VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
Në datën 19.11.2015 mori në shqyrtim në Dhomën e Këshillimit çështjen administrative që iu përket palëve ndërgjyqëse të mëposhtme:
PADITËS: VALTER BEBRI
I PADITUR: DREJTORIA RAJONALE E SIGURIMEVE SHOQËRORE KORÇË
OBJEKTI:
Anullimin e vendimit nr.36, datë 05.08.2008 të D.R.S.SH Korçë.
Pagimin e pensionit të parakohshëm që nga momenti i lindjes
të së drejtës nga data 29.12.2004.
Përllogaritja e masës së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi
dhe dhënia e diferencave nga data 01.04.2006 deri në momentin
e hyrjes në fuqi të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009.
Anullimin e vendimit nr.36/1, datë 17.10.2008 të D.R.S.SH Korçë
për mbylljen e pensionit të parakohshëm.
Pagimin e pensionit të parakohshëm bazë në shkallë vendi
plus shtesat eventuale në vite nga data 01.03.2008 deri në datë 31.12.2008
dhe anullimin e vendimit nr.36/2, datë 18.03.2010 të D.R.S.SH Korçë.
Baza Ligjore: Ligji nr.9210, datë 23.03.2004
“Për Statusin e Ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”,
neni 11 germat “a” dhe “b” të ligjit nr.8087, datë 13.03.1996, i ndryshuar,
nenet 5/b, 6 dhe 10 të ligjit nr.8521, datë 30.07.1999,
ligji nr.9418, datë 20.05.2005 “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar
të Ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”
dhe nenet 31, 32/a, 153 e 154 të K.Pr.Civile.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin nr.41-2013-1530 (810), datë 08.04.2013 ka vendosur:
Rrëzimin e kërkesëpadisë.
Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr.350, datë 20.06.2013 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.41-2013-1530 (810), datë 08.04.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.
Kundër vendimit të mësipërm, ka paraqitur rekurs pala paditëse Valter Bebri, i cili kërkon:
Ndryshimin e vendimit nr.350, datë 20.06.2013 të Gjykatës së Apelit Korçë dhe vendimit nr.41-2013-1530 (810), datë 08.04.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.
Shkaqet e paraqitura në rekurs nga pala paditëse Valter Bebri, janë:
-
Gjykata e Apelit Korçë në arsyetimin saj për rrëzimin e kërkesës ankimore ka pranuar pretendimet e palës së paditur, duke u shprehur se në këtë rast kemi parashkrimin e të drejtës së paditësit për të ngritur padi, pasi këtu kemi të bëjmë me kundërshtimin e një akti administrativ dhe sipas nenit 328 të Kodit Procedurës Civile ekziston një afat 30 ditor për paraqitjen e padisë nga momenti i njoftimit të aktit administrativ.
-
Ky është një pretendim që vjen në kundërshtim me ligjin dhe gjykata e apelit, ashtu sikurse dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka gabuar në arsyetimin e saj. Kjo, sepse që të fillonte të ecte afati 30 ditor duhet që paditësit ti ishin njoftuar vendimet e D.R.S.SH Korçë me nr.36, datë 05.08.2008, nr.36/1, datë 17.10.2008 dhe nr.36/2, datë 18.03.2010.
-
Paditësit që nga momenti i nxjerrjes së këtyre vendimeve dhe deri në momentin që filloi gjykimi i çështjes në gjykatën e shkallës së parë nuk i ishin komunikuar kurrë këta vendime. Por edhe sikur të rezultojë që paditësit i ishin njoftuar këta vendime nga momenti i daljes së tyre, përsëri afati 30 ditor i parashkrimit sipas nenit 328 të K.Pr. Civile nuk mund të zbatohet në këtë çështje, pasi sipas ligjit të posaçëm që rregullon këtë marrëdhënie, konkretisht ligjit nr.9418, datë 20.05.2005 “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, i cili ishte në fuqi në kohën e caktimit të pensionit të parakohshëm të paditësit rezulton se: “E drejta e përfitimeve nga ky ligj nuk parashkruhet”.
-
Sipas parimeve bazë të funksionimit të të drejtës dhe zbatimit të ligjit kur një dispozitë e një ligji të përgjithshëm sikurse është Kodi i Procedurës Civile bie ndesh me një dispozitë të një ligji të posaçëm, sikurse është ligji nr.9418, datë 20.05.2005 “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, zbatohen parashikimet e ligjit të posaçëm.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Medi Bici dhe e bisedoi çështjen në tërësi, në Dhomën e Këshillimit, në përfundim;
V Ë R E N
1. Në Gjykatën e Lartë me datë 16.09.2013 është regjistruar çështja administrative nr.11243-02426-00-2013 regj. them, që iu përket palëve ndërgjyqëse: paditës Valter Bebri dhe e paditur Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Korçë, me objekt: Anullimin e vendimit nr.36, datë 05.08.2008 të D.R.S.SH. Korçë, etj....
2. Vendimi nr.350, datë 20.06.2013 i Gjykatës së Apelit Korçë dhe vendimi nr.41-2013-1530 (810), datë 08.04.2013 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, janë marrë në zbatim të gabuar të ligjit procedurial, prandaj si të tillë ato duhet të prishen dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Korçë.
I. Rrethanat e çështjes:
3
. Paditësi Valter Bebri ka qenë oficer i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Me vendim nr.36, datë 05.08.2008 ai është trajtuar me pension suplementar të parakohshëm të ushtarakut në masën 8.531 lekë/muaj me datë të fillimit të përfitimit më 01.04.2006.
4. Ndërkohë me vendim nr.36/1, datë 17.10.2008 të palës së paditur DRSSH Korçë, paditësit i është ndërprerë pensioni suplementar i parakohshëm i ushtarakut, duke filluar nga data 01.03.2008, me arsyetimin që ai është punësuar, prandaj nuk mund të trajtohej paralelisht edhe me pension suplementar të parakohshëm të ushtarakut.
Do'stlaringiz bilan baham: |