me pagën mujore që ai ka përfituar në momentin e ndërprerjes së marrëdhënies së punës 500 Euro.
-Pranimin pjesërisht të padisë së paditëses Bubulina Martini.
-Detyrimin e palës së paditur Ministria e Punëve të Jashtme, t’i paguajë paditëses Bubulina Martini:
-dëmshpërblimin për moszbatimin e procedurës për zgjidhjen e kontratës së punës të barabartë me pagën e 2 muajve punë,
-dëmshpërblimin për mosrespektim të afateve të njoftimit të barabartë me pagën e 2 muajve pune,
-dëmshpërblimin për zgjidhjen e menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës të barabartë me 10 paga mujore,
-shpërblimin për vjetërsi të barabartë me 1.5 muaj pagë,
-pagesën për pushimet vjetore të pakryera për tre vitet e fundit 2008 – 2011,
-kontributin shëndetësor dhe shoqëror për periudhën 15.11.2007 – 10.02.2011,
duke i llogaritur detyrimet me pagën mujore që ajo ka përfituar në momentin e ndërprerjes së marrëdhënies së punës 190 Euro.
-Rrëzimin e padisë për pjesën tjetër të kërkimit.
-Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen pales së paditur.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.695, datë 20.03.2013, ka vendosur:
-Lënien në fuqi të vendimit nr.5091, datë 18.05.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala e paditur Ministris e Punëve të Jashtëme, e cila kërkon ndryshimin e vendimit nr.695, datë 20.03.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe të vendimit nr.5091, datë 18.05.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe rrëzimin e padisë si të pambështetur në prova dhe në ligj, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Gjykata e Apelit Tiranë ka dhënë një vendin të pambështetur në ligj dhe në prova.
-
Gjykata e Apelit ka keqinterpretuar bazën ligjore të kësaj marrëdhënie pune.
-
Vendimi i Gjykatës së Apelit është kontradiktor në arsyetimin e tij.
-
Nga njëra anë kjo gjykatë pronon si shkak të ndërprerjes së marrëdhënies së punës ristrukturimin për shkaqe ekonomike dhe nga ana tjetër, kjo gjykatë pranon faktin se marrëdhënia e punës me paditësit është ndërprerë në mënyrë të menjëhershme dhe në kundërshtim me afatet dhe procedurat e parashikuara nga Kodi i Punës.
-
Gjykata citon vetëm urdhërin e lirimit të paditësave nga detyra, i cili është akti përfundimtar i zgjidhjes së marrëdhenies së punës, duke injoruar njoftimin me nr.7649 prot, datë 20.04.2010 të Drejtorisë së Burimeve Njerëzore si dhe një sërë aktesh të tjera po të vitit 2010 për të cilën paditësat kanë pasur dijeni.
-
Paditësit me kërkesën e datës 14.05.2010, provojnë se kanë marrë dijeni për ndryshimin e marrëdhënies së punës, si dhe ju është dhënë mundësia për tu përshtatur me strukturën e re të institucionit.
-
Paditësit kanë marrë dijeni rreth ndërprerjes së marrëdhënies së punës rreth 8 muaj para se tu ndërpriteshin marrëdhëniet financiare në datën 10.02.2011, duke marrë vetë përsipër që të përballojnë vetë shpenzimet për banim, si dhe tu miratohej leja e qëndrimit.
-
Gjykata edhe ka pranuar faktin që shkaku i lirimit nga detyra të paditësve kanë qenë ndryshimet strukturore për efekte ekonomike, dhe nga ana tjetër është shprehur se në aktin e ministrit për lirimin nga detyra të paditësave, nuk ka shkaqe për lirimin e tyre nga detyra.
-
Ana e paditur e të gjitha provat e paraqitura në gjykim, ka provuar se ka respektuar dhe njoftuar palën paditëse për zgjidhjen e marrëdhënieve të punës.
-
Me shkresën nr.7694, datë 20.04.2010 Ministria e Jashtme ka Njoftuar Ambasadën e RSH në Potgoricë për ndryshimet strukturore, duke shkurtuar pozicionin e shoferit me kohë të plotë dhe zëvendësimine tij me shofer vendas me kohë të pjesshme.
-
Ky njoftim është bërë nga Ministria e Jashtme në përputhje me parashikimet e nenit 12 të K.Punës. Për këtë arsye, pala e paditur është shkarkuar nga çdo lloj detyrimi për sigurim, jo vetëm të banesës dhe kushteve të tjera, si qera, ujë, drita etj, por edhe nga detyrimi për ti garantuar ligjshëmrinë e qëndrimit në vendin pritës dhe privilegjet diplomatike që rrjedhin nga Konventa e Vjenës.
-
Paditësit janë vënë në dijeni të këtij fakti, gjë e cila provohet edhe me kërkesën e datës 14.05.2010 të palës paditëse, drejtuar Ambasadorit dhe Drejtorisë së së Përgjithshme të Shërbimeve Mbështetëse në MPJ, nëpërmjet të cilës paditësi ka këkruar që të vazhdojë marrëdhëniet e punës sipas kushteve të reja të kërkuara nga pala e paditur.
-
Gjykata nuk ka marrë në shqyrtim këto akte shkresore, sikundër është edhe njoftimi nr.10699, datë 01.06.2010, me të cilin paditësit i ishte miratuar kërkesa për vazhdimin e marrëdhënieve të punës sipas kushteve të reja të përcaktuara nga MPJ.
-
Paditësit nuk kanë paraqitur dokumentin e qëndrimit nga data 30 Korrik 2010 deri në Tetor 2010, i cili ishte kusht për vazhdimin e marrëdhënieve të punës me to, detyrim i cili rrejdh nga Konventa e Vjenës.
-
Marrdhëniet me detyrën dhe ato financiare, paditësave ju janë pezulluar nga data 01 Nëntor 2010 deri në datën 10.02.2011, kohë në të cilin doli urdhri për lirimin nga detyra të tyre.
-
Gjatë kësaj kohe të dy pozicionet, si ai i shoferit ashtu edhe pozicioni i pastrueses janë lënë vakant, në mënyrë që tu jepej kohë paditësave për të vazhduar marrëdhënien e punës.
-
Vendimi i Gjykatës së Apelit është i gabuar, pasi në rastin objekt shqyrtimi nuk jemi para ndërprerjes së marrëdhënieve të punës në mënyrë të menjëhershme. Vetëm në këtë rast, gjykata duhet të hyjë dhe të ehtojë shkaqet e largimit nga puna të punëmarrësit.
-
Në kushtet kur pala paditëse ka qenë e punësuar mbi një periudhë 1 vjeçare, është konsideruar se jemi para një kontrate pune me afat të pacaktuar. Në këto kushte, zgjidhja e marrëdhënies së punës përfundon kur mbaron afati ose zgjidhet nga njëra nga palët në përfundim ta afatit të njoftimit.
