VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës se Lartë i përbërë nga:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
Tom Ndreca Anëtar
në seancë gjyqësore të datës 15.03.2016 mori në shqyrtim çështjen administrative me nr.01778/2012 akti, që u përket palëve:
PADITËSE: AGRON KADHAJ
I PADITUR: KRRT BASHKIA FIER, në mungesë
NDËRHYRËS DYTËSOR: ABEDIN KADHAJ
PERSON I TRETË: SHOQËRIA MISISIPI SH.P.K, në mungesë
BEHAR ZËRE, në mungesë
ANDRONIQI ANGARI, në mungesë
OBJEKTI:
Shfuqizimi i vendimit nr.3, datë 28.03.2008 të KRRT Bashkia Fier
për miratim shesh ndërtimi dhe
vendimit nr.5, datë 10.06.2008 të KRRT Fier për dhënie leje ndërtimi.
Baza Ligjore: Neni 324 e vijues i K.Pr.Civile,
neni 5 i Ligjit nr.8405/1998, i ndryshuar;
Rregullorja e Urbanistikës miratuar me VKM nr.722/1998, pika 116 e vijim;
neni 303 i K.Civil.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendim nr.665, datë 21.04.2009, ka vendosur:
-Rrëzimin e kërkesë padisë.
-Shpenzimet gjyqesore në ngarkim të paditësit.
Gjykata e Apelit Vlorë me vendimin nr.1034, datë 13.12.2011 ka vendosur:
-Ndryshimin e vendimit nr.665, datë 21.04.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier në këtë mënyrë:
-Anulimin e vendimit nr.3, datë 28.03.2008 të KRRT Bashkia Fier për miratim shesh ndërtimi dhe vendimit nr.5, datë 10.06.2008 të KRRT Fier për dhënie leje ndërtimi, në faqen e ndërtimit në jug të aksit D të projektit, duke u përfshirë kjo nga aksi 1 deri në aksin 3 të projektit të ndërtuar nga shoqëria Misisipi, duke detyruar palën e paditur KRRT Fier që në lejen dhe sheshin e ndërtimit të miratuar me vendimet e mësipërme, kjo faqe ndërtimi të cilësohet kallkan në gjithë lartësinë dhe të respektohet distanca 1 m.
Kundër këtij vendimi ka ushtruar të drejtën e rekursit personi i tretë Behar Zere dhe shoqëria Misisipi sh.p.k. që kërkon ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier dhe ka parashtruar këto shkaqe:
-
vendimi i gjykatës së apelit është i pabazuar në ligj;
-
gjykata nuk ka bërë zëvendësimin procedurial të KRRT, në kushtet kur ky subjekt është suprimuar dhe nuk ekziston më;
-
gjykata legjitimon paditësin për një sipërfaqe 677 m2 ndërkohë ai ka pretenduar të drejta për 1250 m2 dhe nuk arsyetohet në vendim se për cilën pjesë të pronës të drejtat e paditësit janë cënuar; nuk ka hetim në lidhje me këtë fakt;
-
në rastin konkret, gjykata ka zbatuar gabim rregulloren e urbanistikës, pasi ndërtimi i paditësit nuk është shumë kate që zbatohet rregulli i distancës;
-
në anën e pronës së paditësit ndërtimi ynë ka faqe qorre, dhe për këtë ndërtim kemi marrëveshje me nënën e paditësit;
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Evelina Qirjako, pala paditëse Agron Kadhaj, i përfaqësuar me avokat i cili kërkoi vazhdimin e gjykimit, si dhe konstatoi që pala e paditur KRRT Bashkia Tiranë si dhe personi i tretë Shoqëria “Misisipi” sh.p.k; Behar Zëre dhe Androniqi Angari janë në mungesë dhe kanë dijeni rregullisht sipas ligjit,
V Ë R E N
1. Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, rezulton se paditësi është një nga trashëgimtarët ligjorë të të ndjerit Turan Kadhaj, i cili ka patur në pronësi në Lagjen Kastrioti Fier, një shtëpi banimi me sipërfaqe totale trualli 1250 m2. Ky fakt, vërtetohet me akt inskriptimin e lëshuar nga hipoteka me datë 16.07.1995, tek e cila është pasqyruar shkresa nr.46, datë 3.5.1969 e ish Këshillit Ekzekutiv të KP rrethi Fier për miratim leje ndërtimi dhe shtesë banese.
2. Pala paditëse ka pretenduar se, mbi truallin e sipërcituar ka ndërtuar një shtëpi dykatëshe pas vdekjes së babait pa leje, dhe për këtë arsye ka aplikuar në datën 11.08.2006 pranë organeve shtetërore, me qëllim legalizimin e këtij ndërtimi.
3. Sipas pretendimeve të ngritura ne gjykim nga pala paditëse, me vendimin nr.3, datë 28.03.2008 të KRRT Bashkia Fier, është miratuar leja për shesh ndërtimi në favor të personave te trete , pronarëve të truallit Androniqi Ongari dhe Behar Zere si dhe subjektit ndërtues “Misisipi” sh.p.k. Ndërsa me vendimin nr.5, datë 10.06.2008 të KRRT Fier është dhënë leja e ndërtimit nga ana e KRRT Fier, duke miratuar kryerjen e një ndërtimi, objekti 9 kate (1 kat bodrum, 9 kate banesë) në favor të pronarëve të truallit Androniqi Ongari dhe Behar Zere, si dhe subjektit ndërtues Misisipi sh.p.k.
