VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës se Lartë i përbërë nga:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
Tom Ndreca Anëtar
në seancat gjyqësore të datave 15.03.2016 mori në shqyrtim çështjen administrative me nr.01346/2012 që u përket palëve:
PADITËSE ALI CAKAJ, NË MUNGESË
TË PADITUR: DREJTORIA E ADMINISTRIMIT DHE SHITJES SË PRONAVE PUBLIKE PRANË MINISTRISË SË FINANCAVE;
FILIP KORRAQE
BRIGADA E LOGJISTIKËS PRANË MINISTRISË SË MBROJTJES
PERSON I TRETË: MINISTRIA E EKONOMISË TREGTISË DHE ENERGJETIKËS
OBJEKTI:
Konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës së shitblerjes
me nr.539 rep. dhe nr.100 kol., datë 11.05.2004
të objektit dhe truallit “Depo F T Graka”, Mallakastër;
Konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës së shitblerjes
me nr.540 rep. dhe nr.101 kol., datë 11.05.2004
të objektit dhe truallit “Pishina”, Mallakastër;
Konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës së shitblerjes me nr.541 rep.
dhe nr.102 kol, datë 11.05.2004 të objektit
dhe truallit “Park automjetesh 8 vënde”, Mallakastër;
Kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme fillestare.
Marrjen e masës “Për sigurimin e padisë”,
duke u vendosur pezullimi i punimeve ndërtimore
që i padituri Filip Korraqe po kryen në sipërfaqen e pronës objekt gjykimi
për rikonstruksionin e “pishinës ekzistuese plus restorant një kat”
Baza Ligjore: Neni 31, 32/a, 36, 41, 42, 53, 96/a, 106, 192, 202-212 të K.Pr.Civile.
Neni 96/a e 113 të K.Civil dhe Ligji nr.7699,dt.21.04.1993
“Për kompensimin në vlerë të ish pronarëve të tokës bujqësore” (të ndryshuar)
si dhe Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.159,dt. 13.03.2003
“Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet si dhe procedurat e shitjes”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendim nr.1044, datë 16.02.2011, ka vendosur:
-Pranimin e padisë.
-Konstatimin e pavlefshmërisë të kontratave të shitblerjes përkatësisht me nr.539 rep, 100 kol, datë 11.05.2004 të objektit dhe truallit “Depo F T Graka”, Mallakastër; asaj me nr.540 rep, nr.101 kol, datë 11.05.2004 të objektit dhe truallit “Pishina”, Mallakastër, si dhe asaj me nr.541 rep, nr.102 kol, datë 11.05.2004 të objektit dhe truallit “Park automjetesh 8 vënde”, Mallakastër, si dhe kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme fillestare.
-Pushimin e gjykimit për pjesën tjetër të padisë që lidhet me kërkimin për marrjen e masës “Për sigurimin e padisë” (me heqje dorë nga gjykimi prej palës paditëse).
-Shpenzimet gjyqësore të paditurve.
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.474, datë 06.03.2012 ka vendosur:
-Ndryshimin e vendimit nr.1044 dt.16.02.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe duke e gjykuar çështjen në fakt:
-Rrëzimin e padisë së paditësit Ali Cakaj.
Kundër këtij vendimi, ka ushtruar të drejtën e rekursit pala paditëse Ali Cakaj, që kërkon prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke parashtruar këto shkaqe:
-
gjykata e apelit ka zbatuar gabim ligjin;
-
nuk jam njoftuar asnjëherë për ankandin dhe pse jam interesuar vazhdimisht;
-
është shkelur e drejta e parablerjes së ish-pronarit;
-
janë cënuar rëndë të drejta kushtetuese të pronës;
Ka paraqitur kundër-rekurs personi i tretë Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e cila ka kërkuar mospranimin e rekursit.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Evelina Qirjako, përfaqësuesin e Avokaturës së Shtetit, Av. Abaz Deda, i cili përfaqëson në këtë gjykim palën e paditur Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike pranë Ministrisë së Financave; Brigadën Logjistike pranë Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe personin e tretë Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë; si dhe konstatoi se pala paditëse Ali Cakaj dhe pala e paditur Filip Karroqe janë në mungesë dhe kanë dijeni rregullisht sipas ligjit,
V Ë R E N
1. Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, rezulton se, paditësi Ali Cakaj është banor i fshatit Lavdan në Komunën Qëndër, Mallakastër.
2. Me vendimin nr.69, datë 05.11.1999 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Mallakastër, është vendosur: “1.a. Të njohë z. Ali Cakaj si ish-pronar të këtyre pronave: Tokë truall jashtë vijës kufitare prej 31.500 m2, të ndarë e me kufizime si më poshtë: -Trualli i parë prej 8.000 m2 e kufizueme: Veriu-Jugu-Perëndimi – me pronat e Ahmet Oriza; Lindja- me Lumin Gjanica. –Trualli i dytë prej 13.500 m2 e kufizueme: Veriu- me Muhamet Nazeraj, Jugu- Faslli Faslli; Perëndimi – me përrua; Lindja- Maliq Skënderi. – Trualli i tretë prej 10.000 m2 e kufizueme: Veriu- rruga, Jugu e Lindja – me Ahmet Orizaj, Perëndimi- me përrua. 1.b. Bazuar në nenin 14/c të Ligjit nr.7699, datë 21.04.1993 ish-pronarit Ali Cakaj i lind e drejta e parablerjes së objekteve të ndërtuara në ish-pronat e tij (repart ushtarak, objektet e komisariatit të policisë etj) kur ato të privatizohen gjë të cilën do ta vendos AKP....”.
3. Rezulton se për këto objekte janë kryer procedurat e privatizimit dhe janë lidhur edhe kontratat e shitblerjes, përkatësisht ajo me nr.539 rep, 100 kol, datë 11.05.2004 që i përket objektit dhe truallit “Depo F T Graka”, Mallakastër; ajo me nr.540 rep, nr.101 kol, datë 11.05.2004 që i përket objektit dhe truallit “Pishina”, Mallakastër, si dhe ajo nr.541 rep. dhe nr.102 kol, datë 11.05.2004 që i përket objektit dhe truallit “Park automjetesh 8 vënde”, Mallakastër. Këto kontrata shit-blerje janë lidhur midis palës shitëse Agjensisë Kombëtare të Privatizimit dhe Komandës së Forcave Tokësore Tiranë, si dhe palës blerëse Filip Korraqe (i paditur në këtë gjykim).
4. Nëpërmjet padisë objekt gjykimi pala paditëse ka kërkuar pavlefshmërinë e kontratave të përmendura më lart me pretendimin se i padituri Filip Korraqe ka privatizuar objekte të ish Repartit Ushtarak të ndodhura në Mallakastër përkatësisht me emërtimin “Depo FT Graka”, “Pishina” dhe “Park automjetesh 8 vendesh” në kundërshtim me ligjin, pasi për këto objekte të cilat ndodhen mbi truallin e tij të njohur dhe kthyer sipas vendimit nr.69, datë 05.11.1999 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Mallakastër, pala paditëse gëzonte të drejtën e parablerjes dhe organi që i ka privatizuar ato nuk ka respektuar ligjin për këtë qëllim.
