5. Meqenëse me datë 31.12.2008 paditësi ka ndërprerë marrëdhëniet e punës, pala e paditur me vendimin nr.36/2, datë 18.03.2010, i ka rilidhur atij pensionin suplementar të parakohshëm të ushtarakut, duke i filluar efektet e këtij vendimi të nesërmen e ndërprerjes së kësaj marrëdhënie (me datë 01.01.2009). Me kërkesëpadisë objekt gjykimi, paditësi Valter Bebri kërkon anullimin e tre vendimeve të sipërpërmendur, si dhe zgjidhjen e pasojave të kundërligjshmërisë së tyre.
II. Vendimet dhe arsyetimi i gjykatave:
6. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin nr.41-2013-1530 (810), datë 08.04.2013 ka vendosur:
Rrëzimin e kërkesëpadisë.
7. Gjykata e shkallës së parë ndërmjet të tjerave arsyeton se:
...... Gjykata çmon se aktet administrative të kontestuara nga paditësi, kundërshtohen për rrethana që lidhen me pavlefshmërinë relative të tyre në kuptim të neneve 115/b dhe 118 të K.Pr.Administrative. Duke qenë të tilla, padia për kundërshtimin e këtyre akteve i nënshtrohet afatit 30 ditor të parashkrimit, të parashikuar nga neni 328 i K.Pr.Civile. Sipas dispozitës së sipërpërmendur, afati 30 ditor për të kundërshtuar në gjykatë një akt administrativ fillon nga dita e shpalljes ose njoftimit të aktit administrativ. Përsa i përket faktit nëse paditësi ka marrë dijeni lidhur me vendimet e mësipërme, gjykata i referohet nenit 57 të K.Pr.Administrative sipas të cilit, administrata nuk ka detyrim për të kryer njoftim sipas nenit 56 të K.Pr.Administrative, në rast se personi të cilit i drejtohet akti manifeston njohuri të plota në lidhje me aktin administrativ në fjalë. Paditësi ka marrë dijeni të plotë lidhur me vendimet për caktimin e pensionit me nr.36, datë 05.08.2008 dhe nr.36/2, datë 18.03.2010, duke tërhequr në vazhdimësi shumat përkatëse të caktuara nëpërmjet tyre. Tërheqja e pensionit nënkupton dijeninë e plotë të paditësit lidhur me vendimet për caktimin e pensionit të parakohshëm dhe masën e tij, prandaj konkludohet që padia është ngritur rreth 5 vjet, pasi ai ka marrë dijeni për vendimin nr.36, datë 05.08.2008 dhe rreth 3 vjet për vendimin nr.36/2, datë 18.03.2010. I njëjti arsyetim vlen edhe përsa i përket kërkimit për kundërshtimin e vendimit nr.36/1, datë 17.10.2008 (që ka disponuar për ndërprerjen e pensionit të parakohshëm për periudhën 01.03.2008-31.12.2008). Paditësi ka marrë dijeni të plotë lidhur me këtë vendim qysh në momentin që i është ndërprerë paga e pensionit, duke vazhduar të mos paguhet për një periudhë disa mujore.....
8. Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr.350, datë 20.06.2013 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.41-2013-1530 (810), datë 08.04.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.
9. Gjykata e apelit ndër të tjera arsyeton se:
.... Gjykata çmon se, gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar në përputhje me kërkesat e ligjit procedurial civil dhe administrativ, pretendimet e paditësit, prapësimet e të paditurit dhe provat shkresore të paraqitura prej palëve në proces dhe me të drejtë ka vendosur rrëzimin e padisë.
Në rastin konkret padia ka të bëjë me anullimin e akteve administrative, të cilat kundërshtohen për rrethana që lidhen me pavlefshmërinë relative të tyre, në kuptim të neneve 115/b dhe 118 të K.Pr.Administrative. Në bazë të këtij Kodi, padia për kundërshtimin e këtyre akteve i nënshtrohet afatit 30 ditor të parashkrimit. Në nenin 326 të K.Pr.Civile ky afat fillon nga data e shpalljes ose njoftimit te aktit administrativ. Meqenëse paditësi ka bërë kundërshtimin e akteve tej afateve ligjore, gjykata me të drejtë ka vendosur rrëzimin e padisë, pasi ajo është ngritur rreth 5 vjet, pasi ai ka marrë dijeni......
III. Ligji i zbatueshëm:
10. Neni 62/2 i ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, parashikon se:
E drejta e pensionit nuk parashkruhet. Personi, i cili kërkon pensionin jo më vonë se 1 vit nga data që i lind kjo e drejtë, ky pension i paguhet që nga kjo ditë. E drejta për të ardhurat e tjera parashkruhet me kalimin e një viti nga data e fillimit të së drejtës për përfitimin e tyre.
11. Neni 11 i ligjit nr.8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”…(i ndryshuar), parashikon se:
Ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm, që kanë dalë në rezervë e në lirim pas datës 03.07.1991 deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie, sipas ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur plotësojnë vjetërsinë e shërbimit si ushtarak në masën 12 vjet për gratë dhe 15 vjet për burrat dhe të kenë mbushur moshën: gratë 42 vjeç dhe burrat 47 vjeç.
12. Neni 6 i ligjit nr.8521, datë 30.07.1999, i cili ka ndryshuar nenin 11 të ligjit nr.8087, datë 13.03.1996, parashikon se:
Ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm, që kanë dalë në rezervë e në lirim pas datës 03.07.1991 deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie, sipas ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në R.SH.”, përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur plotësojnë vjetërsinë e shërbimit si ushtarak në masën 12 vjet për gratë dhe 15 vjet për burrat dhe të kenë mbushur moshën: gratë 42 vjeç dhe burrat 47 vjeç.
Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi do të jetë:
50% të pagës referuese mbi të cilën është derdhur kontributi.
Për çdo vit tjetër të vjetërsisë së shërbimit mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit shtohet me 2% të pagës referuese, por jo më shumë se masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi.
Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi jepet pasi përfituesit i ka përfunduar periudha e trajtimit me pagesë kalimtare, sipas nenit 10 të ligjit nr.8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakeve të Forcave të Armatosura të R.SH.
Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur përfituesi rititullohet ushtarak aktiv apo punësohet......
13. Neni 49 i ligjit nr.9210, datë 23.03.2004 “Për Statusin e Ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, parashikon se:
..... Shprehja “por jo më shumë se masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi” e nenit 11 të ligjit nr.8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin Shoqëror Suplementar të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të Ministrisë së Rendit Publik dhe Shërbimit Informativ Kombëtar” i ndryshuar ....shfuqizohet.
14. Neni 2 i ligji nr.9481, datë 16.02.2006 “Për disa ndryshime në ligjin nr.9418, datë 20.05.2005 për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, parashikon se:
1. Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi është 50 për qind e pagës referuese.
2. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës referuese.
3. Masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se:
a) gjashtëfishi i pensionit bazë, në datën 1 janar të çdo viti, sipas përcaktimit të ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", për ushtarakët që mbajnë gradën gjeneral;
b) pesëfishi i pensionit bazë, në datën 1 janar të çdo viti, sipas përcaktimit të ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", për ushtarakët që mbajnë gradën kolonel;
c) katërfishi i pensionit bazë, në datën 1 janar të çdo viti, sipas përcaktimit të ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", për ushtarakët që mbajnë gradat major dhe nënkolonel;
ç) trefishi i pensionit bazë, në datën 1 janar të çdo viti, sipas përcaktimit të ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", për të gjithë ushtarakët e tjerë.
4. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur ushtaraku përfitues rikthehet në shërbimin aktiv.
5. Në rast të punësimit të ushtarakut përfitues në sektorin publik, masa e përfitimit nga pensioni i parakohshëm, për vjetërsi shërbimi, do të jetë sa një pension bazë në shkallë vendi.
6. Në rast punësimi në vende të tjera pune gjatë kësaj periudhe, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të jetë deri në kompensimin e pagës, mbi të cilën është llogaritur kjo pagesë dhe jo më shumë se masa e përcaktuar në pikën 3 të këtij neni, por, në çdo rast, jo me pak se masa e pensionit bazë në shkalle vendi.
