VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës se Lartë i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
Mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 19.11.2015, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: REMZIJE DOKO
PALË E PADITUR: KOMUNA LEVAN
OBJEKTI:
Detyrimin e palës së paditur të më dëmshpërblejë:
-me pagën e një viti për zgjidhje kontrate në mënyrë të menjëhershme
e të pajustifikuar të kontratës së punës;
-me pagën e 3 muajve për mosrespektim të afatit të njoftimit
të procedurës së zgjidhjes se kontratës së punës;
-me pagën e 2 muajve për mosrespektim të procedurës
të zgjidhjes së kontratës së punës ;
- shpërblimin për vjetërsinë në punë.
Baza Ligjore: Nenet 143/1, 144, 145, 146, 153, 155 të Kodit të Punës.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me Vendimin nr.1902 data 06.12.2011 ka vendosur:
Pranimin e kërkesë padisë.
Detyrimin e palës së paditur që ti paguajë paditëses një dëmshpërblim prej 12 pagash mujore për zgjidhje të menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës
Detyrimin e palës së paditur që ti paguajë paditëses 2 paga mujore për mosrespektim të afateve të njoftimit.
Detyrimin e palës së paditur që ti paguajë paditëses 2 paga mujore për mosrespektim te procedurave te zgjidhjes së kontratës së punës.
Detyrimin e palës së paditur që ti paguajë paditëses 2 paga mujore si shpërblim vjetërsie në punë.
Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.19(60-2013-25), datë 22.01.2013, ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.1902, datë 06.12.2011 të Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Fier.
Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala e paditur Komuna Levan, e cila kërkon ndryshimin e vendimit nr.19(60-2013-25) datë 22.01.2013, të Gjykatës së Apelit Vlorë, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Të dyja gjykatat kanë interpretuar keq ligjin material duke interpretuar zgjidhjen e kontratës si zgjidhje të pajustifikuar, kjo pasi ndërprerja e marrëdhënies së punës ka ndodhur për shkak të performancës së dobët të paditëses dhe në përputhje me nenin 153 KP.
-
Gjatë gjykimit të çështjes në të dyja shkallët pala e paditur ka provuar me prova shkresore që zgjidhja e kontratës është kryer për shkaqe të arsyeshme.
-
Në kryerjen e detyrave të saj, pala paditëse ka treguar mungesë të përmbushjes së detyrimeve të saj si punëmarrëse duke mos realizuar planin e përcaktuar për mbledhjen e taksave.
-
Mungesa e performancës së saj vërehet edhe në Raportin e Auditit të Prefektit të Qarkut Fier, ku janë evidentuar të gjitha shkeljet e akteve ligjore dhe nënligjore nga punonjësit e tatim taksave me emra përgjegjës të cilët kanë shkaktuar evazion fiskal dhe dëm ekonomik.
-
Zgjidhja e kontratës së punës është kryer në përputhje me nenin 153 te KP dhe kontrata është zgjidhur për shkaqe te justifikuar ame efekt të menjëhershëm, ndaj nuk qëndron arsyetimi i gjykatës se nuk janë respektuar afatet e njoftimit në bazë të nenit 143 KP.
-
Procedura e zgjidhjes së kontratës është kryer në përputhje me nenin 144 të Kodit të Punës, pala e paditur e ka njoftuar me shkrim palën paditëse më datë 11.07.2011 për diskutimin e ndërprerjes e marrëdhënieve të punës, ne vijim të bisedës me të i është njoftuar një datë takimi (14.07.2011) për të dhënë kundërshtimet dhe argumentet mbrojtëse në favorin e saj, kundërshtime të cilat nuk u shprehen asnjëherë nga ana e palës paditëse . Me date 01.08.2011 palës paditëse I është njoftuar largimi nga puna.
-
Duke qene se zgjidhja e marrëdhënies se punës është kryer ne përputhje me nenin 153 te Kodit te Punës, për shkaqe të justifikuara, pala paditëse humbet të drejtën për të marrë një dëmshpërblim për vjetërsi pune, parashikuar në nenin 154/4 “Punëmarrësi i pushuar nga puna në mënyrë të menjëhershme e të justifikuar humbet të drejtën e shpërblimit për vjetërsi, por ruan të drejtën e shpërblimit për pushimet e pamarra.”
