VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 30.03.2016, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: XHEMAL MOLLA
E PADITUR: KOMUNA KOMSI
OBJEKTI:
Detyrimin gjyqësisht të palës së paditur të më dëmshpërblejë mua
me 1 (një) vit page si rezultat i zgjidhjes së kontratës së punë
s në mënyrë të menjëherëshme e të pajustifikuar,
duke i shtuar këtij dëmshpërblimi,
pagimin e 2(dy) pagave mujore për mosrespektim të procedurës
së zgjidhjes së marrëdhënies së punës,
si dhe pagimin e shpërblimit për vjetërsi në punë.
Baza Ligjore: Nenet 141, 143, 144/5, 145/3, 155/3 të K.Punës.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat me vendimin nr.20, datë 23.01.2013, ka vendosur:
“Pranimin pjesërisht të padisë së paditësit Xhemal Molla.
Detyrimin e palës së paditur Komuna Komsi, t’i paguajë paditësit Xhemal Molla si dëmshpërblim pagën e 8 (tetë) muajve për shkak të zgjidhjes së menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës.
Detyrimin e palës së paditur Komuna Komsi, të dëmshpërblejë paditësin me pagën e 15 (pesëmbëdhjetë) 15 - ditëshave, si shpërblim për vjetërsi në punë.
Rrëzimin e padisë për pjesët e tjera të kërkimit.
Shpenzimet gjyqësore në shumën 52.000 (pesëdhjetë e dy mijë) lekë në ngarkim të palës së paditur Komuna Komsi.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.525 datë 20.02.2014, ka vendosur:
“Moskompetencën e Gjykatës së Apelit Tiranë për shqyrtimin e çështjes civile nr.2740/485 akti datë rregjistrimi 25.02.2013, si dhe dërgimin e saj për kompetencë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë”.
Gjykata e Apelit Administrativ, me vendimin nr.2205, datë 03.06.2014, ka vendosur:
“Ndryshimin e vendimit nr.20, datë 23.01.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat në këtë mënyrë: Rrëzimin e padisë”.
Kundër vendimit nr.2205, datë 03.06.2014, të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs paditësi Xhemal Molla, i cili kërkon ndryshimin e vendimit nr.2205 datë 03.06.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit dhe lënien në fuqi vendimin nr.20 datë 23.01.2013, të Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Mat, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit Administrativ Tiranë është rezultat i mosrespektimit dhe zbatimit të keq të ligjit dhe me shkelje të rënda proçeduriale që kanë ndikuar në dhënien e vendimit.
-
Gjykata e Rrethit Mat me të drejtë ka vendosur pranimin e padisë dhe detyrimin e anës së paditur të dëshpërblente me 8 paga mujore paditësin, për zgjidhje të kontratës së punës në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar sepse Gjykata u bazua në tërësinë e të gjitha provave shkresore që janë administruar në dosjen gjyqësore si librezën e punës ku pasqyrohet se paditësi ka qënë në marrëdhënie pune me anën e paditur 15.11.1996 deri më datë 23.04.2014, vërtetimin e largimit nga puna të Komunës Komsi ku theksohet që sipas anës së paditur zgjidhja e marrëdhënieve të punës, bëhet për shkak të ndyshimeve në strukturën organike të Komunës Komsi. Në bazë të kësaj strukture sektorit të shërbimeve i shtohet dhe sektori tjetër i shërbimit pyjor.
-
Gjykata e Apelit Administrativ Tiranë me pa të drejtë e ka rrëzuar çështjen civile për dëmshpërblim page sepse vetë Këshilli i Komunës ka bërë strukturë të re organizative jo në funksion dhe për qëllime të mira të punës por për të favorizuar punësimin e personave konkret në këtë komunë.
-
Pala e paditur largimin e ka bërë për inate personale sepse ana e paditur mund ta bashkonte sektorin e pyjeve me atë të bujqësisë dhe jo me atë të ekonomikut.
-
Me të drejtë Gjykata e Matit duke u bazuar ne provat e administruara në seancë gjyqësore ka çmuar se nuk janë zbatuar drejt kërkesat ligjore për pushimin nga puna dhe ajo vendosi ta dëmshpërblejë paditësin me 8 paga për zgjidhje të menjëhershme të kontratës së punës si dhe me vjetërsinë në punë sepse paditësi kishte 15 vite në punë dhe nuk kishte asnjë shkelje të kontratës së punës as me faj të rëndë dhe as me faj të lehtë.