5. Pala paditëse ka pretenduar se e drejta e parablerjes, këtij subjekti i është njohur kohë përpara se të kryhej privatizimi i këtyre objekteve në favor të paditurit Filip Korraqe dhe procedurat e ndjekura nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike pranë Ministrisë së Financave për privatizimin e këtyre objekteve, i kanë cenuar atij një të drejtë të ligjshme atë të parablerjes së objekteve. Pala paditëse ka pretenduar se nuk është vënë në dijeni dhe nuk është thirrur për këtë privatizim nga organet përkatëse që e kanë kryer atë dhe gjithashtu janë shkelur të gjithë procedurat ligjore për kryerjen e këtij privatizimi.
6. Në cilësinë e pronarit të truallit, pala paditëse rezulton që të ketë bërë marrëveshje të njëpasnjëshme për ruajtjen e objekteve të ish Repartit Ushtarak që ndodheshin mbi këtë truall, ku kontrata e fundit që është lidhur për këtë qëllim, është kontrata një vjeçare e datës 08.05.2008 e lidhur me përfaqësuesit e Repartit Ushtarak. Fakti si më sipër, vërtetohet ndër të tjera me kontratën e datës 08.05.2008 për dhënien në ruajtje të këtyre objekteve të lidhura nga viti 1999 e në vazhdim.
7. Pala paditëse ka pretenduar se, nga momenti i njohjes dhe kthimit të pronës objekt shqyrtimi është interesuar vazhdimisht për privatizimin e objekteve të ish Repartit Ushtarak, por nuk ka marrë asnjëherë përgjigje, ndërkohë që objektet ishin privatizuar. Për të provuar sa më sipër, ai i referohet shkresës me nr.481/1 prot, datë 28.08.2008 e Ministrit të METE- s drejtuar Ministrit të Mbrojtjes, me anë të së cilës i është kërkuar kësaj të fundit prononcim për privatizimin e objekteve të ish Repartit Ushtarak, të ndodhura mbi pronën në fjalë në fshatin Lavdan, Ballsh të Mallakastrës.
8. Shkresa me përmbajtjen si më sipër, i drejtohej Ministrisë së Mbrojtjes në atë kohë, pasi kishte kërkesë nga pala pronare e truallit (dmth pala paditëse) për privatizimin e këtyre objekteve të ish Reparteve Ushtarake të cilat ishin në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërkaq, me shkresën tjetër nr.481/3 prot, datë 02.12.2008 po të Ministrit të METE-s, është bërë edhe miratimi i privatizimit të objekteve në fjalë të ish Repartit Ushtarak.
9. Pala paditëse ka pretenduar në gjykim se është vënë në dijeni të privatizimit të këtyre objekteve, vetëm në momentin që në objektet e ish Repartit Ushtarak në fjalë është paraqitur i padituri Filip Korraqe, i cili mbi bazën e një leje ndërtimi të nxjerrë me vendimin e KRRT nr.4, datë 07.11.2008 ka filluar të kryejë punime për rikonstruksionin e pishinës ekzistuese të ish Repartit Ushtarak, si dhe për ngritjen e një restoranti një kat. Pala e paditur Filip Korraqe ka pretenduar se është pronar i pronës objekt shqyrtimi, titullin mbi të cilin e kishte fituar nëpërmjet kontratave të shitjes përfituar nga procesi i privatizimit.
10. Në këto kushte, pala paditëse i është drejtuar gjykatës me padinë të cituar si më sipër, duke kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kontratave të shitblerjes, pasi ato janë në kundërshtim të hapur me ligjin si dhe ka kërkuar kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme.
11. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim nr.1044, datë 16.02.2011 ka vendosur:
-Pranimin e padisë.
-Konstatimin e pavlefshmërisë të kontratave të shitblerjes përkatësisht me nr.539 rep, 100 kol, datë 11.05.2004 të objektit dhe truallit “Depo F T Graka”, Mallakastër; asaj me nr.540 rep, nr.101 kol, datë 11.05.2004 të objektit dhe truallit “Pishina”, Mallakastër si dhe asaj me nr.541 rep, nr.102 kol, datë 11.05.2004 të objektit dhe truallit “Park automjetesh 8 vënde”, Mallakastër si dhe kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme fillestare.
-Pushimin e gjykimit për pjesën tjetër të padisë që lidhet me kërkimin për marrjen e masës “Për sigurimin e padisë” (me heqje dorë nga gjykimi prej palës paditëse).
-Shpenzimet gjyqësore të paditurve.
11/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “... Së pari: Gjykata vlerëson e çmon se përbën shkak për pavlefshmërinë absolute të privatizimit dhe kontratave të shitblerjes përkatëse fakti se në rastin konkret konstatohet se në këtë privatizim nuk është respektuar e drejta e parablerjes që paditësi Ali Cakaj kishte fituar në cilësinë e ish pronarit qysh pesë vjet më përpara se të bëhej ky privatizim (në këtë aspekt vëmë në dukje se privatizimi nga i padituri Filip Korraqe është bërë në vitin 2004; ndërkohë, që paditësi Ali Cakaj kishte fituar të drejtën e parablerjes qysh 5 vjet përpara dmth që në vitin 1999) – detyrim ligjor ky, që buron nga neni 14/c i Ligjit nr.7699, dt. 21.04.1993 “Për Kompensimin në vlerë të ish pronarëve të tokës bujqësore” ndryshuar më Ligjin nr.7981, datë 27.07.1995, neni 10. Së dyti: Gjykata vlerëson e çmon se duke patur pala paditëse të drejtën e parablerjes për objektet e ish Repartit Ushtarak; kjo e drejtë e tij, nga pikpamja ligjore nënkupton që shitja (privatizimi) i këtyre objekteve nuk mund të realizohej në formën e ankandit,pasi ligjërisht pala paditëse përfitonte apriori të drejtën e “blerësit të parë” – ç’ka do të thotë se ankandi në një rast të tillë nuk mund të vazhdonte më tej sikurse ka ndodhur në fakt;procedurë kjo, që e bënë këtë ankand një veprim juridik civil absolutisht të pavlefshëm. Gjykata në arritjen e këtij konkluzioni ka parasysh ndër të tjera jo vetëm ligjin material (sikurse është ligji nr.7699, datë 21.04.1993 “Për kompensimin në vlerë të ish pronarëve të tokës bujqësore”, të ndryshuar) por në veçanti ka parasysh Vendimin Unifikues të Gjykatës së Lartë nr.23, datë 01.04.2002; vendim ky, në të cilin hidhet konkluzioni përfundimtar se e drejta e parablerjes në përmbajtjen e saj është një e drejtë reale – ç’ka do të thotë, se në rastet e privatizimit kjo e drejtë e pronarit nuk mund të kufizohet në praktikë (qoftë edhe me anë të ankandit, sikurse është vepruar padrejtësisht në rastin konkret), pasi pronari që disponon këtë të drejtë reale presupozohet ligjërisht e teorikisht se për këtë shkak ai ka të drejtën e “blerësit të parë”. (Ndërkohë kujtojmë se privatizimi që kryhet me anë të formës së ankandit presupozon blerjen e sendit nga blerësi që afron çmimin më të lartë – ç’ka mënjanon në një rast të tillë ushtrimin e të drejtës së parablerjes së këtij sendi nga personi që ka të drejtën e parablerjes së tij dhe njëkohësisht të blerësit të parë). Së treti: Gjykata vlerëson e çmon se në vështrim të Legjislacionit të kohës për pronat dhe atij për privatizimin ishte detyrë ligjore e Agjensisë Kombëtare të Privatizimit (sot DASHPP pranë Ministrisë së Financave) që para privatizimit të këtyre objekteve të