4. Pala paditëse ka pretenduar se, ky objekt 10-kat është në kufi me pronën e tij dhe aktet që ka kundërshtuar në këtë proces gjyqësor janë në kundërshtim me ligjin, pasi nuk ka marrëveshje kufitarësh për ndërtim në kufi të pronave, janë shkelur rregullat urbanistike për ndriçim, diellëzim, ajrim të pronës së tij.
5. Pala paditëse ka kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme në rrugë administrative vendimet e mësipërme, duke ju drejtuar Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Bashkia Fier për të pezulluar ndërtimin. Kështu me shkresën nr.436/1 prot., datë 13.08.2008 të INUK Bashkia Fier, pala paditëse është informuar se: “...Gjatë inspektimit që ju bë objektit që po ndërtohet, nga ana jonë u verifikua se objekti po ndërtohej sipas projektit të miratuar nga KRRT e Bashkisë Fier. Lidhur me Dëmin që i është bërë banesës tuaj nga ndërtimi i pallatit, firma duhet të marrë përsipër riparimin e dëmit të bërë”. Po me shkresën nr.1732/1 prot, datë 21.10.2008, Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Bashkia Fier ka informuar INUK Tiranë si dhe vetë paditësin se: “...Z. Agron Kadhe ka ndërtuar një shtëpi 2-katëshe pa leje ndërtimi, ngjitur me kufirin ndarës midis dy pronave, pronës së tij dhe pronës ku po ndërton firma “Misisipi”. Shtëpia dy-katëshe e z. Agron Kadhe është në proces legalizimi, ndërsa firma “Misisipi” për objektin shumë katësh ka leje ndërtimi nr.5, datë 10.06.2008. Firma ka sjellë pranë inspektoriatit ndërtimor e urbanistik dosjen me dokumentacionin e domosdoshëm para fillimit të punimeve...”
6. Në kushtet kur pala paditëse nuk ka gjetur zgjidhje në rrugë administrative, në datën 12.09.2008 i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier me padinë me objekt të cituar si më sipër.
7. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendim nr.665, datë 21.04.2009, ka vendosur:
-Rrëzimin e kërkesë padisë.
-Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të paditësit.
7/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “... paditësi nuk provon të drejta pronësie mbi pronën e vet, nota e transkriptimit nuk mund të konsiderohet titull pronësie për truallin, pasi ky akt nuk pasqyron origjinën e fitimit të pronësisë... vetë paditësi deklaron se ka bërë një ndërtim pa leje dhe nuk legjitimohet të kërkojë mbrojtjen e pronës së vet nga ndërtimi i palës së paditur, përsa kohë nuk ka titull pronësie për pronën e tij...nuk rezulton që prona e palës paditëse dhe ndërhyrësit dytësor të jenë regjistruar në ZVRPP...”
8. Gjykata e Apelit Vlorë me vendimin nr.1034, datë 13.12.2011 ka vendosur:
-Ndryshimin e vendimit nr.665, datë 21.04.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier në këtë mënyrë:
-Anulimin e vendimit nr.3, datë 28.03.2008 të KRRT Bashkia Fier, për miratim shesh ndërtimi dhe vendimit nr.5, datë 10.06.2008 të KRRT Fier për dhënie leje ndërtimi, në faqen e ndërtimit në jug të aksit D të projektit, duke u përfshirë kjo nga aksi 1 deri në aksin 3 të projektit të ndërtuar nga shoqëria Misisipi, duke detyruar palën e paditur KRRT Fier që në lejen dhe sheshin e ndërtimit të miratuara me vendimet e mësipërme, kjo faqe ndërtimi të cilësohet kallkan në gjithë lartësinë dhe të respektohet distanca 1 m.
8/1. Kjo gjykatë ka përdorur këtë arsyetim: “…ndryshe nga sa arsyeton gjykata e faktit, rezulton nga dokumentat hipotekore se paditësi ka trashëguar nga i ati një pronë të ligjshme... ndërkohë ai ka legalizuar objektin, ka nënshkruar kontratën e kalimit të pronësisë me shtetin, ka paguar detyrimet përkatëse dhe është në fazën e regjistrimit te pronës në ZVRPP… paditësi pra është bërë pronar për 677.2 m2… lejet e ndërtimit janë dhënë dy vjet pasi paditësi kishte filluar procedurat e legalizimit… sipas aktit të ekspertimit, ndërtimi i palës paditëse ka shkelje të rregullave urbanistike në pjesën në kufi të pronës së palës paditëse… nuk ka marrëveshje për ndërtimin kallkan midis pronave fqinjë…”
9. Kundër këtij vendimi ka ushtruar të drejtën e rekursit personi i tretë Behar Zëre dhe shoqëria “Misisipi” sh.p.k., të cilët kërkojnë ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, duke parashtruar ato shkaqe që citohen në pjesën hyrëse, të këtij vendimi.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
10. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se rekursi i paraqitur nga personi i tretë Behar Zëre dhe shoqëria “Misisipi” sh.p.k, nuk përmban shkaqe ligjore nga ato të parashikuara në nenin 58 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të cilat të mund të bëjnë të cënueshëm vendimin e Gjykatës së Apelit Vlorë. Ky Kolegj, ҫmon se vendimi nr.1034, datë 13.12.2011 i Gjykatës së Apelit Vlorë, është marrë në zbatim të drejtë të ligjit procedurial dhe atij material dhe për rrjedhojë, ai duhet të lihet në fuqi.
