VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 24.03.2016, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: SHOQËRIA “JOEL KONSTRUKSION” SH.P.K;
I PADITUR: BASHKIA KORÇË;
OBJEKTI I PADISË:
Përmbushje detyrimi kontraktor.
Baza Ligjore: Nenet 31 dhe 32/a të K.Pr.Civile.
Neni 85 e vijues i Kodit Civil.
Ligj nr.9643 datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”,
neni 60, pika 3.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin nr.41-2013-3761 (2008) datë 26.09.2013 vendosi:
“Pranimin e kërkesë padisë. Detyrimin e palës së paditur Bashkia Korçë ti kthejë paditësit shoqëria “Joel konstruksion” sh.p.k shumën prej 2.219.349 lekë të mbajtura në formë penaliteti. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës së paditur”.
Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr.59 datë 21.02.2014 vendosi:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.2008 datë 26.09.2013 të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë”.
Kundër vendimit nr.59 datë 21.02.2014 të Gjykatës së Apelit Korçë, ka ushtruar rekurs, brenda afati ligjor, pala e paditur Bashkia Korçë e cila kërkon ndryshimin e vendimeve dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Penalitetet e vëna nga ana e Bashkisë Korçë janë vendosur për shkak të mosparaqitjes në objekt të paditësit dhe këto penalitete janë ligjore.
-
Gjatë gjykimit nuk u paraqit asnjë provë nga ana e palës paditëse se ka qenë në objekt në kohën kur mbikëqyrësi i punimeve ka vërtetuar një fakt të tillë.
-
Nëse paditësi ka pretendime në lidhje me mosbërjen në kohë të pagesave ai duhet të kërkonte zgjidhjen e kontratës ose dëmshpërblim për mospagim në kohë të pagesave.
-
Ndryshimi i shkakut ligjor të padisë dhe i objektit të saj të pranuar nga gjykata vijnë në kundërshtim me nenin 185 të Kodit të Procedurës Civile.
-
Pretendimet e paditësit vijnë në kundërshtim me nenin 12 dhe 19 të KPC dhe në gjykata ka marrë një vend8im në kundërshtim me nenin 16 të KPC.
Ka ushtruar kundër-rekurs pala paditëse shoqëria “Joel Konstruksion” sh.p.k, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Rekursi nuk përmban shkaqe nga ato të parashikuara nga neni 472 i Kodit të procedurës Civile.
-
Vendimet e gjykatave janë të drejta dhe janë marrë në përputhje me ligjin dhe provat e administruara në dosjen gjyqësore.
-
Nuk qëndron pretendimi i palës së paditur se vendosja e penaliteteve është llogaritur 75 ditë për të tria kontratat dhe është bërë për shkak të mosparaqitjes së paditësit në objekt.
-
Në rastin konkret nuk jemi përpara faktit të dorëzimit të punimeve me vonesë por përpara faktit të zgjidhjes së kontratave në mënyrë të njëanshme nga palët.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin e gjyqtares Arjana Fullani dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Siç rezulton nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, pala paditëse Shoqëria “Joel Konstruksion” sh.p.k është themeluar si person juridik, me objekt veprimtarie të saj në fushën e ndërtimeve.
2. Pala paditëse shoqëria “Joel Konstruksion”sh.p.k është shpallur fituese në tenderët e zhvilluara nga pala e paditur me objekt “Sistemim asfaltim rruge” në blloqet e pallateve në Lagjet nr.15, 15 e vazhdim e 17 /1 në qytetin e Korçës.
3. Sa më sipër midis palës paditëse shoqëria “Joel Konstruktion” Sh.p.k në rolin e sipërmarrësit dhe Bashkisë Korçë në rolin e investitorit dhe autoritetit kontraktor janë lidhur tre kontrata sipërmarrje, konkretisht, kontrata e datës 12.07.2010 “Sistemim asfaltim rruge” në blloqet e pallateve Lagja 17/1 Korçë, kontrata e datës 20.07.2010 “ Sistemim asfaltim rruge” në blloqet e pallateve Lagja nr.15 Korçë dhe kontrata e datës 20.07.2010 “Sistemim asfaltim rruge “ në blloqet e pallateve Lagja nr.15 në vazhdim Korçë”.
4. Në lidhje me kontratën për sistemim asfaltim rruge në Lagja 15 Korçë punimet kanë filluar në dt. 20.07.2010, vlera fillestare e saj ka qenë 4.111.183 lekë, afati i realizimit të punimeve 30 ditë. Mënyra e pagesës për vitin 2010 do të likuidohej vlera 1.000.000 lekë, kjo vlerë është likuiduar brenda afatit të kontratës. Situacioni nr.2 me vlerë 688.812 është likuiduar në dt. 19.04.2012 d.m.th me 266 ditë vonesë. Rezulton se nga ana e palës së paditur Bashkisë Korçë janë aplikuar penalitetet për vonese punimesh për 72 dite që fillojnë nga dt. 12.04.2011 në shumën 553.831 lekë.