komunikonte me anë të korrespondencës përkatëse zyrtare me METE-n dhe Agjensinë e Kthimit të Pronave për të evidentuar faktin nëse për truallin mbi të cilën ndodheshin objektet që do të privatizoheshin kishte pronarë apo jo. Mosrealizimi i kësaj detyre ligjore nga ana e Agjensisë Kombëtare të Privatizimit (sot DASHPP pranë Ministrisë së Financave,) si dhe mungesa e korrespondencës së saj zyrtare për të evidentuar faktin e pronësisë si më lart të palës paditëse mbi truallin në të cilën ndodheshin objektet që do të privatizoheshin - nuk e shkarkon shitësin Agjensisë Kombëtare të Privatizimit (sot DASHPP pranë Ministrisë së Financave) dhe Ministrinë e Mbrojtjes (Brigada e Logjistikës) nga përgjegjësia e tyre dhe për rrjedhojë kjo e bënë privatizimin në fjalë të këtyre objekteve absolutisht të pavlefshëm. (Siç thamë pala paditëse ishte bërë pronar nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave qysh 5 vjet përpara privatizimit dhe dy shitësat si më sipër të objekteve të privatizuara i kishin objektivisht të gjitha mundësitë që gjatë gjithë kësaj periudhe 5 vjeçare ta evidentonin një fakt të tillë dhe ta përfshinin palën paditëse në këtë privatizim - më hollësisht shih VKM nr.159, datë 13.03.2003 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore qe privatizohet si dhe procedurat e shitjes”, nenin 14, 22 etj; akt nënligjor ky, nga ku lind ndër të tjera detyrimi ligjor i palëve shitëse përsa më lart) ...”.
12. Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.474, datë 06.03.2012 ka vendosur:
-Ndryshimin e vendimit nr.1044, datë 16.02.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe duke e gjykuar çështjen në fakt:
-Rrëzimin e padisë së paditësit Ali Cakaj.
12/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “....Po ti referohemi së pari vendimit të Këshillit të Ministrave nr.159, datë 13.03.200, ky akt nënligjor në pikat 2 të kreut të Ill-të përcakton shprehimisht se, "Privatizimi i këtyre objekteve do të bëhet nëpërmjet ankandit. Ish-pronarët e truallit, në zbatim të ligjit 'Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish- pronarëve", kanë të drejtën e parablerjes së objektit me vlerë fillestare. Në rastet kur nuk ka pronar trualli ose nuk janë paraqitur dokumentet e pronësisë deri në datën e zhvillimit të ankandit, objekti i nënshtrohet ankandit. Vlera e truallit i kompensohet pronarit sipas dispozitave në fuqi". Ndërsa në pikën 8 të kreut të Ill-të përcaktohet shprehimisht se "Ish-pronari i truallit, bashkëngjitur kërkesës për blerjen e ndërmarrjes ose objektit, që shtrihet mbi tokën ish-pronë e tij, duhet të paraqesë në AKP ose në degën e saj, përveç sa kërkohet në pikën 6, edhe vendimin përkatës të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish-pronareve, që përcakton se ai është ish-pronar i tokës. Kur sipërfaqja e tokës ish-pronë private shtrihet mbi 80 për qind të gjithë tokës nën objekt, e drejta e parablerjes shtrihet në gjithë objektin. Kjo vlen edhe për rastet kur ka disa bashkëpronarë dhe ndërmjet tyre ka një marrëveshje të dokumentuar. Në rastet kur objektit i është ulur vlera e fillimit të ankandit, meqë nuk është shitur me çmim fillestar të publikuar, ish-pronari, për të gëzuar të drejtën e parablerjes, duhet të bëjë pagesën e plotë sipas vleftës fillestare dhe jo sipas vleftës së ulur." Kështu që, Gjykata e Apelit çmon se te dy këto dispozita përcaktojnë qartë detyrimin e ish-pronarit për t’u paraqitur deri në ditën e zhvillimit të ankandit, së bashku me dokumentacionin e kërkuar. Referuar gjithë arsyetimit të vendimit të gjykatës nuk thuhet në asnjë rast se ish pronari ka plotësuar detyrimin e tij ligjor për tu paraqitur me dokumentacionin përkatës deri në ditën e ankandit, dhe për më tepër gjykata nuk ka kryer fare hetim për këtë fakt. Në asnjë pikë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.159, datë 13.03.2003, nuk ka detyrim për t’u kërkuar informacion pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nga Agjencia Kombëtare e Privatizimit dhe ky detyrim të jetë shkelur nga ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit. Dhe kjo është rrjedhojë e legjislacionit të kohës në fuqi dhe konkretisht Ligjit nr.7698, datë 15.04.1993 "Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve" të ndryshuar, Ligjit nr.7699, datë 21.04.1993 "Për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve të tokës bujqësore", të ndryshuar dhe akteve nënligjore të nxjerra në bazë dhe për zbatim të tyre, pasi në të gjitha këto ligje dhe akte nënligjore nuk përcaktohet asnjë kompetencë e ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për të kërkuar apo dhënë informacion për trojet për të cilat këto komisione kanë disponuar me vendime dhe kanë njohur pronësinë e ish-pronarëve. Por këto akte ligjore dhe nënligjore përcaktojnë detyrimin e ish-pronarit për të paraqitur vendimin përkatës të komisionit, i cili ka disponuar për ish pronën e tij në organet kompetente shtetërore për të realizuar të drejtat e tyre. Organi kompetent për të cilin gjykata pretendon se duhet të ishte marrë informacion dhe që kishte detyrimin për të dhënë informacionin, është krijuar me Ligjin nr.9583, datë 17.07.2006 "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9235, datë 29.07.2004 "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", të ndryshuar, pra rreth dy vjet pas shitjes së objekteve, dhe nuk kanë ekzistuar në kohën e kryerjes së proçedurave të privatizimit. Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.192, datë 02.04.1998 ka përcaktuar qartë "Kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohen dhe procedurat e shitjes", i cili në pikën 2 të kreut të Ill-të përcakton shprehimisht "Privatizimi i këtyre objekteve do të bëhet nëpërmjet ankandit. a) Ish-pronarët e truallit, në zbatim të Ligjit 'Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve", kanë të drejtën e parablerjes, por gjithmonë sipas çmimeve të tregut të përcaktuar në ankand. Vlera e truallit do të kompensohet në përputhje me dispozitat në fuqi". Po ashtu pika 7 e kreut të Ill-të përcakton shprehimisht se "Ish-pronari i tokës, bashkëngjitur kërkesës për blerjen e ndërmarrjes ose objektit, që shtrihet mbi tokën ish-pronë të tij, duhet të paraqesë në AKP ose në degën e saj, përveç sa kërkohet në pikën 6, edhe vendimin përkatës të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish-pronarëve, që përcakton se ai është ish-pronar i tokës". Nisur nga arsyetimi i mësipërm Gjykata e Apelit çmon se, të gjitha proçedurat e shitjes janë kryer konform legjislacionit në fuqi dhe nuk ka asnjë dispozitë ligjore apo nënligjore që të jetë vepruar në kundërshtim me të...”.
