VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga :
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Në datën 19.11.2015 mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit çështjen administrative me nr.31001-00352-00-2013 akti që ju përket palëve :
PADITËS: SHOQËRIA “ FERRAJ NDËRTIM” SHPK.
TË PADITUR: INSPEKTORIATI NDËRTIMOR URBANISTIK KOMBËTAR, TIRANË.
INSPEKTORIATI NDËRTIMOR URBANISTIKË KOMBËTAR, DEGA SARANDË.
OBJEKTI:
Kundërshtimin e aktit administrativ, vendimit nr.07, datë 24.04.2012
të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar Tiranë.
Baza Ligjore: Nenet 32/a, 153, 154 të K.Pr.Civile
dhe neni 118 të K.Pr.Administrative,
ligji nr.9870, datë 16.07.2007 “Për inspektimin e ndërtimit” neni 14
dhe Ligji 9290, datë 17.10.2004 “Për procedurat e ndërtimit”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, me vendimin nr.23-2012-1888 (853), datë 27.06.2012 ka vendosur:
Rrëzimin e kërkesë-padisë me nr.21239-01435-23-2012 Regjistri Themeltar, datë 14.05.2012 Regjistrimi të paditësit Shoqërisë “ Ferraj Ndërtim “ shpk me administrator Petrit Ferraj.
Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës paditëse.
Gjykata e Apelit Gjirokastër, me vendimin nr.591, datë 05.12.2012 ka vendosur:
Ndryshimin e vendimit civil nr.23-2012-1888 (583), datë 27.06.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë si më poshtë:
-Pranimin e padisë së palës paditëse, shoqëria “Ferraj Ndërtim” shpk.
-Anullimin e vendimit nr.7, datë 24.04.2012 të INUK Tiranë.
Shpenzimet gjyqësore palës së paditur.
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Gjirokastër, ka ushtruar rekurs pala e paditur Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar Tiranë, i cili kërkon prishjen e këtij vendimi dhe lënien në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë nr.23-2012-1888 (583), datë 27.06.2012, duke parashtruar këto shkaqe:
Vendimi nr.07, datë 24.04.2012 i INUK për dënimin me gjobë, subjektin kundërvajtës Shoqëria “ Ferraj Ndërtim” është marrë në respektim të afateve dhe procedurave ligjore nga organi kompetent INUK Tiranë.
Në mbështetje të nenit 12 të ligjit nr.9780, datë 16.07.2007 “ Për inspektimin e ndërtimit” kemi ushtruar kontroll dhe kemi mbajtur procesverbalin nr.12, datë 24.02.2012 për kundërvajtjen disa mangësi sië mungesa e tabelës identifikuese, mosmarrja e masave të sigurimit teknik, mungesa e dokumentacionit tekniko-ligjor, mungesa e drejtuesit teknik gjatë punimeve. Subjekti refuzoi të firmoste dhe kështu që inspektoret u detyruan që të linin një kopje të procesverbalit në një vënd të dukshëm brënda në objektin e ndërtimit.
Mbi bazën e procesverbalit brënda afatit 10 ditor është marrë vendimi administrativ nr.13, datë 02.03.2012 “ Për pezullimin e punimeve në ndërtim” i bazuar në nenet 81, 82 të ligjit 10 119, datë 23.04.2009 “ Për planifikimin e teritorit” dhe kompetencës dhe afateve proceduriale kemi marrë vendimin nr.07, datë 24.04.2012 për dënimin me gjobë i cili i është komunikuar zyrtarisht me shkresën nr.12 prot. datë 03.05.2012, nga Dega e INUK, Dega Sarandë, bazuar në nenet 9,10/1 të ligjit 9780, datë 16.07.2007.
Gjykata e Apelit Gjirokastër gjatë shqyrtimit të çështjes bazuar në nenin 465 ka përsëritur pjesërisht hetimin gjyqësor ku është administruar dhe procesverbali nr.12, datë 24.02.2012, mbi bazën e të cilit është vendosur gjoba i cili sipas kësaj gjykate nuk rezulton se është administruar në gjykimin në shkallë të parë.