-
Në kushtet kur pala e paditur ka respektuar afatin një muajor, zgjidhja e marrëdhënieve të punës me paditësit është e ligjshme, pavarësisht shkakut të saj (referojuni vendimit unifikues nr.19, datë 15.11.2007 të Kolegjeve të bashkuara të Gjykatës së Lartë).
-
Siç rezulton nga aktet e administruara në dosje, paditësi është njoftuar për zgjidhjen e marrëdhënies së punës më datë 30 Korrik 2010, pra 7 muaj para zgjidhjes së kontratës së punës, e cila është bërë në datën 10.02.2011.
-
Në përputhje me parashikimet e K.Punës, pala e paditur i ka paguar paditësit deri në datën 1 nëntor 2010, 3 muaj nga njoftimi i dytë me shkrim sipas parashikimeve të nenit 144 të K.Punës.
-
Edhe procedura e zgjidhjes së kontratës së punës është ezauruar nga pala e paditur, pasi në rastin konkret, qëllimi i takimit është që punëmarrësi të sqarojë veten dhe të shprehet lidhur me ndërprerjen e marrëdhënieve të punës. Në rastin në fjalë, kjo pikë është realizuar që në momentin që paditësit i është miratuar kërkesa e tij për të vazhduar marrëdhënien si staf vendas.
-
Në dy vendimet e dhëna nga gjykatat, është arritur në konkluzione të gabuara. Të dyja këto gjykata janë shprehur se nuk është zbatuar ligji për shërbimin e jashtëm, kur asnjë nga këto gjykata nuk e ka analizuar këtë ligj si dhe nuk ka pasqyruar konkretisht se kë dispozitë të këtij ligji nuk ka zbatuar ana e paditur.
-
Referenca e gjykatës për kontributin e sigurimeve shoqërore tek neni 126 i kodit të Punës, është i gabuar. Kjo gjykatë ka bërë interpretim të keq të dispozitave ligjore që rregullojnë pagimin e sigurimeve shoqërore për paditësen.
-
Mospagimi i sigurimeve shoqërore dhe atyre shëndetësore për paditësen, është bërë si rezultat i marrëveshjes ndërmjet palëve, me qëllim për të përmirësuar gjendjen financiare të paditësave, duke mos i derdhur këto kontribute.
-
Paditësja ka qenë e punësuar me kohë të pjesshme e si e tillë, paga e saj ka qenë shumë e ulët për nivelin e jetesës në Malin e Zi dhe për këtë arsye, u lidh edhe marrëveshja mes palëve për të mos paguar detyrimet shëndetësore dhe shoqërore.
-
Gjykatat kanë gabuar në dhënien e dëmshpërblimeve.
-
Gjykata nuk kanë marrë parasysh faktin që, paditësit janë paguar me atë pagë për efekt të faktit që kanë qenë punonjës së shërbimit të trupit diplomatik, pra kanë ushtruar detyrën në një vend tjetër, i cili ka standart jetese të ndryshme nga ai i Shqipërisë.
-
Kjo pagë nuk përputhet me pagat e përcaktuara për administratën shetërore brenda RSH. Pra, palës paditëse nuk mund ti llogaritet dëmshpërblimi mbi bazën e pagës që ka marrë gjatë kohës që ka ushtruar funksionet në një përfaqësi diplomatike.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Evelina Qirjako, përfaqësuesin e palës së paditur, Ministria e Jashtëme, znj. Etleva Haka, e cila kërkoi ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe rrëzimin e padisë; si dhe konstatoi se pala paditëse Robert Martini dhe Bubulina Martini janë në mungesë dhe kanë dijeni rregullisht sipas ligjit,
V Ë R E N
1. Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, rezulton se paditësi Robert Martini bazuar në Urdhërin nr.61, datë 08.02.2007 të Ministrit të Punëve të Jashtme, ka filluar punë si shofer pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, detyrë të cilën e ka kryer deri në datën 10.02.2011, datë në të cilën i është komunikuar urdhëri për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës.
2. Po nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, rezulton se paditësja Bubulina Martini, bazuar në Urdhërin nr.562, datë 15.11.2007 të Ministrit të Punëve të Jashtme, është emëruar si pastruese pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Podgoricë, detyrë të cilën e ka kryer deri në datën 10.02.2011, datë në të cilën i është komunikuar urdhëri për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës.
3. Pala e paditur në këtë gjykim ka pretenduar se me shkresën nr.7649 prot., datë 20.04.2010 të Ministrisë së Punëve të Jashtme, paditësit në këtë gjykim janë njoftuar se struktura e punonjësve të kësaj ambasade ka ndryshuar dhe shoferi i saj do të zënvendësohet nga shofer vendas me kohë të pjesshme (pra me subjekte që janë rezident në shtetin e Malit të Zi).
4. Me tu vënë në dijeni të kësaj shkrese, paditësi Robert Martini, i është drejtuar me kërkesë anës së paditur që të vazhdojë të punojë sëbashku me bashkëshorten e tij pranë kësaj të fundit, duke pretenduar që të punësohet si qytetar vendas. Në këtë kërkesë, paditësi ka kërkuar që të përfitojë vetëm pagën për punën e shoferit për veten e tij dhe të pozicionit të punonjëses së pastrimit për të shoqen, duke deklaruar se hiqte dorë nga përfitimet e tjera që kishte pasur deri në këtë moment, të tilla si pagimin e qirasë, ujit, dritave, sigurimeve shoqërore etj në cilësinë e shtetasit shqiptar. Në këto kushte, pala paditëse ka marrë angazhimin që do të pajiset dhe do ti sigurojë vetë dokumentacionin e nevojshëm si leje qëndrimi në shtetin e Malit të Zi, sikundër e kërkon edhe Konventa e Vjenës.
5. Bazuar sa më sipër, Ministria e Punëve të Jashtme me shkresën nr.10699 prot, datë 07.06.2010 ka njoftuar Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Podgoricë se me aktin e miratimit nr.222, datë 18.05.2010, paditësi Robert Martini është ngarkuar me detyrën e shoferit me pagën 500 Euro dhe paditësja Bubulina Martini është ngarkuar në detyrën e pastrueses me pagën 190 Euro, sipas kushteve të pranuara nga palët.
6. Pas një korrespodencë të gjatë të mbajtur midis Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Podogoricë, ana e paditur ka konkluduar që pala paditëse nuk është pajisur me dokumentacionin e lejes së qëndrimit në shtetin e Malit të Zi dhe përfundimisht, me shkresën nr.2447 prot., datë 10.02.2011, Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Podgoricë se: “...Sipas kërkesës tuaj për ndërprerjen e marrëdhënieve financiare për shoferin e përfaqësisë z. Robert Martini dhe bashkëshortes së tij znj. Bubulina Martini, njoftojmë se z. Martini dhe znj. Martini, lirohen nga detyra dhe marrëdhëniet financiare i ndërpriten në datën 10.02.2011...”.