13. Kundër këtij vendimi ka ushtruar të drejtën e rekursit pala paditëse që kërkon prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke parashtruar ato shkaqe që citohen në pjesën hyrëse, të këtij vendimi.
14.Ka paraqitur kundër-rekurs personi i tretë Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e cila ka kërkuar mospranimin e rekursit.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
15. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, rekursi i paraqitur nga pala paditëse Ali Cakaj, përmban shkaqe ligjore nga ato të parashikuara në nenin 58 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të cilat e bëjnë të cënueshëm vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës. Ky Kolegj, çmon se vendimi nr.474, datë 06.03.2012 i Gjykatës së Apelit Tiranë, i cili ka ndryshuar vendimin nr.1044, datë 16.02.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është marrë në zbatim të gabuar të ligjit material e procedurial, e për rrjedhojë ai duhet të prishet dhe çështja duhet të kthehet për rigjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
16. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në referim të akteve të administruara në dosjen gjyqësore, të cilat janë marrë në shqyrtim dhe janë analizuar nga gjykatat më të ulëta, vlerëson se Gjykata e Apelit Tiranë, në kundërshtim me kërkesat e normave proceduriale nuk ka kryer “një hetim gjyqësor të plotë dhe të gjithanshëm në përputhje me ligjin” (neni 14 i K.Pr.Civile), duke mos i dhënë përgjigje pretendimeve dhe kërkimeve të palëve në proces. Gjithashtu, kjo gjykatë nuk ka bërë një analizë tërësore dhe objektive të provave (neni 12 i K.Pr.Civile) dhe si rezultat, nuk e ka zgjidhur “mosmarrëveshjen objekt gjykimi në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej tyre“ (neni 16 i K.Pr.Civile).
17. Në çështjen objekt shqyrtimi, rezulton se kërkimet e palës paditëse janë: ”1) Konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës së shitblerjes me nr.539 rep. dhe nr.100 kol., datë 11.05.2004 të objektit dhe truallit “Depo F T Graka”, Mallakastër; 2) Konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës së shitblerjes me asaj me nr.540 rep. dhe nr.101 kol., datë 11.05.2004 të objektit dhe truallit “Pishina”, Mallakastër; 3) Konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës së shitblerjes me nr.541 rep. dhe nr.102 kol, datë 11.05.2004 të objektit dhe truallit “Park automjetesh 8 vënde”, Mallakastër; 4) Kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme fillestare. 5) Marrjen e masës “Për sigurimin e padisë”, duke u vendosur pezullimi i punimeve ndërtimore që i padituri Filip Korraqe po kryen në sipërfaqen e pronës objekt gjykimi për rikonstruksionin e “pishinës ekzistuese plus restorant një kat”. Këto kërkime, pala paditëse i ka mbështetur në nenet 31, 32/a, 36 , 41, 42, 53, 96/a, 106, 192, 202-212 të K.Pr.Civile, neni 96/a e 113 të K.Civil; Ligji nr.7699, datë 21.04.1993 “Për kompensimin në vlerë të ish pronarëve të tokës bujqësore” (të ndryshuar), si dhe Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.159, datë 13.03.2003 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet si dhe procedurat e shitjes”.
18. Referuar kërkimit të palës paditëse, si dhe shkakut ligjor ku ai e mbështet këtë pretendim, ky Kolegj, vlerëson se mosmarrëveshja objekt shqyrtimi ka lindur si pasojë e kryerjes së procedurës së privatizimit të truallit dhe ndërtesave objekt shqyrtimi nga ana e palës së paditur ish- Agjencisë Kombëtare të Privatizimit (sot Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike pranë Ministrisë së Financave), si dhe lidhjen e kontratave të shitblerjes me palën e paditur Filip Korraqe. Në këto kushte, ky Kolegj, vlerëson se mosmarrëveshja objekt shqyrtimi është e një natyre administrative dhe ka lidhje me konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kontratave të shitjes që palët e paditura në këtë gjykim kanë lidhur mes tyre, të cilat janë lidhur në përfundim të veprimtarisë administrative të privatizimit të objekteve shtetërore.
19. Siç rezulton dhe nga rrethanat e faktit, pala paditëse në këtë gjykim ka pretenduar se është trajtuar me cilësinë e subjektit të shpronësuar, nëpërmjet vendimit nr.69, datë 05.11.1999 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Mallakastër për një truall me sipërfaqe totale prej 31.500 m2, e ndarë në tre parcela respektive, si dhe njohjen e të drejtë së parablerjes mbi objektet shtetërore të ndodhura mbi këtë sipërfaqe. Pala paditëse ka pretenduar se edhe pse ka kryer të gjitha përpjekjet për të realizuar këtë të drejtë parablerje, ai nuk ka mundur ta realizojë atë, pasi procedura e privatizimit që ka realizuar ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit, nuk është kryer në përputhje me ligjin dhe në mënyrë të veçantë me procedurën e parashikuar në të. Kjo ka sjellë pamundësinë e palës paditëse per tu vënë në dijeni të fillimit të kësaj procedure dhe të marrjes pjesë në të. Pala e paditur në këtë gjykim, nuk ka kryer njoftimin për nxjerrjen në privatizim të pasurive objekt shqyrtimi gjyqësor duke e cenuar palën paditëse në realizimin e një të drejtë të ligjshme, sikundër është e drejtës së parablerjes. Pala paditëse ka qenë gjithmonë në ruajtje të objekteve që kanë qenë objekt privatizimi, por në asnjë moment nuk është vënë në dijeni të këtij procesi. Në kushtet kur e gjithë kjo veprimtari administrative është kryer në kundërshtim me formën dhe procedurat që parashikon ligji, edhe kontratat e shitjes të lidhura në përfundim të saj përbëjnë akte absolutisht të pavlefshme dhe për këtë arsye janë kërkuar nga paditësi për tu konstatuar si të tilla nga gjykata. Gjithashtu, pala paditëse në këtë gjykim, ka kërkuar të rregullojë edhe pasojat që kanë ardhur nga ana e këtyre akteve dhe veprimeve absolutisht të pavlefshme, duke pretenduar kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme.
