VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga:
Evelina Qirjako Kryesuese
Tom Ndreca Anëtar
Medi Bici Anëtar
Në datën 10.03.2016 mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit çështjen administrative me nr.31003-02374-00-2014 akti që iu përket palëve:
PADITËS: SHOQËRIA “TIS-SOLUTION” SHPK
I PADITUR: AGJENCIA E PROKURIMIT PUBLIK TIRANË
OBJEKTI:
Anullimi tërësisht i vendimit nr.7606/7 prot, datë 30.05.2012,
të Agjencisë së Prokurimit Publik “Për përjashtimin nga prokurimet publike”,
për një periudhë 2 (dy) vjeçare, të Shoqërisë “TIS-Solution” Shpk.
Pezullimi i zbatimit të këtij akti deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor
të kësaj mosmarrëveshje administrative.
Baza Ligjore: Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nenet 42, 43 të saj,
Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, nenet 6 dhe 13 të saj,
Kodi Procedurës Civile nenet 1, 31, 32, 43, 154, 324 e vijues të tij,
Kodi i Procedurave Administrative, nenet 1, 2, 4, 9, 10, 12, 14, 18/2,
80, 81, 82, 83/1, 89, 93, 94, 100,
si dhe ligji nr.9643, datë 20.11.2006
“Për prokurimin publik” i ndryshuar nenet 45/3 pika b, 64/3 të tij.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.10774, datë 09.11.2012 ka vendosur:
Pranimin e padisë së palës paditëse “TIS Solution” Shpk Tiranë si të bazuar në prova dhe në ligj.
Anullimin e aktit administrativ, nr.7606/7 Prot, datë 30.05.2012, të Agjencisë së Prokurimit Publik “Për përjashtimin nga prokurimet publike” për një periudhë 2 (dy) vjeçare, të Shoqërisë “TIS-Solution” Shpk.
Dhënien e këtij vendimi me ekzekutimin e përkohshëm.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.238, datë 18.02.2014 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.10774, datë 09.11.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Ndaj vendimit të sipërcituar rezulton të ketë paraqitur rekurs pala e paditur Agjencia e Prokurimit Publik, e cila kërkon:
Ndryshimin e vendimit nr.10774, datë 09.11.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe vendimit nr.238, datë 18.02.2014 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe rrëzimin e kërkesëpadisë.
Shkaqet që pala e paditur Agjencia e Prokurimit Publik paraqet në rekurs, janë:
-
Neni 141 i K.Pr.C, njoftimi për personat juridikë parashikon shprehimisht se: Njoftimet për institucionet, ndërmarrjet dhe personat e tjerë juridikë shtetërorë bëhen nëpërmjet dorëzimit të kopjes zyrës së titullarit dhe personave të ngarkuar për të pranuar akte”.
-
Sa më sipër, nga administrimi i dosjes gjyqësore rezulton se APP ka qenë në mungesë gjatë gjithë procesit gjyqësor, në këtë mënyrë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë duhet ti kishte njoftuar APP, vendimin nr.10774, datë 09.11.2012, për pranimin e kërkesëpadisë së palës paditëse “Tis Solution” Shpk, si e vetmja mënyrë për të marrë dijeni efektivisht.
-
Në këtë rast, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka mohuar APP-së të drejtën për një proces të rregullt gjyqësor, duke qenë se kjo e fundit ka patur interes në këtë çështje, pasi objekt i gjykimit ishte anullimi i vendimit të dhënë prej saj.
-
Kolegjet e Bashkuara, me vendimin unifikues nr.1, datë 19.06.2013, në referim të kritereve që përcakton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Konventa Europiane mbi të Drejtat e Njeriut, Kodi i Procedurës Penale, çmojnë se njoftimet e bëra nga gjykata për pjesëmarrjen e të gjykuarit në gjykim nuk mund të pranohen si realizim i së drejtës së mbrojtjes së tij, në procesin gjyqësor, pasi bien në kundërshtim me nenin 6, E drejta për një proces të rregullt të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
-
Në fushën e të drejtave të njeriut vendi i normës ndërkombëtare në sistemin hierarkik të normave, paraqet ndryshime nga hierarkia e përgjithshme e normave të parashikuara në nenin 164 të Kushtetutës, në nenin 17/2 të saj. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i jep një rëndësi të veçantë Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, pasi jo vetëm e ka bërë atë një pjesë integrale të vetën por, i ka kushtuar një status kushtetutor përsa i përket kufizimeve të këtyre të drejtave. Neni 17/2, i cili thekson se ligji që kufizon një të drejtë, në asnjë rast nuk mund të tejkalojë kufizimet e parashikuara në Konventën Evropianë për të Drejtat e Njeriut është një garanci, karakteristikë vetëm për Kushtetutën e Shqipërisë.
