VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
në datën 19.11.2015, në dhomë këshillimi, mori në shqyrtim çështjen administrative me nr.01600/2013, që u përket palëve:
PADITËS: FATOS (JANI) HYSAJ
PALË E PADITUR: KOMUNA POJAN, QARKU KORÇË
OBJEKTI:
Detyrimin e palës së paditur Komuna Pojan t’i paguajë paditësit Fatos Hysaj:
1 (një) muaj pagë për mosrespektim të afatit të njoftimit.
2 (dy) paga mujore për mosrespektim të procedurës
për zgjidhjen e kontratës së punës (neni 144 i Kodit të Punës).
6 (gjashtë) paga që do kish fituar deri në përfundim të Kontratës së Punës
(neni 155/1 i Kodit të Punës).
-
(dymbëdhjetë) paga mujore për zgjidhje të menjëhershme
-
e të pajustifikuar të kontratës së punës (neni 155/3 i Kodit të Punës).
Detyrimin për të rikthyer në punë paditësin.
Baza Ligjore : Nenet 143, 144, 149, 153, 155 të Kodit të Punës,
nenet 32/a e 154 të K.Pr.Civile.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin nr.41-2012-4010 (2304), datë 21.09.2012, ka vendosur:
-Pranimin e pjesshëm të padisë së paditësit Fatos Hysaj, duke u detyruar pala e paditur Komuna Pojan e Qarkut Korçë të paguajë shpërblimin dhe dëmshpërblimin në favor të këtij paditësi për sa në vijim vendoset:
-Detyrimin e palës së paditur Komuna Pojan të paguajë në favor të paditësit Fatos Hysaj dëmshpërblim një pagë mujore për mosrespektim të afatit të njoftimit, të llogaritur në 19 000 lekë.
-Detyrimin e palës së paditur Komuna Pojan të paguajë në favor të paditësit Fatos Hysaj dëmshpërblim dy paga mujore për mosrespektim të procedurës së njoftimit, të llogaritura në 38 000 lekë.
-Detyrimin e palës së paditur Komuna Pojan të paguajë në favor të paditësit Fatos Hysaj dëmshpërblim me pagën e pesë muajve punë për zgjidhjene marrëdhënieve të punës në mënyrë të menjëhershme e të pajuastifikuar, të llogaritura në 95 000 lekë.
-Detyrimin e palës së paditur Komuna Pojan të paguajë në favor të paditësit Fatos Hysaj dëmshpërblimin me gjashtë muaj pagë që do kish fituar deri në përfundim të kontratës së punës, në masën 114 000 lekë.
-Rrëzimin e kërkesës për objektin e gjykimit – Rikthim në punë, si të pambështetur në ligj.
-Shpenzime gjyqësore nuk rezultojnë.
Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr.78, datë 19.02.2013, ka vendosur:
-Lënien në fuqi të vendimit nr.2304, datë 21.09.2012 të Gjykatës Rrethit Gjyqësor Korçë.
Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala e paditur Komuna Pojan, e cila kërkon ndryshimin e vendimit nr.78, datë 19.02.2013 të Gjykatës së Apelit Korçë dhe të vendimit nr.41-2012-4010 (2304), datë 21.09.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, si dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Arsyetimi i vendimit të Gjykatës së Apelit Korçë është jo ligjor.
-
Pasi ka ndryshuar kryetari i Komunës pas zgjedhjeve të kryera nga data 8 Maj 2011, si paditësi ashtu edhe i gjithë personeli i kësaj Komune, kanë pasur takim me kryetarin e ri dhe asnjërit prej tyre nuk i është kërkuar që të dorëhiqet.
-
Për arsye të pavarura nga drejtuesi i ri i institucionit, pjesa dërrmuese e personelit ka braktisur detyrën në mënyrë të njëanshme, duke hequr në këtë mënyrë dorë nga marrëdhënia e tyre e punës me Komunën Pojan.
-
Mungesën e pajustifikuar të paditësit dhe braktisjen e detyrës nga ana e tij, pala e paditur e ka konsideruar një arsye të justifikuar dhe të mjaftueshme për të ndërprerë marrëdhënien e punës.
-
Paraqitja në detyrë dhe kryerja e punës, është një nga detyrimet themelore të punëmarrësit, i cili referuar kontratës individuale të punës, si dhe legjislacionit përkatës, pra Kodit të Punës që rregullon marrëdhëniet juridike mes punëdhënësit, merr detyrimin për ta zbatuar atë dhe për ta përmbushur.