7. Periudha, për të cilën ushtaraku përfiton pension te parakohshëm për vjetërsi shërbimi, njihet si periudhë sigurimi për efekt përfitimi pensioni të plotë pleqërie, sipas pikës 2 të nenit 58 të ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë". Kontributi për këtë kategori përballohet nga Buxheti i Shtetit dhe derdhet mbi bazën e pagës referuese, mbi të cilën është llogaritur pensioni i parakohshëm, por në çdo rast brenda kufijve të pagës minimale dhe maksimale, të indeksuar me koeficientet e indeksimit të pensioneve".
15. Neni 29 i ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, parashikon se:
1. Dispozitat e ligjit nr.8087, datë 13.3.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nr.8661, datë 18.9.2000 “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit” zbatohen deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
2. Pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensionet suplementare, të caktuara në përputhje me ligjet nr.8087, datë 13.3.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nr.8661, datë 18.9.2000 “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”, si edhe ato të caktuara me vendime të gjykatave, pavarësisht nga mosha e vjetërsia në punë, në çastin e fillimit të së drejtës, do të rillogariten. Rillogaritja bëhet sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj dhe në bazë të pagave referuese, në çastin që i ka lindur e drejta për përfitim. Mbi këtë masë përfitimi të rivlerësuar zbatohen koeficientet e rritjes apo të indeksimit të pensionit, sipas vendimeve të veçanta të Këshillit të Ministrave, nga çasti i lindjes së të drejtës dhe deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Masa e pensionit, e rivlerësuar si më lart, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, vlerësohet si shumë përfundimtare e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ose e pensionit suplementar”....
IV. Arsyetimi i Kolegjit Administrativ dhe zgjidhja e çështjes:
16. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, rekursi i paraqitur nga pala paditëse Valter Bebri, përmban shkaqe nga ato që parashikohen në ligj, prandaj si vendimi i gjykatës së apelit, ashtu edhe vendimi i gjykatës së shkallës së parë bëhen të cënueshëm.
17. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, fillimisht vlerëson të theksojë se e drejta për përfitim pensioni pleqërie hyn në rrethin e të drejtave themelore të njeriut, që përfshihet në grupin e të drejtave social-ekonomike të garantuara nga aktet ndërkombëtare dhe nga Kushtetuta e vendit tonë. Të drejtat e njeriut janë universale, të patjetërsueshme, të pandashme, të pamohueshme dhe të padhunueshme. E vendosur në rangun e të drejtave themelore të njeriut, e drejta për përfitim pensioni është e paparashkrueshme dhe nuk mund të kufizohet, përveç rasteve të parashikuara shprehimisht në ligj. Kjo e drejtë ka karakter pozitiv që nënkupton detyrimin e administratës shtetërore (në rastin konkret organet e administratës shtetërore), të krijojnë të gjitha mundësitë dhe kushtet për gëzimin e plotë të tij nga ana e subjekteve përfituese. Është detyrim i këtyre organeve që në përputhje me parimin e ligjshmërisë, të ushtrojnë detyrat e tyre në funksion të interesit më të lartë të individëve përfitues, të cilëve ligji themeltar i shtetit, (Kushtetuta), si dhe legjislacioni i zbatueshëm u njeh dhe garanton të drejtat themelore, siç është dhe e drejta për pension.
18. Duke e konsideruar të drejtën për pension, si një të drejtë themelore të njeriut, aksesi në gjykatë për rivendosjen e kësaj të drejte nuk mund të kufizohet nga efekti kohë, pra nisur nga natyra e të drejtës, kjo e drejtë është e paparashkrueshme. Aksesi në gjykatë nënkupton të drejtën e subjekteve të kërkojnë nëpërmjet gjykatës rivendosjen e të drejtave të pretenduara të shkelura dhe të përfitojnë nëpërmjet procesit gjyqësor riparimin e këtyre shkeljeve (vendimet nr.08/2008 dhe nr.07/2008 të Gjykatës Kushtetuese). Në këto kushte, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, e drejta e paditësit për t’iu drejtuar gjykatës me padinë objekt shqyrtimi, nuk është e lidhur me detyrimin e tij për të respektuar ndonjë afat, por këto kërkime mund të ngrihen prej tij në çdo kohë.
19. Legjislacioni ynë në fushën e sigurimeve shoqërore, ka përcaktuar se një e drejtë e tillë nuk parashkruhet. Në referim të ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, çdokush të cilit i ka lindur e drejta për përfitim, ka të drejtë të kërkojë në organet e sigurimeve shoqërore ti lidhet pensioni përkatës. Këtë përfitim, subjekti e përfiton nga dita që i ka lindur e drejta e pensionit, nëse ky subjekt ka ushtruar kërkesën përkatëse brenda një viti, afat ky që fillon nga dita që ka lindur kjo e drejtë. Në rast të kundërt, (kur subjekti nuk e paraqet kërkesën brenda afatit një vjeçar që përshkruhet më sipër), subjektit që plotëson kushtet për përfitim pensioni, i lidhet pensioni përkatës, i cili është efektiv që nga dita e paraqitjes së kërkesës për përfitim. Sa më sipër, parashikohet shprehimisht në nenin 62/2 të ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, ku thuhet se: E drejta e pensionit nuk parashkruhet. Personi, i cili kërkon pensionin jo më vonë se 1 vit nga data që i lind kjo e drejtë, ky pension i paguhet që nga kjo ditë. E drejta për të ardhurat e tjera parashkruhet me kalimin e një viti nga data e fillimit të së drejtës për përfitimin e tyre.
20. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë dhe Gjykata e Apelit Korçë kanë arritur në përfundime të gabuara kur thonë se, ka kaluar afati një mujor parashkrimit, me arsyetimin se pala paditëse ka kundërshtuar aktet administrative të nxjerra nga pala e paditur, sepse vetëm nëse subjekti përfitues paraqet kërkesën më vonë se një vit nga dita që i ka lindur e drejta për lidhjen e pensionit të pleqërisë, atij nuk i paguhet ky pension për pjesën që ka kaluar mbi një vit, por nga dita e paraqitjes së kërkesës. Në rastin në gjykim kemi të bëjmë me një subjekt që i ka lindur e drejta për përfitimin e pensionit suplementar të parakohshëm të ushtarakut, të cilit i është caktuar ky pension, por ai pretendon se pala e paditur DRSSH-ja Korçë e ka ndërprerë dhe ka bërë përllogaritjet pensionit në kundërshtim me dispozitat e ligjit që ka qenë në fuqi në kohën e përfitimit të të drejtës, prandaj paditësi ka të drejtë që ti drejtohet me kërkesëpadi gjykatës në çdo kohë për të kërkuar rillogaritjen dhe pagimin e diferencave (nëse ka) të këtij lloj përfitimi.
21. Në rastin në gjykim pala paditëse përveç kundërshtimit të akteve administrative i ka kërkuar gjykatës edhe rillogaritjen e pensionit suplementar të parakohshëm të ushtarakut sipas ligjit që ka qenë në fuqi në kohën e lindjes së të drejtës, kërkim i cili nuk lidhet me ndonjë afat parashkrimi, prandaj gjykatat më të ulta kanë qenë të detyruara që ti bënin këto përllogaritje deri në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, i cili parashikon se të gjitha pensionet suplementare të ushtarakëve do të përllogariten pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
22. Për të gjitha këto që u thanë më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se, rekursi i paraqitur nga pala paditëse Valter Bebri, është i bazuar në ligj, prandaj si i tillë ai duhet të pranohet dhe për rrjedhojë vendimi i Gjykatës së Apelit Korçë dhe vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë duhet të prishen dhe në zbatim të vendimit unifikues nr.03/2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë çështja duhet të dërgohet për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Korçë, e cila duhet ta shqyrtojë çështjen në themel, duke mbajtur parasysh kërkesat e ligjit nr.10142/2009, aktin normativ nr.05/2010 dhe vendimin nr.02/2010 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenin 63/d të ligjit nr.49, datë 03.05.2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”......
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.350, datë 20.06.2013 të Gjykatës së Apelit Korçë dhe vendimit nr.41-2013-1530 (810), datë 08.04.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Korçë.
