VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Arjana Fullani Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Medi Bici Anëtar
në datën 24.03.2016, në dhomë këshillimi, mori në shqyrtim çështjen administrative me nr.02151/2013 akti, që u përket palëve:
PADITËS: SHOQËRIA “IMI FARMA” SH.P.K.
PALË E PADITUR: SIPTALI RAJONAL DURRËS
OBJEKTI`:
Detyrimin e të paditurit të paguajë shumën prej 400 000 (katërqind mijë) lekë
që përfaqëson vlerën e shitjes të një sasie ilaçesh.
Baza Ligjore: Neni 31, 153 të K.Pr.Civile
dhe nenet 419, 420, 422, 455, 463, 659, 705, 714, 730 të Kodit Civil.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin nr.2854, datë 03.11.2010, ka vendosur:
-Pranimin e kërkesë-padisë së palës paditëse Shoqëria “IMI FARMA” sh.p.k.
-Detyrimin e palës së paditur Spitali Rajonal Durrës, të paguajë në favor të palës paditëse shoqëria “IMI FARMA” sh.p.k shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekë që përfaqëson çmimin e shitjes së një sasie ilaçesh.
-Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës së paditur.
Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr.10-2013-275 (163), datë 04.03.2013, ka vendosur:
-Lënien në fuqi të vendimit nr.2854, datë 03.11.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala e paditur Spitali Rajonal Durrës, i cili kërkon ndryshimin e vendimit nr.10-2013-275 (163), datë 04.03.2013 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe vendimit nr.2854, datë 03.11.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Vendimet e dhëna nga gjykatat më të ulëta janë të pabazuara në prova dhe në ligj.
-
Pala paditëse nuk rezulton të ketë nënshkruar një kontratë me anën e paditur dhe as të ketë depozituar ndonjë shkresë, me të cilën të kërkojë pranë të paditurit likujdimin e shumës prej 400.000 (katërqindmijë) lekësh.
-
Bazuar në nenin 420 të K.Civil në të cilin pasqyrohet se: “Detyrimet lindin nga kontrata ose ligji”, ndërsa në nenin 463 të po këtij Kodi, përcaktohet se: “Ekzekutimi i detyrimit duhet të bëhet në afatin e caktuar në kontratë. Kur në kontratë nuk është caktuar afat ose ekzekutimi i detyrimit është lënë në kërkim të kreditorit, ky mund të kërkojë ekzekutimin e detyrimit në çdo kohë dhe debitori duhet ta ekzekutojë atë brenda pesëmbëdhjetë ditëve”.
-
Për sa më sipër, në kushtet kur me palën paditëse, ana e paditur në këtë gjykim nuk ka të lidhur një kontratë, ajo nuk mund detyrohet ti paguajë asaj shumën e pretenduar.
-
Procedura që duhet të ndiqet në rastin konkret, rregullohet nga Ligji nr.9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, kreu VI, pika 2; VKM nr.1, datë 10.01.2007 “Për rregullat e prokurimit publik”, i ndryshuar, si dhe Udhëzimi nr.2, datë 18.02.2008 “Për procedurën e prokurimit me vlera të vogla”.
-
Urdhëri i prokurimit që është nxjerrë në në këtë rast, nuk i drejtohet firmës por Komisionit të Blerjeve të Vogla të krijuar në fillim të çdo viti, sipas parashikimeve të ligjit të sipërcituar.
-
Në këto kushte, ky urdhër nuk përbën kërkesë drejtuar paditësit për të na furnizuar me mallra farmaceutikë, por përbën urdhër të brendshëm për punonjësit e institucionit për të kryer procedurat që parashikon ligji për blerjet e vogla.
-
Në rastin në fjalë, lidhur me medikamentin “Antema”, nuk është respektuar procedura që parashikon ligji. Sipas kësaj procedure, komisioni i ngritur me urdhër të titullarit për blerjet e vogla, duhet të gjejë minimalisht 3 oferta në treg dhe të mbajë proces-verbalet përkatëse (formulari 3 dhe formulari 4). Janë pikërisht dy anëtarë të këtij komisioni të cilët kryejnë blerjen e mallit.
-
Komisioni në këtë rast, nuk ka mundur dot të plotësojë procedurën e parashikuar nga ligji, pasi sikundër shprehet edhe vetë pala paditëse në këtë gjykim, ky mall zotërohet vetëm nga kjo firmë.
-
Kufiri monetar për blerjet e vogla sipas ligjit të prokurimit është 400.000 (katërqind mijë) lekë pa Tvsh, për të mbuluar nevojat për gjithë vitin, gjë e cila për anën e paditur është qesharake, pasi ana e paditur zhvillon tendera me vlerë 100.000.000 (njëqind milion) lekë, fakt i cili tregon se ky komision, nuk e ka kryer këtë blerje.
-
Në këto kushte, komisioni nuk ka dhënë urdhrin e veprimit për të realizuar këtë blerje, ç’ka vërtetohet dhe me mungesën e firmave të anëtarëve të komisionit për blerjet e vogla, në faturën e shitësit.
-
Personi i cili ka firmosur faturën është një person i cili ka qenë i punësuar pranë anës së paditur në detyrën e Shefes së Farmacisë, por që nuk ka qenë personi i ngarkuar me ligj apo i autorizuar për të nënshkruar faturën e dorëzuar nga pala paditëse.
-
Në këto kushte, veprimi i kryer nga ish-punonjësi i anës së paditur në kapërcim të kompetencave të tij ligjore, nuk mund të justifikojë pretendimin e palës paditëse për të detyruar anën e paditur që ti paguajë një faturë për të cilën nuk është respektuar procedura e parashikuar nga ligji.
-
Pala e paditur, për të sqaruar këtë problem, ka kërkuar në gjykim që të thirrej si dëshmitar personi i cili ka nënshkruar faturën e dorëzuar nga pala paditëse, për të dhënë sqarimet përkatëse.
-
Vlen të theksohet gjithashtu se, nevoja e spitalit për këtë medikament nuk ka qenë fare urgjente. Kjo provohet nga fakti që, gjatë periudhës 2008-2010 ky medikament nga 200 copë që pretendon firma se ka dorëzuar, janë përdorur vetëm 30 të tilla. Pra, 170 copë janë ende të papërdorura. Gjithashtu, përdorimi i këtyre medikamenteve është bërë edhe nga fakti se po kalonte data e skadencës së tij, dhe pala paditëse nuk po e tërhiqte këtë mall.