7. Në kushtet kur paditësit në këtë gjykim, nuk ka qenë dakord me zgjidhjen e kontratës së punës, në datën 15.08.2011 i janë drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me padinë me objekt të sipërcituar, duke pretenduar se janëë larguar nga puna në mënyrë të menjëhershme dhe pa shkaqe të justifikuara, duke pretenduar dëmshpërblimin për këtë zgjidhje të marrëdhënies së punës.
8. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.5091, datë 18.05.2012, ka vendosur:
-Pranimin pjesërisht të padisë së paditësit Robert Martini.
-Detyrimin e palës së paditur Ministria e Punëve të Jashtme, t’i paguajë paditësit Robert Martini:
-dëmshpërblimin për moszbatimin e procedurës për zgjidhjen e kontratës së punës të barabartë me pagën e 2 muajve punë,
-dëmshpërblimin për mosrespektim të afateve të njoftimit të barabartë me pagën e 2 muajve punë,
-dëmshpërblimin për zgjidhjen e menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës të barabartë me 12 paga mujore,
-shpërblimin për vjetërsi të barabartë me 2 paga mujore,
-pagesën për pushimet vjetore të pakryera për tre vitet e fundit 2008 - 2011,
-kontributin shëndetësor dhe shoqëror për periudhën tetor 2010 – 10.02.2011,
duke i llogaritur detyrimet me pagën mujore që ai ka përfituar në momentin e ndërprerjes së marrëdhënies së punës 500 Euro.
-Pranimin pjesërisht të padisë së paditëses Bubulina Martini.
-Detyrimin e palës së paditur Ministria e Punëve të Jashtme, t’i paguajë paditëses BubulinaMartini:
-dëmshpërblimin për moszbatimin e procedurës për zgjidhjen e kontratës së punës të barabartë me pagën e 2 muajve punë,
-dëmshpërblimin për mosrespektim të afateve të njoftimit të barabartë me pagën e 2 muajve pune,
-dëmshpërblimin për zgjidhjen e menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës të barabartë me 10 paga mujore,
-shpërblimin për vjetërsi të barabartë me 1.5 muaj pagë,
-pagesën për pushimet vjetore të pakryera për tre vitet e fundit 2008 – 2011,
-kontributin shëndetësor dhe shoqëror për periudhën 15.11.2007 – 10.02.2011,
duke i llogaritur detyrimet me pagën mujore që ajo ka përfituar në momentin e ndërprerjes së marrëdhënies së punës 190 Euro.
-Rrëzimin e padisë për pjesën tjetër të kërkimit.
-Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen pales së paditur.
8/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “....Nga gjykimi u provua se pala e paditur nuk i ka respektuar detyrimet që i rrjedhin ligji organik dhe rregullorja përkatëse, pasi nuk është zbatuar as procedura e parashikuar në këto akte. Por, gjithashtu pala e paditur nuk ka respektuar as detyrimet që rrjedhin nga Kodi i Punës në rastet kur si punëdhënës zgjidh kontratën e punës. ....Në këtë rast pala e paditur është e detyruar t’u paguajë paditësave pagën e dy muajve punë duke qënë se nuk ka respektuar afatin e njoftimit, për të dy paditësit që kanë patur më pak se pesë vjet punë me palën e paditur kjo e fundit duhet të respektonte afatin e njoftimit prej dy muajsh. .... Gjithashtu, punëdhënësi është i detyruar t’i paguajë pagën punëmarrësit gjatë afatit të njoftimit.... Gjithashtu pala e paditur nuk ka respektuar as procedurën për zgjidhjen e kontratës së punës të parashikuar nga neni 144 i Kodit të Punës.... Kjo procedurë duhet të zbatohet në të gjitha rastet e zgjidhjes së kontratës së punës nga punëdhënësi (nenet 146, 147, 150, 151, 153, 154, 155). ...Përsa i përket pasojave, punëdhënësi duhet t’i paguajë punëmarrësit një dëmshpërblim fiks prej 2 muajsh pagë. Por, pushimi nga puna, që nuk respekton proçedurën është i vlefshëm, kështu që urdhëri që zgjidh kontratën e punës me paditësin nuk mund të anullohet..... Për zgjidhjen e kontratës së punës pala e paditur në vendim nuk ka dhënë shkaqe, por dhe në gjykim nuk u parashtuan shkaqe të arsyeshme në lidhje me punëmarrësit. Pretendimi i palës së paditur që zgjidhja e kontratës së punës është për shkak të ndryshimit të strukturës mund të pranohet se është shkak i arsyeshëm, por kjo palë nuk ka respektuar kërkesat e kreut XIV siç kërkon neni 138 i Kodit të Punës. ...Pra në rastin në gjykim gjykata çmon se jemi përpara zgjidhjes së menjëherëshme të pajustifikuar të kontratës së punës nga punëdhënësi... Duke marë parasysh kohëzgjatjen e kësaj marrëdhënie, pagën që kanë përfituar ata, moshën e paditësave, faktin që ata janë bashkëshortë dhe me ndërprerjen e marrëdhënies së punës të dy kanë mbetur pa punë, gjykata çmon që ky dëmshpërblim për paditësit Robert Martini të jetë i barabartë me 12 muaj pagë, ndërsa për paditësen Bubulina Martini dëmshpërblimi të jetë i barabartë me 10 muaj pagë, mbështetur në nenin 155/3 të Kodit të Punës. Ky dëmshpërblim, i shtohet pagës së dy muajve pune për mos respektim të afateve të njoftimit dhe pagës së dy muajve punë për mos respektim të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës. ... Nga provat dhe shpjegimet e palëve rezulton se, marrdhëniet e punës së paditësave me palën e paditur kanë zgjatur 4 dhe 3 vjet të plota, gjithashtu u provua se ata nuk janë pushuar për shkaqe të arsyeshme, për rrjedhojë paditësit përfitojnë shpërblimin për vjetërsi të barabartë me pagën e një 15 ditëshi për çdo vit pune të plotë, pra me 4 paga 15 ditëshe paditësi Robert dhe 3 paga 15 ditëshe paditësja Bubulin Martini... Përsa i përket detyrimit për ti dhënë në vlerë pushimet e pakryera për të gjithë periudhën gjykata arrin në përfundimin se ky pretendim duhet të pranohet vetëm për tre vitet e fundit në mbështetje të nenit 93/4 të Kodit të Punës sipas të cilit “E drejta e pushimeve që nuk (jepen) merren parashkruhet brenda tre vjetëve nga dita në të cilën punëmarrësit i lind kjo e drejtë”. Pra për të dy paditësit pala e paditur duhet të detyrohet tu paguajë pushimet vjetore për tre vitet e fundit 2008, 2009 dhe 2010. Në gjykim u provua se pala e paditur nuk ka paguar kontributin për sigurimin shëndetësor dhe shoqëror për të gjithë periudhën për paditësen Bubulina Martini dhe për periudhën pas tetorit 2010 deri me datë 10.02.2011, prandaj kjo palë duhet të detyrohet të paguajë këto kontribute. Pretendimi i palës së paditur se paditësit kanë hequr dorë nga pagimi i kontributeve nuk mund të merret në konsideratë nga gjykata pasi kjo heqje dorë është e paligjshme sipas përmbajtjes së nenit 126 të Kodit të Punës. Detyrimi i palës së paditur lind jo vetëm nga ky ligj por edhe nga Ligji nr.7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Pala e paditur deri në tetor të vitit 2010 ka përballuar shpenzimet për akomodimin e familjes së paditësave në qytetin e Potgoricës. Për shkak të faktit që shoferi i ambasadës do të ishte një shtetas vendas, pala e paditur që në muajin maj të vitit 2010 ka njoftuar paditësit që nuk do të përballonte më shpenzimet për akomodimin e tyre në Mal të Zi. Me kërkesën e datës 14.05.2010 drejtuar palës së paditur, pditësi Robert Martini ka pranuar të marrë përsipër shpenzimet që lidhen me qëndrimin e tij në këtë vend, për rrjedhojë pretendimi i paditësave se këto shpenzime duhet të rimbursohen nga pala e paditur nuk duhet të pranohet....”.
9. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.695, datë 20.03.2013, ka vendosur:
-Lënien në fuqi të vendimit nr.5091, datë 18.05.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
9/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar njësoj si gjykata e rrethit gjyqësor.
10. Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala e paditur Ministris e Punëve të Jashtme, e cila kërkon ndryshimin e vendimit nr.695, datë 20.03.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe të vendimit nr.5091, datë 18.05.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe rrëzimin e padisë si të pambështetur në prova dhe në ligj, duke parashtruar ato shkaqe që pasqyrohen në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
11. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se rekursi i paraqitur nga pala e paditur Ministria e Punëve të Jashtme (MJP), përmban shkaqe ligjore nga ato të parashikuara në nenin 58 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të cilat i bëjnë të cënueshme vendimet e gjykatave më të ulëta. Ky Kolegj, konstaton se në gjykimin e kësaj çështje, të dyja gjykatat më të ulëta kanë interpretuar pjesërisht gabim ligjin material që zbatohet për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje dhe si rezultat, nuk e kanë zgjidhur atë në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej tyre, në pjesën që kanë pranuar padinë e paditësave.
12. Në analizë të kërkimeve të palës paditëse dhe shkakut ligjor në të cilat mbështen këto kërkime, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se, në rastin objekt shqyrtimi jemi përpara një mosmarrëveshje që rrjedh nga marrëdhëniet e punës për zgjidhjen e të cilës, referim duhet bërë në dispozitat e Kodit të Punës si dhe në dispozitat e ligjit specifik që rregullon këtë marrëdhënie të krijuar mes palëve sikundër është Ligji nr.9095, datë 03.07.2003 “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, si dhe akteve nënligjore të dala në bazë dhe për zbatim të tij.
13. Nga aktet e dosjes gjyqësore, rezulton se, paditësit kanë qënë në marrëdhënie pune me palën e paditur, me afat të pacaktuar. Paditësi Robert Martini ka filluar punë pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi në datën 01.05.2007, në detyrën e shoferit, ndërsa paditësja Bubulina Martini i ka filluar marrëdhëniet e punës pranë kësaj ambasade në datë 15.11.2007, në pozicionin e pastrueses. Marrëdhënia e punës midis palëve ndërgjyqëse është formalizuar nëpërmjet nxjerrjes së Urdhrit me nr.61, datë 08.02.2007 “Për emërimin në detyrë” të subjektit Robert Martini, efektet financiare të të cilit kanë filluar në datën e paraqitjes në detyrë datë 01.05.2007 (referojuni faqes 58 të dosjes gjyqësore), ndërsa për paditësen Bubulina Martini është formalizuar nëpërmjet nxjerrjes së Urdhrit me nr.562, datë 15.11.2007 “Për emërimin në detyrë”. Sipas akteve të administruara në dosje, rezulton e provuar se paditësit (të cilët janë edhe bashkëshortë mes tyre), kanë mbajtur respektivisht detyrën e shoferit dhe atë të pastrueses pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Podgoricë, deri në datën 20.04.2010 (referojuni faqes 46 të dosjes gjyqësore), kohë në të cilën kjo e fundit është njoftuar me shkresën nr.7649 prot., datë 20.04.2010 të Ministrisë së Punëve të Jashtme se, struktura e punonjësve të kësaj ambasade ka ndryshuar dhe shoferi i saj do të zënvendësohet nga shofer vendas me kohë të pjesshme (pra me subjekte që janë rezident në shtetin e Malit të Zi).
14. Sipas akteve të administruara në dosje, pala paditëse Robert Martini, pasi është vënë në dijeni të shkresës për miratimin e strukturës së re të amabasadës, ka kërkuar pranë palës së paditur të vazhdojë të punojë sëbashku me bashkëshorten e tij pranë kësaj të fundit, duke pretenduar që të punësohet si qytetar vendas, pra të përfitonte vetëm pagën për punën e shoferit dhe pastrueses, dhe duke hequr dore nga përfitimet e tjera që kishte pasur deri në këtë moment si qira, pagimin e ujit, dritave, sigurimet shoqërore etj në cilësinë e shtetasit shqiptar. Për këtë arsye, pala paditëse ka marrë përsipër për të siguruar dhe pajisur vetë me dokumentacionin e nevojshëm si leje qëndrimi në shtetin e Malit të Zi, sikundër e kërkon edhe Konventa e Vjenës. Bazuar në këto kushte të pranuara nga pala paditëse, Ministria e Punëve të Jashtme me shkresën nr.10699 prot, datë 07.06.2010 ka njoftuar Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Podgoricë se, me aktin e miratimit nr.222, datë 18.05.2010, paditësi Robert Martini është ngarkuar me detyrën e shoferit me pagën 500 Euro dhe paditësja Bubulina Martini është ngarkuar në detyrën e pastrueses me pagën 190 Euro, sipas kushteve të pranuara nga palët. Kjo marrëdhënie e re pune, e cila filloi efektet e saj që në datën 18.05.2010, ka vijuar midis palëve ndërgjyqëse deri në datën 10.02.2011, kohë në të cilën paditësave ju është komunikuar urdhëri me nr.2447 prot., datë 10.02.2011 për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës. Kjo marrëdhënie pune u ndërpre pasi pala paditëse nuk arriti të siguronte dokumentacionin ligjor për të siguruar leje qëndrimin në shtetin e Malit të Zi.