Tiranë, me 19.11.2015
Nr. 31001-00376-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-4629 i Vendimit (619)
VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës se Lartë i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
Shkëlzen Selimi Anëtar
në seancat gjyqësore të datave 27.10.2015, 12.11.2015 dhe 19.11.2015 mori në shqyrtim çështjen administrative me nr.00376/2012 akti, që u përket palëve:
PADITËS: TRASHËGIMTARËT LIGJORË TË VALLEZËRVE QEMAL, HAXHI dhe ZEK MEMÇAJ, në mungesë në shpallje.
E PADITUR: MINISTRIA E FINANCAVE (DREJTORIA E PËRGJITHSHME E THESARIT, ADMINISTRIMIT DHE SHITJES SË PRONAVE PUBLIKE) TIRANË, në mungesë.
PERSON I TRETË: AGJENCIA E KTHIMIT DHE KOMPENSIMIT TË PRONAVE TIRANË, në mungesë.
Me pjesëmarrjen e Avokaturës së Shtetit, përfaqësuar nga znj. Lorena Kasapi, në mungesë në shpallje.
OBJEKTI:
Kundërshtim i aktit administrativ nr.1545/2, datë 07.01.2010,
për refuzimin e pagimit të vleftës së truallit tonë të shitur Fondacionit “Gulistan”,
me ish konviktin + mencën e shkollës “Mekanike Bujqësore”, Shkodër
dhe anullimin e këtij akti.
Detyrimin e palës së paditur të kalojë në favorin tonë vleftën e truallit
1306 m2 x 15.000 lekë 19.590.000 lekë, paguar Fondacionit “Gulistan”,
për likuidimin tonë si pronar trualli, për efekt kompensimi.
Baza Ligjore: Nenet 192, 324 e vijues të K.Pr.Civile;
neni 8/1, pika 1 germa “b”dhe neni 8/2, gërma “a”’ të Ligjit nr.9235, date 29.07.2004
“Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës”, i ndryshuar.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.8909, datë 24.11.2010 ka vendosur:
-Pranimin e kërkesë padisë.
-Anullimin e aktit administrativ nr.1545/2 date 07.01.2010, për refuzimin e pagimit të vlerës së tuallit, ish-konviktin + mencën e shkollës “Mekanike Bujqësore’’, Shkodër shitur Fondacionit “Gulistan’’.
-Detyrimin e pales se paditur te kaloje ne favorin te paditesit vleften e truallit sipas akt ekspertimit 1306 m2 x 15.000 leke =19.590.000 leke, paguar nga Fondacioni “Gulistan’’, per likuidimin e vleres se truallit , per efekt kompensimi”.
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.2751, datë 19.12.2011 ka vendosur:
-Lënien në fuqi të vendimit civil nr.8909, datë 24.11.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me këtë plotësim:
-Detyrimin e palës së paditur Ministria e Financave, (Drejtoria e Administrimit Shitjes Pronave Publike) t’i paguajë paditësave Qemal Memçaj, Haxhi Memçaj dhe Zek Memçaj kamatat ligjore në masën e interesave bankare nga momenti i lindjes së detyrimit datë 08.09.2009 deri në ekzekutimin e vendimit.
Kundër këtij vendimi ka paraqitur rekurs Avokatura e Shtetit që kërkon ndryshimin e të dy vendimeve të gjykatave dhe rrëzimin e kërkesë padisë, dhe parashtron shkaqet si më poshtë:
-
Procedura e shitjes së objektit është bërë konform legjislacionit në fuqi (Aktit Normativ nr.4/2008, Ligjit nr.9667/2008, VKM nr.1638/2008, Udhëzim nr.385/2009, VKM nr.98/2009);
-
Në cilësinë e palës së paditur, DASHPP nuk gëzon legjitimitet pasiv pasi kjo Drejtori ka kryer vetëm shitjen e pronës publike dhe nuk ka fonde të sajat për të bërë kompensimin që kërkojnë ish-pronarët. Në këtë kuptim palë paditëse nuk i është cënuar nga pala e paditur asnjë e drejtë lëgjitime të cilën DASHPP detyrohej bazuar në ligj t’ia kompensonte;
-
Pala paditëse nuk ka sjëllë në gjykim asnjë argument ligjor lidhur me pavlefshmërinë e aktit që kundërshton gjyqësisht. Kjo palë kishte detyrimin ligjor të provonte se akti ishte i paligjshëm;
-
Në këto kushte, DASHPP jo vetëm nuk ka detyrim të kompensojë vlerën e shitjes së truallit, por nuk ka detyrim as të paguajë kamatë vonesat siç arsyeton dhe ka vendosur Gjykata e Apelit;
Paditësit, në datën 31.01.2012, kanë parqitur kundër-rekurs me anë të të cilit kërkojnë mospranimin e rekursit, si dhe shkresën nr.M-102, datë 27.06.2014 “Plotësim kundër-rekursi”, duke patur parasysh faktin që ka hyrë në fuqi Ligji nr.49/2012, dhe duke pasqyruar si më poshtë vijon:
-
Rekursi nuk përmban asnjë nga shkaqet e përmendura në nenin 472 të K.Pr.Civile;
-
Ne kemi kundërshtuar një akt administrativ shterues, refuzues të anës së paditur, ç’ka do të thotë se, zgjidhja e mosmarrëveshjes i përket juridiksionit gjyqësor në kompetencë të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë;
-
Në objektin e kësaj padie, ka si kërkime civile ashtu dhe administrative, si një bashkim i ndërvarur midis tyre, dhe referuar pikës B të V.Unifikues nr.4/2013 të Kol.Bashkuara të Gjykatës së Lartë, kompetenca e Gjykatës Administrative është e pakontestueshme;
-
Ne na është cënuar një interes i ligjshëm nga mosveprimi (veprimi) i palës së paditur si organ publik, ç’ka e bën ndërgjyqësisnë të legjitimuar;
-
Në analogji me nenin 472 të K.Pr.Civile dhe neni 58 i Ligjit nr.49/2012 parashikon të njëjtat raste kur mund të pranohet rekursi, dhe në rastin konkret rekursi është i pabazuar në ligj;
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Evelina Qirjako, përfaqësuesin e palës paditëse Maliq Memçaj që kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, përfaqësuesen e Avokaturës së Shtetit, Av. Lorena Kasapi, e cila kërkoi ndryshimin e të dyja vendimeve të gjykatave më të ulëta dhe rrëzimin e padisë, dhe si konstatoi se pala e paditur Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, si dhe personi i tretë Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave janë në mungesë dhe kanë dijeni rregullisht sipas ligjit,
V Ë R E N
1. Nga studimi i akteve të administruara në dosjen gjyqësore, rezulton se paditësit, janë trashëgimtarë ligjorë të subjekteve Qemal, Haxhi dhe Zek Memçaj.
2. Me vendimin nr.638, datë 22.09.1995 të Komisionit të Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave ish-Pronarëve, pranë Bashkisë Shkodër është vendosur: “Në favor të: Brahim Sylco Bushati, Qeuthere Sylco Bushati, Sadije Maliq Bushati, Eqerem Xhelal Bushati, Gjyferoze Xhelal Bushati, Fahri Xhelal Bushati, të njohë në pronësi sipas Notë-transkriptimit nr.295/137 të datës 08.07.1932), në zbatim të nenit 16 ose 21, një sipërfaqe prej 10.000 m2 (dhjetëmijë), e cila ndodhet në Lagjen “Vojo Kushi”, Rruga Zallit dhe është e zënë me ndërtesa të ngritura para vitit 1990, si dhe nga territori i Shkollës Mekanike Bujqësore”.
3. Ndërsa me vendimin nr.641/R, datë 22.09.1995, Komisioni i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave ish-Pronarëve, pranë Bashkisë Shkodër, ka vendosur: “Rrëzimin e kërkesës së pretenduar nga Qemal Memcaj, pasi kjo pronë është njohur në pronësi të trashëgimtarëve ligjorë të Sylce Beg Bushati sipas vendimit nr.638, datë 22.09.1995. Lëshohet ky vendim për zgjidhjen e çështjes në gjykatën e rrethit”.
4. Në kushtet kur trashëgimtarët e subjekteve të shpronësuar Qemal, Haxhi dhe Zek Memçaj, janë trajtuar negativisht nga ana e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të pronave ish-Pronarëve, pranë Bashkisë Shkodër, i janë drejtuar gjykatës me padi themeli, me objekt: “Kundërshtimin e vendimeve të KKKP Shkodër nr.638, datë 22.09.1995 dhe nr.641/R, datë 22.09.1995”.