-
Në kushtet kur hyrja e këtij malli nuk është bërë konform ligjit, edhe konsumimi i tij nuk është kryer nga ana e spitalit.
-
Asnjëra prej gjykatave më të ulëta nuk i ka marrë në analizë këto fakte, duke pranuar padinë vetëm me argumentin se: “a i ka spitali në farmacinë e tij këto barna?”, fakt i cili i bën këto vendime të pabazuara në ligj dhe në prova.
-
Vlen të theksojmë se, spitali nuk mund ti nxjerrë jashtë sasitë e barnave duke pretenduar se ato nuk janë të tijat, pasi si institucion shëndetësor ai e di që eleminimi fizik i barnave bëhet sipas një procedure të caktuar për vetë efektin që ato mund të sjellin, gjatë asgjesimit të tyre.
Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs edhe Avokatura e Shtetit, Zyra Vendore Durrës, e cila kërkon ndryshimin e vendimit nr.10-2013-275 (163), datë 04.03.2013 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe vendimit nr.2854, datë 03.11.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, si dhe kthimin e çështjes për rigjykim me trup tjetër gjykues, duke parashtruar të njëjtat shkaqe si pala e paditur Spitali Rajonal Durrës.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e çështjes objekt gjykimi nga gjyqtarja relatore Evelina Qirjako, si dhe verifikoi legjitimitetin e palës rekursuese Spitali Rajonal Durrës dhe Avokatura e Shtetit, Zyra Vendore Durrës;
V Ë R E N
1. Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, rezulton se, pala paditëse “IMI FARMA” sh.p.k, është shoqëri tregtare e cila ushtron veprimtarinë e saj, në fushën e tregtimit të artikujve farmaceutikë.
2. Pala paditëse ka pretenduar se, në datën 03.07.2008 ka bërë furnizimin e Spitalit Rajonal Durrës, me prodhime farmaceutike e konkretisht me 200 copë “Antema”, mbi bazën e Urdhër Prokurimit me nr.647, datë 01.07.2008 të nxjerrë nga titullari i autoritetit kontraktor.
3. Pala paditëse ka pretenduar se, pavarësisht faktit që ka dorëzuar mallin në sasinë e sipërcituar, nuk është likuiduar vlefta e tij nga ana e palës së paditur, e cila rezulton të jetë në masën prej 400.000 lekë.
4. Në kushtet kur pala e paditur nuk ka bërë likuidimin e vlerës së mallit që ka dorëzuar pala paditëse, kjo e fundit në datën 27.04.2010 i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës me padinë me objekt të sipërcituar, duke pretenduar detyrimin e anës së paditur që ti likujdojë shumën prej 400.000 lekësh, e cila përbën vlerën e mallit të dorëzuar sipas Urdhër Prokurimit me nr.647, datë 01.07.2008 të Drejtorit të Spitalit Rajonal Durrës (titullari i autoritetit kontraktor).
5. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin nr.2854, datë 03.11.2010, ka vendosur:
-Pranimin e kërkesë-padisë së palës paditëse Shoqëria “IMI FARMA” sh.p.k.
-Detyrimin e palës së paditur Spitali Rajonal Durrës, të paguajë në favor të palës paditëse shoqëria “IMI FARMA” sh.p.k shumën prej 400.000 (katërqindmijë) lekë që përfaqëson çmimin e shitjes së një sasie ilaçesh.
-Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës së paditur.
5/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “...Nga pala paditëse është bërë furnizimi i palës së paditur me sasinë e ilaçeve sipas urdhrit të prokurimit. Nga pala e paditur është bërë marrja në dorëzim i mallit që në rastin konkret është një sasi ilaçesh, të përcaktuara në faturën e furnizimit. Nga pala e paditur nuk është paguar çmimi për blerjen e këtij malli. Duke patur parasysh sa u parashtrua më lart, gjykata arrin në përfundimin se kërkesa e palës paditëse është e drejtë dhe si e tillë duhet pranuar. Sa më sipër, u vërtetua në seancë gjyqësore me shpjegimet e përfaqësuesit të palës paditëse dhe provat shkresore të shqyrtuara gjatë gjykimit dhe të administruara në dosje”.
6. Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr.10-2013-275 (163), datë 04.03.2013, ka vendosur:
-Lënien në fuqi të vendimit nr.2854, datë 03.11.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
6/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “...Gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe të administrimit të shkresës nr.817/1, datë 28.06.2010, faturën e furnizimit datë 03.07.2008 dhe e furnizimit me 200 copë të ilaçit “ANTEMA” të palës së paditur, u vërtetua marrja në dorëzim i mallit nga pala e paditur, nëpërmjet nënshkrimit të ekonomistes dhe Shefes së Farmacisë Valmira Bendi. Për sa më sipër, me të drejtë gjykata ka pranuar padinë e shoqërisë “IMI FARMA” sh.p.k., duke detyruar palën e paditur Spitali Rajonal Durrës të paguajë shumën prej 400.000 lekë çmimin e ilaçeve të shitur. Pretendimet e ngritura në ankim, nuk merren parasysh në këtë gjykim, pasi ato kanë të bëjnë me problemet që ka vet Spitali në organizimin e punës dhe të caktimit të punonjësve për kryerjen e veprimeve me të tretët, pa mohuar furnizimin me mallin e mësipërm nga shoqëria “Imi Farma” sh.p.k. Tiranë”.
7. Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala e paditur Spitali Rajonal Durrës, i cili kërkon ndryshimin e vendimit nr.10-2013-275 (163), datë 04.03.2013 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe vendimit nr.2854, datë 03.11.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, duke parashtruar ato shkaqe që pasqyrohen në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
8. Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs edhe Avokatura e Shtetit, Zyra Vendore Durrës, e cila kërkon ndryshimin e vendimit nr.10-2013-275 (163), datë 04.03.2013 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe vendimit nr.2854, datë 03.11.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, si dhe kthimin e çështjes për rigjykim me trup tjetër gjykues, duke parashtruar të njëjtat shkaqe si edhe pala e paditur Spitali Rajonal Durrës.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
9. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se, rekursi i paraqitur nga pala e paditur Spitali Rajonal Durrës dhe Avokatura e Shtetit, Zyra Vendore Durrës përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 58 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të cilat, i bëjnë të cënueshëm vendimet e gjykatave më të ulëta.