20. Nga ana e palës së paditur në këtë gjykim, është pretenduar se, me shkresën nr.598/1 prot, datë 22.02.2000, Ministria e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit ka vendosur: “Miratojmë kërkesën ... për privatizimin e objekteve të repartit ushtarak nr.6620 Fier, si më poshtë: A) Objekte që ndodhen në Ballsh të rrethit Mallakastër. 1. Depo FT Gr AKA. 2. Park auto 8 vende. 3 Pishinë... Të përgatitet dokumentacioni i privatizimit sipas VKM nr.192, datë 20.03.1998...”. Bazuar në këtë shkresë, ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit me shkresën nr.5470/1 regj, datë 23.08.2000 ka filluar procedurat përkatëse për privatizimin e këtyre objekteve. Ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit ka respektuar të gjitha kërkesat e parashikuara nga VKM nr.159, datë 13.03.2003 të Këshillit të Ministrave “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet si dhe procedurat e shitjes”, të ndryshuar. Për këtë arsye, kjo palë ka kryer njoftimin publik për nxjerrjen në privatizim të truallit dhe ndërtesave mbi të, objekt të këtij shqyrtimi gjyqësor, njoftime të cilat janë kryer në tri gazeta me qarkullim kombëtar. Pasi është bërë publikimi i kryerjes së këtij privatizimi për të tre pasuritë objekt shqyrtimi, është kryer edhe procedura e ankandit, nga i cili fitues ka rezultuar subjekti Filip Korraqe. Pas kësaj, janë lidhur edhe kontratat e shit-blerjes me këtë subjekt, duke u shlyer edhe çmimi i shitjes nga ana e palës blerëse. Për sa më sipër, nga ana e ish-Agjencisë Kombëtare të Privatizimit, janë bërë të gjitha publikimet që përcakton legjislacioni i kohës në fuqi, dhe nga ana paditëse nuk është paraqitur asnjë kërkesë për blerjen e këtyre objekteve. Në këto kushte edhe kontratat të cilat janë lidhur në përfundim të tij janë në përputhje me ligjin dhe si të tilla ato nuk mund të cënohen.
21. Mbi bazën e këtyre pretendimeve dhe prapësimeve të dhëna nga palët ndërgjyqëse në këtë gjykim, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka pranuar padinë e paditësit me arsyetimin se: “...nuk është respektuar e drejta e parablerjes që paditësi Ali Cakaj kishte fituar në cilësinë e ish pronarit qysh pesë vjet më përpara se të bëhej ky privatizim detyrim ligjor ky, që buron nga neni 14/c i Ligjit nr.7699, datë 21.04.1993 “Për kompensimin në vlerë të ish pronarëve të tokës bujqësore”, i ndryshuar me Ligjin nr.7981, datë 27.07.1995, neni 10...”. Në ndryshim nga gjykata e rrethit, Gjykata e Apelit Tiranë ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë, duke rrëzuar padinë e paditësit me arsyetimin se: “...Në asnjë pikë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.159, datë 13.03.2003, nuk ka detyrim për t’u kërkuar informacion pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nga Agjencia Kombëtare e Privatizimit dhe ky detyrim të jetë shkelur nga ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit. ...në të gjitha këto ligje dhe akte nënligjore nuk përcaktohet asnjë kompetencë e ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për të kërkuar apo dhënë informacion për trojet për të cilat këto komisione kanë disponuar me vendime dhe kanë njohur pronësinë e ish-pronarëve. Por këto akte ligjore dhe nënligjore përcaktojnë detyrimin e ish-pronarit për të paraqitur vendimin përkatës të komisionit, i cili ka disponuar për ish pronën e tij në organet kompetente shtetërore për të realizuar të drejtat e tyre....”.
22. Këtë konkluzion të Gjykatës së Apelit Tiranë, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, e gjen të pambështetur në ligj dhe në provat e administruara në dosjen gjyqësore, gjë e cila ka ardhur si rezultat i një hetimi të paplotë dhe të pathelluar. Referuar kërkimit dhe prapësimeve të palëve ne proçes, ky Kolegj, vëren se thelbi i konfliktit mes palëve qëndron në faktin nëse, procedura ligjore për nxjerrjen në privatizim, si dhe për shitjen e truallit dhe objekteve mbi të, janë kryer në përputhje me dispozitat ligjore të zbatueshme, të cilat në rastin konkret përcaktohen në VKM nr.159, datë 13.03.2003 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet si dhe procedurat e shitjes”, të ndryshuar, si dhe tek Udhëzimi nr.1, datë 09.05.2003 “Për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr.159, datë 13.03.2003 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet, si dhe procedura e shitjes”.
23. Fillimisht, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë çmon të evidentojë faktin se, pavarësisht faktit që pala paditëse kërkimin për konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës së shitblerjes, të lidhur në përfundim të procedurës administrative dhe kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme e ka mbështetur në dispozitat e K.Pr.Civile, mosmarrëveshja objekt shqyrtimi në thelb të saj, përbën një mosmarrëveshje administrative në fushën e procedurave të privatizimit dhe referimi ligjor për zgjidhjen e saj, nuk duhet të bëhet vetëm tek dispozitat e Kodit Civil, por duhet të bëhet edhe tek dispozitat ligjit të posaçëm i cili rregullon këtë mosmarrëveshje, sikundër është Ligjit nr.7512, datë 10.08.1991 "Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit", i ndryshuar si dhe aktet nënligjore të dala në bazë dhe për zbatim të tij, të cituara edhe më sipër në këtë vendim.
24. Në nenin 14/c të Ligjit nr.7699, datë 21.04.1993 "Për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve të tokës bujqësore", i ndryshuar, parashikohet se: “Ish-pronari ose trashëgimtari i tij kanë të drejtën e parablerjes së objekteve që janë ndërtuar nga shteti në tokën ish-pronë të tij, kur të privatizohen me çmimet e përcaktuara sipas dispozitave ne fuqi", ndërsa në nenin 4, të ligjit nr.7980, datë 27.9.1995 "Për shitblerjen e trojeve", pasqyrohet se: “Kalimi i trojeve të zëna pronë shtetërore në pronë private është i detyrueshëm, kur kërkohet nga i interesuari, në rastet kur: a- Trualli është i objekteve që janë privatë ose që do të privatizohen. Kalimi bëhet në favor të pronarëve të këtyre objekteve. b- Trualli do të përdoret për zgjerime apo ristrukturime nga persona privatë që u lind kjo e drejt nga ana urbanistike siç përshkruhet në paragrafin e dytë të nenit 1. Kalimi bëhet në favor të pronarëve të objekteve që zgjerohen apo ristrukturohen. c- Trualli ka investime të lëna pa përfunduar. Kalimi bëhet në favor të pronarit të objektit përfundimtar. ç- Në çdo rast tjetër sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave. Të gjithë ish-pronarët mund të përdorin të drejtën e tyre të kompensimit fizik për të shlyer trojet në rastet e mësipërme”.