-
Sa më sipër, duke qenë se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë nuk ka njoftuar APP për vendimin e marrë ndaj saj, kësaj të fundit i është mohuar e drejta e njohjes me vendimet e gjykatës dhe e drejta për tu ankuar sipas shkallëve të ankimit. Në këto kushte, APP nuk ka mundur të realizojë të drejtën e vet për tu mbrojtur, për tu dëgjuar dhe për të patur një proces të rregullt gjyqësor.
-
Në lidhje me themelin e çështjes, gjykata ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”.
-
Gjykatat në argumentimin e vendimeve respektive të marra kanë çmuar se mungesa e aktit të kolaudimit ka ardhur tërësisht si pasojë e mungesës së vullnetit të kompanive të lundrimit për të bashkëpunuar dhe si pasojë e mosushtrimit të përgjegjësive nga autoriteti kontraktor, duke u shprehur se Shoqëria “Tis Solution” ka implementuar në kohë sistemin në përputhje me qëllimin e projektit.
-
Ndërkohë nga provat e paraqitura nga Autoriteti Portual Durrës (këtu e në vijim APD), rezulton se, Shoqëria “Tis Solution” nuk ka përmbushur detyrimet kontraktuale si më poshtë:
-
Mosndreqje të funksionimit të software të projektit, duke filluar nga data 15.08.2011 ky sistem ka qenë jashtë funksionimit;
-
Mosplotësim të kërkesave teknike të lidhura me implementimin e projektit;
-
Mosplotësim të afatit të kontratës pasi Shoqëria ka qenë në vonesë për përmbushjen e detyrimeve kontraktuale;
-
Mosndreqje të afatit të sigurimit të pagesës prej 70% të çmimit të mbetur të kontratës.
-
Si rezultat i mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale të sipërpërmendura ka ardhur zgjidhja e kontratës midis palëve.
-
Sa më sipër, mbështetur në provat e paraqitura gjatë hetimit administrativ, APP, me vendimin i nr.7606/7 Prot, datë 30.05.2012, ka përjashtuar Shoqërinë “Tis Solution” nga pjesëmarrja në prokurimet publike për një periudhë dy-vjeçare.
-
Pra, nga ana e autoritetit kontraktor nuk është kryer asnjë veprim që ka çuar në mospërmbushjen e detyrimeve të Shoqërisë “Tis Solution”, por ka qenë vet ky subjekt që me veprimet e mosveprimet e tij nuk ka arritur të përmbushë detyrimet kontraktuale sipas qëllimit të projektit.
-
Gjykatat në vendimin që kanë marrë janë mbështetur vetëm në provat dhe thëniet e palës paditëse pasi, APP si palë e paditur nuk ka qenë pjesë e procesit gjyqësor dhe nuk ka mundur të paraqesë kundërshtimet e veta.
-
Për rrjedhojë mendojmë se vendimet e gjykatave janë të njëanshme dhe jo të bazuara në ligj. APP ka vepruar konform dispozitave ligjore të parashikuara në LPP dhe vendimi nr.7606/7 Prot, datë 30.05.2012, është plotësisht i drejtë dhe i bazuar në ligj.
-
Sa më sipër, rezulton se vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë është rezultat i zbatimit të gabuar të ligjit material dhe atij procedural.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Medi Bici dhe bisedoi çështjen në tërësi, në dhomën e këshillimit, në përfundim;
V Ë R E N
1. Në Gjykatën e Lartë me datë 25.06.2014 është regjistruar çështja administrative nr.31003-02374-00-2014 regj. them, që u përket palëve ndërgjyqëse: paditëse Shoqëria “TIS-Solution” Shpk dhe e paditur Agjencia e Prokurimit Publik Tiranë, me objekt: Anullimi tërësisht i vendimit nr.7606/7 prot, datë 30.05.2012, të Agjencisë së Prokurimit Publik “Për përjashtimin nga prokurimet publike”, për një periudhë 2 (dy) vjeçare, të Shoqërisë “TIS-Solution” Shpk. Pezullimi i zbatimit të këtij akti deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të kësaj mosmarrëveshje administrative.