10. Në shqyrtim të akteve të ndodhura në dosjen gjyqësore, të cilat i janë nënshtruar hetimit dhe debatit gjyqësor në gjykatat më të ulëta, objektit dhe shkakut ligjor të padisë, pretendimeve të parashtruara në këto akte, si dhe në analizë të vendimeve të gjykatave më të ulëta, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, si Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ashtu edhe Gjykata e Apelit Durrës, kanë interpretuar dhe zbatuar gabim ligjin material të zbatueshëm për zgjidhjen e çështjes objekt shqyrtimi dhe për këtë arsye çmon se, këto vendime duhet të ndryshohen, duke u rrëzuar kërkesë padia e paditësit.
11. Rezulton se, kërkimi i palës paditëse në këtë gjykim, është: “Detyrimin e të paditurit të paguajë shumën prej 400 000 (katërqind mijë) lekë që përfaqëson vlerën e shitjes të një sasie ilaçesh”, të cilin pala paditëse e ka bazuar në nenet 31, 153 të K.Pr.Civile dhe nenet 419, 420, 422, 455, 463, 659, 705, 714, 730 të Kodit Civil.
12. Pala paditëse në këtë gjykim ka pretenduar se, nëpërmjet Urdhër-Prokurimit nr.647, datë 01.07.2008 të Drejtorit të Spitalit Rajonal Durrës i titulluar “Për prokurim me vlera të vogla”, është vendosur që: “... për nevoja të Spitalit Rajonal Durrës të përdoret procedura e prokurimit me vlera të vogla për sa më poshtë: Antema (materiale mjekimi) sasia 200 copë”. Bazuar mbi këtë urdhër, pala paditëse ka pretenduar se ka bërë menjëherë furnizimin e anës së paditur me medikamentin e quajtur “Antema”, në një sasi prej 200 copësh, duke kryer edhe faturimin e rregullt të këtij malli, i cili është përcaktuar në vlerën prej 400.000 lekë. Por edhe pse ana e paditur ka përfituar këtë sasi medikamenti, fakt i cili provohet nga nënshkrimi i faturës së furnizimit nga Shefja e Farmacisë së Spitalit Rajonal Durrës, ky i fundit nuk e ka kryer likujdimin e faturës, pavarësisht të gjitha përpjekjeve që pala paditëse ka kryer për të zgjidhur këtë çështje jashtëgjyqësisht. Në kushtet kur pala paditëse nuk ka aritur të zgjidhë çështjen me mirëkuptim, në datën 27.04.2010 i është drejtuar gjykatës me padinë objekt shqyrtimi bazuar në dispozitat e Kodit Civil, duke kërkuar detyrimin e palës së paditur për të bërë pagimin e shumës prej 400.000 lekësh.
13. Ndërsa ana e paditur në këtë gjykim si dhe Avokatura e Shtetit, Zyra Vendore Durrës, kanë prapësuar se, pala paditëse nuk rezulton të ketë nënshkruar një kontratë me anën e paditur dhe as të ketë depozituar ndonjë shkresë, me të cilën të kërkojë pranë të paditurit likujdimin e shumës prej 400.000 (katërqindmijë) lekësh. Bazuar në nenin 420 të K.Civil si dhe nenit 463 të po këtij Kodi, në kushtet kur ana e paditur nuk ka lidhur një kontratë me palën paditëse, ajo nuk mund detyrohet ti paguajë asaj shumën e pretenduar. Procedura që duhet të ndiqet në rastin konkret, rregullohet nga Ligji nr.9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, kreu VI, pika 2; VKM nr.1, datë 10.01.2007 “Për rregullat e prokurimit publik”, i ndryshuar, si dhe Udhëzimi nr.2, datë 18.02.2008 “Për procedurën e prokurimit me vlera të vogla”. Urdhri i prokurimit që është nxjerrë në në këtë rast, nuk i drejtohet firmës por Komisionit të Blerjeve të Vogla të krijuar në fillim të çdo viti, sipas parashikimeve të ligjit të sipërcituar. Në rastin në fjalë, lidhur me medikamentin “Antema”, nuk është respektuar procedura që parashikon ligji. Sipas kësaj procedure, komisioni i ngritur me urdhër të titullarit për blerjet e vogla, duhet të gjejë minimalisht 3 oferta në treg dhe të mbajë proces-verbalet përkatëse (formulari 3 dhe formulari 4). Janë pikërisht dy anëtarë të këtij komisioni të cilët kryejnë blerjen e mallit. Komisioni në këtë rast, nuk ka mundur dot të plotësojë procedurën e parashikuar nga ligji, pasi sikundër shprehet edhe vetë pala paditëse në këtë gjykim, ky mall zotërohet vetëm nga kjo firmë. Në këto kushte, komisioni nuk ka dhënë urdhrin e veprimit për të realizuar këtë blerje, ç’ka vërtetohet dhe me mungesën e firmave të anëtarëve të komisionit për blerjet e vogla, në faturën e shitësit. Personi i cili ka firmosur faturën është një person i cili ka qenë i punësuar pranë anës së paditur në detyrën e Shefes së Farmacisë, por që nuk ka qenë personi i ngarkuar me ligj apo i autorizuar për të nënshkruar faturën e dorëzuar nga pala paditëse. Në këto kushte, veprimi i kryer nga ish-punonjësi i anës së paditur në kapërcim të kompetencave të tij ligjore, nuk mund të justifikojë pretendimin e palës paditëse për të detyruar anën e paditur që ti paguajë një faturë për të cilën nuk është respektuar procedura e parashikuar nga ligji.
14. Por pavarësisht pretendimeve të anës së paditur dhe parashikimeve ligjore që rregullojnë këtë mosmarrëveshje, rezulton që të dyja gjykatat më të ulëta kanë pranuar kërkimet e palës paditëse, me arsyetimin se: “...Gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe të administrimit të shkresës nr.817/1, datë 28.06.2010, faturën e furnizimit datë 03.07.2008 dhe e furnizimit me 200 copë të ilaçit “ANTEMA” të palës së paditur, u vërtetua marrja në dorëzim i mallit nga pala e paditur, nëpërmjet nënshkrimit të ekonomistes dhe shefes së Farmacisë Valmira Bendi. Për sa më sipër, me të drejtë gjykata ka pranuar padinë e shoqërisë “IMI FARMA” sh.p.k., duke detyruar palën e paditur Spitali Rajonal Durrës të paguajë shumën prej 400.000 lekë çmimin e ilaçeve të shitur. Pretendimet e ngritura në ankim, nuk merren parasysh në këtë gjykim, pasi ato kanë të bëjnë me problemet që ka vet Spitali në organizimin e punës dhe të caktimit të punonjësve për kryerjen e veprimeve me të tretët, pa mohuar furnizimin me mallin e mësipërm nga shoqëria “Imi Farma” sh.p.k. Tiranë...”.