11. Ky Kolegj në referim të akteve të administruara në dosjen gjyqësore, që janë marrë në shqyrtim dhe janë analizuar nga gjykata më e ulët, vlerëson se, Gjykata e Apelit Vlorë, në përputhje me kërkesat e normave proceduriale ka kryer “një hetim gjyqësor të plotë dhe të gjithanshëm në përputhje me ligjin” (neni 14 i K.Pr.Civile) duke ju dhënë përgjigje pretendimeve dhe kërkimeve të palëve në proces; ka bërë një analizë tërësore dhe objektive të provave (neni 12 i K.Pr.Civile) dhe si rezultat e ka zgjidhur “mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej tyre” (neni 16 i K.Pr.Civile).
12. Në çështjen objekt shqyrtimi, rezulton se kërkimi i palës paditëse është: ”Shfuqizimi i vendimit nr.3, datë 28.03.2008 të KRRT Bashkia Fier për miratim shesh ndërtimi dhe vendimit nr.5, datë 10.06.2008 të KRRT Fier për dhënie leje ndërtimi”. Këtë kërkim, pala paditëse e ka mbështetur tek neni 324 e vijues të K.Pr.Civile, neni 5 i Ligjit nr.8405, datë 17.09.1998 “Për urbanistikën”, i ndryshuar; Rregullorja e Urbanistikës miratuar me VKM nr.722/1998, pika 116 e vijim; si dhe neni 303 i K.Civil.
13. Nga ana e palës paditëse në këtë gjykim, është pretenduar se, ai është një ndër trashëgimtarët ligjorë të subjektit Turan Kadhaj, i cili ka patur në pronësi një sipërfaqe totale trualli 1250 m2 dhe një shtëpi mbi të, e ndodhur në Lagjen Kastrioti Fier. Paditësi ka pretenduar se mbi këtë truall prone e tij ne vend te shtëpisë se vjetër ka ndërtuar një te re pa leje ndërtimi, për të cilin ka kryer vetëdeklarimin dhe është futur në procedura legalizimi. Gjatë kohës që pala paditëse ka marrë lejen e legalizimit dhe ka qenë në procedura të regjistrimit të saj pranë ZVRPP, subjekti Behar Zëre, pronar i një sipërfaqe trualli prej 357 m2 dhe ndërtesës mbi të në masën 97 m2, si dhe subjekti dhe Androniqi Angari, pronare e një sipërfaqe trualli prej 460 m2, kanë aplikuar së bashku me subjektin ndërtues “Misisipi” sh.p.k për t’u pajisur me leje ndërtimi. Me vendimin nr.3, datë 28.03.2008 “Për miratim shesh ndërtimi” si dhe vendimit nr.5, datë 10.06.2008 “Për dhënie leje ndërtimi”, KRRT Bashkia Fier ka miratuar kërkesën e personave të tretë në këtë gjykim për ndërtimin e një objekti 10-katësh (1 kat nëntokë dhe 9-kate ndërtim. Pala paditëse në këtë gjykim, ka pretenduar se këto akte të dhëna nga pala e paditur, janë akte relativisht të pavlefshme, pasi janë dhënë në kundërshtim me ligjin. Pala e paditur kur ka miratuar këto leje, nuk ka marrë pëlqimin e paditësit si pronar i pronës kufitare, dhe ndërkohë nga realizimi i këtij ndërtimi nuk janë respektuar rregullat urbanistike për ndriçim, diellëzim dhe ajrim të pronës së tij. Për këtë arsye, këto akte duhet të anullohen në pjesën që cënojnë pronën e paditësit.
14. Ndërsa personi i tretë në këtë gjykim, ka prapësuar se, gjykata e apelit ka legjitimuar paditësin në ngritjen e padisë me argumentin se ai është bërë pronar për sipërfaqen e truallit prej 667.2 m2, në një kohë që vetë paditësi në këtë gjykim ka pretenduar se babai i tij (prej edhe nga vjen origjina e kësaj prone), ka pasur në pronësi të tij 1250 m2. Gjithashtu, nuk është sqaruar dhe as nuk është argumentuar ligjërisht se çfarë pozicionimi ka kjo sipërfaqe prej 667.2 m2 brenda sipërfaqes së përgjithshme prej 1250 m2, si dhe çfarë pozicionimi dhe raporti ka ajo me ndërtimin e kryer nga personat e tretë në këtë gjykim, bazuar në lejen e ndërtimit objekt shqyrtimi. Në rastin konkret, në anën e pronës së paditësit, ndërtimi i kryer ka faqe qorre dhe në lidhje me të kemi bërë marrëveshje me nënën e paditësit. Aktet objekt shqyrtimi janë marrë në përputhje me rregulloren e urbanistikës. Ndërtimi i paditësit nuk është ndërtim shumëkatësh në mënyrë që të zbatohet rregulli i distancës. Aktet objekt kundërshtimi janë të ligjshme dhe për këtë arsye, padia e palës paditëse duhet rrëzuar.
15. Mbi bazën e këtyre pretendimeve dhe prapësimeve të dhëna nga palët ndërgjyqëse në këtë gjykim, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier e ka rrëzuar padinë e paditësit me arsyetimin se: “...paditësi nuk provon të drejta pronësie mbi pronën mbi të cilën deklaron se ka bërë edhe një ndërtim pa leje. Për këtë arsye, dhe nuk legjitimohet të kërkojë mbrojtjen e pronës së vet nga ndërtimi i palës së paditur...”. Në ndryshim nga gjykata e rrethit, Gjykata e Apelit Vlorë ka pranuar padinë e paditësit duke e ndryshuar vendimin e shkallës së parë, me arsyetimin se: “...rezulton nga dokumentat hipotekore se paditësi ka trashëguar nga i ati një pronë të ligjshme... ndërkohë ai ka legalizuar objektin, ka nënshkruar kontratën e kalimit të pronësisë me shtetin, ka paguar detyrimet përkatëse dhe është në fazën e regjistrimit në ZVRPP… paditësi pra është bërë pronar për 677.2 m2… lejet e ndërtimit janë dhënë dy vjet pasi paditësi kishte filluar procedurat e legalizimit… sipas aktit të ekspertimit, ndërtimi i palës paditëse ka shkelje të rregullave urbanistike në pjesën në kufi të pronës së palës paditëse… nuk ka marrëveshje për ndërtimin kallkan midis pronave fqinjë…”.