25. Gjithashtu në nenin 22 të Ligjit nr.7512, datë 10.08.1991 "Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit", i ndryshuar (dispozitë ligjore në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të privatizimit objekt shqyrtimi), është pasqyruar se: “1. Kalimi i pronës shtetërore në pronë private drejtohet dhe organizohet nga Ministria e Privatizimeve. Kjo ministri përcakton kohë, radhën dhe mënyrat e kryerjes së privatizimit për të gjitha objektet që i nënshtrohen këtij procesi. 2. Prona shtetërore jepet me qira nga Ministria e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, ministritë, institucionet e tjera që varen drejtpërdrejt nga Këshilli i Ministrave, organet përkatëse të pushtetit lokal që përgjigjen për administrimin e pronës shtetërore, si dhe ndërmarrjet ose shoqëritë tregtare shtetërore. Kriteret për dhënien me qira të pronës shtetërore përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, ndërsa në nenin 23 të po këtij ligji (dispozitë ligjore në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të privatizimit objekt shqyrtimi), është parashikuar se: “Kalimi i pronës shtetërore në pronë private bëhet nëpërmjet shitjes së saj me ankand, transferimit në publik të aksioneve, transferimit drejtpërdrejt të aksioneve personave fizikë a juridikë, vendas a të huaj, dhënies falas të aksioneve, si dhe në çdo mënyrë tjetër të përshtatshme. Vlerësimi i pronës shtetërore do të bëhet mbi bazë të akteve nënligjore të dala nga Këshilli i Ministrave”.
26. Në analizë të këtyre dispozitave ligjore, del qartë definicioni mbi privatizimin, organin kompetent shtetëror i cili përcakton kohën, radhën dhe mënyrën sesi do të kryhet procesi i privatizimit si dhe të objekteve të cilat do ti nënshtrohen këtij procesi. Gjithashtu, ligjvënësi ka përcaktuar në mënyrë të qartë edhe se cili do të jetë organi kompetent shtetëror i cili do të ndjekë dhe ekzekutojë procesin e privatizimit, fakt i cili gjendet i pasqyruar në nenin 25 të Ligjit nr.7512, datë 10.08.1991 "Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit", i ndryshuar (dispozitë ligjore në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të privatizimit objekt shqyrtimi), në të cilin është përcaktuar se: “Agjencia Kombëtare e Privatizimit si institucion buxhetor në varësi të Këshillit të Ministrave kryen procedurat e shitjes së pronës shtetërore sipas kritereve të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave”.
27. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon të theksojë se, për shkak të rëndësisë që shfaq procesi i privatizimit dhe kujdesit që duhet të tregojë administrata shtetërore për zbatimin e tij, ky proces është zbërthyer dhe është rregulluar në mënyrë më të detajuar edhe nga akte të tjera nënligjore. Konkretisht, në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.159, datë 13.03.2003 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet, si dhe për procedurat e shitjes”, në Kreun III, i titulluar “Procedurat e shitjes së pronës shtetërore”, në pikën 2 të tij, parashikon se: “2. Privatizimi i këtyre objekteve do te behet nëpërmjet ankandit. - Ish-pronarët e truallit, në zbatim të ligjit "Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve", kanë të drejtën e parablerjes së objektit me vlerë fillestare. Në rastet kur nuk ka pronar trualli ose nuk janë paraqitur dokumentet e pronësisë deri në datën e zhvillimit të ankandit, objekti i nënshtrohet ankandit. Vlera e truallit i kompensohet pronarit sipas dispozitave në fuqi”, ndërsa në pikën 5 të saj parashikon se: “Procedurat e publikimit fillojnë pasi te jene dorëzuar ne AKP ose ne degën e AKP-se dokumentet e vlerësimit te objektit. AKP-ja ose dega e AKP-se e pranon dosjen e objektit , nëse ekziston dokumentacion i rregullt dhe ka kaluar ne strukturat përkatëse te përcaktuara ne këtë vendim. Ne te kundërt kërkohet plotësimi i dokumentacionit. Vlera e fillimit të ankandit do të jetë VAM-i i përcaktuar sipas kapitullit të I-rë të këtij vendimi (mjete kryesore+mjete xhiroje). Ankandi te zhvillohet vetëm për mjetet kryesore dhe vlera e mjeteve te xhiros te shtohet sipas inventarit fizik ne momentin e dorëzimit te objektit. Agjencia Kombëtare e Privatizimit dhe degët e saj me të pranuar dokumentet e vlerësimit te objektit, fillojnë botimin për privatizim, pas zbatimit te pikës 3 te kapitullit III te këtij vendimi si me poshtë vijon: a) publikohet një njoftim ne tri gazeta me qarkullim kombëtar, katër here gjithsej; b) publikohet lista e objekteve që do të privatizohen dhe të dhënat për këtë objekt në faqen e internetit te AKP-së; c) periudha e publikimit duhet të jetë 21 ditë nga njoftimi i parë; ç) në fillimin e publikimit AKP-ja dhe degët e saj duhet të vendosin njoftimin me afishe në mjediset e tyre dhe në ndërmarrjet përkatëse për objektet që do të privatizohen. Njoftimi për publikim duhet të përcaktojë të dhënat e mëposhtme: -vendin, datën dhe orën e zhvillimit të ankandit; - emërtimin dhe vendndodhjen e objektit që do të privatizohet; - vleftën fillestare të fillimit të ankandit; - sipërfaqen e përgjithshme dhe atë nën objekt; - të dhëna për veprimtarinë e kryer dhe të dhëna sqaruese për objektin. Pjesëmarrësit në ankand, pas regjistrimit të kërkesës së tyre në AKP, kanë të drejtë të studiojnë dokumentacionin e vlerësimit që ndodhet i depozituar në AKP dhe të njihen me gjendjen fizike të objektit”.
28. Ndërsa në Udhëzimin nr.1, datë 09.05.2003 “Për zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.159, datë 13.03.2003 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet, si dhe për procedurat e shitjes”, në pikën 5 të tij, parashikohet se: “Për zbatim të pikës 2 paragrafi i I-rë për rastet e shitjes së objekteve me pronar trualli, me mbërritjen e dokumentacionit të privatizimit pranë AKP-së Tiranë, kjo e fundit afishon njoftimin në ambientet e ndërmarrjes që e administron atë. Ish-pronari i truallit që dëshiron të blejë objektin duhet të paraqitet pranë AKP-së Tiranë, brenda një afati 20 ditor nga dita e publikimit (afishimit), duke depozituar kërkesën me shkrim në të cilën shprehet se dëshiron të blejë objektin në fjalë, dokumentacionin që vërteton pagesën prej 20 për qind të vlerës së pronës që kërkon të blejë dhe vendimin përkatës të komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave ish-pronarëve, të noterizuar, i cili përcakton se ai është pronar i tokës”, ndërsa në pikën 6 të po këtij udhëzimi parashikohet se: “Në rast se brenda këtij afati kohor ish-pronari nuk paraqitet, AKP-ja nxjerr objektin në publikim. Në qoftë se ditën e zhvillimit të ankandit paraqitet edhe pronari i truallit, me dokumentet përkatëse të pronësisë, komisioni i ankandit, pas vlerësimit te dokumentacionit në fjalë shpall fitues ankandi pronarin e truallit, pa konkurrim. Për rastet kur komisioni i ankandit ka vështirësi në vlerësimin e dokumentacionit te pronësisë së paraqitur nga pronari i truallit, atëherë komisioni i ankandit cakton një datë tjetër për zhvillimin e tij brenda 5 ditëve nga data e zhvillimit te ankandit, me qëllim që të vlerësojë dokumentacionin e pronësisë”.