15. Këtë arsyetim të gjykatave më të ulëta, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë e gjen të pambështetur në prova dhe në ligj. Ky Kolegj, vlerëson se të dyja gjykatat, në marrjen e vendimeve të mësipërm, në kundërshtim me nenin 16 të K.Pr.Civile, nuk e kanë kuptuar dhe nuk e kanë përcaktuar drejtë natyrën e vërtetë të mosmarrëveshjes, shkakun ligjor të kërkimeve të paditësit, ligjin që duhet të zbatohej dhe për rrjedhojë nuk e kanë zgjidhur mosmarrëveshjen në përputhje me ligjin.
16. Fillimisht, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë çmon të evdentojë faktin se, pavarësisht mënyrës sesi paditësi ka formuluar kërkimet në objektin e padisë, i cili ka kërkuar kthimin e vleres se ilaçeve që ka furnizuar anën e paditur, në të vërtetë shkaku ligjor i kërkimit të paditësit, i cili del qartë nga gjithë hetimi gjyqësor, është detyrimi i palës së paditur për të përmbushur detyrimin kontraktor që rrjedh nga një procedurë prokurimi publik, referimi ligjor për zgjidhjen e të cilës, nuk duhet të bëhet vetëm tek dispozitat e Kodit Civil, por duhet të bëhet edhe tek dispozitat e ligjit të posaçëm i cili rregullon këtë mosmarrëveshje, sikundër është Ligji nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar si dhe aktet nënligjore të dala në bazë dhe për zbatim të tij.
17. Ky konkluzion i gjykatës vjen në përputhje edhe me qëndrimin e mbajtur në vendimin unifikues me nr.3/2012 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, në të cilin shprehimisht thuhet: “Gjykata e zbulon shkakun e padisë së paditësit duke e analizuar padinë në tërësinë e saj dhe jo duke u kufizuar tek dispozitat ligjore të referuara nga paditësi në pjesën hyrëse të saj. Mund të ndodhë që paditësi të referojë gabimisht dispozitat ligjore, porse nga leximi i kërkesëpadisë, del e qartë e drejta që ai kërkon të mbrojë. Në këtë rast, gjykata duhet të zgjidhë çështjen konform shkakut që rezulton nga shqyrtimi në tërësi i kërkesëpadisë, duke bërë lidhjen midis fakteve që pretendohen prej paditësit se kanë ngjarë dhe të drejtave apo interesave që ai pretendon se i janë cënuar”. Kjo pasi, mosidentifikimi i saktë i mosmarrëveshjes objekt shqyrtimi si dhe dispozitat ligjore të zbatueshme në lidhje me të, ka ndikuar që vendimmarrja e gjykatave më të ulëta të jetë e gabuar dhe jo në përputhje me dispozitat ligjore të zbatueshme.
18. Referuar kërkimit të palës paditëse si dhe shkakut ligjor ku ajo e mbështet këtë pretendim, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se çështja objekt shqyrtimi përbën një mosmarrëveshje administrative në fushën e prokurimit publik për zgjidhjen e të cilit, referimi ligjor siç u tha edhe më lart në këtë vendim, do të bëhet tek dispozitat e Ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar; VKM nr.1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar si dhe Udhëzimi nr.2, datë 18.02.2008 “Për procedurën e prokurimit me vlera të vogla”, të cilat rregullojnë këtë lloj veprimtarie.
19. Në nenin 29, të Ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar, i titulluar “Procedurat standarde të prokurimit”, parashikohet se: “1. Autoriteti kontraktor, në përcaktimin e fituesve të kontratave publike, zbaton procedurat e parashikuara në këtë ligj. Llojet e procedurave të prokurimit publik janë: a) procedurë e hapur; b) procedurë e kufizuar; c) procedurë me negocim, me ose pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës; ç) kërkesë për propozime; d) konkurs projektimi. 2. Procedura e hapur mund të përdoret për të gjitha kontratat. Procedura e kufizuar mund të përdoret atëherë kur është e domosdoshme të bëhet dallimi ndërmjet fazës së përzgjedhjes, ku trajtohet kualifikimi i kandidatëve dhe fazës së përcaktimit të kontratës fituese, ku shqyrtohet oferta. Dallimi ndërmjet procedurës së hapur dhe procedurës së kufizuar bëhet sipas përcaktimit në rregullat e prokurimit. 3. Autoriteti kontraktor përdor procedurën e hapur, procedurën e kufizuar dhe konkursin e projektimit për kontratat mbi kufirin e ulët monetar. Procedura me negocim përdoret vetëm në rrethana të veçanta, siç përcaktohet në nenet 32 e 33 të këtij ligji dhe në rregullat e prokurimit publik. 4. Autoriteti kontraktor mund të përdorë procedurën me negocim, me ose pa shpallje paraprake dhe kërkesën për propozime për kontratat me vlerë më të ulët se kufiri i ulët monetar. 5. Për prokurimet me vlerë të vogël, nën kufirin e ulët monetar, të mallrave, shërbimeve apo punëve, autoritetet kontraktore mund të përdorin procedura të thjeshtuara, të përcaktuara në rregullat e prokurimit publik”,
20. Në zbatim të kësaj dispozite ligjore, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin nr.1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, ku në kapitullin II të tij, të titulluar “Rregullat e përgjithshme të prokurimit”, në pikën b të saj ka parashikohet se: “Për prokurimet, vlera e përllogaritur e të cilave, brenda një viti kalendarik, nuk është më e madhe se 400 (katërqind) mijë lekë, autoriteti kontraktor mund të përdorë procedurën për prokurim me vlera të vogla, siç përshkruhet në kreun VI, të këtyre rregullave", ndërsa po në kreun VI të titulluar “Zhvillimi i procedurës së kërkesës për propozime, blerja me vlerë të vogël, shërbimet e konsulencës, konkursi i projektimit”, në pikën 2 të tij është zbërthyer në mënyrë të detajuar se cila është procedura për “Blerjet me vlerë të vogël”, në të cilin pasqyrohet se: “a) Në rastin e blerjes me vlerë më të ulët se 400 000 lekë në vit, në fillim të vitit kalendarik, titullari