16. Këtë konkluzion të Gjykatës së Apelit Vlorë, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë , e gjen të mbështetur në ligj dhe në provat e administruara në dosjen gjyqësore. Referuar kërkimit të palës paditëse, ky Kolegj, vëren se konflikti mes palëve (paditësit dhe anës së paditur), ka lindur si pasojë e nxjerrjes nga ana e palës së paditur KRRT e Bashkisë Fier, të aktit administrativ vendimit nr.3, datë 28.03.2008 “Për miratim shesh ndërtimi”, si dhe vendimit nr.5, datë 10.06.2008 “Për dhënie leje ndërtimi”, bazuar në Ligjin nr.8405, datë 17.09.1998 “Për urbanistikën”.
17. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në gjykimin e kësaj çështje, konstaton se shkaku ligjor i kërkimeve te paditësit eshte pavlefshmëria relative e akteve administrative te nxjerra nga ana e paditur.. Kjo për faktin se, si shkak ligjor për pavlefshmërinë e akteve administrative objekt të këtij shqyrtimi gjyqësor, paditësi ka pretenduar nxjerrjen e tyre në kundërshtim me dispozitat ligjore të parashikuara nga Ligji nr.8405, datë 17.09.1998 “Për urbanistikën”, si dhe VKM nr.722, datë 19.11.1998 “Për miratimin e rregullores së urbanistikës”, i ndryshuar. Pavarësisht faktit se shkaqet e ngritura në rekurs nga personat e tretë në këtë gjykim, nuk përmbajnë asnjë nga ato shkaqe që kanë lidhje me zbatimin e drejtë apo të gabuar të ligjit, të parashikuara konkretisht në nenin 58 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, por vetëm me interpretimin e provave (vlerësimi i të cilave bëhet vetëm në dy shkallët më të ulëta të gjykimit), në këtë vendim ky Kolegj vlerëson të analizojë të gjitha arsyet ligjore se përse vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë, duhet të lihet në fuqi.
18. Nisur nga shkaku ligjor i kërkimeve te palave ne proces si dhe pretendimeve te ngritura ne rekurs nga ana e paditur , ky Kolegj për një zgjidhje të drejtë dhe të përfundimtare të çështjes objekt shqyrtimi, vlerëson të analizojë në këtë vendim, çështjet që u shtruan për diskutim përpara tij, të cilat janë: (i) A legjitimohet paditësi në ngritjen e kësaj padie? dhe (ii) A janë aktet administrative, vendimi nr.3, datë 28.03.2008 “Për miratim shesh ndërtimi” dhe vendimi nr.5, datë 10.06.2008 “Për dhënie leje ndërtimi”, akte relativisht të pavlefshëm dhe të marrë në kundërshtim me ligjin?
19. Në lidhje me çështjen e parë të shtruar për zgjidhje para këtij Kolegji, ky i fundit nisur nga natyra e konfliktit të krijuar mes palëve vlerëson se për të përcaktuara legjitimitetin e subjektit që bën një kërkim të tillë, referimi duhet të behët si në ligjin specifik që rregullon këtë mosmarrëveshje ashtu dhe parimet e përgjithshme të parashikuara në K.Pr.Civile dhe në K.Civil. Në rast se do të analizojmë dispozitat e Ligjit nr.8405, datë 17.09.1998 “Për urbanistikën”, i ndryshuar, do të konstatojmë se në të nuk ka ndonjë parashikim specifik se cilët janë ato subjekte që kanë të drejtë të kundërshtojë aktet e nxjerra nga KRRT e bashkive, me përjashtim të rastit kur ato janë ndërtime të paligjshme, sipas parashikimeve të nenit 78 dhe 79 të po këtij ligji. Ndërsa në nenin 83 të po këtij ligji, parashikohet se: “Ankimi në gjykatë kundër vendimeve të KRRT-ve, të organeve të Policisë Ndërtimore dhe atyre të vënies së gjobave, nuk pezullon ekzekutimin e tyre. Në rast se, në bazë të vendimit përfundimtar të formës së prerë të gjykatës vendoset pranimi i padisë ose i ankimit, i dëmtuari ka të drejtë të kërkojë, nga organi që ka dhënë vendimin, shpërblimin për dëmin e shkaktuar”.
20. Në analizë të sa më sipër, në kushtet kur ligji specifik nuk ka përcaktuar se cilët janë subjektet që legjitimohen për të kundërshtuar aktet e nxjerra nga KRRT e Bashkive, atëherë do ti referohemi parimeve të përgjithshme të së drejtës, në lidhje me legjitimimin e subjektit që ngre një padi. Referuar të drejtës sonë proceduriale, padia është mjeti procedural me të cilin paditësi vë në lëvizje gjykatën, kur pretendon se ka një të drejtë subjektive, për të njohur a mbrojtur, e cila gjen mbështetje në të drejtën materiale. Nëse e drejta që paditësi pretendon se i është cënuar, apo që duhet t’i njihet, parashikohet nga e drejta materiale, paditësi ka të drejtë ti drejtohet gjykatës dhe kjo e fundit, ka detyrimin të vijojë me shqyrtimin dhe zgjidhjen e çështjes.
21. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon të theksojë se: “Padia është e drejta e personit që bën pretendimin, për t’u dëgjuar, mbi themelin e këtij pretendimi, në mënyrë që gjykata ta shpallë atë të bazuar ose jo. Pala kundërshtare ka të drejtë të diskutojë dhe të ngrejë prapësime mbi themelin dhe bazueshmërinë në ligj të këtij pretendimi (neni 31 i K.Pr.Civile). Që padia të jetë e vlefshme, duhet të plotësojë dy kushte themelore: (a) interesi i ligjshëm për të ngritur padi; dhe (b) legjitimiteti për të vepruar. Në rast se ekzistojnë këto dy kushte, mund të konsiderohet që padia ekziston, në kuptimin që gjykata është e detyruar të marrë vendim mbi themelin e saj, pra për ta pranuar ose rrëzuar atë. Interesi për të ngritur padi, parashikohet qartë në nenin 32 të K.Pr.Civile, dhe është një element i së drejtës së padisë që, konsiston në interesin për të marrë nga gjykata vendimin e kërkuar.
22. Në analizë të sa më sipër, nëse gjatë gjykimit nuk vërtetohet interesi i ligjshëm i paditësit në ngritjen e një padie, do të ndodheshim përpara mungesës së legjitimimit real/aktiv, i cili, nuk do t’i humbiste palës të drejtën për të ngritur padi, por që do të çonte në rrëzimin e saj si të pabazuar. Legjitimimi real (legitimatio ad causam) nënkupton marrëdhënien subjektive mes paditësit dhe të paditurit ndaj së drejtës subjektive për mbrojtjen e së cilës, është vënë në lëvizje procesi gjyqësor. Pala ndërgjyqëse gëzon legjitimim real/aktiv, nëse gjatë gjykimit vërteton se, e drejta subjektive që rrjedh nga marrëdhënia juridiko-civile me të cilën lidhet konflikti, i takon asaj kundrejt palës tjetër. Pra, është e drejta materiale ajo që përcakton legjitimimin real të palëve ndërgjyqëse në gjykim dhe në këtë kuptim, vetë thelbi i gjykimit është përcaktimi se cilës palë i takon realisht e drejta subjektive.
23. Interesi në gjykim, përcakton edhe pozitën procedurale të palëve në proces. Kështu, personi që pretendon se e drejta subjektive i takon atij, i drejtohet gjykatës për të kërkuar njohjen ose rivendosjen e kësaj të drejte të shkelur nga një person tjetër, quhet paditës (legjitimimi aktiv). Ndërsa, personi të cilit i drejtohet kërkimi, duke pretenduar se është ky person që ka shkelur, cënuar apo mohuar të drejtën e paditësit, quhet i paditur (legjitimimi pasiv). Legjitimimi aktiv konsiderohet ndryshe si legjitimimi për të kërkuar, ndërsa legjitimimi pasiv, si legjitimi për të kundërshtuar. Legjitimimi procedural është kusht për vazhdimin e gjykimit, ndërsa legjitimimi real i takon shqyrtimit gjyqësor të themelit të çështjes, për të cilin gjykata shprehet në vendimin përfundimtar.
24. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson të theksojë se, edhe pse në të drejtën administrative çdokush mund të ketë të drejtën për të kërkuar pavlefshmërinë absolute të një akti administrativ (pra të legjitimohet në ngritjen e kësaj padie), përsëri pas këtij legjitimiteti duhet të qëndrojë një interes i ligjshëm, qoftë individual apo publik, por i vërtetuar me prova shkresore.
25. Në çështjen objekt gjykimi, paditësi ka pretenduar se pikërisht organi administrativ nëpërmjet akteve që ka lëshuar në favor të personave të tretë në këtë gjykim, e ka cënuar atë në të drejtat e tij reale dhe në gëzimin e qetë të sendit. Është vërtetuar me prova shkresore se paditësi është pronar i sipërfaqes prej 677.2 m2 (ndërkohë ai pretendon se është pronar i sipërfaqes prej 1250 m2 toka truall, pronë kjo që i është cenuar nga pala e tretë) si dhe i objektit me sipërfaqe ndërtimore 127.2 m2. Po kështu është provuar se objekti që po ndërtohet është vetëm 20-25 cm larg ndërtimit të tij, duke mos respektuar distancat urbanistike sipas të cilave këto ndërtime duhet të kishin një distancë prej 13 metra linearë ndërmjet tyre, ose në rast të një distance prej 1 metër linearë duhet të kishin faqe kallkan ose të ishin të bashkuara me njëri tjetrin, po me faqe qorre.
26. Nga aktet objekt shqyrtimi, ka rezultuar e provuar se pala paditëse është pronar i ligjshëm i truallit dhe njëkohësisht pronar i ndërtimit dy-kat mbi të, për të cilin edhe ka përfunduar procedurat e legalizimit (referojuni faqes 3-9). Në kushtet kur nga aktet objekt shqyrtimi, është arritur të provohet se, ndërtimi i kryer sipas lejes së sheshit të ndërtimit dhe lejes së ndërtimit (objekt shqyrtimi), cënon pronën e paditësit për ndriçim, diellëzim dhe ajrim, ky i fundit ka të drejtë të kundërshtojë këto akte, pasi pretendon se i cënohet një e drejtë e ligjshme, e cila i garantohet nga dispozitat ligjore në fuqi. Përsa kohë legjislacioni në fuqi që rregullon veprimtarinë në fushën e urbanistikës, përcakton rregulla të qarta për ruajtjen e distancave si dhe respektimin e hapësirave konkrete midis pronave ekzistuese dhe atyre që pretendohen të ndërtohen në të ardhmen, ai legjitimon çdo subjekt pronar të pronës kufitare për ti kundërshtuar lejet e miratuara, kur ato nuk respektojnë kondicionet urbanistike të miratuara.
27. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon të theksojë se, karakteri dhe përmbajtja e së drejtës së pronësisë në kuptimin juridiko-civil është sanksionuar në nenin 149 të Kodit Civil, sipas të cilit “Pronësia është e drejta për të gëzuar dhe disponuar lirisht sendet, brenda kufijve të caktuar nga ligji”. Nga kjo dispozitë, si dhe nga përmbajtja e neneve 296, 302, 304 të Kodit Civil rezulton se, posedimi, gëzimi dhe disponimi janë tre tagrat (pushtetet) kryesore të pronarit. Ligji detyron të gjithë të tretët të mos kryejnë veprime të cilat cënojnë tagrat e pronarit, pra që pengojnë pronarin në ushtrimin e lirë të posedimit, gëzimit dhe disponimit mbi sendet pronë e tij. Objekt i së drejtës së pronësisë janë sendet. E drejta e pronësisë nuk ka mbarim në kohë, nuk merr fund me kalimin e një afati të caktuar, pronari në mënyrë të vazhdueshme dhe të përhershme realizon të drejtën e tij të pronësisë mbi sendin duke gëzuar dhe disponuar lirisht atë, brenda kufijve të caktuar nga ligji.
28. Pikërisht për efekt të këtij karakteri universal që ka e drejta e pronësisë, në momentin që pushtetet që pronari ka mbi sendin i kundërshtohen apo i cënohen nga të tretët, tërësisht apo pjesërisht, ligji i ka njohur pronarit të drejtën për të përdorur mjetet e mbrojtjes, midis të cilëve kryesori është padia. Në vlerësim të së drejtës së padisë në kuptimin material, ky Kolegj evidenton se padia është mjet juridik për mbrojtjen e së drejtës subjektive dhe si e tillë, nuk duhet ngatërruar me vetë të drejtën subjektive. Padia është garanci ligjore për mbrojtjen e së drejtës subjektive. E drejta e padisë në kuptimin material është një e drejtë që i jepet mbajtësit të së drejtës subjektive që, në rast cënimi ose mohimi të kësaj të drejte, të rivendosë atë duke i’u drejtuar gjykatës. Për këtë arsye, në kushtet kur pala paditëse në këtë gjykim, ka arritur të provojë se është pronar i truallit dhe i ndërtimit dy-kat me sipërfaqe ndërtimore 127.2 m2 mbi të, si dhe nga aktet e nxjerra nga ana e paditur KRRT E Bashkisë Fier, ka provuar se i është cënuar një interes i ligjshëm, pasi nga ndërtimi 10-kat ngjitur me të, i është penguar ndriçimi, diellëzimi dhe ajrimi i pronës së tij për shkak të mosrespektimit të kondicioneve urbanistike në lidhje me distancat ndërmjet objekteve, ai ka të drejtë që të ngrejë padinë objekt shqyrtimi.
29. Në lidhje me çështjen e dytë të shtruar për diskutim para Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, siç u tha dhe më lart në këtë vendim, paditësi kërkon të shfuqizojë aktet administrative objekt gjykimi, si akte të marra në kundërshtim me ligjin. Referuar nenit 118 të K.Pr.Administrative, i titulluar “Aktet administrative relativisht të pavlefshme”, thuhet se “1. Aktet administrative do të quhen relativisht të pavlefshme, në kuptimin e këtij Kodi, kur ato janë nxjerrë në kundërshtim me ligjin, por megjithatë nuk janë absolutisht të pavlefshme. 2. Një akt administrativ relativisht i pavlefshëm është i ankueshëm në rrugë administrative dhe gjyqësore përkatësisht mbi bazën e dispozitave të këtij Kodi dhe të Kodit të Procedurës Civile”.
30. Në analizë të kësaj dispozite, konstatohet qartësisht se, aktet administrative do të jenë relativisht të pavlefshëm në të gjitha ato raste kur shkelet ligji, me përjashtim të inkompetencës së organit dhe shkeljeve të formës dhe proçedurës së aktit. Pavlefshmëria e një akti administrativ është relative në ato raste kur, urdhërimet e tij nuk janë në përputhje me urdhërimet e ligjit, d.m.th. përmbajtja e aktit administrativ bie ndesh dhe nuk respekton përmbajtjen e vet ligjit. Pra, akti është i kundërligjshëm dhe pa vlerë, e si rrjedhojë ai nuk mund të krijojë pasojat e dëshiruara juridike. Në këtë kuptim, një nga kërkesat kryesore që akti administrativ të jetë i ligjshëm, është që përmbajtja e tij të jetë e njëjtë, të përafrojë dhe të mos e kundërshtojë përmbajtjen e vetë ligjit, në zbatim të të cilit ai është nxjerrë.