-
Në seancë gjyqesore ana e paditur nuk arriti të provojë asnjë motiv për largirn të justifikuar nga puna.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Arjana Fullani, si dhe pasi bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Siç rezulton nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, paditësi Xhemal Molla, ka filluar punë në Komunën Komsi, rrethi Mat më datë 15.11.1996. Mardhëniet e punës kanë vazhduar deri në datën 31.07.2012.
2. Paditësi në këtë institucion, ka kryer kryesisht detyrën e përgjegjësit të investimeve dhe inspektor shërbimesh.
3. Me vendimin nr.01 datë 23.04.2012, të Kryetarit të Komunës Komsi, paditësi i është zgjidhur marrëdhënia e punës dhe marrëdhëniet e finaciare i ndërpriten në datë 31.07.2012. Në momentin e largimit nga detyra, ai kryente detyrën e inspektorit të shërbimeve. Sipas palës së paditur, zgjidhja e marrëdhënieve të punës, bëhet për shkak të ndryshimeve në strukturën organizative të Komunës Komsi. Në bazë të strukturës së miratuar me vendimin nr.4, datë 23.01.2012 të Këshillit të Komunës, sektorit të shërbimeve i shtohet edhe sektori i shërbimit pyjor. Në këto kushte dhe kur organika e këtij sektori është vetëm me një person, është menduar që në këtë zyrë të punojë një person me kualifikim Ing.Pyjesh. Duke qënë se paditësi Xhemal Molla, ishte me arsim ekonomik, është konsideruar i tepërt dhe pa mundësi punësimi jo vetëm në këtë zyrë por në ndonjë pozicion tjetër në komunë.
4. Me shkresën nr.161 prot, datë 11.04.2012 pala e paditur e ka njoftuar paditësin për takimin që do të zhvillohej në datë 16.04.2012, ora 10°° për të marrë dijeni në lidhje me ndërprerjen e marrëdhënieve të punës. Takimi është zhvilluar në datë 16.04.2012 në prani të paditësit të cilit i është dhënë mundësia të shprehet, provuar ky fakt me protokollin e takimit të kësaj date. Me vendimin nr.01 datë 23.04.2012 të Kryetarit të Komunës Komsi, paditësi është larguar nga puna.
5. Paditësi duke e konsideruar zgjidhjen e marrëdhënieve të punës të njëanshme, me efekte të menjëhershme dhe pa shkaqe të justifikuara, ka paraqitur padinë, duke kërkuar dëmshpërblim siç përshkruhet në pjesën hyrëse të vendimit
6. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat me vendimin nr.20, datë 23.01.2013, ka vendosur:
-
“Pranimin pjesërisht të padisë së paditësit Xhemal Molla.
-
Detyrimin e palës së paditur Komuna Komsi, t’i paguajë paditësit Xhemal Molla si dëmshpërblim pagën e 8 (tetë) muajve për shkak të zgjidhjes së menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës.
-
Detyrimin e palës së paditur Komuna Komsi, të dëmshpërblejë paditësin me pagën e 15 (pesëmbëdhjetë) 15 - ditëshave, si shpërblim për vjetërsi në punë.
-
Rrëzimin e padisë për pjesët e tjera të kërkimit.
-
Shpenzimet gjyqësore në shumën 52.000 (pesëdhjetë e dy mijë) lekë në ngarkim të palës së paditur Komuna Komsi.
6.1 Arsyetimin i gjykatës: “...Gjykata çmon se nga analiza e fakteve dhe dispozitës së sipërpërmendur, zgjidhja e kontratës së punës e bërë në mënyrë të menjëhershme nga ana e palës së paditur, është e pajustifikuar pasi në analizë të katër kushteve të Nenit 153 asnjë prej tyre nuk provohet të jetë shkelur nga ana e punëmarrësit (paditësit). Kështu, paditësi nuk ka kryer asnjë shkelje të detyrimeve kontraktuale që burojnë nga vetë natyra e marrëdhënies së punës apo nga detyrimet që burojnë nga Kodi i Punës, Nenet 22 – 26 të tij. Nuk u provua asnjë motiv për largimin e justifikuar nga puna të paditësit....