15. Pala paditëse në këtë gjykim, ka pretenduar se marrëdhënia e punës që kanë pasur me anën e paditur, ka qenë një marrëdhënie pune pa afat të caktuar dhe ka vazhduar në mënyrë të pandërprerë nga data e emërimit të tyre në këto detyra, deri në datën 10.02.2011, kohë në të cilën ju janë ndërprerë marrëdhëniet financiare. Pala paditëse në kushtet kur nuk ka qenë dakord për zgjidhjen e marrëdhënies së punës, e ka bërë çështjen objekt konflikti gjyqësor, duke pretenduar se, zgjidhja e kësaj marrëdhënie pune është bërë nga ana e palës së paditur në mënyrë të menjëhershme dhe pa shkaqe të justifikuara, pa respektuar procedurën e zgjidhjes së marrëdhënies së punës, si dhe pa respektuar afatin e njoftimit, në kushtet kur të dy paditësit kishin në këto detyra mbi 4 vjet pune. Gjithashtu, pala paditëse ka pretenduar pagimin jo vetëm të dëmshpërblimeve që pasqyron Kodi i Punës, por edhe pagimin e sigurimeve shoqerore dhe ato shëndetësore që ana e paditur nuk ju ka paguar gjatë kohës që ata kanë qenë në detyrë, si dhe pagimin e pushimeve vjetore të pakonsumuara.
16. Ana e paditur në këtë gjykim, ka prapësuar se, paditësit me kërkesën e datës 14.05.2010, provojnë se kanë marrë dijeni për ndryshimin e marrëdhënies së punës, si dhe ju është dhënë mundësia për tu përshtatur me strukturën e re të institucionit. Paditësit kanë marrë dijeni rreth ndërprerjes së marrëdhënies së punës rreth 8 muaj para se t’u ndërpriteshin marrëdhëniet financiare në datën 10.02.2011, duke marrë vetë përsipër që të përballojnë vetë shpenzimet për banim, si dhe tu miratohej leja e qëndrimit. Me shkresën nr.7694, datë 20.04.2010 Ministria e Punëve të Jashtme ka Njoftuar Ambasadën e RSH në Potgoricë për ndryshimet strukturore, duke shkurtuar pozicionin e shoferit me kohë të plotë dhe zëvendësimine tij me shofer vendas me kohë të pjesshme. Ky njoftim është bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme në përputhje me parashikimet e nenit 12 të K.Punës. Për këtë arsye, pala e paditur është shkarkuar nga çdo lloj detyrimi për sigurim, jo vetëm të banesës dhe kushteve të tjera, si qera, ujë, drita etj, por edhe nga detyrimi për ti garantuar ligjshmërinë e qëndrimit në vendin pritës dhe privilegjet diplomatike që rrjedhin nga Konventa e Vjenës. Paditësit janë vënë në dijeni të këtij fakti, gjë e cila provohet edhe me kërkesën e datës 14.05.2010 të palës paditëse, për të vazhduar marrëdhënien e punës sipas kushteve të reja të kërkuara nga pala e paditur. Paditësit nuk kanë paraqitur dokumentin e qëndrimit nga data 30 Korrik 2010 deri në Tetor 2010, i cili ishte kusht për vazhdimin e marrëdhënieve të punës me to, detyrim i cili rrjedh nga Konventa e Vjenës.
17. Gjithashtu, pala e paditur në këtë gjykim ka prapësuar se, marrëdhëniet me detyrën dhe ato financiare, paditësave ju është pezulluar nga data 01 Nëntor 2010 deri në datën 10.02.2011, kohë në të cilin doli urdhri për lirimin nga detyra të tyre. Gjatë kësaj kohe të dy pozicionet, si ai i shoferit ashtu edhe pozicioni i pastrueses janë lënë vakant, në mënyrë që tu jepej kohë paditësave për të vazhduar marrëdhënien e punës. Në kushtet kur pala e paditur ka respektuar afatin një mujor, zgjidhja e marrëdhënieve të punës me paditësit është e ligjshme, pavarësisht shkakut të saj sipas vendimit unifikues nr.19, datë 15.11.2007 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Në përputhje me parashikimet e K.Punës, pala e paditur i ka paguar paditësit deri në datën 1 nëntor 2010, 3 muaj nga njoftimi i dytë me shkrim sipas parashikimeve të nenit 144 të K.Punës. Edhe procedura e zgjidhjes së kontratës së punës është ezauruar nga pala e paditur, pasi në rastin konkret, qëllimi i takimit është që punëmarrësi të sqarojë veten dhe të shprehet lidhur me ndërprerjen e marrëdhënieve të punës. Mospagimi i sigurimeve shoqërore dhe atyre shëndetësore për paditësen, është bërë si rezultat i marrëveshjes ndërmjet palëve, me qëllim për të përmirësuar gjendjen financiare të paditësave, duke mos i derdhur këto kontribute. Paditësja ka qenë e punësuar me kohë të pjesshme e si e tillë, paga e saj ka qenë shumë e ulët për nivelin e jetesës në Malin e Zi dhe për këtë arsye, u lidh edhe marrëveshja mes palëve për të mos paguar detyrimet shëndetësore dhe shoqërore.
18. Bazuar mbi këto pretendime të palës paditëse si dhe prapësime të palës së paditur, rezulton që të dyja gjykatat më të ulëta kanë pranuar pjesërisht kërkimet e palës paditëse, duke rrëzuar pjesën tjetër të tyre, me arsyetimin se: “...Nga gjykimi u provua se pala e paditur nuk i ka respektuar detyrimet që i rrjedhin ligji organik dhe rregullorja përkatëse, pasi nuk është zbatuar as procedura e parashikuar në këto akte. Por, gjithashtu pala e paditur nuk ka respektuar as detyrimet që rrjedhin nga Kodi i Punës në rastet kur si punëdhënës zgjidh kontratën e punës. ....Gjithashtu pala e paditur nuk ka respektuar as procedurën për zgjidhjen e kontratës së punës të parashikuar nga neni 144 i Kodit të Punës.... Kjo procedurë duhet të zbatohet në të gjitha rastet e zgjidhjes së kontratës së punës nga punëdhënësi (nenet 146, 147, 150, 151, 153, 154, 155). ...Përsa i përket pasojave, punëdhënësi duhet t’i paguajë punëmarrësit një dëmshpërblim fiks prej 2 muajsh pagë. ...Pra në rastin në gjykim gjykata çmon se jemi përpara zgjidhjes së menjëherëshme të pajustifikuar të kontratës së punës nga punëdhënësi... Në gjykim u provua se pala e paditur nuk ka paguar kontributin për sigurimin shëndetësor dhe shoqëror për të gjithë periudhën për paditësen Bubulina Martini dhe për periudhën pas tetorit 2010 deri me datë 10.02.2011, prandaj kjo palë duhet të detyrohet të paguajë këto kontribute. Pretendimi i palës së paditur se paditësit kanë hequr dorë nga pagimi i kontributeve nuk mund të merret në konsideratë nga gjykata pasi kjo heqje dorë është e paligjshme sipas përmbajtjes së nenit 126 të Kodit të Punës. Detyrimi i palës së paditur lind jo vetëm nga ky ligj por edhe nga Ligji nr.7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”...”.