5. Me vendimin nr.1231, datë 20.11.1998, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka vendosur anullimin e vendimeve të lartpërmendura, duke vendosur t’i njihet trashëgimtarëve të Qemal, Haxhi dhe Zek Memçaj për efekt parablerje (i) sip. prej 381 m2, (ii) ish ofiçina e Shkollës Mekanike Bujqësore, sip. prej 1306 m2, konvikti i Shkollës Mekanike Bujqësore+Menca ose kompensim në natyrë, (iii) si dhe t’i kthehet në natyrë sip. prej 1874 m2 me kufizimet përkatëse.
6. Për sa i takon pasurisë së paluajtshme ish-oficina e Shkollës Mekanike Bujqësore, me sipërfaqe prej 1306 m2, konvikti i Shkollës Mekanike Bujqësore+Menca, rezulton se prej datës 19.06.2000, referuar kontratës së qerasë me nr.2950/475, datë 19.06.2000, kjo pronë i ishte dhënë me qera Fondacionit “Gulistan”.
7. Është pretenduar dhe ka rezultuar në gjykim se, me shkresën nr.8270 prot., datë 15.09.2008, Ministri i METE-s ka miratuar privatizimin e objektit “Shkolla e Mesme Bujqësore Shkodër”, marrë me qera nga Fondacioni “Gulistan” sipas kontratës nr.2950/475, datë 19.06.2000. Sipas kësaj shkrese, privatizimi do të kryehej bazuar në VKM nr.794/2007, VKM nr.162/2007.
8. Në vijim të sa më sipër, me Urdhër të Ministrit është ngritur komisioni i vlerësimit të objektit që do të privatizohej, dhe në përfundim të këtyre procedurave, Fondacioni “Gulistan” ka nënshkruar me Drejtorinë e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike (“DASHPP” palë e paditur në këtë proces), kontratën e shitjes nr.3112/567, datë 08.09.2009. Sipas kësaj kontrate, Fondacioni “Gulistan” ka blerë objektin me sip. totale prej 4695 m2, nga e cila 1215 m2 nën objekt, kundrejt pagesës të shumës prej 94.299.247 lekë.
9. Përpara se Ministri i METE-s të autorizonte privatizimin si më sipër, paditësit kanë pretenduar se i janë drejtuar me shkresë palës së paditur DASHPP, duke i kërkuar asaj përfshirjen në procesin e privatizimit, duke qenë se ata gëzonin të drejtën e parablerjes. Në përgjigje të kësaj kërkese, DASHPP me shkresën nr.97/1, datë 12.02.2008 i ka kthyer përgjigje duke ju bërë me dije se, deri në atë moment, nuk kanë ardhur dokumentet për privatizimin e objektit dhe se do të respektohet e drejta e tyre e parablerjes.
10. Gjithashtu, paditësit kanë pretenduar se i janë drejtuar me shkresë edhe METE-s, duke i kërkuar përfshirjen e tyre në procesin e privatizimit, me qëllim realizimin e të drejtës së tyre të parablerjes. Rezulton se nga ana e METE, paditësave nuk iu është kthyer përgjigje në lidhje me sa më sipër, dhe privatizimi është kryer pa përfshirjen e tyre.
11. Paditësit kur janë vënë në dijeni të shitjes së pronës, i janë drejtuar palës së paditur DASHPP, duke i kërkuar asaj kalimin e shumës së derdhur nga blerësi në llogarinë e tyre bankare. Me anë të shkresës nr.1545/2 prot., datë 01.01.2010, DASHPP i ka bërë me dije paditësave se, në kushtet kur nga ana e tyre nuk është ushtruar e drejta e parablerjes, atyre ju takon vetëm kompensim në natyrë, dhe për këtë ata duhet t’i drejtohen AKKP Tiranë.
12. Në këto kushte, paditësat i janë drejtuar gjykatës me padi me objekt parashtruar në pjesën hyrëse, duke pretenduar se, veprimet e kryera nga pala e paditur janë në kundërshtim me ligjin, pasi atyre iu është mohuar e drejta e parablerjes nga e cila ata nuk kanë hequr dorë. Ata kërkojnë likuidimin e shumës plus interesin bankar mbi shumën e bllokuar deri në ekzekutimin e vendimit, si fitim i munguar.
13. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.8909, datë 24.11.2010 ka vendosur:
-Pranimin e kërkesë padisë.
-Anullimin e aktit administrativ nr.1545/2 date 07.01.2010, për refuzimin e pagimit të vlerës së tuallit, ish-konviktin + mencën e shkollës “Mekanike Bujqësore’’, Shkodër shitur Fondacionit ‘’Gulistan’’.
-Detyrimin e pales se paditur te kaloje ne favorin te paditesit vleften e truallit sipas akt ekspertimit 1306 m2 x 15.000 leke =19.590.000 leke, paguar nga Fondacioni ‘’Gulistan’’, per likuidimin e vleres se truallit , per efekt kompensimi”.
13/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “... Çmimi i shitjes është paguar në numrin e llogarisë bankare në Degën e Thesarit në favor të Ministrisë së Financave (D.A.Sh.P.P.). Kjo kontratë është regjistruar në ZVRPP. Gjykata çmon se i padituri ka vepruar në kundërshtim me ligjin, kur nuk ka zbatuar pikën; 36 të vendimit 1638 datë 17.12.2008 të Këshillit të Ministrave ku thuhet: “Në rastet kur ka pronar toke, vlera e truallit, sipas përcaktimit në dosjen e privatizimit, i kalon pronarit për kompesim. 9/2. Në referim të nenit 324, 325 të K.Pr.Civile, akti administrativ nr.1545/2, date 07.01.2010, i palës së paditur për refuzimin e pagimit të vleftës së truallit të fituar me kontratë pronësie nga fondacioni “Gulistan“, është një akt administrativ i paligjshëm, pasi bie në kundërshtim të plotë me dispozitat ligjore të Ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 “Per kthimin dhe kompensimin e prones”, miratuar me ndryshime, i cili cënon në mënyrë absolute të drejtën legjitime të paditësave për kompensim të vlerës së truallit...”.
14. Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.2751, datë 19.12.2011 ka vendosur:
-Lënien në fuqi të vendimit civil nr.8909, datë 24.11.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me këtë plotësim:
-Detyrimin e palës së paditur Ministria e Financave, (Drejtoria e Administrimit Shitjes Pronave Publike) t’i paguaj paditësave Qemal Memçaj, Haxhi Memçaj dhe Zek Memçaj kamatat ligjore në masën e interesave bankare nga momenti i lindjes së detyrimit datë 08.09.2009 deri në ekzekutimin e vendimit.
14/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “...Në referim të nenit 324, 325 të K.Pr.Civile, akti administrativ nr.1545/2, datë 07.01.2010 i palës së paditur për refuzimin e pagimit të vleftës së truallit të fituar me kontratë pronësie nga fondacioni “Gulistan“, është një akt administrativ i paligjshëm, pasi bie në kundërshtim të plotë me dispozitat ligjore të Ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, miratuar me ndryshime, i cili cënon në mënyrë absolute të drejtën legjitime të paditësave për kompensim të vlerës së truallit. Për sa më lart, palës paditëse i lind e drejta e pagimit të interesava bankare kamatat ligjore mbi shumën e bllokuar deri në ekzekutimin e vendimit, si fitim i munguar padrejtësisht nga veprimet e kundraligjshme të palës së paditur, të cilat vijnë në kundërshtim me nenin 28 të K.P.Civile...”.
15. Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs Avokatura e Shtetit që kërkon ndryshimin e të dy vendimeve të gjykatave dhe rrëzimin e kërkesë padisë, duke parashtruar ato shkaqe që pasqyrohen në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
16. Kundër këtij rekursi, ka ushtruar të drejtën e kundër-rekursit pala paditëse në këtë gjykim, e cila ka kërkuar mospranimin e rekursit, duke parashtruar ato shkaqe që citohen në pjesën hyrëse, të këtij vendimi.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
17. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, rekursi i paraqitur nga Avokatura e Shtetit, nuk përmban shkaqe ligjore nga ato të parashikuara në nenin 58 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të cilat të mund të bëjnë të cënueshëm vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë. Ky Kolegj, ҫmon se vendimi nr.2751, datë 19.12.2011 i Gjykatës së Apelit Tiranë, është marrë në zbatim të drejtë të ligjit procedurial dhe atij material dhe për rrjedhojë, ai duhet të lihet në fuqi.