31. Në vijim të sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se, vendimi nr.3, datë 28.03.2008 “Për miratim shesh ndërtimi” dhe vendimi nr.5, datë 10.06.2008 “Për dhënie leje ndërtimi” të KKRT së Bashkisë Fier, janë akte administrative të cilat nuk janë marrë në respektim të ligjit. Në nenin 50 të Ligjit nr.8405, datë 17.09.1998 “Për urbanistikën”, i ndryshuar, (dispozitë ligjore në fuqi në momentin e nxjerrjes së aktit objekt shqyrtimi) parashikohet se: “KRRT-ja miraton ose kundërshton dhënien e lejes së ndërtimit me shumicë votash. Vendimi për miratimin e lejes së ndërtimit del me firmën e kryetarit të KRRT-së. Ky vendim shoqërohet edhe me planimetrinë përkatëse, që nënshkruhet nga kryetari dhe sekretari i KRRT-së. KRRT-ja nuk ka të drejtë të miratojë lejen e ndërtimit në rastet kur: a) projekti i paraqitur ka ndryshuar destinacionin e sheshit të ndërtimit; b) projekti i paraqitur ka ndryshuar përmasat e sheshit të ndërtimit. Nga data e paraqitjes së kërkesës për leje ndërtimi deri në datën e miratimit ose kundërshtimit të saj, nuk duhet të kalojnë më shumë së 45 ditë. Në sekretarinë teknike të KRRT-së depozitohet i gjithë dokumentacioni teknik i paraqitur, që përfshin dokumentet sipas ligjit dhe projektin e plotë teknik, si dhe llogaritjet bazë të konstruksionit dhe preventivin. Dokumentacioni duhet të jetë origjinal dhe në gjuhën shqipe”, ndërsa në nenin 53 të po këtij ligji parashikohet se: “Leja e ndërtimit i jepet kërkuesit të saj sipas formularit nr.4, që i bashkëlidhet këtij ligji. Për rastet kur sipërfaqja e sheshit është mbi 0.5 hektar, leja e ndërtimit plotësohet nga sekretaria teknike e KRRT-së, pasi është miratuar leja në KRRTRSH. Për objekte të rëndësishme që ndërtohen në qendra të qyteteve, studimet urbanistike të të cilave janë miratuar në KRRTRSH, leja e ndërtimit miratohet po nga KRRTRSH. Formulari i lejes plotësohet nga sekretaria teknike e KRRT-së së rrethit a qytetit përkatës. Për objektet që prokurohen me fonde shtetërore, lejen e ndërtimit e merr organi që miraton fondin, përpara se të japë në sipërmarrje ndërtimin e objektit”.
32. Në analizë të këtyre dispozitave ligjore, vlerësohet se leja e ndërtimit si akt administrativ, duhet të plotësojë kushtet dhe kriteret që ka parashikuar ligji. Pra, bashkëlidhur kësaj leje është e nevojshme që të jetë edhe planimetria e sheshit të ndërtimit si dhe ajo e lejes së ndërtimit, akt në të cilin të jepen qartë dhe të përcaktuara gjendja ekzistuese e situatës urbanistike, pronat kufitare, pozicionimi kadastral i tyre si dhe distancat ndërmjet tyre. Ky fakt gjen referim edhe VKM nr.722, datë 19.11.1998 “Për miratimin e rregullores së urbanistikës”, i ndryshuar, i cili përbën aktin nënligjor që zbërthen dhe plotëson të gjithë elementët teknikë që citohen në Ligjin nr.8405, datë 17.09.1998 “Për urbanistikën”, i ndryshuar. Konkretisht në nenin 52 të kësaj VKM-je, parashikohet se: “Në planimetrinë e sheshit te ndërtimit do te jepen qartë të gjitha kondicionet urbanistike të përcaktuara nga studimi urbanistik, si sipërfaqja e sheshit të ndërtimit, vija kufizuese e ndërtimit, koeficienti i shfrytëzimit te territorit, funksioni i objektit, numri i kateve dhe lartësia e objektit mbi e nën tokë, pozicioni kadastral, distancat kundrejt fqinjëve e pronësisë, hyrjet, daljet, lidhja me rrugët, kondicione te veçanta (për objekte ose pozicione te veçanta) etj. Planvendosja e objektit dhe të dhënat e tjera grafike do të punohen mbi gjendjen ekzistuese të situatës urbanistike”. Për sa më sipër, planimetria që shoqëron lejen për sheshin e ndërtimit si dhe lejen e ndërtimit, duhet të përmbajë të gjithë elementët e nevojshëm që përcaktojnë gjendjen faktike dhe kondicionet urbanistike të pronës që do ndërtohet, si dhe ambienteve përreth saj.
33. Në analizë të këtyre dispozitave ligjore, rezulton e provuar se, ana e paditur KRRT e Bashkisë Fier, në momentin që ka miratuar vendimin nr.3, datë 28.03.2008 “Për miratim shesh ndërtimi” dhe vendimi nr.5, datë 10.06.2008 “Për dhënie leje ndërtimi” në favor të subjekteve Behar Zëre, Androniqi Angari si dhe subjektit ndërtues “Misisipi” sh.p.k, nuk ka marrë parasysh gjendjen faktike të pronave ekzistuese kufitare, si dhe nuk e ka marrë në konsideratë këtë fakt në raport me ndërtimin e ri 10-kat që ka miratuar për ndërtim, duke miratuar ndërtimin e ri në kundërshtim mesa pasqyrojnë aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
34. Referuar të dhënave që pasqyrojnë aktet gjyqësore si dhe konkluzionet teknike të nxjerra nga ekspertiza teknike, ka rezultuar e qartë se, në momentin e miratimit të akteve objekt shqyrtimi, ndërtimi i palës paditëse në këtë gjykim kishte përfunduar dhe ishte 2-kat. Sipas konkluzioneve të nxjerra nga eksperti i caktuar nga gjykata, ka rezultuar se, ndërtimi një kat i shtëpisë së vjetër të familjesh Kadhe duhet të ketë qenë e ndërtuar që para viteve 1990 (referojuni faqes 91 dhe 95 të dosjes gjyqësore). Gjithashtu, nga konkluzionet teknike ka rezultuar se në dosje nuk ka të administruar planimetri të projektit të miratuar si dhe nuk ka asnjë studim urbanistik të miratuar, për të përcaktuar saktësisht nëse janë respektuar kondicionet urbanitike apo jo (referojuni faqes 93 të dosjes gjyqësore).