19. Këtë arsyetim të gjykatave më të ulëta, në pjesën që këto gjykata kanë pranuar kërkimet e paditësit, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë e gjen të pambështetur në prova dhe në ligj. Ky Kolegj, vlerëson se, vendimi i dhënë nga gjykatat më të ulëta në pjesën që ato kanë pranuar padinë, rezulton të jetë marrë në kundërshtim me nenin 16 të K.Pr.Civile, pasi këto gjykata nuk e kanë kuptuar dhe nuk e kanë përcaktuar drejtë natyrën e vërtetë të mosmarrëveshjes, shkakun ligjor të kërkimit të paditësit, ligjin që duhet të zbatohej dhe për rrjedhojë, kanë marrë një vendim të pabazuar në ligj. Për këtë arsye, për këtë pjesë këto vendime duhet të ndryshohen dhe duhet të vendoset rrëzimi i padisë, si i pambështetur në prova dhe në ligj.
20. Në kushtet kur çështja objekt shqyrtimi lidhet me një marrëdhënie pune të subjekteve të punësuar pranë strukturave të trupave diplomatikë, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson të sqarojë fillimisht faktin se, cili është ligji i cili rregullon mosmarrëveshjen objekt shqyrtimi, në mënyrë që të konkludojë nëse zgjidhja e kësaj marrëdhënie pune është bërë në përputhje me dispozitat ligjore të zbatueshme apo jo.
21. Në nenin 25 të Ligjit nr.9095, datë 03.07.2003 “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, i titulluar “Kategorizimi i nëpunësve”, parashikohet se: “1.Veprimtaria diplomatike në shërbimin e jashtëm kryhet nga diplomatet e karrierës dhe personal e tjerë të barazuar me ta, të cilët marrin funksione diplomatike, në përputhje me dispozitat e këtij ligji. 2. Në ushtrimin e funksioneve, ata ndihmohen nga personeli administrativ dhe teknik”, ndërsa në nenin 47 të po këtij, i titulluar “Statusi i nëpunësve administrative dhe i personelit ndihmës”, është parashikuar se: “1. Nëpunës administrative në shërbimin e jashtëm quhen nëpunësit, të cilët kryejnë detyra në sektorët e llogarisë dhe të financës, në fushën e përpunimit të të dhënave dhe në çështje administrative. Për këta nëpunës zbatohen dispozitat e Ligjit nr.8549, datë 11.11.1999 "Statusi i nëpunësit civil" dhe të akteve te tjera nënligjore ne zbatim te tij. 2. Personel ndihmës në shërbimin e jashtëm quhet ajo kategori punonjësish, të cilët kryejnë detyra në sektorët ndihmës, të mirëmbajtjes dhe të shërbimit. Për këtë kategori punonjësish zbatohen dispozitat e Kodit të Punës”.
22. Në analizë të dispozitave ligjore të mësipërme, konstatohet qartësisht se pala paditëse në këtë gjykim nuk gëzon statusin e punonjësit diplomat, marrëdhënia e të cilëve rregullohet në mënyrë të posaçme nga akti nënligjor i titulluar “Rregullorja për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, sipas parashikimeve të nenit 30 të Ligjit nr.9095, datë 03.07.2003 “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, i titulluar “Emërimi në përfaqësitë diplomatike”, në të cilin përcaktohet se: “1. Diplomatët emërohen në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë, të akredituara në shtete të tjera, të paktën dy vjet pasi kanë marrë gradën e parë diplomatike (atashe). Ata qëndrojnë me shërbim në të njëjtën përfaqësi diplomatike, si rregull, për një periudhe 4-vjeçare. 2. Procedurat e emërimit ne përfaqësitë diplomatike përcaktohen ne Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm”. Referuar pozicionit të punës që paditësit në këtë gjykim, kanë pasur pranë anës së paditur, rezulton se ata futen në kategorinë e punonjësve të personelit ndihmës në shërbimin e jashtëm, marrëdhëniet e punës për të cilët rregullohen nga Kodi i Punës. Në kushtet kur ligji specifik, e parashikon në mënyrë të shprehur se, marrëdhëniet e punës së kësaj kategorie punonjësish rregullohen nga Kodi i Punës, atëherë edhe trajtimi i zgjidhjes së kësaj mosmarrëveshje do të bëhet sipas përcaktimeve të Kodit të Punës.
23. Referuar akteve të administruara në dosje, rezulton e provuar se, pala e paditur nuk ka zbatuar afatin për zgjidhjen e kontratës së punës, ndaj në kuptim të nenit 143 të K.Punës, në të cilën pasqyrohet shprehimisht se: “Kur njëra nga palët e zgjidh kontratën pa respektuar afatin e njoftimit, zgjidhja e kontratës trajtohet si zgjidhje e kontratës me efekt të menjëhershëm”, kjo zgjidhje është e njëanshme dhe e menjëhershme. Në kushtet e zgjidhjes së kontratës në mënyrë të njëanshme dhe të menjëhershme, është mëse e domosdoshme për gjykatën që të hetojë në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme nëse kjo zgjidhje e kontratës së punës nga ana e punëdhënësit Ministria e Punëve të Jashtme (pala e paditur), është bërë për shkak të justifikuar apo jo, sikundër e parashikon neni 153 të K.Punës.
24. Neni 153 i K.Punës parashikon se:“1) Punëdhënësi e punëmarrësi, në çdo kohë, mund të zgjidhin menjëherë kontratën për shkaqe të justifikuara. 2) Vlerësohen si shkaqe të justifikuara të gjitha rrethanat e rënda që nuk lejojnë, sipas parimit të mirëbesimit, t’i kërkohet atij që ka zgjidhur kontratën, vazhdimin e marrëdhënieve të punës. 3) Gjykata vendos nëse ekzistojnë shkaqe të justifikuara për zgjidhjen e menjëhershme të kontratës. Konsiderohen shkaqe të justifikuara rastet kur punëmarrësi shkel detyrimet kontraktuale me faj të rëndë, si edhe rastet kur punëmarrësi shkel detyrimet kontraktuale me faj të lehtë, në mënyrë të përsëritur, me gjithë paralajmërimin me shkrim të punëdhënësit.