18. Ky Kolegj në referim të akteve të administruara në dosjen gjyqësore, që janë marrë në shqyrtim nga gjykatat më të ulëta, vlerëson se, si Gjykata e Apelit Tiranë ashtu edhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në përputhje me kërkesat e normave procedurialë kanë kryer “një hetim gjyqësor të plotë dhe të gjithanshëm në përputhje me ligjin” (neni 14 i K.Pr.Civile) duke ju dhënë përgjigje pretendimeve dhe kërkimeve të palëve në proces; kanë bërë një analizë tërësore dhe objektive të provave (neni 12 i K.Pr.Civile) dhe si rezultat e kanë zgjidhur “mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej tyre” (neni 16 i K.Pr.Civile).
19. Në çështjen objekt shqyrtimi, rezulton se kërkimi i palës paditëse është: ”1. Kundërshtim i aktit administrativ nr.1545/2, datë 07.01.2010, për refuzimin e pagimit të vleftës së truallit tonë të shitur Fondacionit ‘’Gulistan’’, me ish konviktin + mencën e shkollës ‘’Mekanike Bujqësore’’, Shkodër dhe anullimin e këtij akti. 2. Detyrimin e palës së paditur të kalojë në favorin tonë vleftën e truallit 1306 m2 x 15.000 lekë 19.590.000 lekë, paguar Fondacionit ‘’Gulistan’’, për likuidimin tonë si pronar trualli, për efekt kompensimi”. Këtë kërkim, pala paditëse e ka mbështetur tek nenet 192, 324 e vijues të K.Pr.Civile; nenit 8/1, pika 1 gërma ‘’b’’dhe nenit 8/2, gërma “a’’ të Ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës”, i ndryshuar.
20. Referuar kërkimit të palës paditëse si dhe shkakut ligjor ku ai e mbështet këtë pretendim, ky Kolegj, vlerëson se, mosmarrëveshja objekt shqyrtimi ka lindur si pasojë e veprimeve të palës së paditur, e cila me vendimin nr.1545/2, datë 07.01.2010 ka refuzuar ti paguajë palës paditëse (e cila gëzonte cilësinë e ish-pronarit mbi truallin ku ishin ngritur ish konvikti + menca e Shkollës Mekanike Bujqësore, Shkodër), vleftën e truallit të shitur Fondacionit “Gulistan”. Kjo mosmarrëveshje, për vetë natyrën që ka do të rregullohet sipas parashikimeve ligjore të VKM nr.1638, datë 17.12.2008 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transferohet dhe për procedurën e shitjes”, VKM nr.98, datë 27.01.2009 “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave të shitjes së trojeve të ndërmarrjeve apo objekteve shtetërore, të veçuara, të privatizuara”, si dhe parashikimeve të ligjit nr.9335, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, i ndryshuar për aq sa është i zbatueshëm.
21. Thelbi i pretendimit të palës paditëse në këtë gjykim, është se ata, në cilësinë e subjekteve të shpronësuar, me vendim gjyqësor të formës së prerë ju është njohur e drejta e parablerjes për objektin ish-oficina e Shkollës Mekanike Bujqësore me sip. prej 1306 m2, konvikti i Shkollës Mekanike Bujqësore + Menca. Këtë të drejtë, pala paditëse nuk ka arritur dot ta ushtrojë, për arsye dhe shkaqe të pavarura prej tyre, edhe pse kjo e drejtë ju kishte lindur kohë përpara se Fondacioni ’Gulistan’ të merrte me qera këto ndërtesa dhe truallin në to, dhe ata siç vërtetohet nga dokumentacioni shkresor, kanë dashur ta ushtrojne këtë të drejtë konform ligjit. Paditësit kanë pretenduar gjithashtu se, nëse nga ana e tyre do të ishte kryer privatizimi i objekteve duke respektuar të drejtën e parablerjes, do të kishin realizuar në të njëjtën kohë, edhe atë ç’ka ata kishin fituar me vendim gjyqësor, si dhe do të binin shkaqet ligjore për të cilin ky truall nuk ju ishte kthyer me kthim fizik, por vetëm ju ishte kompensuar. Për këtë arsye, në kushtet kur ndërtesat dhe trualli nën to, i kanë kaluar në pronësi një subjekti të tretë privat, nëpërmjet procesit të privatizimit të ndjekur dhe të kryer nga ana e DASHPP-së, paditësit në këtë gjykim, në cilësinë e subjekteve të shpronësuar në kuptim të ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 i ndryshuar, pretendojnë se ju ka lindur e drejta që të përfitojnë vlerën e truallit të shitur, si formë kompensimi.
22. Ndërsa Avokatura e Shtetit në këtë gjykim, ka pretenduar se, pala paditëse nuk ka legjitimitet pasiv në çështjen objekt shqyrtimi. DASHPP-ja ka si detyrim kryerjen e procedurës së shitjes së pronës shtetërore dhe jo tagrin për të disponuar shumat e pagesës së shitjeve të kryera, pasi nuk disponon fonde të saja për të shlyer atë që pretendon pala paditëse. Pala e paditur DASHPP, nuk ka detyrim në kuptim të VKM nr.1638, datë 17.12.2008, i ndryshuar që të realizojë drejtpërdrejtë kompensimin e subjekteve ish-pronar. Paditësit nuk e kanë gëzuar të drejtën e parablerjes dhe në kuptim të vendimit gjyqësor, ata do të kompensoheshin në natyrë nga ana e Agjencisë së Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave, si i vetmi organ i i ngarkuar me ligj për të përfunduar procesin e njohjes, kthimit apo kompensimit të pronës subjekteve të shpronësuar apo trashëgimtarëve të tyre ligjorë. Veprimet e kryera nga ana e DASHPP-së, janë në përputhje të plotë me dispozitat ligjore të zbatueshme.
23. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i gjen të pabazuara në ligj pretendimet e anës së paditur. Konkretisht, në nenin 8/1 të Ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, i ndryshuar, i titulluar “Trualli i zënë me ndërtime në pronësi të shtetit”, paragrafi 1, gërma “a” e tij, parashikohet se: “1. Në ndryshim nga formulimi i nenit 7, u kthehet apo u kompensohet subjekteve të shpronësuara trualli privat, mbi të cilin janë ngritur ndërtime të përhershme dhe të ligjshme në pronësi të pronarit shtet, sipas rastit: a) Kur ndërtesat në pronësi të pronarit shtet nuk përdoren më për interes publik, trualli i kthehet subjektit të shpronësuar, duke i njohur atij të drejtën e parablerjes së objektit në privatizim. Deri në privatizimin e objektit, sipas këtij ligji, shteti detyrohet t'i paguajë subjektit të shpronësuar çmimin e qirasë për truallin që ka në posedim, sipas tarifave që zbaton për dhënien me qira të trojeve shtetërore të tretëve”, ndërsa në nenin 8/2 të po këtij ligji, parashikohet se: “Për tokat e dhëna në përdorim, me qira ose në ndonjë formë tjetër, shoqërive tregtare, ku shteti zotëron pjesë të kapitalit ose aksione, për zhvillimin e veprimtarisë së tyre veprohet si më poshtë: a) Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave, nga sipërfaqja e tokës së dhënë ka të drejtë t'ia shesë shoqërisë, me çmim tregu, sipërfaqen e domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë, sipas kritereve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa sipërfaqja tjetër, nëse ka të tillë, i kthehet fizikisht subjektit të shpronësuar. Kur toka e shitur i është njohur subjektit të shpronësuar, të ardhurat nga shitja i kalojnë atij. Kur toka ka qenë dhe është në pronësi të shtetit, të ardhurat nga shitja kalojnë në fondin e kompensimit. b) Nëse shoqëria refuzon blerjen e tokës, brenda afatit të përcaktuar nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, toka i kthehet fizikisht pronarit të shpronësuar, kur ka të tillë dhe marrëdhëniet ndërmjet shoqërisë e subjektit rregullohen sipas legjislacionit civil shqiptar. c) Subjektet e shpronësuara, në marrëveshje me shoqëritë tregtare të përmendura në paragrafin e parë të këtij neni, mund të kompensohen me tokën që këto shoqëri vendosin të blejnë, duke pasur parasysh vlerën e tokës që ka prona e njohur e këtyre subjekteve, si dhe vlerën e tokës që ka në përdorim shoqëria. Marrëveshja ndërmjet subjekteve të shpronësuara dhe shoqërisë depozitohet në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe ekzekutohet nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike. Këshilli i Ministrave harton procedurat e realizimit të kompensimit të parashikuar në këtë paragraf “.