....Lidhur me proçedurën e zgjidhjes së kontratës së punës nga ana e punëdhënësit, gjykata nga analiza e fakteve dhe dispozitës përkatëse neni 144 i Kodit të Punës, çmon se procedura nga ana e punëdhënësit është respektuar. Prova ligjore që përcakton respektimin e kësaj procedure janë njoftimet me shkrim për zhvillimin e takimit, organizimi i takimit për kryerjen e bisedimeve më datë 16.04.2012 si dhe takimi për komunikimin e vendimit, më datë 24.03.2012. Pra, në vështrim të sa sipër, gjykata çmon se ky kërkim i kërkesë–padisë për këtë lloj dëmshpërblimi (mosrespektim i procedurës) është i pabazuar në ligj dhe prova dhe duhet rrëzuar...
...Po ashtu, paditësi ka kërkuar që të dëmshpërblehet edhe për vjetërsinë në punë sipas nenit 145 të Kodit të Punës. Duke pranuar se zgjidhja e marrëdhënieve të punës është kualifikuar si zgjidhje e menjëhershme dhe e pajustifikuar, sipas nenit 145/2 të K.Punës, paditësi përfiton shpërblim për vjetërsinë. Sipas provave të administruara, punëmarrësi ka punuar pranë palës së paditur për një periudhë prej 15 vitesh dhe për këtë arsye në kuptim e zbatim të ligjit ai duhet të shpërblehet me pagën 7(shtatë) muaj e 15 (pesëmbëdhjetë) 15 ditë...”
7. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.525 datë 20.02.2014, ka vendosur: “Moskompetencën e Gjykatës së Apelit Tiranë për shqyrtimin e çështjes civile nr.2740/485 akti datë rregjistrimi 25.02.2013, si dhe dërgimin e saj për kompetencë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë”.
8. Gjykata e Apelit Administrativ, me vendimin nr.2205, datë 03.06.2014, ka vendosur: “Ndryshimin e vendimit nr.20, datë 23.01.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat në këtë mënyrë: Rrëzimin e padisë”.
8.1 Arsyetimi i gjykatës: “Gjykata Administrative e Apelit vlerëson se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë është marrë në interpretim dhe zbatim të gabuar të ligjit material në raport me faktet dhe provat objekt gjykimi dhe ka vend për t’u ndryshuar për këto arsye:
Kontrata e punës mes palëve ka qënë me afat të pacaktuar, përsa kohë palët nuk kanë patur marrëveshje të kundërt. Për këtë arsye, në analizën ligjore gjykata e shkallës së parë me të drejtë i është referuar Kreut XIV të Kodit të Punës, kontrata me kohëzgjatje të pacaktuar(nenet 141-148 të Kodit të Punës). Sipas nenit 141 të Kodit të Punës “Kontrata me kohëzgjatje të pacaktuar përfundon kur zgjidhet nga njëra palë dhe ka përfunduar afati i njoftimit. Neni 143/1 i Kodit të Punës bën pjesë në dispozitat e Kreut XIV të Kodit të Punës që normojnë kontratën me kohëzgjatje të pacaktuar.
Me urdhrin nr.11, datë 30.07.2012, pala e paditur e ka përmbushur detyrimin e saj ligjor për pagimin e paditësit me 3 muaj për afatin e njoftimit dhe për këtë arsye nuk mund të aplikohet dëmshpërblim sipas kësaj dispozite, ashtu sikundër me të drejtë ka konkluduar edhe gjykata e shkallës së parë.
Pala e paditur ka respektuar procedurën e zgjidhjes së kontratës së punës që parashikon neni 144 i Kodit të Punës(njoftimi me shkrim i punëmarrësit, bisedimet, parashtrimi i shkaqeve, replika, etj). Me provat të marra në shqyrtim gjyqësor pala e paditur ka provuar që kjo procedurë është respektuar. Me shkresën nr.161 prot, datë 11.04.2012 pala e paditur e ka njoftuar paditësin për takimin që do të zhvillohej në datë 16.04.2012, ora 10°° për të marrë dijeni në lidhje me ndërprerjen e marrëdhënieve të punës. Takimi është zhvilluar në datë 16.04.2012 në prani të paditësit të cilit i është dhënë mundësia të shprehet, provuar ky fakt me protokollin e takimit të kësaj date. Pra pala e paditur ka përmbushur detyrimin ligjor të respektimit të procedurës që parashikon neni 144 i Kodit të Punës.