Vendimi i Gjykatës së Apelit është i pambështetur në ligj dhe në prova. Kështu procesverbali është mbajtur në mbështetje të nenit 13 të ligjit 10 279, datë 20.05.2010 “ Për kundërvajtjet administrative”.Ai është mbajtur në prezencë të subjektit të kontrolluar dhe është vendosur shenja “X” në hapësirën ku shkruhet “ Nuk pranon të nënshkruaj” bile ka bërë dhe presion punonjësve për të mos e nënshkruar marrjen e procesverbalit. Kjo ishte dhe arsyeja që e lamë atje në një vënd të dukshëm.
Pala paditëse me njoftimin e vendimit të pezullimit kishte të gjitha mundësit për të marrë masat për plotësimin e gjithë mangësive, gjë të cilën nuk e bëri por vazhdojë me mospërfillje të dukshme vazhdimin e punimeve, ndonëse ishte marrë vendimi i pezullimi.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Ardian Dvorani dhe diskutoi çështjen në tërësi në dhomën e këshillimit ,
V Ë R E N
Pala paditëse, Shoqëria “Ferraj Ndërtim” shpk, me administrator Petrit Ferraj është njoftuar me shkresën nr.12 protokolli, datë 03.05.2012 të lëshuar nga pala e paditur Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Dega Sarandë, me të cilin i bëhej me dije se ishte dënuar si kundërvajtës me vendimin nr.7, datë 24.04.2012.
Sipas vendimit “Me dënim me gjobë” pala paditëse është dënuar me 500 000 lekë. Në këtë vendim në mënyrë të përmbledhur janë përshkruar mangësitë në dokumentacionin e nevojshëm në ndërtim si dhe të metat e konstatuara gjatë kontrollit në objektin që ndërton në Sarandë.
Kështu pala paditëse ka ndërtuar kate dhe papafingo me sipërfaqe 350 m.2 të pamiratuara në projekt, mungesë e masave të sigurimit teknik si dhe mungesa e drejtuesit teknik në objekt gjatë ndërtimit.
Pala paditëse me vënien në dijeni për dënimin me gjobë për kundërvajtje, më datë 14.05.2012 i është drejtuar me kërkesëpadi Gjykatës Rrethit Gjyqësor Sarandë, duke pretenduar se dokumentacionin tekniko-ligjor e kishte në rregull dhe se vendimi i gjobës është nxjerrë në kundërshtim me formën dhe procedurën e kërkuar nga ligji.
Në rrethana të tilla, pala paditëse, Shoqëria “ Ferraj Ndërtim” shpk, ka ngritur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë padi me shkak ligjor dhe objekt kundërshtimin e aktit administrative, vendimit të dënimit me gjobë nr.07, datë 24.04.2012 të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar Tiranë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, pas shqyrtimit të çështjes, ka vendosur rrëzimin e padisë, ku ka arsyetuar se pala paditëse nuk ka patur dokumentacionin e plotë dhe se në vendosjen e gjobës janë respektuar me korrektësi procedurat e parashikuara nga ligji nr.9780, datë 16.07.2007 “Për inspektimin e ndërtimit “ dhe ligjin nr.9290, datë 07.10.2004 “Për procedurat e ndërtimit”.
Gjykata e Apelit Gjirokastër, e vënë në lëvizje vetëm mbi ankimin e palës paditëse Shoqëria “Ferraj Ndërtim” shpk, ka vendosur ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe pranimin e padisë, anullimin e vendimit të gjobës.
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Gjirokastër, pala e paditur Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Tiranë ka paraqitur rekurs në Gjykatë të Lartë, ku në thelb pretendohet se vendimi i gjykatës së apelit është i pambështetur në ligj dhe prova.
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në dhomë këshillimi, para se të shqyrtonte shkaqet e ngritura në rekursin e palës së paditur Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Tiranë, në përmbushje të detyrës së saj si gjykatë ligji, kryesisht, verifikoi aktet proceduriale që gjënden në dosjen gjyqësore, nga ku konstatoi se gjykimi si në shkallë të parë dhe atë të apelit është zhvilluar në shkelje të rëndë të normave proceduriale. Prandaj, është vendi që vendimet e dhëna nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe Gjykata e Apelit Gjirokastër të prishen dhe çështja të rishqyrtohet nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë.