2. Vendimi nr.238, datë 18.02.2014 i Gjykatës së Apelit Tiranë, është marrë në shkelje të rënda të rregullave procedurale, pasi kësaj gjykate i mungonte kompetenca në lëndë, prandaj vendimi i saj duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për tu shqyrtuar në gjykatën kompetente, që është Gjykata Administrative e Apelit.
I. Rrethanat e çështjes:
3. Në referim të dokumentacionit ligjor të administruar në dosje rezulton se paditësi Shoqëria “TIS Solution” Shpk, Tiranë është regjistruar me datë 19.03.2003 si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar me seli në Tiranë, NIPT K 31519078 I, me objekt të veprimtarisë së saj: import, eksport të pajisjeve elektrike, elektronike, në fushën e përpunimit të informacionit dhe krijimit të infrastrukturës elektronike në fushën e teknologjisë se informacionit.
4. Kjo shoqëri, me emrin e mëparshëm tregtar “Security Force” Shpk, me datë 01.03.2010 ka lidhur kontratë me autoritetin kontraktues Autoriteti Portual Durrës në përfundim të prokurimit publik me objekt: Chek-in elektronik i terminalit të pasagjerëve me çmim kontratë 1.002.000 euro pa TVSh. Objekti i kësaj kontratë në bazë të nenit 4, të saj ka qenë: Kryerja e punimeve civile nga ana e kontraktuesit për furnizimin dhe vendosjen e mallrave të përcaktuara në zërat e preventivit nga Autoriteti Kontraktor, për kontratën e prokurimit me objekt “Check-ini elektronik i terminalit të pasagjerëve”.
5. Qëllimi kryesor i këtij projekti ka qenë vënia në veprim e një platforme aplikative të Check-in të centralizuar i cili do të mundësonte drejtimin dhe kontrollimin e kalimeve të hyrjes dhe daljes në port dhe lejimin e punonjësve të sigurisë të kontrollonin imbarkimet e mjeteve dhe personave.
6. Konkretisht nëpërmjet kësaj platforme do të sigurohej drejtimi i automatizuar i këtyre fazave:
-
Hyrja në port e pasagjerëve, që kanë biletë udhëtimi përpara kohës së hyrjes në port dhe do të udhëtojnë me makine ose në këmbë.
-
Njohja e të dhënave të udhëtarëve nëpërmjet leximit të targave të automjeteve për pasagjerët që do të bënin prenotimin me automjet ose leximin e kodit barrë, për pasagjerët në këmbë.
-
Lëshimi i një bilete hyrje.
-
Lejimi i hyrje përmes kalimeve të kontrolluara (nga hyrjet në barriera për mjetet dhe nga tornelot për këmbësoret).
-
Kanalizimi i trafikut të udhëtarëve tek policia kufitare.
-
Kanalizimi i udhëtarëve drejt zonës se imbarkimit.
-
Lajmërimi dhe evidentimi i personave që kanë pasur biletë udhëtimi, kanë hyrë në territorin e portit, por nuk kanë shkuar në zonat e imbarkimit.
-
Autorizimi për imbarkimin.
7. Afati për realizimin e kontratës ishte 90 ditë, por Autoriteti Portual Durrës mund të kërkonte pezullimin e punimeve, objekt të kësaj kontratë në varësi të ecurisë së punimeve në terminalin e trageteve, pezullime punimesh të cilat kanë ndodhur. Konkretisht, në bazë të njoftimeve të Autoriteti Portual Durrës punimet kanë filluar me datë 23.04.2010 dhe janë pezulluar me datë 11.06.2010. Me datë 01.07.2010 janë rifilluar punimet, të cilat janë pezulluar serish me datë 20.07.2010. Rifillimi i punimeve është bërë me datë 04.10.2010 dhe ka përfunduar me datë 25.10.2010.
8. Detyrimet e palës paditëse përcaktohen në kontratë si kryerja dhe përfundimi i punimeve civile në përputhje me specifikimet teknike dhe preventivin e paraqitur në dokumentat e tenderit si dhe të aspekteve të specifikimeve të tjera teknike të dhëna nga Autoriteti Portual Durrës, e cila ngarkohej me mbikëqyrjen e punimeve sipas fazave.
9. Rezultoi se gjatë vazhdimit të punimeve palët kanë amenduar kontratën me datë 17.11.2010 duke përcaktuar se cilësia dhe përputhshmëria e punimeve që përfshinte furnizimin, dorëzimin dhe vendosjen e mallrave sipas përcaktimeve në sasi dhe specifikimet teknike në projekt e preventive do të verifikohej në mënyrë periodike nga drejtuesi i projektit, zgjedhur nga APD personi juridik “Universal Engineering”. Gjithashtu, me datë 08.04.2010 palët kanë amenduar kontratën, nisur nga ecuria e punimeve në terminalin e pasagjerëve, me objekt “Furnizim vendosje Check –in elektronik të terminalit të pasagjerëve”.