35. Për sa më sipër, në kushtet kur gjatë gjykimit të kryer në dy shkallët më të ulëta të gjykimit, është pranuar fakti se, në momentin e miratimit të vendimit nr.3, datë 28.03.2008 “Për miratim shesh ndërtimi” dhe vendimit nr.5, datë 10.06.2008 “Për dhënie leje ndërtimi” në favor të subjekteve Behar Zëre, Androniqi Angari si dhe subjektit ndërtues “Misisipi” sh.p.k, shtëpia dy-katëshe e paditësit ka qenë ekzistuese si dhe ishte futur në proces legalizimi (madje është pranuar fakti se, paditësi ka qenë posedues i ligjshëm i truallit dhe i një shtëpie një kat të ndërtuar që para viteve ’90, të cilin e ka prishur dhe ka ndërtuar objektin dy-kat që ka edhe sot), ishte detyrim i palës së paditur KRRT e Bashkisë Fier, që në momentin e marrjes së vendimeve të mësipërme, të kishte pasur parasysh si distancat mes objekteve, ashtu dhe parashikimet ligjore për marrjen e miratimit të kufitarëve.
45. Këtë veprim të anës së paditur, ky Kolegj e gjen në kundërshtim mesa parashikon neni 120/d i VKM nr.722, datë 19.11.1998 “Për miratimin e rregullores së urbanistikës”, i ndryshuar, në të cilin pasqyrohet se: “Kur banesat shumëkatëshe vendosen përbri njëra-tjetrës dhe faqet në brinjë nuk kanë dritare, ato mund të jenë të larguara deri ne 1 m ose në bashkim të plotë, me kusht që të merren masa të caktuara për mbrojtjen nga zjarri, duke lënë nënkalime me përmasa 4m gjerësi dhe 5 m lartësi. Në çdo rast, ndërtimet duhet të respektojnë kufirin e ndarjes së pronësisë dhe bashkimi i plotë mund të bëhet vetëm mbi bazën e marrëveshjes së pronarëve fqinjë”.
36. Ky konkluzion i gjykatës gjen mbështetje edhe referencë të plotë edhe tek provat shkresore të administruara në dosje, e konkretisht tek akti i ekspertimit të kryer në gjykimet më të ulëta, në të cilin është konkluduar se: “...Ndërtimi i Agron Kadhe nuk ka dritare nga veriu, pra është faqe qorre. Nëse do të ruhej dhe faqja e ndërtimit të ri, faqe pa dritare, atëherë kemi këto norma sipas rregullores në pikën 120/d thuhet se kur ndërtesat vendosen përbri njëra tjetrës dhe faqet në brinjë nuk kanë dritare, ato mund të jenë të larguara deri në 1 m ose në bashkim të plotë, me kushtin që të meren masa të caktuara për mbrojtjen nga zjarri, duke lënë nënkalime me përmasa 4 m dhe lartësi 5 m. Në çdo rast ndërtimet duhet të respektojnë kufirin e ndarjes së pronësisë dhe bashkimi i plotë mund të bëhet mbi bazën e marrëveshjes së pronarëve fqinjë. Realisht, ndërtimi i firmës “Misisipi” ka dritare në këtë drejtim, të cilat kanë të bëjnë me një kafaz të krijuar në projekt për daljen e dritareve të jo në fasadë të jugut, por brenda këtij xhepi dhe ka një dritare në faqen që është bashkëngjitur me banesën dy-katëshe ka vetëm një dritare. Në dosje nuk ka planimetri të projektit të miratuar për të konkluduar se në çfarë rasti duhet të përfshihet konflikti i këtij procesi për pikën 120/a apo 120/d. Kjo është pikë kryesore e normave dhe rregullave të urbanistikës. Po kështu, në dosje nuk ka marrëveshje me fqinjët Kadhe për të ngelur në pozicionin e tretë, ku të jenë përcaktuar kushtet me njëri-tjetrin....” (referojuni faqes 93 të dosjes gjyqësore).
37. Për sa më sipër, në kushtet kur ka rezultuar e provuar se në praktikën e nxjerrjes së vendimit nr.3, datë 28.03.2008 “Për miratim shesh ndërtimi” si dhe vendimit nr.5, datë 10.06.2008 “Për dhënie leje ndërtimi”, nuk janë respektuar dispozitat ligjore qoftë për (i) dhënien e miratimit të kufitarëve, si edhe (ii) përsa i përket distancave urbane të domosdoshme, ky Kolegj, vlerëson se, pretendimet e ngritura nga pala paditëse në këtë gjykim nuk janë të mbështetura në prova dhe në ligj dhe se vendimi nr.1034, datë 13.12.2011 i Gjykatës së Apelit Vlorë, është marrë në zbatim të drejtë të ligjit procedurial dhe atij material. Për këtë arsye, bazuar në Ligjin nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, si dhe Dekretit nr.7818, datë 16.11.2012 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, ky Kolegj vlerëson se ky vendim duhet të lihet në fuqi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 63 të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.1034, datë 13.12.2011 të Gjykatës së Apelit Vlorë.
Tiranë, më 15.03.2016
Nr. 31003-02470-00-2014 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2016 - 1548 i Vendimi (166)
Do'stlaringiz bilan baham: |