VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
Mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 24.03.2016, çështjen administrative që i përket:
PADITES: XHEMAL KESHI
TE PADITUR : MINISTRIA E SHËNDETËSISË
QENDRA SPITALORE UNIVERSITARE “NËNË TEREZA” TIRANË.
OBJEKTI:
Konstatimin e pavlefshmërisë së vendimit nr.253/1 datë 14.05.2013
të Drejtorisë së Përgjithshme të QSUT Tiranë,
për revokim të vendimit nr.253 datë 25.03.2013 të palës së paditur.
Detyrimin e palës së paditur të zbatojë vendimin nr.253 datë 25.03.2013
duke vendosur detyrimin e të paditurit të vazhdojë dhënien e pagës
nga data 14.05.2013 dhe të vazhdojë marrëdhënien e punës
duke e kthyer atë në detyrë.
Baza Ligjore: Neni 32/a, 106, 153, 324/a, 325, 327 I K.Pr.Civile,
nenet 4, 143, 144, 145, 145, 155 të K.Punës,
ligji 8485 datë 12.05.1999,
Satuti i QSUT.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.2375 datë 14.05.2014 ka vendosur:
Rrëzimin e padisë si të pabazuar në prova dhe në ligj.
Gjykata Administrative e Apelit me vendimin nr.4600 datë 23.12.2014 ka vendosur:
Ndryshimin e vendimit nr.2375 datë 14.05.2014 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë në këtë mënyrë:
Pranimin e padisë.
Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit nr.253/1 datë 14.05.2012 të Drejtorit të Qendrës Spitalore Universitare Tiranë dhe të Vendimit nr.253 datë 25.03.2013 të palës së paditur.
Detyrimin e palëve të paditura të kthejnë paditësin në detyrën urolog në shërbimin e Urologjisë pranë QSUT Tiranë dhe t’i paguajnë pagën nga data 14.05.2013 e në vazhdim.
Kundër vendimit nr.4600 datë 23.12.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs pala e paditur Qendra Spitalore Universitare Tiranë, e cila ka kërkuar prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, duke parashtruar këto shkaqe:
-
Paditësi kishte kryer specializimin si mjek kirurg dhe jo mjek urolog, ashtu siç kërkohej. Komisioni i testimit nuk kishte llogaritur siç duhej specializimin me 5 vite të mjekut Eugent Tata, botimet e tij jashtë vendit dhe gjuhët e huaja, të cilat nuk janë marrë parasysh dhe i janë vlerësuar me 0 pikë.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e Gjyqtarit Xhezair Zaganjori, dhe si bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
Paditësi është mjek urolog dhe ka konkuruar për dy vendet e lira të shpallura pranë shërbimit të Urologjisë në QSUT me urdhrin nr.260 datë 20.12.2012 të Drejtorit të Përgjithshëm të QSU-së. Komisioni i testimit, në krye të të cilit ishte Drejtori i Përgjithshëm i QSU-së, sipas procesverbalit 654/1 datë 04.02.2013 ka kryer vlerësimin e tre kandidatëve dhe paditësin e ka renditur të dytin me 34 pikë, ndërsa pasardhësi i tij Eugent Tata është vlerësuar me 30 pikë. Mbi bazën e këtij vlerësim Drejtori i QSUT ka kërkuar emërimin e paditësit dhe mjekut të renditur i pari. Me shkresën nr.1325/1 datë 15.03.2013 të Ministrit të Shëndetësisë, mjeku i renditur i pari dhe paditësi janë emëruar mjek urolog pranë Shërbimit të Urologjisë, në QSUT.
Kandidati i renditur i treti në testim, me datë 03.05.2013, është ankuar në Ministrinë e Shëndetësisë, me pretendimin se në procedurën e konkurimit kishte disa parregullsi. Konkretisht, paditësit i ishin dhënë 5 pikë për gradë shkencore doktoraturë, ndërkohë që në dosjen e dokumenteve ai kishte paraqitur vetëm një vendim të datës 23.02.2011, pa numër protokolli të Këshillit të Profesorëve të Fakultetit të Infermierisë Tiranë se paditësi kishte fituar të drejtën për të ndjekur programin e dokoraturës për lëndët klinike. Po kështu në dosjen e tij ishte një dëshmi e Shefit të Shërbimit të Urologjisë për kryerjen e kualifikimit në fushën e Urologjisë ne vitet 2000-2001. Ndërkohë kandidati tjetër që është ankuar, Eugent Tata, rezultonte të kishte kryer studimet pasuniversitare me një program studimi pesë vjeçar, si specializim me cikël të plotë në fushën e urologjisë. Ka rezultuar se për të tre aplikantët janë llogaritur i njëjti numër pikësh për studimet pasuniversitare, megjithëse paditësi kishte cikël të plotë studimi, e po kështu nuk i janë llogaritur gjuhet e huaja dhe testimi gojor.
Në bazë të verifikimeve dhe pas konstatimit të parregullsive të mësipërme, nga ana e Ministrit të Shëndetësisë me urdhrin nr.314 datë 07.05.2013 është revokuar urdhëri i parë dhe në vend të paditësit është emëruar ankuesi Eugent Tata. Paditësi është drejtuar në gjykatë duke pretenduar pavlefshmërinë e vendimit nr.253/1 datë 14.05.2013 të Drejtorisë së Përgjithshme të QSUT Tiranë, për revokim të vendimit nr.253 datë 25.03.2013 të palës së paditur si dhe detyrimin e palës së paditur të vazhdojë dhënien e pagës nga data 14.05.2013 dhe të vazhdojë marrëdhënien e punës duke e kthyer atë në detyrë.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.2375 datë 14.05.2014 ka vendosur rrëzimin e padisë si të pabazuar në prova dhe në ligj. Në këtë vendim është argumentuar se aktet administrative përmbushin kriteret e akteve të vlefshme dhe nuk ndodhemi para asnjë nga rastet e nenit 116 të K.Pr.Administrative.