-
Në rastin kur punëmarrësi braktis detyrën faktikisht, pa pasur asnjë motiv të përligjur për këtë, atëherë jemi para një shkelje të disiplinës në punë me faj të rëndë, ashtu siç përmendëm dhe më lart, fakt i cili detyron punëdhënësin të zgjidhë kontratën e punës.
-
Në listë pagesat e muajit Korrik 2011, rezulton që paditësi dhe personat e tjerë të larguar në po të njëjtën datë me paditësin, janë paguar edhe për kohën që nuk kanë qenë në punë. Për periudhën 1-14 Korrik, paditësi është paguar për ditë leje.
-
Ky përcaktim “ditë-leje”, është bërë thjesht për efekt të pasqyrimit të pagesës në bordero, pasi paditësi për vitin 2011 kishte vetëm 6 muaj punë dhe ende nuk kishte marrë lejen apo shpërblimin e lejes, sipas legjislacionit përkatës.
-
Pra, Komuna ju ka paguar këto ditë në formën e shpërblimit të lejes, si një detyrim që ju kishte këtyre punonjësve, edhe pse ata e kishin braktisur detyrën. Theksojmë se paditësi për këtë periudhë nuk ka qenë me leje, pasi për të marrë lejen e zakonshme duhet të kryejë procedurat e posaçme, të cilat në rastin konkret nuk janë zbatuar.
-
Për sa më sipër, të dyja vendimet e dhëna nga gjykatat më të ulëta, janë marrë në zbatim të gabuar të ligjit dhe për këtë arsye, kërkojmë pranimin e rekursit.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin përkatës të gjyqtares Evelina Qirjako, verifikoi legjitimitetin e palës rekursuese Komuna Pojan, si dhe diskutoi çështjen në tërësi;
V Ë R E N
1. Nga aktet e administruara në dosje, e konkretisht të dhënave që rezultojnë nga Libreza e Punës, rezulton se, paditësi Fatos (Jani) Hysaj ka qenë në marrëdhënie pune me palën e paditur Komuna Pojan që nga data 13.01.2010, në pozicionin e punonjësit të ujësjellësit.
2. Në datën 03.01.2011, midis palëve ndërgjyqëse është lidhur kontrata individuale e punës me afat 1-vjeçar, nëpërmjet të cilës, pala paditëse është punësuar pranë anës së paditur në pozicionin e faturistit të ujësjellësit. Kjo kontratë, i fillonte efektet e saj nga momenti i nënshkrimit deri në datën 03.01.2012.
3. Me urdhrin nr.20, datë 14.07.2011 “Për lirimin nga detyra të z. Jani Hysaj”, Kryetari i Komunës Pojan, ka liruar nga detyra palën paditëse me motivacionin: “për mosparaqitje në punë, pra shkelje të detyrimeve kontraktuale me faj të rëndë sipas materialit bashkëlidhur këtij urdhëri”. Efektet financiare të këtij Urdhëri kanë filluar që në datën 14.07.2011, në të cilën është parashikuar që të përfshihen edhe shpërblimet për lejen e zakonshme sipas parashikimeve të Kodit të Punës.
4. Pala paditëse, në kushtet kur nuk ka qenë dakord me ndërprerjen e marrëdhënieve të punës, në datën 26.06.2012 i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë me padinë me objekt të sipërcituar, duke pretenduar se është larguar nga puna pa shkaqe të arsyeshme dhe në mënyrë të menjëhershme, duke mos u respektuar afatet e njoftimit, si dhe procedura e zgjidhjes së marrëdhënies së punës.
5. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin nr.41-2012-4010 (2304), datë 21.09.2012, ka vendosur:
-Pranimin e pjesshëm të padisë së paditësit Fatos Hysaj, duke u detyruar pala e paditur Komuna Pojan e Qarkut Korçë të paguajë shpërblimin dhe dëmshpërblimin në favor të këtij paditësi për sa në vijim vendoset:
-Detyrimin e palës së paditur Komuna Pojan të paguajë në favor të paditësit Fatos Hysaj dëmshpërblim një pagë mujore për mosrespektim të afatit të njoftimit, të llogaritur në 19 000 lekë.