29. Në analizë të këtyre dispozitave ligjore, konstatohet qartësisht se, gjatë procesit të privatizimit si dhe kryerjes së shitjes së një pronë shtetërore, në rastin kur objektet shtetërore ndodhen mbi truallin e një subjekti ish-pronar, ky i fundit ka të drejtë që ti privatizojë i pari ato, pa asnjë lloj konkurrimi. Kjo për faktin se, nëpërmjet njohjes së të drejtës së parablerjes legjislatori ka synuar të rregullojë në mënyrë përfundimtare raportin e pronësisë mbi dy pasuri të paluajtshme që kanë pronarë të ndryshëm. Pra, trualli nën objekt me pronar subjektin e shpronësuar (ish-pronar) dhe ndërtimi mbi të me pronar shtetin. Ky arsyetim, gjen mbështetje edhe tek parashikimet ligjore të Ligjit nr.7699, datë 21.04.1993 "Për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve të tokës bujqësore", i ndryshuar, nëpërmjet të cilit, shteti shqiptar ka marrë përsipër dhe ka dashur të rregullojë çështjen e pronësisë, që kanë ardhur si rezultat i veprimeve të padrejta nga pushteti i kohës pas datës 29.11.1944, si dhe për ta vendosur në vend këtë padrejtësi të kryer.
30. Në vijim të sa më sipër, ky Kolegj, çmon të theksojë se, qëllimi i ligjvënësit në nxjerrjen e akteve ligjore dhe i qeverisë në nxjerrjen e akteve nënligjore në bazë dhe për zbatim të tyre (të cituara në sipër), ka qenë krijimi i një legjislacioni të plotë ligjor, nëpërmjet të cilit, të mund të krijohet mundësia për rregullimin e të drejtave pronësore të cenuara si rezultat i shpronësimeve, shtetëzimeve dhe konfiskimeve të padrejta të krijuara pas datës 29.11.1944, duke bërë të mundur që, të gjitha këto norma ligjore më karakter normativ të gjejnë mbështetje tek njëra-tjetra dhe të jenë në një vijë logjike dhe ligjore, dhe jo të krijojnë kundërshti ndërmjet tyre. Në një kuptim të kundërt nga ky, pra nëse këto akte, do të krijonin kundërshti ndërmjet tyre, atëherë ato do të sillnin vetëm konflikte të paarsyeshme dhe të panevojshme. Në analizë të përmbajtjes së këtyre akteve ligjore dhe nënligjore, arrihet në përfundimin se ligjvënësi ka pasur si qëllim primar realizimin e të drejtave të pronësisë që mbrohen nëpërmjet Ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronës ish-pronarëve”, duke ruajtur parimin për vendosjen e një balance të drejtë, të së drejtës private të pronësisë dhe asaj të interesit publik.
31. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në vazhdim të analizës së bërë më lart në këtë vendim, gjatë shqyrtimit të çështjes objekt gjykimi, konstaton se të dyja gjykatat më të ulëta nuk kanë realizuar një hetim të plotë e të gjithanshëm në lidhje me faktin nëse, ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit (sot Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike pranë Ministrisë së Financave) ka respektuar apo jo në përputhje me parashikimet ligjore, të gjithë procedurën e plotë të privatizimit të truallit dhe ndërtesës mbi to, sikundër është parashikuar në ligj. Gjatë gjykimit, ka rezultuar e provuar se Agjencia Kombëtare e Privatizimit, pasi ka pranuar dokumentet e vlerësimit për ndërtesat objekt gjykimi, ka realizuar njoftimin për privatizimin e objekteve, duke bërë botimin e këtij njoftimi në tre gazeta me qarkullim kombëtar (në dosje janë afishuar njoftimet në tre gazetat me qarkullim kombëtar).
32. Në rast se do të shikojmë procedurën e parashikuar në VKM nr.159, datë 13.03.2003 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet, si dhe për procedurat e shitjes”, Kreu III, i titulluar “Procedurat e shitjes së pronës shtetërore”, në pikën 2 të saj, pasqyrohet se: “Agjencia Kombëtare e Privatizimit dhe degët e saj me të pranuar dokumentet e vlerësimit të objektit, fillojnë botimin për privatizim, pas zbatimit të pikës 3 të kapitullit III të këtij vendimi si më poshtë vijon: a) publikohet një njoftim në tri gazeta me qarkullim kombëtar, katër herë gjithsej; b) publikohet lista e objekteve që do të privatizohen dhe të dhënat për këtë objekt në faqen e internetit të AKP-së; c) periudha e publikimit duhet të jetë 21 ditë nga njoftimi i parë; ç) në fillimin e publikimit AKP-ja dhe degët e saj duhet të vendosin njoftimin me afishe në mjediset e tyre dhe në ndërmarrjet përkatëse për objektet që do të privatizohen. Njoftimi për publikim duhet të përcaktojë të dhënat e mëposhtme: -vendin, datën dhe orën e zhvillimit të ankandit; -emërtimin dhe vendndodhjen e objektit që do të privatizohet; -vleftën fillestare të fillimit të ankandit; -sipërfaqen e përgjithshme dhe atë nën objekt; -të dhëna për veprimtarinë e kryer dhe të dhëna sqaruese për objektin”.
33. Në analizë të dispozitës ligjore të cituar më sipër, të treja kushtet e parashikuara në pikat “a”, “b” dhe “c” janë me kumulative dhe janë të detyrueshme për tu zbatuar nga ana e organit administrativ. Ligjvënësi, pikërisht për shkak të rëndësisë së madhe që ka publikimi, si dhe marrja dijeni e personave që janë të interesuar për të marrë pjesë në këto procedura privatizimi, ka parashikuar që ky njoftim të bëhet në të njëjtën kohë në tre forma: i) në gazeta me qarkullim kombëtar; ii) në faqen e internetit të organit administrativ; si dhe iii) pranë ndërmarrjes apo objektit që privatizohet. Kjo procedurë nga mënyra si është shkruar është detyruese për tu respektuar nga ana e organit administrativ. Ajo nuk është fakultative apo nuk është lënë në diskrecionin e këtij organi për të bërë ky i fundit, vlerësimin apo çmimin se cilin njoftim dëshiron apo çmon ai si të domosdoshëm për të kryer në një procedurë të tillë. Vetëm duke u respektuar kjo procedurë në mënyrë të detajuar, do të krijohet mundësia që çdonjëri prej subjekteve të interesuara të vihet në dijeni të procedurës së privatizimit, të ketë akses ky i fundit në këtë procedurë si dhe të mos i cënohen të drejtat dhe interesat e tyre pasurore nga mosmarrja dijeni.