i autoritetit kontraktor ose personi i autorizuar prej tij ngre një komision të veçantë, të përbërë prej 3 anëtarësh, nga të cilët njëri është kryetar, ose autorizon njësinë e prokurimit, për të zbatuar këtë procedurë. Autoriteti kontraktor planifikon në fillim të vitit natyrën, sasitë dhe llojet e kontratave, që do të prokurohen me këtë mënyrë. Kjo dispozitë nuk duhet të interpretohet si mundësi për të pjesëtuar vlerën e kontratës, për shmangien nga procedurat konkurruese të prokurimit. Si rrjedhim, për përcaktimin e kufirit monetar për këtë procedurë llogariten grup mallrash apo shërbimesh të ngjashme, të cilat zakonisht prokurohen njëherësh dhe që, në asnjë rast, nuk duhet të ndahen për përdorimin e kësaj procedure. b) Kur lind nevoja për punë, mallra ose shërbime, titullari i autoritetit kontraktor ose një zyrtar tjetër i autorizuar, lëshon një urdhër, ku përcaktohen natyra dh e sasia e tyre. c) Anëtarët e komisionit duhet të vihen në kontakt me operatorët ekonomikë, duke marrë prej tyre të paktën tre tregues për çmimet e mallrave e të shërbimeve. Bazuar në kriterin e çmimit më të ulët, komisioni përcakton fituesin. Anëtarët e komisionit i drejtohen operatorit ekonomik, që ka ofruar çmimin më të mirë dhe bëjnë blerjen e mallrave ose të shërbimeve. Gjatë të gjithë procedurës duhet të mbahet procesverbal, i cili nënshkruhet nga të gjithë zyrtarët e përfshirë në proces. Në fund hartohet edhe një raport përfundimtar, me faturat e blerjeve përkatëse, si shtojcë e këtij raporti, i cili, në çdo rast, nënshkruhet nga të gjithë anëtarët. ç) Kjo procedurë, përveç rasteve të mësipërme, mund të përfshijë të gjitha shërbimet me vlerë të ulët dhe të paparashikueshme, si për shembull: riparime të tilla, si ndryshimi i bravës, riparimi i pajisjeve të ndryshme, i fotokopjeve, kompjuterëve, dhe riparimi i defekteve të vogla të automjeteve gjatë udhëtimit, si dhe shërbime të tjera të së njëjtës natyrë. Në të tilla raste emergjence dhe ku prania e komisionit është e pamundur, shërbimet mund të kryhen edhe nga persona, që nuk janë anëtarë të komisionit. Këto lloj shërbimesh mund të paguhen edhe me lekë në dorë, por pa kaluar vlerën 10 mijë lekë në total. Në çdo rast, faturat e mallrave apo të shërbimeve duhet të jenë të rregullta e sipas legjislacionit në fuqi, si dhe të nënshkruhen nga anëtarët e komisionit. Faturat e lëshuara kanë vlerën e kontratës së lidhur. d) APP-ja autorizohet të nxjerrë udhëzimet dhe dokumentet përkatëse, që përdoren për këtë procedurë nga çdo autoritet kontraktor”.
21. Për plotësimin dhe zbatimin e këtyre akteve nënligjore, të cilat janë në funksion të njëra-tjetrës, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konstaton se është nxjerrë edhe akti Udhëzimi nr.2, datë 18.02.2008 “Për procedurën e prokurimit me vlera të vogla”, ku në pikën 3 të saj parashikohet se: “Kjo lloj procedure do të përdoret për blerjen e një grupi mallrash kryerjen e shërbimeve apo punëve të ngjashme që kanë të njëjtin funksion kryesor apo që kanë të njëjtin emërtim në planin e shpenzimeve dhe nuk duhet parë si mundësi për shmangien e procedurave normale të prokurimit, duke prokuruar në këtë formë dhe brenda kësaj vlere, të ndarë nga njëri tjetri, mallra apo shërbime që përfshihen në një grup për shkak të ngjashmërisë së tyre apo për shkak të funksionit kryesor”, ndërsa në pikën 6 të po këtij Udhëzimi është përcaktuar se: “Procedura e prokurimit me vlerë të vogël, mund të përdorët për blerjen e mallrave, apo kryerjen e shërbimeve të paparashikueshme me vlerë jo më të madhe se 400.000 (katërqind mijë) lekë. Në të tilla raste emergjence dhe ku prania e komisionit është e pamundur, prokurimi do kryhet në vend pa u respektuar procedura e mësipërme, në prani të personave (përfaqësues të institucionit) që ndodhen në vend dhe që mbajnë një procesverbal midis tyre për ngjarjen e ndodhur. Mënyra e pagesës kur përdoret prokurimi me vlerë të vogël në rastet e emergjencës do të bëhet sipas legjislacionit në fuqi. Në çdo rast, faturat e mallrave, shërbimeve apo punëve duhet të jenë të rregullta, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe duhet të nënshkruhen nga të gjithë personat (përfaqësuese të institucionit) e pranishëm në vendin e kryerjes së prokurimit. Proces-verbali i mbajtur midis personave të pranishëm së bashku me faturën përkatëse të nënshkruar prej tyre, i dorëzohen Komisionit të prokurimit me vlera të vogla, të cilët mbajnë proces-verbalin, sipas formularit 5 bashkëlidhur, nënshkruajnë faturën dhe të gjithë dokumentacionin dhe ia dërgojnë Zyrës së Financës për likuidim”.
22. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në analizë të të gjitha akteve ligjore dhe nënligjore të përmendura më lart në këtë vendim, vlerëson se ligjvënësi ka parashikuar kushte dhe kritere të veçanta për kryerjen e procedurës së prokurimit për blerje të vogla. Referuar përmbajtjes së dispozitave ligjore dhe atyre nënligjore të cituara si më sipër, legjislatori ka përcaktuar saktësisht se cilat janë rastet në të cilat një autoritet kontraktues, duhet të përdorë procedurën e prokurimit të “Blerjes me vlerë të vogël” sikundër pretendohet në rastin objekt shqyrtimi. Në rastin e zbatimit të kësaj procedure, si Këshilli i Ministrave ashtu edhe Agjencia e Prokurimit Publik (APP) kanë zbërthyer procedurën që duhet të ndiqet në një rast të tillë, duke përcaktuar që çdo autoritet kontraktor se në cilat raste duhet të përdorë procedurën e prokurimit për blerje të vogla, si dhe çdo veprim që duhet të kryejë në një procedim të tillë.