10. Në vijim të këtij parashtrimi lidhur me veprimet e kryera nga palët kontraktore, rezultoi se ka pasur zhvillime në lidhje me pritshmëritë e tyre për realizimin e projektit, manifestuar në veprime – testime, mbajtje procesverbalesh dhe korrespondenca shkresore edhe në formë elektronike.
11. Pala paditëse pretendoi se ka marrë të gjitha masat dhe ka përmbushur me korrektësi detyrimet të çertifikuara ato nga drejtuesi teknik i projektit si dhe nga një komisioni i brendshëm i Autoritetit Portual Durrës ngritur për këtë qëllim. Pala paditëse pretendoi se punimet janë kryer me korrektësi prej saj, duke marrë parasysh pengesat e rezultuara si pasojë e mungesës së furnizimit të rregullt me linjë internet, mosmarrjes së masave efikase nga Autoriteti Portual Durrës për sigurimin e kushteve të përshtatshme pune lidhur me pastërtinë e ambientit, pezullimin e punimeve apo edhe lidhur me kërkesën për bashkëpunimin e kompanive të lundrimit me qëllim vënien në funksionim të sistemit të përfunduar, pengesa këto që në fakt kanë renduar shoqërinë me kosto ekstra dhe megjithë këtë ka qenë vazhdimisht e interesuar dhe e gatshme për vënien në funksion të sistemit Check in.
12. Rezultoi se me datë 15.12.2010 pala paditëse ka njoftuar Autoritetin Portual Durrës një ditë përpara mbarimit të afatit kontraktor për përfundimin e punimeve në tërësi, duke shprehur gatishmërinë për kolaudimin përfundimtar të sistemit.
13. Kontraktori, Autoriteti Portual Durrës ka pasur reklamime lidhur me mosfunksionimin e software-ve të projektit si dhe mospërmbushje të disa kërkesave të tjera teknike si mosdorëzimi nga shoqëria të programit të fundit të përditësuar të “e – boarding”, version përfundimtar si dhe i licencave Oracle për përdorimin dhe aksesin e software për sistemin, mosdorëzimi i licencave për 2 klientë dhe 1 server 77.25.6 të dhoma e serverëve, çelësat “e-boarding”, nuk është realizuar trajnimi i personelit, racket e vendosur nuk janë në përputhje me specifikimet teknike, gjithashtu edhe kompjuteri për njohjen e targës, etj.
14. Këto reklamime autoriteti kontraktues ia ka njoftuar palës paditëse me shkresën nr.2448, datë 26.09.2011, duke i vënë në dispozicion një afat 15 ditor për ndreqjen e tyre dhe se në rast të kundërt do të procedonte me zgjidhjen e kontratës, njoftim i cili (për zgjidhjen e kontratës) është kryer me shkresën nr.2564 prot, datë 12.10.2011.
15. Në vijim të këtij qëndrimi autoriteti kontraktor Autoriteti Portual Durrës me datë 18.10.2011 (shkresa nr.2614 prot) ka bërë kërkesë pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, pala e paditur në këtë gjykim, për përjashtimin e Shoqërisë “TIS Solution” Shpk nga prokurimi publik për shkak të mospërmbushjes se detyrimeve kontraktore.
16. Ndërkohë që rezultoi se pas kësaj datë janë kryer veprime të tjera midis palëve për efekt të kontratës, sipërpërmendur, dhe se Autoriteti Portual Durrës ka përsëritur kërkesën pranë APP me datë 23.02.2012 ( shkresa nr.615 prot).
17. Nga pala e paditur Agjencia e Prokurimit Publik ka filluar procedimin administrativ, duke njoftuar palën paditëse me shkresën nr.76006/3, datë 28.03.2012. në përfundim të këtij shqyrtimi administrative, Agjencia e Prokurimit Publik me vendimin nr.7606/7 prot, datë 30.05.2012 ka vendosur përjashtimin e palës paditëse “TIS Solution” Shpk nga prokurimi publik për një periudhë 2 (dy) vjeçare, referuar nenit 13 pika 3 germa (ç) të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” i ndryshuar, duke vlerësuar se pretendimet e Autoritetit Portual Durrës për moskolaudimin përfundimtar të projektit qëndrojnë dhe se nga pala paditëse nuk u arrit të provonte realizimi i kontratës në tërësi.