25. Në analizë të kësaj dispozite, punëmarrësi dhe/ose punëdhënësi në çdo kohë mund ta zgjidhin kontratën e punës që do të thotë se, zgjidhja e kontratës së punës në mënyrë të menjëhershme prej secilës palë është ligjshme, vetëm me kushtin që të provohet se shkaku i zgjidhjes së kontratës së punës është i justifikuar (pra që të jemi para kushteve të parashikuara në nenin 153/2 të K.Punës). Kushtet kumulative për të pranuar ekzistencën e shkakut të justifikuar janë: a – punëmarrësi të ketë shkelur një detyrim kontraktual që rrjedh nga ligji, kontrata e punës, kontrata kolektive; b – kjo shkelje të jetë kryer me faj; c – ekzistenca e lidhjes shkakësore midis shkeljes me faj dhe pushimit të menjehershëm nga puna; d – kjo shkelje të ketë krijuar një situatë të rëndë që, nuk lejon sipas parimit të mirëbesimit t’i kërkohet punëdhënësit vazhdimi i marrëdhënieve të punës.
26. Referuar akteve të administruara në dosjen gjyqësore, të cilat janë marrë në shqyrtim nga gjykatat më të ulëta, pretendimi i paditësave që marrëdhënia e punës është zgjidhur pa shkaqe të justifikuara nuk qëndron dhe është i pabazuar në prova dhe në ligj. Në të dy shkallët më të ulëta të gjykimit ka rezultuar e provuar që, shkaku i zgjidhjes së kontratës së punës nga ana e palës së paditur është bërë për arsye se pala paditëse nuk ka siguruar leje qëndrimin në shtetin e Malit të Zi, kusht ky mëse i domosdoshëm për të vijuar me marrëdhënien e punës dhe të cilën e kishte marrë përsipër ta përmbushte vetë paditësi (ky ishte dhe kushti që kjo palë të vazhdonte të punonte në këtë vend pune).
27. Punëdhënësi MPJ përfaqësuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Podgoricë është një subjekt juridik i ligjshëm që ushtron funksionet e tij në shtetin e Malit të Zi, ndërsa punëmarrësi, në rastin konkret paditësit në këtë gjykim, të punësuar si punonjës vendas (pra si rezident të shtetin Malit të Zi) i nënshtrohet të drejtës së brendshme së këtij vendi. Për sa kohë paditësit nuk janë pajisur me lejen e qëndrimit në këtë vend, si dhe nuk janë pajisur me lejen e punës nga ana e autoriteteve shtetërore të Malit të Zi, marrëdhënia e punës midis palëve ndërgjyqëse konsiderohet e paligjshme dhe si e tillë, konsiderohet se ka qenë nul që në momentin e fillimit të saj. Pala paditëse pavarësisht faktit se është bërë me dije nëpërmjet një korrespodence të gjatë të mbajtur midis MPJ, nuk ka përmbushur detyrimet ligjore për të siguruar leje qëndrimin dhe lejen e punës, në mënyrë që të respektonin kriteret ligjore të vendit pritës, si dhe rregullat që imponon legjislacioni ndërkombëtar në kësi rastesh.
28. Në nenin 48 të Ligjit nr.9095, datë 03.07.2003 “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, i titulluar “Rekrutimi i stafit vendor” parashikohet se: “Përfaqësitë diplomatike mund të punësojnë shtetas të shtetit pritës, sipas procedurave të parashikuara në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm, për kryerjen e punëve administrativo-teknike dhe të shërbimit”, ndërsa në aktin nënligjor të dalë në bazë dhe për zbatim të këtij ligji, i titulluar “Rregullorja për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, në Kreun XIII të saj, i titulluar “Rekrutimi i stafit vendor”, parashikohet se: “85. Punësimi në përfaqësi i shtetasve të shtetit pritës bëhet, pasi të jenë shfrytëzuar të gjitha burimet njerëzore të Ministrisë së Punëve të Jashtme ose të familjarëve të punonjësve të përfaqësisë. 86. Numri i shtetasve të shtetit pritës të punësuar në përfaqësi nuk duhet të kalojë 25% të numrit të përgjithshëm të punonjësve të emëruar të përfaqësisë. 87. Punësimi i një punonjësi nga radhë e shtetasve të shtetit pritës bëhet mbi kritere profesionale dhe kualifikimi profesional. 88. Miratimi për punësim bëhet nga Ministri pas përzgjedhjes ndërmjet 3 kandidaturave të dërguara nga shefi i misionit/postit”.
29. Në analizë të sa më sipër, rezulton qartë që ana e paditur në këtë gjykim, ka mbajtur në vëmendje pikërisht këto parashikime ligjore në momentin që ka vlerësuar të rekrutojë staf vendas, pra persona rezidentë në shtetin pritës që në rastin konkret është shteti i Malit të Zi, duke ju dhënë mundësi fillimisht shtetasve shqiptarë që janë rezident në këtë vend, sikundër kanë pretenduar paditësit në këtë gjykim. Sipas akteve të administruara në dosje, rezulton që pala paditëse nuk ka siguruar lejen e qëndrimit në shtetin e Malit të Zi si dhe të jetë pajisur me leje pune nga ana e autoriteteve shtetërore të këtij vendi, duke vazhduar të qëndrojnë në këtë vend në mënyrë ilegale dhe të paligjshme, në kushtet kur marrdhënia e tyre e punës me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë ishte ndërprerë që në datën 20.04.2010, kohë në të cilën janë njoftuar me nr.7649 prot., datë 20.04.2010 të Ministrisë së Punëve të Jashtme se struktura e punonjësve të kësaj ambasade ka ndryshuar (referojuni faqes 46 të dosjes gjyqësore).
30. Gjithashtu, ka rezultuar i provuar fakti se, pala paditëse Robert Martini ka kërkuar nëpërmjet kërkesës së datës 14.05.2010 që të vazhdojë punën pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Podgoricë në detyrën e shoferit, duke pranuar që detyrimet financiare të lidheshin vetëm me pagën, duke hequr dore nga çdo lloj shpenzimi tjetër (qera, drita, ujë e çdo përfitim tjetër që kishte përfituar si staf i ambasadës). Pra, efektivisht pala paditëse ka pranuar që të përfundojë marrëdhënien e parë të punës me anën e paditur, të cilën edhe nuk e ka kundërshtuar, duke krijuar një marrëdhënie të re pune me të me kushte të reja, duke u punësuar tashmë si staf vendas.