5. Në lidhje me kontratën për sistemim asfaltim rruge në Lagja 15 vazhdim Korçë punimet kanë filluar në dt. 20.07.2010, vlera fillestare e saj ka qenë 6.624.107 lekë, afati i realizimit të punimeve 45 ditë. Mënyra e pagesës për vitin 2010 do të likuidohej vlera 3.200.000 lekë, është likuiduar vetëm vlera 1.716.424 lekë megjithëse volumet e kryera kanë qenë më shumë sesa vlera e likuiduar. Situacioni dy me vlerë 1.648.440 lekë shifër e likuiduar në dt. 14.04.2011 d.m.th 266 ditë vonesë. Situacioni tre me vlere 211.428 leke është likuiduar me 270 ditë vonesë d.m.th 19.04.2012. Rezulton se nga ana e palës së paditur Bashkisë Korçë janë aplikuar penalitetet për vonese punimesh për 72 ditë që fillojnë nga dt. 12.04.2011 deri në dt. 14.07.2011 në shumën 856.764 lekë.
6. Ne lidhje me kontratën për sistemim asfaltim rruge në Lagj. 17/1 Korçë vlera fillestare e saj ka qenë 6.958.186 lekë, afati i realizimit të punimeve 45 ditë. Mënyra e pagesës për vitin 2010 do të likuidohej vlera 1.500.000 lekë, kjo vlerë është likuiduar brenda afatit të kontratës. Situacioni nr.2 me vlerë 1.750.930 është likuiduar në dt. 19.04.2012 d.m.th me 266 ditë vonesë. Rezulton se nga ana e palës së paditur Bashkisë Korçë janë aplikuar penalitetet për vonesë punimesh për 72 ditë që fillojnë nga dt. 12.04.2011 në shumën 808.754 lekë.
7. Sa më sipër nga ana e palës së paditur Bashkia Korçë në cilësinë autoritetit kontraktor e i është mbajtur shuma 2.219.349 lekë në formë penaliteti për tre kontratat e sipërpërmendura.
8. Ndodhur në këto kushte pala paditëse shoqëria “Joel Konstruksion” sh.p.k i është drejtuar gjykatës me padinë objekt gjykimi duke kërkuar pagimin e shumës 2.219.349 lekë pasi është mbajtur pa të drejtë nga vlera e punimeve të kryera.
9. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin nr.41-2013-3761 (2008) datë 26.09.2013 vendosi: ”Pranimin e kërkesë padisë. Detyrimin e palës së paditur Bashkia Korçë ti kthejë paditësit shoqëria “ Joel konstruksion” sh.p.k shumën prej 2.219.349 lekë të mbajtura në formë penaliteti. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës së paditur”.
9.1 Arsyetimi i Gjykatës: “Duke iu referuar rrethanave faktike të çështjes në rastin konkret nuk jemi përpara rastit të dorëzimit të punimeve me vonese por përpara faktit të zgjidhjes së kontratave në mënyrë të njëanshme nga sipërmarrësi shoqëria “Joel Konstruksion” sh.p.k. Pavarësisht pretendimit të palës paditëse se mospërfundimi i punimeve ka ardhur si rezultat i mospagimit në kohë të pagesave sipas punimeve të kryera, referuar situacioneve përfundimtare rezulton se punimet nuk kanë përfunduar brenda afatit të përcaktuar nga palët në këto kontrata. Pas ndërprerjes dhe pezullimit të punimeve datë 01.08.2010, dhe datë 02.12.2010, vete palët me marrëveshjen e tyre kanë hartuar grafiket e rishikuar të punimeve sipas propozimit teknik dt. 02.12.2010 të cilat janë nënshkruar prej tyre duke përcaktuar se punimet do të rifillonin javën e fundit të Marsit 2011 dhe do te përfundonin dt. 15.04.2011. Referuar nenit 4 të kontratave të lidhura midis palëve dhe shtyrjeve të sipërcituara kjo datë do të konsiderohet si data përfundimtare e dorëzimit te punimeve pra përfundimit të afatit të kontratave. Në kushtet kur pala paditëse shoqëria “Joel Konstruksion” sh.p.k nuk ka përmbushur detyrimet e përcaktuara brenda këtij afati dhe në kushtet kur nuk ka rezultuar zgjatja tjetër e tij me marrëveshje të palëve si dhe nuk është kërkuar zgjidhja e kontratave nga pala e paditur për këtë shkak me mbarimin e këtij afati i cili është një afat zgjidhës kontratat kanë pushuar fuqinë juridike të tyre. Gjate hetimit gjyqësor rezultoi se pala e paditur tej këtij afati i ka kërkuar palës paditëse rifillimin dhe përfundimin e punimeve gjë e cila nuk ka ndodhur dhe me shkresën nr.1094 prot datë 14.07.2011 ka vendosur zgjidhjen e kontratave. Pavarësisht këtij konstatimi gjykata çmon se ndodhemi përpara faktit se kontratat kane përfunduar dhe pala paditëse shoqëria “Joel Konstruksion” shpk nuk arriti të përmbushte detyrimet për përfundimin e punimeve të përcaktuara sipas kushteve të kontratave dhe për këtë arsye palës së paditur Bashkia Korçë i lind e drejta për të kërkuar dëmshpërblimin e dëmit qe i është shkaktuar nga kjo mospërmbushje e cila nuk shprehet me