24. Në Aktin Normativ nr.4, datë 09.07.2008 “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, në nenin 2 të tij, parashikohet se: “Me privatizim kuptohet procesi i transferimit të së drejtës së pronësisë shtetërore te personi juridik ose fizik, privat. Kalimi i pronës shtetërore në pronë private bëhet nëpërmjet formave të ndryshme të privatizimit, si: shitjes me ankand, tenderit, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kriteret për vlerësimin e pronës shtetërore, që privatizohet, si dhe procedurat e format e privatizimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, ndërsa në nenin 3 të tij, parashikohet se: “Kalimi i pronës shtetërore në pronë private drejtohet nga ministria përgjegjëse për ekonominë, e cila përcakton kohën dhe formën e realizimit të privatizimit, për të gjitha pasuritë shtetërore, që i nënshtrohen këtij proçesi”.
25. Ndërsa, në zbatim të këtij akti normativ të sipërcituar, si dhe nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.9.1995 "Për shitblerjen e trojeve", në të cilin pasqyrohet se: “Kalimi i trojeve të zëna pronë shtetërore në pronë private është i detyrueshëm, kur kërkohet nga i interesuari, në rastet kur: a- Trualli është i objekteve që janë privatë ose që do të privatizohen. Kalimi bëhet në favor të pronarëve të këtyre objekteve. b- Trualli do të përdoret për zgjerime apo ristrukturime nga persona privatë që u lind kjo e drejt nga ana urbanistike siç përshkruhet në paragrafin e dytë të nenit 1. Kalimi bëhet në favor të pronarëve të objekteve që zgjerohen apo ristrukturohen. c- Trualli ka investime të lëna pa përfunduar. Kalimi bëhet në favor të pronarit të objektit përfundimtar. ç- Në çdo rast tjetër sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave. Të gjithë ish-pronarët mund të përdorin të drejtën e tyre të kompesimit fizik për të shlyer trojet në rastet e mësipërme”, Këshilli i Ministrave ka miratuar VKM nr.98, datë 27.01.2009, ku në Kapitulli I të tij, i titulluar “Procedurat e shitjes së truallit të ndërmarrjeve dhe objekteve shtetërore, të privatizuara”, nga pika 1 deri në pikën 4 të saj, ka parashikuar se: “1. Shitja e truallit të pashitur të ndërmarrjeve dhe objekteve shtetërore, të privatizuara, nga ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit, degët e saj në rrethe, nga ish-Agjencia Qendrore e Ristrukturimit dhe Privatizimit të NB-ve, me degët e saj në rrethe, dhe nga Ministria e Financave (Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike), të bëhet në përputhje me këtë vendim, sipas genplanit, që i bashkëlidhet dosjes së privatizimit. 2. Ministria e Financave (Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike) kryen edhe shitjen e trojeve të ndërmarrjeve e objekteve të tjera shtetërore, të privatizuara para krijimit të këtyre agjencive. 3. Të gjitha subjektet, të cilat kanë privatizuar objekte apo ndërmarrje, sipas pikave 1 e 2 të këtij kreu, por që nuk kanë privatizuar sipërfaqen e truallit, sipas genplanit të dokumentacionit të privatizimit, duhet ta blejnë këtë truall deri më 31.5.2009, si dhe të kenë paguar qiranë e truallit rregullisht, deri në pagesën e vlerës së plotë të çmimit të truallit, brenda afatit të përcaktuar në këtë pikë. 4. Pas afatit të përcaktuar në pikën 3 të këtij kreu, në rastet kur nuk është paguar qiraja dhe nuk është blerë trualli nga pronarët e objekteve apo të ndërmarrjeve të privatizuara, trualli i tyre vihet në dispozicion të AKKP-së për kompensimin e subjekteve të shpronësuara dhe, në rastet, kur trualli ka pronarë, të njohur me vendim të komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave, trualli i kalon këtij pronari”.
26. Në analizë të këtyre dispozitave ligjore dhe nënligjore, del qartë definicioni mbi privatizimin, organin kompetent shtetëror i cili do të kryejë këtë proces, si dhe kriteret ligjore që duhet të ndiqen për realizimin e tij. Gjithashtu, referuar pikës 4 të VKM nr.98, datë 27.01.2009, i cituar më sipër, Këshilli i Ministrave ka mbajtur në vëmendje dhe parashikuar mbrojtjen ligjore të subjekteve të shpronësuar, të drejtat e të cilëve rregullohen nëpërmjet Ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, i ndryshuar, në mënyrë që parashikimet e këtij ligji të mos mbeten në një nivel deklarativ, por të jenë të mundshme për tu realizuar faktikisht, jo vetëm si një detyrim ligjor dhe kushtetues, por edhe në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga aktet ndërkombëtare qështeti shqiptar ka ratifikuar, sikundër është KEDNJ.
27. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon të theksojë se, për shkak të rëndësisë që shfaq procesi i privatizimit dhe kujdesit që duhet të tregojë administrata shtetërore për zbatimin e tij, ky proces është zbërthyer dhe është rregulluar në mënyrë më të detajuar edhe nga akte të tjera nënligjore. Konkretisht, në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.1638, datë 17.12.2008 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transferohet dhe për procedurën e shitjes”, në Kreun III, i titulluar “Procedurat e shitjes së pronës”, në pikën 36 të tij, parashikohet se: “Drejtoria e Administrimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, i paraqet, për miratim, ministrit përgjegjës për ekonominë, vlerën e investimeve të kryera nga qiramarrësi dhe të vlerësuara nga ekspertët përkatës. Me miratimin e vlerës së investimeve, Drejtoria e Administrimit të Pronës Publike bën krahasimin e kësaj vlere dhe vlerës së truallit, të përcaktuar sipas çmimit të truallit, të konfirmuar nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, dhe sipërfaqes së truallit në kontratën e qiramarrjes. Nëse vlera e investimeve të kryera është mbi 150% e vlerës së truallit, min istri nxjerr urdhrin për përgatitjen e dokumentacionit të privatizimit. Për rastet kur ka pronarë toke, vlera e truallit, sipas përcaktimit në dosjen e privatizimit, i kalon pronarit për kompensim. Ndërsa në Udhëzimin nr.385, datë 16.01.2009 “Për zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.1638, datë 17.12.2008 "Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transformohet dhe për procedurën e shitjes”, në pikën 17 të tij, parashikohet se: “Në rast se ish-pronari i truallit, sipas përcaktimit të pikës 3, germa "g", kapitulli i III-të i këtij vendimi, nuk paraqitet për blerjen e objektit që ndodhet në truallin e tij, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave realizon shitjen me ankand të objektit dhe të truallit, sipas procedurave të këtij vendimi. Vlera e truallit, e përcaktuar sipas hartës së vlerës dhe që ndodhet në dosjen e vlerësimit të objektit, do të përdoret drejtpërsëdrejti për të kompensuar ish-pronarin”. Pra, në analizë të këtyre dispozitave ligjore, parashikohet shprehimisht që, vlera e truallit të privatizuar nëpërmjet procedurave të ndjekura nga DASHPP, do të shërbejë drejtpërsëdrejti për kompensimin e ish-pronarit të truallit, në rast se ky truall objekt privatizimi, i takon subjekteve ish-pronarë.