II. Vendimet e gjykatave dhe arsyetimi i tyre:
18. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.10774, datë 09.11.2012 ka vendosur:
Pranimin e padisë së palës paditëse “TIS Solution” Shpk Tiranë si të bazuar në prova dhe në ligj.
Anullimin e aktit administrativ, nr.7606/7 Prot, datë 30.05.2012, të Agjencisë së Prokurimit Publik për përjashtimin nga prokurimet publike, për një periudhë 2 (dy) vjeçare, të Shoqërisë “TIS-Solution” Shpk.
Dhënien e këtij vendimi me ekzekutimin e përkohshëm.
19. Gjykata e rrethit gjyqësor ndër të tjera arsyeton:
.... Gjykata çmon se vlerësimi i palës së paditur përvec se i mete në arsyetim, është i pambështetur në faktet dhe rrethanat e rezultuara gjyqësisht.
Së pari, Provohet në gjykim se punimet e kryera nga pala paditëse janë në përmbushje të detyrimeve të saj kontraktore, pasi rezulton se janë certifikuar i të suksesshme nga Drejtuesi teknik i projektit caktuar nga APD si dhe nga komisioni i brendshëm i saj nëpërmjet procesverbaleve përkatëse në reference të specifikimeve teknike sipas situacioneve bashkëngjitur tyre dhe faturave tatimore...
Së dyti, Nga situacionet e punimeve mbikëqyrur dhe vlerësuar nga drejtuesi teknik dhe komisioni i brendshëm i kolaudimit të APD, shprehur në këto procesverbale rezulton i pabazuar pretendimi se racket e vendosur nuk janë në përputhje me specifikimet teknike, pasi në të kundërt rezulton furnizimi i tyre nga pala paditëse në përputhje me këto situacione Nga aktet në dosje nuk rezultoi që nga ana e autoritetit kontraktues të jene refuzuar këto mallra dhe as ka patur reklamime lidhur me cilësinë apo funksionimin e tyre, pasi nuk rezulton që në përputhje me nenin 14/7 të kontratës të ketë njoftim me shkrim menjëherë pas dorëzimit të tyre. në të kundërt ka rezultuar se ato janë vendosur, testuar me sukses dhe në rast mosinstalimi sikundër ka ndodhur për portën nr.3 janë magazinuar, miratuar ky veprim nga drejtuesi teknik mbi kërkesën e vete APD për shkak të punimeve në terminalin e trageteve. Sipas nenit 14/7 të kontratës përcaktohej se: Autoriteti Kontraktor duhet të pranojë ose refuzojë Mallrat menjëherë pas dorëzimit dhe duhet t’i japë kontraktuesit njoftim me shkrim për veprimin e tij të pranuar ose refuzuar mallrat.
Rezultoi se edhe gjatë dorëzimit të software të sistemit nga pala paditëse me datë 22.04.2010 nuk ka pasur asnjë kundërshtim nga APD dhe as nga drejtuesi teknik i projektit në lidhje me pretendimin e paraqitur në procedim administrativ se nuk ka patur numër serial.
Së treti, në përfundimin e saj gjykata vlerëson edhe faktin se nga amendamenti i kontratës së bërë me datë 08.04.2010 rezultojnë të provuara pretendimet e palës paditëse se ka implementuar në kohë sistemin dhe se mungesa e kolaudimit tërësor nuk mund të t’i atribuohet si përgjegjësia e saj. Konkretisht sipas këtij amendament kontratë nr.Reference 52 PH 2009 provohet se ai bazohet në ( citohet):
-përfundiminin e punimeve sipas kësaj kontratë sipas dokumentacionit të administruar në APD, për kontrollin e punimeve.
-dokumentacionin e pagesës se situacioneve të punëve sipas konfirmimit përkatës të mbikëqyrësit të punimeve.
-Njoftimin nr.15.12.2010 të Kontraktuesit mbi kolaudimin e sistemit, objekt kontratë.
-Kërkesën e Kontraktuesit për pagesë nr.773 prot, datë 30.03.2011.
-Çertifikata e garancisë së pagesës paradhënie nr.16/0101/014097 lëshuar nga Shoqëria e Sigurimeve “Sigal” Sh.a nr.773 prot, datë 06.04.2011 dhe duke qenë se sistemi, objekt kontratë nuk është vënë ende në pune për shkak të vonesave dhe përgatitjes së kompanive dhe agjenteve detare që operojnë në transportin detar të pasagjerëve.