vendosjen e penaliteteve ( duke u llogaritur prej datës që duhet të përfundonin punimet deri në datë 14.07.2011 kur është kërkuar zgjidhja e kontratave) pasi siç u arsyetua me lart nuk jemi përpara rastit te aplikimit të këtij sanksioni referuar nenit 27 të kontratave. Pala e paditur në rastin konkret në kushtet e përfundimit të afatit të kontratave dhe të mospërfundimit të punimeve referuar nenit 35 të kontratave ka të drejtë të mbaje shumën e sigurimit në vlerën 10% të kontratave si kompensim për çdo humbje të rezultuar nga dështimi i kontraktorit në plotësimin e detyrimeve të tij sipas kontratave, (shume e cila është ngurtësuar nga sipërmarrësi në llogari të investitorit ) si dhe të kërkojë të gjitha dëmshpërblimet e tjera.”.
10. Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr.59 datë 21.02.2014 vendosi: “Lënien në fuqi të vendimit nr.2008 datë 26.09.2013 të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë”.
10.1 Arsyetimi i gjykatës:“ I njëjtë me atë të faktit”.
11. Kundër vendimit nr.59 datë 21.02.2014 të Gjykatës së Apelit Korçë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala e paditur Bashkia Korçë e cila kërkon ndryshimin e vendimeve dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e pasqyruar në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
12. Dispozitat e ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
12.1 Neni 1/2: “Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe”.
12.2 Neni 17/2: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
12.3. Neni 54: “Gjykata Administrative e Apelit prish vendimin e gjykatës administrative të shkallës së parë dhe ia dërgon çështjen organit kompetent për rigjykim kur: a) gjykata administrative e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën lëndore dhe funksionale....”.
13. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile;
13.1. Neni 467: “Gjykata e apelit prish vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe e dërgon çështjen për rigjykim kur: a) gjykata e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën...”
14. Vendimi unifikues nr.3 datë 06.12.2013 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë;
15. Dekreti nr.8349 datë 14.10.2013 i Presidentit të Republikës së Shqipërisë;
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
16. Se pas shqyrtimit të akteve procedurale që ndodhen në dosjen gjyqësore, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve të palëve të parashtruara në këto akte, vendimit të gjykatës dhe parashtrimeve të rekursit, në interpretim të dispozitave ligjore të zbatueshme për rastin konkret, arrin në konkluzionin se vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit Korçë është marrë në shkelje të ligjit procedural, në kushtet kur kjo gjykatë ka shkelur dispozitat ligjore për kompetencën lëndore. Prandaj, për këtë shkelje të dispozitave procedurale, vendimi i dhënë prej saj duhet të prishet e çështja të dërgohet për gjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
17. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar drejtë ose jo. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve për të cilat është paraqitur rekurs.
18. Në analizë të akteve dhe provave të administruara në dosjen gjyqësore rezulton se pala paditëse shoqëria “Joel Konstruksion”sh.p.k i është drejtuar me padi gjykatës, duke kërkuar përmbushjen e detyrimit kontraktor i cili rrjedh nga një kontratë sipërmarrje publike.
19. Me vendimin nr.2008 datë 26.09.2013 të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, në përfundim të gjykimit ka vendosur të pranojë padinë. Mbi ankimin e palës së paditur, Gjykata e Apelit Korçë me vendimin nr.59 datë 21.02.2014 ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e gjykatës së rrethit gjyqësor.
20. Në rastin konkret nga objekti i gjykimit, si dhe nga shkaku ligjor i kërkimeve të padisë, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konstaton se natyra e çështjes në gjykim është administrative.
21. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë pa i hyrë zgjidhjes në themel të çështjes konstaton se nga Gjykata e Apelit Korçë janë lejuar shkelje të ligjit procedural që lidhen me kompetencën lëndore të gjykatës për të gjykuar çështjen, të cilat pasjellin zhvillimin e një procesi jo të rregullt ligjor.