Ky Kolegj, vëren se me anë të padisë, pala paditëse, Shoqëria “ Ferraj Ndërtim” shpk, ka kërkuar kundërshtimin e aktit administrativ, vendimit nr.07, datë 24.04.2012 të Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Tiranë duke pretenduar se gjoba e vendosur ka qënë mbështetur në procesverbalin nr.12, datë 24.02.2012 i cili nuk është i administruar në dosje dhe se midis tij dhe vendimit të gjobës nuk ka asnjë përputhje .
Në rrethana të tilla, mosmarrëveshja e krijuar midis palës paditëses, Shoqëria “ Ferraj Ndërtim” shpk, nuk është e lidhur vetëm me të drejta subjektive por dhe me pretendime që kërkojnë realizimin e tyre kundrejt shtetit dhe nëpërmjet organeve shtetërore, pra është i dukshëm interesi që ka shteti për të mbrojtur në këtë gjykim.
Mirëpo, Gjykata e Rrethit Gjyqësor dhe ajo e apelit kanë shkelur në mënyrë flagrante ligjin procedurial, duke mos i,u garantuar palëve të paditura, si organe administrative mbrojtjen e interesave të shtetit sipas kushteve dhe mënyrës që parashikon shprehimisht ligji.
Në nenin 79/a të Kodit të Procedurës Civile thuhet: ”Avokatura e Shtetit ushtron përfaqësimin në rastet e parashikuara me ligj. Gjykata, që shqyrton çështje për të cilat me ligj përfaqësimi dhe mbrojtja kryhet nga avokatura e Shtetit, urdhëron njoftimin e akteve kësaj të fundit, me qëllim që ajo të ketë mundësi të marrë pjesë në gjykim”.
Një interpretim të ligjit kanë bërë edhe Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, ku midis të tjerave, në vendimin unifikues nr.13, datë 23.03.2004 janë shprehur se: “...Nga përmbajtja e kësaj dispozite( nenit 79/a të K.Pr.Civile), del se, kur shqyrton çështje për të cilat përfaqësimi dhe mbrojtja kryhet nga Avokatura e Shtetit, gjykata është e detyruar që të urdhërojë njoftimin e akteve kësaj të fundit. Vetëm këtu mund t,i krijohet mundësia reale Avokaturës së Shtetit që të marrë pjesë në gjykim me qëllim përfaqësimi dhe mbrojtje të interesave të shtetit, në rastet e parashikuara nga ligji...”
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, kryesisht shqyrtoi kompetencën lëndore dhe tokësore për të përcaktuar se cila gjykatë është kompetente për shqyrtimin e kësaj çështje. Bazuar në nenin 7 të ligjit nr.49/2012 kompetente nga pikëpamja lëndore janë gjykatat administrative.
Përsa i përket kompetencës tokësore kompetente për shqyrtimin e çështjes është Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, bazuar në nenin 11/1 të ligjit 49/2012, ku thuhet: ”...Në rastet kur organi administrativ më i lartë, pas ankimit administrativ, e ndryshon aktin administrativ të organit mvartës, padija ngrihet në gjykatën që përfshin territorin ku ka qëndrën organi administrativ më i lartë...”.Në këtë rast akti administrativ është nxjerrë direkt nga organi administrativ më i lartë, Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, qëndra e të cilit është në Tiranë.
Sa më sipër, ky Kolegj, në dhomë këshillimi, arrin në përfundimin se vendimi i Gjykatës Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe vendimi i Gjykatës së Apelit Gjirokastër, duhen prishur dhe çështja duhet të dërgohet për vazhdimin e gjykimit në Gjykatën Administrative të Shkallës Parë Tiranë, si gjykatë kompetente nga pikëpamja lëndore dhe tokësore, bazuar në ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”,
PËR KËTO ARSYE
Kolegji administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të neneve 9, 11/1 dhe 63 gërma “ d “ të ligjit nr.49, datë 03.05.2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.591, datë 05.12.2012 të Gjykatës Apelit Gjirokastër dhe vendimin nr.23-2012-1888 ( 853), datë 27.06.2012 të Gjykatës Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë për vazhdimin e gjykimit.
Tiranë, më 19.11.2015
Nr. 11243-00062-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-4536 i Vendimit (623)
Do'stlaringiz bilan baham: |