31. Bazuar në këto kushte të pranuara nga pala paditëse, Ministria e Punëve të Jashtme me shkresën nr.10699 prot, datë 07.06.2010 ka njoftuar Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Podgoricë se me aktin e miratimit nr.222, datë 18.05.2010, paditësi Robert Martini është ngarkuar me detyrën e shoferit me pagën 500 Euro dhe paditësja Bubulina Martini është ngarkuar në detyrën e pastrueses me pagën 190 Euro, sipas kushteve të pranuara nga palët
(referojuni faqes 49 dhe 52 të dosjes gjyqësore). Pra, rekrutimi i paditësave në këtë marrëdhënie të re pune, rezulton të jetë bërë në kushtet kur ata nuk kanë pasur lejen e qëndrimit si dhe lejen e punësimit në shtetin e Malit të Zi, (por me kushtin që ata do ti plotësonin këto të fundit) marrëdhënie e cila ka vijuar deri në datë 10.02.2011, kohë në të cilën paditësave ju është komunikuar urdhëri me nr.2447 prot., datë 10.02.2011 për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës.
32. Nisur nga sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se shkeljet e konstatuara nga pala e paditur, përbëjnë shkak të justifikuar për zgjidhjen e marrëdhënies së punës. Nga analiza e mësipërme e shkaqeve për të cilat paditësit janë larguar nga puna, konstatohet qartësisht se, kemi të bëjmë me një shkelje të rëndë të ligjit, pasi kemi të bëjmë me një marrëdhënie pune të lidhur në kushtet e paligjishmërisë, fakt i cili e bën të pamundur vazhdimin e mëtejshëm të marrëdhënies së punës me punëdhënësin. Ndërprerja e paligjshmërisë kontraktuale, është jo vetëm një kërkesë thelbësore e ligjit si një veprim i kryer në kundërshtim me një dispozitë urdhëruese të ligjit, por njëkohësisht është kërkesë thelbësore e qëndrimit të misionit diplomatik kundrejt zbatimit të legjislacionit vendas në vendim pritës, sikundër është shteti i Malit të Zi.
33. Ky Kolegj, vlerëson të evidentojë faktin se, zbatimi i legjislacionit të vendit pritës në këtë rast, përbën jo vetëm një detyrim ligjor, por në të njëjtën kohë edhe detyrim të zbatimit të standarteve ndërkombëtare në marrëdhëniet juridike midis shteteve. Në momentin që shteti shqiptar ka rekrutuar në punë punonjës që nuk janë të ligjshëm në një vend pritës, kjo ndikon në përfaqësimin dinjitoz të tij, duke krijuar një standart të papranueshëm në nivel të përfaqësimit diplomatik.
34. Bazuar sa më sipër, në kushtet kur marrëdhënia e punës midis palëve ndërgjyqëse në këtë gjykim u lidh jo konform ligjit dhe pala paditëse ka qenë e ndërgjegjshme për sa mësipër, kjo e fundit nuk mund të pretendojë përfitimin e dëmshpërblimeve që parashikon Kodi i Punës. Vlen të thksohet fakti se, fryma e Kodit të Punës ka qasje të tillë që, palët e prekura nga zgjidhja e marrëdhënies së punës pa shkaqe të arsyeshme dhe pa respektuar afatin e njoftimit si dhe procedurën e zgjidhjes së saj, të përfitojnë një demshpërblim të caktuar. Por gjithmonë, Kodi i Punës në këto raste i referohet një kontrate pune të ligjshme, të lidhur në përputhje me dispozitat ligjore të zbatueshme. Kodi i Punës nuk njeh pagimin e dëmshpërblimeve qoftë edhe të respektimit të procedurës së zgjidhjes së marrëdhënies së punës, kur kjo e fundit është e paligjshme, pra e lidhur në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi. Për këtë arsye, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, shkaku për zgjidhjen e kontratës së punës është një shkak i justifikuar dhe i bazuar në ligj dhe ndërprerja e marrëdhënieve të punës është bërë në mënyrë të menjëhershme.
35. Në përfundim të analizës së mësipërme, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, si vendimi nr.5091, datë 18.05.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë ashtu edhe vendimi nr.695, datë 20.03.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë, , janë marrë në interpretim të gabuar të ligjit material, dhe për këtë arsye këto vendime duhet të ndryshohen, duke u vendosur rrëzimi i kërkesë padisë së ngritur nga pala paditëse Robert Martini dhe Bubulina Martini.
36. Ndërsa përsa i takon pjesës tjetër të padisë, e cila ka lidhje me kërkimin: “Detyrimin e të paditurit për të na paguar shpenzimet e banimit në Republikën e Malit të Zi për shkak të ushtrimit të detyrës”, më të drejtë të dyja gjykatat më të ulëta kanë vendosur rrëzimin e tij. Referuar akteve të admnistruara në dosje, rezulton e provuar se, pala paditëse Robert Martini në kushtet e lidhjes së një marrëdhënie të re pune me palën e paditur MPJ, ka marrë përsipër kushte dhe kritere të reja, duke pranuar të punësohet jo si shtetas shqiptar i dërguar në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Podgoricë, por si një shtetas i huaj.
37. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson të evidentojë faktin se, në kushtet kur punësimi i ri i paditësave, nuk detyronte MPJ që të bënte pagimin e këtyre shpenzimeve, si dhe në kushtet kur vetë paditësit me vullnet të plotë dhe të lirë të tyrin, kanë hequr dorë nga pagimi i këtyre detyrimeve, nuk mund të pretendojnë gjyqësisht pagimin e tyre. Për më tepër, sikundër është theksuar edhe më lartë në këtë vendim, në kushtet kur marrëdhënia e punës mes palëve ndërgjyqëse është një marrëdhënie juridike e paligjshme, pala paditëse nuk mund të pretendojë pagimin e shpenzimeve të banimit që rrjedh nga kjo marrëdhënie e paligjshme. Për këtë arsye, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, vendimi i dhënë nga dy gjykatat më të ulëta për rrëzimin e padisë për këtë pjesë të kërkimit është i drejtë, i mbështetur në prova dhe në ligj, dhe për këtë arsye vendimet e gjykatave më të ulëta për këtë pjesë, duhet të lihen në fuqi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O S I
Ndryshimin e vendimit nr.695, datë 20.03.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe vendimit nr.5091, datë 18.05.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, dhe rrëzimin e kërkesë padisë.
Tiranë më 29.03.2016
Nr. 31001-00605-00-2014 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2016 - 1751 i Vendimit (194)
Do'stlaringiz bilan baham: |