-Detyrimin e palës së paditur Komuna Pojan të paguajë në favor të paditësit Fatos Hysaj dëmshpërblim dy paga mujore për mosrespektim të procedurës së njoftimit, të llogaritura në 38 000 lekë.
-Detyrimin e palës së paditur Komuna Pojan të paguajë në favor të paditësit Fatos Hysaj dëmshpërblim me pagën e pesë muajve punë për zgjidhjen e marrëdhënieve të punës në mënyrë të menjëhershme e të pajuastifikuar, të llogaritura në 95 000 lekë.
-Detyrimin e palës së paditur Komuna Pojan të paguajë në favor të paditësit Fatos Hysaj dëmshpërblimin me gjashtë muaj pagë që do kish fituar deri në përfundim të kontratës së punës, në masën 114 000 lekë.
-Rrëzimin e kërkesës për objektin e gjykimit – Rikthim në punë, si të pambështetur në ligj.
-Shpenzime gjyqësore nuk rezultojnë.
5/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “....Gjatë shqyrimit gjyqësor të çështjes, rezulton e provuar se pala e paditur Komuna Pojan, nuk ka respektuar asnjë afat njoftimi dhe nuk ka respektuar procedurën përkatëse, kërkesa këto të neneve 141-144 të Kodit të Punës. ... Për rastin në gjykim, kur kontrata është zgjidhur në mënyrë të menjëhershme, në mbështetje të të nenit 153/2 të Kodit të Punës, i takon punëdhënësit të provojë nëse kjo kontratë është zgjidhur për shkaqe të arsyeshme ose jo. Gjykata vlerëson se, zgjidhja e kontratës së punës, referuar shkakut të paraqitur nga ana e paditur Komuna Pojan është i paarsyeshëm, pasi (a) mospërmbushja e detyrës funksionale e pretenduar si shkak i largimit nga detyra, për asnjë rast nuk u mbështet nga ndodnjë provë dhe se shkaku tjetër i lirimit nga detyra që lidhet me (b) braktisjen e detyrës, nuk rezulton gjithashtu i provuar dhe ka arsye të besohet gjithashtu nga gjykatase, kemi të bëjmë me një shkak fiktiv për sa argumentohet në vijim. ... “Mospërmbushja e dteyrës”për sa kohë nuk provohet se i janë komunikuar punëmarrësit (paditësit), si dhe nuk provohet se ai është paralajmëruar nga punëdhënësi (i padituri) në formën e këshillimit apo masave disiplinore, për asnjë rast nuk mund të konsiderohet nga gjykata si një shkak i asyeshëm. Për sa rezultoi, pala e paditur nuk paraqiti asnjë provë në referencë të ligjit specifik (Kodi i Punës) që të konsiderojë këtë shkak largimi nga detyra si të arsyeshëm, pra ai mbetet të përcaktohet si shkak i pajustifikuar në këtë zgjidhje të menjëhershme të marrëdhënies së punës. Gjykata vëren së, dokumenti “Listëprezencë” me të cilin pala e paditur mbështet shkakun tjetër të arsyeshëm të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me paditësin, nuk plotëson asnjë kusht të vlefshëm ligjor që të justifikojë këtë shkak, jo vetëm për arsyet e mësipërme, por edhe se nuk ka asnjë specifikim dhe asnjë argumetim të mëtejshëm të “faktit të pretenduar” dhe sjellja e punëdhënësit në këtë rast, vlerësohet si jo korrekte dhe në përputhje me respektimin e Kodit të Punës dhe jo si në përputhje me marrëdhëniet e mirëbesimit punëdhënës-punëmarrës... Mbështetur në vërtetimin lëshuar nga Komuna Pojan data 22.06.2012, paraqitur si provë nga pala e paditur, vërtetohet se, paditësi Fatos (Jani) Hysaj, është paguar me pagë për ditë pune deri në datën 14.07.2011. Mbështetur në të dhënat e këtij vërtetimi, konstatohet qëndrimi fiktiv i palës së paditur, në justifikim të rrethanave të largimit nga detyra të paditësit. ... Përsa i përket kërkimit për rikthimin në vendin e punës, gjykata vlerëson se ky kërkim duhet të rrëzohet si i pambaështetur në asnjë dispozitë ligjore....”.
6. Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr.78, datë 19.02.2013, ka vendosur:
-Lënien në fuqi të vendimit nr.2304, datë 21.09.2012 të Gjykatës Rrethit Gjyqësor Korçë.