23. Në referim të përmbajtjes së këtyre dispozitave ligjore, vlerësohet qartësisht se procedura me blerje të vogël, nuk kërkon domosdoshmërisht vetëm faktin që vlera që do të vihet në dispozicion të jetë deri në 400.000 lekë, por ajo kërkon edhe karakterin emergjent të përdorimit të saj. Pra, në rast se për një mall apo grup shërbimesh duhet të përdoret procedura e prokurimit publik sipas llojeve të parashikuara nga neni 29, pika 1 e Ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar (të cituar si më sipër në këtë vendim), autoriteti kontraktor nuk mund të përdori procedurën me “Blerje të vogël”, e cila është parashikuar nga legjislatori si një procedurë e veçantë dhe e thjeshtuar, referuar qëllimit për të cilin ajo është përcaktuar që të përdoret.
24. Nisur nga natyra emergjente e mallrave që i nënshtrohen kësaj procedure prokurimi, ligjvënësi ka ngarkuar Këshillin e Ministrave si dhe autoritetin shtetëror (sikundër është Agjencia e Prokurimit Publik), që të bëjnë zbërthimin e rasteve se kur duhet të aplikohet kjo procedurë, si dhe veprimet konkrete që duhet të ndiqen gjatë aplikimit të saj. Në gërmën “ç”, pika 2, të Kapitullit VI, të VKM nr.1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, është parashikuar se: “...Në çdo rast, faturat e mallrave apo të shërbimeve duhet të jenë të rregullta e sipas legjislacionit në fuqi, si dhe të nënshkruhen nga anëtarët e komisionit Faturat e lëshuara kanë vlerën e kontratës së lidhur”. Në interpretimin që i bëhet kësaj dispozite, rezulton se në rastin e zbatimit të procedurës së prokurimit me blerje të vogla, nuk është parashikuar detyrimisht lidhja e një kontrate formale furnizimi midis autoritetit kontraktor dhe operatorit që do të furnizojë mallin. Në rastin e kryerjes së procedurës me blerje të vogël, Këshilli i Ministrave ka parashikuar qartësisht se fatura e lëshuar nga operatori privat në momentin e dorëzimit të mallit, ka fuqinë e kontratës për palët kontraktuese pasi të jetë nënshkruar nga anëtarët e komisionit (për autoritetin kontraktor në cilësinë e palës së furnizuar dhe operatorit privat në cilësinë e palës furnizuese).
25. Në vijim të sa më sipër, në kushtet kur fatura e lëshuar nga pala paditëse në këtë gjykim ka vlerën e kontratës së lidhur mes palëve, për zgjidhjen e drejtë të çështjes objekt shqyrtimi, Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, i shtrohen për trajtim dy çështje: i) a përbën fatura e lëshuar nga pala paditëse një kontratë administrative dhe njëkohësisht një veprim juridik të vlefshëm në kuptim të Ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar si dhe akteve nënligjore të dala në bazë dhe për zbatim të tij? ii) a ka detyrim pala e paditur të shlyejë detyrimin palës paditëse të përcaktuar në vlerën prej 400.000 lekë?
26. Në lidhje me çështjen e parë të shtruar për zgjidhje, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, referuar dhe dispozitave ligjore të cituara më lart, vlerëson se fatura e lëshuar nga pala paditëse në kuptim të gërmës “ç” , pika 2, e Kapitullit VI, të VKM nr.1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, për të cilën është kërkuar edhe pagimi i shumës prej 400.000 lekësh në këtë gjykim, përbën një kontratë (pasi ligji i ka dhënë vlerën e kontratës). Koncepti mbi kontratat administrative jepet qartësisht në nenin 151 të K.Pr.Administrative, i titulluar “Kuptimi i kontratave administrative”, në të cilin parashikohet se: “1. Kontrata administrative është një marrëveshje nëpërmjet së cilës krijohet, modifikohet apo shuhet një marrëdhënie juridike e së drejtës publike. 2. Kontratat e mëposhtme konsiderohen administrative: a) sipërmarrjet e punëve publike; b) prokurimi i punëve publike; c) prokurimi i shërbimeve publike; ç) liçencimi i lojrave të fatit; d) kontratat e furnizimit të vazhdueshëm; dh) kontraktimi i shërbimeve të subjekteve private në rastet e fatkeqësive natyrore”.
27. Në analizë të sa më sipër, Ky Kolegj, çmon të theksojë se, akti administrativ është mënyra më e qartë e ushtrimit të pushtetit dhe funksioneve nga organet e administratës publike, por nuk është i vetmi. Administrata publike shpreh vullnet pushteti edhe nëpërmjet një veprimi tjetër administrativ që është kontrata administrative. Kontratat, në të cilat mund të paraqitet si palë administrata, mund të jenë private ose publike. Kontratat private qëndrojnë në të njëjtën bazë si dhe kontratat ndërmjet dy personave privatë. Ato rregullohen nga Kodi Civil dhe zgjidhen nga gjykatat e zakonshme. Ndërsa kontratat publike ose administrative janë çështje të së drejtës administrative dhe çdo gjë që ka lidhje me to shtrihet brenda juridiksionit të gjykatave administrative.
28. Kodi i Procedurave Administrative nuk parashikon ndonjë kërkesë të përgjithshme detyruese, apo rekomanduese rreth formës që duhet të ketë një kontratë administrative. E vetmja kërkesë është që në rastet e mosparashikimit me ligj të ndonjë forme tjetër kontrate, atëhere është e kuptueshme se forma duhet të jetë me shkrim. Kërkesa e ligjshmërisë në kontratat administrative detyron organin që të mos mundë të zmadhojë fuqitë e veta dhe të bëjë gjëra të cilat nuk është i autorizuar që t’i bëjë. Prandaj si të gjitha aktet e tjera të administratës, një kontratë administrative sigurisht që duhet të ketë dhe mbështetjen e saj në ligj. Shkaku i ligjshëm në të cilin mbështetet detyrimi midis palëve në kontratën administrative përbën, ashtu si në kontratat e së drejtës private, një nga kushtet kryesore për lidhjen dhe vlefshmërinë e kontratës. Në rastin objekt shqyrtimi, përsa kohë dispozitat ligjore që rregullojnë mosmarrëveshjen objekt shqyrtimi, parashikojnë se fatura e lëshuar në rastin e procedurave të prokurimit me “blerje të vogël” ka vlefshmërinë e kontratës, atëherë është detyrim ligjor që në këtë gjykim të vlerësohet nëse kjo kontratë administrative, përbën ose jo një veprim juridik të vlefshëm.