28. Në vijim të analizës së këtyre dispozitave ligjore, del qartë nga përmbajtja e tyre se, ato i referohen edhe subjekteve ish-pronarë (të shpronësuar) të drejtat e të cilëve rregullohen sipas parashikimeve të Ligjit nr.9235 datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, i ndryshuar, nëpërmjet të cilit, shteti shqiptar ka dashur të rregullojë çështjen e pronësisë, si rezultat i veprimeve të padrejta nga pushteti i kohës pas datës 29.11.1944. Ky ligj, ka synuar që ti rregullojë këto të drejta, nëpërmjet njohjes, rikthimit të tyre (kthimit fizik të pronës) në kushtet kur gjendja aktuale ligjore dhe faktike e lejon një gjë të tillë, si dhe nëpërmjet kompensimit (në njërën nga format ligjore që parashikon ky ligj në nenin 11 të tij), kur nuk është i mundur të realizohet kthimi fizik i pronës.
29. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, për efekt të zgjidhjes përfundimtare të mosmarrëveshjes, çmon të sqarojë se, qëllimi i ligjvënësit në nxjerrjen e akteve ligjore dhe i qeverisë në nxjerrjen e akteve nënligjore në bazë dhe për zbatim të tyre (të cituara në sipër), ka qenë për të krijuar një legjislacion të plotë ligjor, nëpërmjet të cilit, të mund të krijojë mundësinë për rregullimin e të drejtave pronësore të cënuara si rezultat i shpronësimeve, shtetëzimeve dhe konfiskimeve të padrejta të krijuara pas datës 29.11.1944, duke bërë të mundur që, të gjitha këto norma ligjore më karakter normativ të gjejnë mbështetje tek njëra-tjetra dhe të jenë në një vijë logjike dhe ligjore, dhe jo të krijojnë kundërshti ndërmjet tyre. Në një kuptim të kundërt nga ky, pra nëse këto akte, do të krijonin kundërshti ndërmjet tyre, atëhere ato do të sillnini vetëm konflikte të paarsyeshme dhe të panevojshme. Në referim të përmbajtjes së këtyre dispozitave ligjore, ligjvënësi në hartimin e akteve normative, si dhe Këshilli i Ministrave në nxjerrjen e akteve nënligjore në bazë dhe për zbatim të tyre, kanë pasur si qëllim primar realizimin e të drejtave të pronësisë që mbrohen nëpërmjet Ligjit nr.9235, data 29.07.2004, i ndryshuar, duke ruajtur parimimin për vendosjen e një balancimi të drejtë, midis të drejtës private të pronësisë dhe interesit publik.
30. Ky Kolegj, vlerëson të theksojë se, nga analizimi dhe krahasimi i përmbajtjes së këtyre akteve, konstaton se, këto dispozita ligjore jo vetëm që nuk krijojnë kundërshti ndërmjet tyre, por kanë një përputhje dhe plotësim shumë të mirë ndërmjet tyre, duke mbajtur në vëmendje dhe qëllim primar, realizimin e të drejtave që ju janë njohur subjekteve të shpronësuar nëpërmjet vendimeve të dhëna nga Komisionet e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, në kuptim të nenit 41 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” (në kohë nga viti 1993 deri më tani). Kjo për faktin se, realizimi i këtyre të drejtave për këtë kategori subjektesh, është një detyrim i marrë përsipër për tu përmbushur nga shteti shqiptar pa cënuar interesat publikë, dhe jo një e drejtë.
31. Kjo është shprehur mjaftë qartë edhe në nenin 7 të Ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, i titulluar “Pronat që nuk kthehen”, në të cilin pasqyrohet se: “1. Nuk kthehen pronat e paluajtshme, që i shërbejnë një interesi publik dhe ato që: a) shërbejnë për realizimin e detyrimeve të shtetit shqiptar, që rrjedhin nga traktatet dhe konventat, në të cilat shteti ynë është palë; b) janë të zëna sipas akteve ligjore, paraqitur në shtojcën 1 të ligjit. 2. Në rast se pronat e paluajtshme, që përfshihen në pikën 1 të këtij neni, propozohen të tjetërsohen, ato u kalojnë subjekteve të shpronësuara kur këto nuk janë kompensuar. 3. Pronat e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni kompensohen sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj". Për këtë arsye, legjislatori ka parashikuar si mënyrë për përmbushjen e të drejtave të kategorisë së subjekteve të shpronësuar edhe kompensimin, e cila pasqyrohet mjaftë qartë në nenin 11 të po këtij ligji, i titulluar “Format e kompensimit”, në të cilin pasqyrohet saktësisht se: “1. Për pronat e përcaktuara në këtë ligj, për të cilat është i pamundur kthimi fizik, shteti kompenson subjektet e shpronësuara me një ose më shumë nga format e mëposhtme: a) me pronë tjetër të paluajtshme të të njëjtit lloj, me vlerë të barabartë, në pronësi të shtetit; a/1) me pasuri të paluajtshme publike në zonat, që kanë përparësi zhvillimin e turizmit; b) me pronë tjetër të paluajtshme të çdo lloji, me vlerë të barabartë, në pronësi të shtetit; c) me aksione në shoqëri me kapital shtetëror ose ku shteti është bashkëpronar, që kanë vlerë të barabartë me pronën e paluajtshme; ç) me vlerën e objekteve, të cilat janë objekt i privatizimit; d) me të holla. 3.Shpërblimi për efekt kompensimi nuk i nënshtrohet asnjë takse, tatimi ose ndalese.”
32. Referuar akteve të administruara në dosje, të cilat janë marrë në shqyrtim dhe vlerësim nga ana e dy gjykatave më të ulëta, rezulton e provuar se, prona objekt shqyrtimi në këtë proces gjyqësor, trualli nën objektin ish-oficina e Shkollës Mekanike Bujqësore me sip. prej 1306 m2, si dhe konvikti i Shkollës Mekanike Bujqësore + Menca, ju është njohur në formën e kompensimit trashëgimtarëve ligjore të subjekteve të shpronësuar Qemal, Haxhi dhe Zek Memçaj, nëpërmjet vendimit gjyqësor 1231, datë 20.11.1998 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, me të cilin është anulluar vendimi nr.641/R, datë 22.09.1995 i KKKP Shkodër. Po nëpërmjet këtij vendimi gjyqësor, këtyre subjekteve ju është njohur edhe e drejta e parablerjes për objektet shtetërore të ndërtuara mbi këtë truall, në momentin kur ato do të dilnin në proces privatizimi. Mbi bazën e kësaj të drejtë, pala paditëse ka kërkuar të marrë pjesë në procedurat e privatizimit të këtyre objekteve, fakt i cili del qartë nga korrespodenca e mbajtur midis palës paditëse, DASHPP-së, si dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, duke provuar në këtë mënyrë interesin e saj, si dhe veprimet e ndërmarra prej saj që të bënte të mundur realizimin e të drejtës së parablerjes të njohur me një vendim gjyqëor të formës së prerë.
33. Gjithashtu, ka rezultuar e provuar se, prona paluajtëshme ish-ofiçina e Shkollës Mekanike Bujqësore me sipërfaqe prej 1306 m2, konvikti i Shkollës Mekanike Bujqësore + Menca, prej datës 19.06.2000 i është dhënë nga shteti me qera Fondacionit “Gulistan”, fakt i cili provohet nëpërmjet kontratës së qerasë me nr.2950/475, datë 19.06.2000. Nëpërmjet shkresës me nr.8270 prot., datë 15.09.2008, Ministri i METE-s ka miratuar privatizimin e objektit “Shkolla e Mesme Bujqësore Shkodër”, duke pasqyruar se privatizimi i këtij objekti, do të kryhej bazuar në VKM nr.794/2007 dhe VKM nr.162/2007. Bazuar në këto akte, pas ngritjes së Komisionit të Vlerësimit të Objektit që do të privatizohej, bazuar në Urdhërin e Ministrit si dhe përfundimit të procedurave përkatëse, Fondacioni “Gulistan” ka nënshkruar me Drejtorinë e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike (DASHPP), kontratën e shitjes nr.3112/567, datë 08.09.2009, sipas të cilës ka blerë objektin me sipërfaqe totale prej 4695 m2, nga e cila 1215 m2 nën objekt, kundrejt pagesës të shumës prej 94.299.247 lekë.