6/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “....Paditësit arsyet e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës nuk i janë bërë prezent dhe shkaqet e pretenduara prej punëdhënësit jane shkaqe fiktive dhe të vendosura në kohë të papërshtatshme. Ai gjithashtu ka shpjeguar se në momentin e ndërrimit të Kryetarit të Komunës nga ai i mëparshmi, është thirrur nga ky i fundit dhe i është dhënë leja e zakonshme. Pasi ka mbaruar lejen, paditësi është kthyer në punë për të vazhduar detyrën, por nga ana e kryetarit të Komunës i është komunikuar ndërprerja e marrëdhënieve të punës, arsyet e së cilës i ka marrë vesh vetëm në gjykatën e shkallës së parë.... Sipas nenit 143/4 të K.Punes, kur njëra nga palët zgjidh kontratën pa respektuar afatin e njoftimit, zgjidhja duhet të trajtohet si zgjidhje e kontratës me efekt të menjëhershëm. ....Duke ju referuar prapësimeve të të paditurit, gjykata ka arritur në konkluzion se, Komuna Pojan si punëdhënës ka zgjidhur kontratën me punëmarrësin për shkaqe të arsyeshme, pasi mospërmbushja e detyrës funksionale prej punëmarrësit, duhet të provohet dhe jo të merret apriori. Pala e paditur, megjithëse pretendoi këtë shkak kryesor për zgjidhjen e kontratës së punës, nuk ka mundur të paraqesë asnjë provë për të mbështetur këtë pretendim. Duke e konsideruar rastin e zgjidhjes së kontratës së punës në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar, gjykata në mbështetje të nenit 143 të K.Punës, ka vendosur detyrimin e punëdhënësit të dëmshpërblejë punëmarrësin me pagën e një muaji për mosrespektimin e afatit të njoftimit, me pagën e dy muajve për mosrespektim të procedureave në zbatim të kërkesave të paragrafit 4, të nenit 144 të K.Punës, me pagën e 5 muajve për zgjidhjen e menjëhershme të kontratës së punës, në mbështetje të paragrafit të III-të të nenit 155 të K.Punës, si dhe një dëmshpërblim me 6 muaj pagë, deri në përfundimin e kontratës së punës nga data 15.07.2011 deri 31.01.2012. Në caktimin e masës së dëmshpërblimit, gjykata ka marrë për bazë pagën bruto të paditësit prej 19.000 lekë në muaj. Nga sa parashtruam më lart, rezulton se pretendimet e të paditurit të ngritura në kërkesën ankimore janë të pabazuara në prova e në ligje e nuk ka vend të merren parasysh”.
7. Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala e paditur Komuna Pojan, e cila kërkon ndryshimin e vendimit nr.78, datë 19.02.2013 të Gjykatës së Apelit Korçë dhe të vendimit nr.41-2012-4010 (2304), datë 21.09.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, si dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar ato shkaqe që pasqyrohen në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
8. Kolegji Administrativ i Gjykates së Lartë, vlerëson se rekursi i paraqitur nga pala e paditur Komuna Pojan, përmban shkaqe ligjore nga ato të parashikuara në nenin 58 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të cilat i bëjnë të cënueshme vendimet e gjykatave më të ulëta. Ky Kolegj, konstaton se në gjykimin e kësaj çështje, të dyja gjykatat më të ulëta kanë interpretuar gabim ligjin material që zbatohet për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje dhe si rezultat, nuk e kanë zgjidhur atë në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që jane të detyrueshme të zbatohen prej tyre.
9. Në analizë të kërkimeve të palës paditëse dhe shkakut ligjor në të cilat mbështen këto kërkime, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se, në rastin objekt shqyrtimi jemi përpara një mosmarrëveshje që rrjedh nga marrëdhëniet e punës për zgjidhjen e të cilës, referim duhet bërë në dispozitat e Kodit të Punës.