29. Për vetë natyrën që ka kontrata administrative (pavarësisht se është një veprim juridik), ajo nuk mund të barazohet plotësisht me veprimin juridik që realizohet midis subjekteve private dhe ka disa veçori që e dallojnë nga kjo e fundit. Për vlefshmërinë e një kontrate administrative nuk mjafton vetëm plotësimi i kushteve thelbësore të veprimit juridik (vullneti i palëve, shkaku i ligjshëm ku mbështetet detyrimi, objekti që formon lëndën e kontratës dhe forma e kërkuar nga ligji), por duhet të përmbushen edhe një sërë detyrimesh që përcaktohen në ligjin specifik, veçanërisht për palën e kontratës administrative që është organ i administratës publike. Palët në një kontratë të tillë, përveç plotësimit të detyrimeve ligjore për veprimin juridik, duhet të zbatojnë edhe parashikimet e akteve ligjore dhe nënligjore që rregullojnë këtë veprimtari, si dhe të përmbushin kërkesat ligjore dhe kushte e përcaktuara nga këto akte. Një kontratë administrative shpall, modifikon ose revokon një marrëdhënie juridike në sferën e së drejtës publike. Një kontratë administrative duhet të ketë mbështetjen e saj në ligj dhe nuk duhet të jetë e papajtueshme me ndonjë parashikim ligjor. Në këtë kontekst, ligj nuk do të thotë vetëm ligji bazë por në përgjithësi nënkupton legjislacionin administrativ, ligjet e zakonshme, po aq sa edhe parimet e përgjithshme të së drejtës.
30. Referuar akteve të administruara në dosjen gjyqësore, rezulton e provuar se nga ana e palës së paditur në këtë gjykim, i cili ka qenë me cilësinë e autoritetit kontraktor, nuk është ndjekur dhe nuk është kryer procedura ligjore që parashikon VKM nr.1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar si dhe Udhëzimi nr.2, datë 18.02.2008 i Agjencisë së Prokurimit Publik, në mënyrë që të konkludohet se edhe kontrata administrative (fatura) e cila përbën aktin final të kësaj procedure, të përbëjë ose jo një veprim juridik të vlefshëm.
31. Në dosje, rezulton të jetë administruar urdhëri i brendshëm me nr.34, datë 08.01.2008 “Për krijimin e komisionit të prokurimit për blerjet e vogla” të Spitalit Rajonal Durrës, Urdhër Prokurimi me nr.647, datë 01.07.2008 të Drejtorit të Spitalit Rajonal Durrës për “Blerje me vlerë të vogël” për medikamentin “Anatema”, si dhe fatura e lëshuar nga ana e palës paditëse për mallin e dorëzuar. Ka rezultuar e provuar se, nga ana e Drejtorisë Rajonale e Spitalit Durrës nuk është planifikuar blerja e këtij malli që në fillim të vitit, sikundër e parashikon gërma “a”, pika 2, e Kapitullit VI, të VKM nr.1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, në të cilin pasqyrohet se: “...Autoriteti kontraktor planifikon në fillim të vitit natyrën, sasitë dhe llojet e kontratave, që do të prokurohen me këtë mënyrë”. Nga ana e autoritetit kontraktor nuk rezulton të jenë kryer veprimet proceduriale që ka parashikuar ligji në këtë lloj procedure prokurimi, komisioni për blerjet e vogla të ketë mbajtur proces-verbalin përkatës, nëpërmjet të cilit të ketë pasqyruar procedurën për vendosjen në kontakt me operatorët ekonomikë, duke marrë prej tyre të paktën tre tregues për çmimet e mallit që është prokuruar, si dhe të ketë përpiluar raportin përkatës ku edhe të jetë përcaktuar operatori që ka ofruar çmimin më të mirë, të cilit pretendohet se i janë drejtuar për të marrë mallin.
32. Konkluzioni i sa më sipër, rezulton i provuar jo vetëm nga pohimet dhe prapësimet që pala e paditur ka dhënë gjatë procesit gjyqësor pranë dy gjykatave më të ulëta, por edhe nga fakti se në dosje nuk është administruar asnjë dokument shkresor që të provojë kryerjen dhe respektimimin e procedurave që parashikon ligji, ku të paktën të ishte administruar oferta që pala paditëse ka ofruar për këtë autoritet kontraktor, në lidhje me çmimin e saj të ofertës për medikamentin “Antema”. Gjithashtu, nuk rezulton e provuar dhe e mbështetur me prova shkresore se, malli i prokuruar me procedurën e prokurimit “Blerje me vlerë të vogël” është marrë në dorëzim dhe është nënshkruar nga ana e anëtarëve të komisionit. Fatura e paraqitur nga pala paditëse, e cila në kuptim të gërmës “ç” , pika 2, e Kapitullit VI, të VKM nr.1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, ka vlerën e kontratës, nuk rezulton të jetë nënshkruar nga anëtarët e komisionit për blerjet e vogla apo nga personat e autorizuar për të qenë prezent në dorëzimin e mallit, sikundër e kërkon ligji. Pra, që kjo faturë të merrte vlerën e kontratës duhet të ishte nënshkruar nga anëtarët e komisionit për blerjet e vogla.
33. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, konstaton se, në dosje është administruar vetëm fatura e lëshuar nga pala paditëse, e cila rezulton të jetë firmosur nga ekonomistja dhe Shefja e Farmacisë së anës së paditur, për të cilat nuk rezulton të jetë lëshuar një urdhër autorizimi për marrjen në dorëzim të medikamentit “Antema”. Po ashtu, nuk rezulton që kjo faturë ti jetë përcjellë anëtarëve të komisionit të blerjeve të vogla së bashku me procesverbalin përkatës, sikundër e parashikohet në pikën 6 të Udhëzimit nr.2, datë 18.02.2008 i Agjencisë së Prokurimit Publik, në të cilin thuhet se: “...Proces-verbali i mbajtur midis personave të pranishëm së bashku me faturën përkatëse të nënshkruar prej tyre, i dorëzohen Komisionit të prokurimit me vlera të vogla, të cilët mbajnë proces-verbalin, sipas formularit 5 bashkëlidhur, nënshkruajnë faturën dhe të gjithë dokumentacionin dhe ia dërgojnë Zyrës së Financës për likujdim”. Për këtë arsye, ky Kolegj vlerëson se në rastin objekt shqyrtimi nuk është respektuar forma dhe procedura që parashikon ligji në rastin e zbatimit të procedurës së prokurimit publik të “blerjes me vlerë të vogël” dhe si e tillë, edhe fatura që kërkohet të likuidohet nga ana e palës paditëse, të cilin ligji e barazon me kontratën e lidhur mes palëve, rezulton të jetë një kontratë administrative absolutisht e pavlefshme. Pra, marrëdhënia e krijuar midis palëve ndërgjyqëse në këtë gjykim, është një marrëdhënie juridike e pavlefshme, pasi vjen në kundërshtim me dispozitat urdhëruese të ligjit. Për këtë arsye, prej saj nuk mund të derivojnë të drejta dhe detyrime të ligjshme për palët, të cilat të kërkojnë gjyqësisht përmbushjen e tyre.