34. Bazuar në sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se akti administrativ, vendimi nr.1545/2, datë 07.01.2010 i DASHPP, për refuzimin e pagimit të vleftës së truallit prej 1306 m2, që i është shitur Fondacionit ‘’Gulistan’’ në masën prej 19.590.000 lekë (së bashku me ish konviktin + mencën e shkollës ‘’Mekanike Bujqësore’’ Shkodër) dhe kalimin e kësaj shume në favor të paditësave, ka dalë në kundërshtim me sa parashikojnë aktet ligjore në fuqi, të cilat rregullojnë mosmarrëveshjen objekt shqyrtimi. Konkretisht, ky akt refuzimi ka dalë në kundërshtim me parashikimet e nenit 8/1 dhe 8/2 të Ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, i ndryshuar, nenit 36 të VKM nr.1638, datë 17.12.2008 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transferohet dhe për procedurën e shitjes”, si dhe pikës 17 të Udhëzimit nr.385, datë 16.01.2009 “Për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr.1638, datë 17.12.2008 "Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transformohet dhe për procedurën e shitjes", të cilat parashikojnë shprehimisht se: “Vlera e truallit, e përcaktuar sipas hartës së vlerës dhe që ndodhet në dosjen e vlerësimit të objektit, do të përdoret drejtpërsëdrejti për të kompensuar ish-pronarin”.
35. Të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore, mbi bazën e të cilave DASHPP ka kryer procesin e privatizimit të pronës së paluajtshme truall, me sipërfaqe prej 1306 m2, së bashku me ndërtesat e ngritura mbi të si ish konviktin + menca e Shkollës Mekanike Bujqësore Shkodër, parashikojnë qartësisht se, vlera e shitjes së kryer nëpërmjet këtij procesi duhet të kalojë për kompensimin e ish-pronarit dhe për ktë arsye, vendimi i anës së paditur, rezulton të jetë një akt relativisht i pavlefshëm, pasi ka dalë në kundërshtim me sa parashikojnë dispozitat ligjore të zbatueshme. Më të drejtë, të dy gjykatat më të ulëta të investuara për zgjidhjen e kësaj çështje, kanë pranuar padinë e palës paditëse, duke anulluar aktin e anës së paditur dhe zgjidhur pasojat sipas parashikimeve ligjore në fuqi.
36. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në vijim edhe të sa është cituar më sipër, vlerëson se, pavarësisht faktit që pala paditëse për veprime të pavaruara prej saj, nuk ka realizuar dot të drejtën e parablerjes së ndërtesave shtetërore, për të cilat i ishte njohur e drejta e parablerjes në kuptim të Ligjit nr.9234, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, i ndryshuar, ajo nuk e humbet të drejtën që të përfitojë kompensimin për këtë truall, sipas parashikimeve të pikës 2, të nenti 14 të këtij ligji në të cilin, parashikohet se: “Subjektet e shpronësuara kanë të drejtë të heqin dorë nga e drejta e parablerjes përkundrejt kompensimit, sipas nenit 11 të këtij ligji”. Kjo logjikë e ligjvënësit, mbështetet edhe nga fakti që, pala paditëse në cilësinë e subjektit të shpronësuar, në rast se do të kishte realizuar të drejtën e parablerjes për objektet shtetërore, të cilat ndodheshin mbi truallin që ka qenë në pronësi të tyre para vitit 1944, do të kishte mundësinë që të realizonte edhe të drejtat që i janë njohur mbi këtë truall, nëpërmjet kthimit fizik të tij, nëpërmjet procedurave përkatëse pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, bazuar në nenin 7 dhe 22 të Ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, i ndryshuar, në të cilin pasqyrohet se: “1. Në rast se në dosjet e depozituara në komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave, të ngritura sipas ligjit nr.7698, datë 15.4.1993 “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ishpronarëve”, ekziston dokumentacioni i nevojshëm për vërtetimin e pronësisë për pronën që do të përfitohet sipas këtij ligji, subjekti i shpronësuar paraqet vetëm kërkesën me shkrim për njohjen, kthimin ose kompensimin e pjesës së mbetur të pronës së paluajtshme. Vendimet e dhëna në bazë të ligjit nr.7699, datë 21.4.1993 “Për kompensimin në vlerë ose me troje të ish-pronarëve të tokave bujqësore, livadheve, kullotave, tokave pyjore dhe pyjeve” që nuk janë realizuar, konsiderohen të vlefshme për njohjen e së drejtës së pronësisë dhe komisioni përcakton nëse është i mundur kthimi i pronës së paluajtshme apo kompensimi i saj. 2. Procesi i kthimit dhe kompensimit te pronave rifillon në mënyrën, formën dhe kushtet e parashikuara nga ky ligj”.
37. Për këtë arsye, përsa kohë paditësit nuk kanë mundur të realizojnë faktikisht të drejtën e tyre mbi truallin (të cilin e kanë pasur të njohur me kompensim sipas një vendimi gjyqësor të formës së prerë) dhe që i është shitur një subjekti të tretë privat, nëpërmjet procedurës së privatizimit nga ana e palës së paditur në këtë gjykim, gëzon çdo të drejtë ligjore sipas akteve të cituara më sipër në këtë vendim, që të përfitojë vlerën e shitjes së tij si formë kompensimi për pronën e paluajtshme, sipas parashikimeve të Ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e ponës”, i ndryshuar. Në këtë kuptim, me përfitimin e kësaj vlere nga ana e trashëgimtarëve ligjore të subjekteve të shpronësuar, ky Kolegj, çmon të theksojë se, shtetit shqiptar (përfaqësuar nga institucionet e tij ligjzbatuese si AKKP, DASHPP) i shuhet detyrimi që ka ndaj trashëgimtarëve ligjorë të subjekteve të shpronësuar Qemal, Haxhi dhe Zek Memçaj, përsa i përket sipërfaqes prej 1306 m2, të njohur me vendimin gjyqësor të formës së prerë nr.1231, datë 20.11.1998 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër (me të cilin është anulluar vendimi nr.641/R, datë 22.09.1995 i KKKP Shkodër).
38. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, bazuar në të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore të cituara më sipër në këtë vendim, vlerëson se, pretendimi i Avokaturës së Shtetit që pala e paditur në këtë gjykim DASHPP, nuk ka detyrim që ti paguajë palës paditëse vlerën e shitjes së truallit objekt pretendimi, pasi këtë detyrim pala paditëse duhet t’ja kërkojë AKKP-së, nuk qëndron dhe është i pambështetur në ligj. Referuar të gjitha dispozitave ligjore të zbatueshme, është parashikuar qartësisht që, në rastet kur ka pronarë toke, vlera e truallit, sipas përcaktimit në dosjen e privatizimit, i kalon pronarit për kompensim dhe kjo duhet të kryhet nga ana e DASHPP si organi i ngarkuar për të kryer procedurat e privatizimit apo e shitjes së trojeve shtetërore.
39. Në vijim edhe të sa është arsyetuar më sipër në këtë vendim, ky Kolegj, konstaton se, nga ana e gjykatave më të ulëta është kryer një proces i rregullt ligjor, është kryer një hetim i plotë dhe i gjithanshëm i provave shkresore dhe i fakteve ligjore që ato pasqyrojnë, ju është dhënë përgjigje të gjitha pretendimeve që palët në proces kanë pretenduar gjatë gjykimit, si dhe me të drejtë këto gjykata, kanë konkluduar se, akti administrativ objekt i këtij shqyrtimi gjyqësor është i paligjshëm, pasi ai bie në kundërshtim të plotë me dispozitat ligjore të Ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, i ndryshuar, si dhe aktet nënligjore që rregullojnë procedurat e privatizimit të trojeve dhe ndërtesave shtetërore, duke cënuar në mënyrë absolute të drejtën legjitime të paditësave, për të përfituar vlerën e shitjes së këtij trualli, si formë e kompensimi të parashikuar nga ligji.
40. Për sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, ҫmon se vendimi nr.2751, datë 19.12.2011 të Gjykatës së Apelit Tiranë, është marrë në zbatim të drejtë të ligjit procedurial dhe atij matrial dhe për këtë arsye, bazuar në Ligjin nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, si dhe Dekretit nr.7818, datë 16.11.2012 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, ky vendim duhet të lihet në fuqi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 63 të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.2751, datë 19.12.2011 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
Tiranë, më 19.11.2015
Nr. 31001-02727-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-4609 i Vendimit (620)
Do'stlaringiz bilan baham: |