10. Nga aktet e dosjes gjyqësore, rezulton se, paditësi ka qënë në marrëdhënie pune me palën e paditur, me afat të caktuar. Paditësi ka filluar punë pranë palës së paditur më datë 13.01.2010. Marrëdhënia e punës, fillimisht nuk ka qenë rregulluar me kontratë me shkrim deri në vitin 2011, kohë në të cilën midis palëve ndërgjyqëse në këtë gjykim, është lidhur kontrata e punës me afat një vjeçar, (03.01.2011-03.01.2012). Kontrata e punës është zgjidhur në mënyrë të menjëhershme nga pala e paditur me urdhrin nr.20, datë 14.07.2011. Rezulton se, pala e paditur nuk ka zbatuar afatin për zgjidhjen e kontratës së punës, ndaj në kuptim të nenit 143 të K.Punës, që shprehimisht thotë “Kur njëra nga palët e zgjidh kontratën pa respektuar afatin e njoftimit, zgjidhja e kontratës trajtohet si zgjidhje e kontratës me efekt të menjëhershëm”, kjo zgjidhje është e njëanshme dhe e menjëhershme. Në kushtet kur arrihet në konkluzionin se jemi para zgjidhjes së kontratës së punës në mënyrë të menjëhershme, është mëse e domosdoshme për gjykatën të hetojë në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme nëse zgjidhja e menjëhershme, e njëanshme e kontratës së punës nga ana e punëdhënësit, Komuna Pojan (pala e paditur), është bërë për shkak të justifikuar apo jo, sikundër e parashikon neni 153 të K.Punës?
11. Neni 153 i K.Punës parashikon se:“1) Punëdhënësi e punëmarrësi, në çdo kohë, mund të zgjidhin menjëherë kontratën për shkaqe të justifikuara. 2) Vlerësohen si shkaqe të justifikuara të gjitha rrethanat e rënda që nuk lejojnë, sipas parimit të mirëbesimit, t’i kërkohet atij që ka zgjidhur kontratën, vazhdimin e marrëdhënieve të punës. 3) Gjykata vendos nëse ekzistojnë shkaqe të justifikuara për zgjidhjen e menjëhershme të kontratës. Konsiderohen shkaqe të justifikuara rastet kur punëmarrësi shkel detyrimet kontraktuale me faj të rëndë, si edhe rastet kur punëmarrësi shkel detyrimet kontraktuale me faj të lehtë, në mënyrë të përsëritur, me gjithë paralajmërimin me shkrim të punëdhënësit.
12. Në analizë të kësaj dispozite, punëmarrësi dhe/ose punëdhënësi në çdo kohë mund ta zgjidhin kontraten e punës (që do të thotë se, zgjidhja e kontratës së punës në mënyrë të menjëhershme prej secilës palë është ligjshme), me kusht që të provohet se shkaku i zgjidhjes së kontratës së punës është i justifikuar, pra që jemi para kushteve të parashikuara në nenin 153/2 të K.Punës. Kushtet kumulative për të pranuar ekzistencën e shkakut të justifikuar janë: a – punëmarrësi të ketë shkelur një detyrim kontraktual që rrjedh nga ligji, kontrata e punës, kontrata kolektive; b – kjo shkelje të jetë kryer me faj; c – ekzistenca e lidhjes shkakësore midis shkeljes me faj dhe pushimit të menjehershëm nga puna; d – kjo shkelje të ketë krijuar një situatë të rëndë që, nuk lejon sipas parimit të mirëbesimit t’i kërkohet punëdhënësit vazhdimi i marrëdhënieve të punës.
13. Në çështjen objekt gjykimi, ka rezultuar qartë që, shkaku i zgjidhjes së kontratës së punës nga ana e palës së paditur është “për mosparaqitje në punë, pra shkelje të detyrimeve kontraktuale me faj të rëndë”. Në referim të akteve të administruara në dosjen gjyqësore që janë marrë në shqyrtim nga gjykatat më të ulëta, rezulton se, ana e paditur ka arritur në këtë konkluzion, pasi ka konstatuar se: paditësi që nga data 01.07.2011, pa njoftuar punëdhënësin nuk është paraqitur në punë dhe nuk ka dhënë asnjë shkak të arsyeshëm për mungesën në punë. Pas kryerjes së zgjedhjeve të pushtetit vendor datë 8 Maj 2011, është zgjedhur Kryetari i ri Komunës Pojan dhe ky i fundit, në datën 28.06.2011 ka zhvilluar një takim me gjithë administratën, në të cilin ka qenë prezent edhe paditësi. Pas këtij takimi, paditësi nga data 01.07.2011 deri në datën 14.07.2011 nuk është paraqitur më në punë, fakt i cili provohet nga listëprezenca e aparatit të Komunës Pojan për datën 1-31 Korrik (referojuni fq.13 të dosjes gjyqësore). Nuk ka asnjë dokumentacion shkresor, nëpërmjet të cilit të provohet shkaku i mosprezences në punë të paditësit, pra as raport mjekësor dhe as ndonjë dokument tjetër shkresor që të vërtetonte shkakun e mungesës.