Bazuar dhe në vendimin unifikues nr.19 datë 15.02.2007 duke qënë se pala e paditur ka respektuar afatin e njoftimit dhe procedurën e zgjidhjes së kontratës së punës, zgjidhja e kontratës është e vlefshme dhe paditësi nuk është në kushtet e përfitimit të dëmshpërblimeve ligjore që parashikon Kodi i Punës. Pala e paditur në përputhje me ligjin i ka akorduar paditësit edhe shpërblimin për pushimet vjetore që i takojnë sipas nenit 94/5 të Kodit të Punës.
9. Kundër vendimit nr.2205, datë 03.06.2014, të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs paditësi Xhemal Molla, i cili kërkon ndryshimin e vendimit nr.2205 datë 03.06.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit dhe lënien në fuqi vendimin nr.20 datë 23.01.2013, të Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Mat, duke parashtruar shkaqet e pasqyruar në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
10. Ligji nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
10.1 Neni 1/2: “Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe”.
10.2 Neni 17/2: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
11. Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë:
11.1. Neni 141: “Kontrata me kohëzgjatje të pacaktuar përfundon kur zgjidhet nga njëra palë dhe ka përfunduar afati i njoftimit”.
11.2. Neni 145: “1) Punëmarrësi përfiton shpërblim për vjetërsi, kur kontrata është zgjidhur nga punëdhënësi dhe marrëdhëniet e punës kanë zgjatur jo më pak se tre vjet. Punëmarrësi e humb të drejtën e shpërblimit për vjetërsi, nëse është pushuar me efekt të menjëhershëm, për shkaqe të arsyeshme. 2) Shpërblimi për vjetërsi është të paktën sa paga e një 15 ditëshi, mbi çdo vit pune të plotë, që llogaritet në bazë të pagës që ekziston në përfundim të marrëdhënieve të punës. Kur paga është e ndryshueshme, shpërblimi llogaritet mbi mesataren e pagës të vitit paraardhës dhe indeksohet. 3) Shpërblimit për vjetërsi i shtohet shpërblimi që jepet në rastin e zgjidhjes së kontratës pa shkaqe të arsyeshme ose të zgjidhjes me efekt të menjëhershëm pa shkaqe të arsyeshme”.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
12. Se rekursi i paraqitur nga paditësi Xhemal Molla, përmban shkaqe ligjore që motivojnë cënimin e pjesshëm të vendimit nr.2205, datë 03.06.2014, të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, por vetëm përsa ka të bëjë me shpërblimin për vjetërsi në punë.
13. Në shqyrtim të akteve të ndodhura në dosjen gjyqësore, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve të palëve të parashtruara në këto akte, vendimit të gjykatës dhe parashtrimeve të rekursit, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në interpretim të dispozitave ligjore të zbatueshme për rastin konkret, arrin në konkluzionin se vendimi nr.2205, datë 03.06.2014, i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë për pjesën që ka ndryshuar vendimin nr.20 datë 23.01.2013, të Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Mat dhe rrëzuar padinë për kërkimin për shpërblimin për vjetërsi në punë është marrë në zbatim të gabuar të ligjit material në zgjidhjen e mosmarrëveshjes objekt shqyrtimi dhe si pasojë vetëm për këtë pjesë duhet të ndryshohet.
14. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar drejtë ose jo. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve të gjykatave të faktit.
15. Nga provat e administruara e vlerësuara nga gjykatat e faktit rezulton se paditësi Xhemal Molla ka qënë në marrëdhënie pune pranë palës së paditur Komuna Komsi nga data 15.11.1996 e deri në datën 31.07.2012. Marrëdhëniet e punës ndërmjet palëve ndërgjyqëse rregullohen me kontratë pune pa afat të caktuar.
16. Ky kolegj evidenton se me padinë në gjykim, paditësi ka kërkuar: (i); 1 (një) vit pagë për zgjidhjen e kontratës së punës në mënyrë të menjëherëshme e të pajustifikuar (ii) 2 (dy) paga mujore për mosrespektim të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës; (iii) pagën për vjetërsi në punë.
17. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat ka vendosur të pranoj pjesërisht padinë duke i njohur paditësit Xhemal Molla dëmshpërblim pagën e 8(tetë) muajve për shkak të zgjidhjes së menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës dhe dëmshpërblim me pagën e 15 (pesëmbëdhjetë) 15 - ditëshave, si shpërblim për vjetërsi në punë. Ndërsa për kërkimet e tjera ka vendosur rrëzimin e padisë. Gjykata e Apelit Administrativ ka vendosur ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat dhe rrëzimin e padisë për të gjitha kërkimet e parashtruara nga paditësi në padi.
18. Arsyetimi dhe përfundimi i arritur nga Gjykata Administrative e Apelit për rrëzimin e padisë në tërësi është i gabuar si rrjedhojë e interpretimit të gabuar të nenit 145 të Kodit të Punës që parashikon të drejtën e shpërblimit për vjetërsi në punë. Për pje
19. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konstaton se në rastin e ndërprerjes së mardhënieve të punës me paditësin, pala e paditur/punëdhënësi ka zbatuar afatin e njoftimit dhe procedurën të parashikuara shprehimisht në nenet 143 dhe 144 të K.Punës. Pra punëdhënësi ka zgjidhur mardhëniet e punës me paditësin në mënyrë të zakonshme(jo të menjëhershme) dhe jo për shkaqe abuzive të parashikuara nga neni 146 i K.Punës.
20. Në vendimin unifikues nr.19 datë 15.11.2007, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë shprehen: “Si përfundim, kur punëdhënësi, referuar e në zbatim të nenit 141 e vijues të Kodit të Punës, zgjidh në mënyrë të njëanshme kontratën e punës me afat të pacaktuar, punëmarrësi jo në mënyrë të domosdoshme ka të drejtë të përfitojë edhe dëmshpërblimin deri në një vit page. Në vijim të këtij konkluzioni, respektimi i kërkesave të nenit 141, 143, 144, 145 të Kodit të Punës nga punëdhënësi, si rregull, passjell përfundimin në mënyrë të natyrshme të kontratës së punës dhe respektimin e të gjitha të drejtave të punëmarrësit... Vetëm kur vërtetohet zgjidhja e kontratës pa shkaqe të arsyeshme, siç janë shkaqet e përcaktuara në mënyrë taksative në nenin 146 të Kodit të Punës punemarrësi ka të drejtën e përfitimit të dëmshpërblimit deri në një vit page”.
21. Ky kolegj, në interpretim të harmonishëm të parimeve të përgjithshme që rregullojnë marrëdhëniet e punës e të sanksionuara në Kodin e Punës me dispozitat e Kreut XIV të po këtij Kodi, ku janë përcaktuar rregullimet ligjore të përfundimit të marrëdhënieve të punës, e vlerëson të drejtë arsyetimin dhe përfundimin e arritur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat që i ka njohur paditësit të drejtën e shpërblimit për vjetërsi.
22. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se zgjidhja e zakonshme e marrëdhënieve të punës është një formë e përfundimit të marrëdhënies së punës, që kryhet nga ana e punëdhënësit në mënyrë të njëanshme dhe jo për shkaqe që kanë të bëjnë me punëmarrësin. Nga përmbajtja e neneve 141, 143 dhe 144 të K.Punës rezulton se janë përcaktuar afatet dhe procedurat e detyrueshme që duhet të ndiqen nga punëdhënësi në rastet e zgjidhjes së marrëdhënieve të punës. Në të kundërt, nëse punëdhënësi nuk respekton afatin e njoftimit dhe procedurën e pushimit nga puna sipas parashikimeve të këtyre dispozitave, ai ngarkohet me përgjegjësi civile, duke u detyruar të dëmshpërblejë punëmarrësin.
23. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se shpërblimi për vjetërsi në punë është një institut juridik i ndryshëm në emërtim dhe në përmbajtje nga dëmshpërblimi si përgjegjësi civile, përfshi këtu dhe dëmshpërblimin që rrjedh nga marrëdhëniet e punës.