22. Kolegji Administrativ e gjen me vend të konfirmojë qëndrimin se kompetenca e gjykatës nga pikëpamja lëndore për gjykimin e një mosmarrëveshje është shumë e rëndësishme si një element që garanton procesin e rregullt ligjor. Nëse një gjykatë nuk ka juridiksion/kompetencë për të gjykuar çështjen objekt shqyrtimi, në përputhje me dispozitat që zbatohen sipas legjislacionit përkatës, ajo nuk është një gjykatë “e krijuar me ligj” sipas kuptimit të nenit 42/2 të Kushtetutës dhe nenit 6/1 të Konventës Evropiane. Nëse një gjykatë nuk ka juridiksion/kompetencë për të gjykuar çështjen objekt shqyrtimi, në përputhje me dispozitat që zbatohen sipas legjislacionit përkatës nuk mund të kryejë asnjë veprim procedural.
23. Në kuptimin e së drejtës procedurale, kompetenca lëndore është një kusht i domosdoshëm procedural, që bën të vlefshëm procesin gjyqësor, si dhe të gjitha aktet e marra në administrim gjatë zhvillimit të tij, në kuptimin që një gjykatë jokompetente nuk mund të kryejë asnjë veprimtari procedurale dhe një gjykatë jokompetente duhet të deklarojë moskompetencën e saj, (neni 61 K.Pr.Civile, neni 7 i Ligjit 49/2012). Këto parime janë përcaktuar qartë në Ligjin nr.9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, në Ligjin nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykata administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” si dhe në Kodin e Procedurës Civile.
24. Me Dekretin nr.8349 datë 14.10.2013 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë është përcaktuar data 04.11.2013 si data e fillimit të funksionimit të Gjykatave Administrative. Ndërkohë që, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.3 datë 6.12.2013, kanë konkluduar se: “Gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.2013, respektivisht në gjykatat e shkallës së parë, të apelit apo në Gjykatë të Lartë dhe deri në këtë datë shqyrtimi në këto gjykata nuk ka përfunduar akoma”.
25. Si rrjedhojë, duke nisur nga data 04.11.2013 të gjitha mosmarrëveshjet që kanë qenë administrative, janë në kompetencë dhe janë objekt gjykimi i gjykatave administrative sipas parashikimeve të ligjit 49/2012, pavarësisht nëse çështja gjyqësore i është paraqitur gjykatës për shqyrtim është regjistruar ose ka qenë në gjykim, në çdo shkallë të gjykimit, përpara datës 04.11.2013.
26. Kolegji vëren se vendimi i Gjykatës së Apelit Durrës është shpallur në datën 21.02.2014, pra pas datës 04.11.2013. Nisur nga sa u trajtua më sipër të gjitha çështjet që përbëjnë mosmarrëveshje administrative pas datës 04.11.2013 duhet të shqyrtoheshin nga gjykatat administrative, ndërkohë që Gjykata e Apelit Korçë nuk e ka konstatuar mungesën e kompetencës lëndore për shqyrtimin e çështjes dhe ka dhënë një vendim në kundërshtim me dispozitat ligjore të zbatueshme duke sjellë si pasojë zgjidhjen e çështjes nga gjykata jo kompetente nga pikëpamja lëndore.
27. Në përfundim, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në konkluzionin se mosrespektimi i kompetencës lëndore nga ana e gjykatës përbën shkelje të rëndë procedurale, e cila ndikon drejtpërsëdrejti në dhënien e vendimit, e cila e bën vendimin gjyqësor absolutisht të pavlefshëm. Gabimet në procedim, të cilat parashikohen në nenin 467/a të K.Pr.Civile dhe në nenin 54 të ligjit nr.49/2012, shqyrtohen nga gjykata edhe kryesisht, pikërisht për shkak të efektit të drejtpërdrejtë që ato kanë në vendimin e dhënë.
28. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson të theksojë se në çështjen objekt gjykimi, nuk mund të marrë në shqyrtim dhe të analizojë, nëse ligji material është zbatuar drejtë apo jo nga gjykatat e faktit.
29. Për sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi nr.59 datë 21.02.2014 i Gjykatës së Apelit Korçë duhet të prishet dhe çështja t’i dërgohet Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë si gjykatë kompetente nga pikëpamja lëndore për shqyrtimin e çështjes.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63 të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.59 datë 21.02.2014 të Gjykatës së Apelit Korçë dhe dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
Tiranë, më 24.03.2016
Nr. 11241-00873-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016- 1003 i Vendimit (189)
Do'stlaringiz bilan baham: |