14. Paditësi ka pretenduar se nga data 01.07.2011 deri më 14.07.2014, ai ka qënë me leje të zakonshme. Në referim të akteve të dosjes gjyqësore që janë marrë në shqyrtim nga gjykatat më të ulëta, ky pretendim i paditësit nuk është i bazuar, për arsye se: i) nuk rezulton që kjo leje të jetë miratuar nga titullari, (nuk ka asnjë akt në dosjen gjyqësore); ii) pagesa per lejen e zakonshme (për aq sa i takonte paditësit në varësi të kohës që kishte punuar pranë kësaj komune) i është bërë paditësit, pasi atij i janë zgjidhur marrëdhëniet e punës (urdhëri i lirimit nga detyra nr.20, datë 14.07.2011, fq. 11 e dosjes gjyqësore). Kjo pagesë është një detyrim ligjor që ka punëdhënësi në rastet e zgjidhjes së marrëdhënies së punës me punëmarrësin. Sa më sipër, rezulton nga një sërë aktesh shkresore të administruara në dosjen gjyqësore (fq. 3 – 14 e dosjes gjyqësore), që janë marrë në shqyrtim nga gjykatat më të ulëta.
15. Nisur nga sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se shkeljet e konstatuara nga pala e paditur, përbëjnë shkak të justifikuar për zgjidhjen e marrëdhënies së punës. Nga analiza e mësipërme e shkaqeve për të cilat paditësi është larguar nga puna, rezulton se, paditësi ka munguar në punë pa shkak të justifikuar dhe pa lajmëruar për mungesën eprorin e tij. Si pasojë e këtyre shkeljeve pala e paditur, ka humbur besimin tek ai. Kjo situatë e krijuar nuk lejon sipas parimit të mirëbesimit që të vazhdojë marrëdhënia e punës e krijuar mes palëve. Është detyrim i punëmarrësit të njoftojë punëdhënësin për mungesat në punë dhe mospërmbushja e këtij detyrimi përbën shkelje të detyrimeve kontraktuale me faj të rëndë
16. Referuar akteve të administruara në dosjen gjyqësore, ky Kolegj, vlerëson se pala e paditur nuk ka zbatuar procedurën për zgjidhjen e kontratës së punës parashikuar nga neni 144 i K.Punës. Në kuptim të kësaj dispozite, procedura për zgjidhjen e kontratës së punës, duhet zbatuar edhe në rastin e zgjidhjes së mënjëhershme të kontratës së punës. Në rast të kundërt, punëdhënsi detyrohet të dëmshpërblejë punëmarrësin me pagën e dy muajve. Në këto kushte, duke qënë se pala e paditur nuk ka respektuar parashikimet e nenit 144 të K.Punës, vlerëson se, vendimi i Gjykatës së Apelit Korçë, për këtë kërkim duhet të lihet në fuqi. Ndërsa sa i takon kërkimeve të tjera të padisë, vendimet e të dyja gjykatave duhet të ndryshohen duke u rrëzuar padia.
17. Në përfundim të analizës sa më sipër, dhe në kushtet kur Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se shkaku për zgjidhjen e kontratës së punës, është një shkak i justifikuar dhe i bazuar në ligj, paditësi nuk ka të drejtë të përfitojë shpërblimet që rrjedhin nga zgjidhja e marrëdhënies së punës (neni 143, 153, 145 i K.Punës), pasi kërkimet e tij janë të pabazuara në prova dhe në ligj.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 63 të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O SI
Lënien në fuqi të vendimit nr.78, datë 19.02.2013 të Gjykatës së Apelit Korçë, përsa i përket kërkimit të paditësit për dëmshpërblimin në lidhje me mosrespektimin e procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës.
Ndryshimin e vendimit nr.41-2012-4010 (2304), datë 21.09.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë dhe të vendimit nr.78, datë 19.02.2013 të Gjykatës së Apelit Korçë dhe rrëzimin e kërkesë padisë së paditësit Fatos (Jani) Hysaj, për kërkimet e tjera të padisë.
Tiranë më 19.11.2015
Nr. 11241-02113-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2015 - 4568 i Vendimit (616)
Do'stlaringiz bilan baham: |