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin e çështjes objekt gjykimi nga gjyqtarja relatore Evelina Qirjako, dhe verifikoi legjitimitetin e palës rekursuese, Komuna Levan.
V Ë R E N
1. Paditësja Remzije Doko, ka qenë në marrëdhënie pune pranë të paditurit për periudhën 01.07.2007- 31.07.2011 si inspektore e tatim taksave pranë Komunës Levan, Qarku Fier.
2. Pala e Paditur përmes urdhrit nr.3 datë 01.08.2011 i ka komunikuar paditëses, zgjidhjen e marrëdhënies së punës me motivacion “Mosrealizim të ardhurash” për periudhën e 7 mujorit te parë të vitit 2011 nga ajo ne cilësinë e inspektores së tatim taksave.
3. Paditësja, nuk ka qenë dakord me zgjidhjen e marrëdhënies së punës, për këto arsye i është drejtuar Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Fier për zgjidhjen e mosmarrëveshjes .
4. Në kërkimin e saj pala paditëse ka pretenduar se Pala e paditur nuk ka respektuar afatin e njoftimit ;- zgjidhja e kontratës është kryer në mënyrë të menjëhershme dhe pa shkaqe te justifikuara;- zgjidhja nuk është kryer në zbatim të procedurës së parashikuar ne nenin 144 KP; zgjidhja e kontratës është kryer duke mosrespektuar afatin e njoftimit te parashikuar nga neni 143 KP .
5. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me Vendimin nr.1902 datë 06.12.2011 ka vendosur :
-
Pranimin e kërkesë padisë
-
Detyrimin e palës së paditur që ti paguaje paditëses një dëmshpërblim prej 12 pagash mujore për zgjidhje të menjëhershme dhe të pajustifikuar te kontratës së punës
-
Detyrimin e palës së paditur që ti paguajë paditëses 2 paga mujore për mosrespektim të afateve të njoftimit .
-
Detyrimin e palës së paditur që ti paguajë paditëses 2 paga mujore për mosrespektim te procedurave te zgjidhjes se kontratës se punës.
-
Detyrimin e palës së paditur që ti paguajë paditëses 2 paga mujore si shpërblim vjetërsie ne pune.
5/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se:
Nuk ekzistojnë shkaqe të justifikuar për zgjidhjen e marrëdhënies se punës nga ato qe përcaktohen në nenin 153 KP. Nuk rezulton të jetë e provuar që pala paditëse të ketë kryer shkelje të detyrimeve me faj të rëndë apo të lehtë dhe ndaj saj të jenë marrë masa disiplinore apo vërejtje me shkrim, gjithashtu edhe nga përmbatja e e Raportit të Auditit me nr.684/4 datë 10.01.2011 nuk nxirret ndonjë përgjegjësi individuale me faj të palës paditëse për mosrealizim të të ardhurave nga tatim taksat në Komune Levan, Qarku Fier. Në këto kusht, zgjidhja e kontratës duhet të klasifikohet si zgjidhje e menjëhershme pa shkaqe të pajustifikuara (neni 155/3 KP).Pala e paditur nuk ka respektuar afatin e njoftimit e parashikuar në nenin 143/1 të KP,ndaj pala legjitimohet në kërkimin e dëmshpërblimit me 2 muaj pagë. Pala e paditur nuk ka respektuar procedurën e zgjidhjes se marrëdhënies së punës në mënyrën e parashikuar nga neni 144 i KP e për pasojë i takon një dëmshpërblim me 2 muaj page. Edhe pse pala e paditur pretendon që të ketë respektuar procedurën, nga provat shkresore e administruara në dosjen gjyqësore nuk rezulton që pala paditëse të ketë marre dijeni mbi njoftimet pasi në këto shkresa nuk ndodhet asnjë firmë e saj .Gjithashtu lidhur me kërkimin për dëmshpërblim për vjetërsinë në punë, i mbështetur edhe në nenin 145 të Kodit te Punës, paditësit i takojnë 2 muaj pagë
6. Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.19(60-2013-25), datë 22.01.2013, ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.1902, datë 06.12.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier .
6/1. Kjo gjykatë ka gjetur vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë si të mbështetur në ligj dhe ne prova bindëse.
7. Kundër këtij vendimi ka ushtruar të drejtën e rekursit pala e paditur që kërkon ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Apelit për ato shkaqe që pasqyrohen në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
8. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se rekursi i paraqitur nga pala e paditur përmban shkaqe ligjore nga ato te parashikuara në nenin 58 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të cilat e bëjnë të cënueshëm vendimin e Gjykatës së Apelit Vlore. Ky Kolegj konstaton se në gjykimin e kësaj çështje kjo gjykatë ka interpretuar gabim ligjin material që zbatohet për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje dhe si rezultat nuk e ka zgjidhur atë në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj.
9. Në analizë të kërkimeve të palës paditëse dhe shkakut ligjor te tyre, në të cilat mbështeten këto kërkime, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se në rastin objekt shqyrtimi jemi përpara një mosmarrëveshje që rrjedh nga marrëdhëniet e punës, për zgjidhjen e të cilës referim duhet bërë në dispozitat e K.Punës.
10. Rezulton nga aktet e dosjes gjyqësore se paditësja ka qenë në marrëdhënie pune me palën e paditur, me afat të pacaktuar. Kontrata e punës është zgjidhur në mënyrë të menjëhershme nga pala e paditur me urdhrin nr.103, datë 05.03.2011. Rezulton se pala e paditur nuk ka zbatuar afatin e njoftimit për zgjidhjen e kontratës së punës, ne këto kushte në kuptim të nenit 143 të K.Punës,që shprehimisht thotë “Kur njëra nga palët e zgjidh kontratën pa respektuar afatin e njoftimit, zgjidhja e kontratës trajtohet si zgjidhje e kontratës me efekt të menjëhershëm”, kjo zgjidhje është e njëanshme dhe e menjëhershme. Në kushtet kur arrihet në konkluzionin se jemi para zgjidhjes së kontratës së punës në mënyrë të njëanshme dhe te menjëhershme, është mëse e domosdoshme për gjykatën të hetojë në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme nëse zgjidhja e menjëhershme, e njëanshme e kontratës së punës nga ana e punëdhënësit, Komuna Levan (pala e paditur) është bërë për shkak të justifikuar apo jo, ashtu siç parashikohet në nenin 153 të K.Punës?
11. Neni 153 i K.Punës parashikon se:“1) Punëdhënësi e punëmarrësi, në çdo kohë, mund të zgjidhin menjëherë kontratën për shkaqe të justifikuara. 2) Vlerësohen si shkaqe të justifikuara të gjitha rrethanat e rënda që nuk lejojnë, sipas parimit të mirëbesimit, t’i kërkohet atij që ka zgjidhur kontratën, vazhdimin e marrëdhënieve të punës. 3) Gjykata vendos nëse ekzistojnë shkaqe të justifikuara për zgjidhjen e menjëhershme të kontratës. Konsiderohen shkaqe të justifikuara rastet kur punëmarrësi shkel detyrimet kontraktuale me faj të rëndë, si edhe rastet kur punëmarrësi shkel detyrimet kontraktuale me faj të lehtë, në mënyrë të përsëritur, me gjithë paralajmërimin me shkrim të punëdhënësit.
12. Në analize të kësaj dispozite, punëmarrësi dhe/ose punëdhënësi në çdo kohë mund ta zgjidhin kontratën e punës, (që do të thotë se zgjidhja e kontratës së punës në mënyrë të menjëhershme prej secilës palë është ligjshme), me kusht që të provohet se shkaku i zgjidhjes së kontratës së punës është i justifikuar, pra që jemi para kushteve të parashikuara në nenin 153/2 të K.Punës. Kushtet kumulative për të pranuar ekzistencën e shkakut të justifikuar janë: a – punëmarrësi të ketë shkelur një detyrim kontraktual që rrjedh nga ligji, kontrata e punës, kontrata kolektive; b – kjo shkelje të jetë kryer me faj; c – ekzistenca e lidhjes shkakësore midis shkeljes me faj dhe pushimit të menjëhershëm nga puna; d – kjo shkelje të ketë krijuar një situatë te rëndë që nuk lejon sipas parimit të mirëbesimit ti kërkohet punëdhënësit vazhdimi i marrëdhënieve të punës.