34. Sa më sipër është parashikuar shumë qartë edhe në Udhëzimin nr.1, datë 09.05.2003 “Për zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.159, datë 13.03.2003 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet, si dhe për procedurat e shitjes”, ku në pikën 5 të tij, parashikohet se: “Për zbatim te pikës 2 paragrafi i I-re për rastet e shitjes se objekteve me pronar trualli, me mbërritjen e dokumentacionit të privatizimit pranë AKP-së Tiranë, kjo e fundit afishon njoftimin në ambientet e ndërmarrjes që e administron atë”.
35. Referuar asaj ç’ka thonë gjykatat më të ulëta në vendimet e tyre, si dhe akteve të administruara në dosjen gjyqësore, nuk rezulton që të jetë hetuar në lidhje me atë që parashikohet në aktet nënligjore të mësipërme dhe pikërisht për faktin nëse, është bërë realizimi i plotë i procedurës së privatizimit të pasurive objekt të këtij shqyrtimi gjyqësor pranë ndërmarrjeve apo ambienteve që janë privatizuar, me të gjitha ekstremitet që parashikon pika 5, germa “ç” e VKM nr.159, datë 13.03.2003 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet, si dhe për procedurat e shitjes”. Ky hetim, është i domosdoshëm jo vetëm për të parë nëse organi administrativ ka respektuar apo jo procedurën e plotë të parashikuar në ligj, por edhe për ti dhënë përgjigje kërkimit të palës paditëse, e cila pretendon se një publikim i tillë nuk është bërë asnjëherë, pasi ai ka qenë në ruajtje të këtyre objekteve në mënyrë të vazhdueshme, si dhe i interesuar për të marrë pjesë në këtë privatizim.
36. Në vijim të sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se, asnjë nga gjykatat më të ulëta nuk ka hetuar dhe nuk ka arsyetuar nëse: a) procedura e privatizimit të kryer nga ana e ish-Agjencisë Kombëtare të Privatizimit në lidhje me pasuritë objekt i këtij shqyrtimi gjyqësor, është kryer në përputhje me dispozitat ligjore dhe aktet nënligjore të zbatueshme, të përmendura më lart në këtë vendim apo jo ? b) a ka respektuar ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit të gjithë kërkesat formale dhe proceduriale në lidhje me publikimin e njoftimit për nxjerrjen në privatizim të pronave objekt të këtij shqyrtimi gjyqësor? c) a është realizuar afishimi për privatizimin e objekteve të mësipërme pranë objekteve që do të privatizoheshin si dhe ndërmarrjeve që po i privatizoheshin këto objekte? Për këto arsye, ky Kolegj çmon se, vendimi nr.474, datë 06.03.2012 i Gjykatës së Apelit Tiranë duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
37. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon të theksojë se, vetëm pasi të sqarohen çështjet e mësipërme, do të mund të arrihet në një konkluzion të qartë nëse, kontratat e shitjes objekt të këtij shqyrtimi gjyqësor, janë apo jo absolutisht të pavlefshme. Sqarimi i këtyre fakteve dhe rrethanave është mëse i domosdoshëm për zgjidhjen sa më të drejtë dhe përfundimtare të çështjes. Ky Kolegj, vlerëson të theksojë se, në kushtet kur në çështjen objekt shqyrtimi, është pretenduar konstatimi i pavlefshmërisë absolute të kontratave të shitblerjes (jemi përpara kontratave administrative) si dhe kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme, Gjykata Administrative e Apelit Tiranë duhet të mbaj në vëmendje faktin se, detyrimi kryesor i gjykatës sipas nenit 16 të K.Pr.Civile, është pikërisht zgjidhja e mosmarrëveshjes në mënyrë të plotë dhe përfundimtare në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera që janë në fuqi, duke zgjidhur edhe pasojat që vijnë nga kjo pavlefshmëri. Gjykata e njeh vetë ligjin dhe është ajo që duhet të orientojë palët për ecurinë normale të procesit; ajo bën një hetim të plotë dhe të gjithanshëm të mosmarrëveshjes, duke e zgjidhur atë në përputhje me ligjin, pa u lidhur me përcaktimet e palëve.
38. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon të theksojë se, referuar të drejtës proceduriale civile, vendimi gjyqësor duhet të jetë rrjedhojë e një analize të qartë, të plotë e të gjithanshme të pretendimeve të palëve ndërgjyqëse, në përputhje me provat e administruara gjatë procesit gjyqësor për këtë qëllim, si dhe në përputhje me ligjin e zbatueshëm.
39. Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, duhet të përsërisë hetimin gjyqësor në bazë të nenit 465 të K.Pr.Civile ku parashikohet se “Në shqyrtimin e çështjes në gjykatën e apelit mbahen parasysh për aq sa janë të zbatueshme dispozitat mbi procedurën e gjykimit në shkallë të parë”, si dhe dispozitat ligjore të parashikuara nga Ligji nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të vlerësojë dhe verifikojë të gjitha aktet shkresore që kanë depozituar palët në lidhje më vlerën e tyre të provueshmërisë, në mënyrë që t’i japë përgjigje kërkimeve të palës paditëse dhe prapësimeve të palës së paditur, të cilat janë ngritur në këtë gjykim (neni 225 i K.Pr.Civile).
40. Kjo Gjykatë do t’u bëjë të qartë palëve që është detyrë e secilës prej tyre që, në përputhje me ligjin të provojnë faktet mbi të cilat bazojnë pretendimet për të drejtat që kërkojnë. Palët, ashtu siҫ kanë të drejta kanë dhe detyrime që rrjedhin prej këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara me ligj. Gjykata duhet të lejojë palët që të paraqesin prova shkresore me anën e të cilave, ato të provojnë pretendimet e tyre bazuar në nenin 12 dhe 19 të K.Pr.Civile dhe t’i lejojë palët që t’ia nënshtrojnë këto prova hetimit e debatit gjyqësor. Kryerja e veprimeve të përmendura më sipër, si dhe e të tjerave që eventualisht mund të lindin gjatë rigjykimit, do të lejojnë gjykatën të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive lidhur me zgjidhjen e çështjes.
41. Gjykata e Lartë, si gjykatë ligji, nuk i hyn analizës së provave, gjë që duhet ta bëjnë gjykatat e tjera të niveleve me të ulëta, por ajo vetëm evidenton shkeljet ligjore që kanë lejuar këto gjykata, qoftë të normave proceduriale dhe atyre materiale duke kërkuar respektimin e tyre.
42. Për sa më sipër, ky Kolegj, çmon se, ka vend për pranimin e rekursit të depozituar nga pala paditëse në këtë gjykim, pasi vendimi nr.474, datë 06.03.2012 i Gjykatës së Apelit Tiranë, është marrë në zbatim të gabuar të ligjit procedurial dhe atij material dhe për këtë arsye, ky vendim duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rigjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 63 të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.474, datë 06.03.2012 i Gjykatës së Apelit Tiranë dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
Tiranë, më 15.03.2016
Nr. 31001-01778-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2016 - 676 i Vendimit (165)
Do'stlaringiz bilan baham: |