Pra provohet shprehimisht nga përmbajtja e këtij amendamenti se sistemi objekt kontratë nuk është vënë ende në punë për shkak të vonesave dhe përgatitjes se kompanive të lundrimit dhe gjithashtu provohet fakti se nga APD nuk ka pasur asnjë reklamim lidhur me instalimin, funksionimin apo furnizimin e pajisjeve (qe rezultojnë të çertifikuara) në momentin e nënshkrimit të këtij amendamenti.
Gjithashtu, përmbajtja e këtij akti rrëzon prapësimet edhe në gjykim se mospërmbushjet e detyrimeve nuk kanë ardhur si rezultat i mosbashkëpunimit me kompanitë e lundrimit, sepse mungesa e këtij bashkëpunimi do të sillte problem në një fazë të mëvonshme për mbarëvajtjen e projektit.
Së katërti, rezultoi në gjykim se pala paditëse ka qenë vazhdimisht e interesuar për kolaudimin përfundimtar të projektit me qëllim angazhimin dhe sigurimin e bashkëpunimit nga kompanitë e lundrimit. Rezultoi se në lidhje me këtë pala paditëse i është drejtuar APD me shkresë nr.10-11/1 në lidhje me shqetësimin e saj pasi nga kompanitë lundrimit nuk është bashkëpunuar për zbatueshmërinë e projektit të sistemit të Check-in elektronik, ndërkohë që ky sistem ishte implementuar që në muajin dhjetor 2010 me shkresë datë 10.02.2011
Rezultoi ndërkohë që në shkresën e saj nr.prot 485, datë 22.02.2011 APD pranon se ka arritur në fazën finale të projektit, fazë kjo që kërkon edhe bashkëpunimin e kompanive të lundrimit. Sipas kësaj shkrese APD do të fillonte testimin e implementimit të sistemit me datë 28.02.2011 dhe i kërkon kompanive të lundrimit që deri me datë 25.02.2011 të marrin masat për t’u bërë pjese e këtij sistemi. Gjithashtu, rezultoi se APD i ka kërkuar palës paditëse me shkresën nr.486 Prot, datë 22.02.2011 APD që të bëjë raportimin ditor të kompanive të trageteve, dhe se kërkesës se palës paditëse i janë përgjigjur dy kompani “Adria Ferris” dhe “Ventouris Ferries” kanë bashkëpunuar për implementimin e Checkin-it elektronik në serverat e tyre.
Së pesti, në lidhje me sjelljen e palës paditëse në kuadër të përmbushjes se detyrimeve të saj kontraktore, rezultoi se pala paditëse ka hasur vështirësi gjatë kryerjes së punimeve të saj, duke njoftuar në vazhdimësi APD me qëllim shmangien e tyre. Kështu, rezultoi se me shkresën e datës 15.11.2010, pala paditëse ka njoftuar APD, se ka hasur probleme gjatë përmbushjes së detyrimeve të saj për shkak se në korsinë hyrëse të Portës nr.1, kalojnë persona me biçikleta dhe kjo pengon funksionimin normal të sistemit, pasi ky sistem nuk kishte parashikuar për të lejuar kalimin e biçikletave.
Po me datë, 15.11.2010 pala paditëse ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me pastërtinë e ambientit, në të cilin ishin instaluar pajisjet e sistemit, pasi ishin jashtë normave të lejuara dhe ndikonin në keqfunksionimin e sistemit.
Me datë 22.02.2011, pala paditëse i ka kërkuar APD, që të vendosë në dispozicion personat e caktuar, për t’u trajnuar, por nga APD, kjo gjë nuk është përmbushur. Për pasojë pretendimi i APD se nuk është bërë trajnimi i personelit është tërësisht i pambështetur vlerësim i gjykatës i cili përputhet me atë të palës së paditur.
Me shkresën nr.34-11 TIS, datë 13.06.2011, pala paditëse i ka bërë një kërkesë autoritetit kontraktor, duke i kërkuar të kenë furnizim të vazhdueshëm me internet, pasi janë shfaqur probleme të vazhdueshme për grupin e punës nga shkëputja e internetit. Kjo kërkesë bëhet me qëllimin që të evitohen problemet që mund të shkaktohen në sistem.