13. Në çështjen objekt gjykimi ka rezultuar qartë që shkaku i zgjidhjes së kontratës se punës nga ana e palës se paditur është mospërmbushja nga paditësja e detyrës se saj funksionale. Në referim të akteve të administruara në dosjen gjyqësore që janë marrë në shqyrtim nga gjykatat më të ulëta rezulton se ana e paditur ka arritur në këtë konkluzion duke marrë në konsideratë se paditësi :
i) ka pasur mangësi në realizimin e të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore.
ii) ka pasur mangësi në licensimin e 75 subjekteve nga 166 subjekte te regjistruara duke krijuar kështu evazion fiskal.
iii) mangësi në kryerjen e kontrolleve në terren për efekt të llogaritjes së xhirove të subjekteve tatimorë etj.
Sa më sipër rezulton qartë nga një sërë aktesh shkresore të cilat janë administruar në dosjen gjyqësore, janë marrë në shqyrtim nga gjykatat më të ulëta,por nuk janë marrë në konsideratë prej tyre në dhënien e vendimit duke e bërë këtë vendim që të jetë i njëanshëm e i pabazuar ne prova dhe ne ligj. Konkretisht në Raportin e Auditimit të Qarkut Fier nr.684/4, datë 10.01.2011, (fq.49,50 e dosjes gjyqësore) thuhet shprehimisht se :
Sipas rregjistrit të tatim paguesve del se janë konstatuar dhe nuk janë kontabilizuar detyrime debitorë për disa subjekte për vitin 2008-2009" në masën 350400 lekë. Këto veprime bien ndesh me kërkesat e ligjit nr.8560 dt.22.12.1999 "Për procedurat tatimore" me ndryshimet neni 27 "Mbajtja e regjistrave:', me ligjin nr.7776 dt.22.12.1993 ndryshuar me nr.8399 dt.09.09.1998 "Per buxhetin lokal" neni 16. Përgjegjësia është e punonjësve të Zyrës së Tatim Taksave zj. Ervehe Veizaj dhe zj. Remzie Doko, z. Bahir Toskllaraj, z.Viktor Troka.
Nuk janë licencuar 75 subjekte nga 166 subjekte juridikë dhe fizikë të regjistruara, ndaj të cilave nuk u gjet ndonjë mase gjobe, për të cilat llogaritet evazion fiskal 6,750 mijë lekë. Këto veprime bien ndesh me kërkesat e ligjit nr.9632 datë 30.10.2006 "Për sistemin e taksave në Republikën e Shqipërisë" kreu 3, neni 12 pika 4, 5, dhe neni 17 "kundravajtjet dhe sanksionet", pika I shkronja a si dhe me kërkesat e ligjit nr.8560 dt.22.12.1999 "Për procedurat tatimore" me ndryshimet, neni 27 "Mbajtja e regjistrave" , me ligjin nr.7776 dt,22.12.1993 ndryshuar me ligjin nr.8399 dt. 09.09.1998 "Për buxhetin lokal" neni 16. Përgjegjësia është e punonjësve të Zyrës se Tatim- Taksave, zj. Ervehe Veizaj dhe zj. Remzie Doko, z. Bahir Toskllaraj, z.Viktor Troka, z. Besnik Bregasi dhe z. Mikel Hazizi.