34. Ky Kolegj, çmon të theksojë se, në kuptimin e së drejtës administrative, kontrata administrative absolutisht e pavlefshme është ajo kontratë, e cila për shkak të shkeljes thelbësore të ligjeve mbi bazën e të cilës është lidhur, nuk ka fuqinë e një akti administrativ të vlefshëm dhe objektivisht nuk konsiderohet që të ketë ekzistuar në asnjë çast. Një kontratë administrative absolutisht e pavlefshme është e tillë që nga momenti i lidhjes së saj dhe si e tillë, nuk krijon dhe as mund të krijojë pasojat juridike për të cilat ajo është lidhur. Një kontratë administrative absolutisht e pavlefshme nuk është formë e ligjshme e shprehjes së vullnetit; ajo është një nulitet i plotë, i cili konsiderohet se nuk ka hyrë në fuqi asnjëherë. Për shkak të shkeljes së rëndë thelbësore të ligjës, pavlefshmëria absolute e një kontrate administrative nuk mund të rregullohet në të ardhmen, pasi ky veprim juridik konsiderohet sikur nuk ka ekzistuar asnjeherë. Si e tillë, ajo nuk mund të ketë fuqi detyruese ndaj palëve midis të cilave është lidhur.
35. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se kushtet dhe kriteret e përcaktuara në VKM nr.1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, kanë karakter urdhërues dhe jo fakultativ. Pra, respektimi i këtyre dispozitave ligjore është i detyrueshëm për tu zbatuar nga ana e autoritetit kontraktor, në mënyrë që procedura e prokurimit publik të zbatuar prej tij në rastin e blerjeve të vogla, të jetë e vlefshme. Mosplotësimi i këtyre kritereve të përcaktuara nga aktet nënligjore, bën që procedura e ndjekur për kryerjen e këtyre blerjeve të jetë e pavlefshme e si e tillë, edhe marrëdhënia e lidhur mes palëve si dhe aktet që formalizojnë këtë marrëdhënie (sikundër është fatura e lëshuar nga pala paditëse) të konsiderohet si një veprim juridik i pavlefshëm. Kjo për faktin se, respektimi dhe ndjekja e të gjitha kërkesave që parashikojnë aktet nënligjore në kryerjen e kësaj procedure nuk është thjesht me karakter formal, por substancial. Ky Kolegj, çmon të theksojë se, Këshilli i Ministrave e ka parashikuar procedurën e prokurimit publik si një rast përjashtimor për shkak të emergjencës dhe vlerës së vogël që pretendohet të prokurohet, duke parashikuar rregulla të posaçme, me qëllim që kjo procedurë të mos përdoret rëndom nga ana e autoriteteve kontraktore, por të përdoret vetëm në ato raste për të cilat ka qenë qëllimi i parashikimit të saj.
36. Në vijim të sa më sipër, në kushtet kur marrëdhënia midis palëve ndërgjyqëse në këtë gjykim, është një marrëdhënie e cila është krijuar në mosrespektim të dispozitave ligjore, palët nuk mund të kenë të drejta dhe detyrime ndërmjet tyre. Kjo për faktin se, fatura e paraqitur nga pala paditëse në këtë gjykim përbën një kontratë administrative absolutisht të pavlefshme në kuptim të nenit 116/c dhe 117 të K.Pr.Administrative, pasi është lidhur në kundërshtim me formën dhe procedurat e parashikuara nga VKM nr.1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, si dhe Udhëzimi nr.2, datë nr.2, datë 18.02.2008 i Agjencisë së Prokurimit Publik. Për këtë arsye, kjo faturë, të cilën ligji e ka ekuivalentuar me kontratën, përbën një veprim juridik të pavlefshëm dhe si e tillë nuk mund të krijojë të drejta dhe detyrime të ligjshme midis palëve kontraktuese.
37. Në lidhje me çështjen e dytë të shtruar për zgjidhje, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, në kushtet kur palët ndërgjyqëse në këtë gjykim, kanë lidhur ndërmjet tyre një kontratë administrative në kundërshtim me dispozita urdhëruese të ligjit (pra në kundërshtim me formën dhe procedurën e parashikuar nga Ligji nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar, si dhe VKM nr.VKM nr.1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar), ajo nuk krijon të drejta të ligjshme për palët kontraktuese dhe për këtë arsye pala paditëse nuk mund të pretendojë pagimin e shumës, si një detyrim që i rrjedh nga kjo kontratë.
38. Vetëm në rast se do të ishte respektuar procedura e parashikuar nga ligji për zhvillimin e procedurës së prokurimit publik me blerje të vogla, kontrata administrative (fatura e lëshuar nga pala paditëse) do të përbënte veprim juridik të vlefshem dhe si e tillë, pala paditëse do të kishte të drejtën të kërkonte përmbushjen e saj, si dhe të kishte garancitë ligjore që i jep Ligji nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar. Për këtë arsye, ky Kolegj, çmon se vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe vendimi i Gjykatës së Apelit Durrës, duhet të ndryshohen, duke u vendosur rrëzimi i padisë në lidhje me këtë kërkim.
39. Në përfundim të analizës së mësipërme, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, si vendimi nr.2854, datë 03.11.2010 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës ashtu edhe vendimi nr.10-2013-275 (163), datë 04.03.2013 i Gjykatës së Apelit Durrës, janë marrë në interpretim të gabuar të ligjit material, dhe për këtë arsye këto vendime duhet të ndryshohen, duke u vendosur rrëzimi i kërkesë padisë së ngritur nga pala paditëse shoqëria “IMI FARMA” sh.p.k.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63, të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O S I
Ndryshimin e vendimit nr.10-2013-275 (163), datë 04.03.2013 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe vendimit nr.2854, datë 03.11.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, dhe rrëzimin e kërkesë padisë.
Tiranë më 24.03.2016
Nr. 31001-01323-00-2014 Regj.Themeltar
Nr. 00 - 2016 - 1088 Vendimi (174)
Do'stlaringiz bilan baham: |