Gjykata Administrative e Apelit me vendimin nr.4600 datë 23.12.2014 ka vendosur ndryshimin e vendimit nr.2375 datë 14.05.2014 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe pranimin e padisë. Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit nr.253/1 datë 14.05.2012 të Drejtorit të Qendrës Spitalore Universitare Tiranë dhe të Vendimit nr.253 datë 25.03.2013 të palës së paditur dhe detyrimin e palëve të paditura të kthejnë paditësin në detyrën urolog në shërbimin e Urologjisë pranë QSUT Tiranë dhe t’i paguajnë pagën nga data 14.05.2013 e në vazhdim.
Në këtë vendim Gjykata Administrative e Apelit ka argumentuar se sipas nenit 121 të K.Pr.Administrative parashikohet e drejta e organeve administrative për të revokuar vendimet e nxjerra si me nismën e vet ashtu edhe me kërkesën e palëve të interesuara. Revokimi është kryer me nismën e vetë organit që e ka nxjerrë atë dhe ky revokim mund të bëhet brenda afatit kohor të caktuar për ankimin gjyqësor. Emërimi i paditësit si mjek urolog mban datën 15.03.2013, ndërsa akti i revokimit është i datës 07.05.2013. Në këto kushte akti i revokimit është nxjerrë me nismën e vetë organit jashtë afatit ligjor 30 ditor dhe si i tillë është nxjerrë jashtë kompetencave.
Kundër vendimit nr.4600 datë 23.12.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs pala e paditur Qendra Spitalore Universitare Tiranë, e cila ka kërkuar prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, duke parashtruar se paditësi kishte kryer specializimin si mjek kirurg dhe jo mjek urolog, ashtu siç kërkohej. Komisioni i testimit nuk kishte llogaritur siç duhej specializimin me 5 vite të mjekut Eugent Tata, botimet e tij jashtë vendit dhe gjuhët e huaja, të cilat nuk janë marrë parasysh dhe i janë vlerësuar me 0 pikë.
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë pasi u njoh me dosje gjyqësore, vendimet e gjykatave dhe shkaqet e parashtruara në rekurs, vëren se vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë është marrë në zbatim të gabuar të ligjit dhe si i tillë duhet prishur.
Nga provat e administruara nga gjykatat e faktit ka rezultuar se paditësi është përfshirë së bashku me dy mjekë të tjerë në një proces konkurrimi për dy vende si mjek urolog në QSU Tiranë dhe fillimisht me datë 15.03.2013, pas vlerësimit janë emëruar mjeku i renditur i pari dhe paditësi. Me datë 03.05.2013 kandidati i renditur i treti është ankuar në Ministrinë e Shëndetësisë, lidhur me parregullsitë në procesin e llogaritjes së pikëve në procedurën konkuruese. Pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar se pikët e mjekut që ishte ankuar ishin llogaritur në mënyrë jo të drejtë dhe si rrjedhojë, me vendimin datë 07.05.2013 është revokuar vendimi i mëparshëm për emërimin në detyrë të paditësit dhe është emëruar në vend të tij, mjeku pikët e të cilit ishin llogaritur në mënyrë të gabuar.
Gjykata Administrative e Apelit ka pranuar padinë me argumentin se pala e paditur ka nxjerrë një akt që nuk ishte në kompetencën e tij, pasi kishte kaluar afati brenda të cilit ajo mund të revokonte aktin e nxjerrë fillimisht prej saj, pasi kishte kaluar afati i ankimit gjyqësor.
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë thekson se një akt administrativ mund të revokohet nga vetë organi administrativ edhe pasi është bërë i pakundërshtueshëm, si pasojë e pamundësisë së goditjes së tij, që lidhet me kalimin e afatit të parashkrimit të padisë dhe pasojat e këtij revokimi shtrihen vetëm për të ardhmen. Kjo pikërisht për shkak të gabimit të vetë organit në vendimmarrjen e tij, gabim i cili lidhet me fakte dhe rrethana të vlerësuara në mënyrë të gabuar. Në këtë drejtim, një akt të tillë edhe pse ka kaluar afati 30 ditor nga nxjerrja e tij, organi mundet ta revokojë. Është e vërtetë se revokimi i një akti administrativ nuk mund të bëhet në çdo kohë, pasur parasysh parimin e sigurisë juridike dhe mundësinë e cenimit të interesave të personave të tretë. Megjithatë, gjykatat nuk mund të jenë formale në interpretimin e ligjit, kur bëhet fjalë për një akt të tillë. Në këto kushte, ky afat nuk duhet të fillojë të llogaritet nga momenti i nxjerrjes së aktit të mbështetur në rrethana të vlerësuara në mënyrë të gabuar. Llogaritja e këtij afati duhet të fillojë nga momenti që organi administrativ vjen në dijeni të nxjerrjes prej tij të një akti të mbështetur në rrethana të gabuara. Referuar rastit konkret, ankesa në Ministrinë e Shëndetësisë është kryer me datë 03.05.2013 dhe vetë vendimi i kësaj Ministrie për revokimin e vendimit të saj të mëparshëm është marrë me datë 07.05.2013.
Sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi nr.4600 datë 23.12.2014 i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë duhet prishur dhe duhet lënë në fuqi vendimi nr.2375 datë 14.05.2014 i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” i ndryshuar.
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.4600 datë 23.12.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit dhe lënien në fuqi të vendimit nr.2375 datë 14.05.2014 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Tiranë, më 24.03.2016
Nr. 31001-01019-00-2015 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-1463 i Vendimit (179)
Do'stlaringiz bilan baham: |