Llogaritja e xhirove në disa biznese është bazuar në vetë deklaratën fiskale të dhënë nga subjektet fizike dhe jo nga kontrollet faktike për xhiron e realizuar ne fakt, Kjo është më e theksuar në bar bufetë, në kafene, në ushqimore dhe në restorante të nivelit te lartë siç janë ato buze liqenit Levan, kur xhirot e planifikuara variojnë nga 12000 deri ne 50000 leke ne vit. Ky veprim bie ndesh me kërkesat e udhëzimit të përbashket i M.F dhe M.B nr.695/1 dt.06.02.2007 dhe nr.125/7 dt.31.01.2007 "Për përcaktimin e uniformitetit të standarteve proceduriale dhe raportimet të sistemit të taksave vendore" pika 5, në mbështetje të ligjit nr.9632 dt.30.10.2006 "Për sistemin e taksave vendore". Përgjegjësia është e ish Përgjegjësit të Zyrës së Tatim-taksave z. Lutfi Zhapaj , dhe punonjësve të Zyres së Tatim-Taksave dhe Policisë Komunare, zj. Ervehe Veizaj dhe zj. Remzie Doko, z. Bahir Toskllaraj, z.Viktor Troka, z. Besnik Bregasi dhe z. Mikel Hazizi.
14. Nisur nga sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës se Lartë vlerëson se shkeljet e konstatuara nga pala e paditur përbëjnë shkak të justifikuar për zgjidhjen e marrëdhënies se punës. Nga analiza e mësipërme e shkaqeve për të cilat paditësja është larguar nga puna, rezulton se paditësja gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka vepruar në kundërshtim me detyrimet ligjore të punonjësit të administratës publike të cilat burojnë nga kontrata e punës dhe nga ligji. Si pasojë e këtyre shkeljeve pala e paditur, ka humbur besimin tek ajo. Kjo situatë e krijuar nuk lejon sipas parimit të mirëbesimit që të vazhdojë marrëdhënia e punës e krijuar mes palëve. Shkeljet e paditëses për mospërmbushjen e detyrave të ngarkuara asaj tregojnë qartë që paditësja nuk ka përmbushur në rregull detyrat e saj funksionale, të cilat përbëjnë shkaqe të justifikuara për të zgjidhur marrëdhënien e punës.
15. Referuar akteve të administruara në dosjen gjyqësore, ky Kolegj vlerëson se pala e paditur nuk ka zbatuar procedurën për zgjidhjen e kontratës së punës parashikuar nga neni 144 i K.Punës. Në kuptim të kësaj dispozitë, procedura për zgjidhjen e kontratës së punës duhet zbatuar edhe në rastin e zgjidhjes së menjëhershme të kontratës së punës, në rast të kundërt punëdhënësi detyrohet të dëmshpërblejë punëmarrësin me pagën e dy muajve. Në dosje janë administruar shkresa me të cilat pala e paditur kërkon të provojë faktin se ka zbatuar procedurën e parashikuar në nenin 144 të K.Punës, (njoftimi për zhvillimin e takimit), por nuk rezulton që paditësja të jetë njoftuar mbi to. Në këto kushte, duke qenë se pala e paditur nuk ka respektuar parashikimet e nenit 144 të K.Punës,vlerëson se vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë, për këtë kërkim duhet të lihet në fuqi. Ndërsa sa i takon kërkimeve të tjera të padisë, vendimi i saj duhet të ndryshohet duke u rrëzuar padia.
16. Në përfundim të analizës sa më sipër, dhe në kushtet kur Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se shkaku për zgjidhjen e kontratës së punës është një shkak i justifikuar, dhe i bazuar në ligj, paditësja nuk ka të drejtë të përfitojë shpërblimet që rrjedhin nga zgjidhja e marrëdhënies së punës (neni 143, 153, 145 i K.Punës), pasi kërkimet e tij janë të pabazuara në prova dhe në ligj.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 63 të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O SI
Lënien në fuqi të vendimit nr.19, datë 22.01.2013 të Gjykatës së Apelit Vlorë për kërkimet e paditëses sa i takon dëmshpërblimit për mosrespektim të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës .
Ndryshimin e vendimit nr.1902, datë 06.12.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier dhe të vendimit nr.19, datë 22.01.2013 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe rrëzimin e padisë për kërkimet e tjera.
Tiranë, më 19.11.2015
Nr. 11241-00704-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2015 - 4288 i Vendimit (617)
Do'stlaringiz bilan baham: |