Bazuar në sa me sipër, gjykata çmon se mungesa e një akti kolaudimi tërësor ka ardhur për mungese të vullnetit të kompanive të lundrimit për të bashkëpunuar dhe edhe si pasoje e mosushtrimit të përgjegjësive nga autoriteti kontraktor pasi provohet në gjykim se pala paditëse ka implementuar në kohe sistemin, testuar në funksionim të plotë në përputhje me qëllimin e projektit duke u angazhuar tërësisht për përmbushjen e detyrimeve të saj kontraktore dhe e gatshme për kryerjen e këtij kolaudimi.
Në përfundim, si rrjedhoje e këtij përfundimi, gjykata e çmon të bazuar kërkimin e palës paditëse për anullimin e këtij vendimi dhe se edhe kërkesa e saj për dhënien e vendimit gjyqësor me ekzekutim të përkohshëm duhet pranuar pasi e vlerëson atë në përputhje me nenin 317 të K.Pr.Civile sipas të cilit përcaktohet se: Vendimi mund të jepet me ekzekutim të përkohshëm edhe kur nga vonesa e ekzekutimit, paditësi mund të pësojë dëme të rëndësishme që nuk mund të vihen në vend ose kur ekzekutimi do të behej i pamundur ose do të vështirësohej së tepërmi.
Gjykata arrin në këtë përfundim duke vlerësuar se përjashtimi i palës paditëse nga prokurimi publik për një periudhë 2 vjeçare nga pala e paditur me një akt të paligjshëm i shkakton shoqërisë dëme të pazëvendësueshme pasur parasysh se pjesëmarrja në prokurimet publike është një element thelbësor për realizimin e veprimtarisë dhe interesave ekonomiko-financiare të saj në fushën e implementimit të sistemeve të integruara teknologjike.
20. Gjykata e Apelit Tiranë, me të njëjtin arsyetim me vendimin nr.238, datë 18.02.2014 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.10774, datë 09.11.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
III. Ligji i zbatueshëm:
21. Neni 7 germa “a” i ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative” parashikon se:
Gjykatat administrative janë kompetente për: Mosmarrëveshjet që lindin nga aktet administrative individuale, aktet nënligjore normative dhe kontratat administrative publike, të nxjerra gjatë ushtrimit të veprimtarisë administrative nga organi publik.
22. Vendimi unifikues nr.03, datë 06.12.2013 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, të cilat ndërmjet të tjerave thonë se:
....Gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat, padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.2013, respektivisht në gjykatat e shkallës së parë, të apelit apo në Gjykatën e Lartë dhe deri në këtë datë, shqyrtimi në këto gjykata nuk ka përfunduar akoma....
IV. Arsyetimi i Kolegjit Administrativ dhe zgjidhja e çështjes:
23. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, rekursi i paraqitur nga pala e paditur Agjencia e Prokurimit Publik, përmban shkaqe nga ato që parashikohen në ligj, pasi Gjykata e Apelit Tiranë nuk ka qenë kompetente nga pikëpamja lëndore, prandaj ka arsye ligjore që vendimi i saj të cënohet.
24. Kolegji Administrativ, pasi shqyrtojë aktet procedurale që ndodhen në dosjen gjyqësore, objektin dhe shkakun ligjor të padisë, pretendimet e palëve të parashtruara në këto akte, vendimin e gjykatës dhe parashtrimet e rekursit, në interpretim të dispozitave ligjore të zbatueshme për rastin konkret, arrin në konkluzionin se vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit Tiranë është marrë në shkelje të ligjit procedural, në kushtet kur kjo gjykatë ka shkelur dispozitat ligjore mbi kompetencën lëndore, prandaj për këtë shkak, vendimi i dhënë prej saj duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim, pranë Gjykatës Administrative të Apelit.
25. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar drejtë ose jo nga ato. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve për të cilat është paraqitur rekurs përpara saj.
26. Në analizë të akteve dhe provave të administruara në dosjen gjyqësore rezulton se, pala paditëse Shoqëria “TIS-Solution” Shpk i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me kërkesëpadi, duke kërkuar Anullimi tërësisht i vendimit nr.7606/7 prot, datë 30.05.2012, të Agjencisë së Prokurimit Publik “Për përjashtimin nga prokurimet publike”, për një periudhë 2 (dy) vjeçare, të Shoqërisë “TIS-Solution” Shpk. Pezullimi i zbatimit të këtij akti deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të kësaj mosmarrëveshje administrative. Gjykata e Apelit Tiranë, në përfundim të gjykimit me vendimin nr.238, datë 18.02.2014 ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila kishte pranuar padinë.