24. Dëmshpërblimi i lindur nga marrëdhëniet e punës ka të bëjë me kompensimin e dëmit të shkaktuar punëmarrësit nga ndërprerja e marrëdhënies së punës pa respektuar kriteret e përcaktuara nga dispozitat e Kodit të Punës. Ky dëmshpërblim është sanksion ndaj punëdhënësit dhe lidhet me vërtetimin ose jo të fakteve nëse punëdhënësi ka respektuar ose jo procedurën e zgjidhjes së kontratës së punës, afatet e njoftimit dhe nëse zgjidhja e kontratës së punës është bërë ose jo për shkaqe të justifikuara apo nga ato të parashikuara në nenin 146 të Kodit të Punës.
25. Ndërsa, shpërblimi për vjetërsi në punë nuk është sanksion ndaj punëdhënësit, por është një formë vlerësimi material për punëmarrësin. Ai është një përfitim që duhet t’i paguhet punëmarrësit për kontributin që ka dhënë për punëdhënësin. Ky shpërblim nuk jepet në rastet përjashtuese të parashikuara në nenin 145 të Kodit të Punës.
26. Kolegji Administrativ çmon se shpërblimi për vjetërsi në punë zbatohet në mënyrë subsidare, ju shtohet dëmshpërblimeve të tjera nëse ka vend për to dhe nuk kushtëzohet nga mënyra e zgjidhjes së marrëdhënies së punës, me përjashtim të rastit kur punëmarrësi largohet nga puna në mënyrë të menjëhershme dhe të justifikuar apo kur ai vetë, me vullnetin e tij i jep fund marrëdhënies së punës. Në këtë kuptim, në çdo rast kur marrëdhënia e punës përfundon për arsye që kanë të bëjnë me punëdhënësin dhe ekzistojnë kushtet e nenit 145 të Kodit të Punës, punëmarrësi përfiton shpërblimin për vjetërsi në punë. Përsa i përket masës të këtij shpërblimi, ai përcaktohet sipas kritereve të pikës 2 të nenit 145 të Kodit të Punës.
27. Nga interpretimi i nenit 145/1 të K.Punës, gjykata çmon se tre kushtet ligjore për të legjitimuar paditësin në këtë kërkim plotësohen në mënyrë kumulative pasi: (i) Zgjidhja e kontratës është bërë nga ana e palës së paditur pra nga punëdhënësi në kuptim të ligjit, dhe jo nga ana e punëmarrësit. (ii) Zgjidhja e kontratës së punës nuk është bërë me efekt te menjëhershëm për shkaqe të justifikuara. (iii) Marrëdhëniet e punës me palën e paditur kanë zgjatur me shumë se tre vjet. Rezultoi e provuar që marrëdhëniet e punës së paditësit me palën e paditur (punëdhënësin) kanë zgjatur për 15(pesëmbëdhjetë) vite të plota pune.
28. Sipas nenit 145/2 te K.Punës shpërblimi për vjetërsi është të paktën sa paga e një 15 ditëshi mbi ç’do vit pune të plotë që llogaritet në bazë të pagës që ekziston në përfundim të marrëdhënieve të punës. Në lidhje me shpërblimin për vjetërsi që i takon paditësit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat thekson se duke qënë se paditësi ka 15(pesëmbëdhjetë) vite të plota pune (Nga data 15.11.1996 e deri në datën 31.07.2012, si data kur përfundon kontrata e punës në kuptim të nenit 141 të K.Punës) atëherë edhe shpërblimi për vjetërsi do të jetë e barabartë me me pagën e 15 (pesëmbëdhjetë) 15 - ditëshave.
29. Për sa më sipër u arsyetua, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi nr.2202, datë 03.06.2014 i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë duhet të lihet në fuqi me këtë ndryshim duke i njohur paditësit të drejtën e shpërblimit për vjetërsinë në punë.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në mbështetje të shkronjës “dh” të nenit 63 të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.2205, datë 03.06.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë me këtë ndryshim:
Pranimin pjesërisht të padisë.
Detyrimin e palës së paditur Komuna Komsi të dëmshpërblejë paditësin Xhemal Molla me pagën e e 15 (pesëmbëdhjetë) 15 - ditëshave, si shpërblim për vjetërsi në punë.
Rrëzimin e padisë për kërkimet e tjera.
Tiranë, më 30.03.2016
Nr. 31001-03781-00-2014 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2016 - 2068 i Vendimit (203)
Do'stlaringiz bilan baham: |