27. Në rastin në shqyrtim akti që kundërshtohet është një akt administrativ individual i nxjerrë nga një organ i administratës publike gjatë ushtrimit të veprimtarisë administrative, prandaj duke u bazuar në nenin 7, germa “a” të ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”, çështja ka patur natyrë krejtësisht administrative dhe Gjykata e Apelit Tiranë ka dhënë vendim për një çështje të tillë (me natyrë administrative) pas datës 04.11.2013, në një kohë kur në zbatim të Dekretit nr.7818, datë 16.11.2012 të Presidentit të Republikës kanë filluar veprimtarinë e tyre gjykatat administrative.
28. Meqenëse ligji nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative”, në dispozitat e tij tranzitore heshte për mënyrën se si do të veprohej me çështjet administrative të regjistruara në gjykatën civile para datës 04.11.2013, për të unifikuar praktikën gjyqësore Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë me vendimin nr.03/2013 kanë arritur në këtë përfundim unifikues: ....Gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat, padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.2013, respektivisht në gjykatat e shkallës së parë, të apelit apo në Gjykatën e Lartë dhe deri në këtë datë, shqyrtimi në këto gjykata nuk ka përfunduar akoma....
29. Duke qenë se çështja kishte natyrë administrative dhe gjykimi i saj nuk kishte përfunduar akoma, në zbatim të nenit 7/a të ligjit nr.49/2013 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative” dhe vendimit unifikues nr.03/2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, Gjykata e Apelit Tiranë ka qenë e detyruar që të vendoste moskompetencën e saj lëndore dhe dërgimin e çështjes për shqyrtim në gjykatën kompetente, që është Gjykata Administrative e Apelit
30. Kolegji Administrativ thekson se kompetenca lëndore nuk duhet të shikohet vetëm me kërkesë të palëve të ngritura në ankim ose rekurs, por edhe vetë kryesisht nga gjykata e apelit ose Gjykata e Lartë, pasi kjo kompetencë nuk mund të “kurohet” qoftë edhe me zgjidhjen e drejtë të çështjes në themel nga gjykata më e ulët. Çështja e kompetencës lëndore konsiderohet e një rëndësie të veçantë në respektim të zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor. Gjykata në çdo shkallë gjykimi është e detyruar që të marrë në shqyrtim dhe të vendosë në lidhje me kompetencën e saj lëndore përpara se të gjykojë çështjen që i paraqitet për shqyrtim. Ky detyrim i gjykatës për të vepruar edhe kryesisht është e lidhur drejtpërdrejt me zbatimin dhe respektimin e parimit të një procesi të rregullt ligjor, i sanksionuar në nenin 42/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenin 6 të KEDNJ. Nëse një gjykatë nuk ka kompetencë lëndore për të gjykuar çështjen objekt shqyrtimi, në përputhje me dispozitat që zbatohen sipas legjislacionit përkatës nuk mund të kryejë asnjë veprim tjetër procedural në lidhje me këtë çështje.
31. Duhet theksuar se, në kuptimin e së drejtës procedurale, kompetenca lëndore është një kusht i domosdoshëm procedural, që e bën të vlefshëm procesin gjyqësor, si dhe të gjitha aktet e marra në administrim gjatë zhvillimit të tij, në kuptimin që një gjykatë jokompetente nuk mund të kryejë asnjë veprimtari procedurale dhe një gjykatë jokompetente duhet të deklarojë moskompetencën e saj, (neni 61 i K.Pr.Civile, neni 7 i ligjit 49/2012). Ndarja e kompetencës, është përcaktuar qartë në ligjin nr.9877, datë 18.02.2008 “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, ligjin nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative” dhe Kodin e Procedurës Civile.
32. Përsa u thanë më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se, moskompetenca lëndore për zgjidhjen e çështjes përbën shkelje të rëndë të rregullave procedurale, e cila ndikon drejtpërdrejt në dhënien e vendimit në kuptimin që, mosrespektimi i saj e bën vendimin gjyqësor absolutisht të pavlefshëm. Gabimet në procedim, të cilat parashikohen në nenin 467/a të K.Pr.Civile dhe nenin 54 të ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”, shqyrtohen nga gjykata edhe kryesisht, pikërisht për shkak të efektit të drejtpërdrejt që ato kanë në vendimin e dhënë, prandaj vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenet 7 dhe 63/c të ligjit nr.49, datë 03.05.2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”;
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.238, datë 18.02.2014 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit.
Tiranë, më 10.03.2016
Nr. 31001-02078-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr.00-2016-674 i Vendimit (163)
Do'stlaringiz bilan baham: |